ATV

Category: Lajme

  • Veliaj thellon fitoren, 50 mijë vota më shumë se Këlliçi në Tiranë

    Veliaj thellon fitoren, 50 mijë vota më shumë se Këlliçi në Tiranë

    Në Bashkinë Tiranë nga 941 qendra votimi në total, deri më tani janë numëruar 823 prej tyre.

    Kandidati i PS, Erion Veliaj kryeson rezultatin e numërimit të votave me 54.30 % (137.886 vota).

    Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi e ndjek me 34.94 % (88.732 vota), me rreth 50 mijë vota pas Velajt.

    Ndërsa kandidatët e partive të tjera, konkretisht Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë ka marrë deri tani 4.80% të votave.

    Roland Bejko, kandidati i Partisë Demokatike me 4.27%.

    Nga ana tjetër Lajla Përnaska e PDIU me 0.74%, ndërsa Marko Dajti i Frontit të Majtë ka 0.95%.

  • Rama flet pas fitores së thellë: Ndihem i vogël përball hartës

    Rama flet pas fitores së thellë: Ndihem i vogël përball hartës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur mbrëmë pasi janë numëruar shumica e kutive të votimit atje, pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në 61 bashki të dielën.

    Rama tha se ndihet shumë i vogël përball hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve që vinë nga Partia Socialiste, transmeton Paparaci.

    “Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u fituar dhe unë vet ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë, nga Tropoja në Konispol. Kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo. Unë e kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër, për të nisur nga qyteti më i bekuar nga Zoti dhe më i keqtrajtuar nga robi, një tur falënderimi në të gjithë Shqipërinë”, tha ai.

    “Tanimë që shqiptarët i zgjodhën ata që dëshironin ne duhet të vazhdojmë pa humbur kohë punët që u ngadalësuan nga fushata jo vetëm në nivelin vendor, por dhe në nivelin e qeverisjes qendrore. Ndërkohë një grup pune do të përgatisë një raport të detajuar të leximit të votës mbi të cilin do të nisim punën për më tej”.

  • Erdogan: Turqia tregoi se është një prej vendeve me kulturat më të avancuara demokratike

    Erdogan: Turqia tregoi se është një prej vendeve me kulturat më të avancuara demokratike

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se me zgjedhjet e së dielës, me pjesëmarrjen e lartë të votuesve, Turqia tregoi se është një nga vendet e botës me kulturat më të avancuara demokratike.

    Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit, Erdogan theksoi se respekton vullnetin e popullit të manifestuar në kutitë e votimit, raporton Anadolu, transmeton Klan Kosova.

    “Fitues i zgjedhjeve të 14 majit është demokracia e vendit dhe kombi turk 85 milionësh”, tha presidenti turk.

    Siç theksoi ai, aleanca e tij do të dalë fituese nga gara e 28 majit duke tërhequr edhe më shumë vota.

    “Shpresojmë se do të arrijmë një sukses historik”, tha ai.

    Presidenti Erdogan tha se populli turk konfirmoi “besimin në ne dhe në aleancën tonë”, duke i dhënë “Aleancës së Popullit” një shumicë në parlamentin turk në zgjedhjet e së dielës.

    Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor (YSK), Ahmet Yener, duke njoftuar rezultatet e para jozyrtare, tha se në raundin e parë të votimit asnjë kandidat presidencial nuk arriti të kalonte pragun e kërkuar prej 50 për qind, me çka Erdogan, kandidat i përbashkët i Aleancës Popullore dhe Kemal Kılıçdaroglu, kandidati i cili u radhit i dyti, do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve më 28 maj.

    Yener njoftoi se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e djeshme ishte 88,92 për qind, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve turq jashtë vendit ishte 52,69 për qind.

    Ai po ashtu njoftoi se në zgjedhjet e djeshme Erdogan radhitet i pari duke fituar 49,51 për qind të votave, ndërsa Kılıçdaroglu fitoi 44,88 për qind të votave. Sinan Ogan nga Aleancës ATA mori 5,17 për qind, ndërsa Muharrem Ince, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në fund të javës së kaluar pasi fletëvotimet ishin shtypur, mori 0,44 për qind.

    Miliona votues iu drejtuan dje kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e vendit dhe 600 deputetët e parlamentit turk.

    Më shumë se 64,1 milionë njerëz kishin të drejtë vote, duke përfshirë mbi 1,76 milionë që votuan jashtë vendit dhe 4,9 milionë persona që votuan për herë të parë.

    Gjithsej 192.214 kuti votimi u vendosën për votuesit në vend.

    Çdo votues kishte mundësi të hedh dy vota, një për presidentin dhe një për 600 vendet e parlamentit, të cilët do të shërbejnë për një mandat 5-vjeçar.

  • ​Nisin përgatitjet për zbatimin e vendimit për heqjen e vizave

    ​Nisin përgatitjet për zbatimin e vendimit për heqjen e vizave

    Nga sot, liberalizimi i vizave për Kosovën është ligj i aplikueshëm në të gjithë zonën Schengen.

    Autoritetet kufitare të Bashkimit Evropian nga sot fillojnë përgatitjet e nevojshme për të siguruar se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, legjislacioni do të zbatohet në të gjitha pikë-kalimet kufitare.

    Këtë e ka bërë të ditur, drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha.

    “Nga sot liberalizimi i vizave për Kosovën është ligj i aplikueshëm në të gjithë zonën Shengen. Ndonëse praktikisht qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm drejt zonës Shengen nga 1 janari, nga sot autoritetet kufitare të BE-së fillojnë përgatitjet e nevojshme për të siguruar se nga 1 janari legjislacioni respektiv do të zbatohet në të gjitha pikë kalimet kufitare të zonës Shengen”, ka shkruar ai në Facebook.

    Kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.

    Vendimi për liberalizimin e vizave është miratuar javë më parë nga Parlamenti Evropian.

    Një ditë më vonë ai është nënshkruar, duke shënuar kështu fundin e procesit të gjatë të regjimit të vizave për kosovarët.

  • Rama: “Rruga A” është projekti më i madh i pasluftës në Prishtinë

    Rama: “Rruga A” është projekti më i madh i pasluftës në Prishtinë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se “Rruga A” e emëruar si rruga “Xhim Xhema” është projekti më i madh në Prishtinë që nga viti 1999.

    Në një intervistë në Libero me Resul Sinanin, në ATV i pari i kryeqytetit ka numëruar sukseset që ai ka arritur në vitin e tij të parë.

    “Projektet të cilat kanë stagnuar me dekada si Rruga A, “Xhim Xhema”, ne për këtë kohë të shkurtër e kemi bërë projektin dhe kemi filluar punën. Ai është projekti më i madh i pasluftës në kryeqytet, është në e arritur shumë e madhe”, ka thënë Rama.

    Ai ka shtuar se vitin e kaluar ka qenë i stagnuar për shkak të projekteve që kanë mbetur nga qeverisja e kaluar.

     

  • Lajçaku deklarohet pas takimeve në Bruksel: Diskutuam për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit

    Lajçaku deklarohet pas takimeve në Bruksel: Diskutuam për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar pas takimit trepalësh të mbajtur sot në Bruksel.

    Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se është diskutuar për mënyrat e zbatimit të marrëveshjes së 27 shkurtit, derisa ka shtuar se diskutimet do të vazhdojnë.

    “Kam pritur sot në Bruksel kryenegociatorin e Kosovës në dialog, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq për në raund tjetër të bisedimeve në kuadër të Dialogut. Diskutuam rrugën para për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe synuam të qartësojmë pyetjet e hapura. Diskutimet do të vazhdojnë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

    Ndryshe, në Bruksel është mbajtur sot rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash.

    Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

    Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Kosovën.

  • Bislimi: Petkoviqit nuk i intereson Kushtetuta e Kosovës,  më tha “e duam Asociacionin siç e kemi marrë nga Isa Mustafa”

    Bislimi: Petkoviqit nuk i intereson Kushtetuta e Kosovës, më tha “e duam Asociacionin siç e kemi marrë nga Isa Mustafa”

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, qëndroi ditën e sotme në Bruksel ku mori pjesë në takimet e zhvilluara në kuadër të procesit të dialogut.

    Pas përfundimit të takimeve, i pyetur nga gazetarët, zëvendëskryeministri Bislimi tha se rezultate as nuk është dashur të priten sot.

    Bislimi tha se nga pala serbe është thënë se nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës e as letra e Mogherini-t, por vetëm zbatimi i Asociacionit që kanë marrë nga Isa Mustafa në vitin 2015.

    “Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherinit, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga Isa Mustafa në vitin 2015 dhe Petkoviq edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne asociacionin.’’

    Mbi takimet e radhës dhe vijimësinë e procesit, zëvendëskryeministri Bislimi tha se nuk dihet  se si do të ecet tutje.

    “Mendoj që Grupi Monitorues nuk mund të takohet pa u dakorduar për termat e referencës. Kjo vlen edhe për Grupin Punues, apo Komitetin e Përbashkët për Personat e Pagjetur. Në draftin e dërguar nga  Lajcak thuhet që takimi i parë i Komitetit të Përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Pagjetur duhet të realizohet brenda 60 ditëve, që nënkupton jo më larg se fillim apo mesi i muajit korrik”.

    “Tash data 28 maj për ne nuk përbën kurrfarë date për të cilën duhet të brengosemi, për arsye se kemi pas një proces demokratik dhe është shumë normale që ky proces demokratik të finalizohet me aktin e emërimit dhe dhënies së betimit nga kryetarët aktual”.

    Bislimi thotë se ka njoftuar BE-në për disa probleme të shfaqura në veri të Mitrovicës.

    “Ne kemi informuar Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak.’’

    ‘’Unë kam frikë se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet. Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë.’’ përfundoi zëvendëskryeministri Bislimi.

  • Gjermania, e shqetësuar për ndikimin direkt rus në veri të Kosovës

    Gjermania, e shqetësuar për ndikimin direkt rus në veri të Kosovës

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Përfaqësuesi i Posaçëm i Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, shprehu shqetësimin e Gjermanisë për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Në një intervistë për gazetën “Welt”, ai tha se Rusia ka shtrirë ndikim direkt në veri të Kosovës. Referuar asociacionit të komunave me shumicë serbe, Sarrazin tha se pavarësisht që ende s’ka pajtim të palëve për të, për herë të parë, në tavolinë ka koncepte që po diskutohen.

    Gjermania beson se Rusia ka shtrirë ndikimin e saj direkt në pjesën veriore të Kosovës, në kuadrin e qëllimeve të saj për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe për të penguar integrimin evropian.

    Shqetësimet për këtë, i shprehu Përfaqësuesi i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë për gazetën “Welt”.

    “Është relativisht e qartë se Rusia nuk ka interes për paqe. Jo për ta mbështetur Serbinë, por thjesht për ta mbajtur BE-në të zënë me konfliktin dhe për ta minuar të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, duhet pasur kujdes me interpretimin: Nga njëra anë, dëgjojmë se ndikimi rus, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut, tani vjen drejtpërdrejt nga Moska, pra jo më nëpërmjet palëve të treta. Nga ana tjetër, ky mund të jetë edhe një justifikim i mirë për qeverinë serbe, sepse ajo pastaj mund të thotë: Ne nuk kemi të bëjmë asgjë me të, ishin rusët. Është pak si ”Macja e Shrodingerit”. Rusia është tashmë në të. Por, sa shumë apo sa pak, nuk mund të dëshmosh në fund”.

    Ai foli edhe për rritjen e nivelit të propagandës ruse në Serbi dhe investimet që Rusia ka bërë në disa personalitete në Ballkanin Perëndimor.

    Ndërsa, përmendi si problem faktin se, siç u shpreh, disa akterë politikë në Serbi nuk po zotohen për të ardhmen evropiane, pasi po presin të shohin se si do të përfundojë lufta në Ukrainë.

    Me gjithë pengesat dhe vështirësitë, Sarrazin sheh lëvizje lidhur me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “Mund të mos ketë ende marrëveshje ndërmjet palëve për këtë çështje, por, të paktën, për herë të parë, ka koncepte në tryezë për atë se si mund të pajtohen interesat serbe dhe aftësia e Kosovës për të vepruar si shtet. Deri më tani, ky ka qenë vetëm një debat teorik. Nëse arrijmë të futemi në një proces pozitiv dhe të ndërtojmë besim të ndërsjellë se vërtet duam zgjidhje – atëherë mund të arrijmë shumë larg”.

    Megjithatë, emisari gjerman theksoi sërish rëndësinë e zbatimit nga Kosova dhe Serbia të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i katërt ka dhënë dëshminë në seancë të mbyllur

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i katërt ka dhënë dëshminë në seancë të mbyllur

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Një tjetër seancë e mbyllur për publikun është zhvilluar në Dhomat e Specializuara në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshminë e ka vazhduar dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Derisa, shoqëria civile ka treguar pse ndërmerren këto masa, duke theksuar edhe rëndësinë e transparencës. ZPS-ja ka paralajmëruar që edhe seanca e të martës do të jetë e mbyllur, ndërsa për të mërkurën është paraparë të jetë publike.

    Në një seancë të mbyllur për publikun, të hënën dëshmitari i katërt ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar është ballafaquar me pyetjet e ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve.

    Për palët në procedurë, sipas monitoruesve, është normale mbajtja e seancave të mbyllura për publikun, i cili dëshiron më shumë transparencë.

    Kryesisht në seancat e ndjeshme kur Prokuroria apo dëshmitarët kanë kërkuar të merren masa mbrojtëse ndaj tij. Sa i përket pjesës së redaktuar është normale për palët në procedurë, por për neve monitoruesit është sfidë.

    Seancat mund të mbyllen në këtë rast edhe për shkak të dëshmive të rëndësishme, sipas ish-prokurorit në Tribunalin e Hagës, Geoffrey Nice.

    “Me sa e di, të gjitha dëshmitë deri më tani janë dhënë në seanca të mbyllura. Kush e di pse? Ndoshta sepse kishte diçka shumë të rëndësishme dhe të fortë, apo ndoshta për ndonjë arsye tjetër?

    Gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, dhe Rexhep Selimit nisi në prill të këtij viti.

    Deri tash katër dëshmitarë janë dëgjuar në seanca të mbyllura për publikun.

    Prokuroria ka thënë për ATV-në se të mërkurën seanca parashihet të jetë tërësisht publike.

  • Vilat në tokë të shtetit, në Stankaj të Rugovës

    Vilat në tokë të shtetit, në Stankaj të Rugovës

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI 

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka ngritur shqetësimin se prokuroria nuk po i trajton si duhet rastet me pronat e uzurpuara të shtetit, në Stankaj të Rugovës, në të cilat janë ndërtuar vila.

    ATV-ja ka siguruar dosjen e plotë me detaje se si janë uzurpuar parcelat për 26 vila të banimit, në tokat që i takojnë Institutit Bujqësor të Kosovës.

    Shtatë muaj më parë, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit kishte denoncuar publikisht uzurpimet në Stankaj të Rugovës. Meqenëse nuk pati reagim për këto denoncime, ai vendosi që pyetjen se në pronësi të kujt janë vilat, ta bëjë përmes rrjetit social, Facebook, duke publikuar edhe fotografi.

    Por në fotografi nuk janë paraqitur të gjitha vilat. ATV-ja ka siguruar dosjen e plotë të pronave të uzurpuara në këtë pjesë të bjeshkëve të Rugovës, të cilat i takojnë Institutit Bujqësor në Pejë.

    Ministria e Bujqësisë, në vitin 2022, kishte bërë një hulumtim, të cilin e posedon ATV-ja, sipas të cilit shihet se numri total i parcelave të uzurpuara në Stankaj është 41, me një sipërfaqe prej 90 hektarësh.

    Pjesa më e madhe e sipërfaqes janë prona të lira, pa degradime e eksploatime. Një pjesë e madhe e sipërfaqes është e mbjellë me pisha ku ka kullosa. Ndërkaq, në disa parcela ka të ndërtuara objekte – vila banimi.

    Në këtë sipërfaqe janë të ndërtuara 26 vila banimi.

    Megjithatë, në bazë të fotografive të bashkëngjitura duket se uzurpatorët e kanë menduar mirë vendin se ku t’i ndërtojë ato.

    Të gjitha vilat janë ndërtuar në afërsi të rrugës që lidh fshatrat, për t’iu dhënë qasje më të lehtë.

    Për secilën prej tyre janë bërë fotografi e janë nxjerrë dokumente të pronësisë.

    Por, në bazë të gjetjeve nuk është evidentuar se kush janë uzurpatorët e tyre.

    Lidhur me denoncimin e ministrit Faton Peci, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka shpjeguar se lidhur me rastin kanë autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e informatave dhe se prokuroria që nga fillimi është marrë me këtë çështje.

    Sipas tij, Prokuroria ka hetuar edhe ndërtimet e tjera dhe jo vetëm ato ndërtime që janë në tokë të shtetit.