ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj: Masakrat ndaj civilëve të pafajshëm janë tregues i çmimit të lartë për lirinë

    Haradinaj: Masakrat ndaj civilëve të pafajshëm janë tregues i çmimit të lartë për lirinë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar sot masakrat në Qyshk, Pavlan, Zahaq e Llabjan në përvjetorin e tyre.

    Haradinaj ka thënë se këto masakra janë tregues i çmimit të lartë për lirinë dhe shtetin.

    “Martirët janë dhembje e krenari dhe kujtimi e nderimi për ta forcon themelet e shtetit tonë. Masakrat ndaj civilëve të pafajshëm në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan janë tregues i çmimit të lartë për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot”, ka shkruar Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se drejtësia për këto krime duhet të vendoset sa më parë.
    “Drejtësia për këto krime duhet të vendoset sa më parë, nderimi për të rënët mbetet obligim i yni e vepra e tyre, udhërrëfyes në punën tonë të përditshme”.

  • Osmani përkujton 24-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

    Osmani përkujton 24-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan.

    “24-vjet më parë në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, forcat e regjimit gjenocidal serb vranë e masakruan barbarisht 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan. Ata u vranë në vatrat e tyre shekullore dhe janë dëshmi e fuqishme e krimeve serbe në Kosovë. Ne do t`i kujtojmë përherë ata, sikurse nuk do të ndalemi asnjëherë në kërkim të drejtësisë për t`i dhënë kuptim lirisë sonë! Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Qyshkut, Zahaqit, Llabjanit e Pavlanit!”

  • Erdogan iu jep para fëmijëve, pak para votimit

    Erdogan iu jep para fëmijëve, pak para votimit

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan siç duket po dëshiron të përmirësojë imazhin e tij ndaj turqve në çdo mënyrë.

    Kësisoj, ai ka shkuar në qendrën e votimit ku ishte planifikuar të votonte për zgjedhjet që po mbahen atje. Erdogan qe i shoqëruar nga gruaja e tij, Eminja.

    Por, porsa mbërriti në vendngjarje, Erdoganu përshëndet me turmën që ishte mbledhur për ta mbështetur atë. Sipas pamjeve të publikuara, ai shihet edhe duke iu dhënë para fëmijëve të vegjël.

  • Ish-deputetja Krasniqi bëhet gjyshe: Sot ndjehem më e lumtur se kurrë

    Ish-deputetja Krasniqi bëhet gjyshe: Sot ndjehem më e lumtur se kurrë

    Ish-deputetja e LVV-së dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka njoftuar se është bërë gjyshe.

    “Një engjëll i ri erdhi nga qielli për të shtuar dashurinë dhe lumturinë tonë”, ka shkruar ajo në Facebook.

    “Sot, unë ndjehem më e lumtur se kurrë, vajza ime Alisa është bërë nënë. Augustini nga sot do të jetë pjesë e kujtimeve dhe gëzimeve tona të bukura”, shtoi ajo, transmeton Paparaci.

    “Augustin i dashur, ardhja jote në këtë botë është më shumë se gëzim. Për ne emocionet janë të papërshkrueshme, uroj që me ty do të lumturohemi pafund”.

  • Ambasadorja e BE-së: Dita është e qetë, qytetarët të dalin të votojnë

    Ambasadorja e BE-së: Dita është e qetë, qytetarët të dalin të votojnë

    Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christinane Hohmann ka zgjedhur Elbasanin për të parë nga afër procesin për zgjedhjet lokale për zgjedhjen e kryebashkiakut në këtë bashki.

    Hohmann në fjalën e saj është shprehur se deri më tani dita është e qetë dhe ka kërkuar nga qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje dhe që të ruajnë qetësinë deri në fund.

    “Gjërat deri më tani kanë ecur pa problem dhe qytetarët po e ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për të zgjedhur kryebashkiakun. Urimi im për sot është sa më shumë zgjedhës të shkojnë në qendër të votimeve dhe të votojnë dhe dita të vijojë kështu pa problem dhe në paqe. Ajo çfarë vendosin sot qytetarët është do të jenë prej tyre në këshillat bashkiak dhe kush do jenë kryetarët e bashkive në 4 vitet e ardhshme. Shfrytëzojeni të drejtën që keni për të zgjedhur”, tha ajo.

    Sipas saj, “synimi duhet të jetë politika më e mirë që ju mendoni do të jetë për Elbasanin”.

    “Jam shumë e lumtur që OSBE ka vendosur të sjellë vëzhgues në Shqipëri që u bënë kohë që kanë ardhur e u bë kohë që kanë ndjekur situatën ditë pas dite. Ju e dini se para pak ditësh nxorën raportin paraprak, por le të presim ditën e nesërme kur do të kemi raportin paraprak për të parë gjetjet e misionit të OSBE/ ODIHR në Shqipëri”.

  • Milatoviq: Të gjithë presidentët e rajonit janë ftuar për inaugurimin tim

    Milatoviq: Të gjithë presidentët e rajonit janë ftuar për inaugurimin tim

    Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, pret që në inaugurimin e tij të shtunën e ardhshme në Podgoricë të marrin pjesë liderët e vendeve të rajonit.

    Nga Presidenca e Kosovës ende nuk kanë bërë të ditur nëse presidentja Vjosa Osmani ka pranuar një ftesë të tillë apo nëse do ta pranojë pozitivisht atë.

    “Janë të ftuar të gjithë presidentët e vendeve të rajonit dhe në frymën e një politike të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të cilën Mali i Zi dëshiron ta ketë me të gjithë fqinjët. Mendoj se ardhja e tyre do të ishte një mesazh i mirë për Bashkimin Evropian dhe për Bashkimin Evropian dhe bashkësia e gjerë ndërkombëtare për bashkëpunimin brenda rajonit”, tha Milatoviq.

    Ai ka shtuar se në një bisedë telefonike me shumicën prej tyre ka marrë një mesazh të mirë se ka interes për praninë e tyre, transmeton Paparaci.

    “Po mendoj edhe për anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës dhe Vuçiqin, presidentin e Shqipërisë dhe shumë të tjerë”, tha Milatoviq.

    Siç ka shtuar ai, ka marrë konfirmimin se në inaugurim do të marrin pjesë shumë zyrtarë të lartë të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, që është “një sinjal i mirë i besimit dhe respektit të ndërsjellë mes Malit të Zi dhe atyre vendeve”.

    Siç tha ai, disa nga lëvizjet e para në pozitën e kreut të shtetit do të jenë rishikimi i ligjeve të ardhshme të miratuara gjatë Kuvendit të shpërndarë.

  • Belind Këlliçi voton në Tiranë: Sot është dita e madhe

    Belind Këlliçi voton në Tiranë: Sot është dita e madhe

    Kandidati nga koalicionin “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka votuar i shoqëruar nga nëna e tij në shkollën “Dora d’Istria”.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës të votojë, pasi sot është një ditë e madhe për shqiptarët.

    “Sapo kreva detyrën time si qytetar. I ftoj të gjithë të kryejnë detyrën të gjithë të rinjtë, të gjithë ata që i kam takuar. Sot është dita e madhe, është dita ku keni në dorë fatet e këtij qyteti. Kam një apel për rininë për nacut e Tiranës, për të gjithë ata që mendojnë se e kanë më të lehtë ikjen I them jo, hajdeni votoni“, tha ndër të tjera Këlliçi.

    Kujtojmë që Këlliçi është përballë në garë me kandidatin socialist Erion Veliaj, i cili po synon për një tjetër mandat në Bashkinë e Tiranës.

  • Së shpejti priten edhe aktakuza të tjera për gjykim në mungesë

    Së shpejti priten edhe aktakuza të tjera për gjykim në mungesë

    Pas dy aktakuzave që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur për gjykim në mungesë, tashmë ky institucion i drejtësisë pritet që shumë shpejt të ngrehë edhe aktakuza të reja në mungesë që kryesisht kanë të bëjnë me rastet e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë, por edhe krime të tjera lufte të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në vend.

    Kështu ka deklaruar në një intervistë për KosovaPress udhëheqësja e departamentit për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari e cila u shpreh se për këto aktakuza kanë arritur të sigurojnë prova relevante.

    Prokurorja Hajdari theksoi se aktualisht i ka në përgatitje tri aktakuza në mungesë për dhunë seksuale gjatë luftës.

    “Do të kemi aktakuza të tjera sepse kemi raste në të cilat janë krijuar dhe përmbushur kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë… Nuk mund të precizoj numrin, por janë disa raste unë personalisht i kam në përgatitje edhe tri raste për dhunë seksuale gjatë luftës ku viktima ka arritur të identifikojë kryesin dhe në të cilat janë grumbulluar provat relevante për ngritjen e aktakuzës… Ka për të pasur edhe raste të tjera përveç dhunës seksuale gjatë luftës, unë dhe kolegët kemi raste të tilla të cilat pothuajse janë të gatshme për ngritjen aktakuzave në mungesë”, u shpreh ajo.

    Sipas saj, gjykimi në mungesë paraqet përmbushje të drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës, pasi arrihet të dokumentohet krimi i kryer.

    “Ky gjykim në mungesë është një opsion i cili i ka pasur parasysh dhe ka respektuar në radhë të parë nevojat për satisfaksion të viktimave të krimeve të luftës si dhe për shkak të kalimit të kohës nga kryerja e këtyre krimeve nevojës për një drejtësi ndoshta jo përmbushje e plotë meqenëse i pandehuri nuk do të jetë i pranishëm, por në njëfarë mënyre paraqet një përmbushje të drejtësisë sepse edhe krimi dokumentohet përmes gjykimit në mungesë. Domethënë përmes provave të mbledhura Prokuroria do të tentoj që të bind gjykatën që krimi ka ndodhur”, theksoi Hajdari.

    Hajdari deklaroi po ashtu se gjykimi në mungesë ka ofruar mundësi të gjykimi edhe kur nuk sigurohet prania fizike e atyre që dyshohet se kanë kryer krimin.

    “Ngritja e aktakuzave në mungesë është një risi i cili na ka mundësuar Kodi i ri i Procedurës Penale dhe vjen në konsideratë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet për të gjetur të pandehurin. Deri më tani kemi ngritur aktakuza në të cilat kemi siguruar praninë fizike të të pandehurit e tash e tutje mundemi me i ngrit aktakuzat pasi që i grumbullojmë të gjitha provat lidhur me krimin e caktuar pa marrë në pyetje të pandehurin, pastaj i propozojmë gjykatën që të mbahet gjykimi në mungesë mirëpo gjithmonë mbetet opsioni që nëse ndërkohë arrestohet i pandehurit kundër të cilit është lëshuar letërshtimi ndërkombëtar të gjykohet në praninë e tij”, u shpreh ajo.

    Hajdari tha se me gjykimin në mungesë janë krijuar mundësi më të mëdha për ngritjen e aktakuzave për kryerësit e krimeve gjatë luftës.

    Sipas saj, kjo ka qenë edhe arsyeja se pse Prokuroria Speciale ka ngritur për nga numri pak aktakuza pasi rastet janë proceduar vetëm kur është arritur sigurimi fizik i kryesit të krimit.

    “Deri tani i kemi proceduar vetëm ato raste ku kemi arritur të sigurojmë praninë fizike të kryesit, për këtë arsye edhe kemi pasur një numër të vogël të aktakuzave sepse nuk kemi pasur mundësi të veprojmë ndryshe. Por tani është një situatë tjetër dhe ne po mundohemi me të vërtetë me bë maksimumin dhe më të mirën të mundur”, tha prokurorja Hajdari.

    Udhëheqësja e departamentit për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka ngritur nevojën për shtimin e numrit të prokurorëve në këtë departament.

    Sipas saj, numri prej katër prokurorëve nuk është i mjaftueshëm për procedimin e të gjitha lëndëve që kanë në dispozicion.

    “Ende nuk kemi kapacitete të mjaftueshme, por shpresoj që në të ardhmen të rritet numri i prokurorëve… Katër jemi, nuk mund të prognozoj sa edhe pse me të vërtetë kemi numër shumë të madh të lëndëve të trashëguara nga EULEX-i si dhe të raportuara pas marrjes së kompetencave nga Prokuroria vendore ku viktimat e krimeve të luftës ndiheshin më të lirë të raportojnë krimin para prokurorëve vendorë”, tha Hajdari.

    Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti dy aktakuza në mungesë kundër të pandehurve Ç.A. dhe D.R. – të dyshuar për krime lufte në Kosovë, gjatë vitit 1999.

    Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë civilë, dhunuar seksualisht 20 mijë gra e burra, ndërkaq ende mungojnë mbi 1600 persona të zhdukur me forcë.

  • ​LVV-ja e kritikon Lajçakun një ditë para takimit në Bruksel

    ​LVV-ja e kritikon Lajçakun një ditë para takimit në Bruksel

    Lëvizja Vetëvendosje ka ashpërsuar kritikat ndaj përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Një ditë para takimit të kryenegociatorëve në Bruksel, partia në pushtet po konsideron Lajçakun si të anshëm në proces të dialogut, sidomos pas deklaratave se “draft-statuti i ish-ekipit menaxhues duhet të jetë pikënisje për Asociacionin”.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë për KosovaPress se qëllimi i Lajçak është që të ofrojë një version ekstrem për Asociacionin dhe jo një version real dhe të thotë “ejani takohemi kah ‘mesi’ për të bërë një kompromis”.

    Mirëpo, kjo sipas deputetit Muja është e papranueshme. Ai thekson se ndërmjetësuesi i dialogut, por edhe të tjerët duhet të kuptojnë se Asociacioni nuk mund të kalojë asnjë milimetër jashtë kornizës kushtetuese të Kosovës.

    “Propozimet që i ka pasur Lajçak është që të ofrojë një ekstrem atje dhe një ekstrem këtu dhe ‘hajde të takohemi kah mesi’. Nuk është politika ashtu, as shteti nuk funksionon, besa nuk po funksionojnë as trendët evropianë në atë mënyrë. Qëndrimi jonë prej fillimit ka qenë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjshmëria janë alfa dhe omega. Çfarë ka brenda asaj Kushtetute mund të shikohet se si mund të përmirësohet pjesëmarrja politike e secilit komunitet në Kosovë, por një milimetër jashtë Kushtetutës së Kosovës nuk mund të kalojë. Kjo në Kosovë nuk kalon, këtë duhet ta ketë parasysh edhe zotëri Lajçak dhe të tjerët”, thekson ai.

    Duke folur për takimin e nesërm në Bruksel, të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi me atë serb, Petar Petkoviq, anëtari i kryesisë së LVV-së, akuzon Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve.

    Ai thotë se në Bruksel do të bisedohet për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes bazë të 27 shkurtit dhe aneksit të 18 marsit në Ohër.

    “Zotëri Lajcak ka pas kohë pas kohe kah një qëndrim të anshëm. Ideja ka qenë se Serbia ka shkelur në vazhdimësi marrëveshjet, përfshirë edhe marrëveshjen e fundit që ishte në Bruksel. Por ka tendenca gjithmonë ‘hajde t’i gjejmë edhe Kosovës diçka dhe pastaj të themi se të dyja po e shkelin kapak’. Merrini shikoni 39 marrëveshje dhe dakordime dhe shikoni se Serbia e ka një qasje se një herë dakordohet për marrëveshje pastaj duhet pikë për pikë sërish me u dakordu. Janë shumë të papërshtatshëm në marrëdhënie ndërkombëtare”, shton Muja.

    Në anën tjetër, Muja thotë se kandidatët që kanë fituar mandatet në katër komunat veriore nuk do t’i djegin ato.

    Përkitazi me këtë, ai nënvizon se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i forcojnë kapacitetet në veri.

    “Shteti i Kosovës do të vazhdojë t’i forcojë kapacitetet në veri dhe t’i ikë tendencave që ne të shkëputemi nga komuniteti atje. Është e rëndësishme që të kemi kujdes si e ushtrojmë autoritetin dhe ajo të jetë sipas kushtetutës. Është me rëndësi që të kemi një qasje të barabartë ndaj secilit qytetarë të Kosovës pa ndonjë ngarkesë dhe me shumë maturi. Pasi këto situata kërkojnë maturi”, deklaron ai.

    Krahas këtyre, Muja bën të ditur se shumë shpejt do të zgjidhet ngërçi në Kuvend, sa i përket të hyrave vetanake të komunave.

    Ai thotë se kanë marrë iniciativën për ndryshimin e Ligjit për buxhetin, më saktësisht amendamentit të propozuar vitin e kaluar nga LDK, meqenëse sipas tij kjo e fundit nuk po e adreson kërkesën për përmirësimin e gabimit të tyre dhe lëshimin e mjeteve vetanake të komunave edhe të viteve paraprake.

    “Nga shefja e grupit dhe unë jemi duke punuar në dy javët e fundit në këtë pikë të barrikadimit. Këta s’po e bëjnë dhe ne po duhet të gjejmë mënyra për hir të kryeqytetit të ecet… Meqenëse ata e bënë vet amendamentin, mirë adresoje kërkesën, pastaj qeveria aty e ka detyrë ta trajtojë dhe ta sjell në Kuvend dhe adresohet. Por meqenëse këta nuk po e bëjnë ne kemi marrë iniciativën në dakordim me Komunën e Prishtinës që të tejkalohet ky ngërç”, përfundon Muja.

    Gjatë kësaj jave në Kosovë dhe Serbi qëndroi përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

    Ai nënvizoi nevojën për implementimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, derisa përsëriti se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me vlerat evropiane.

  • Koraq: Vuçiq po e humb kontrollin, s’e ka ndërmend ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit

    Koraq: Vuçiq po e humb kontrollin, s’e ka ndërmend ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit

    Serbia po hyn në një fazë të paqëndrueshmërisë politike që sapo ka filluar dhe nuk do të ndalet, por është shumë e vështirë të thuhet se çfarë drejtimi do të marrë më tej, thotë Zharko Koraq, psikolog dhe ish-nënkryetar i Qeverisë së Serbisë në Kabinetin e Zoran Gjingjiqit. Ai është i bindur se Vuçiq nuk ka ndërmend të pranojë dhe zbatojë marrëveshjen e Ohrit.

    Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb kontrollin.

    “Ky nervozizëm që po tregon Vuçiq nuk është vetëm për shkak të këtyre krimeve monstruoze në Serbi, por edhe për shkak se atij po i kalon koha rreth problemit të Kosovës. Ai tashmë ka marrë një paralajmërim – një artikull në New York Times, që është një gazetë e pavarur, intelektuale, liberale dhe gazeta më me ndikim amerikan jashtë SHBA-së. Do të thotë ai mori një paralajmërim se janë në dijeni se çfarë po bën dhe nervozizmi është i madh: ai ka problemin e Kosovës, humbjen e kontrollit mbi atë që po ndodh në vend, krimet, natyrisht dhe së treti, ai ka një situatë shumë të keqe ekonomike në vend”, thotë Koraq në një intervistë për The Geopost.

    “Takimi më i madh në histori” që Vuçiq paralajmëroi për 26 maj, sipas tij, është një shenjë se presidenti serb kishte frikë nga humbja e pushtetit.

    “Para së gjithash, me këtë tubim, që është për të ardhur keq, ai po e rinovon traditën e Sllobodan Millosheviqit, i cili kishte ato mitingje të mëdha. Njëri prej tyre ishte në Ushçe kur shkrimtari Vitezoviq tha ‘populli ndodhi’ dhe kjo është hera e dytë që populli ndodh. Nuk ka funksionuar atëherë dhe nuk do të funksionojë as tani”, shton ai.

    Koraq vlerëson edhe se askush nuk i kontrolloi serbët në Kosovë kaq sa Vuçiq.

    “Ndoshta Millosheviqi në fillim të sundimit të tij, por kjo ishte një situatë tjetër. Kosova nuk ishte shpallur e pavarur atëherë, ajo teknikisht ishte ende pjesë e Serbisë dhe ish-Jugosllavisë”, shprehet Koraq.

    Ai beson se Vuçiq ka bërë një gabim kardinal duke shantazhuar Perëndimin dhe Prishtinën duke i tërhequr serbët nga të gjitha institucionet.

    “Serbët ishin në qeveri, parlament, kryetarët e komunave… Ai shkaktoi një krizë të madhe duke menduar se Perëndimi do të paraqiste një fakt të kryer dhe se Perëndimi do ta detyronte Kurtin që Asociacionin e Komunave Serbe ta shihte siç donte ai dhe jo ndoshta si do ta kishte bërë Kurti”, beson ai.

    Koraq është i bindur se Vuçiq nuk ka ndërmend të pranojë dhe zbatojë marrëveshjen e Ohrit.

    “Vuçiq nuk ka ndërmend të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, për të çdo zgjidhje për çështjen e Kosovës humbet në sytë e votuesve të tij. Dhe ai mendon vetëm për votuesit e tij. Vuçiq mban të ashtuquajturat fokus grupe dy herë në ditë, kjo është unike. Nuk kam dëgjuar që dikush ta bëjë këtë, ai si në mëngjes ashtu edhe në pasdite i shqyrton besnikët e tij politikë dhe e di se do të humbasë me çdo zgjidhje të çështjes së Kosovës”, thekson Koraq.

    Ai shton se Serbia e ka humbur kartën ruse dhe Vuçiq e vërën këtë.

    “Ai në të vërtetë nuk ka askund mbështetje politike. Paradoksalisht, ai ende mbështetet më së shumti nga SHBA-të dhe një pjesë e Evropës, duke pritur që ai të bëjë një lëvizje racionale, që do të thotë të bëjë përfundimisht një lloj marrëveshjeje me Kurtin. Dhe Perëndimi, po më mungon fjala e duhur, ne në psikologji e kemi një termin formësim – vazhdimisht po mundohen ta formësojnë, në serbisht do të thoshin ‘nutkaju ga’ (po e lusin tepër), për mendimin tim fare pa rezultat”, shton ai.

    Koraq përfundon se ne nuk jemi një rajon prioritar as për Perëndimin dhe as për Evropën.

    “Gjëja më e rëndësishme për Perëndimin në këtë moment është të mos ketë konflikt të armatosur dhe kjo është një pritshmëri tmerrësisht e ulët nga rajoni”, përfundon Koraq.