ATV

Category: Lajme

  • Kurti takon kryetarët e komunave të Kosovës

    Kurti takon kryetarët e komunave të Kosovës

    Sot mbahet takimi koordinues i radhës në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, ministrave dhe zëvendësministrave nga kabineti qeveritar dhe kryetarëve të Komunave.

    “Me qëllim të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional mes Qeverisë dhe Pushtetit Lokal, mbahet takimi i përbashkët me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci dhe Zëvendës Ministrin e Punëve të Brendshme Bardhyl”, njofton qeveria e Kosovës.

    Tutje bëhet e ditur se me këtë rast do të diskutohen temat me interes për nivelin lokal të cilat janë prezantuar nga Kryetari i AKK-së, Agim Aliu si dhe iniciativat e Qeverisë së Republikës së Kosovës

     

  • Bislimi sot në Bruksel, pritet të zhvillojë takime me kryenegociatiorin serb Petkoviq

    Bislimi sot në Bruksel, pritet të zhvillojë takime me kryenegociatiorin serb Petkoviq

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit ku sot pritet të zhvillohen takime në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Këtë e ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media.

    “Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit. Ditën e hënë, pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit”, thuhet në komunikatë.

    Të enjten, emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka qëndruar në Kosovë ku ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Mitrovicës Jugore, Bedri Hamzën, përfaqësuesit e shoqërisë civile në veri, si dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

    Ai në një konferencë për media ka njoftuar se të hënën do të takohet me kryenegociatorët nga Kosova, Besnik Bislimin, dhe nga Serbia, Petar Petkoviqin.

  • Sali Berisha flet për humbjet në Kamëz, Vorë dhe Elbasan

    Sali Berisha flet për humbjet në Kamëz, Vorë dhe Elbasan

    Humbjen e koalicionit “Bashkë fitojmë” në Kamëz me 10 mijë vota diferencë dhe rezultatin humbës në Elbasan dhe në Vorë, Sali Berisha e ka komentuar me pak fjali, ndërsa po denonconte kërcënimin e Salvador Kaçajt në Lezhë.

    Berisha foli për akte terrori të paimagjinueshme dhe blerje masive votash, duke shpjeguar humbjet në këto bashki.

    ”Fushata elektorale eshtë karakterizuar nga akte dhune dhe terrori nga përfaqësues të zyrtarëve dhe deputetëve të koalicionit “Bashkë fitojmë” të Partisë Demokratike. Siç keni konstatuar ne kemi ndjekur një linjë duke regjistruar çdo akt terrori, çdo akt për blerje massive të votave në proporcione të paimagjinueshme, deri në oferta për të thyer euron, por kto sigurisht janë të dokumentuara dhe kemi informuar rregullisht vëzhguesit ndërkombëtarë dhe KQZ”, u shpreh Berisha.

  • Lajçak: Pres nga Bislimi e Petkoviq të bien dakord për hapat e zbatimit të Marrëveshjes

    Lajçak: Pres nga Bislimi e Petkoviq të bien dakord për hapat e zbatimit të Marrëveshjes

    Përfaqësuesi I BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për vizitën e tij në Prishtinë dhe Beograd gjatë javës që po lëmë pas dhe për takimin e nesërm në Bruksel të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

    Lajçak, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “është mirë që jam kthyer në Bruksel pas vizitës sime në Kosovë dhe Serbi, ku udhëtova për të përgatitur terrenin për raundin tjetër të takimit të kryenegociatorëve në Bruksel”.

    Ai tha se gjatë javës që shkoi ndalesa e tij e parë ishte në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi.

    “Gjatë takimit diskutuam pritshmëritë për takimin e ardhshëm në Bruksel dhe theksova nevojën e fokusimit të plotë në normalizimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj në Ohër. Theksova gjithashtu rëndësinë e shmangies së çdo lëvizjeje të pakoordinuar që mund të prishë procesin”, ka thënë Lajçak.

    Më tej ai ka thënë se më pas ka vazhduar vizitën në veri të Kosovës për t’u takuar me bashkëbisedues të ndryshëm nga shoqëria civile dhe partitë politike dhe për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit.

    “Fatkeqësisht, ajo që dëgjova më shqetësoi. Prandaj, ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, ka thënë Lajçak.

  • PS fiton 3 bashkitë e para, në Elbasan, Kamzë dhe Vorë

    PS fiton 3 bashkitë e para, në Elbasan, Kamzë dhe Vorë

    Partia Socialiste është shpallur fituese në tre bashkitë e para, ku u ushtrua votimi elektronik: Elbasani, Kamza dhe Vora.

    Përkatësisht, në Elbasan, kandidati socialist Gledjan Llatja, ka fituar me 55.03% të votave, ndërsa Luçiano Boçi i Bashkë Fitojmë arriti të merrte vetëm 44.97%.

    Llatja ka arritur të marrë 24 mijë e 823 vota dhe Boçi, 20 mijë e 286 vota.

    Në Bashkinë Kamëz, Rakip Suli i socialistëve ka arritur të marrë një shumicë absolute me 60.65% të votave, përkthyer në 23 mijë e 657 vota.

    Fronti opozitar me dy kandidatët e tjerë, janë ndarë përkatësisht në 35.11% për Arjan Hoxhën e Bashkë Fitojmë dhe 4.24% për Bilbil Bajraktarin e Partisë Demokratike.

    Vora është marrë nga Blerim Shera i Partisë Socialiste me 74.28% të votave përballë 25.72% të Indrit Hoxhës nga koalicioni Bashkë Fitojmë.

    Në numër votash, përkthehet në 8 mijë e 125 vota për Sherën dhe 2 mijë e 813 për Hoxhën.

  • Banka Botërore lëvdoi Kosovën për 10 vjetëshin e kaluar, Qeveria: Vlerësim i lartë

    Banka Botërore lëvdoi Kosovën për 10 vjetëshin e kaluar, Qeveria: Vlerësim i lartë

    Qeveria e Kosovës e ka vlerësuar raportin e Bankës Botërore për Kosovën, i cili për dekadën e fundit e lavdëron Kosovën për të arriturat në sferën e ekonomisë.

    Gjatë ditës, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka përdorur këtë raport për të thënë se “diskursi i VV-së që në Kosovë ka vetëm varfëri po del të jetë mashtrim”.

    Qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në anë të një komunikate e vlerëson raportin e Bankës Botërore.

    Kanë përmendur disa raporte të Bankës Botërore që tregojnë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

    Më poshtë është komunikatë e plotë e Qeverisë së Kosovës:

    ”Në një komunikatë të lëshuar në fillim të kësaj jave, Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore, kanë thënë se ata mbështesin Kosovën në përshpejtimin e konkurrencës së saj për krijimin e vendeve të punës dhe standard më të lartë të jetesës”, thuhetb në komunikatë.

    Sipas Bankës Botërore, brenda 10 viteve të fundit Kosova ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me një rritje prej afër 50% të të ardhurave për kokë banori dhe me një ulje prej 35% të shkallës së varfërisë, duke performuar më mirë sesa vendet me të ardhura të ngjashme për kokë banori.

    Drejtori i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu është shprehur se Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i Ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin më cilësor për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm që mbron mjedisin dhe gjeneratat e ardhshme.

    Në vitin e kaluar, Kosova kishte shënuar vlerën më të lartë ndonjëherë të eksporteve, rreth 920 milionë euro. Ndërkaq këtë vit vlera e eksportit pritet që për herë të parë kalojë shumën prej 1 miliard euro. Si rezultat, raporti eksport-import viteve të fundit ka shënuar përmirësim të dukshëm. Nga 1 me 9 sa ishte në vitin 2019, në më pak se 1 me 6 sa është aktualisht.

    I njëjti institucion, muajin e kaluar ka publikuar raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, në të cilin parashikon që Kosova do ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor në tre vitet e ardhshme; 2023, 2024 dhe 2025.

  • Kujt do t’ia japë votat kanditati i ekstremit të djathtë nëse ka balotazh në Turqi

    Kujt do t’ia japë votat kanditati i ekstremit të djathtë nëse ka balotazh në Turqi

    Sinan Ogan, kandidati i tretë i garës presidenciale në Turqi, i mbështetur nga krahu i djathtë “Ata Alliancem” parashikoi që zgjedhjet të shkojnë në një raund të dytë.

    Në këtë kohë, tha Ogan, nuk do të ketë asnjë njoftim se kë do të mbështesë aleanca në balotazh.

    Ai tha se kjo do të ndodhë pas diskutimeve të brendshme, ka raportuar Al Jazeera.

    Ogan duket se po mbledh më shumë vota sesa pritej, duke tejkaluar pesë përqind.

    Kur janë numëruar 92 për qind e votave, presidenti turk Erdogan nuk ka arritur të fitojë pa balotazh.

  • Erdogan dhe Kilicdaroglu pothuajse sigurt në balotazh, kur do të votojnë turqit përsëri

    Erdogan dhe Kilicdaroglu pothuajse sigurt në balotazh, kur do të votojnë turqit përsëri

    Erdogan dhe Kilicdaroglu pothuajse sigurt në balotazh, kur do të votojnë turqit përsëri

    Hendeku midis dy kandidatëve kryesorë vazhdon të ngushtohet pasi më shumë vota të qyteteve të mëdha në përgjithësi favorizojnë kandidatin e opozitës Kemal Kılıçdaroğl. Por agjencitë turke të lajmeve ende raportojnë shifra të ndryshme.

    E nëse ka balotazh, turqit do të votojnë më 28 maj.

    Megjithatë, ata bien dakord për një gjë: një balotazh tani duket gjithnjë e më i mundshëm.

    Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, po raporton se janë numëruar më shumë se 90% e votave. Ajo ka Presidentin Rexhep Tajip Erdogan me 49.8% – në mënyrë thelbësore, nën 50% të nevojshme për të shmangur balotazhin dhe Kılıçdaroğlu me 44.4%.

    Agjencia private Anka raporton se deri më tani janë numëruar 94% e votave. Ajo ka Erdoganin me 49.02% dhe Kemal Kılıçdaroğlu me 45.2%.

    Në të dyja rastet, siç janë gjërat për momentin, zgjedhjet presidenciale po shkojnë në një raund të dytë më 28 maj

  • Fondi i sigurimeve shëndetësore ndihmon financiarisht 70 pacientë

    Fondi i sigurimeve shëndetësore ndihmon financiarisht 70 pacientë

    Nga janari deri në prill të këtij viti nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, janë ndarë 2 milion euro për 70 pacientë, të cilët hynë në kategorinë e rasteve urgjente të cilët nuk mund të trajtohen në Kosovë.

    “Buxhet i ndarë për këtë vit është 9 milionë euro, ne mbajmë evidencat për rastet urgjente të cilat aplikojnë, janë obligim i yni sepse te rastet e rregullta, është procedurë tjetër që ndjekim dhe ka raste kur refuzohet, tash afër 2 milionë euro janë shpenzuar për rastet urgjente në bazë të fletë zotimeve të cilat i kemi lëshuar si Fond. Sipas të dhënave që i kemi nga divizioni për trajtim, gjatë këtij viti deri më tash mbi 70 persona kanë kërkuar mbështetje financiare për raste urgjente të referuara nga klinikat e ShSKUK-së. Vazhdon të jetë shteti i Turqisë, i cili i trajton kryesisht pacientët tanë ndoshta për shkak të udhëtimit më të lehtë e vizave apo ndonjë arsye por është e drejtë e pacientit të vendos se ku dëshiron të marrë trajtimin”, tha U.D i drejtori i FSSH-së, Bujar Kaçuri.

    Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit i Bujar Kaçuri, pacientët me sëmundje malinjë kërkojnë më shumti ndihmë financiare për trajtim mjekësor jashtë vendit.

    “Diagnozat më të shpeshta dhe më të kushtueshme të cilat kërkojnë përkrahje financiare janë te sëmundjet malinje, siç jemi në dijeni të gjithë, shteti i Kosovës nuk mund ta ofrojë këtë shërbim… Ofrohen disa por për shembull transplantet nuk ofrohen, sëmundjet malinje si trajtimi i leukimisë nuk ofrohen, këto janë diagnozat më të shpeshta që referohen dhe më të kushtueshme, mbi 60% e buxhetit shpenzohen për këto diagnoza”, tha Kaçuri.

    Ndryshe, nga Fondi për Sigurime Shëndetësore kanë bërë të ditur se udhëzimi i ri administrativ për trajtim jashtë sektorit publik shëndetësor është afër finalizimit.

    Me këtë udhëzim, është paraparë shtimi i diagnozave të reja për trajtim mjekësor jashtë Kosovës. /atvlive.tv

  • Analizat autoimune mund të bëhen edhe në QKUK

    Analizat autoimune mund të bëhen edhe në QKUK

    Analizat autoimune të cilat janë kryer vetëm në institucionet private, tani do të kryhen edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Këto analiza bëhen në momentin kur sistemi imun i pacientit fillon t’i luftojë qelizat e shëndetshme të cilat vlerësohet se janë të shprehura kohëve të fundit.

    Drejtori i Klinikës së Biokimisë në (QKUK), Shemsi Veseli, ka thënë se kërkesat për to janë të mëdha.

    “Është për herë të parë pas luftës që në sektorin publik në QKUK, po bëhen analizat autoimune. Janë analiza mjaftë specifike, shumë të kërkuara dhe kanë një kosto të lartë sinqerisht për qytetarët”, tha drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli.

    Pacientët të cilët janë detyruar t’i bëjnë këto analiza në laborator privat thonë se ky është një hap i duhur.

    “Kjo është një gjë pozitive shpresojmë që tash kem mi kry ktu. Se kur s’ka pas këtu u dasht me shku nëpër private”, thotë një pacient.

    “Është shumë hap i mirë, mendoj se sektori privat është plotësim por nuk është i domosdoshëm. Në të shtetit është më mirë që t’i bëjmë”, tha Alie Sylejmani, paciente.

    Mimoza Buzhala, e cila punon si laborante në klinikë, tregon se për një kohë të shkurtër kanë kryer 1000 analiza autoimune.

    “Analizat autoimune nëse bëhen në privat janë analiza që kushtojnë shtrenjtë. Ne për pacienta jemi duke i ofruar falas, mostrat për disa ditë i mbledhim dhe ruhen më pas brenda një dite i nxjerrim rezultatet”, tha Mimozë Buzhala, laborante.

    Menaxhmenti i klinikës, ka bërë të ditur se janë të furnizuar me aparatura adekuate për të kryer këto lloj analiza. Ndërkohë që në klinikë vazhdon të ketë mungesë të teknikëve, pasi që janë vetëm 13 teknikë laboratori. /atvlive.tv