ATV

Category: Lajme

  • ​Konjufca: Rruga e Kosovës është vetëm një, ajo e Evropës

    ​Konjufca: Rruga e Kosovës është vetëm një, ajo e Evropës

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se rruga e Kosovës është ajo e Evropës dhe parimeve të saj, dhe sipas tij çdo propozim tjetër është cenim i këtyre parimeve.

    Ai ka thënë se rruga e vendeve joanëtare për në Bashkim Evropian është edhe rruga e vet BE-së drejt idesë së lartë të Evropës së bashkuar.

    “Kosova është sot një shembull i shkëlqyer i demokracisë dhe vlerave universale të Bashkimit Evropian, me të cilat shteti ynë synon të jetë sa më i akorduar, përtej të cilave nuk mund të bëhet lëshim, sepse ekzistenca e tij është e lidhur thelbësisht me të qenit e tij demokraci dhe vend i këtyre vlerave universale. Rruga e Kosovës është vetëm një, është ajo e Evropës, e frymës dhe parimeve të saj dhe çdo propozim tjetër është cënim i saj dhe i këtyre parimeve. Rruga e vendeve joanëtare për në BE është njëkohësisht edhe rruga e BE-së drejt idesë së lartë të Evropës së Bashkuar, rruga ku ajo duhet të përmbush vetveten duke takuar vlerat e saj”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

    Në Ditën e Evropës, Konjufca ka thënë se sot duhet festuar për një BE më të thellë që nuk reduktohet në peshë teksa vijon procesin e zgjerimit.

  • ​BE: Duam që Serbia të na bashkohet në Union

    ​BE: Duam që Serbia të na bashkohet në Union

    Dita e Evropës është shënuar edhe në Serbi me një aktivitetet kur përmes luleve është formuar flamuri i Bashkimi Evropian dhe atij serb. Me këtë rast, ambasadori i BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret deklaroi se e duan shtetin serb në BE.

    Ai tha se Ditën e Evropës këtë vit e shënojnë pa shumë aktivitete meqënse në fqinjin verior janë ditë zie për shkak të dy vrasjeve masive që ndodhën në shkollë dhe fshatra ku humbën jetë dhjetëra serbë, transmeton kp.

    “Në këto ditë pikëllimi dua të them sërish se ne duam që Serbia të anëtarësohet në Union, institucionet dhe shtetet anëtare janë unanime për të mbështetur anëtarësimin e Serbisë, ne duam që kjo qasje, ky proces të vazhdojë, në mënyrë që Serbia të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, anëtare e plotë e familjes së BE-së. Kjo është ajo që ne duam që Serbia të jetë pjesë e Bashkimit tonë demokratik, të jetë pjesë e një bashkimi që kujdeset për qytetarët e saj, kujdeset për qëndrueshmërinë e ekonomisë së saj, kujdeset për brezat e ardhshëm”, deklaroi Giaufret.

    Kujtojmë që në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian ka një kapitull të veçantë vetëm për Kosovën ku theksohet normalizimi i raporteve me Republikën e Kosovës.

  • ​Kurti: Këtë vit kemi më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës

    ​Kurti: Këtë vit kemi më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit Kosova ka më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës.

    Kurti ka përmendur dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkim Evropian, nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave, si dhe kalimin e fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës.

    “Në dhjetorin e vitit që e lamë pas dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Muajin e kaluar u nënshkrua vendimi për liberalizimin e vizave, ndërkaq në fund të prillit kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Më afër dhe rrugës për në Bashkimin Evropian, këtë vit kemi edhe më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës. Urime 9 Maji – Dita e Evropës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Në Ditën e Evropës, Kurti ka thënë se BE është projekti më i madh politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit që nga lufta e dytë botërore.

  • Kryetarja e Graçanicës deklaron pasuri të majme dhe tri paga, dy të ardhura nga Serbia

    Kryetarja e Graçanicës deklaron pasuri të majme dhe tri paga, dy të ardhura nga Serbia

    Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq ka deklaruar pasurinë e majme të saj për vitin 2022 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Kryetarja Shubariq ka deklaruar pasuri tri banesa, dy shtëpi, dy troje dhe dy toka, të gjitha në vlerë prej 355 mijë euro.

    Në regjistrin për deklarim në APK, Shubariq ka dekalruar edhe për të ardhurat e saj vjetore. Përveç pagës si kryetare e komunës në Graçanicë në vlerë prej 15 mijë e 312 euro në vit që merr nga buxheti i Kosovës, ajo ka deklaruar edhe dy rroga të tjera të ardhura nga Serbia.

    Sipas deklarimit të saj në APK, ajo merr pagë 16 mijë e 503 nga Serbia përmes listës së pagave nga Fakulteti i Mjekësisë në Mitrovicë, si dhe pagën e dytë nga Serbia në vlerë prej 12 mijë e 750 euro përmes listës së pagave, Qendra klinike spitalore në Graçanicë.

    Po ashtu Shubariq ka deklaruar 2 mijë e 39 euro mëditje nga komuna e Graçanicës për udhëtime pune jashtë vendi.

    Krahas të hyrave në familjen e saj, ajo ka deklaruar edhe paga e tjera nga Serbia që marrin bashkëshorti dhe fëmijët e saj.

    Bashkëshorti i saj përmes listës së pagave në Shtëpinë e shëndetit në Gushtericë, paguhet nga Serbia 13 mijë e 140 euro, sikur edhe fëmijët e saj paga neto përmes listë së pagave, QKS-Mitrovicë e veriut, nga Serbia 6 mijë e 100 euro dhe prindërit pensionet bazë përmes Serbisë 4 mijë 100 euro.

    Kryetarja e Graçanicës ka treguar edhe për pasurinë e luajtshme, e cila ka dy vetura të përbashkëta, njëra në vlerë 5 mijë e 800 euro dhe tjetra 11 mijë e 500 euro.

  • Abbott: Është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft statut për Asociacionin

    Abbott: Është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft statut për Asociacionin

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ka thënë se është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft statut për Asociacionin, duke u mbështetur në vizionin e kryeministrit Albin Kurti, të prezantuar javën e kaluar.

    Sipas tij, i njëjti duhet të jetë edhe në përputhje mek rirët e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

    “Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, ka shkruar Abbott në Twitter.

    Abbott gjithashtu ka theksuar se aleatët duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa ka përmendur që vizitorë të rëndësishëm do të qëndrojnë këtë javë në Prishtinë, përfshirë diplomaten Victoria Billing.

    Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, është zhvilluar më 2 maj në Bruksel.

    Aty, palët janë pajtuar për deklaratën për personat e zhdukur, por jo edhe për Asociacionin.

    Pas këtij takimi, kryeministri Kurti ka thënë se draft-statuti i ekipit menaxhues mbetët i papranueshëm për Kosovën, ndërsa e ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë(27 shkurt 2023).

  • Haradinaj në Ditën e Evropës: Kosova e meriton integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike

    Haradinaj në Ditën e Evropës: Kosova e meriton integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, në ditën e Evropës, tha se nuk ka vend më të përkushtuar ndaj idealeve të BE-së se sa Kosova.

    Haradinaj tutje tha se Kosova e meriton integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike

    “Nuk ka vend në Evropë më të përkushtuar ndaj idealeve të BE-së se sa Kosova, e cila është pjesë e natyrshme e familjes europerëndimore. Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe pranimi i aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës janë dëshmi për vlerat evropiane që ne i përfaqësojmë me Kushtetutën dhe ligjet tona.  Kosova e meriton integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike! Ky është një synim për të cilin jemi përcaktuar si shtet, të orientuar për të kontribuuar në prosperitetin, paqen, sigurinë, dhe drejtësinë e kontinentit tonë, përkrah shteteve tjera të Evropës. Urime Dita e Evropës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • ​Parada e Moskës, Putin mbetet pa tanke dhe pa avionë

    ​Parada e Moskës, Putin mbetet pa tanke dhe pa avionë

    Moska u blindua për të festuar fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste, por parada në “Sheshin e kuq” ishte në prani të rëndë ushtarake dhe pa tanke.

    Një tank përkujtimor i Luftës së Dytë Botërore o llojit T-34 ishte i vetmi tank në paradë ndërkohë që festimet në disa qytete të tjera u anuluan.

    Rusia ka humbur 10,000 automjete ushtarake dhe 2,000 tanke që kur Putini nisi luftën në Ukrainë. Në paradë u panë vetë, 50 automjete në krahasim me më shumë se 200 mjete që u përdorën vitin e kaluar.

    Megjithatë, rusët i kujtuan botës aftësinë e tyre të madhe bërthamore. Armët më të frikshme në paradë ishin lëshuesit e lëvizshëm të raketave bërthamore, Topol-Ms me 16 rrota, raportoi Top News.

    Parada e mijëra ushtarëve nisi në Moskë nën syrin vigjilent të Putinit dhe anëtarëve të tjerë të elitës politike ruse.

    Vetë presidenti Vladimir Putin eci nga Kremlini në Sheshin e Kuq, për të parë paradën mes personelit ushtarak që mbanin flamuj të Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik.

  • Mijëra njerëz protestojnë kundër dhunës në Serbi, kërkojnë dorëheqjen edhe të Vulinit

    Mijëra njerëz protestojnë kundër dhunës në Serbi, kërkojnë dorëheqjen edhe të Vulinit

    Mijëra njerëz protestuan të hënën në Beograd të Serbisë, pas vrasjeve masive që ndodhën në këtë vend. Ata bën thirrje për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe për kufizim të përmbajtjeve të dhunshme në media.

    Në protestën e cila u mbajt para parlamentit të Serbisë dhe para zyrave të qeverisë serbe, morën pjesë edhe anëtarë nga partitë e përçara politike të vendit.

    Serbët protestuan me moton “Serbia kundër dhunës” pas vrasjeve masive të javës së kaluar, ku mbetën të vrarë 17 vetë e u plagosën disa të tjerë.

    Ata kërkuan gjithashtu dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bratislav Gashiç dhe drejtorit të Agjencisë shtetërore të sigurisë, Aleksandar Vulin, si dhe shkarkimin e Komitetit Rregullator të Qeverisë për Median Elektronike (REM) brenda një jave.

    “Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të promovimit të mëtejshëm të dhunës në media dhe hapësirë publike, si dhe përgjegjësi për reagim joadekuat që një kohë të gjatë nga autoritetet kompetente”, thuhet në një deklaratë të partisë së krahut të majtë, Le të Mos e Lëmë Beogradin të Mbytet.

    Turma parakaloi solemnisht nëpër qendrën e qytetit me një pankartë të shpalosur në rreshtin e parë të saj, ku shkruhej: “Serbia kundër dhunës”.

  • Deputetja e LDK-së: Qeveria po bën “reforma” eksperimentale në drejtësi

    Deputetja e LDK-së: Qeveria po bën “reforma” eksperimentale në drejtësi

    Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili thotë se Qeveria po bën “reforma” eksperimentale në drejtësi.

    Ajo thotë se një pjesë e madhe e prokurorëve janë të emëruar gjatë kësaj qeverie, duke shtuar se kjo nuk ka të bëjë me pavarësim të sistemit të drejtësisë. “Kjo ka të bëj me përfshirje të individëve të zgjedhur e votuar nga kjo shumicë parlamentare si anëtarë të KPK, që të sigurojnë se përfillen instruksionet e Qeverisë në drejtësi”, thotë deputetja.

    Shkrimi i plotë:

    “Reforma” eksperimentale në drejtësi

    Në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) janë 13 anëtarë. Ministria e Drejtësisë (MD), me projektligjin për KPK të cilin e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, përcaktonte ta reduktojë numrin në 7.

    Tani nga MD thonë që planifikojnë të jenë 19 ose 21 anëtarë. Rreth 180 prokurorë krejt Kosova, një pjesë e madhe e emëruar gjatë kësaj qeverie, e rreth 20 anëtarë – më shumë se kudo në rajon – t’i ketë KPK-ja – 10% të totalit të numrit të krejt prokurorëve.

    E kam thënë më herët dhe po e them prap: Kjo nuk ka të bëj me pavarësim të sistemit të drejtësisë. Kjo ka të bëj me përfshirje të individëve të zgjedhur e votuar nga kjo shumicë parlamentare si anëtarë të KPK, që të sigurojnë se përfillen instruksionet e Qeverisë në drejtësi.

    Me këtë sistem prokurorial kaq të ndjeshëm, kaq të ngathët, e me kaq mosbesim publik, kam menduar që nuk ka si bëhet më keq në një vend demokratik. E paskam pasur gabim

  • ​New York Times: Huligani Vuçiq rrihej me shqiptarët

    ​New York Times: Huligani Vuçiq rrihej me shqiptarët

    Gazeta amerikane New York Times ka publikuar së fundmi një artikull tronditës dedikuar lidhjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me botën e krimit, duke zbuluar mes të tjerash edhe detaje të incidenteve kur presidenti serb ka qenë huligan në fund të viteve 80 dhe fillim të viteve 90.

    Gazeta ka intervistuar një 46-vjeçar që rrinte gjithnjë përkrah Vuçiçit në stadium, i cili ka rrëfyer edhe një incident kur presidenti i tanishëm ishte përfshirë vazhdimisht në incidente të dhunshme.

    Ai tregon edhe për një episod, pas një ndeshjeje në vitin 1988 se si presidenti Vuçiq dhunoi shqiptarët pas një ndeshje, transmeton TCh.