ATV

Category: Lajme

  • Vushtrria i kthen disa rrugë në njëkahore, qytetarët nuk e mirëpresin projektin

    Vushtrria i kthen disa rrugë në njëkahore, qytetarët nuk e mirëpresin projektin

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Komuna e Vushtrrisë sot ka shndërruar disa rrugë në njëkahore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe shtimit të shtegut të biçikletave. Megjithatë, këtë vendim të kryetarit të Komunës nuk po e mirëpresin qytetarët, pasi, sipas tyre, ky projekt do të shkaktojë tollovi në komunikacion.

    Rruga Ismail Qemajli në Vushtrri, që nga sot u bë njëkahore.

    Njësoj edhe shumë rrugë të tjera të këtij qyteti.

    Kjo, sipas kryetarit Ferit Idrizi, është një mundësi e mirë për rritjen e sigurisë për gjithë pjesëmarrësit në trafik.

    “Ne sot kemi filluar shndërrimin e disa rrugëve dykahore në ato njëkahore, qëllimi i të cilave është që të lehtësohet qarkullimi i veturave dhe të ketë hapësira për vetë parkingje, pasi që njëri shirit duhet të jetë për biçikleta që janë të domosdoshme për qytetarët e Vushtrrisë, për shkak të figuracionit të rrafshët që e ka. Kjo ka qenë ide e imja dhe e habitatit me ekspertët që kemi diskutu”.

    Ani pse, sipas kryetarit, kjo do të rritë efikasitetin e shërbimeve në Vushtrri, qytetarët nuk po e mirëpresin këtë projekt.

    “Shumë problem, unë zakonisht për 5 minuta vij prej shtëpisë deri këtu, sot i bona 15 minuta”.

    “Po shkakton kaos, pe shihni edhe vetë”.

    “Këtu edhe më herët ka qenë problem me dalë me veturë, po që tash me qita edhe ma zi, duhet me u sill rreth e rreth”.

    Për pakënaqësitë e qytetarëve, kryetari ka një përgjigje.

    “Kjo ka qenë në plan edhe më herët, mirëpo për shkak të disa procedurave në kuvendin komunal, procesi ka zgjatë. Kaos nuk do të ketë, mirëpo vetëm t’i respektojnë shenjat e komunikacionit dhe nuk do të kenë telashe pasi edhe me rrugët e tilla që i kemi pasur edhe më herët, nuk ka pasur probleme”.

    Andaj, më qëllim të orientimit të ngasësve në trafik dhe parandalimit të aksidenteve të mundshme, Policia e Kosovës dhe Inspeksioni kanë qëndruar gjatë tërë ditës në këto pika të rrugës, të cilat janë kthyer në njëkahore.

  • “Përplasjet” mes pushtetit qendror dhe lokal, Kurti i qëndrojmë afër pushtetit lokal

    “Përplasjet” mes pushtetit qendror dhe lokal, Kurti i qëndrojmë afër pushtetit lokal

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk u ka dhënë përgjigje kryetarëve të komunave në kërkesën për zhbllokimin e buxhetit për investime kapitale.

    Në takimin me përfaqësuesit e komunave, ai ka theksuar se janë në hapa të duhur për të ndihmuar pushtetin lokal. Por, kryetarët e komunave thonë krejtësisht të kundërtën.

    Kërkesës së kryetarëve të komunave për zhbllokim të buxhetit për projektet kapitale nuk u dha përgjigje kryeministri Albin Kurti.

    Por, ai foli për mbështetjen e qeverisjes lokale, e cila, sipas tij, dëshmohet në buxhetin e ndarë për komunat, i cili është rreth 700 milionë euro për vitin e ardhshëm.

    “Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin në vlerën e 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë për komuna, gjatë kësaj qeverisjeje, sesa asaj të mëparshme. Kjo i bie se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror, por edhe financat që presin të konkretizohen përmes një bashkëpunimi të të gjithë neve”.

    Megjithatë, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se Qeveria Kurti në asnjë çështje nuk ka treguar mbështetje ndaj tyre.

    Sipas Aliut, Kurti nuk po i merr parasysh as kërkesat e qytetarëve.

    “E kemi ftuar kryeministrin në takim për shumë çështje që nuk kemi marrë përgjigje nga takimet e së kaluarës. Edhe pse ne përballemi me shumë kërkesa, këto janë thelbi i atyre që ne kërkojmë. Shumë projekte tona nuk po mund të zhvillohen për shkak të pronave të menaxhuar nga AKP-ja. Nga këto çështje morëm zotimin nga kryeministri që këto kërkesa do të zbatohen. Falënderoj kryeministrin që na ka pranuar në takim. Ne edhe këtu i thamë kryeministrit, kryetarët nuk janë opozitë e asnjërës nga qeveritë, sepse ne bëjmë detyrën tonë dhe jemi më shumë kërkues, sepse ndaj neve kërkues janë qytetarët dhe dëshirojmë që t’i evitojmë pengesat që i kemi në zhvillim e sipër.”

    Ai ka kërkuar nga kreu i ekzekutivit që të mos bëjë politikë me komunat, pasi sipas tij opozita e Qeverisë është në Parlamentin e Kosovës, ndërsa kryetarët e komunave iu takojnë të gjithë qytetarëve të tyre.

    Në takimin e përfaqësuesve të komunave me kryeministrin janë riadresuar kërkesat për bartjen e përgjegjësisë së faljes së Tatimit në Pronë, kthimi i pronave nga AKP-ja dhe themelimin e grantit të IV që do të krijojë barazi financiare për komunat e Kosovës.

  • Të premten bëhet betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut

    Të premten bëhet betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, të premten do ta bëjë betimin si kryetar i ri i kësaj komune.

    Kështu ka njoftuar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, sipas të cilit do të organizohet ceremoni betimi në secilën komunë.

    Tri javë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat në veri të vendit, Erden Atiq, të premten do ta bëjë betimin si kryetar i ri i komunës së Mitrovicës Veriore. Këtë e ka bërë të ditur, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Ai tha se seancat për betimin e kryetarëve të zgjedhur do të organizohen edhe në tri komuna të tjera..

    “Nuk digjet mandati i kryetarëve dhe asamblistëve të komunave. Janë të parapara afatet ligjore që janë tri herë nga 15 dhe mandej prej momentit kur konstituohet Kuvendi, fillon rrjedha e afatit prej 30, për dhënien e betimit të kryetarëve të komunave. Me ta jemi dakorduar individualisht që me secilën komunë do ta organizojmë seancën e betimit të kryetarit dhe aty ku ka nevojë edhe të konstituimit të Kuvendit. Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në MAPL që të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit mes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut… në sallën e Kuvendit Komunal aty ku e kanë vendin asamblistët dhe kryetari i komunës”.

    Ndërkaq, Krasniqi tha se janë duke e trajtuar ende vendimin për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

    “Vendimi është marrë në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut. Është aktualisht në Ministrinë tonë në trajtim e sipër, kurdo që përfundon vlerësimi i ligjshmërisë së aktit, ne do ta dërgojmë tek instancat e tjera”.

    Erden Atiq u zgjodh kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut me 66,9 për qind të votave të qytetarëve.

  • Vetingu në pritje të kushtetueses, Komisioni ad hoc kërkon nga Kuvendi që t’i vazhdohet mandati

    Vetingu në pritje të kushtetueses, Komisioni ad hoc kërkon nga Kuvendi që t’i vazhdohet mandati

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me një vendim rreth vlerësimit të amendamenteve kushtetuese rreth procesit të vetingut.

    Shoqëria civile pret që të kjo të ndodhë brenda një periudhe të arsyeshme kohore, megjithëse sipas ligjit nuk ka një afat të përcaktuar.

    Në pritje të vendimit të Kushtetueses, puna e Komisionit Ad Hoc për të përfunduar këtë proces brenda gjashtë muajve ashtu siç ishte planifikuar, nuk do të mund të realizohet.

    Deputetët e këtij Komisioni i kanë kërkuar Kuvendit të Kosovës që atyre t’iu vazhdohet puna në afat të pacaktuar kohor.

    Amendamentet që do t’i hapnin rrugë procesit të vetingut ka dy muaj që i janë dorëzuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësim.

    Megjithatë, shoqëria civile thotë se sipas ligjit, gjykata nuk ka një afat brenda të cilit do të duhet të vendosë nëse të njëjtat amendamente janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Sipas ligjit, gjykata nuk ka një afat që duhet vendosur për kushtetutshmërinë e këtyre amendamenteve. Besoj që tashmë janë duke i shqyrtuar.

    Në pritje të vendimit të Kushtetueses, puna e Komisionit Ad Hoc për të përfunduar këtë proces brenda gjashtë muajve, ashtu siç ishte planifikuar, nuk do të mund të realizohet.

    Të hënën, deputetët e këtij Komisioni i kanë kërkuar Kuvendit që atyre t’i vazhdohet puna në afat të pacaktuar kohor.

    Ky proces nuk varet nga ne në këtë fazë. Nuk kemi të drejtë as të interesohemi për procesin, sepse mund të konsiderohet ndërhyrje politike. Në seancën plenare propozoj që komisionit i duhet një afat shtesë pa kufizim kohor, meqë lidhet me çështjen e vlerësimit të Gj. Kushtetuese.

    Varemi nga një rrethanë jashtë Kuvendit të Kosovës. Kjo është arsye që mbase Kryesia e Kuvendit dhe Kuvendi mund të bëjë ndonjë përjashtim.

    Megjithatë, sipas KDI-së, kërkesa e tillë është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

    Komisioni Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar kishte miratuar amendamentet kushtetuese për procesin e Vetingut, në shkurt të këtij viti.

    Në anën tjetër, sistemi i drejtësisë ka insistuar se i njëjti proces mund të ndodhë edhe pa ndryshime kushtetuese.

    Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial kanë thënë se nuk i frikësohen vetingut, por kanë vlerësuar se ky proces duhet të ndodhë për krejt sistemin, jo vetëm për krerët e tij.

  • Power: Jini të sigurt, SHBA është mbrojtëse e interesave të popullit të Kosovës

    Power: Jini të sigurt, SHBA është mbrojtëse e interesave të popullit të Kosovës

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se udhëheqja e dialogut nga BE-ja po bëhet për shkak të destinacionit përfundimtar të Kosovës, ndërsa SHBA është mbrojtëse e interesave të popullit të Kosovë, që së bashku me BE-në, do t’i siguroje dhe drejtojë bisedimet.

    “Është e drejtë që BE-ja po udhëheq këtë dialog për shkak të destinacionit përfundimtar të Kosovës. SHBA-ja po bashkëpunon ngushtë me z. Lajçak, dhe mendoj se është me rëndësi që populli i Kosovës të dijë se SHBA është mbrojtëse e interesave të tij, dhe po e bën këtë tashmë një kohë të gjatë. Miqësia në mes dy popujve tanë është e palëkundshme. Kjo miqësi tashmë ka dhënë fryte të jashtëzakonshme për të dyja vendet. Pra, jini të sigurte se parimet që ne kemi artikuluar publikisht janë ato që ne, së bashku me BE-në, do të sigurojmë se do t’i drejtojnë negociatat”, tha Power.

    Ajo tha se emisarit të BE-së Miroslav Lajçak po angazhohet me palët fuqishëm dhe si rezultat, ajo thotë se ka patur edhe progres.

    “Disa gjëra që askush nuk ka menduar se janë të mundura tashmë kanë ndodhur, dhe shpresoj se pas gjashtë muajsh do të arrihet edhe më shumë”, tha Power. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Power për Asociacionin: Pozicioni i SHBA-së i qartë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, do të jetë në përputhje me Kushtetutën

    Power për Asociacionin: Pozicioni i SHBA-së i qartë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, do të jetë në përputhje me Kushtetutën

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pozicioni i SHBA-së është i qartë sa i përket Asociacionit, i cili duhet të jetë në përputhje me Kushtetutës së Kosovës dhe strukturës qeverisëse.

    Ajo tha se kompetencat ekzekutive nuk janë diçka që parashihen në marrëveshje.

    “Mendoj se SHBA-ja ka qenë shumë e qartë lidhur me pozicionin tonë, e që është se nuk duhet krijuar një nivel shtesë të qeverisjes dhe se kompetencat ekzekutive nuk janë diçka që parashihet këtu. Ajo për çka po flasim janë funksionet komunale, që tashmë ushtrohen në pjesët tjera të Kosovës. Prandaj, e kuptoj sensitivitetin rreth kësaj çështjeje, brengën që ekziston, sidomos kur kihen parasysh disa propozime të bëra paraprakisht. Prapë, sa i përket qëndrimit të SHBA-së lidhur me vendin që ky Asociacion duhet të ketë brenda Kushtetutës së Kosovës dhe strukturës qeverisëse në Kosovë, ai është shumë i qartë”, tha Power. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Power për situatën në veri: Është një kohë shumë delikate ku një situatë e ngrirë mund të “shkrihet”

    Power për situatën në veri: Është një kohë shumë delikate ku një situatë e ngrirë mund të “shkrihet”

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se tani kjo situata siç e quan ajo, ‘e ngrirë’, mund të dëmtojë përparimin e arritur.

    “Stabiliteti është i rëndësishëm, në kuptimin që nuk duhet pasur elemente të armatosura që i provokojnë njerëzit në çfarëdo mënyre. Unë mendoj se është një kohë shumë delikate ku një situatë e ngrirë mund të “shkrihet” në mënyra që mund të dëmtojnë përparimin e arritur”, tha Power.

    Ajo tha se serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione sepse kjo, sipas saj, do t’ua përmirësonte jetën qytetarëve, do t’i përmirësonte shërbimet, do të përmirësonte ndjenjën e të qenit të përfaqësuar.

    Power thotë se ngecja e progresit politik është vetvetiu destabilizuese.

    “Kur të kthehem në SHBA dhe të takoj liderë të biznesit të mund t’u them se Kosova është një vend i hapur për biznes, shikoni se çfarë reformash kanë bërë, shikoni ankandin për energji diellore që sapo e shpallëm. Pra, është me rëndësi që të ruhet stabiliteti gjatë kohës që po përpiqemi të arrijmë progres politik, por ngecja e progresit politik është vetvetiu destabilizuese”, tha Power. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Power tregon se çfarë i thanë Kurti e Osmani për Marrëveshjen e Ohrit

    Power tregon se çfarë i thanë Kurti e Osmani për Marrëveshjen e Ohrit

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pas takimit që kishte me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, këta dy të fundit dy ishin shumë të vendosur se Marrëveshja e Ohrit duhet implementuar në tërësi.

    “Tani po hyjmë në një faze kritike ku po presim që të dyja palët të dalin me propozime shumë konkrete në mënyrë që të arrihet një pozicion i përbashkët. Mendoj se është me rëndësi të kihet parasysh se po vijmë nga një periudhë ku mendohej se nuk do të kishte diskutime, në radhë të parë se nuk do të kishte dialog pa njohje, megjithëse kjo ishte mjaft kohë më parë. Edhe tani, gjatë këtyre bisedimeve ka një mosgadishmëri për t’u angazhuar rreth Asociacionit”, tha Power.

    Megjithatë, ajo thotë se është optimiste fazën e ardhshme pala kosovare do të dalë me propozime konkrete. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Power: Pozicioni i SHBA-së për njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, është i qartë

    Power: Pozicioni i SHBA-së për njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, është i qartë

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pozicioni i SHBA-së për njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë është i qartë dhe kur mendohet normalizimi i raporteve kudo në botë kjo është një rrjedhojë normale.

    ““Tani fokusi është në integrimin e Kosovës në institucionet Euro-Atlantike, ndërsa në Kosovë fokusi është në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Fokusi gjithashtu është edhe në sigurimin që serbët të përmbushin pjesën e tyre të obligimeve nga marrëveshja. Mendoj se ka mjaft në këtë marrëveshje mbi normalizimin për t’u sjellë benefite të gjithëve”, tha Power.

    Sipas saj, normalizimi me Serbinë do të hiqte shumë barriera për Kosovën si nga aspekti i integrimit po ashtu edhe në uljen e barrierave në tregti.

    “Qartazi, ka kaluar një periudhë e gjatë nga viti 1999 pa shumë normalizim, përkundër përparimit të madh demokratik dhe ekonomik. Asgjë nuk mund t’ia mohojë këtë të fundit Kosovës dhe kjo është arsyeja pse ajo është aty ku është sot dhe po shënon rezultate në luftën kundër korrupsinit dhe zhvillim të reformave. Megjithatë, ajo që normalizimi do të bënte të mundur nga aspekti i integrimit rajonal, uljes së barrierave në tregti si dhe reputacionit të Kosovës në nivel rajonal, European dhe global, mendoj se do të ishte një ngjarje transformative, dhe zbatimi i kornizës implementuese do të zhbllokonte progresin ekonomik i cili tani do të ishte vështirë i realizueshëm”, tha Power. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Power: Qysh më 1999 e pash vendosmërinë e kosovarëve për të ndërtuar të ardhmen, një Kosovë të pavarur

    Power: Qysh më 1999 e pash vendosmërinë e kosovarëve për të ndërtuar të ardhmen, një Kosovë të pavarur

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për lidhjen e saj me Kosovën në kohën e luftës në vitin 1999, ku në atë kohë ishte në pozitën e gazetares që kishte përcjellë nga afër eksodin e shqiptarëve pas bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi.

    “Unë dikur kam qenë gazetare. Karrierën time e fillova si korrespondente e luftës në Bosnie, gjatë kohës kur ish-Jugosllavia po kolapsonte dhe njerëzit po kalonin nëpër vuajtje të shumta. Këtu kam ardhur në vitin 1999, në kohën kur shqiptarët etnik po hynin masovikisht në shtete fqinje. Fillimisht isha në Maqedoni dhe po intervistoja njerëzit që po kalonin kufirin dhe po hynin në këtë vend dhe po mësoja se cilat ishin arsyet që po i shyenin të iknin nga vendi i tyre. Ishin rrethanat shumë të vështira këtu që kishin të bëjnë me luftën. Pastaj, hyra në Kosovë bashkë me njerëzit që po ktheheshin prapa dhe po zbulonin se ç’kishte ndodhur me shtëpitë dhe familjarët e tyre. Qysh atëherë pashë tek ata vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme më të shndritshme në Kosovë, në Kosovën e pavarur, e cila u realizua më vonë”, tregon Power.

    Ajo thotë se tani i duket e pabesueshme që është rikthyer prapë, tani në cilësinë e Administratores së USAID-it.

    “USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliardë dollarë amerikan për të rritur mundësitë e punësimit dhe fitimit, ndërtuar sundimin e ligjit, themeluar gjyktatë përfshirë atë komerciale, fuqizuar mediet e pavarura. Pra, tani kam shumë më tepër vegla në dispozicion krahasuar me kohën e atëhershme kur kisha vetëm një çantë shpine, një laps dhe fletore për të marrë shënime. Por, më duhet të them se gjatë jetës sime, ambicia më ka mbetur e njëjtë, e që është bërja e asaj që një person mund të bëj për t’u ndihmuar njerëzve të kenë jetë dinjitoze, të lirë dhe me mundësi që të prosperojnë. Tani ndjehem me fat që jam këtu dhe kam mundësinë të bisedoj me kosovarët lidhur me atë se çka mendojnë ata se mund të bëj SHBA-ja për të ndihmuar në këtë fazë të rritjes dhe zhvillimit të Kosovës”, tha Power. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: