ATV

Category: Lajme

  • Erion Veliaj e fiton mandatin e tretë në Tiranë

    Erion Veliaj e fiton mandatin e tretë në Tiranë

    Ka përfunduar numërimi i votave për Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku aktual Erion Veliaj, është konfirmuar për mandatin e tretë.

    Ai e mposhti bindshëm kundërshtarin e tij të “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi.

    Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, i ka fituar 158 mijë e 688 vota, derisa Këlliçi mori 100 mijë e 351 vota.

    Diferenca mes kandidatit të Partisë Socialiste dhe atij të “Bashkë Fitojmë”, është 58 mijë e 337 vota.

    Ndërkaq kandidatët e tjerë, Arlind Qori nga ”Lëvizja Bashkë” është renditur I treti më 13 mijë e 835 vota.I katërti është Roland Bejko, nga Partia Demokratike nuk ka marrë më shumë se vendi i katërt me 12 mijë e 388.

    Nga ana tjetër Lalja Pernaska e PDIU ka marrë 2 mijë e 104 vota, ndërsa Marko Dajti nga “Fronti i Majtë” ka siguruar 2 mijë e 807 vota.

  • Nga 206 premtime, Përparim Rama e çon numrin në 500 – këto janë projektet që prekin qytetarët e kryeqytetit

    Nga 206 premtime, Përparim Rama e çon numrin në 500 – këto janë projektet që prekin qytetarët e kryeqytetit

    Janë bërë një vit e gjysmë që nga ardhja e Përparim Ramës në krye të Prishtinës.

    Sipas raportit të Institutit GAP i cili monitoron dhe mbikëqyr premtimet e dhëna nga kryetarët e komunave (të përditësuara në fund të qershorit, 2022), thuhet se Përparim Rama ka bërë gjithsej 206 premtime, 7 janë të përfunduara, 12 gjysmë të përmbushura, 38 të filluara, 149 nuk kanë filluar.

    Ndërsa, në raportin vjetor të punës një vjeçare (më 7 dhjetor), sipas komunës, janë përmbushur 30 premtime. 24 prej tyre janë gjysmë të përmbushura, 3 pjesërisht të përmbushura, 110 të filluara dhe vetëm 38 prej tyre nuk kanë filluar ende.

    Se çka ka bërë qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë deri tani, çfarë ka filluar të bëj dhe çfarë do të bëhet në vazhdimësi, të hënën në emisionin “LIBERO” ishte i ftuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

    “…Ne përveç atyre 206 premtimeve jemi duke i bërë të mundshme dhe duke i realizuar (me siguri) edhe 500-600 të tjera (po i bëjmë) që nuk janë aty. Janë një numër i madh i tyre që veçse po i bëjmë…”, deklaroi Rama.

    Gjithashtu, ai përmendi disa projekte që kanë filluar të realizohen jashtë premtimeve të bëra.

    “…Kemi zgjeruar Termokosin, 30 mijë banorë shtesë kanë qasje në Termokos… Në vend të shtatë shkollave, po i bëjmë dhjetë. Jemi duke e bërë një numër të madh të çerdheve po ashtu… Por, edhe të gjitha premtimet që i kam bërë do të realizohen, disa janë realizuar mirë dhe shpejt, ndërsa disa të tjera kërkojnë planifikim…”, theksoi ai.

    Vlen të theksohet se në planprogramin e Ramës për katër vjetët qeverisje figuron ndërtimi i rrugëve, objekteve shkollore, çerdheve, qendrave të mjekësisë familjare, galerisë së qytetit, strehimoreve për qentë endacakë e projekte të tjera.

    Për të mësuar më shumë rreth punëve që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në Prishtinë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Një grua në Pejë raportoi se u ngacmua seksualisht nga vjehrri i saj

    Një grua në Pejë raportoi se u ngacmua seksualisht nga vjehrri i saj

    Vjehrri dyshohet se ka ngacmuar seksualisht renë e tij në Pejë me datën 11 maj, ndërsa viktima e ka raportuar rastin në polici ditën e hënë (15 maj).

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.

    “Është iniciuar rast ndaj tij, nën dyshimin se ka kryer veprën “Ngacmim seksual”, tha Nikçi.

    Rasti është përfshirë edhe në raportin 24-orësh të policisë.

    “NGACMIM SEKSUAL/Pejë 11.05.2023-09:00. Me datë 15.05.2023 viktima femër kosovare ka njoftuar policinë se është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Mehaj priti në takim ambasadorin turk, diskutuan për thellim bashkëpunimi

    Mehaj priti në takim ambasadorin turk, diskutuan për thellim bashkëpunimi

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angili.

    Mehaj, përmes një postimi në Facebook, tha se me ambasadorin turk biseduan për thellim bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Turqisë në fushën e arsimimit të kuadrove të reja ushtarake.

    “Sot kam pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë, Sabri Tunç Angili. Në këtë takim trajtuam çështje të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me theks të veçantë bashkëpunimit në fushën e arsimimit të kuadrove të reja dhe trajnimeve ushtarake”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

    Mehaj tha se në vazhdimësi Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet në aspektin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, në këtë aspekt padyshim rol të rëndësishëm kanë partnerët strategjikë të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe Turqia.

  • Kurti: Zhdukja e Ukshin Hotit, krim i pazbardhur i Serbisë

    Kurti: Zhdukja e Ukshin Hotit, krim i pazbardhur i Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zhdukja e veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti është krim i pazbardhur i Serbisë.

    Duke kujtuar jetën dhe veprimtarinë e profesorit të së drejtës ndërkombëtare në 24-vjetorin e zhdukjes, Kurti tha se Ukshin Hoti mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij.

    “Zhdukja e tij është është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb ‘Patkoi’ për shfarosjen e shqiptarëve. Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, ka shkruar Kurti në rrjete sociale.

    Ai ka thënë se qeveria që e udhëheq nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe për të gjitha krimet e kryera nga Serbia.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia. Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij. Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”, ka përfunduar Kurti.

    Pas torturave që i përjetoi si i burgosur politik nga regjimi serb, atdhetari dhe intelektuali Ukshin Hoti u lirua nga burgu në mes të luftës. Më 16 maj 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës, ai u zhduk.

  • Aksion për largimin e shitësve ilegal në kryeqytet, Rama: I kemi shpall luftë ilegalitetit

    Aksion për largimin e shitësve ilegal në kryeqytet, Rama: I kemi shpall luftë ilegalitetit

    Inspektorati i komunës së Prishtinës, të martën ka nis një aksion për largimin e shitësve ilegalë afër Stacionit të Trenit në kryeqytet.

    I pranishëm në këtë aksion ishte kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili tha se kjo hapësirë e cila ka qenë e uzurpuar për më shumë se dy dekada po lirohet tani.

    Sipas kryetarit Rama, në këtë hapësirë do të ndërtohet një park që do të shfrytëzohet nga qytetarët.

    Ai tha se si komunë i kanë shpallur luftë ilegalitetit.

    Ndërsa, drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Florian Dushi tha se tashmë kjo hapësirë po lirohet, ndërsa për një pjesë të objekteve që ndodhen në afërsi do t’i shikojnë mundësitë pasi janë në pronësi të hekurudhës së Kosovës.

  • Kurti thotë se nuk kanë marrë raport nga BE për shkeljet e marrëveshjes nga Serbia: Zbatimi të jetë pa kushte

    Kurti thotë se nuk kanë marrë raport nga BE për shkeljet e marrëveshjes nga Serbia: Zbatimi të jetë pa kushte

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ende nuk ka marrë raport nga Bashkimi Evropian (BE) mbi denoncimet e Kosovës për shkeljet e marrëveshjes nga ana e Serbisë, raporton Ekonomia Online.

    Kreu i Qeverisë, ka thënë se pala kosovare është e interesuar të zbatohet në tërësi marrëveshja, por që jo vetëm neni 7.

    Sipas tij, formimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes, por nuk është vet marrëveshja, duke shtuar se duan një plan i cili është i hollësishëm, konkretë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës.

    “Në takimin e 2 majit të nivelit të lartë, unë i kam dorëzuar një dokument me të gjitha shkeljet e Serbisë edhe të marrëveshjes bazike të 27 shkurtit në Bruksel, por edhe të marrëveshjes së Ohrit, mirëpo deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim të denoncimit tonë mbi shkeljet e Serbisë”.

    “Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë e të menjëhershëm të marrëveshjes, pra pa kushte dhe pa vonesa. Pra është problemi te pala tjetër e cila nga pesë pikat e preambulës dhe 10-të nenet e marrëveshjes, ajo dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm tek neni 7”.

    “Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por neni 7 nuk është marrëveshja dhe këtë gjë zëvendëskryeministri Bislimi e ka bërë të qartë mbrëmë në Bruksel dhe gjithashtu kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkretë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit të sekuencuar për marrëveshjen që e kemi bërë vetëm në neni 7”, u shpreh Kurti.

  • Mandl: Kosova ka orientim drejt Evropës

    Mandl: Kosova ka orientim drejt Evropës

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, se tha se Populli i Kosovës ka orientim drejt Evropës.

    Këto komente ai i bëri në ceremoninë e Themelimit të Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, raporton Ekonomia Online.

    Mandl falënderoi shoqërinë civile, që sipas tij ka kontribuuar në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve derisa potencoi se të gjithë duhet të punojnë më shumë për qytetarët.

    Në këtë ngjarje ka marrë pjesë presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, akterë të tjerë politikë, ambasadorë të huaj, deputetë austriakë e përfaqësues të shteteve tjera.

  • Zhduket një e mitur në Klinë

    Zhduket një e mitur në Klinë

    Një vajzë është zhdukur në Klinë dhe për pasojë familja nuk di asgjë për të që nga e shtuna.

    Në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rastin e ka raportuar motra e saj, shtetase e Shqipërisë.

    “Klinë 13.05.2023-NN. Me datë 15.05.2023 ankuesja femër Shqiptare, shtetase e Shqipërisë, ka njoftuar policinë se motra e saj e mitur, ka dalë nga shtëpia ku jeton dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin 24-orësh.

    Bëhet e ditur se rasti është nën hetime.

  • Veriu, sfidë edhe për regjistrimin e popullsisë

    Veriu, sfidë edhe për regjistrimin e popullsisë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se regjistrimi i popullsisë ndryshe nga komunat e tjera në vend, në pjesën veriore të Kosovës do të jetë sfidë, për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave.

    Ushtrues i detyrës së kryeshefit kryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha derisa tregon për ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë, thekson për KosovaPress se për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri nuk janë bërë propozimet e anëtareve të komisionit me kohë, dhe kjo ka pamundësuar që të krijohen komisionet komunale të cilat sipas Ligjit duhet të jenë aktive gjashtë muaj para datës së regjistrimit.

    Kryetarët e katër komunave veriore patën dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, derisa zgjedhjet në këto komuna ishin shtyrë deri në prill të këtij viti, dhe kryetarët e rinj nuk janë betuar ende.

    “Aktualisht, ASK i ka kryer të gjitha aktivitetet, mirëpo situata në katër komunat veriore të Kosovës ka bërë që ne duhet ta amandamentojmë Ligjin për regjistrimin e popullsisë, pasi në ligj parashihet që gjashtë muaj para datës së regjistrimit të popullsisë duhet që kryetari i komunës të bëjë propozimin e anëtarëve të komisionit komunal të regjistrimit, pasi në këto katër komuna kanë dhënë dorëheqje më herët kryetaret e komunave dhe nuk janë propozimet me kohë të jemi në përputhje me ligjin për regjistrimin e popullsisë”, thotë Berisha.

    Berisha thotë se ligji shumë shpejtë do të dërgohet për amandamentim në mënyrë që të krijohen komisionet në këto katër komuna.

    “Konsiderojmë se ligji shumë shpejtë do të dërgohet për amandamentim që do t’i parasheh rastet që këta gjashtë muaj nuk vlejnë për zgjedhjet lokale, sepse në ligj parashihet që gjashtë muaj para regjistrimit nuk duhet të ketë as zgjedhje lokale dhe zgjedhje qendrore, dhe ne kishim zgjedhjet lokale në katër komunat. Tash ligji duhet ta amandamentohet që në përjashtime kryetarët e komunave ose në rastet ku ndonjë komunë e zgjedh ndonjë kryetar tjetër, do të thotë në zgjedhje tjera, atëherë mund të ketë përjashtime dhe do të amandamantohet që të jemi në përputhje me ligjin që të krijohen komisionet komunale edhe në këto katër komuna të Kosovës të cilat ende nuk i kanë krijuar. Ndryshe, komunat tjera kryetarët i komunave i kanë propozuar komisionet, dhe kryesuesi i komisionit qendror me vendim i ka themeluar të gjitha komisionet për regjistrimin e popullsisë”, thotë mes tjerash Berisha.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë parashihet të nis më 1 shtator të këtij viti i cili do të zgjasë deri më 16 tetor.