ATV

Category: Lajme

  • 104 mjekë lëshuan Kosovën për katër muaj,

    104 mjekë lëshuan Kosovën për katër muaj,

    Ikja e qytetarëve në vendet evropiane është shumë shqetësuese, sepse pjesa më e madhe e personave që po largohen nga Kosova janë profesionistë. Kështu ka thënë Enver Haliti nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Ai tha se duhet të merret parasysh se sa shumë mund dhe investim duhet, që të prodhohet një kuadër i tillë. “Ndërsa po ua ofrojmë të gatshëm shteteve të zhvilluara”, tha ai.

    Kurse Pleurat Sejdiu tha se shifrat e fundit flasin se janë 104 mjekë të cilët kanë marrë dokumentacionin për të lidhur kontratë në shtetet e Bashkimit Evropian.

    Ai tha se kjo shifër e tejkalon shifrën e vitit të kaluar.

    “Në vitin e kaluar kemi pasur 212 për 11 muaj, kurse këtë vit për katër muaj e gjysmë janë 104 dhe është për t’u shqetësuar”, tha Sejdiu.

    Ai shtoi se kriza do të ndjehet dhe do të thellohet pas tri viteve në sektorin e shëndetësisë.

    Ndërsa Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se biznesi është duke u përballë me mungesën e fuqisë punëtore si rezultat i migrimit.

    Por ai tha se kjo po ndodhë edhe si rrjedhojë e mos lidhjes së arsimit me kërkesat e tregut.

    “Ne kemi bërë thirrje prej ditës së parë që të shpejtohet reforma në arsim, që të lidhen kualifikimet me kërkesat e tregut të punës”, tha Rafuna.

    E Jusuf Azemi nga sindikata e sektorit privat tha se për 7-8 vite jashtë vendit ka ikur një e pesta e popullsisë.

    Azemi shtoi se injorimi më i madh i punëtorëve të sektorit privat të Kosovës është bërë n’kohën e pandemisë dhe pas pandemisë, sepse doli qeveria e Kosovës me luftimin e inflacionit duke i stimuluar të gjithë punëtorët e sektorit publikë kurse sektorit privat iu tha “dil qiteni dorën dhe lypeni pronarëve të kompanisë, nëse iu jep ai ju jap edhe unë”, u shpreh Azemi.

    Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve, tha se janë para një situate mjaftë shqetësuese sepse sipas statistikave kemi 1323 biznese më pak dhe 22332 punëtorë më shumë dhe nuk është projeksion real.

    “Në aspektin pozitiv ka rritje të formalitetit, por nuk do të thotë që kjo reflektohet me rritje të punësimit, sepse ne po shohim se bizneset dita ditës po përballen me sfida të tilla që po edhe e transformojnë ndoshta edhe shërbimin ë tyre, në mënyrë që të jetojnë dhe të mund të koabitojnë në këtë ekosistemin e ri i cili është krijuar duke u kthyer edhe nga aspekti i shërbimit në vetëshërbim”, tha Vranica. /rtk

  • Bislimi bisedon me ambasadorin hungarez për rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve

    Bislimi bisedon me ambasadorin hungarez për rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze.

    Në njoftimin e lëshuar nga qeveria thuhet se forcimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është përkushtim dhe qëllim i përbashkët.

    Bencze theksoi se Hungaria është e interesuar që të rrisë bashkëpunimin me Kosovën.

    Ndërsa, Bislimi tha se qeveria ka vullnet që të gjejë mënyra drejt avancimit të marrëdhënieve dypalëshe.

    Gjatë takimit dhe bashkëbisedimit miqësor, palët ndanë dhe eksperiencat e shteteve të tyre në fusha të ndryshme si arti, kultura dhe arsimi. ​

  • Zogaj: Masakra në Dubrave zgjati 5 ditë, më kanë mbetur edhe trutë e njeriut në duar kur kam shkuar për t’i dhënë ndihmën

    Zogaj: Masakra në Dubrave zgjati 5 ditë, më kanë mbetur edhe trutë e njeriut në duar kur kam shkuar për t’i dhënë ndihmën

    Ish i burgosuri Bislim Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, si i dëshmitarë i mbijetuar i ngjarjes, ka rrëfyer tmerrin që ka përjetuar në masakrën e Dubravës.

    Ai ka tretuar se masakra ka zgjatur për pesë ditë rresht, dhe ajo çfarë ka ndodhur brenda asaj kohe, mendja e shëndoshë e njeriut nuk mund ta konceptojë.

    “Në Kosovë kemi mbi 200 masakra, por masakra e Dubravës dallon prej masakrave të tjera për dy arsye kryesore. E para, masakra e Dubravës është se kemi qenë brenda burgut, në asnjë formë nuk kemi qenë në rrezik për dikën, derisa për masakrat e tjera munden me u arsyetu ushtria serbe se kanë mundur me qenë të rrezikum. Gardianët dhe ushtria serbe apsolutisht nuk ka pasur mundësi me qenë të rrezikuar nga ne, sepse kemi qenë të paarmatosur, as lidhëse të këpucëve nuk kemi pasur. Dhe e dyta që është e rëndësishme është se ka qenë masakër që ka zgjatë pesë ditë, nga 19-24. Çdo masakër ka mundur me zgjat 2-3 orë ose brenda ditës, por kjo ka zgjatë pesë ditë. Mendja e shëndoshë e njeriut nuk mund ta konceptojë atë çfarë ka ndodh”, tha Zogaj.

    Ai tha se ka dëshmitarë të mjaftueshëm të kësaj masakre.

    “Mendja e shëndoshë e njeriut nuk mundet me e konceptu që qysh për katër ditë, me gjakftohtësi maksimale hyjnë gardianët, ushtarët serbë dhe vrasin njerëz dhe dalin, sikur të mbysnin ndonjë pulë e jo njëri”, tregon Zogaj.

    Ai thotë se i ka ndodhur që t’i mbesin trutë e një viktime në duar, në kohën kur kishte shkuar për t’i dhënë ndihmën.

    “Ka pasur raste kur kanë hyrë brenda kur e kanë ekzekutuar vëllain para vëllait tjetër që ka qenë i fshehur dhe nuk ka guxuar të ofshajë, por është dashur të rrijë pa frymë e të paktën ai të shpëtojë. E mos të flasim për të tjerat kur kanë gju granata për shakta, kur unë e kam pasur rastin kur më kanë mbetur trutë e njeriut në dorë, kur kam shku me ia dhënë ndihmën, kur kam pa organet që i kanë dalë nga shpina jashtë”, rrëfen Zogaj. /atvlive.tv

  • Selmanaj tregon si u sulmua ura nga NATO deri sa serbët po i transportonin të burgosurit shqiptarë, aty ishte edhe Ukshin Hoti

    Selmanaj tregon si u sulmua ura nga NATO deri sa serbët po i transportonin të burgosurit shqiptarë, aty ishte edhe Ukshin Hoti

    Ish i burgosuri politik, Rasim Selmanaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi se si ishte goditur ura nga bombardimet e NATO-s deri sa po transportoheshin për në Kosovë bashkë me të burgosurit e tjerë, në mesin e të cilëve ishte edhe Ukshin Hoti.

    “Kur kemi mbërri te ura e Llozicës tre autobusë kemi qenë, e kanë goditurën edhe autobusi i parë mbërri një ve e kalu aty edhe në atë autobus nëse nuk gaboj ka qenë edhe Ukishin Hoti, ndërsa dy autobusë të tjerë mbetëm këtë pjesën këndej ure. Ka qenë një tragjedi do të thosha në atë rast sepse ne u rrezikum të gjithë. Caqet e bombarderëve të NATO-s e goditën një autoblindë në mes të dy autobusëve ku isha edhe unë aty edhe normal që aty nëse nuk gaboj kanë qenë tre oficerë dhe ata shkuan për “anena”, e madje të gjithë gardianët që ishin ata edhe nga paniku kaluan disa në rrugën në pjesën e majit disa në të djathtën dhe ne kemi qenë të lidhur për këto karrige të autobusëve te pjesa e hekurit dhe unë dy kemi qenë për një prange”, tregoi Selmanaj. /atvlive.tv

  • Projektligji për pagën minimale mbetet pezull, tash e një vit asnjë hap konkret nga Qeveria

    Projektligji për pagën minimale mbetet pezull, tash e një vit asnjë hap konkret nga Qeveria

    25 kërkesat që ia dërguan kryeministrit Albin Kurti për takim, i kanë vendosur në një mur.

    Përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve të sektorit Privat nuk morën asnjë përgjigje nga Qeveria, për t’u takuar e për të diskutuar rreth projektligjit për pagën minimale.

    Zvarritjet për futjen e këtij ligji në fuqi, sindikalistët po i konsiderojnë të qëllimshme nga na e Qeverisë.

    “Nuk e kanë parë të arsyeshme të takohen me neve, që në njëfarë forme neve na kanë lënë duart e lira, por qëndrimi i Federatës Sindikale është gjithçka që është nën 450 euro, ata këtë pagë mund ta mbajnë për vete, por jo edhe për neve”, tha Azemi.

    Ani pse në muajin e ardhshëm bëhet 1 vit prej kur në Kuvend është votuar në parim projektligji i cili i hap rrugë rritjes së pagës minimale, që nga atëherë nuk ka pasur ndonjë hap konkret për miratimin e tij.

    Për këtë opozita kërkon bashkëpunim, por thotë se paga prej 250 eurosh do të kundërshtohet edhe nga ta.

    “Lufta imagjinare e kësaj Qeverie me kategori të caktuara të kësaj shoqërisë tonë, me sindikata me kategori të caktuara të dala nga lufta, duhet të kalohet, nuk ka njeri normal që kishte me thanë që është e merituar paga minimale 250 euro”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Paga minimale në Kosovë nga 170 sa është aktualisht, me ligjin e ri të propozuar nga Qeveria parashihet të bëhet 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

    Në këtë ligj nuk është paraparë përfshirja e veteranëve, të cilët përmes protestave kanë kërkuan përfshirje në Projektligjin për Pagën Minimale. /atvlive.tv

  • Chollet flet në telefon me Kurtin e Vuçiqin për betimin e kryetarëve në veri

    Chollet flet në telefon me Kurtin e Vuçiqin për betimin e kryetarëve në veri

    Një ditë para se kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, të betohet solemnisht, Këshilltari i Lartë në Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, është aktivizuar.

    Për dialogun me Serbinë dhe zgjedhjet lokale të mbajtura në katër komunat veriore, këshilltari amerikan bisedoi në telefon me kryeministrin Albin Kurti.

    Në komunikatën e lëshuar për media, Zyra e Kryeministrit theksoi se sa i përket dialogut, në fokus është Marrëveshja e 27 shkurtit për normalizim të marrëdhënieve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor, me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur. Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

    Shmangia e konfliktit dhe normalizimi i marrëdhënieve ishin tema edhe gjatë bisedës që një ditë më parë, Derek Chollet e pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Sipas Presidencës serbe, zyrtari i lartë amerikan sërish ka shprehur mbështetjen e SHBA-së për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
    Ndërkaq, nga Prishtina, ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, ka thënë se duhet të shmangen veprimet që nxisin tensione në veri.

    Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ambasadori amerikan theksoi se nuk duhet të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave në veri.

    “Unë i kam bërë disa komente dje. Ne folëm për të njëjtën gjë. SHBA-ja mendon që kjo gjë duhet të përfundojë, duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në rritjen e tensioneve në veri. Ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat, që mund të mos jenë që qasshme”, tha Hovenier.

    Ndryshe nga Erden Atiq, që planifikon të betohet nesër, tre kryetarët e tjerë të dalë nga zgjedhjet me pjesëmarrje prej 3.5%, nuk dihet kur pritet ta nisin punën. /atvlive.tv

  • Prokuroria nis hetimet për objektin e “uzurpuar” në qendër të Prishtinës

    Prokuroria nis hetimet për objektin e “uzurpuar” në qendër të Prishtinës

    Kërkesat e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për lirimin e hapësirave të uzurpuara në qendër të Prishtinës, kanë filluar të merren parasysh nga institucionet kompetente.

    Prokuroria Themelore ka nisur hetimet për një pjesë të objektit që gjendet në rrugën “Dëshmorët e Kombit” të kryeqytetit.
    Për ATV-në, kjo u konfirmua nga zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë çështje, andaj në bazë të gjetjeve do të veprojë tutje”, tha Ulaj.

    Në hulumtimin e Ministrisë së Bujqësisë, të siguruar nga ATV-ja, është evidentuar se subjekti tregtar “ALBI MARKET” ushtron veprimtarinë në katin përdhese dhe sipas deklaratës së menaxheres, për hapësirën paguhet qira, por jo Ministrisë së
    Bujqësisë, e cila është pronare e objektit.

    Në raportin që e posedon televizioni, është konstatuar se në oborrin e objektit skaj rrugës “Henri Dunan” me sipërfaqe prej 600m² është ndërtuar edhe një objekt tjetër i cili shfrytëzohet si depo. Ndërsa, në katin e parë tashmë është hapur edhe një kafene.

    Në kuadër të kësaj ndërtese janë të privatizuara edhe dy njësi banesore, të cilat janë shndërruar në lokale afariste, duke u zgjeruar edhe në pjesën tjetër të objektit ekzistues me sipërfaqe prej 160m².

    Për lirimin e hapësirës në fjalë, ministri Faton Peci ka kërkuar ndihmë edhe nga kryetari i Prishtinës.

    “Në vazhdimësi në tre muajt e fundit, ne kemi kërkuar, madje kemi pasë edhe një dakordim me kryetarin Përparim Rama, që të ndërhyjë përmes inspektoratit, por siç duket niveli i shërbyesve civilë i Komunës së Prishtinës është thellë i përfshirë në këtë rast, kjo për faktin se edhe në kërkimin e materialeve që e kërkojmë, thjesht ata ofrojnë dokumente jorelevante dhe të pjesshme”, ka thënë Peci.

    Por, sipas nënkryetarit të Prishtinës, kjo nuk është çështje vetëm e inspektortatit të komunës.

    “Ky është një raport që u është dorëzu prokurorisë dhe organeve të tjera. Inspektoratit i duhen dokumente më të kompletuara. Prokuroria por edhe policia duhet t’i ndihmojnë komunës”, ka thënë nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

    Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë, ditë më parë, ka ngritur aktakuzë për ndërtimet në pronën e Institutit për Hulumtime Bujqësore, në fshatin Stankaj të Rugovës. /atvlive.tv

  • Veturat superluksoze, pjesë e “Fast and Furious Meeting”

    Veturat superluksoze, pjesë e “Fast and Furious Meeting”

    Meraklitë e veturave super luksoze kanë dhuruar spektakël te Albi Mall, me rastin e shfaqjes së filmit “Fast and Furious Meeting” në kinemanë Cineplexx.

    Ekipi i ATV-së ishte atje për të sjell tek shikuesit këtë ngjarje të veçantë për meraklinjtë e veturave luksoze. Aty, gazetari i ATV-së zhvilloi disa intervista me pronarët e veturave pjesëmarrëse ne këtë event.

    Për më shumë, ndiqeni videon e më poshtme:

  • Mehaj: FSK është organizata me nivelin më të lartë të besueshmërisë

    Mehaj: FSK është organizata me nivelin më të lartë të besueshmërisë

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka deklaruar se sipas disa sondazheve, del që Forca e Sigurisë së Kosovës, është organizata që e ka besueshmërinë më të lartë të qytetarëve.

    “Sipas sondazheve të publikuara nga Qendra për Perceptime në Hulumtime të Insitutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), Forca e Sigurisë së Kosovës është organizata me nivelin më të lartë të besueshmërisë nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

    Ky hulumtim sipas tij “vë në pah se 73% e shtetasve tanë besojnë në institucionin e sigurisë, që shënon një rritje prej 7% në raport me sondazhet e vitit 2021”.

  • ​Vuçiq për kryetarët në veri: Nuk do t’i pranojmë kurrë

    ​Vuçiq për kryetarët në veri: Nuk do t’i pranojmë kurrë

    Presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk do t’i pranojnë kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore të Kosovës.

    Ai ka folur për betimin e kryetarëve duke thënë se kjo po bëhet me mbështetjen e vendeve të QUINT-it.

    “Nesër pritet që ata do të përpiqen të mbajnë seanca konstituive në ndërtesën në Mitrovicë për të zgjedhur kryetarët e rrejshëm të komunave, të mbështetur nga vendet e QUINT-it, në zgjedhjet më të rreme, më të dhunshme dhe më të mjerueshme të mbajtura ndonjëherë në botë”, ka thënë ai.

    Sipas presidentit serb, kryetarët e zgjedhur nuk do të pranohen asnjëherë.

    “Është një situatë shumë e vështirë dhe e tensionuar sidomos në veri të Kosovës. E vetmja gjë që po kërkoj nga serbët është të ruajnë paqen dhe këta nuk do të pranohen kurrë si kryetarë komunash, kjo është trysni ndaj serbëve dhe përpjekje të krijojnë një atmosferë në të cilën serbët do të largoheshin nga vatra e tyre, asgjë më shumë”, ka thënë ai.

    Nesër pritet të betohet kryetari i zgjedhur në veri të Mitrovicës, Erden Atiq.

    Zgjedhjet në veri të Mitrovicës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan janë mbajtur me 23 prill.

    Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i ka bojkotuar këto zgjedhje me mbështetjen e Beogradit zyrtar.