ATV

Category: Lajme

  • ​Nikolla takon Dudan: Mirënjohje për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    ​Nikolla takon Dudan: Mirënjohje për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, priti sot presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, dhe delegacionin që e shoqëron, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

    Kryetarja Nikolla vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Poloninë dhe e falënderoi presidentin Duda për mbështetjen e fuqishme nga Polonia të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Nikolla shprehu gjithashtu mirënjohjen për solidaritetin dhe kontributin e Polonisë për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe ndihmën gjatë pandemisë së COVID-19.

    Nikolla, vuri në dukje vullnetin e Kuvendit për të rritur e zgjeruar bashkëpunimin me Sejmin dhe Senatin e Polonisë dhe mbështetjen e nxitjen nga bashkëpunimi e diplomacia parlamentare të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë e ka falënderuar presidentin polak për mbështetjen e Polonisë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vijojë.

    “Të dy vendet tona po mbështesin Ukrainën në luftën e saj mbrojtëse kundër agresionit të Rusisë. Polonia është më e rrezikuar se vendet e tjera të kontinentit nga ky agresion, për shkak të mbështetjes së fuqishme ndaj luftës së drejtë të Ukrainës, por edhe për shkak të pozites gjeografike kufitare me Ukrainën.”, theksoi Nikolla.

    Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, falënderoi kryekuvendaren Nikolla për pritjen e ngrohtë dhe vlerësimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe nënvizoi se Polonia e konsideron Shqipërinë një aleate të ngushtë e të denjë në NATO dhe do të vijojë të mbështesë përshpejtimin e ritmeve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

    Marrëdhëniet mes dy vendeve, theksoi presidenti Duda, janë të shkëlqyera dhe pa asnjë mosmarrëveshje mes tyre.

    Presidenti Duda vlerësoi për përparimin e jashtëzakonshëm e të gjithanshëm të Shqipërisë dhe Tiranës gjatë viteve të fundit, i cili është i dukshëm, si edhe shprehu vlerësimin për kontributin e Shqipërisë në mbështetje të luftës së drejtë të Ukrainës dhe përpjekjet për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë.

  • ​Kosova në NATO, Begaj kërkon mbështetjen e Polonisë

    ​Kosova në NATO, Begaj kërkon mbështetjen e Polonisë

    Për herë të parë pas 20 vitesh, një president polak qëndroi për vizitë në Shqipëri. Andrzej Duda u prit me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ky i fundit, i kërkoi atij mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

    Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me Duda, kreu i shtetit shqiptar tha se Samiti i ardhshëm i NATO i Vilniusit do të ishte rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës për anëtarësim.

    “Polonia ka qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. I kërkova mikut tim Duda ndikimin e tij për një rivlerësim nga autoritetet polake të situatës së përgjithshme gjeopolitike në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me synim lidhjen sa më shpejt të jetë e mundur të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Përtej pranisë së lartë ushtarake të Polonisë në kuadër të KFOR në Kosovë, në rrethanat aktuale, ky hap do të ishte i një rëndësie edhe më të madhe gjeopolitike. Kërkova gjithashtu mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në NATO, ku Samiti i ardhshëm i Vilniusit në korrik të këtij viti, është një rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës”, deklaroi Begaj, transmeton KP.

    Në seancën plenare të Parlamentit Evropian dy ditë më parë kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se, “është e turpshme që 20 vjet më parë hapëm perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe sot nuk e kemi bërë ende”, duke kërkuar hapjen ndaj këtij rajoni.

    Begaj theksoi sot se, deklarata e kancelarit gjerman është lajm shumë i mirë për faktin që pas agresionit rus në Ukrainë, vëmendja e Bashkimit Evropian është e përqendruar në Ballkanin Perëndimor.

    “Kemi disa zhvillime të rëndësishme që lidhen me dhënien e statusit kandidat për Bosnjë Hercegovinën, hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, liberalizimin e vizave me Kosovën, kemi edhe Procesin e Berlinit, i cili këtë vit do të bëhet në Shqipëri, patëm një Samit të BE me Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo tregon që Ballkani Perëndimor është në fokus të BE-së. Shpresoj që procesi i zgjerimit të përshpejtohet, të bëhet me ritme të shpejta. Kjo varet edhe nga disa rregulla që ne duhet të punojmë më shumë për t’i realizuar. Për mua deklarata e kancelarit Scholz është e mirëpritur”, tha Begaj.

    Presidenti polak Andrzej Duda tha se kancelari është i ndërgjegjshëm për deklaratat, ndërsa theksoi edhe nevojën që shtetet të mos i bëjnë shantazhe vendeve që synojnë anëtarësimin duke i bllokuar ato.

    “Do të ishte jo mirë nëse çdo shtet anëtar do të përdorte një shantazh të tillë ndaj shteteve që kandidojnë për në anëtarësim në BE, që kanë pretendime të ndryshëm dhe që nuk do të plotësohen kriteret, që do të bllokime lidhur me pranimin në BE mendoj se kjo është në kundërshtim me interesat e të gjithë Unionit dhe gjithmonë e kam cekur se pas daljes së Britanisë nga BE, pranimi i vendeve të tjera është shumë i rëndësishëm, një shenjë që tregon se BE është gjallë, atraktive, tërheqëse dhe që i tregon gjithë botës që BE është një organizëm që vepron pa pushim”, deklaroi Duda.

    Presidenti polak deklaroi se, shpreson që së shpejti Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin Begaj ai tha se kjo vizitë është një sinjal për t’i gjallëruar marrëdhëniet shqiptaro-polake.

  • Cili është dallimi mes Asociacionit të Komunave të Kosovës me Asociacionin që po kërkojnë komunat serbe, sipas Sazan Ibrahimit

    Cili është dallimi mes Asociacionit të Komunave të Kosovës me Asociacionin që po kërkojnë komunat serbe, sipas Sazan Ibrahimit

    Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në emisionin DIREKT në ATV, tha se draft-dokumenti i dorëzuar nga grupi punues, i cili ka bartuar logon e Republikës së Kosovës, është shtet në shtet.

    Ai tha se këtij draft-dokumenti i mungonte vetëm edhe armata, ndërsa kishte gjithçka tjetër që e bënë të jetë shtet brenda shteti.

    “Unë e kam shikuar pak atë draft-dokument, ajo është shtet në shtet. Përveç që nuk e kishin paraparë që ta kenë edhe armatën, gjithçka tjetër kishin paraparë në të. Me burime, me financa, me vendimmarrje, njëfarë lloj parlamenti për marrjen e vendimeve për komunitetin serb, dhe kjo vjen si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit”, tha Ibrahimi.

    Ai thotë se Asociacioni i Komunave të Kosovës është vetëm një OJQ dhe nuk ka kompetenca e as që mund të ketë, ndërsa Asociacioni i komunave me shumicë Serbe, i kalon edhe kompetencat parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    “Asociacioni i Komunave të Kosovës është Organizatë Jo Qeveritare, do me thanë një mekanizëm i cili është strukturuar si OJQ nuk ka kompetenca, as nuk mund të ketë. Edhe në kartën evropiane mbi vetëqeverisjen lokale, nuk është i paraparë që një mekanizëm i ashtuquajtur Asociacion të ketë edhe kompetenca ekzekutive. Për habi, në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, shkruan ‘Asociacioni, bashkësia e komunave’, e këta e kishin hjekë fjalën Asociacion, por e kishin lënë vetëm bashkësinë e komunave, dmth edhe fjalën Asociacion e kanë mënjanuar përkundër çështjeve të tjera të cilat i kishin futur në atë dokument. Sipas mendimit tim, nuk besoj që një politikan kosovar mund të nënshkruajë një dokument të tillë, i cili kalon edhe kompetencat parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Ibrahimi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Mbrojtja e Nagip Krasniqit e dorëzon në Gjykatën Supreme kërkesën për lirim nga paraburgimi

    Mbrojtja e Nagip Krasniqit e dorëzon në Gjykatën Supreme kërkesën për lirim nga paraburgimi

    Ekipi mbrojtës i Nagip Krasniqit, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), i cili është pezulluar nga kjo detyrë pas dyshimeve për korrupsion, ka dorëzuar në Gjykatën Supreme kërkesën për lirimin e Krasniqit nga masa e paraburgimit.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Tomë Gashi.

    “Ankesa është dorëzu në Gjykatë Superme të Kosovës, faktikisht për Gjykatën Supreme ka të bëjë me mbrojtje të ligjshmërisë edhe tu e pas parasysh që Gjykata e Apelit faktikisht i ka heq dy prej rrethanave për të cilat është caktu masa e paraburgimit dhe ka mbetur vetëm një arsye për të cilën nuk i është ndërpre paraburgimi, e që sipas Gjykatës së Apelit kjo është mundësia eventuale e ndikimit te dëshmitarët. Ne besojmë që Prokuroria ka pas mundësi që t’i marrë në pyetje këta dëshmitarë deri më tani sepse faktikisht ka kaluar veçse 20 ditë dhe përveç kësaj dëshmitarët kanë dhënë deklarta edhe në Polici, kështu që ne kemi besim të plotë që Gjykata Supreme do t’ia ndërprejë masën e paraburgimit zotit Nagip Krasniqit”, tha avokati Gashi.

    Tutje, avokati Gashi tha se caktimi i masës së paraburgimit duhet të ndërpritet dhe është e caktuar pa kurrfarë baze juridike dhe se e njëjta mund të zëvendësohet me një masë më të butë nga Supremja.

    “Masa, përveç që duhet m’u ndërpre sepse s’ka kurrfarë baze juridike, për një masë kaq drastike zoti Krasniqi është marrë në pyetje edhe më herët për këtë rast dhe disa rrethana tregojnë që ai as që a pas arsye e as që ka dashtë, as që duhet me ndiku në dëshmitarë, dëshmitë e dëshmitarëve janë faktikisht të dhëna dhe me siguri që nëse Gjykata Superme mendon ndryshe atëhere mund t’ia zëvëndësojë masën me një masë tjetër, e që mund të jetë për shembull mos m’i kontaku dëshmtiarët në çfarëdo rrethane, gjë që përdorë edhe në të tilla raste dhe jo me këtë masë më të rëndë penale”, theksoi Gashi.

    Gjithashtu, ai tha se po presin si ekip mbrojtës i Krasniqit, që Supremja të vendosë sa më shpejtë lidhur me këtë kërkesë.

    “Duhet me prit që sa më shpejtë që është e mundshme Gjykata Supreme me ia ndërpre masën e paraburgimit sepse kjo masë është krejtësisht e pakuptimt, e paligjshme dhe krejtësisht e panevojshme”, tha në fund avokati Gashi.

  • Ministrat e Financave të G7-ës zotohen për mbështetje për Ukrainën

    Ministrat e Financave të G7-ës zotohen për mbështetje për Ukrainën

    Udhëheqësit financiarë të Grupit të Shtatë ekonomive të përparuara (G7) po diskutojnë mënyrat për të mbështetur Ukrainën dhe për t’i bërë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës, teksa u mblodhën për një samit në Japoni të enjten.

    Ministri i Financave i Ukrainës, Serhiy Marchenko, ishte pjesëmarrës në këtë takim përmes një video-lidhjeje në sesionin e parë të bisedimeve të G7-ës në qytetin bregdetar Niigata.

    Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha se vendet e G7-ës “do të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa duhet” për t’i dhënë fund luftës.

    Udhëheqësit do të shqyrtojnë mënyra për të parandaluar Rusinë dhe vendet e tjera që të anashkalojnë sanksionet kundër Moskës për pushtimin e saj, u tha gazetarëve ministri japonez i financave Shunichi Suzuki.

    Lufta dhe pasojat e saj në ekonominë globale, krizat e borxhit në vendet në zhvillim dhe ngërçi në Uashington mbi borxhin kombëtar janë në krye të agjendës së tre ditëve të bisedimeve nga ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të G7-ës.

    Një gamë e gjerë temash, që nga ndryshmet klimatike e deri te lehtësimi i borxhit, pritet të shqyrtohen në këtë takim.

    Duke folur përpara se të fillonin takimet me dyer të mbyllura, Yellen tha se një nga prioritetet e saj ishte të theksonte rëndësinë e zgjidhjes së krizës.

    Presidenti i SHBA Joe Biden tha të mërkurën se ai dhe udhëheqësit e Kongresit patën një takim “produktiv” të martën në përpjekje për të rritur kufirin e borxhit të vendit. Biden tha se është “absolutisht i sigurt” se vendi mund të shmangte një falimentim. Yellen tha gjithashtu se ka “shumë shpresë” se problemi mund të zgjidhet me kohë.

    Yellen gjatë këtij samiti do të përpiqet të qetësojë homologët e saj për dështimet e fundit të bankave në SHBA që kanë ngritur shqetësimet mbi rreziqet për sistemin financiar global.

    Ajo tha se investimet “historike” të Biden në modernizimin e infrastrukturës amerikane ishin një hap drejt përmirësimit të qëndrueshmërisë së një ekonomie, e cila u luhat shumë gjatë pandemisë së COVID-19.

    Edhe ekonomitë e tjera të G7-ës po luftojnë me inflacion, duke i detyruar bankat e tyre qendrore të rrisin normat e interesit.

    Udhëheqësit financiarë të G7-ës u takuan vetëm një muaj më parë, në Uashington gjatë takimit vjetor të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Atje, ata përsëritën angazhimin e tyre për të ndihmuar ekonomitë të përballen me ndikimin e luftës në Ukrainë, për të ndihmuar vendet me borxhe të mëdha të zgjidhin cenueshmërinë e tyre financiare, të forcojnë sistemet globale shëndetësore dhe të ndihmojnë në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

    G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Të ftuar të tjerë në takimet në Niigata përfshijnë Bashkimin Evropian, FMN-n dhe Bankën Botërore, si dhe ministrat e financave të Brazilit, Indisë, Indonezisë, Koresë së Jugut dhe Singaporit./REL/

  • Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e pesë shkollave të reja në Prishtinë

    Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e pesë shkollave të reja në Prishtinë

    Është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e pesë shkollave të reja në kryeqytet, ka njoftuar drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati.

    Ajo ka bërë të ditur se shkollat e reja do të ndërtohen në lagjet, “Arbëria”, “Mati 1”, “Kalabria”, “Qendër” dhe “Veternik”.

    “Modelin e partneritetit publiko-privat të filluar më herët për ndërtimin e shkollave, po e zgjerojmë edhe për 5 shkolla të reja. Nënshkruam marrëveshjen e re me IFC, dhe shkollat e reja do të jenë model sa i përket cilësisë dhe standardeve të ndërtimit”, ka shkruar Musmurati në Facebook.

  • Nisin gërmimet në Prishtinë për gjetjen e dy trupave të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës

    Nisin gërmimet në Prishtinë për gjetjen e dy trupave të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës

    Ekipet mjekoligjore mëngjesin e sotëm (e enjte) kanë nisur gërmimet në varrezat e Muhaxherëve në lagjen “Mati 1” në Prishtinë pas dyshimeve për mbetje mortore për dy trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Deri tani ka përfunduar gërmimi i një lokacioni të vogël dhe ka nisur i dyti, ndërsa pritet që gjatë ditës të gërmohen edhe dy lokacione të tjera.

    Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Ditor Haliti dhe se këto gërmime po bëhen me urdhëresë të gjykatës.

    Ai tha se deri në këto momente nuk kanë hasur në ndonjë gjetje, por po presin deri në fund të përfundimit të gërmimeve.

    “Këtu jemi me urdhëresë së Departamentit Special të Gjykatës duke ekzekutuar urdhëresën në kuptim të gërmimeve dhe zhvarrimeve të mbetjeve eventuale të personave që janë zhdukur gjatë kohës së luftës. Kemi disa informata në bazë të cilat jemi duke kërkuar edhe dy individë që potencialisht mund të gjenden në këtë zonë. Ne kemi filluar sot mëngjes me punë dhe jemi ende duke punuar dhe për momentin nuk kemi gjetje, por kemi ende punë për të bërë edhe dy lokacione shtesë për t’i mbuluar kështu që të shohim deri në fund të ditës se sa do të kemi rezultate… krejt varreza është një lokacion i tërë, por brenda saj i kemi disa mini-lokacione për momentin i kemi të identifikuar rreth 4 mini-lokacione të dytin jemi duke e përfunduar edhe dy të tjerë i kemi”, tha ai.

    Teksa ka njoftuar se edhe më herët ka pasur gërmime në këto varreza të Muhaxherëve në “Mati 1”, Haliti tha se vështirësia më e madhe është mungesa e informacioneve të sakta.

    “Përpara ka pasur këtu gërmime e zhvarrime janë zhvarrosur trupa që i kanë takuar kohës se luftës prej tyre mungojnë edhe dy persona të cilët ne jemi duke i kërkuar… Vështirësia më e madhe është informata e saktë ne kemi disa skica që janë ndarë nga ekipet ndërkombëtare që kanë punuar këtu në të kaluarën, mirëpo ato harta apo skica që janë marr në të kaluarën nuk janë edhe shumë të sakta në kuptim të interpretimit të tyre na mbetet neve të mbulojmë lokacion më të gjerë për të kuptuar a jemi në vendin e saktë apo jo”, tha ai.

    Haliti u shpreh se së shpejti edhe në Podujevë do të ketë disa gërmime, përfshirë edhe disa lokacione të tjera që kanë mbetur pa përfunduar.

    “E kemi edhe një urdhëresë ende të pazbatuar në Podujevë të cilën duhet ta planifikojmë së shpejti ta implemtojmë dhe i kemi disa urdhëresa të tjera të cilat janë ende në gjysmë të punës që kanë mbetur pa u implemtuar në tërësi që do tu kthehemi gjatë kësaj kohe”, u shpreh ai.

    Ndërsa, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës (KQPZh) u shpreh se përmirësimi i kushteve atmosferike ka krijuar mundësi që tu rikthehen gërmimeve për gjetje mortore të trupave të zhdukur gjatë luftës.

    Gara tha se për të katërtën herë po zhvillohen gërmime në këtë lokacion pasi ka dyshime se edhe dy trupa ndodhen në këtë lokacion.

    Sfidë kryesore për identifikimin dhe gërmimet për gjetjen e trupave të personave të zhdukur sipas tij mbeten lokacionet në territorin e Serbisë për shkak të qasjes politizuese në vazhdimësi të institucioneve serbe karshi problemit.

    “Është hera e katërt që po kthehemi në këtë lokacion për shkak se gjatë trajtimit të hollësishëm të të gjitha informatave kemi konkluduar që ekzistojnë mundësitë që dy trupa ose viktima ose mbetje mortore të dy kufomave të luftës potencialisht mund të jenë në këtë hapësirë të varrezave meqë nga të gjitha të dhënat që ne kemi trajtuar kemi konfirmuar se 8 viktimat që potencialisht mbi bazën e të dhënave kanë qenë të varrosura nga spitali i Prishtinës nga forcat serbe në këtë hapësirë të lokacionit deri më tani janë zhvarrosur vetëm 6 prej tyre që nuk përjashtohet mundësia që në këtë lokacion të jenë edhe dy viktima”, u shpreh Gara.

    Në Kosovë ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës se fundit. Më 2 maj në Bruksel në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq është arritur dakordim për Deklaratën e Personave të Zhdukur.

  • Më 24 maj mbahet seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Më 24 maj mbahet seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Shqyrtimi fillestar ndaj tre të akuzuarve Kastriot Mehmetaj, Kreshnik Mehmetaj dhe Halil Mehmetaj për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, do të fillojë më 24 maj 2023, në Gjykatën Themelore në Pejë.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjyqtarja e çështjes Violeta Husaj-Rugova.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 5 maj 2023, në një konferencë për medie, ka bërë të ditur që lidhur me vrasjen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, është ngritur aktakuzë ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetajt për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe ndaj Halil Mehmetajt për “Shtytje në kryerje të veprës penale vrasje e rëndë”.

    Në atë konferencë, prokurorja e rastit Sahide Gashi, bëri të ditur se ndaj të pandehurit Malsor Mehmetaj, kanë pushuar hetimet pasi nuk është arritur të vërtetohet dyshimi se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast.

    “Pas hetimeve, Prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themeore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për vepër penale si bashkëkryes të vrasjes së rëndë. Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale shtytje në vrasje të rëndë. Pas përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti të ketë qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim, andaj Prokuroria ka marrë vendim që kundër tij t’i pushojë hetimet”, tha ajo.

    Prokurorja Gashi, po ashtu ka bërë të ditur për veprimet që janë ndërmarrë në hetimin e rastit.

    “Për shkak të kushteve të rënda atmosferike atë ditë dhe ditëve në vijim, ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësiti i Forenzikës kanë kryer krehjen e zonës së krimit. Natën kritike është sjellë ekipi i qenve, por për shkak të kushteve atmosferike nuk ka qenë i mundur gjurmimi i kryesve. Pas grumbullimit të të gjitha informatave, provave, kemi mundur të konstatojmë me besueshmëri të lartë se nuk ka indikacione për sulm terrorist, kemi të bëjmë me ekzekutues me shumë gjasë i maskuar. Targeti i sulmit ishte shoferi i autobusit, se kemi të bëjmë me një krim mirë të planifikuar, mbi bazën e treguese si përzgjedhja e vendit ku përveç një vendbanimi të vogël që gjendej në largësi të autobusit, nuk ka asnjë shtëpi; kohën, stinën e dimrit, kushtet atmosferike; kryesi paraprakisht e ka ditur mirë itinerarin e autobusit; veprimet e kryesit, shtirja si person i dehur apo me probleme, që ta detyrojë shoferin që ta ulë shpejtësinë”, ka thënë Gashi.

    Tutje, ajo bëri të ditur se gjatë hetimeve janë proceduar 86 persona, qindra informata, janë analizuar mbi 40 video-incizime nga Gjakova e deri në Gllogjan, teksa shtoi se janë dërguar prova edhe në Zvicër e Shqipëri.

    “Janë siguruar informata nga burime jashtë vendit, kompania Facebook dhe kompania Viber në Luksemburg. Si përfundim, nga të gjitha hetimet kemi arritur që të sigurojmë prova ku e kemi ndërtuar të gjithë ngjarjen e natës kritike”, tha Gashi.

    Ndryshe, tre persona kishin mbetur të vdekur dhe një ishte plagosur, nga sulmi me armë zjarri që kishte ndodhur mbi autobusin me udhëtarë në fshatin Gllogjan të Deçanit më 26 nëntor të vitit 2021.

    Dy nga të vdekurit ishin nxënës, ndërsa personi tretë ishte drejtuesi i autobusit.

    Dy javë pas rastit, ishin arrestuar fillimisht tre të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë, ndërsa më 5 shkurt të këtij viti ishte prangosur edhe i dyshuari i katërt.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 12 dhjetor 2021, kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

    Në këtë vendim, thuhej se gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, atë të vrasjes së rëndë dhe të armëmbajtjes pa leje.

    Sipas arsyetimit të gjykatës, ekziston rreziku që të dyshuarit të arratisen, të ndikojnë te dëshmitarët apo te të dëmtuarit, të fshehin provat ose të bashkërendojnë mbrojtjen për të pamundësuar zbardhjen e rastit.

  • Hyseni: Refuzimi i ekipit menaxhues u bë vonë

    Hyseni: Refuzimi i ekipit menaxhues u bë vonë

    Nënkryetari i PSD-së, Zgjim Hyseni, në një intervistë për emisionin A23 në ATV, tha se refuzimi i ekipit menaxhues nga kryeministri Kurti u bë pasi ky ekip e ka kryer punën e tij.

    “Nëse ia shohim kushtet Kurtit, mundemi me e pa sa i vlen edhe ky refuzimi, sepse edhe ky ekipi menaxhues ka qenë qe dy vjet aty. Ky e ka shkarkuar ekipin menaxhues në fakt pasi që ai e ka kry punën. Sipas marrëveshjes së vitit 2015, ai ka pasë me funksionu vetëm deri sa e dorëzon propozimin në Bruksel. Tash prej kësaj kronologjie mundemi se sa ka me i vlejt refuzimi”, tha Hyseni. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Hamza tregon se çka bisedoi me Lajçakun

    Hamza tregon se çka bisedoi me Lajçakun

    Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza u shpreh se me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak biseduan për situatën e përgjithshme në Kosovë.

    Ai tha se folën edhe për çështjen e dialogut, për zhvillimet që janë duke ndodhur në Kosovë dhe posaçërisht në veri.

    Hamza tregoi se me Lajçakun diskutuan edhe për çështjen e rihapjes së Urës së Ibrit si dhe për progresin e arritur gjatë viteve.

    “Gjithsesi se ka qenë temë çështja e Urës së Ibrit dhe nevoja që të respektohet dhe zbatohet Kushteuta e të gjitha ligjet në fuqi që garantojnë lirinë e të gjithë qytetarëve, mallrave dhe gjithçka tjetër. Kemi bisedua edhe për progresin e arritur gjatë këtyre viteve, por edhe për ndjeshmërinë që ndodhet në këtë pjesë dhe është prezent në këtë pjesë të Kosovës.”, tha ai.

    Sipas tij, duhen veprime që të krijohen kushte që të ketë liri për lëvizjen e qytetarëve pa pengesave dhe mallrave normalisht.

    Hamza foli edhe për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është prezantuar në takimin e 2 majit në Bruksel nga kryeministri Albin Kurti.

    “Tash është prezantua një draft-statut, i cili sipas të gjitha gjasave është një dokument që është diskutua, por jo diçka ma shumë. Ka opsione të ndryshme dhe sigurisht që këto çështje kanë me u definua në ditët në vijim dhe të ardhmen. Është prezantua një dokument tash ta them të drejtën a ka qenë rruga për me shkua deri aty unë i kam pikëpyetjet e mia, por është një diçka që ka me ndodhë në progres.”, shtoi ai.

    Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.