ATV

Category: Lajme

  • Hajdari: Qeveria po punon që të rinjve t’u krijohen kushte në Kosovë, inovacioni është e ardhmja

    Hajdari: Qeveria po punon që të rinjve t’u krijohen kushte në Kosovë, inovacioni është e ardhmja

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka mbajtur konferencën “Zhvillimi i ekosistemit  të bizneseve fillestare (start-up) dhe inovacionit”, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast ministrja Rozeta Hajdari tha se promovimi i bizneseve të reja dhe inovacionit mbeten qëllim i Qeverisë e objektiv i Ministrisë që udhëheq.

    Sipas saj, këtë çështje ekzekutivi e ka marrë me seriozitet në mënyrë që të rinjëve t’u krijohen kushte në vend e mos të kërkojnë në vendet tjera kushte më të mira për të jetuar e punuar.

    Ajo madje ka thënë se mbështetja për të rinjtë që merren me teknologji do të vazhdojë, duke e quajtur këtë sektor bazë për zhvillim.

    Madje shtoi se edhe buxheti është i koncentruar në këtë sektor me potencial.

    “Start-up janë baza e zhvillimit, duke marrë për bazë numrin e madh e të rinjve. Qëllimi i Qeverisë e objektivi i Ministrisë mbetet promovimi i bizneseve dhe inovacionit. Po punohet në këtë drejtim dhe Kosova e ka marrë me seriozitet këtë, me qëllim të përfitimit të të rinjve. Në mënyrë që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë e mos të kërkojmë vende më të mira jashtë për të jetuar e punuar”.

    “Kosova në Ballkan është e para sa i përket sundimit të ligjit. Inovacioni është potencë për zhvillim edhe për studentët. Jam e lumtur që të rinjtë po studiojnë teknologji dhe kjo është bazë për zhvillim ekonomik të vendit. Qeveria e Kosovës dhe Ministria do të vazhdojë të përkrah të rinjtë që merren me teknologji dhe inovacion. Në Prizren ekziston Qendra e TIK-ut që u mundëson të rinjve shumë përparësi”.

    “Buxheti i Kosovës është i koncentruar që të mbështes teknologjinë dhe inovacionin. Na duhet edhe ekspertizë që të dimë se cila projekte kërkojmë më shumë mbështetje. Edhe Komisioni Evropian ka shumë projekt që mbështet në këtë aspekt, prandaj duhet që të shihet edhe kjo mundësi. Do të kemi edhe ligji që e rregullon këtë aspekt”.

    Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, u shpreh i lumtur që në Kosovë ka shumë ekspertë të teknologjisë madje edhe kompani të specializuar në këtë sektor.

    Ai siguroi mbështetjen e shtetit të tij, duke shtuar se ata kanë bërë zhvillim të shpejt viteve të fundit, raporton EO.

    “Në këtë sektorë ka shumë ekspertë dhe kjo na bënë të lumtur. Gjithashtu ka edhe kompani të specializuara. Dua të falënderojë ministren për mbështetjen në këtë drejtim. Një nga prioritet këtu për të investuar është se rinia këtu është e ardhmja dhe kjo është potencial dhe ne do të bashkëpunojmë më ju shumë ngushtë”.

    “Jam fascinuar me dixhtalizimin këtu. Ne mund të jemi partner shumë i mirë që mund të ndihmojnë në këtë sektorë. Kosova qëndron shumë mirë në Ballkan sa i përket studentëve të teknologjisë”.

    Vjollca Çavolli drejtoreshë ekzekutive e “Kosovo ICT Association”, tha se para 15 vjetësh kishin filluar që të merren me këtë fushë, por asnjëherë nuk e ka menduar se do të kenë këtë sukses.

    Ajo madje u shpreh e gëzuar që vajzat po prijnë sa i përket studimet në teknologji.

    “Kemi filluar para 15 vitesh me një ëndërr të vogël që të bëjmë diçka, nuk e kemi menduar se do të mbërrijmë që shumë kompani të ekspertojnë produkte e tyre jashtë vendit dhe numri po rritet çdo ditë. Madje po rrite edhe numri i vajzave që po studiojnë teknologjinë, kjo edhe e kalon numrin e djemve”.

  • Aplikoi për kredi me dokumente të falsifikuara, arrestohet i dyshuari në Fushë-Kosovë

    Aplikoi për kredi me dokumente të falsifikuara, arrestohet i dyshuari në Fushë-Kosovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Fushë Kosovë, pasi që i njëjti dyshohet se ka falsifikuar disa dokumente dhe më pas ka aplikuar për marrjen e një kredie.

    Me vendimin e prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Më datë 15.05.2023 , është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte aplikuar për marrjen e kredisë në një bankë me dokumente të falsifikuara. Me vendim të prokurorit pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Vidhen afro 6 mijë euro në Qendrën e Regjistrimit Civil në Podujevë

    Vidhen afro 6 mijë euro në Qendrën e Regjistrimit Civil në Podujevë

    Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në Qendrën e Regjistrimit Civil në Podujevë, ku persona të panjohur kanë marrë nga posta afro 6 mijë euro.

    Po ashtu, gjatë vjedhjes kanë marrë edhe mbushje telefonit në vlerë rreth 200 euro.

    “Rr. Sali Çitaku, Podujevë 12/15.05.2023-NN. Është raportuar se në Qendrën e Regjistrimit Civil, persona të panjohur kanë depërtuar me forcë ku kanë hapur kasafortën e filialit të postës dhe prej aty kanë vjedhur 5853.60€ para të gatshme, mbushje të telefonit në vlerë rreth 200€ dhe pulla postare në vlerë rreth 100€, si dhe dy DVR”, thuhet në raportin e Policisë.

    Deri tani nuk raportohet për të arrestuar, rasti është duke u hetuar.

  • BE-ja kërkon themelimin e Asociacionit

    BE-ja kërkon themelimin e Asociacionit

    Derisa në Bruksel po mbahej takimi midis kryenegociatorëve, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kërkoi nga Kosova dhe Serbia t’i mbahen zotimeve për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit ku bënë pjesë edhe themelimi i Asociacionit.

    “Kosova është zotuar që të filloj procesin e themelimit të Asoaciacionit. Serbia gjithashtu duhet të filloj me implemtimin e detyrimeve të veta. Ne presim se nuk do ta kundërshtoj Kosovë në anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe t’i njeh dokumentet. Pas marrëveshjes së Ohrit fokusi është në zbatimin e saj. Palët duhet të zbatojnë dispozitat nëse kanë qëllim që të anëtaresohen në BE. Mos zbatimi i marrëveshjes do të ketë pasoja”.

    Për Ambasadorin e Francës, Oliver Guerot, implementimi i marrëveshjes së Ohrti është në interes për Kosovën dhe Serbinë. Ai tha se themelimi i Asociacionit është në interes për serbët e Kosovë.

    “Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është një mundësi e mirë mos e humbisni. Është në interes të Kosovës dhe të Serbisë. Themelimi i Asociacionit është në interes jo vetëm për serbët, por për të gjithë Kosovën. Kemi elemente pozitive për të gjithë në marrëveshjen e Ohrti. Mos të fokusohemi se kush po e shkelë marrëveshjen sepse BE-ja nga afër po e përcjellë zbatimin e saj. Koosva duhet të angazhohet në formë konkrete në themelimin e Asociacionit”.

    Ambasadorët e vendeve të BE-së e shohin terrenin e vështirë për normalizim të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, derisa u tha se ka retorikë nga palët që çon në ngritjen e tensioneve. Ambasarori i Suedisë, Jonas Westerlund, kërkoi nga palët që të mos e akuzojnë njëra tjetrën dhe të krijojnë dialog në mirëbesim.

    “Të dyja palët duhet të kalojnë më pak kohë duke akuzuar njëra tjetrën që ta lëjnë Brukselin të merret me pjesën e mos implementimin e marrëveshjes. T’i japim kompromis arritjes së rezultateve”.

    Për përfaqësuesit e pushtetit Serbia është fajtore për nxitjen e tensioneve në proces të dialogut si shkelëse e marrëveshjes së Ohrit.

    Sekretari i përgjithshëm i VV-së Alim Rama, duke iu përgjigjur edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë për themelimin e Asociacionit, tha se draft statuti i prezantuar nga ekipi menaxhues është i papranishëm.

    “ Pika e shtatë e marrëveshjes flet për vetmanaxhim të komunitetit serb…statuti që u prezantua në mbledhjen e fundit në Bruksel nuk ka pasur në asnjë nen që përmendet republika serbe….aty po flitet për një entitet që nuk ka të bëjë me rendin kushtetues në Kosovë…”

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se duhet të themelohet Asociacioni. Kritikoi Qeverinë për mos qartësi të themelimit të Asociacionit.

    “Me ni nuse dy dhëndur nuk mund ti zëdhë. Përderisa Qeveria nuk del me një qëndrim deputetet e shumicës dalim me qëndrim kundërshtues dhe kjo shkakton amulli tek qytetarët…”

    Përfaqësuesi i Iniciativës qytetare serbe, Aleksandar Arsenijevic, kërkoi sa më shpejtë të themelohet Asociacioni. Pati pretendime edhe sa i përket qasjes agresive të Policisë së Kosovës në veri të vendit

    “Qytetarët e keqtrajtuar nga ana e Policisë shkojnë të raportojnë në Inspektorat Policor të Kosovës, por nuk kanë besim sepse nuk shohin rezultate në terren se nuk ka sanksione ndaj Policëve..”

    Ambasadorët e vendeve të BE-së pjesëmarrës në tryezë i bënë thirrje Qeverisë që të mos marrë vendime të njëanshme për hapjen e urës së Ibrit. Sipas tyre, kjo cështje duhet të diskutohet në proces të dialogut.

  • Humb jetën 21-vjeçarja në Shtime, ngufatet nga ushqimi

    Humb jetën 21-vjeçarja në Shtime, ngufatet nga ushqimi

    Një 21-vjeçare ka humbur jetën ditën e hënë në Shtime, si pasojë e ngufatjes me ushqim.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi për Telegrafin se rasti ka ndodhur në “Shtëpia e fëmijëve”, rreth orës 19:30.

    “Më datën 15.05.2023 rreth orës 19:30 , policia e stacionit në Shtime ka pranuar një informacion se një person D.S ( F/K) e moshës 21 vjeçare nga ‘Shtëpia e fëmijëve’ në Shtime, për ndihmë mjekësore fillimisht është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtime dhe më pas me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku nga mjekët është konfirmuar vdekja e saj, dyshohet ngufatje nga ushqimi”, tha ai.

    Tutje, Veseli shtoi se, hetuesit dhe krimteknikët rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar i kanë nisur hetimet.

    “Me vendim të prokurorit kujdestar trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, theksoi ai.

    Veseli bëri të ditur se rasti është cilësuar “Hetim mbi vdekjen”.

  • ​24 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

    ​24 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

    Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.

    Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.

    Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

    Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit.

    Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

    Më 16 maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

    Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

    Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.

  • Gjykimi ndaj “Thaçit dhe të tjerëve”- Sot vazhdon seanca e mbyllur, nesër do të jetë publike

    Gjykimi ndaj “Thaçit dhe të tjerëve”- Sot vazhdon seanca e mbyllur, nesër do të jetë publike

    Edhe sot në Speciale vazhdon procesi në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”, ndërsa dje është zhvilluar një tjetër seancë e mbyllur për publikun në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Dje dëshminë e ka vazhduar dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili është ballafaquar me pyetjet e ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve.

    Ndërkohë ZPS-ja ka paralajmëruar që edhe seanca e të martës do të jetë e mbyllur, ndërsa deri tash, katër dëshmitarë janë dëgjuar në seanca të mbyllura për publikun.

    Prokuroria ka thënë për ATV-në se të mërkurën seanca parashihet të jetë tërësisht publike.

  • Kievi sulmohet me breshëri raketash nga Rusia

    Kievi sulmohet me breshëri raketash nga Rusia

    Zyrtarët e Kievit raportuan një sulm ajror jashtëzakonisht të ashpër nga Rusia në orët e para të së martës, duke përfshirë përdorimin e dronëve dhe raketave. Ky shënon sulmin e tetë ajror në kryeqytetin ukrainas këtë muaj.

    Sipas një deklarate të postuar në aplikacionin e mesazheve Telegram, Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, e përshkroi sulmin e fundit ajror nga Rusia si të paprecedentë në intensitetin e tij, me numrin më të madh të raketave sulmuese të lëshuara për një kohë të shkurtë.

    “Sipas informacioneve paraprake, shumica dërrmuese e objektivave të armikut në hapësirën ajrore të Kievit u zbuluan dhe u shkatërruan”, tha Popko.

    Numri i objektivave të goditura dhe të shkatërruara gjatë sulmit ajror në Kiev nuk dihet për momentin.

    Rusia kishte pezulluar sulmet e saj me raketa me rreze të gjatë veprimi për disa javë, por rifilloi taktikën në fund të prillit, duke nisur sulme të shumta në ditët e fundit, me Kievin që ishte një objektiv i shpeshtë.

    Pavarësisht sulmeve, Ukraina i ka zmbrapsur me sukses shumicën e tyre.

    Sipas zyrtarëve, mbeturinat e raketave ranë në disa rrethe të Kievit, duke përfshirë Obolonski, Shevchenkivski, Solomyanski dhe Darnitski, të martën.

    Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko raportoi se mbeturinat që ranë dogjën shumë makina dhe shkaktuan dëmtime në një ndërtesë në lagjen Solomyanskyi në pjesën perëndimore të kryeqytetit.

    Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur tre persona.

    Sipas Klitschkos, një sulm me dron u zmbraps nga sistemet e mbrojtjes ajrore në jug të Borispilit.

    Borispil ndodhet në juglindje të Kievit dhe është shtëpia e aeroportit kryesor civil të kryeqytetit, i cili aktualisht është i mbyllur.

    Administrata ushtarake raportoi se dëmet në rrethet e tjera nuk ishin të mëdha dhe nuk kishte informacion të menjëhershëm për viktima të mundshme.

    Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan pothuajse në të gjithë vendin për më shumë se tre orë të martën, në Kiev dhe zonën përreth./REL/

  • Ambasadori i Francës: Nga marrëveshja e Brukselit palët përfitojnë shumë

    Ambasadori i Francës: Nga marrëveshja e Brukselit palët përfitojnë shumë

    Plani evropian është mundësi që nuk duhet humbur dhe se duhet zbatuar sa më parë, është thënë në tryezën e organizuar të hënën në Mitrovicë të Jugut, e ku morën pjesë ambasadorë, politikanë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, gjersa foli për ecurinë e dialogut, ka thënë se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është hap i rëndësishëm në dialog. Ai ka folur edhe për zgjedhjet në veri.

    “Rezultati i zgjedhjeve lokale shfaqi se sa komplekse është situata dhe se ekziston potenciali për t’u rritur tensionet në terren. Pra mënyra më e mirë për të përshkruar situatën është ‘e qetë, por e tensionuar’”, ka thënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se nga marrëveshja e Brukselit dhe ajo për planin e zbatimit të saj, e arritur në Ohër, palët përfitojnë shumë. E për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të veturave ai ka thënë se nuk është koha.

    “Ka elemente pozitive për të gjithë në marrëveshje, BE po e shikon nga afër zbatimin e marrëveshjes dhe do të ketë pasoja për palët jokonstruktive. Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi do të bëhet pjesë e marrëdhënieve të BE-së me Serbinë”, ka thënë ambasadori Guerot.

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kritikuar qasjen e Qeverisë në dialog.

    “Moszbatimi i Marrëveshjes së vitit 2013 e ka sjellë këtë situatë. Ne edhe shumicës së re, që i bëri dy vjet mandat, ia kemi rekomanduar që pa hezitim ta zbatojnë Marrëveshjen e vitit 2013”, është shprehur Haziri.

    E ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se serbët e Kosovës duhet të jenë më të përfshirë në vendimmarrje.

    “Çdo marrëveshje që çon në paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë, ne serbët e Kosovës e mbështesim. Serbët e Kosovës nuk kanë qenë të përfshirë në dialog, as nga Beogradi dhe as nga Prishtina”, ka bërë të ditur Nenad Rashiq.

    Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të serbëve në Kosovë, si Rada Trajkoviq, që gjendjen e serbëve të Kosovës e krahasoi me atë të shqiptarëve në vitet ’90, dhe Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i partisë Serbët e Kosovës, i cili akuzoi Listën Serbe se mban monopolin e jetës politike të serbëve.

  • “Asociacioni, të pagjeturit”, Krejt çfarë u diskutua dje në mes të Bislimit dhe Petkoviqit në Bruksel

    “Asociacioni, të pagjeturit”, Krejt çfarë u diskutua dje në mes të Bislimit dhe Petkoviqit në Bruksel

    Në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash.

    Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

    Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nga nenet nuk mund të kushtëzojnë nenet tjera dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumentin që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në ueb-faqen e tyre”, tha Bislimi në fund të takimit.

    Deri më tani nuk ka paralajmërime se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.

    Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.

    “Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejmë i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, e cila ndodh ndaj serbëve çdo ditë, sulmet e Policisë së Kosovës, të shtënat mbi serbët… për këto, Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete. Gjatë gjithë kohës, me ndërhyrje të ndryshme përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”, u tha Petkoviq gazetarëve.

    Ndërkaq, pas takimit Lajçak shkroi në Tëitter se me palët ka diskutuar për rrugën përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Sipas tij, takimi i 15 majit, synoi që të “qartësonte çështjet e hapura”.

    “Diskutimet do të vazhdojnë”, theksoi ai.

    Para takimit trepalësh, Lajçak zhvilloi takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin.

    Ky ishte takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

    Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

    Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.

    Duke folur për takimet në Prishtinë dhe Beograd, përfshirë edhe me kryeministrin kosovar Kurti, dhe presidentin serb Vuçiq, Lajçak tha se liderëve u ka përcjellë pritshmërinë për përqendrimin në normalizimin e raporteve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    “Nënvizova po ashtu rëndësinë që të evitohet çfarëdo lëvizje e pakoordinuar që mund të dëmtojë procesin”, ka shkruar Lajçak. Ndërkaq, duke iu referuar vizitës që zhvilloi në veri të Kosovës, ku ka biseduar për situatën aktuale, ai ka tërhequr vërejtjen se “ajo që kam dëgjuar, më ka shqetësuar”.

    “Prandaj ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, shkroi ai.

    Zyrtari i lartë evropian po ashtu është shprehur se pret nga Bislimi dhe Petkoviqi që të jenë të gatshëm të pajtohen për hapa konkretë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    BE-ja pret që pas takimit të së hënës të ketë edhe takime të grupeve punuese dhe të ekspertëve, por edhe të komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

    Palët tashmë kanë shprehur qëndrime të ndryshme rreth prioriteteve sa i përket zbatimit të pikave të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.

    Ekzekutivi kosovar insiston se duhet të zbatohen të gjitha pikat e marrëveshjes, por Beogradi këmbëngul që fillimisht të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

    Edhe BE-ja, sipas një zyrtari të lartë, është e mendimit që themelimi i Asociacionit është çështja kryesore që do të vendosë edhe fatin e tërë procesit dhe kjo çështje konsiderohet si prioriteti kryesor, edhe pse sipas Aneksit të marrëveshjes, të gjitha pikat formalisht duhet të kenë rëndësinë e njëjtë.

    Drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit, që u prezantua në Bruksel më 2 maj, u refuzua menjëherë nga Qeveria e Kosovës dhe ky refuzim ishte i pritshëm për BE-në.

    Kryeministri Kurti kishte prezantuar një vizion të tij për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, për të cilin tha se ishte frymëzuar nga marrëveshja e Kroacisë me Serbinë.

    Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip ka përfunduar mandatin me prezantimin e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit kosovar në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut. Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip – i përbërë nga katër anëtarë serbë – duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshjes për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore. /REL/