ATV

Category: Lajme

  • Personat me aftësi të kufizuara hyjnë në grevë, nga 375 euro sa merrnin tash po marrin vetëm 150

    Personat me aftësi të kufizuara hyjnë në grevë, nga 375 euro sa merrnin tash po marrin vetëm 150

    225 euro më pak thonë se po marrin pensione mujore, personat me aftësi të kufizuara, ose nga 375 euro sa merrnin, tash po i marrin vetëm 150.

    Kjo për shkak se komisioni vlerësueses i Ministrisë së Mirëqenies Sociale, i largoi ata nga grupi i parë, ku përfshihen personat që nuk janë të aftë të kujdesen për veten. Kështu, Komisioni vendosi që personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë janë të aftë që të kujdesen për vete dhe nuk kanë nevojë të paguhen për një person përcjellës e as për medikamente.

    Andaj, për t’i shprehur këto pakënaqësi dhe për të kërkuar ndryshimin e këtij vendimi, ata protestuan sot para Qeverisë.

    “Qeveria naj nalë paret e tjera, se na thonë jeni të aftë. Prej janarit 2018 i marr 150, e më takojnë 375 euro. Kemi bo ankesa, ku janë nuk i intereson. Na kanë premtuar, por nuk na kanë marrë parasysh. Qeverisë i themi në grevë jemi 24 orë, qetu deri ta fitojmë 375, edhe natën qetu na kanë, prej sot deri kur përfundon, deri të na japin të drejtën tonë”, tha Naim Hajdari, organizator i grevës.

    Protestës iu bashkua edhe Samire Gjokli, nga Ferizaj, e cila këtë pension e merr që nga 1981.

    “Jam e kategorisë së parë, po i marr vetëm 150 euro. Unë e marr pensionin prej viti 1981. Kam dalë në Komision e më ka vlerësuar për kategorinë e parë, edhe më shkrun në vendim: nuk ka nevojë me dalë në Komision se kjo nuk ka shërim. E kjo Qeveri na qet çdo tri vjen në Komision. Prishtina me lejon kategorinë e parë, Ferizaj ma refuzon. Krejt dokumente i kom, nuk m’i ka kontrollu askush. Të punojnë me rregull, mos t’i shkelin këta njerëz me kategori të rëndë. Me 150 euro nuk ia dalim as për barna. Me 150 euro marre, këta i kanë rrogat e mdhaja, na i duam të drejtat e tona”, tha Samire Gjokli, pjesëmarrëse.

    E vetmja që u interesua për hallin e tyre, ishte kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, e cila u premtoi se çështjen e tyre do ta adresojë në Komision.

    Unë nuk jam fajtore, unë jam për ta ndryshuar gjendjen. Unë kam shkuar dhe do të shkoj në Qeveri. Edhe marr premtim prej Qeverisë që do ta ndryshojë rregulloren sa më shpejt. Jemi duke pritur nga Qeveria që sa më shpejt. Na e kemi thirrë Qeverinë në takim, e kemi thirrë Sekretarin e Qeverisë, nëse ndryshon rregullore do të ndryshojë kjo çështje. Ne kemi premtim që Qeveria në kohë sa më të shkurtër do ta ndryshojë këtë rregullore. Qeveria e ka marrë një person me aftësi të kufizuar me ndihmua në këtë ndryshim”, tha Balje.

    Ekzekutivi synon që përmes projektligjit për pagën minimale që është votuar vetëm në lexim të parë në Kuvend, personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë të mos i përfshijë në pagën minimale, që pritet të jetë 264 euro. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Kimete Gashi thotë se u shkarkua nga OSHP-ja pa fakte

    Kimete Gashi thotë se u shkarkua nga OSHP-ja pa fakte

    Diskutimit rreth pagës minimale, ndonëse në rend dite, nuk i erdhi radha.

    E gjithë vëmendja në mbledhjen e komisionit për Buxhet ishte tek anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    Në këtë komision është diskutuar edhe vendimi i Qeverisë për shkarkimin e njërës prej anëtareve të Bordit të OSHP-së, Kimete Gashi, lidhur me vendimin pro importit të insulinave pa autorizim-marketingu.

    Arsyet për shkarkimin e Gashit i ka dhënë zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi.

    Por, deputetët e PDK-së, Ferat Shala e mërgim Lushtaku, e cilësuan të gabuar këtë vendim.

    Qysh më 10 maj, Qeveria propozoi shkarkimin e Gashit, pas insistimeve të OSHP-së që të procedohet me tenderin për insulina, pavarësisht se kompania fituese s’i kishte garancitë e cilësisë për produkt. Sipas Qeverisë me këtë vendim rrezikohej shëndeti publik dhe se Gashi kishte udhëhequr panelin që ka marrë vendimin.

    Ndërkaq sipas Gashit, për këtë tender votuan pesë anëtarë dhe ajo u shkarkua pa fakte.

    Në një sqarim të lëshuar para këtij debati, Organi Shqyrtues i Prokurimit thotë se tenderi për insulinat është vendim i atakuar nga vet Ministria e Shëndetësisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama kërkon rishikimin e rezolutës 1782 të Këshillit të Evropës

    Rama kërkon rishikimin e rezolutës 1782 të Këshillit të Evropës

    Sërish, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar nga Këshilli i Evropës ta zhbëjë Raportin e Dick Martyt. Kryeministri Rama mori pjesë në Samitin e kryetarëve të shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës, që po mbahet në Islandë.

    Shqipëria edhe zyrtarisht ka kërkuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën 1782 dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

    Në ditën e parë të Samitit, Rama ishte bashkëkryesues i një tryeze të rrumbullakët me presidentin e Letonisë.

    Pak muaj më parë, 125 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë votuan pro rezolutës, që rrëzon raportin e Dick Marty për vrasje të njerëzve dhe trafikim organesh në Shqipëri dhe Kosovë.

    Marty ka pretenduar se trafikimin e kanë kryer pjesëtarë të UÇK-së ndaj shtetasve serbë dhe kosovarë në veri të Shqipërisë, në periudhën pas përfundimit të luftës në Kosovë, kryesisht pas qershorit të vitit 1999. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Ceremonia e betimit të kryetarëve në veri hap një kuti me probleme

    Ceremonia e betimit të kryetarëve në veri hap një kuti me probleme

    Në ndërtesën në të cilën votoi më 23 Prill në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, kryetari i zgjedhur Erden Atiq planifikon që, më 19 Maj, të betohet solemnisht.

    Ndryshe nga Atiq, tre kryetarët e tjerë të dalë nga zgjedhjet me pjesëmarrje prej 3.5%, nuk dihet ende nëse do të betohen në ndërtesat komunale ekzistuese – e as nëse do të mund t’i shfrytëzojnë ato si zyra.

    Derisa në Mitrovicë të Veriut objekti komunal, i ndërtuar vite më parë me ndihmën e BE-së, përdoret vetëm nga institucionet ligjore të Kosovës, situata është ndryshe në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    I kontaktuar nga ATV-ja, kryetari i zgjedhur në Zubin Potok, Izmir Zeqiri, tha se ende nuk është vendosur për datën dhe lokacionin e ceremonisë së betimit.

    Pasi theksoi se zgjedhjet ishin të ligjshme, por me legjitimitet të kontestuar, Fitim Mulolli nga POLCON, vlerësoi se vazhdimi me improvizime, në kundërshtim me vullnetin komunitetit serb, mund të fuqizojë strukturat ilegale.

    “Është rreziku i bojkotit, i mos-respektimit të vendimeve të tyre, dhe rrjedhimisht çon në tensione dhe potencialisht në ndonjë konflikt fizik”, tha Fitim Mulolli, drejtor në “Polcon”.

    Përkundër shqetësimeve publike të BE-së për situatën në veri, në kontekstin e marrjes zyrtare të pushtetit nga kryetarët e zgjedhur, opinionisti Branislav Krstiç, nuk pret incidente serioze, por nuk përjashton ndonjë të tillë eventual verbal.

    “Me planin frank-gjerman dhe me aneksin e Ohrit, ne kemi fituar një, fjalën kryesore, normalizim. Por, më duket, liderët, lideri ynë në Prishtinë dhe ai tjetri në Beograd, diktatori i Serbisë, këtë fjalën normalizim, më duket se e kanë kuptuar se ne vazhdojmë me veprimet e njëanshme, por pa incidente”, tha Krstiç.

    Duke përmendur daljen e ulët në zgjedhje, bojkotin nga komuniteti serb dhe çështjen e ndërtesave komunale, Krstiç pret që në fund Kosova dhe Serbia t’i binden presionit ndërkombëtar.

    “Nëpër fshatra, ajo nuk shkon, nëpër ndërtesat ekziston mundësia për incidente, më duket që edhe Beogradi zyrtar edhe Prishtina zyrtare do të presin këshillat dhe rekomandimet nga Brukseli dhe administrata amerikane”, tha Krstiç.

    Kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kanë afat të kryejnë betimin deri më 28 Maj.

    Bashkimi Evropian i ka vlerësuar zgjedhjet e 23 Prillit si zgjidhje të përkohshme dhe ka rekomanduar djegien e mandateve të kryetarëve të zgjedhur. /atvlive.tv

  • Kryetarët e partive nuk marrin pjesë në takimin me mërgimtarët, Veliu: Të njëjtën gjë do ta veprojmë në diasporë kur vijnë zgjedhjet

    Kryetarët e partive nuk marrin pjesë në takimin me mërgimtarët, Veliu: Të njëjtën gjë do ta veprojmë në diasporë kur vijnë zgjedhjet

    Mërgimtarë nga Gjermania e Austria u mblodhën në Kuvend për t’i adresuar shqetësimet e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës. Askush nga qeveritarët e ftuar nuk erdhi t’i dëgjojë.

    “Ne nuk harrojmë, pastaj kur të vijnë zgjedhjet në të njëjtën mënyrë ne do t’i presim në diasporë. Pasi nuk bëhet fjalë për përfaqësimin e një organizate, por bëhet fjalë me përfaqësimin e diasporës nga Evropa, kryesisht gjermanofolëse. Të ftuar kemi pasur Ministrinë e Punëve të Jashtme, pasi sektori i diasporës është brenda këtij institucioni, kemi pasur kryetarin e Kuvendit të ftuar dhe grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Por nga asnjëri prej tyre nuk kemi marrë përgjigje, edhe pse ftesa për pjesëmarrje iu ka shkuar tri herë”, tha kryetari i shoqatës “Identiteti”, Lulzim Veliu.

    Veliu mendon se diaspora mund të japë kontribut të madh për Kosovën. Prandaj kërkoi krijimin e një platforme ku do të paraqiteshin të gjitha mundësitë.

    “Propozoj krijimin e një platforme bashkëpunuese dhe bashkëjetuese mes Kosovës dhe mërgatës, e cila do të jetë e hapur për të gjitha profilet e mundshme që ka mërgata, si afarizëm, biznes, investime, financa, tregti, konsulentë, shkencë dhe teknologji. Kjo do të jetë një platformë unike dhe e hapur për të gjithë. Përveç këtij propozimi, ne kemi edhe disa kërkesa që do t’i drejtohemi institucioneve, që fatkeqësisht nuk janë këtu me ne”, tha Veliu.

    Institucionet e Kosovës, sipas Bahri Trojës, duhet të rrisin edhe bashkëpunimin politik e diplomatik me diasporën.

    “Në Austri kemi diku rreth 50 shqiptarë që janë të angazhuar në nivelin lokal në politikë. Në këtë mënyrë, ne duhet të bëjmë një koncept, strategji se si mund të bëjmë një bashkëpunim të përvojave në Austri, por edhe të ndihmojmë komunitetin. Por, edhe një bashkëpunim të mirëfilltë me shtetet tona amë. Nga institucionet tona shpeshherë kam qenë i befasuar se kur vijnë në vizitë në Austri nuk takohen këshilltarë të qytetit që janë 50, por shkojnë takohen me njerëz që vetëm ai flet gjermanisht e jo shqip”, tha Bahri Troja, mërgimtar nga Austria.

    Ndërkaq, Muhamet Idrizi ka një hall tjetër.

    “Në shtetet e tjera në Gjermani mësimi i gjuhës amtare, apo të prejardhjes si quhet atje, është i integruar në sistemin edukativ të shteteve përkatëse. Unë personalisht jep mësim në shkolla, ku kemi kërkesa të mëdha të mësimin plotësues nga prindërit”, tha Muhamet Idrizi, mërgimtar nga Gjermania.

    Pavarësisht se nuk i kishin përballë, mërgimtarët u bënë thirrje qeveritarëve që në bisedimet për politikën e jashtme të përfshihen edhe institutet shkencore e akademike. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Policia bastis pronat e ish-anëtarëve të menaxhmentit të NPB-së, sekuestron dokumente e pajisje

    Policia bastis pronat e ish-anëtarëve të menaxhmentit të NPB-së, sekuestron dokumente e pajisje

    Që nga mëngjesi, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë speciale sekuestroi dhjetëra dokumente e pajisje elektronike, në pronat e 12 ish-zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore, të cilët dyshohen për mashtrim, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe Lidhje të kontratës së dëmshme, gjatë ndërtimit të katër objekteve afariste në zonën e Lakërishtës.

    “Ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdorur detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milionë (120.000.000) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Por, këto dyshime i quajti të pabaza vetë Dren Kukaj, ish-anëtar i menaxhmentit të NPB-së, i cili pas aksionit doli në konferencë për media. Atij gjatë kontrollit, për të siguruar dëshmi lidhur me vepër penale, për të cilën dyshohet ta ketë kryer gjatë kohës sa punonte në Ndërmarrjen Publike Banesore, policia ai konfiskoi edhe telefonin.

    “Jam i bindur në ligjshmërinë e veprimeve tona. Jam i bindur në dobishmërinë që ia kemi sjellë asaj ndërmarrjeje… Dje kam pasë me e dorëzu vullnetarisht, por ata nuk ma morën dje. Erdhën sot, në shtëpinë e prindërve dhe ma sekuestruan bashke me dy llaptopa të prindërve”, tha Dren Kukaj, ish-aksionar i NPB-sw.

    Madje, partia Social Demokrate, pjesë e së cilës janë disa nga zyrtarët e bastisur, gjithë procesin po e konsiderojnë si përndjekje politike nga partia në pushtet.

    Lidhur me këto bastisje është distancuar ndërmarrja publike banesore.

    “Si është e mundur që gjithë këtë ofensivë po e drejtojnë kah PSD-ja, fillimisht reforma në Kamenicë, Gjoba nga Agjencia ndaj PSD-së, e sërish edhe këto bastisje…”, tha Arbnor Neziri nga NPB.

    Para dy vjetësh në lagjen Lakërishtë, NPB-ja kishte nisur punët për t’i ndërtuar disa objekte banesore afariste. Por, Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, kishte kërkuar caktimin e masës së sigurisë për këtë ndërtim, kërkesë e cila u refuzua nga gjykata. Të njëjtën masë e kishte kërkuar më pastaj edhe Qeveria, por Gjykata dha të njëjtën përgjigje. /atvlive.tv

  • Prokuroria e Pejës ngre aktakuzë për ndërtimin e vilave në Rugovë

    Prokuroria e Pejës ngre aktakuzë për ndërtimin e vilave në Rugovë

    Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë për ndërtimet në pronën e Institutit për Hulumtime Bujqësore, në fshatin Stankaj të Rugovës.

    Ndonëse detajet nuk janë bërë publike, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për ATV-në se objekt i aktakuzës nuk janë vetëm vilat në fshatin Satnkaj.

    “Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, ka përfaqësuar në Gjykatën Themelore të Pejës, aktakuzën e ngritur pikërisht për ndërtimet e ndodhura në fshatin Stankaj të Rugovës, përkatësisht në pronën e Institutit për Hulumtime Bujqësore. Bëhet fjalë edhe për pronat e tjera të Institutit për Hulumtime Bujqësor, jo vetëm në fshatin Stankaj, por edhe në rajone të tjera, të cilat janë kompetencë territoriale e Prokurorisë Themelore në Pejë”, thuhet në përgjigjen e Nikçit.

    Në hulumtimin e Ministrisë së Bujqësisë, të siguruar ditë më parë nga ATV-ja, janë evidentuar 41 parcela të uzurpuara, me një sipërfaqe prej 90 hektarësh. Në këto sipërfaqe janë të ndërtuara 26 vila banimi dhe pothuajse të gjitha vilat janë ndërtuar në afërsi të rrugës që lidh fshatrat, për t’iu dhënë qasje më të lehtë.

    Por, sipas kësaj prokurorie, hetimet janë zhvilluar para se ministri i Bujqësisë, Faton Peci, t’i ketë denoncuar publikisht ndërtimet në tokën e shtetit.

    “Prokuroria Themelore në Pejë hetimet i ka zhvilluar para se ministri në fjalë t’i shprehë publikisht shqetësimin për pronat në Stankaj. Pasi ministri i Bujqësisë është deklaruar për ketë çështje, Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar para disa muajsh Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, të cilat në këtë fazë s’mund të bëhen publike”, thotë Nikçi.

    Derisa ditë më parë, ministri i Bujqësisë ngriti shqetësime për mosreagimin e prokurorisë, akuzoi ministrat e kaluar se kanë lejuar degradimin e pronës publike.

    “Për mua ka qenë alarmant dhe i pashpjegueshëm mosreagimi i institucioneve relevante, në këtë rast Ministrisë së kaluar të Bujqësisë dhe lejimi i ndërtimit të këtyre vilave në tokën shtetërore. Unë kam alarmu dy herë edhe përmes dokumentacioneve, nuk i posedoj emrat se në pronësi të kujt janë ato vila. Është detyrë që duhet ta kryejë Prokuroria, por edhe Komuna e Pejës e cila nuk ka ndërhyrë në parandalimin e pronës shtetërore”, ka thënë minsitri i Bujqësisë, Faton Peci.

    Megjithatë, Ministria e Bujqësisë në hulumtimin e saj nuk ka evidentuar se kush janë uzurpatorët e këtyre pronave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • “Përndjekje politike ndaj PSD-së” – reagimi i partisë për bastisjen në pronat e ish-zyrtarëve të NPB

    “Përndjekje politike ndaj PSD-së” – reagimi i partisë për bastisjen në pronat e ish-zyrtarëve të NPB

    Vëmendjen kryesore të ditës pa dyshim e mori aksioni i drejtorisë për Krime Ekonomike, ku Policia e Kosovës ka kryer bastisje në 12 lokacione nën dyshimin për dallavere në Ndërmarrjen Publike Banesore lidhur me një kontratë për ndërtimin e katër objekteve afariste e banesore në vlerë prej mbi 120 milionë eurosh.

    Sipas Prokurorisë Speciale, janë kryer kontrolle e 11 të dyshuarve të cilët sipas këtij institucioni dyshohet se në cilësinë e personave zyrtare kanë kryer veprën penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhje e kontratës së dëmshme dhe mashtrimi”.

    Për këtë çështje, ishte PSD-ja që i ka cilësuar si përndjekje politike bastisjet që janë kryer sot në NPB, që janë zyrtarë të kësaj partie.

    Në një intervistë për ATV-në, Lisian Perolli nga PSD, thotë se këto bastisje janë përndjekje politike ndaj këtij subjekti, pasi që sipas tij, janë katër vendime të gjykatave që për rastin konkret kanë thënë që nuk ka bazë ligjore që të vazhdohen hetimet.

    “Pika tjetër e çuditshme në këtë mes është fakti që çështje NPB-së, rastit konkret ka kaluar nëpër gjykata dhe dy herë është rrëzuar, është konsideruar e pabazë. Nuk ka si të duket ndryshe kur i kemi katër vendime të gjykatave që për rastin konkret kanë thënë që nuk ka bazë ligjore që të vazhdohen hetimet” tha Perolli. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pas vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave, Zvicra jep një sqarim për ata që duan të punojnë

    Pas vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave, Zvicra jep një sqarim për ata që duan të punojnë

    Nga 1 janari 2024, shtetasit kosovarë që dëshirojnë të bëjnë një qëndrim të shkurtër në zonën Shengen, nuk do t’i nënshtrohen më kërkesës për vizë. Këtë regjim të ri do ta zbatojë edhe Zvicra. Më 17 maj 2023, Këshilli Federal miratoi amendamentin për këtë efekt të Urdhëresës për hyrjen dhe dhënien e vizave (OEV), njofton gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch, duke ju referuar burimeve nga Berna.

    Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për viza që ndërlidhen me sigurinë, kontrollet kufitare dhe migrimin. Për këtë arsye Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së kanë aprovuar rregulloren më 19 prill 2023 që përjashton kosovarët nga kërkesa për t’u pajisur me vizë për qëndrim të shkurtër maksimumi 90 ditë. Kërkohet pajisja me pasaportë biometrike. Si një vend i zonës Schengen, Zvicra është e përkushtuar për të miratuar zhvillimet e më tejshme në kuadër të “Schengen Acquis”.

    Sipas gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch, kërkesa për vizë do të mbetet e nevojshme për kosovarët që dëshirojnë të punojnë në Zvicër. Shtetasit kosovarë mund të punojnë në Zvicër vetëm nëse janë të kualifikuar dhe nëse punëdhënësi i tyre i ardhshëm nuk ka mundur të gjejë punëtorë në tregun zviceran, as në shtetet anëtare të BE-së ose EFTA-s. Duhet të respektohen edhe kushtet e zakonshme të punës dhe pagave. /atvlive.tv

  • Vërshime në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci

    Vërshime në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci

    Bosnje-Hercegovina dhe Kroacia janë përballur gjithashtu me reshje të dendura të shiut gjatë javëve të fundit, me lumenjtë Una dhe Krushnica që kanë dalë nga shtrati.

    Në Bosnjë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, në komunat Novi Grad, Kostajnica, Bosanska, Krupa dhe Bihaq.

    Në Komunën e Novi Gradit nuk do të mbahet procesi mësimor, ashtu sikurse në Obrovac të Kroacisë, shkruan A2. Disa zona kanë mbeture pa energji elektrike; ka pasur evakuime të banorëve, ndërsa shkalla e dëmeve nuk dihet.

    Në Kroaci, rreth 300 trupa ushtarake janë mobilizuar për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, me ekipet që po shpërndajnë edhe ushqime te qytetarët e bllokuar.

    Kryeministri kroat, Andrej Plenoviq ka bërë të ditur se qeveria do të ndajë fonde për të ndihmuar personat e prekur nga vërshimet.