ATV

Category: Lajme

  • Osmani ftohet në inaugurimin e Milatoviqit si president i Malit të Zi

    Osmani ftohet në inaugurimin e Milatoviqit si president i Malit të Zi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është ftuar për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka konfirmuar Presidenca e Kosovës.

    Në Mal të Zi, të enjten është raportuar për dyshime se Osmani nuk është ftuar në këtë ceremoni. Megjithatë, në Presidencë kanë thënë se presidentja ka marrë ftesë e për pjesëmarrje do të njoftojë, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Ftesa për Presidenten Osmani për pjesëmarrje në inaugurimin e presidentit Milatoviq ka ardhur. Presidentja ndodhet jashtë vendit. Sapo të kthehet, ju njoftojmë”, ka thënë për KOHËN, Bekim Kupina, këshilltar për media në Zyrën e Presidencës.

    Në zgjedhjet e 2 prillit 2023, Jakov Milatoviq u zgjodh president i Malit të Zi, në garë me kundërkandidatin Milo Gjukanoviq.

    Ai i kishte fituar mbi 60 për qind të votave.

  • Arrestohen dy të dyshuar pasi në rrjete sociale kishin ekspozuar armë në Gjakovë

    Arrestohen dy të dyshuar pasi në rrjete sociale kishin ekspozuar armë në Gjakovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar në Gjakovë pasi në rrjete sociale kishin ekspozuar armë dhe iniciohet rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

    Sipas policisë, Njësia e Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Gjakovë, sot kishin pranuar një informatë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore se e dyshuara femër, shtetase e Republikës së Shqipërisë, derisa ka qenë në Kosovë kishte ekspozuar një armë zjarri në rrjetet sociale.

    “Menjëherë është filluar me veprime operative dhe hetimore dhe është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy të dyshuar: F.D., femër e lindur në vitin 2000, shtetase e Republikës së Shqipërisë dhe B.B., mashkull i lindur në vitin 1992, shtetas i Republikës së Kosovës. Pas intervistimit, i dyshuari i dytë ka pranuar se posedonte armë në mënyrë të paautorizuar. I njëjti ka dorëzuar dy pistoleta, dy karikator dhe 6 copë fishekë”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu sipas policisë, arma dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të prokurorit të shtetit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tyre është iniciuar rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

  • Sot fillojnë kundërpyetjet për dëshmitarin e katërt të prokurorisë

    Sot fillojnë kundërpyetjet për dëshmitarin e katërt të prokurorisë

    Intervistimi i dëshmitarit të katërt nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), është zhvilluar tërësisht në seancë private, për dy ditë me radhë.

    Pas pyetjeve të prokurorisë, në mbyllje të saj seanca është kthyer publike dhe kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, ka bërë të ditur se sot do të fillojnë kundërpyetjet.

    Gjithashtu, Smith ka deklaruar trupi gjykues mund të bëjë pyetje në çdo moment gjatë procesit gjyqësor.

    “Pyetjet nga trupi gjykues mund të bëhen në çdo moment, nuk janë kundërpyetje, dhe nuk pasqyrojnë pyetjet e palëve, synojnë që të zbulojnë të vërtetën dhe ky është mandati i tyre. Fillojmë me kundër pyetjet të premten në orën 9”, ka thënë Smith.

    Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.

    Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Presidenca e Maldiveve përgënjeshtron Vuçiqin: Nuk është tërhequr njohja ndaj Kosovës

    Presidenca e Maldiveve përgënjeshtron Vuçiqin: Nuk është tërhequr njohja ndaj Kosovës

    Deputeti Behgjet Pacolli ka shpërndarë lajmin e diplomatit të Maldiveve, Ahmed Shaheed, se Maldivet qëndrojnë krah Kosovës dhe nuk e kanë tërhequr njohjen.

    Shaheed ka thënë se Presidenca e Maldiveve kategorikisht ka mohuar pretendimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të jashtëm, Ivica Daçiq, se njohja e Ksoovës është tërhequr.

    “Presidenca e Maldiveve përgënjeshtron sot kategorikisht lajmin e Serbisë (Vuçiq dhe Daçiq) se Maldivet kanë tërhequr njohjen e Kosovës”, tha ai.

    “Pra Maldivet mbeten pa luhatje, në krah të Kosovës”, shtoi ai.

  • Brahaj: Erdogan, Turqinë e ka çuar mbrapa

    Brahaj: Erdogan, Turqinë e ka çuar mbrapa

    Gazetari shqiptar që jeton në Turqi, Sokol Brahaj, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A23 në ATV, tha se presidenti i tanishëm Rexhep Taip Erdoan, e ka çuar Turqinë mbrapa, sidomos në këto 4-5 vitet e fundit.

    “Besoj që Turqia e ka vendin në perëndim, jo në lindje. Turqia e Erdoganit, sidomos këto katër vitet e fundit ka bërë shumë zgjedhje fatale strategjike, popullin e vet e ka çu shumë mbrapa, ekonomia tashmë në Turqi është një katastrofë. Dikur, një euro ishte 7 lira, tani 1 euro është 22 lira”, tha Brahaj.

    Ai përmendi edhe tërmetin nga i cili humbën jetën mbi 50 mijë persona, që sipas Brahajt, në zgjedhje do të jetë minus për Erdoganin.

    “Kemi pasur edhe një tërmet para dy muaj e gjysmë dhe kanë vdekur mbi 50 mijë dhe këto janë të gjitha minus për Erfoganin, por ai është një aktor shumë i rëndësishëm, nuk është që është një aktor akademik që të bëjë strategji, por për politika shumë i zoti dhe Turqinë e ka çu mbrapa, sidomos në këto 4-5 vitet e fundit, Turqia nuk ka qenë asnjëherë në këtë gjendje”, tha ai. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Rafuna: Punëtorët që vijnë nga Bangladeshi e Nepali, nuk kanë synim me jetu dhe punu në Kosovë

    Rafuna: Punëtorët që vijnë nga Bangladeshi e Nepali, nuk kanë synim me jetu dhe punu në Kosovë

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se punëtorët që vijnë për të punuar në Kosovë nga Bangladeshi apo Nepoli, nuk kanë synim të qëndrojnë e punojnë në Kosovë, por sipas tij, ata Kosovën e përdorin si një vend tranzit për të kaluar në ndonjë vend tjetër me mundësi më të mira.

    “Ma rentabël është me i punësu kosovarët, sesa me i marrë prej Bangladeshit, për arsye se edhe ata që na vijnë prej Bangladeshit, Nepolit apo vendeve tjera, nuk vijnë me synimin që në Kosovë me të vërtetë të punojnë dhe të qëndrojnë edhe ata Kosovën dojnë ta përdornin vetëm si një vend tranziti për ta gjetë një mundësi për të dalë më tutje”, tha Rafuna.

    Ai tha se duhet pasur parasysh që kur një biznes punëson një punëtor qoftë kosovar, qoftë të huaj, atij i duhet së paku gjashtë muaj që të familjarizohet me vendin e punës.

    “Ne duhet ta kemi parasysh në mënyrë që kur biznesi e punëson një punëtor qoftë kosovar po qoftë edhe të huaj, minimumi i vyen gjashtë muaj për me investu në të deri sa i familarizohet me ambientin e punës dhe të socializohet me punëtorët ,me rrethin e punëtorëve që e rrethon atë. Kështu që edhe kjo është një sfidë për biznesin”, tha Rafuna.

    Ai përmendi një rast konkret të një kompanie nga Ferizaj që eksporton një qind për qind në Gjermani, por sfidë kryesore e ka mungesën e fuqisë punëtore.

    “Sot pata mundësi në Ferizaj një biznes shumë të madh prodhues që eksporton njëqind për qind në Gjermani edhe ai ma paraqiti si problem mungesën e fuqisë punëtore. Ai nuk mundet me realizu njëqind për qind eksportin për shkak mungesës së fuqisë punëtore, sidomos si pjesë e punës fizike se nuk gjen nën treg të lirë”, tregoi Rafuna. /atvlive.tv

  • Rafuna: Serbia me numrin më të madh të migruesve, Kosova renditet e katërta në rajon

    Rafuna: Serbia me numrin më të madh të migruesve, Kosova renditet e katërta në rajon

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova është vendi i katërt në rajon për nga numri i popullatës që largohet nga vendi.

    “Unë kam pasë rastin me pa edhe një raport një studim që është ba në kuadër të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe me migrim prinë Serbia. Serbia është shteti që më së shumti popullata imigron, e dyta vie Maqedonia e Veriut, e treta Shqipëria, e katërt është Kosova dhe pas Kosovës, vie Mali i Zi. Domethënë Mali i Zi e ka migrimin më të vogël, ndoshta për shkak të numrit të vogël të popullsisë ose që është i koncentruar në turizëm”, tha Rafuna.

    Ai tha se Kosova duhet me qenë më e kujdesshme në temën e migrimit për shkak se e ka numrin më të madh të të rinjve dhe është popullata që konsumon më shumë se Serbia.

    “Kosova duhet të duhet me kanë ma e kujdesshme për arsye se ka numrin ma të madh të të rinjve si popullatë dhe është një popullatë që më shumti konsumon, domethënë përkundër që Serbia ka një numër shumë ma të madh të popullatës sesa Kosova, e ka shumë më të vjetër në moshë sesa Kosova dhe ata konsumojnë më pak sesa ne. Për këtë arsye ne duhet ta ruajmë këtë aset që e kemi dhe duhet të investojmë që të mos ta lejojmë të na humb ky aset”, tha Rafuna. /atvlive.tv

  • Rafuna: Krahasuar në Ballkan, jemi vendi i dytë me pagat më të larta

    Rafuna: Krahasuar në Ballkan, jemi vendi i dytë me pagat më të larta

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova është vendi i dytë në Ballkan për pagat më të larta.

    Ai tha se viziton çdo ditë bizneset dhe se është ndierë i kënaqur kur ka takuar punëtorët të cilët sipas tij, janë të kënaqur me vendin e punës që kanë.

    “Unë nëpër çdo ditë jam nëpër vizita te bizneset tona dhe me të vërtetë jam ndierë shumë i kënaqur kur kam taku punëtorët dhe kam parë që punëtorët janë të kënaqur me vendin e punës që kanë. Sektori privat ka lëvizura me paga, diku më pak e diku më shumë dhe kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore”, tha Rafuna. /atvlive.tv

  • Shabani: Liberalizimi dhe krijimi i mundësive për punë jashtë është më e mira që i ka ndodhë Kosovës

    Shabani: Liberalizimi dhe krijimi i mundësive për punë jashtë është më e mira që i ka ndodhë Kosovës

    Gazetari dhe analisti Zekrija Shabani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha liberalizimi i vizave dhe krijimi i mundësive për punë jashtë Kosovës, është gjëja më e mirë që ka mundur me i ndodh Kosovës, sa do që kjo duket e frikshme tash për tash.

    “Është dëmtuar më së shumti sektori që kërkojnë më së shumti punëtorë, në ndërtimtari kryesisht, por është njëfarë sinjali që në sektorët tjerë janë prekë shumë ma shumë. Nga Kosova nuk po ikin ata që kanë nevojë për bukë, por po ikin ata njerëz që përpos pagës, po kërkojnë një trajtim të dinjitetshëm, kërkojnë një diçka shumë më të mirë që nuk e kanë gjetë te biznesi këtu, ose nuk e kanë gjet te tregu i punës në përgjithësi”, tha Shabani.

    Ai tha se mendon që shumica e qytetarëve duhet me dal me e pa çka është Evropa, në mënyrë që me u përgatitë bizneset tona për shërbime më cilësore dhe trajtim më të dinjitetshëm të punëtorëve.

    “Në fillim, unë besoj se bizneset, ato që janë tamon biznese, kanë nisur përgatitjet qysh më herët, sepse ata janë shumë serioz dhe e kanë mendjen me vepru në Kosovë. Por, ne duke e pasur parasysh strukturën e bizneseve tona që shumica janë mikro dhe biznese të vogla, pra janë biznese të hapura prej hallegjinjëve, njerëzve që nuk kanë mundur me e gjetë veten askund dhe janë munduar me e hapë një biznes të vogël ose diçka për me mbijetua përkohësisht deri sa ta gjejnë një alternativë tjetër, këta kanë me i ristrukturu, kanë me e krijua një treg tjetër në Kosovë që ka me mbijetu më i forti që është ekonomi e tregut tek e fundit dhe biznesi ka me pagu shumë më mirë punëtorët që mbesin këtu, kanë me ofru shërbime shumë më cilësore për shkak se një qytetar që del dhe e merr një shërbim cilësor në ndonjë vend evropian, një punëtor që del edhe e sheh si punohet atje, ka me e kërkua një pagë më të mirë këtu”, tha Shabani. /atvlive.tv

  • Pasurisë së sekuestruar po i bie vlera pa u shitur

    Pasurisë së sekuestruar po i bie vlera pa u shitur

    Shumë pasuri të sekuestruara kanë mbetur në depot e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar në pritje të një vendimi përfundimtar nga gjykata.

    Në pritje të vendimit për shitje, sipas ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu, kësaj pasurie po i humb vlera.

    Udhëheqësja e këtij dikasteri në një tryezë diskutimi për të adresuar sfidat në menaxhimin e pasurisë së sekuestruar, përmendi mospraninë e përfaqësuesve të Këshillit Gjyqësor e atij Prokurorial, teksa tha se është i rëndësishëm diskutimi për këtë çështje nga pikëpamja e prokurorëve e gjyqtarëve.

    “Është mirë të diskutohet nga pikëpamja e prokurorëve dhe gjyqtarëve, çka mund të adresojmë bashkë”, tha Haxhiu.

    Kurse, gjyqtarët e prokurorët thanë se sfida kryesore është mosharmonizimi i ligjeve.

    “Problem në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, dispozita ligjore nuk është e përcaktuar mirë se si duhet të veprojë gjykata apo prokuroria, në raport me një pasuri të sekuestruar. Ka kohë që Agjencia, nëse s’ka vendim përfundimtar të mos i marrë gjërat, veturat e sekuestruara, sepse nuk është zhvilluar procedura siç duhet”, tha kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani.

    “Është e domosdoshme një infrastrukturë e duhur ligjore. Procedura është shkurtuar me kodin e ri”, tha Rasim Maloku, prokuror në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.

    Përfaqësues të Agjencisë thonë se me ligj janë të kufizuar të procedojnë me shitjen e pasurive në fazën e sekuestrimit.

    “Me ligj është e vendosur që Agjencia nuk mund të vendoset për shitje në fazën e sekuestrimit. Kam ithtar që pasuritë të shiten në këtë fazë, kam bisedu për këtë çështje me kryesuesin e KGJK-së. Ka thënë që mund të rregullohet me një opinion të Gjykatës Supreme”, tha zëvendësdrejtori i AAPK-së, Enver Krasniqi.

    “Pa pasur një kërkesë konkrete ne vetë nuk mund të hartojmë opinion. Shumë pak raste kemi pasur deri tash në gjykatë, që kanë të bëjnë me këtë çështje”, tha Valdete Daka, gjyqtare në Gjykatën Supreme.

    Sipas Agjencisë, pasuria e konfiskuar vitin e fundit ka qenë 30% më shumë se ajo e sekuestruar, për herë të parë nga formimi i këtij institucioni. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë: