ATV

Category: Lajme

  • Sarrazin: I kemi në tryezë konceptet e Asociacionit, nuk është më debat teorik

    Sarrazin: I kemi në tryezë konceptet e Asociacionit, nuk është më debat teorik

    Me rastin e zgjatjes së mandatit të Bundeswehr-it gjerman në Kosovë, gazeta Welt ka publikuar një intervistë me Manuel Sarrazin.

    I dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por mbi të gjitha për ndikimin e Rusisë në rajon.

    “Ndoshta nuk ka ende një marrëveshje mes dy palëve në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por tani, të paktën për herë të parë, ka koncepte në tryezë në mënyrë që interesat serbe nga njëra anë dhe aftësia e Kosovës për të vepruar si shtet nga ana tjetër mund të pajtohen. Deri më tani ka qenë gjithmonë vetëm një diskutim teorik”, ka thënë Sarrazin, duke shprehur njëkohësisht shpresën se, “nëse arrijmë të hyjmë në një proces pozitiv dhe të ndërtojmë besim reciprok, atëherë mund të shkojmë shumë larg”.

    Duke iu përgjigjur pyetjes për ndikimin e Moskës, ai thotë se “Është relativisht e qartë se Rusia nuk ka interes për një zgjidhje paqësore, por jo për të mbështetur Serbinë, por për të mbajtur Bashkimin Evropian të zënë me konflikte dhe për të minuar të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.”

    Njëkohësisht Sarrazin ka theksuar se duhet pasur kujdes me vlerësimet.

    “Në njërën anë, ne dëgjojmë se ndikimi rus, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut, tani vjen drejtpërdrejt nga Moska, pra jo më përmes palëve të treta. Nga ana tjetër, mund të jetë edhe një justifikim i mirë për qeverinë serbe, sepse ajo mund të thotë – “Ne nuk kemi asgjë me këtë, janë rusët”. Është pak si “macja e Shrodingerit”: Rusia është brenda, por sa shumë, apo sa pak, nuk mund ta vërtetosh”./GazetaSinjali/

  • Parandalohet një rast i kontrabandës në veri të Mitrovicës

    Parandalohet një rast i kontrabandës në veri të Mitrovicës

    Policia ka parandaluar një kontrabandë në fshatin Bistricë, pasi kanë hasur në një kamion që po transportonte dru për në Serbi.

    Sipas policisë, i dyshuari ka dalë nga kamioni dhe ka ikur në drejtim të panjohur.

    “Gjatë patrullimit në fshatin Bistricë kanë vërejtur një automjet transportues/kamion me targa vendore i cili ishte duke lëvizur nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë. Personi i dyshuar porsa ka vërejtur njësinë policore e ka braktisur automjetin duke e lënë atë të ndezur, dhe është larguar në drejtim të panjohur. Gjatë kontrollit të realizuar në automjet janë gjetur të ngarkuara lëndë drunore të cilat dyshohet se ishin të dedikuara për t’i dërguar në Serbi”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet për procedura të mëtutjeshme hetimore, ndërsa automjeti i përfshirë në rast është dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare (SPMK) në Leposaviq.

  • Sekretari i përgjithshëm i VV-së: Draft-statuti për Asociacionin i papranushëm

    Sekretari i përgjithshëm i VV-së: Draft-statuti për Asociacionin i papranushëm

    Sekretari i përgjithshëm i VV-së, Alim Rama këtë të hënë tha se draft-statuti për Asociacionin është i papranushëm.

    “Ai statut i prezantuar atje i cili është refuzuar, aty s’ka pasë asnjë nen ku përmendet Republika e Kosovës. Ose ku vendoset ai statut, d.m.th në bazë të atij statuti është me u kriju një entitet i cili nuk është as në Kosovë, as në Serbi ose më shumë në Serbi sesa në Kosovë. Është fashiste! Dhe mundet me qenë çfardo qoftë, nuk i shkon parimeve të dialogut, është shumë më rëndësi ta di për çka është dialogu”, tha ai një tryezë në Mitrovicë me temë “Implementimi i planit franko-gjerman”.

  • Szunyog: Moszbatimi i marrëveshjes së Ohrit lë pasoja

    Szunyog: Moszbatimi i marrëveshjes së Ohrit lë pasoja

    Ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta zbatojnë marrëveshjen e Ohrit pa vendosur kushte, sipas tij, mos implementimi i saj do të ketë pasoja për palët.

    “Me këtë marrëveshje Kosova është zotuar që të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit. Serbia gjithashtu duhet t’i përmbush detyrimet e veta. Presim që nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombetare dhe t’i njeh dokumentet e Kosovës që kanë hyrë në fuqi me deklaratën e Borrell më 18 Mars”, tha Szunyog në një tryezë në Mitrovicë me temë “Implementimi i planit franko-gjerman”.

  • Von Cramon: Është koha që Serbia të vendos mes Perëndimit dhe Rusisë

    Von Cramon: Është koha që Serbia të vendos mes Perëndimit dhe Rusisë

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) Viola von Cramon, ka thënë se është koha që Serbia të vendos se nga cila anë do të shkoj me Perëndimin apo me Rusinë.

    Duke folur për gazetën britanike “The Guardian”, politikanja gjermane , ka theksuar se “Sundimi i ligjit, liria e medias, dhe raportet me Kosovën si dhe me Moskën janë çështjet kyçe “ Serbia duhet të tregoj se qartas do që t’i bashkohet Bashkimit Evropian.

    “Koha e qëndrimit në “dy karrige” dhe balancimi mes perëndimit dhe Rusisë ka marrë fund”, tha Von Cramon.

    Kjo deklaratë u bë në kuadër të një artikulli që “The Guardian”, i kushtoi situatës në Serbi pas dy vrasjeve masive që ndodhën në shtetin serb, para dy javësh.

    “ Klima shoqërore, ka dërguar në këtë. Ne kemi një shoqëri të dhunshme, ishte vetëm çështje e kohës se kur kjo do të shpërthente”, tha nga ana tjetërsociologu Zoran Gavriloviq.

  • Kina dënon me burgim të përjetshëm një shtetas amerikan

    Kina dënon me burgim të përjetshëm një shtetas amerikan

    Të hënën, Kina dënoi me burgim të përjetshëm shtetasin amerikan John Shing-Wan Leung, 78-vjeçar, i cili ka rezidencë të përhershme në Hong Kong, me akuzën e spiunazhit. Ky rast pasqyron përkeqësimin e marrëdhënieve midis Pekinit dhe Uashingtonit gjatë viteve të fundit.

    Leung u ndalua nga byroja lokale e agjencisë së kundërzbulimit të Kinës në qytetin e Suzhou më 15 prill 2021, pasi Kina kishte mbyllur kufijtë e saj dhe kishte zbatuar kufizime të rrepta të udhëtimit dhe kontrolle për të luftuar përhapjen e COVID-19.

    Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Gjykata e Suzhou bëri njoftimin për dënimin e tij në faqen e saj të rrjeteve sociale. Hetimet dhe gjykimet e tilla mbahen me dyer të mbyllura dhe shumë pak informacion jepet.

    Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë në nivelin më të ulët në dekada mes mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, teknologjinë, të drejtat e njeriut dhe qasjen gjithnjë e më agresive të Kinës ndaj pretendimeve të saj territoriale që përfshijnë Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.

    Dënimi vjen në kohën kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden po udhëton për në Hiroshima të Japoni, për samitin e Grupit të Shtatë shteteve kryesore industriale, i pasuar nga një vizitë në Guinenë e Re, një shtet ishullor i Paqësorit në një rajon ku Kina ka kërkuar të rrisë ekonominë e saj, por edhe ndikim ushtarak e diplomatik.

    Përderisa ndikimi ekonomik i Kinës rritet globalisht, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në rajonin Azi-Paqësor kanë rritur praninë e tyre në këtë zonë, duke ofruar investime dhe ndihmë financiare që rivalizojnë Kinën.

    Kina, e cila tani është ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka zgjeruar infrastrukturën e saj, si portet dhe hekurudhat, në të gjithë Evropën, Azinë Juglindore dhe më gjerë.

    Akuzat për spiunazh janë shumë selektive dhe provat që i mbështesin ato nuk publikohen. Kjo është praktikë standarde e shumicës së vendeve kur bëhet fjalë për spiunazh, jo vetëm e Kinës.

    Megjithatë, sistemi politik autoritar i Kinës dhe kontrolli absolut i Partisë Komuniste në pushtet mbi çështjet ligjore, shoqërinë civile dhe lirinë e informacionit parandalojnë kërkesat për informacione të mëtejshme, si dhe apelimet në gjykatë.

    Ambasada e SHBA-së ende nuk ka komentuar dënimin e shtetasit amerikan Leung./REL/

  • ​PS fitoi 34 bashki dhe gjashtë të tjera koalicioni Bashkë Fitojmë, numërimi vazhdon

    ​PS fitoi 34 bashki dhe gjashtë të tjera koalicioni Bashkë Fitojmë, numërimi vazhdon

    Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në një numër të madh të bashkive në Shqipëri, ku deri tash dihet që Partia Socialiste ka fituar në 34 bashki. Ndërsa, koalicioni Bashkë Fitojmë, do t’i drejtojë 6 bashki.

    Partia Socialiste ka fituar edhe në Lushnje. Kandidatja e kësaj partie, Eriselda Musa Sefa ka marrë 22 402 vota ose 62.64 përqind. Kurse, kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Eduard Shyqyri Sharka ka marrë 13362 vota ose 37.36 përqind.

    Në Sarandë ka fituar kandidati i PS-së, Oltion Ahmeti ÇaÇi, i cili ka marrë 7909 vota ose 52.46 përqind.

    PS ka fituar edhe në bashkinë Cërnik, ku kandidati i saj ka marrë 8444 vota ose 71.20 përqinds. Kurse, koalicioni Bashkë Fitojmë ka marrë 3416 vota ose 28.80 %.

    Kandidati i PS-së së shpejti do të fitojë edhe në bashkinë Patos, pasi ka marrë 8.120 vota. Kurse, koalicioni Bashkë Fitojmë ka marrë 2657 vota. E ndërkohë, ka mbet vetëm një qendër e votimit pa numëruar. Fitorja e PS-së është konfirmuar nga KQZ edhe në Librazhd, ku kandidat i PS-së ka marrë 10364 vota ose 74.45 përqind. Ndërsa, kundërkandidati i tij nga koalicioni Bashkë Fitojmë, ka marrë 3557 vota ose 25.55 %.

    Votat janë numëruar edhe në bashkinë Rrogozhinë, ku edhe këtu PS ka marrë 5120 vota. Kurse, kundërkandidati ka koalicioni BF, ka marrë 5097 vota.

    Partia e Edi Ramës-PS ka fituar edhe në bashkinë Bulqizë, duke marrë 8364 vota, kurse koalicioni BF ka marrë 5514 vota.

    E në Gramsh sërish ka fituar PS me 6263 vota. E kundërkandidati nga koalicioni BF me 5629 vota. PS ka fituar edhe në Belsh me 4536 vota, ndaj kundërkandidatit të koalicionit BF, me 4495 vota. PS ka fituar edhe në Roskovec me 6033 vota. Ndërsa, kundërkandidati ka marrë 5454 vota.

    PS ka fituar edhe në Tropojë, Dropull, Përmet, Skapar, Poliçan, Konispol, Këlcyrë, Fushë-Arrës, Libohovë, Pustec.

    PS është afër fitores edhe në Mat.

    Ndërkohë, më herët është ditur rezultati që PS ka fituar në bashkitë Kamëz, Vora, Elbasan, Pusteci, Delvinë, Klos, Kolonja, Këlcyrë, Tepelenë, Pukë, Peqin, Elbasan, Delvinë dhe Vlorë.

    E në Mirditë ka fituar koalicioni BF me 6355 vota. Kurse, PS ka marrë 5160 vota, si dhe në Has.

    Koalicioni Bashkë Fitojmë ka arritur të marrë bashkinë e Himarës, Libohovë dhe Memaliaj, Pukë.

    Ndërkohë, numërimi i votave po vazhdon në bashkitë tjera.

    1. Ledina Bardhyl Alolli Bashkë Fitojmë 13047 39.10 %
    2. Sotiraq Melka Filo Partia Socialiste e Shqipërisë 20324 60.90 %

  • ​Dita Ndërkombëtare e Familjes, kërkohet shtim i familjeve strehuese e strehimoreve

    ​Dita Ndërkombëtare e Familjes, kërkohet shtim i familjeve strehuese e strehimoreve

    Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes nga organizatat dhe familjet strehuese për fëmijët pa përkujdesje prindërore, kërkohet më shumë mbështetje për këta fëmijë, por edhe shtim të familjeve strehuese sidomos në komunat të cilat nuk kanë këso lloj familjesh.

    Sfidat me të cilat po ballafaqohen këto OJQ, por edhe familjet strehuese ato i paraqitën në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me ç’rast anëtarët e këtij komisioni shprehën gatishmërinë për mbështetje për të ecur përpara ligjet që rrisin mirëqenien e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, por edhe familjeve strehuese, raporton KP.

    Drejtoresha e Organizatës për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), Ibadete Krasniqi u shpreh përmes fushatës me moton “Hape derën, qele zemrën, bëhu familje strehuese” kërkojnë rritje të numrave të familjeve strehuese.

    Krasniqi theksoi se aktualisht familjet e tilla që strehojnë fëmijët pa përkujdesje prindërore nuk janë të shtrira në gjithë territorin e Kosovës.

    Drejtoresha e OFAP kërkoi që sa më shpejt të hyjë në fuqi udhëzimi i ri administrativ për strehim familjar.

    “Qëllimi i kësaj fushate është që të bëjmë thirrje tek të gjithë qytetarët që t’i hapin dyert dhe zemrat e tyre dhe të mirëpresin fëmijët të cilët janë në nevojë, fëmijët pa përkujdesje prindërore….Moto e fushatës është ‘Hape derën, qele zemrën, bëhu familje strehuese’ e kjo është një ndër arsyet që në bashkëpunim me KOMF dhe SOS fshatrat e hapim këtë fushatë e cila i dedikohet të gjithë qytetarëve dhe të gjitha familjeve që ta mbështesin një ndër format e mbrojtjes së fëmijëve të kujdesit alternativ që është strehimi. Kjo formë e mbrojtjes në Kosovë është që nga viti 2002 dhe në këtë periudhë të shumë viteve ka pas shumë familje strehuese të cilat janë kujdesur për këta fëmijë në nevojë dhe sot në gjithë këtë rrugëtim kemi nevojë që ende ta fuqizojmë këtë formë të mbrojtjes, kemi nevojë që ende të kemi familje të reja strehuese…Për momentin i kemi 36 familje strehuese në tërë Kosovën dhe nga to aktive janë 25, por kemi nevojë që ta zhvillojmë këtë formë të mbrojtjes në të gjitha komunat”, theksoi ajo.

    Remzie Krasniqi nga SOS Fshati derisa theksoi sfidat me të cilat ballafaqohen si familje strehuese, kërkoi nga shteti më shumë angazhim për t’u dal në mbështetje këtyre fëmijëve.

    Si sfidë kryesore ajo identifikoi mbështetjen për fëmijët pas moshës 18 vjeçare, për çka tha se në mungesë të mbështetjes nga institucionet këta fëmijë në këtë moshë po braktisen përsëri.

    “Një prej sfidave është strehimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe ata pas moshës 18 duke marr parasysh se nuk përkrah pas moshës 18 vjeçare familjet strehuese dhe SOS familjet sfidohen për përkrahjen duke mos pas përkrahjen nga institucionet qendrore dhe lokale ajo mund të vije tek një braktisje e dytë. Edhe sigurisht që kjo është një prej formave që parashihet me legjislaturë të re…që përgjegjësitë në nivel komunal të jenë me vend dhe që komunat të gjejnë format e ndryshme për përkrahje qoftë me banim, strehim social, bursa ose mirëmbajtje mujore për shpenzime të ndryshime… Në ligj ne e kemi futur sipas Konventës të udhëzuesit ndërkombëtar për kujdes alternativ që jetesa e pavarur e mbikëqyrur të shtyhet deri në moshën 26 vjeçe me qëllim që të jetë një kohë më e gjatë që varësisht se si qendrat dhe profesionistët që përkujdesen për këtë kategori ta vlerësojnë se deri kur ka nevojë me u përkrah një i ri”, theksoi ajo.

    Drejtoresha e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve, Donjeta Kelmendi, u shpreh se përmes shënimit të kësaj dite bëjnë thirrje për paraqitjen e familjeve të reja strehuese sidomos në ato komuna ku nuk ka të tilla familje.

    “Këtë vit, Ditën e Familjes kemi vendosur që bashkërisht t’ia kushtojmë strehimin familjar, familjeve strehuese me qëllim që t’i sensibilizojmë qytetarët për paraqitjen e familjeve të reja meqenëse ka nevojë për familje strehuese të reja në ato komuna ku nuk ka familje strehuese….Qëllimi i dytë ka të bëjë me Projektligjin për shërbime sociale e familjare, i cili është finalizuar pothuajse komplet dhe kemi marr zotimin nga MD që deri në qershor të këtij viti ai si projektligj do të procedohet në qeveri”, theksoi ajo.

    Familja strehuese nga Obliqi e përfaqësuar nga Fatmire Musliu e cila theksoi se këtë mbrojtje për fëmijët pa përkujdesje e bënë në mënyrë vullnetare vetëm që të jetë pranë kësaj kategorie të fëmijëve që kanë nevojë për mbrojtje.

    Edhe Musliu kërkoi fuqizim të familjeve strehuese me qëllim që edhe fëmijët pa përkujdesje prindërore të trajtohen barabartë.

    “Nga momenti që e pranoi, ai ka me qenë fëmija im në çdo moment që e takoj ose e shoh ose e ndjej që e kam diku një fëmijë tjetër që nuk është i pranishëm në shtëpinë time. Ne si shoqëri duhet të bëjmë edhe shumë më tepër për tu fuqizuar familjet strehuese për t’i mbrojtur këta fëmijët jo vetëm sot që është Dita Ndërkombëtare të Familjes duhet të punohet më tepër për mirëqenien e këtyre fëmijët që të rritën në mënyrë sa më të barabartë“, theksoi ajo.

    E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha u shpreh se për OJQ dhe familjet strehuese duhet të ketë mbështetje reale.

    “Është e qartë që ne si deputet kur të procedohet një projektligj nëse ata që afektohen nga ai ligj janë të kënaqur, për neve është shumë e lehtë që ta procedojmë më shpejt….e keni mirënjohjen e thellë, por kjo nuk mjafton ju duhet të keni përkrahjen dhe mbështetjen reale”, theksoi ajo.

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ka shpallur 15 majin Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që këto çështje të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.

  • ​Dugolli edhe një shkresë Speciales: Gjykata ka juridiksion të hetojë Masakrën e Dubravës

    ​Dugolli edhe një shkresë Speciales: Gjykata ka juridiksion të hetojë Masakrën e Dubravës

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Dugolli, i është drejtuar edhe njëherë me një shkresë Zyrës së Prokuronit të Specializuar në Hagë. I mbijetuari i Masakrës së Dubravës ka thënë se i ka ofruar argumente shtesë, ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, se Gjykata Speciale ka juridiksion të plotë për të hetuar këtë masakër.

    “Sot prap i kam dërguar në shkresë u.d. prokurorit të specializuar, z. Alex Whiting. Kjo shkresë ofron argumente shtesë duke u bazuar në tri vendimet e lëshyara nga vetë Gjykatës Speciale, se i takon jurisdiksionit lëndor. Pra, Gjykata Speciale ka juridiksion lëndor mbi krimet e kryera të forcave serbe gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Dubravës. Në bazë të argumenteve të parashtruara me këtë shkresë, nuk mbetet më asnjë dyshim: prokuroi i specializuar ka juridiksion të plotë për ta hetuar këtë rast. Si viktimë dhe i mbijetuar i masakrës së Dubravës, nuk do pushoj së kërkuari drejtësi”, ka thënë ai.

    Në fillim të këtij muaji, Dugolli i është drejtuar Speciales me kërkesë që të nisë hetimin ndaj Masakrës së Dubravës.

    Kjo masakër është një prej masakrave më të mëdha kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së fundit.

    Nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999, brenda Burgut të Dubravës janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë, si dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

  • Kryeministri Kurti në Korishë: Shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë

    Kryeministri Kurti në Korishë: Shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi martirët dhe të rënët për liri në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit. Së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti dhe deputetë të Kuvendit të Republikës, bëri homazhe te Memoriali i Martirëve në Korishë dhe zbuloi shtatoren e heroit Sali Shabani.

    Me vendosje të luleve dhe një minutë heshtje, Kryeministri Kurti përkujtoi civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Budakovë, Reshtan, Bllacë, Mushtisht, Maçitevë dhe Greikoc, të vrarë në maj të vitit 1999 me të vetmen arsye se ishin shqiptarë.

    “Jam këtu si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm thjeshtë të ndaj ndjesitë e përbashkëta për viktimat me familjarët e tyre dhe të gjithë të tjerët, por jam këtu sot në ditën e martirëve të Korishës, sidomos për të treguar që shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë. Veçanërisht për ta njohur historinë e masakrave dhe të secilit krim e të secilit kriminel, si dhe për të denoncuar të gjitha hallkat e sistemit shtetëror të Serbisë”, tha Kryeministri.

    “Kur sheh pllakën përkujtimore me emrat e të vrarëve në Korishë, vëren që të paktën 14 prej tyre kanë qenë fëmijë, pra ishin nën moshën 18 vjeçare atëherë kur u vranë. Mosha e tyre është dëshmia më e pakontestueshme e pafajësisë së gjithë këtij grupi aq të madh të njerëzve, që Serbia i vrau vetëm pse ishin shqiptarë”, tha Kryeministri Kurti. Ai theksoi procesin e filluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për memorializimin e fëmijëve të vrarë, të zhdukur apo që kanë humbur jetën nga kushtet e luftës, në krye të grupit punues të së cilit, është nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, vetë e mbijetuar si fëmijë nga masakra e Podujevës.

    Duke kujtuar se pothuajse çdo ditë e pranverës nga fundi i marsit e deri në mes të qershorit, paraqet një datë përvjetori të masakrave të kryera nga Serbia në Kosovë, ai tha se një pjesë e mirë e agjendës së tij si Kryeministër është e rezervuar për ngjarjet përkujtimore sikur kjo këtu, sepse shënimi i përvitshëm i krimeve të kryera nga Serbia mbi ne shqiptarët në Kosovë, kërkon të ketë një traditë të saj të kultivuar që duhet mirëmbajtur, ashtu që të krijohen lidhjet mes gjeneratave dhe të përcjellet vetëdijshëm kujtesa e përbashkët për këto krime.