ATV

Category: Lajme

  • Mustafa: PDK ka iniciuar ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronë, rritja e barrës tatimore po i varfëron qytetarët

    Mustafa: PDK ka iniciuar ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronë, rritja e barrës tatimore po i varfëron qytetarët

    Koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa përmes një konference për media ka njoftuar se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka inicuar në Kuvendin e Kosovës ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, raporton Ekonomia Online.

    Mustafa tha se kjo nismë është ndërmarrë pas dyfishimit të faturave të tatimit në pronë për vitin 2023 për pjesën më të madhe të qytetarëve të Kosovës.

    “Kjo rritje e barrës tatimore erdhi në kohën kur mirëqenia e qytetarëve u rëndua së tepërmi për shkak të rritjes së çmimeve. Pra, në kushtet kur norma e rritjes së çmimeve arriti nivele të papara në historinë e re të Kosovës, ndërsa të ardhurat e qytetarëve mbetën përgjithësisht të pandryshuara dhe shumë familje rrezikojnë të lëvizin drejt pragut të varfërisë, është absolutisht e papranueshme që qytetarët të rëndohen edhe më shumë nga rritja e tatimit në pronë”, theksoi ai.

    Në Projektligjin e inicuar nga Grupit Parlamentar i PDK-së, është propozuar pezullimi për një vit i vlerësimit të pronave që është bërë në vitin 2022 nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në mënyrë që tatimi në pronë të mos rritet në këto kushte të rënduara ekonomike. PDK fton të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin këtë Projektligj.

    “Ky ndryshim dhe plotësim i Ligjit 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme do të mundësojë aplikimin e vlerësimeve të pronave dhe faturave tatimore që kanë qenë deri në vitin 2022. Gjithashtu, është propozuar që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të organizojë një proces të ri vlerësimi të pronave të paluajtshme. Vlerësimi i ri i pronave duhet të mbështetet në një proces profesional dhe transparent, ku qytetarët dhe komunat do t’i kenë të qarta metodologjinë dhe kriteret mbi të cilat është bazuar vlerësimi i ri pronave. Po ashtu, përmes kësaj nisme ligjore, kemi propozuar që të obligohet Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që brenda një viti të propozoj amandamentimet e nevojshme ligjore me të cilat ndryshohet pragu i poshtëm prej 0.15% i përcaktuar në nenin 9 të ligjit bazë, në mënyrë që t’ju mundësohet më tepër fleksibilitet komunave që të bëjnë përshtatjen e normave të tatimit në pronë sipas rrethanave ekonomike. Prandaj, ftojmë deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i japin mbështetje këtij projektligji”, shtoi ai.

    Mustafa i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për vlerësim pozitiv sa i përket kësaj nisme ligjore të Grupit Parlamentar të PDK-së dhe kjo çështje të adresohet sa më shpejtë që është e mundur, raporton EO.

    “Mbështetja e këtij projektligji do të krijojë sado pak lehtësi për qytetarët e vendit që po ballafaqohen me mirëqenie të rënduar dhe do t’i japë mundësi një procesi të ri të vlerësimit të pronave, të bazuar në transparencë dhe në një përfshirje më të gjerë të palëve relevante për vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Çdo tentativë tjetër për të zhvendosur vëmendjen nga ngarkesa e panevojshme që i është vënë qytetarëve të vendit, sikur tendenca për t’i bartur komunave përgjegjësinë e faljes ose jo të 100 eurove, paraqet vetëm një vazhdim të përpjekjeve për manipulim me publikun dhe ikje nga përgjegjësia e veprimeve të palogjikshme dhe të pamatura politike. Kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme, jo të bazuar në hapa ad-hoc siç po vepron Qeveria me projektligjin aktual. Pra, një zgjidhje të strukturuar dhe në favor të qytetarëve të Kosovës”, tha Arben Mustafa.

  • Arrestohen pesë persona në Prishtinë – u sekuestrohen armë dhe substanca narkotike

    Arrestohen pesë persona në Prishtinë – u sekuestrohen armë dhe substanca narkotike

    Policia e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se ka arrestuar pesë persona të dyshuar për posedim të substancave narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

    Sipas njoftimit, të njëjtëve u është sekuestruar një armë zjarri, një thikë dhe substanca të dyshuara narkotike.

    “Nga njësite policore në dy lokacione të ndara, janë shoqëruar pesë persona të dyshuar, derisa policia po kryente kontrolle rutinë, të automjeteve”, thuhet në njoftimin për media.

    Në rastin e parë në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, nga zyrtarët policorë është shoqëruar një person i dyshuar, të cilit i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe shtatë fishekë.

    Ndërsa në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj, është ndaluar një automjet nga njësiti i trafikut, ku janë shoqëruar në stacion policor katër persona, të cilëve policia u ka gjetur dhe sekuestruar dy kavanozë me substancë të dyshuar narkotike (marihuanë), një thikë etj.

    “Pas intervistimit të personave të dyshuar, në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj tyre janë iniciuar raste për posedim i paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge dhe armëmbajtje pa leje”, bëhet e ditur tutje.

  • Hovenier: Kryetarët e rinj në veri të marrin rol teknik dhe jo politik – çdo aktivitet kriminal ndaj tyre do të përballet me dënim të ashpër nga ShBA-ja

    Hovenier: Kryetarët e rinj në veri të marrin rol teknik dhe jo politik – çdo aktivitet kriminal ndaj tyre do të përballet me dënim të ashpër nga ShBA-ja

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë për Telegrafin ka folur për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, pak para se të marrin zyrtarisht detyrën e tyre katër kryetarët e rinj të zgjedhur.

    Në këtë intervistë diplomati amerikan ka folur për rëndësinë e zgjedhjeve në Mitrovicë të veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, për pjesëmarrjen e ulët të qytetareve, por edhe për atë se çka presin Shtetet e Bashkuara në të ardhmen.

    Ai ka thënë se “zgjedhjet e mbajtura më 23 prill ishin konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”.

    “Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’.

    Sipas tij, çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët.

  • Vela: Grupet kriminale në Veri po bëjnë lista për t’i çuar serbët në tubimin e Vuçiqit në Beograd

    Vela: Grupet kriminale në Veri po bëjnë lista për t’i çuar serbët në tubimin e Vuçiqit në Beograd

    Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se grupet kriminale serbe po përgatisin lista për t’i çuar serbët e Kosovës në tubimin e 26 majit në Beograd të cilin e organizon pushteti i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    Përmes një postimi në Twitter, Vela ka treguar për format të cilat po i përdorin grupet kriminale.

  • Ministri Sveçla flet për tri aksionet e sotme policore

    Ministri Sveçla flet për tri aksionet e sotme policore

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka informuar se që nga mëngjesi i hershëm janë duke u zhvilluar tri aksione nga drejtori të ndryshme të Policisë së Kosovës.

    Sveçla ka potencuar se krimet ekonomike kanë zhvilluar aksion në Ndërmarrjen Publike Banesore, Krimet e Rënda janë duke zhvilluar aksione kundër fajdeve dhe Krimet Kibernetike për mashtrimet me kartela bankare.

    “Angazhimi ndaj çdo lloj krimi do të intensifikohet, përgëzoj Departamentin e Hetimeve për secilin rezultat të arritur”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se janë bastisur shtëpi e lokale në Prishtinë e Podujevë, me ç’rast janë ndaluar katër persona. Ndërsa, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi ka konfirmuar lajmin për KosovaPress për bastisje në Ndërmarrjen Publike Banesore.

  • Bashkimi Evropian i rekomandon Kosovës të reformojë sektorin e energjisë

    Bashkimi Evropian i rekomandon Kosovës të reformojë sektorin e energjisë

    Kosova dhe Bashkimi Evropian miratojnë udhëzimet e përbashkëta të politikave ekonomike në takimin vjetor të dialogut ekonomik dhe financiar të Këshillit të BE-së.

    Në këtë takim është shqyrtua edhe Programi i Reformës Ekonomike të Kosovës 2023-2025. Megjithatë, për sa i përket qëndrueshmërisë ekonomike dhe nxitjes së rritjes gjithëpërfshirëse, është thënë se Kosova duhet të reformojë sektorin e energjisë për të përmirësuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike dhe tranzicionin drejt burimeve të ripërtrishme.

    Po ashtu sipas njoftimit të kësaj ministrie, Kosova gjithashtu duhet të vazhdojë të trajtojë informalitetin në ekonomi, të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe konkurrencën në sektorin privat

    Derisa në kuadër të performancës ekonomike është vërejtur që rimëkëmbja ekonomike e Kosovës në vitin 2022 ka qenë e moderuar, si rezultat i rënies së investimeve dhe konsumit familjar dhe për shkak të presioneve inflacionare që rrjedhin nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

    “Sipas këtij raporti, aktiviteti ekonomik në Kosovë përgjatë vitit 2022 u nxit nga mbështetja e konsiderueshme e Qeverisë për të zbutur ndikimin e krizës energjetike. Megjithatë u theksua se vendi duhet të marrë parasysh rreziqet ekonomike në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës, veçanërisht lidhur me çmimet e ushqimeve dhe energjisë, si dhe dinamikën tregtare me partnerët kryesorë tregtarë. Diskutimet u fokusuan edhe në zbatimin efektiv të reformave strukturore për të nxitur rimëkëmbje të qëndrueshme, duke mbështetur politikat e qëndrueshme makroekonomike dhe fiskale”, thuhet në komunikatë.

    Në këtë kontekst, sipas njoftimit u nënvizua se mbledhja e taksave në Kosovë ka pasur rritje dyshifrore për shkak të luftimit të ekonomisë joformale dhe inflacionit, ndërsa u theksua edhe nevoja për reformimin e sistemit të sigurimeve shoqërore.

    “Për sa i përket qëndrueshmërisë ekonomike dhe nxitjes së rritjes gjithëpërfshirëse, Kosova u tha se duhet të reformojë sektorin e energjisë për të përmirësuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike dhe tranzicionin drejt burimeve të ripërtrishme. Kosova gjithashtu u tha se duhet të vazhdojë të trajtojë informalitetin në ekonomi, të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe konkurrencën në sektorin privat”, thuhet në komunikatë.

    Më tej në njoftim thuhet se së fundi, Kosova është zotuar për zbatimin e Skemës së Garancisë Rinore dhe përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e sistemit arsimor për të rritur punësimin dhe për të zbutur mospërputhjet e shkathtësive në tregun e punës u theksua se duhet të vazhdojnë.

    Në kuadër të këtij takimi, përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë kanë diskutuar tdje lidhur me Programet e tyre të Reformës Ekonomike (PRE) me përfaqësuesit e shteteve anëtarë të BE-së, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane në takimin vjetor të dialogut të politikave ekonomike dhe financiare në Bruksel.

    Takimi rezultoi në marrëveshjen e përbashkët të gjashtë pikave specifike udhëzuese të politikave ekonomike që do të zbatohen nga partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë përgjatë vitit të ardhshëm. Takimi u përqendrua në sfidat kryesore socio-ekonomike të krijuara nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe kriza humanitare në Turqi e krijuar pas tërmetit të 6 shkurtit 2023.

    Përfaqësuesit ritheksuan rëndësinë e dialogut të përbashkët politik për çështjet ekonomike dhe financiare, si dhe u dakorduan që të ndërmarrin masat e nevojshme për të zbutur ndikimin e mëtejmë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke ruajtur kështu qëndrueshmërinë fiskale.

    Të gjitha vendet kandidate dhe kandidatët potencialë në Bashkimin Evropian paraqesin Programet vjetore të Reformës Ekonomike (PRE) në Komisionin Evropian, të cilat përmbajnë projeksione afatmesme makroekonomike. Këto programe miratohen me udhëzime politikash specifike për secilin vend, të cilat rrjedhin nga prioritet e politikave ekonomike për 12 muajt në vijim.

  • Dy të vdekur dhe katër të zhdukur nga shirat e rrëmbyer në veri të Italisë

    Dy të vdekur dhe katër të zhdukur nga shirat e rrëmbyer në veri të Italisë

    Dy persona kanë vdekur dhe të paktën katër rezultojnë të zhdukur, pas shirave të rrëmbyer që përfshinë veriun e Italisë.

    Një burrë në Forli u gjet i pajetë dhe një tjetër humbi jetën në Ronta di Çezena.

    Viktima e parë ka ndërruar jetë, ndoshta i mbytur, në katin përdhes të shtëpisë, pranë brigjeve të lumit Montone, ku jetonte me bashkëshorten. Ajo u shpëtua nga ekipet e shpëtimit dhe tha se ai kishte mbetur në katin përdhes, ku u gjet i pajetë,s hkruan ANSA.

    I dyti, një burrë rreth të 70-tave, humbi jetën për shkak të përmbytjes së lumit Savio dhe reshjeve të dendura që kanë goditur rajonin që prej ditës së djeshme.

    E zhdukur rezulton bashkëshortja e tij.

    Në total, të paktën katër persona janë të zhdukur në provincën e Forli-Çezena.

    Sipas asaj që mësohet nga ekipet e shpëtimit, një person mësohet se është zhdukur në Çezena dhe tre në Forli.

    “Sistemi rrugor është kompleks, me shumë rrugë të përmbytura, udhëtimi është i vështirë nëse jo me mjete të pajisura, probleme ka edhe në sistemin rrugor kombëtar, këshillohet shmangia e disa rrugëve arteriale dhe lëvizjet nga jugu nuk rekomandohen. Operacionet e shpëtimit mund të jenë komplekse”, tha nënkryetari i Departamentit të Mbrojtjes Civile, Titti Postiglione.

  • Ministri Peci: Nga qershori, 10 milionë euro grante për sistemin e ujitjes

    Ministri Peci: Nga qershori, 10 milionë euro grante për sistemin e ujitjes

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë të ditur se së shpejti në bashkëpunim me bankën Botërore do të nënshkruhet marrëveshja për një grant në vlerë 10 milionë euro për investime në ujitje.

    Peci, gjatë takimit me drejtorin e Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, folën për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe ngritjen e kapaciteteve bujqësore të vendit.

    “Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerë vendorë e ndërkombëtarë për të zbatuar projekte dhe iniciativa të përbashkëta që për qëllim kanë mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, tha Peci.

  • Personat me nevoja të veçanta protestojnë para Qeverisë për uljen e pagesës në 150 €, Balje u premton zgjidhje

    Personat me nevoja të veçanta protestojnë para Qeverisë për uljen e pagesës në 150 €, Balje u premton zgjidhje

    Personat me nevoja të veçanta kanë protestuar para objektit të Qeverisë për shkak se pagesa mujore që marrin u është ulur nga 375 në 150 euro, ngase janë zhvendosur nga kategoria e parë në të dytën.

    Madje ata u shprehën se do të hyjnë në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

    Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, e cila i takoi protestuesit u premtoi se çështja do të adresohet në Komision.

  • OSBE lanson sot Udhëzuesin për mekanizmat koordinues komunal kundër dhunës në familje

    OSBE lanson sot Udhëzuesin për mekanizmat koordinues komunal kundër dhunës në familje

    Misioni i OSBE-së në Kosovë do të publikojë sot Udhëzuesin për punë efektive të mekanizmave koordinues komunal kundër dhunës në familje (MKKDHF), të mbështetur nga Qeveria e Francës, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në rastet e tilla të dhunës dhe reagimin e politikave institucionale në nivel lokal.

    Në njoftim bëhet e ditur se udhëzuesi, i cili do të jetë në dispozicion në gjuhën shqipe, serbe dhe turke, është mjet praktik për të lehtësuar reagimet efektive dhe të koordinuara ndaj dhunës në familje në nivel lokal.

    “Ai mbulon bazën ligjore dhe qëllimin e MKKDHF-ve, rëndësinë e një qasjeje shumë-institucionale dhe të koordinuar, mbledhjen dhe raportimin e të dhënave, si dhe trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve për anëtarët e MKKDHF-ve. Udhëzuesi vjen si rezultat i një sërë konsultimesh me anëtarët e MKKDHF-ve të themeluara në mbarë Kosovën, duke përfshirë MKKDHF-të e Prishtinës, Graçanicës, Mitrovicës së Jugut dhe Mamushës”, thuhet po aty.

    Fjalët hyrëse do t’i mbajnë Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Ambasadori Francez Olivier Guérot.