ATV

Category: Lajme

  • Gjendet i vdekur një burrë në Prishtinë

    Gjendet i vdekur një burrë në Prishtinë

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në Prishtinë, njoftoi Policia e Kosovës.

    “· Prishtinë 14.05.2023-05:46. Është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, njoftoi Policia.

    Tutje në raportin e Policisë thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Lipjan

    Gjendet pa shenja jete një person në Lipjan

    Policia e Kosovës njoftoi se është gjetur pa shenja jete një person në Lipjan.

    “HETIM MBI VDEKJEN/ Lipjan 14.05.2023-15:45 Është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në raportin e Policisë. 

    Tutje, bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Vjehrra e vjehrri ia marrin nuses pasaportën me vizë gjermane, e lënë në Malishevë dhe ia pamundësojnë kthimin në Gjermani

    Vjehrra e vjehrri ia marrin nuses pasaportën me vizë gjermane, e lënë në Malishevë dhe ia pamundësojnë kthimin në Gjermani

    Një rast i çuditshëm është raportuar të dielën dhe që dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Maxharrë të Malishevës.

    Në një konflikt të tillë janë përfshirë një grua dhe vjehërria e saj, të cilët po dyshohen se i kanë shkaktuar dhunë psikike dhe ia kanë pamundësuar për t’u kthyer në Gjermani ku edhe jetojnë.

    Siç mëson Sinjali, dy të dyshuarit fillimisht e kishin dërguar gruan e djalit te familja e saj pasi gjoja se kanë marrë vendim “ta lëshojnë” dhe gjatë kësaj periudhe ia kanë marrë dokumentet e saj dhe të fëmijëve. Gjithë këtij rasti i ka paraprirë dhuna që ka përjetuar viktima edhe nga bashkëshorti i saj, që kulmoi me rastin e fundit.

    Në bazë të dëshmisë së viktimës të dhënë para hetuesve policorë, vjehërria e saj ia kanë marrë pasaportën, dokumentin e leje qëndrimit dhe më pas dyshon se janë nisur për në Gjermani.

    Kështu, viktima nuk ka pasur mundësi të udhëtojë për në shtetin gjerman, çka e ka shtyrë atë që të kërkojë ndihmën e Policisë.

    Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Dhunë në familje”, teksa veprimet tjera do të merren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarit kryesor, i cili është futur në listën e personave të kërkuar.

  • Vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Gjykatën Speciale sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Sipas njoftimit të bërë për media, seanca pritet të fillojë në ora 09:00.

    Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me reshje të shiut gjatë gjithë ditës.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 20 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 10 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni më 22 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Erdogan i bindur për fitore, por pranon edhe mundësinë e balotazhit

    Erdogan i bindur për fitore, por pranon edhe mundësinë e balotazhit

    Recep Tayyip Erdogan tha se aleanca e tij në pushtet ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale, ndërsa pranoi se është gati për një raund të dytë të mundshëm me rivalin Kemal Kilicdaroglu.

    Sipas DW, pas numërimit të 99. 78% të votave, Erdogan prinë me 49,25%, i pasuar nga lideri i opozitës Kemal Kilicdaroglu me 45,05%, përcjell atvlive.tv.

    Sipas Bordit të Lartë Zgjedhor, shumica e fletëve të votimit nga 3.4 milionë votues jashtë shtetit me të drejtë vote duhet ende të numërohen.

    Kujtojmë presidenti Erdogan kishte fituar rreth 60% të votave jashtë shtetit në zgjedhjet e vitit 2018. /atvlive.tv

  • Franca premton më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Franca premton më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Franca premtoi ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën të dielën, duke përfshirë tanke, automjete të blinduara, trajnime për ushtarët dhe ndihma të tjera, në kohën kur ushtria uukrainase po përgatiten për një kundërsulm kundër forcave ruse.

    Ky lajm u bë i ditur pas bisedimeve të papritura në Paris midis dy liderëve.

    Volodymyr Zelensky i Ukrainës dhe Emmanuel Macron i Francës u takuan përreth tre orë në Pallatin presidencial francez Elysee – një takim që u mbajt i fshehtë deri pak para mbërritjes së liderit ukrainas në Paris nga Gjermania, me një avion të qeverisë franceze.

    Ndihma ushtarake për Ukrainën ishte një nga pikat kryesore të agjendës së takimit mes liderëve.

    Zyra e Macron tha se Franca do të furnizojë dhjetëra tanke të lehta dhe automjete të blinduara “në javët në vijim”, pa dhënë numra specifikë. Gjithashtu u premtuan më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, por përsëri detajet nuk u bënë publike.

    Franca synon të trajnojë rreth 2,000 ushtarë ukrainas në Francë këtë vit dhe gati 4,000 të tjerë në Poloni si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë evropiane për t’i dhënë ndihmë Ukrainës, tha zyra e Macron.

    Në një deklaratë, Franca e përshkroi mbështetjen e saj për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si “të palëkundur” dhe premtoi se ndihma e saj politike, ekonomike, humanitare dhe ushtarake do të vazhdojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

    Në një postim në Twitter pas mbërritjes së tij, Zelensky tha: “Me çdo vizitë, aftësitë mbrojtëse dhe sulmuese të Ukrainës po zgjerohen. Lidhjet me Evropën po forcohen dhe presioni ndaj Rusisë po rritet”.

    Franca e ka furnizuar Ukrainën me një sërë armatimesh, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, tanke të lehta, armë të tjera, pajisje dhe karburante.

    Franca dërgoi një aeroplan për të marrë Zelenskyn në Gjermani, prej ku ai u takua me kancelarin Olaf Scholz më herët të dielën dhe diskutoi kundërsulmin e planifikuar të vendit të tij. Zelensky tha se synon të çlirojë zonat e pushtuara nga Rusia brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës dhe jo të sulmojë territorin rus.

    “Ne nuk sulmojmë territorin rus, ne çlirojmë territorin tonë legjitim”, citohet të ketë thënë Zelensky pas disa raportimeve se ai ka konsideruar të sulmojë dhe pushtojë territore ruse, një lëvizje për të cilën është aluduar se ai mund ta përdorë si kartë për bisedime paqeje me Rusinë.

    “Ne nuk kemi as kohë dhe as fuqi [për të sulmuar Rusinë]”, tha ai.

    “Ne po përgatisim një kundërsulm për zonat e pushtuara ilegalisht, bazuar në kufijtë tanë legjitimë të përcaktuar me Kushtetutë, të cilët njihen ndërkombëtarisht”, tha Zelensky.

    Ndër zonat e pushtuara ende nga Rusia janë gadishulli i Krimesë dhe pjesë të Ukrainës lindore, me popullsi kryesisht rusishtfolëse./REL/

  • Musmurati: Rekrutimi i drejtorëve po bëhet në bashkëpunim me Ambasadën britanike, s’kemi asnjë shkollë pa psikologë

    Musmurati: Rekrutimi i drejtorëve po bëhet në bashkëpunim me Ambasadën britanike, s’kemi asnjë shkollë pa psikologë

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se janë në proces të rekrutimit të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të të gjitha shkollave në kryeqytet.

    Krahas rekrutimit të drejtorëve të rinj, prioritet thotë se i kanë dhënë edhe institucioneve arsimore. Në shkollat e Prishtinës, Musmurati thotë se nuk kanë lënë asnjë pa psikolog, ndërsa tek çerdhet synojnë t’i vendosin kamerat e sigurisë.

    Arsyeja e kamerave sipas Musmuratit nuk është rrezikimi i privatësisë por për palë të jashtme.

    “Ka pasur çerdhe të tilla, ne i kemi tetë çerdhe publike. Çerdhja ‘Fatosat’ nuk ka pasur fare kamera të sigurisë, tash me kontratën e re po e furnizojmë. Ka pasur edh disa çerdhe që gjysma e kamerave kanë punuar e gjysma tjetër nuk kanë punuar, por tashmë me kontratën e re jemi duke i sanuar të gjitha këto probleme që të gjitha çerdhet të kenë mbikëqyrjen e duhur. Prapë po them, kamerat e sigurisë duhet të trajtohen si kamera të sigurisë për palë të jashtme që mund ta vandalizojnë çerdhen ose diçka të tillë, dhe në asnjë formë kamerat nuk janë në klasë apo në vendet ku munden me rreziku privatësinë e fëmijëve ose mësimdhënësve”, thotë Musmurati.

    E sa i përket rekrutimit të drejtorëve nëpër shkolla, e para e Arsimit në Prishtinë, thotë se po bëhet në bashkëpunim me Ambasadën britanike. Thotë se është ndër proceset më transparente në Prishtinë.

    “Kemi filluar me procesin e ri të rekrutimit të drejtorëve. I kemi rekrutuar afër 10 pozita, janë edhe 30 pozita tjera të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve. I kemi bërë në bashkëpunim me Ambasadën britanike për herë të parë në Komunën e Prishtinës, dhe me të vërtetë ka qenë një ndër proceset më transparente deri më tani që e kemi organizuar dhe për të cilën jam krenare deri më tani”, thotë ajo.

    Musmurati thotë se kanë arritur që në të gjitha shkollat e Prishtinës të punësojnë nga një psikolog, duke mos e lënë asnjë pa të.

    “Më vjen mirë që asnjë shkollë e Prishtinës nuk është pa psikologë dhe kjo është për herë të parë dhe është një arritur shumë e madhe. Jemi duke punuar me Universitetin e Prishtinës departamentin e Psikologjisë me bo matje empirike për rezultatin që këto punësime e kanë pasur. Unë mendoj që kemi nevojë me pas një reflektim në nivel nacional dhe me rishiku detyrat që i kanë me udhëzim administrativ psikologët e shkollave. Mendoj që ka vend me bo një punë më të mirë në përshkrimin e detyrave të punës për ta”, u shpreh ajo, teksa synojnë që të krijojnë edhe një sistem digjital ku bëhet raportimi i rasteve në mënyrë anonime.

    “Po mundohemi që ta krijojmë një sistem digjital ku raportimi i rasteve të bëhet në mënyrë anonime që fëmijët të mos e ndiejnë presionin e raportimit, qoftë ndoshta krejt banal deri tek diçka që më e madhe dhe që e përfshin psikologun e shkollës”, u shpreh tutje ajo.

  • Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Familjes

    Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Familjes

    15 maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Familjes.

    Kjo ditë u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që këto çështje të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.

    Qëllimi i kësaj dite është që të promovojë familjen dhe vlerat e saj, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin.

    Në këtë ditë në gjithë botën organizohen aktivitete në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, që kanë për qëllim të tregojnë zona të ndryshme të rëndësishme për familjen dhe proceset shoqërore, ekonomike dhe demografike që prekin familjet.

    Edhe në Kosovë Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, shënon Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në Kuvendin e Kosovës, në orën 9.

    Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror  dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë në  Ditën Ndërkombëtare të Familjes, mbajnë aktivitete rekreative, të shoqëruar nga maskota, personazhe për fëmijë, shfaqje teatrale, si dhe koktej rasti në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, në orën 17:00. Po ashtu rreth orës 19:30 deri në 20, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, bëjnë ndriçimin e ndërtesës së ekzekutivit.

  • Përfundon numërimi i votave në dhjetëra bashki në Shqipëri, në shumicën fiton PS

    Përfundon numërimi i votave në dhjetëra bashki në Shqipëri, në shumicën fiton PS

    Tanimë më shumë se dhjetëra bashki kanë përfunduar numërimi i votave, derisa vijon procesi i numërimit në pjesën më të madhe të bashkive.

    Socialistët fituan bindshëm në Kamëz, ku Rakip Suli u rizgjodh si kryetar bashkie me 60% të votave. Edhe Vora u kthye rozë ku u zgjodh kryetar bashkie Blerim Shera me 73% të votave. Në krye të bashkisë Elbasan u zgjodh me rezultat 56% të votave.

    Bashkia e katërt që përfundoi procesin ishte Pusteci, ku u besua socialisti Pal Kolefski me 63%. Para pak çastesh u mbyll votimi edhe në Delvinë ku fituan sërish socialistët me në krye Besmir Veliu prej 62% të votave.

    Numërimi i votave ka përfunduar në bashkinë Klos të Shqipërisë, dhe ka triumfuar kandidatja socialiste Valbona Kola.

    Kola mori 4489, kurse Bedri Hoxha nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” 3498 vota.

    Mes dy kandidatëve ka një diferencë me 991 vota.

    Ka përfunduar votimi në Libohovë dhe Memaliaj, ku me diferencë të ngushtë votash, ka mundur të fitojë koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

    Në Libohovë kandidati Adil Xhelili i “Bashkë Fitojmë” ka kryesuar me 1401 vota. Ndërsa kandidati i Partisë Socialiste Leonard Hide mundi të sigurojë 1234 vota nga të gjithë kutitë e numëruara, me 167 vota më pak.

    Edhe në Memaliaj ka përfunduar procesi dhe fitues është shpallur Albert Malaj i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Malaj është shpallur fitues me 2580 vota.

    Drejtuesi aktual i bashkisë, Gjolek Guci i Partisë Socialiste nuk mundi të fitojë sërish mandatin duke marrë me diferencë të ngushtë 2368 vota, me 212 vota më pak.

    Gjuci ka siguruar 47.75% të votave ndërsa Malaj 52.25%.

    Në bashkinë Kolonja, ku është konfirmuar për një mandat tjetër kandidati i PS-së, Erion Isai me 3873 vota, kurse kandidati i BF, Ethem Lumani ka marrë 2150 vota.

    Edhe pse me diferencë të ngushtë, Partia Socialiste ka fituar bashkinë Këlcyrë.

    Sapo ka përfunduar numërimi i të gjitha kutive të votimit në Bashkinë Këlcyrë, ku kandidati Klement Ndoni i Partisë Socialiste ka marrë zyrtarisht kreun e bashkisë.

    Klement Ndoni ka marrë 49.33% të votave me 2018, pasuar nga kandidati Arjan Kasaj me 47.32% prej 1936.

    Më pak vota ka marrë kandidati i Partisë Demokratike, Adriatik Spahiu me 137 vota.

    Ka përfunduar procesi i numërimit në 22 nga 22 qendrat e votimit në Tepelenë.

    Kandidati socialist Tërmet Peçi ka mundur të sigurojë 82.67% të mbështetjes qytetare, që e përkthyer në shifra do të thotë 4088 vota. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Baftiar Imeri ka marrë 10.33%, ose 511 vota. Ndërsa kandidati i PD-së, Sokol Guga ka grumbulluar 7% ose 346 vota.