ATV

Category: Lajme

  • Osmani: Në Ditën e Evropës na kujtohen vlerat që na lidhin si evropianë

    Osmani: Në Ditën e Evropës na kujtohen vlerat që na lidhin si evropianë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën e Evropës kujtohen vlerat që na lidhin si evropianë, demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës.

    Përmes një postimi në Twitter, Osmani ka thënë se për popullin e Kosovës këto vlera kanë qenë udhërrëfyes gjatë historisë, teksa ka thënë se vazhdojnë t’i mbrojnë ato edhe sot, shkruan teve1.info

    “Sot, në Ditën e Evropës, na kujtohen vlerat që na lidhin si evropianë – demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës. Për popullin e Kosovës, pikërisht këto vlera kanë qenë dritë udhërrëfyese gjatë historisë dhe ne vazhdojmë t’i mbrojmë ato edhe sot”, ka shkruar Osmani.

  • ZRrE-ja tregon tri arsyet për gjobitjen e KEK-ut me 3.2 milionë euro

    ZRrE-ja tregon tri arsyet për gjobitjen e KEK-ut me 3.2 milionë euro

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) konstaton se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka blerë energji elektrike nga kompania sllovene “Holding Slovenske Elektrarne” e cila nuk ka licencë të lëshuar nga autoritetet kosovare.

    ZRrE-ja bën të ditur për KosovaPress se në përputhje me të gjeturat në raportet e Monitorimit, ka shqiptuar gjoba për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me 3.2 milionë euro dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) me 439 mijë euro.

    Përveç tregtimit të energjisë me kompani të palicencuara, KEK ka kërkuar energji elektrike nga Shqipëria edhe kur nuk ka pasur nevojë, si dhe ka bërë shitje të energjisë elektrike në kundërshtim me ligjin te KOSTT pёr mbulimin e humbjeve nё katër komunat veriore.

    Megjithatë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë të thënë të hënën për KosovaPress se ende nuk kanë informata zyrtare për ndëshkimin e dy kompanive publike, të cilat monitorohen nga dikasteri që e udhëheq ajo.

    ZRrE nëpërmjet këtij raporti ka konstatuar se përkundër vërejtjeve të dhëna nga rregullatori, KEK ka vazhduar të blejë energji elektrike nga kompania sllovene “Holding Slovenske Elektrarne”, e cila nuk kishte licencë të lëshuar nga autoritetet e kosovare, raporton KosovaPress.

    Ky tregtim konsiderohet se është njëra ndër arsyet pse ZRRE-ja ka gjobitur KEK-un me 3.2 milionë euro.

    “Në përputhje me të gjeturat në raportet e Monitorimit, Bordi i ZRrE-së ka shqiptuar gjoba për ndërmarrjet”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga ZRrE, duke shtuar se në bazë të Raporteve të Monitorimit kanë gjobitur edhe ndërmjarrje tjera publike për KOSTT-in dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS); dhe Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO) dhe Hidrocentralin e Ujmanit.

    Sipas Raportit të Monitorimit të ZRRE ndaj KEK-ut për vitin 2022, në dhjetor të vitit 2018 KEK-u kishte hapur tender për ‘parakualifikim për aktivitetin e prokurimit – shitjes së energjisë elektrike’ me ç’rast kishte nënshkruar kontrata kornizë me disa kompani ndërkombëtare.

    KEK-u me tetë kompanitë që kishte nënshkruar kontrata, njëra prej tyre nuk kishte licencë, kompania “Holding Slovenske Elektrarne” nga Sllovenia.

    Lidhur me kёtё, ZRrE thekson në raport se ka reaguar disa herё përmes e-mail-it zyrtar si dhe me shkresё zyrtare, ku ka kërkuar nga KEK-u qё tё veprojë nё pajtim me obligimet ligjore, dhe tё ndaloj aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё pa licencuara.

    “Pёr mё tepёr, ZRRE më datё 19.08.2022, ka monitoruar procesin e tregtimit tё energjisё elektrike nё kohё reale, dhe ka vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave tё ZRRE pёr ndalimin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё palicencuara, KEK ende kryen aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike nё mos pajtueshmёri me obligimet ligjore”, thuhet në Rarportin e Monitorimit.

    ZRRE-ja ka konstatuar se tregtimi i energjisë elektrike me kompani të palicencuara bie në kundërshtim me Ligjin për Energji elektrike, si dhe Ligjin për Rregullatorin e Energjisë.

    KEK-u ka kërkuar energji nga Shqipëria edhe kur nuk ka pasur nevojë

    Në Raportin e Monitorimit për KEK-un, thuhet se kjo kompani ka kërkuar energji elektrike nga Korporate Energjetike e Shqipërisë (KESH), edhe atëherë kur nuk pasur nevojë.

    “KEK ka kёrkuar energji nga KESH edhe atёherё kur nuk ka pasur nevojё pёr FSHU dhe energjinё e pranuar nga KESH e ka ofruar nё treg tё lirё. Njё veprim i tillё bie nё kundёrshtim me Nenin 1 tё Marrёveshjes pёr shkёmbim/depozitim tё energjisё elektrike nё mes Korporatёs Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Korporatёs Energjetike tё Kosovёs (KEK)”, thuhet në Raport.

    Shitja e energjisë elektrike pёr mbulimin e humbjeve tё veriut

    Në bazë të këtij Raporti, shkelje tjetër po konsiderohet edhe shitja e energjisё elektrike pёr mbulimin e humbjeve në katër komunat veriore.

    “KEK i shet energji elektrike KOSTT për mbulimin e humbjeve në Veri të vendit, nёn kushtet e marrёveshjes pёr mbulimin e humbjeve tё sistemit. Shitja e energjisё elektrike tek KOSTT për mbulimin e humbjeve nё Veri bie nё kundërshtim me procedurën e tregtimit të energjisё elektrike, pasi që nё procedurё pёrcaktohet që tregtimi i energjisё elektrike duhet tё i nënshtrohet tregut të lire dhe konkurrues”, thuhet në Raportin e Monitorimit.

    Ndërkohë, Bordi i ZRrE-së në seancën e së premtes pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

  • Taulant Kelmendi emërohet zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

    Taulant Kelmendi emërohet zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Taulant Kelmendi, zëvendësministër të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

    Kryeministri Kurti e uroi Kelmendin për detyrën dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

    Kelmendi i ka kryer studimet në Universitetin Haxhi Zeka”, në Pejë.

    Në vitin 2022, është emëruar koordinator i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë është emëruar Taulant Kelmendi.

  • Shefi i BE-së shpreson që marrëveshja e Ohrit të zbatohet sa më shpejt

    Shefi i BE-së shpreson që marrëveshja e Ohrit të zbatohet sa më shpejt

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori, Tomas Szunyog po shpreson që marrëveshja e Ohrit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të implementohet sa më shpejt, raporton Ekonomia Online.

    Vitin 2023 ai e quajtur, vit të dialogut dypalësh, për çka ka kërkuar zbatim të ujdisë. Madje tha se ndihet i lumtur që këtë vit Kosova e ka përfunduar edhe problemin me liberalizimin e vizave.

    “Jam shumë i lumtur këtë vit, në këtë ditë, që Kosova e ka përfunduar problemin e liberalizimit të vizave”.

    “Është një vit i rëndësishëm edhe për dialogun, me arritjen e marrëveshjes së Ohrit, që shpresojmë se do të implementohet sa më shpejt”.

    Këto komente ai i bëri kur së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e kanë përuruar Muralin e Energjisë së Mirë, të pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së.

  • Scholz: Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojnë

    Scholz: Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojnë

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në BE.

    Në fjalimi e tij para Parlamentit Evropian për të ardhmen e Evropës, Scholz nënvizoi nevojën për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne kemi vendosur të shkojmë për një Evropë më të madhe. Ne u kemi thënë qytetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe potencialisht edhe Gjeorgjisë, ju jeni pjesë e jona. Ne dëshirojmë që ju të bëheni pjesë e Bashkimit Evropian, dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me altruizmin, kjo ka të bëjë me besueshmërinë dhe sensin tonë të mirë ekonomik. Gjithashtu ka të bëjë gjithashtu me sigurimin e paqes në Evropë, pas momentit vendimtar që ishte sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Një Evropë gjeopolitike duhet të mbajë premtimet e saj ndaj fqinjëve të saj. Një politikë e ndershme zgjerimi i qëndron para së gjithash premtimeve të saj, ato që u janë bërë shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilëve ne u kemi premtuar anëtarësim tash e 20 vjet”, tha ai.

    Krahas kësaj, ai tha se reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë, të cilat duhet të vlerësohet nga BE-ja.

    “Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe reformat në vendet anëtare duhet të vazhdojnë. Natyrisht, përparimi më i shpejtë drejt anëtarësimit duhet të ndjekë edhe guximin e Maqedonisë së Veriut. Këta hapa përpara duhet të vlerësohen dhe nderohen nga ana jonë, sepse përndryshe politika jonë e zgjerimit përdorw aftësinë e saj për të vepruar si një nxitje dhe BE-ja humbet ndikimin dhe tërheqjen. Ndershmëria do të thotë që një BE e zgjeruar duhet të jetë një BE e reformuar. Natyrisht, zgjerimi nuk duhet të jetë arsyeja e vetme e reformave, por duhet të jetë një pikë mbërritjeje. Dhe shprehimisht e mirëpres faktin që Parlamenti Evropian po punon për propozime për reforma institucionale, madje edhe për propozime që nuk kursejnë vetë parlamentin. Dhe unë do të vazhdoj t’i bëj thirrje këshillit për të diskutuar këto ide. Tani shumë gjëra ose disa gjëra ishin të dukshme, më shumë vendime të Këshillit përmes shumicës së kualifikuar, për shembull, në politikën e jashtme dhe në tatimet”, shtoi Scholz.

    Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është premtuar në vitin 2003, në një samit në Selanik të Greqisë./KosovaPress/

  • Përurohet Murali i Energjisë së Mirë – Szunyog: Kosova dhe gjithë rajoni e kanë vendin në BE

    Përurohet Murali i Energjisë së Mirë – Szunyog: Kosova dhe gjithë rajoni e kanë vendin në BE

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori, Tomas Szunyog, në shënim të Ditës së Evropës së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e kanë përuruar Muralin e Energjisë së Mirë pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast ai tha se Kosova dhe gjithë rajoni e kanë vendin në BE. Madje shtoi se po e mbështesin Kosovën që t’i përmbush standardet e BE-së sa i përket energjisë së gjelbër

    “Jemi shumë të lumtur që se bashku me Qeverinë kemi finalizuar pakon e mbështetjes për energjinë. Por, jemi duke punuar edhe në projekte të tjera që ta ndihmojmë Kosovën në tranzicionin e gjelbër, që t’i arrijë qëllimet e ‘Green Deal’, por edhe që t’i përmbush standardet e BE-së”.

    “Kosova dhe gjithë rajoni e kanë vendin në BE, prandaj kjo është i rëndësishme për ne. E shohim Kosovën, si dhe gjithë rajonin, si shtete të ardhshme të BE-së”.

  • Abdixhiku: Ekipi Menaxhues propozoi shtet brenda shtetit, Qeveria i iku përgjegjësisë

    Abdixhiku: Ekipi Menaxhues propozoi shtet brenda shtetit, Qeveria i iku përgjegjësisë

    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se drafti për Asociacionin i propozuar nga Ekipi Menaxhues është një shtet brenda shtetit. Abdixhiku thotë se një propozim i tillë projekton federalizimin e Kosovës.

    Kryetari LDK-së thotë se një organizim i tillë s’ka vend brenda rregullimit shtetëror të Kosovës dhe si i tillë duhet të refuzohet si bazë negociuese por edhe si ambicie politike,

    Sipas Abdixhikut, s’do të ketë Qeveri, parti politike apo njeri që mund ta pranojë një organizim të tillë.

    Ai thotë se ikja nga përgjegjësia sjell dokumente e koncepte të tilla sikurse propozimi për Asociacionin nga Ekipi Menaxhues.

    Reagimi i plotë:

    SHTET BRENDA SHTETIT

    Dokumenti i draft-statutit, i përpiluar nga Ekipi Menaxhues, e i bërë publik në medie është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi – është shtet brenda shtetit; Republikë brenda Republikës. Ky draft-statut, në të 67 nenet e në nëntë kapitujt e tij, projekton Federalizimin e Kosovës si koncept të ri organizativ pas shpalljes së pavarësisë.

    Një trup që nxjerrë ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, një trup që organizon zgjedhje, mbanë referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës  – nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror e kushtetues.

    Si i tillë, ai jo vetëm që duhet të refuzohet si bazë negociuese por dhe të refuzohet si ambicie politike. Në Kosovë nuk do të ketë parti, nuk do të ketë qeveri e nuk do të ketë njeri që mund ta pranojë një organizim të tillë.

    Qeveria e Kosovës ndërsa, duhet të marrë pronësinë në procesin vijues. Asociacioni bëhet nga institucionet tona dhe atë vetëm brenda rendit tonë kushtetues. Çdo ikje nga përgjegjësia është dorëzim dhe çdo dorëzim sjellë dokumente e koncepte të tilla; siç ka ndodhur dhe me këtë tani.

  • PSD-ja në Ditën e Evropës e “faturon” Gjermaninë për mjekët e infermierët që po ia merr Kosovës

    PSD-ja në Ditën e Evropës e “faturon” Gjermaninë për mjekët e infermierët që po ia merr Kosovës

    Partia Socialdemokrate (PSD), në Ditën e Evropës, ka “faturuar” Gjermaninë për mjekët dhe infermierët e marrë nga Kosova, raporton Ekonomia Online.

    Zgjim Hyseni nga kjo parti tha se Gjermania po eksporton mallra në Kosovë e po importon njerëz, duke iu referuar numrit të madh të mjekëve të cilët kanë shkuar në këtë vend.

    Sipas tij, vetëm në katër muajt e fundit 91 mjekë kanë ikur nga Kosova e të cilët po të shkolloheshin në Gjermani do të kushtonin 200 mijë euro.

    Madje siç tha ai po të llogariteshin edhe 300 infermierë që do të kushtonin nga 30 mijë gjithsecili, veço këtë vit Gjermanisë i janë dhënë 27 milionë euro.

    “Sot, për ditën e Evropës kemi ardh me urua Gjermaninë. Gjermania po eksporton mallra, e po importon njerëz. Mjekët po i marrin falas. Vetëm në katër muajt e fundit të këtij viti, kanë ikur 91 mjekë, të cilët po të shkolloheshin në Gjermani do të kushtonin 200 mijë euro. Po t’i llogarisim edhe 300 infermierë, që do të kushtonin nga 30 mijë euro. Pra, vetëm këtë vit ne ja kemi dhënë Gjermanisë 27 milionë euro.

    “Nëse trendi vazhdon si kështu, kjo i bie që ne e subvencionojmë Gjermaninë. Oda e Mjekëve ka paralajmëruar që brenda 3-4 viteve të ardhshme, Kosova do të mbesë pa mjekë.  Kjo marrëdhënie e pabarabartë nuk është asgjë tjetër përveç shfrytëzim”.

    “Kjo është fatura e shfrytëzimit e kemi sjell sot për Ditën e Evropës, por është e kufizuar sepse nuk janë edhe profesionet e tjera. Në tregun e lirë, që po e quajnë, vetëm Kosova po shprazet, nuk po vijnë këtu mjekë gjerman”.

  • Kurti kujton Konushefcin dhe Malajn: Dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe, neve na ka mbetur një pjesë e vogël

    Kurti kujton Konushefcin dhe Malajn: Dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe, neve na ka mbetur një pjesë e vogël

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve tek varret e heroit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, në 25-vjetorin e rënies së tyre, ka thënë se dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe për Kosovën, e si të tillë duhet të jenë udhërrëfyes për hapat e mëtutjeshëm.

    Kurti, duke kujtuar veprën e tyre, tha se janë pikërisht dëshmorët që i dëshmojnë krimet serbe në Kosovë, por edhe vullnetin e popullit shqiptar, raporton Ekonomia Online.

    “Sot më 9 maj, kur u bënë 25 vjet të rënies së Ilir Konushefci dhe Dr. Hazir Malaj, erdhëm këtu bashkë me kolegë, ministra, deputetë, me zëvendëskryeministren Rexhepi dhe me dy familjet, Konushefci e Malaj, që të bëjmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit, të cilët nuk kursyen asgjë, të cilët dhanë jetën që populli shqiptar të jetojë i lirë në tokën e vet”.

    Sipas Kurtit, dëshmorët kanë kryer pjesën më të madhe të ecjes politike e shoqërore, e një pjesë e vogël na ka mbetur, siç u shpreh ai, neve.

    “Pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike e shoqërore në vendin tonë e kanë kryer dëshmorët e kombit. Neve na ka mbetur një pjesë më e vogël, por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë e mbarë duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë, por njëkohësisht edhe e vullnetit të paepur të popullit tonë për liri”.

    “Iliri dhe Dr. Haziri na bënë bashkë të gjithë neve. Janë dëshmorët e kombit të cilëve asnjëherë nuk mund t’ua lajmë borxhin. Lavdi”, është shprehur Kurti.

  • Gërvalla e bindur: Një Republikë serbe s’do të ndodh në Kosovë

    Gërvalla e bindur: Një Republikë serbe s’do të ndodh në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është shprehu e bindur se në Kosovë nuk do të formohet në Republikë serbe, e ngjashme më atë në Bosnjë.

    Gërvalla sqaroi se kanë shqyrtuar modelin e Kroacisë për trajtimin e komuniteteve, duke theksuar se presin nga serbët të jenë më serioz në procesin e dialogut.

    Madje tha se presin edhe nga BE që të ketë më shumë këmbëngulje në vendimet që merren në praninë e tyre.

    Gërvalla këto komente i bëri pas takimit që ka pasur me homologun kroat Gordan Grlic Radman.

    “Konsultimet politike janë organizëm tradicional dhe shtetet flasin për konsultimet bilaterale. Ato nuk kanë te bëjnë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sa i përket modeleve të Asociacionit neve na janë prezantuar nga Lajçak si shembuj në Kosovë. Të gjitha modelet që kemi parë kemi konstatuar që Kushtetuta e Kosovës u jep shumë më tepër të drejta se sa te gjitha modelet që ne kemi parë. Unike në Kosovë është prezenca e vazhdueshme e pakicës serbe në Kabinetin Qeveritar”.

    “Prandaj ne kemi trajtuar modelet dhe për neve nuk vijnë në shprehje sepse shkelin vijat e Kushtetutës, e për neve këto nuk vijnë ne shprehje, sepse baza e funksionalizimit të shtetit është respektimi i kushtetshmrisë territoriale. Ky rajon e ka boll një republikë serbe në Bosnjë edhe ajo është tepër. Ne jemi në proces të negociatave asgjë nuk është e pranuar sot, ne kemi dhënë fjalën dhe mbajmë fjalën tonë, presim nga BE që të njëjtat kritere të vlejnë edhe për Serbinë cila mbetet e befasuar çdo takim. Presim nga BE që më shumë këmbëngulje të qëndrojnë në kërkesat e tyre”.

    “Modelet që janë paraqitur paraqesin elemente të zbatueshme dhe prej tyre do të përpiqemi të zgjidhim modelet më të mira. Ne jemi në proces të negociatave asgjë nuk është e vendosur sot. E vendosur është që qoftë në shkurt qoftë në mara ne kemi dhënë fjalën tonë dhe ne ndajmë fjalën tonë. Presim nga BE-ja që e njëjta të vlejnë edhe për Serbinë përfaqësuesit e të cilit vihen sikurse nuk kanë qenë”.

    Gërvalla, ka thënë se me homologun kroat diskutuan për perspektivën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës në shumë fusha.

    “Mikun Gordan e falënderova shumë për përkrahjen në disa fusha që Kroacia ia ka dhënë Kosovës në shumë fusha. E falënderova për përkrahjen e jashtëzakonshme që Kroacia e ka dhënë në çdo forum. Për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të dytë u pajtuam që është një proces që ka zgjatur padrejtësisht shumë”, u shpreh Gërvalla.

    “E falënderova kolegun Gordan për mbështetjen që Kroacia që i ka dhënë Kosovës që nga dita e parë aplikimit për an në Këshillin e Evropës dhe sigurimin e votave. Biseduam për perspektiven Evropiane të Kosovës, për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që ka marr formë, duke e ditur që shtetet”.

    “Kjo vizitë lidhet me një datë shumë të shënuar për Kroacinë. 720 vjetori i regjistrimit të parë zyrtar të diasporës kroate dhe kjo ka ndodhur në Janjevë. Dhe së bashku pastaj do të shkojmë në Janjevë. Me kroatët e Janjevës do festojmë këtë ditë të shënuar për ta”.