ATV

Category: Lajme

  • Vitia: Puna e infermierëve është boshti i një sistemi të fortë shëndetësor

    Vitia: Puna e infermierëve është boshti i një sistemi të fortë shëndetësor

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mori pjesë sot në simpoziumin e parë “Infermierët e bashkuar, një forcë për ndryshim”, i organizuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë”.

    Të pranishëm në këtë simpozium ishin kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori dhe anëtar të tjerë të odës.

    Me këtë rast, ministri Vitia falënderoi të pranishmit dhe theksoi se kjo ngjarje bashkon infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë të kujdesit shëndetësor për të shkëmbyer ide rreth zhvillimeve dhe përparimeve aktuale në fusha të cilat i përkasin në sferës së infermierisë.

    “Puna e infermierëve është boshti i një sistemi të fortë dhe të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor me qëllim që t’i përgjigjet në mënyrë efektive sfidave dhe me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më efikase për të gjithë qytetarët”.

    Po ashtu, ministri Vitia theksoi se roli i infermierëve është jetik në qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësorë.

    “Për ne si Ministri e Shëndetësisë është obligim që në vazhdimësi të investojmë në edukimin infermieror, të trajtojnë me seriozitet mungesën në rritje të infermierisë, të ofrojnë mjedise praktike pozitive dhe shpërblim të përshtatshëm, të sigurojnë barazi gjinore dhe të përfshijnë infermierët në vendimmarrje në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor”, tha ministri Vitia.

    Sipas një komunikate të MSh-së, qëllimi për sistemet e suksesshme shëndetësore është që të jenë në gjendje për të përshtatur, të avancohen dhe të jenë adaptibile. Këto janë ndër konceptet themelore për ndërtimin, zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e një sistemi shëndetësor.

  • ​Kalim ilegal i kufirit, arrestohet një i dyshuar

    ​Kalim ilegal i kufirit, arrestohet një i dyshuar

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kalim ilegal të kufirit si dhe kontrabandim me mallra.

    Rasti raportohet të ketë ndodhur të dielën në fshatin Koshuticë të Leposaviqit.

    Sipas njoftimit të Policisë, mallrat e gjetura janë dërguar në terminal doganor për procedura të mëtejme.

    “Koshuticë, Leposaviq. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti është hasur duke kaluar kufirin jashtë pikës së autorizuar zyrtare me një automjet/kombi i cili kishte të ngarkuara për transportim disa gjësende si: rroba të ndryshme, pajisje shtëpiake (kuzhinë, shporet, frigorifer, dhe televizor të përdorura)”, është bërë e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar ndërsa ndaj tij janë inicuar rastet “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo i vijës kufitare” dhe “Kontrabandim me mallra”.

  • ​Kurti takon kryetarët e komunave, i ankohen për mungesë të mbështetjes

    ​Kurti takon kryetarët e komunave, i ankohen për mungesë të mbështetjes

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarët e komunave të Kosovës.

    Ai, para tyre ka shprehur angazhimin e ekzekutivit për nivelin lokal.

    “Qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror. Buxheti komunal për vitin e ardhshëm është mbi 700 milionë euro”, tha ai.

    Mirëpo, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, ngriti disa shqetësime që sipas tij niveli lokal nuk po gjen mbështetje nga qeveria.

    “Për shumë çështje nuk kemi marrë përgjigje, përkundër zotimeve. Njëra prej sfidave është tatimi në pronë, ku komunat janë në situatë të pakëndshme, po ashtu edhe bllokimi i fondeve vetanake të komunave”, shtoi ai.

  • ​Kushtetuesja ende pa përgjigje për draftamendamentet për vettingun

    ​Kushtetuesja ende pa përgjigje për draftamendamentet për vettingun

    Kryetari i komisionit ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar, Kujtim Shala, ka thënë se komisionit i duhet një afat shtesë por pa përcaktim kohor, ose gjashtë muaj të tjerë mandat.

    Në mbledhjen e sotme të komisionit, ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka kthyer ende përgjigje në lidhje me draftamendamentet për vettingun.

    “Është e pamundur brenda gjashtë muajve të realizojmë atë që kemi planifikuar…Ne sot duhet të diskutojmë edhe sa kohë na duhet. Ne te kërkojmë edhe gjashtë muaj të tjera mandat. Gjykata Kushtetuese nuk ka ende përgjigje”, ka thënë Shala.

    Edhe deputeti Adnan Rrusteni tha se puna e këtij komisioni varet nga shqyrtimi paraprak nga Gjykata Kushtetuese.

    “Amendamentet janë në Gjykatë Kushtetuese. Sot i kemi dy opsione, që të kërkojmë edhe një afat prej gjashtë muajve. Opsioni i dytë që të kërkojmë zgjatjen e punës së komisionit pa caktuar afat”, ka thënë ai.

  • ​Therje me thikë në Prishtinë

    ​Therje me thikë në Prishtinë

    Një person është arrestuar nën dyshimin se i njëjti për shkak të një mosmarrëveshje e ka sulmuar me një mjet të mprehtë viktimën mashkull kosovar.

    Sipas Policisë, si pasojë, lëndime kanë pësuar viktima dhe i dyshuari, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.

    Në konsultim me prokurorin, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Mbi një milion e gjysmë euro për hartimin e projektit për Sallën Koncertale “Gërmia”

    Mbi një milion e gjysmë euro për hartimin e projektit për Sallën Koncertale “Gërmia”

    Kengo Kuma and Associates, së bashku me Bekim Ramkun dhe OUD+ Architects, janë shpërblyer me kontratë të vlefshme 1.6 milion euro nga Komuna e Prishtinës për hartimin e projektit të detajuar për sallën koncertale “Gërmia”.

    Konsorciumi mes kompanisë japoneze, Kengo Kuma and Associates dhe OUD Architects nga Prishtina, ishin vlerësuar me çmimin e parë në konkursin për ridizajnimin e ndërtesës së Gërmisë në sallë koncertale.

    Projekti parasheh shndërrimin e ikonës arkitekturore të Prishtinës në një pikë referimi kulturore për Kosovën.

    Propozimi ruan strukturat ekzistuese dhe artikulon programin brenda dhe rreth ndërtesave moderniste.

    Komuna e Prishtinës e ka shpallur sot njoftimin për dhënie të kontratës për “Hartimin e projektit të detajuar për qendrën multikulturore Gërmia në Prishtinë”.

    Kontrata është shpallur përmes procedurës së negociuar me vetëm një konsorcium ekonomik.

  • Daçiq: “Serbia shumë e prekur” me vendimin e KiE për anëtarësimin e Kosovës

    Daçiq: “Serbia shumë e prekur” me vendimin e KiE për anëtarësimin e Kosovës

    Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se është koha që të bien maskat dhe të përcaktohet nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti dëshiron apo nuk dëshiron të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “Çdo ditë jetojmë në problemin nëse Kurti do të shkaktojë ndonjë konflikt. Në vend të normalizimit, kemi një përshkallëzim të mëtejshëm. Kemi ardhur në pikën ku duhet hequr maskat – a do ta formojë Kurti Asociacionin apo jo”, ka deklaruar Daçiq për televizionin në shërbim të regjimit serb, “TV Pink”.

    Nëse Kurti nuk dëshiron ta bëjë këtë, atëherë, sipas Daçiqit, ”vlen edhe ajo që ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq – se ne nuk jemi marrë vesh për asgjë, ndërsa nëse dëshiron ta formojë Asociacionin, atëherë duhet parë se mbi çfarë baze do të jetë”.

    “Ai në mënyrë të “paligjshme” ka zëvendësuar ekipin menaxhues dhe po mendon për veprime të njëanshme, si t’i fusë kryetarët e komunave në zyrat në veri dhe këtë nuk do ta lejojnë serbët”, kërcënon haptas Daçiq, transmeton Paparaci.

    Ai ka përkujtuar se zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, sot do të bisedojnë në Bruksel në nivel teknik.

    “Të shohim se çfarë do të bëjmë më pas”, ka shtuar Daçiq.

    Kur është fjala për samitin e ardhshëm të Këshillit të Evropës, ai përsëriti se Serbia është “thellësisht e prekur nga vendimi joparimor” i Komitetit të Ministrave për të filluar pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

    “Si përgjigje ndaj kësaj, ne përgatitëm një amendament të Deklaratës, e cila flet për integritetin territorial të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, ku kërkuam që kjo deklaratë të vlejë edhe për të gjithë anëtarët të tjerë, por as kjo nuk i pëlqeu Gjermanisë”, ankohet Daçiq.

    Ai ka shtuar se në Samitin e Këshillit të Evropës në vend të presidentit Vuçiq do të shkojë ambasadorja e Serbisë në atë organizatë, Aleksandra Gjuroviq.

  • ​Koalcioni Bashkë Fitojmë ia merr PS-së bashkinë e Himarës

    ​Koalcioni Bashkë Fitojmë ia merr PS-së bashkinë e Himarës

    Nga qendra e votimit është bërë e ditur se koalicioni Bashkë Fitojmë ka arritur me një diferencë të vogël të votave, t’ia marrë Partisë Socialiste, bashkinë e Himarës.

    Pas numërimit të kutisë së fundit të votave, në QV, që është transmetuar drejtpërdrejt nga televizionet, ka nis festa e koalicionit Bashkë Fitojmë, si dhe një lloj pakënaqësie e PS-së.

    Ndërkohë, në uebin e KQZ-së, ende nuk janë futur të dhënat e përfundimit të numërimit.

    Koalicioni Bashkë Fitojmë ka arritur të marrë edhe bashkinë Libohovë dhe Memaliaj.

    Përndryshe, deri tash Partia Socialiste ka fituar në bashkitë Kamëz, Vora, Elbasan, Pusteci, Delvinë, Klos, Kolonja, Këlcyrë, Tepelenë, Pukë, Peqin, Elbasan, Delvinë dhe Vlorë.

    Ndërkohë, numërimi i votave po vazhdon në bashkitë tjera.

  • Tentoi ta vriste një person, arrestohet i dyshuari në Suharekë

    Tentoi ta vriste një person, arrestohet i dyshuari në Suharekë

    Një person është arrestuar të dielën rreth orës 19:30 në Suharekë, nën dyshimin se ka tentuar ta vrasë një tjetër person.

    Sipas policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërkaq në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, 6 fishekë dhe një gëzhojë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti për motive të panjohura ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë , 6 copë fishekë dhe një gëzhojë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Bedri Hamza pritet të dëshmojë sot në rastin e “53-milionëshit”

    Bedri Hamza pritet të dëshmojë sot në rastin e “53-milionëshit”

    Bedri Hamza, ish-ministër i Financave, aktualish kryetar i Komunës së Mitrovices pritet që sot të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në seancën e fundit në këtë rast kishte dhënë dëshmin e tij edhe Bajram Hasani, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, ka deklaruar se nëse nuk do paguheshin këto 53 milion, më vonë Kosova do të duhej të paguante 200 deri në 300 milionë euro.

    Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

    Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi