ATV

Category: Lajme

  • Klinika e Psikiatrisë s’bën ekzaminim psikiatrik të të burgosurve

    Klinika e Psikiatrisë s’bën ekzaminim psikiatrik të të burgosurve

    Mungesa e gardianëve është njëra nga arsyet që në Klinikën e Psikiatrisë tash e pothuajse një vit nuk bëhet ekzaminimi psikiatrik i të burgosurve.

    Drejtori i kësaj Klinike, Faton Kutllovci, thotë se ky nuk është problemi i vetëm, pasi që kjo klinikë nuk i përmbush as kushtet për këtë ekzaminim.

    “Imagjinojeni ta shtrish në një repart të njëjtin person që ka kryer veprën penale, që krejt shoqëria e stigmatizon që manifeston çrregullimi psikik dhe kur ne jemi duke e destigmatizuar këtë. Imagjinojeni nëse i futemi në të njëjtën dhomë”, tha Kutllovci.

    Kështu këtë ekzaminim të cilin e kërkojnë gjykatat tani e bën Instituti i Psikiatrisë Forenzike. Momentalisht në këtë Institut janë duke pritur për t’u ekzaminuar 15 të burgosur.

    “Numri i rasteve në pritje për ekzaminim psikiatrik varion në baza ditore dhe varet nga fluksi, apo numri i kërkesave, që mund të dërgohen prej anës së gjykatave apo prokurorive të Kosovës në IPFK. Aktualisht numri i rasteve të kërkuara nga sistemi juridik i Kosovës është 15 dhe është m i vogël në krahasim me vitin e kaluar”, thuhet në përgjigjen e Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

    Monitorues të sistemit të drejtësisë mendojnë se edhe në këtë proces ka hapësirë për keqpërdorime.

    “Në momentin kur ka mundësi, në këtë rast psikiatri dhe ekspertët që caktohen nga gjykata, nuk e bëjnë detyrën e tyre sipas ligjit, sigurisht ka hapësirë për t’u keqpërdorur”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

    Në Klinikën e Psikiatrisë momentalisht janë duke u trajtuar 41 pacientë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Të pasuksesshme gërmimet në Prishtinë për të pagjetur

    Të pasuksesshme gërmimet në Prishtinë për të pagjetur

    Në mars të vitit 1999, forcat serbe i kishin marrë kufomat e tetë pacientëve nga Spitali i Prishtinës, dhe pa dijeninë e familjarëve i kishin varrosur në lagjen Mati 1.

    Disa prej tyre u gjetën e u identifikuan nga ekipet ndërkombëtare menjëherë pas luftës.

    “5 prej tyre. Pak kohë më vonë. Një tjetër është gjetur në vitin 2011…”, tha Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    Ndërsa, për dy të tjerë, kërkimet vazhduan këtë të enjte.

    “Një nga ata që po kërkohet është Gani Baleci. Ne po gërmojmë në bazë të informacioneve që kemi nga ndërkombëtarët dhe një dëshmitari shqiptar”, tha kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

    Megjithatë, rezultatet nuk dolën ashtu siç pritej.

    “Kemi gërmuar sot, por nuk kemi gjetur mbetje mortore nga dy personat që po i kërkojmë”, tha antropologu mjekoligjor në IML, Ditor Haliti.

    Por, kërkimet në këtë lokacion nuk do të ndalen këtu.

    “Bazuar në këshillat e ekspertëve, në këtë lokacion do të kthehemi sërish ditëve në vijim…”, tha Gara.

    Përveç Matit 1, për mbetje mortore do të kërkohet edhe në lokacione të tjera.

    “Ditëve në vazhdim do të gërmojmë në një lokacion në Podujevë, derisa në dy të tjera do të kthehemi sërish…”, tha Haliti.

    Përfshirë mbetjet mortore të personave që u kërkuan në këtë lagje të kryeqytetit, gjithsej të zhdukur nga lufta e fundit mbeten 1617 persona. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Bie nataliteti në Kosovë, nga viti 1986-2019 përgjysmohet numri i lindjeve

    Bie nataliteti në Kosovë, nga viti 1986-2019 përgjysmohet numri i lindjeve

    Kosovarët po bëjnë më pak fëmijë. Kështu tregojnë të dhënat e mbledhura nga Agjencia e Statistikave e Kosovës.

    Sipas ASK-së, nga viti 1986 kur numri i lindjeve ishte 56 283, në vitin 2019 kjo shifër ka rënë në 25 794 lindje.

    “Statistikat tona na tregojnë se kemi rënie të lindjeve në Kosovë. Kjo lidhet me fertilitetin dhe emigrimin. Ne besojmë që do të dalim më të pajisur për këtë dukuri nga ky diskutim. Kjo dukuri është prezente në gjithë rajonin dhe më gjerë, vendet e rajonit i kanë marrë hapat me kohë. Përpos që lindjet kanë rënie, edhe emigrimi është në rritje”, tha Ilir Berisha, ushtrues detyre i kryeshefit të ASK-së.

    Nga shqetësimi për këtë situatë, u kërkua nga Qeveria përmirësimi i politikave që adresojnë këtë problematikë.

    “Brenga e të gjithëve është se çfarë do të ndodhë, sepse popullsia po zvogëlohet. Orientim është se çfarë po bëjnë shtetet e tjera që janë prekur, çfarë masash duhet me marrë dhe cilat nga to kanë pasur sukses. Shtete që janë ballafaquar me këtë problematikë kanë vërtetuar dhe kanë bërë ndryshime në politika si në edukim, pushimin e lehonisë, pushimin prindëror. Ne si Kosovë po presim se çka do të ndodhë me liberalizim vizash tani, kur gjysma e të rinjve do të largohen”, tha Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e zyrës së UNFPA-së.

    Një arsye tjetër e rënies së natalitetit, sipas përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është edukimi i të rinjve mbi shëndetin seksual dhe riprodhues.

    “Lindshmëria ka rënë, faktorët e rënies u cekën, por ajo që është e rëndësishme është që kjo varet prej shumë faktorëve, ajo çka është me rëndësi në si Institut duhet të punojmë sa më tepër me të rinjtë, sa i përket shëndetit seksual dhe riprodhues. Ne mbajmë trajnime me shkollat e mesme. Ajo çka është e rrezikshme është shtatzënia e p dëshiruar, andaj duhet të punohet me të rinjtë pasi këto janë tema tabu në familjet tona. Rrezik tjetër është se të rinjtë kanë informata të shumta dhe se informata ata duhet t’i marrin nga burimet e sigurta”, tha Sevdie Spahiu nga IKSHPK.
    Përveç rënies së numrit të lindjeve, të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se edhe numri i vdekjeve nga viti në vit ka rënë. Derisa në vitin 1999 kanë qenë 20 311 vdekje, në vitin 2019 kanë qenë 14 845. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Ish-prokurori që udhëhoqi hetimet ndaj Miloseviqit vjen në Kosovë

    Ish-prokurori që udhëhoqi hetimet ndaj Miloseviqit vjen në Kosovë

    Masakra e Dubravës është mirë e njohur për prokurorin që kishte udhëhequr hetimet në gjykimin ndaj Slobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, Geoffrey Nice.

    Ish-prokurori kryesor në këtë rast, teksa përmend arsyet se pse në atë Tribunal nuk kishte mundësi ta hetonin këtë masakër, pret që këtë ta bëjë tani Zyra e Prokurorit të Specializuar.
    Ai nuk sheh pengesa që këtë të mos e bëjë ZPS-ja, meqë thotë Serbia se bashkëpunon me Gjykatën Speciale.

    “Nëse ka pretendime për burgun e Dubravës, kjo mund të jetë shumë interesante. Në Tribunalin e Hagës, ne na mungonte kjo. Në një rast aq të madh, ju mungojnë shumë gjëra. Por, ne nuk arritëm të shfrytëzojmë dëshmi që ishin të qasshme për ne, që dëshmuan se kur rojet e rregullta të burgut u larguan dhe u zëvendësuan me forcat speciale që kryen masakrën, mund të ketë qenë kundër instinkteve të duhura të guvernatorit të burgut, i cili ishte përgjegjës për ruajtjen dhe kujdesin e atyre që kishte nën menaxhim. Me sa mbaj mend, kishte dëshmi se ai ishte larguar përkundër vullnetit të tij. Tani, është logjike që instruksionet për t’i liruar rrugën forcave speciale, mund të ketë ardhur vetëm nga dikush nga niveli ministror, apo nga niveli më i lartë”, tha Nice.
    Ish-prokurori britanik, i cili kishte marrë pjesë në negociatat për statutin e Gjykatës Speciale, thotë se Kosova ka pasur procese të imponuara sa u përket hetimeve të krimeve të luftës, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara në Hagë.

    “Kosova ka përfituar apo ndoshta edhe ka pësuar nga një sërë organizatash të ndryshme ndërkombëtare, që kanë hetuar krimet e supozuara të luftës dhe kanë dalë me qëndrime për to. Kosova kurrë nuk ka qenë në një pozitë që të thotë se ne duam t’i trajtojmë këto çështje në këtë mënyrë. Ajo ka pasur procese të imponuara. Ashtu siç tani i janë imponuar Dhomat e Specializuara në Hagë”, tha Nice.
    Rreth procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve ai refuzon të japë komente.

    “Unë nuk ia kam fare idenë se cilat janë dëshmitë kundër Thaçit dhe të tjerëve. Me sa e di, të gjitha dëshmitë deri më tani janë dhënë në seanca të mbyllura. Kush e di pse? Ndoshta sepse kishte diçka shumë të rëndësishme dhe të fortë, apo ndoshta për ndonjë arsye tjetër, dëshmitë nuk zbuluan asgjë? Nuk e di, por nuk kam mendim për këtë. Është shumë e lehtë të konkludohet se Dhomat e Specializuara janë krijuar nën presion, për t’u shërbyer qëllimeve të pazbuluara politike. Por kush e di, mund ta kem gabim për këtë. Ky tribunal sigurisht se duket se po u shërben interesave të Serbisë. A u shërben interesave të ndokujt tjetër? Nuk e di”, tha Nice.

    Ish-prokurori në Tribunalin e Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, Geoffrey Nice, pas katër vitesh ka ardhur sërish në Kosovë. Këtë herë, Nice ka qëndruar në Prishtinë për të trajnuar prokurorë e gjyqtarë të Departamenteve Speciale të Gjykatës e Prokurorisë në Kosovë.

    Nice me kërkesë të ish-presidentit Hashim Thaçi ishte përfshirë në negociata për themelimin e Speciales.

    Gjithashtu, më vonë ai me kërkesë të Thaçit ishte paraqitur si avokat në faza të hershme për tre persona të ndryshëm. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Kolegji AAB bën bashkë për herë të parë ambasadorë amerikanë e shqiptarë

    Kolegji AAB bën bashkë për herë të parë ambasadorë amerikanë e shqiptarë

    Për herë të parë, Kolegji AAB bëri bashkë ambasadorë amerikanë e shqiptarë, në 101-vjetorin e Marrëdhënieve Diplomatike Shqipëri – SHBA dhe në 15-vjetorin e Marrëdhënieve Diplomatike Kosovë – SHBA.

    Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, e vlerësoi të rëndësisë së veçantë këtë vizitë të ambasadorëve.

    “Më lejoni që në emër të Kolegjit AAB, t’i uroj një mirëseardhje të ngrohtë Këshillit të Ambasadorëve me vizitën e tij në shtetin dhe në kolegjin tonë. Shprehim veçanërisht mirënjohjen tonë të thellë me nderin që po na bëni me këtë vizitë. Pra, ne e konsiderojmë këtë vizitë shumë të rëndësishme, duke na bërë të ndihemi të privilegjuar dhe të bekuar me këtë vizitë, siç është shteti ynë i bekuar, që ka miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Tafa.

    Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Genci Muçaj, duke folur para studentëve të Kolegjit AAB, tha se Kosova është në zemrën e çdo shqiptari.

    “Ndihem i lumtur që të jem pjesë e këtij kolegji, i cili është një ndër institucionet jo vetëm më të mira në vend, por edhe në rajon. Ne e kemi vendosur në programin tonë që të qëndrojmë më shumë në Kosovë, sesa në Shqipëri ose në Maqedoninë e Veriut, që do të shkojmë sot, pasi që ne i kushtojmë më shumë vëmendje këtij shteti të ri e të mrekullueshëm, të pavarur, siç është Kosova, pasi që ne e duam Kosovën, aq shumë sa e doni ju”, tha Muçaj.

    Për kryetarin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë rektori i Kolegjit AAB, ndau Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrim.

    “Unë kam qenë gati në të gjitha kontinentet e botës, në Azi, në Afrikë, në Amerikën Jugore, por edhe në atë Veriore, pra në të gjithë botën. Por unë mund të them se nuk është një vend që mund ta kujtoj që na ka mirëpritur aq mirë, aq ngrohtë si këtu në Kosovë dhe në Shqipëri. Ju jeni në Ballkan, ku Shtetet e Bashkuara me të vërtetë kanë bërë një përpjekje të madhe për sukses. Suksesi i Amerikës është Kosova, sepse ky shtet ka fituar një lindje institucionesh demokratike”, tha kryetari i këshillit të ambasadorëve amerikanë, Timothy Chorba.

    Për Kosovën fjalë të mëdha tha edhe ish-ambasadorja e SHBA-së në Danimarkë, Laurie Fulton, e cila tregoi se e kishte vizituar Kosovën, para disa vitesh dhe se në këtë vend ajo kishte kaluar një pjesë të jetës së saj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • ZRRE-ja gjeti më shumë shkelje në KEK, sesa prokuroria në dosjen e Krasniqit

    ZRRE-ja gjeti më shumë shkelje në KEK, sesa prokuroria në dosjen e Krasniqit

    Më shumë shkelje ka evidentuar Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin monitorues të shitblerjes së energjisë nga KEK-u, sesa që Prokuroria prezantoi në dosjen fillestare ndaj kryeshefit tashmë të pezulluar, Nagip Krasniqi.

    Në dosjen me të cilën është arsyetuar masa e paraburgimit, Prokuroria përmend vetëm tenderin në vlerë 3.5 milionë euro për riparimin emergjent të kaldajës së njësisë A5 dhe një tjetër kontratë për konsulencë në vlerë 60 mijë euro.

    Për tenderin e parë, mbi Krasniqin rëndojnë dyshimet për ndryshim të kushteve të kontratës, përkatësisht përshtatjes për kompaninë “Litwin Sa” dhe për ushtrim ndikimi përmes urdhërimit të shefit të prokurimit të nënshkruajë kontratën, përkundër rekomandimit për Komisionin Vlerësues për anulim.

    Ndërsa, për të dytin, rëndojnë dyshimet për lidhje të dëmshme dhe të jashtëligjshme të kontratës me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna”, përkundër rekomandimit për rivlerësim dhe shpallje të një tenderi ri, të hapur.

    Te dyshimet për konflikt interesi, përmendet pjesëmarrja në çështje të prokurimit, por pa specifikuar rastet dhe angazhimi i Isuf Zejnës, nga operatori në fjalë, në cilësinë e mbrojtësit në disa procedura hetimore ndaj Krasniqit.

    Në të dyja kontratat, mbrojtja thotë se dëmi nuk është shkaktuar, pasi nuk është kryer pagesa.

    Krahas konstatimit se me veprimet e tij Krasniqi i ka shkaktuar dëme të mëdha materiale buxhetit të shtetit, Prokuroria përmend shitblerjen e energjisë, por pa saktësuar ndonjë rast.

    Në arsyetimin e vendimit për paraburgimin, Prokuroria thirret te rreziku i ndikimit eventual te dëshmitarët, por vetë mbrojtja ka përmendur se Krasniqi ka qenë në dijeni të procedurave hetimore, dy muaj më herët.

    Në raportin e monitorimit të tregtimit të energjisë për vitin e kaluar, Zyra e Rregullatorit për Energji ka evidentuar tetë shkelje të rregullave dhe ligjeve nga KEK-u, por asnjëra nuk përmendet në dosjen fillestare të Prokurorisë.

    Mes tjerash, ZRRE-ja gjeti se KEK-u tregtoi miliona euro me kompaninë e palicencuar në Kosovë – HSE; se mori energji nga marrëveshja për shkëmbim me Shqipërinë edhe kur s’kishte nevojë dhe e shet atë; dhe se tregtoi duke mos vendosur kriter kryesor çmimin më të favorshëm por sasinë e energjisë.

    Me pretendimin se nuk ka bazë për mbajtje në paraburgim, mbrojtja e Krasniqit, të enjten dorëzoi kërkesë në Gjykatën Supreme për lirimin e tij. /atvlive.tv

  • Nesër fillojnë kundërpyetjet për dëshmitarin e katërt të prokurorisë

    Nesër fillojnë kundërpyetjet për dëshmitarin e katërt të prokurorisë

    Intervistimi i dëshmitarit të katërt nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), është zhvilluar tërësisht në seancë private, për dy ditë me radhë.

    Pas pyetjeve të prokurorisë, në mbyllje të saj seanca është kthyer publike dhe kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, ka bërë të ditur se nesër do të fillojnë kundërpyetjet.

    Gjithashtu, Smith ka deklaruar trupi gjykues mund të bëjë pyetje në çdo moment gjatë procesit gjyqësor.

    “Pyetjet nga trupi gjykues mund të bëhen në çdo moment, nuk janë kundërpyetje, dhe nuk pasqyrojnë pyetjet e palëve, synojnë që të zbulojnë të vërtetën dhe ky është mandati i tyre. Fillojmë me kundër pyetjet nesër në orën 9”, ka thënë Smith.

    Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.

    Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Kurti: Insistimi ynë është zbatimi i plotë dhe pa kushte i marrëveshjes

    Kurti: Insistimi ynë është zbatimi i plotë dhe pa kushte i marrëveshjes

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se takimi i sotëm me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ishte vazhdim i takimit të zhvilluar më 2 maj në Bruksel. Kurti tha se insistimi i tyre është që të zbatohet marrëveshja në përpikëri.

    Ai u shpreh tani janë të interesuar që të bashkëpunojnë për ta shkruar bashkë më tutje një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekuat të vetëmenaxhimit, siç e sheh neni 7 i marrëveshjes së dakorduar, transmeton KP.

    Kurti tha para mediave se synimi është që duhet të ketë implementim të plotë dhe sa më të shpejtë të marrëveshjes.

    “Institimi ynë është ajo që jemi dakorduar, pra zbatim i plotë, i përpikët i secilit nen pa vonesa e pa kushte. Ne e dimë që pala tjetër ka bërë deklarat se marrëveshjen nuk e pranon me përmbajtje, por vetëm me koncept dhe se zbatimi i saj ka kufizime. Për neve këto janë të papranueshëm dhe për neve ishte e rëndësishëm që ta konfirmojmë me emisiarin Lajçak që marrëveshja është ajo me 11 nene nga 27 shkurti në Bruksel dhe me 12 pika aneksi i zbatimit. Tash jemi të interesuar që të bashkëpunojmë për ta shkruar bashkë më tej një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekut të vetëmenaxhimit siç e sheh neni 7 i marrëveshjes së dakorduar, duke mos e anashkaluar edhe nenin 10. Ky është synimi ynë paralelisht më atë që duhet të ketë implementim të plotë dhe sa më të shpejt. Bisedimet janë duke u zhvilluar, pas Kosovës do të shkojë edhe në Serbi dhe në javën e ardhshme beosoj që do ta kemi një takim mes kryenegociatorëve”, tha Kurti.

    I pyetur nëse Kosova është në rrugën e normalizmit apo të konfliktit, ai tha se vendi është në rrugën e një normalizimi të plotë, i cili arrihet pikërisht me njohjen reciproke në qendër.

    “Kosova është në rrugën e normalizimit, një normalizim i plotë, i cili arrihet pikërisht me njohjen reciproke në qendër. Ndërkaq me marrëveshjen bazike, të cilën e kemi realizuar kemi njohje de facto”, u shpreh Kurti.

    Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.

  • “Jam kryeministri i parë që s’ka asnjë të punësuar me mbiemër të tij në ndonjë ministri”

    “Jam kryeministri i parë që s’ka asnjë të punësuar me mbiemër të tij në ndonjë ministri”

    Kryeministri Albin Kurti, tha se është kryeministri i parë në Kosovë që nuk ka as një të punësuar me mbiemër të tij në institucionet publike, raporton EO.

    Ai duke u përgjigjur në pyetjen për reformat në Televizionin Publik dhe përzgjedhjen e drejtorit të RTK-së tha se ai nuk ka pasur dhe nuk ka gatishmëri të shohë se kush zgjidhte në këtë institucion.

    Këto komente i bëri në në konferencën “Siguria kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi i radhës? organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI).

    “Unë nuk kam pasur dhe nuk kam gatishmëri të shohë se kush zgjidhte në RTK. Në vitet e kaluar ka pasur shpërpushje midis buxhetit edhe programit. Programet kulturore dhe edukative ku nuk mund të presësh ne televizionet private ato e kanë vendin ne televizionin publik”.

    “Ka nevojë për reforma ato duhet ti bëjë bordi dhe menaxhmenti atje. As një anëtar e aktivist nuk e preferoj të marrë ndonjë detyrë, mbase jam kryeministrin parë i cili nuk ka asnjë me mbiemër të tij të punësuar në institucione”.

    “As vëllezërit e mi, as prindërit e mi nuk kanë shkelur në pragun e Qeverisë. Besoj që kur ti bënë kritikat që është punësuar edhe dikush i VV duhet të më lavdëroni edhe kur të punësoj dikush i opozitës”, tha ai.

  • Qumështi, djathi e vezët, 16.6% më shtrenjtë se vitin e kaluar

    Qumështi, djathi e vezët, 16.6% më shtrenjtë se vitin e kaluar

    Qumështi, djathi dhe vezët janë 16.6 për qind më shtrenjtë se në vitin e kaluar dhe prodhimet tjera ushqimore për 13.9 për qind.

    Edhe energjia elektrike u shtrenjtua për 7.2 për qind në prill të këtij viti krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, sikurse drutë për zjarrë që janë më shtrenjtë këtë vit për 18.7 për qind.

    Ndërsa, ulje të çmimeve vërehet vetëm tek karburantet me 0.6 për qind, kështu bëhet e ditur në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Megjithatë, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill 2023 me muajin prill 2022 ishte 6.3 për qind, kjo është bërë e ditur ne raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin prill 2023.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, palet etj. (18.7%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (17.3%); qumësht, djathë dhe vezë (16.6%); prodhime ushqimore (13.9%); shërbime për transport (13.4%); sheqer, reçel, mjaltë, çokolatë dhe ëmbëlsira (12.8%); mish (12.4%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (11.8%); bukë dhe drithëra (11.7%); peshq (10.0%); kujdes personal (8.3%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (8.0%); shërbime hoteliere (7.9%); kafe, çaj dhe kakao (7.9%); këpucë (7.8%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (7.2%); pije alkoolike (6.8%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (6.8%); pemë (6.1%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (6.0%); perime (5.1%); duhan (5.0%); blerje e automjeteve (3.2%); rekreacion dhe kulturë (2.8%); dhe veshje (1.9%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6.9%”, thuhët në raportin e ASK-së, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.3% në muajin prill 2023, ku më së shumti patën ngritje pajisjet telefonike me 27.2%.

    “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 0.3% në muajin prill 2023, krahasuar me muajin mars 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të nëngrupet e COICOPI-it: pajisje telefonike dhe të telefaksit (27.2%); shërbime për transport (5.6%); veshje dhe këpucë (1.5%); pije alkoolike (1.5%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.2%); dhe pemë (0.8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4%”, thuhët në raport.

    Në muajin prill të këtij viti krahasuar me mujan mars 2023, vërhet një rënie e çmimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë për 1.4%) dhe perimet 0.6%, me një ndikim prej 0.1 për qind.