ATV

Category: Lajme

  • Shtyhet vizita e shkrimtarit turk Orhan Pamuk në Kosovë

    Shtyhet vizita e shkrimtarit turk Orhan Pamuk në Kosovë

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se vizita e planifikuar e shkrimtarit të njohur turk, Orhan Pamuk është shtyrë për në vjeshtë.

    Edhe pse ardhja e tij ishte e konfirmuar, planifkuar dhe organizuar deri në detajet e fundit, për shkaqe të tij personale, Pamuk ka kërkuar që vizita të aranzhohet për një datë tjetër.

    Në adresimin e tij për lexuesit në Kosovë, Pamuk ka kërkuar falje për këtë shtyrje, duke thënë se më patjetër do të vijë pas disa muajsh.

    “Të dashur lexues nga Kosova. Për arsye që nuk varen nga unë, më duhet të shty vizitën time të paraparë për këtë muaj, por definitivisht do të takohemi këtë vjeshtë. Ju lutem pranoni kërkimfaljen time dhe shihemi në vjeshtën e këtij viti” ka thënë ai.

  • Ndërpritet seanca ndaj Pal Lekajt për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, kjo është arsyeja

    Ndërpritet seanca ndaj Pal Lekajt për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, kjo është arsyeja

    Për shkak që mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), avokati Musa Damati, ka deklaruar se nuk janë pajisur me shkresa të lëndës nga Prokuroria, është ndërprerë seanca e së enjtes në rastin ku Lekaj po akuzohet se në cilësinë e deputetit, ka hedhur gaz lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës.

    Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi”

    Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Damati ka deklaruar se nga Prokuroria e Shtetit nuk janë pajisur me shkresa të lëndës, përveç aktakuzës nga Gjykata, andaj kërkuar të pajisen me të njëjtat.

    Për këtë, prokurori i rastit Arianit Salihi ka thënë se nuk ka prova që mbrojtja dhe i akuzuari të jenë pajisur me shkresa të lëndës.

    Në këto rrethana, gjykatësja e rastit Edita Çanta e ka ndërprerë seancën duke e shtyrë për datë të pacaktuar, derisa Prokuroria të pajisë të akuzuarin dhe mbrojtësin me të gjitha shkresat e lëndës, që të mund të deklarohet në këtë çështje penale.

    Gjykata obligoi Prokurorinë që brenda afatit ligjor t’i pajisë palët me të gjitha shkresat e lëndës.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 qershor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka përdorur armën-gazin lotsjellës.

    Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, për disa minuta është ndërprerë puna në Kuvend për shkak të kontaminimit të ambientit dhe se deputetët e të pranishmit e tjerë janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

    Me këtë, Lekaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet.

  • Lirimi me kusht – Haxhiu tregon për ankesat e të burgosurve: Vendimet refuzohen pa arsyeje

    Lirimi me kusht – Haxhiu tregon për ankesat e të burgosurve: Vendimet refuzohen pa arsyeje

    EULEX-i ka prezantuar Raportin Monitorues për Aplikimin e Lirimit me Kusht në Kosovë, i cili e mbulon periudhën prej muajit mars 2022 deri në shtator 2022, raporton Ekonomia Online.

    Shef i Misionit të EULEX-it Lars-Gunnar Wigemark, tha se ky raport përfshin gjetje dhe rekomandime specifike për autoritetet lidhur me aplikimin e lirimit me kusht nga gjashtë institucione korrektuese në tërë Kosovën.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qëllim i tyre mbetet që të garantojnë sistem të besueshëm të drejtë dhe të pavarur, por edhe profesional.

    Sipas saj, dënimi me burgim nuk duhet të jetë masa e vetme për sigurinë publike, sidomos kur është fjala për krimet që nuk kana rrezikshmëri të lartë shoqërore.

    Haxhiu shtoi se lirimi me kusht nuk është vetëm proces ligjor, por edhe njerëzor apo human, prandaj thotë ajo në vendet demokratike siç është edhe Republika e Kosovës, lirimi me kusht është instrument i zakonshëm.

    Ajo më tej tha se në vizita në qendra korrektuese të burgosurit i janë ankuar se vendimet e lirimit me kusht, konsiderohet që janë vendime standarde e që shumica refuzohen pa arsyeje, raporton EO.

    “Si Ministri e Drejtësisë, kemi për qëllim që të garantojmë një sistem të besueshëm të drejtë dhe të pavarur, por edhe profesional. Drejtësia penale është shtyllë e sistemit të së drejtës. Dënimi me burgim nuk duhet të jetë masa e vetme për sigurinë publike, sidomos kur është fjala për krimet që nuk kana rrezikshmëri të lartë shoqërore, e të përdoret lirimi me kusht. Lirimi me kusht nuk është vetëm proces ligjor, por edhe njerëzor apo human. Në vendet demokratike siç është edhe Republika e Kosovës, lirimi me kusht është instrument i zakonshëm”.

    “Nëse një person i dënuar ka treguar sjellje të mirë, dhe ka pranuar përgjegjësinë ë tij, atëherë duhet të ekzistojë mundësia për lirimin me kusht. Po punojmë në përmirësimin e lirimit me kusht, në përmbushjen e standardeve. Një prej ankesave më të shpeshta e të burgosurve, kanë qenë vendimet e planit për lirim me kusht, konsiderohet që janë vendime standarde e që shumica refuzohen pa arsyeje”.

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i pestë i Prokurorisë thotë se ishte pjesë e UÇK-së

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i pestë i Prokurorisë thotë se ishte pjesë e UÇK-së

    Mbrojtja e ish-krerëve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) ka filluar intervistimin e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

    Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 3165 ka thënë se UÇK-së i ishte bashkuar në korrik të vitit 1998.

    Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, Albert Muskowitz, është interesuar të dijë nëse ky dëshmitar kishte marr ndonjë dokument që dëshmonte se ai ishte pjesë e UÇK-së.

    Sipas dëshmitarit, atij nuk i ishte dhënë ndonjë dokument i tillë.

    Avokati Moskowitz: Kur iu bashkëngjite UÇK-së, atë datë, atë mbrëmje a nënshkrove ndonjë gjë të vërtetoje që tani je ish anëtarë i UÇ?

    Dëshmitari: Po

    Avokati Moskowitz: A more ndonjë letërnjoftim, a ndonjë copë letër ku të thuhej që ti tani ishte anëtarë i UÇK-së?

    Dëshmitari: Unë kam dal në ora 2 të natës atë natës, kurse të nesërmen i kanë marr shënimet komandanti kush ka qenë aty.

    Avokati Moskowitz: Morën shënime por nuk të dhanë ndonjë kartelë, letërnjoftim ku thuhej dhe verifikohej se në vërtet ishte anëtar i UÇK. Nuk e vë në dyshim se ishte anëtar i UÇK, thjesht po përpiqem të kuptoj se a ka pas ndonjë gjë që e vërtetonte dhe t’i mund t’ua tregoje personave që unë tani jam anëtar i UÇK-së?

    Dëshmitari: Nuk ma kanë dhënë

    Avokati Maskowitz e ka pyetur dëshmitarin edhe për mënyrën se si e kishte siguruar uniformën.

    Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se vetë e kishte blerën copën vetë për ta qepur uniformën.

    Avokati Moskowitz: Po uniformë, të dhanë ndonjë uniformë atë kohë?

    Dëshmitari: I kemi blerë vetë nuk ka pas në atë kohë, u dashtë me ble si ceradë kena ble kamuflazh dhe i kena ba veshë ushtarake.

    Avokati Moskowitz: Pra, nuk të dhanë para për ta blerë uniformën, e ke blerë vetë. Uniforma ishte e gatshme kur e bleve apo bleve copën dhe e qepe?

    Dëshmitari: Në atë kohë blejshim copa dhe i qepshim.

    Avokati Moskowitz: Nga e dije se çfarë cope të bleje, kishte ndonjë rregullore që të tregonte se çfarë cope duhet të bleje në verën e ‘98?

    Dëshmitari: Si cerada, ato i kena ble edhe ato i kena kep.

    Dëshmitari ka thënë se armë nuk i kishin dhënë, por atë e kishte siguruar nga një bashkëfshatar.

    Avokati Moskowitz: Kur iu bashkëngjite UÇK-së a të dhanë armë?

    Dëshmitari: Armën e kisha marr nga një bashkëfshatar

    Avokati Moskowitz: Si ndodhi që ky bashkëfshatari të dha armën e tij, po ai vetë nuk ishte në ushtri atë kohë?

    Dëshmitari: Po ish lodhë, ish mërzitë ku ta di unë dhe më tha kush kërkon për me dal muj me ia dhanë edhe me kam marr.

    Mbrojtësi i ish-presidentit ka thënë se meqenëse atyre që kyçeshin në UÇK nuk iu jepet ndonjë dokument që dëshmon se janë pjesëtarë të UÇK, copën për uniform mund ta blinte çdokush.

    Më pas dëshmitari tha se nuk beson që dikush ka blerë uniformë pa qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Duke pas parasysh që atyre që kyçeshin në UÇK nuk u jepnin ndonjë dokument, kjo tregon se çdo njeri po të donte mund të blinte copën të bënte uniformën edhe pa qenë në UÇK sepse gjërat ishin kështu jo zyrtare”, ka thënë avokati.

    Pas kësaj, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun, me pyetjet e mbrojtjes së Thaçit.

    Dëshmitari me kodin 3165 ZPS-së ka filluar dëshminë e tij të mërkurën, ndërsa para tij janë dëgjuar katër dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë.

    Të gjithë kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe në seancë të mbyllur për publikun.

    Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, der më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Zjarr në një shtëpi në Prishtinë

    Zjarr në një shtëpi në Prishtinë

    Një shtëpi e pabanueshme është përfshirë nga zjarri në rrugën “Vasil Andoni” në Prishtinë, dhe dyshohet se kjo ka ndodhur si pasojë e mbeturinave në këtë objekt. Nga Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave kanë deklaruar se shkak është faktori njeri, ani pse nuk dihet nëse ka qenë e qëllimshme.

    Shtëpia është përplot me mbeturina, për çka janë ankuar edhe banorët përreth.

    Inspektori i preventivës në kuadër të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, Muharrem Beka, ka thënë se ka persona jo rezident të cilët qëndrojnë në këtë shtëpi dy-katëshe.

    “Gjatë hulumtimit që kemi bërë tash, sapo e përfunduam është diçka e çuditshme se ka aq shumë mbeturina është shtëpi e banuar në mënyrë, nga njerëz të cilët nuk janë rezident. Dikush që nuk e dimë as kush janë ata. Në fillim është aluduar se është edhe prej instalimeve, por nuk është edhe pse ka kyçje ilegale. Mirëpo, faktori njeri është 100 për qind. Ne mund të vërejmë se a është aksidentale dhe ka gjasa që është e qëllimshme për shkak për të eliminuar këtë gjendje sepse është me të vërtetë jashtëzakonisht e keqe, e stërmbushur me mbeturina”, ka thënë Beka.

    Tutje, Beka ka shtuar se dyshohet që zjarri ka nisur në hyrje të prapme, në korridorin e shtëpisë.

    “I gjithë podrumi poshtë edhe pjesa ka oborri edhe lartë është plot mbeturina. Ne e pamë një pikënisje, dyshohet se ka filluar prapa atje në një korridor, mirëpo nuk gjetëm diçka, gjurmë bindëse që ka mundur të shkaktohet e qëllimshme apo ka mundur të hedhet diçka aksidentalisht, mirëpo faktori njeri është i sigurt. Nuk është prej instalimeve elektrike. Ne e pamë një dhomë të adaptuar atje, me disa shtretër, një gjendje jashtëzakonisht e keqe”, ka shtuar inspektori i Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave.

    Ibrahim Delibashzade, i cili jeton përballë shtëpisë së djegur, ka thënë se tash e sa kohë janë ankuar në polici për këtë gjendje.

    “I vjen era, na mbyten minjtë as që mundem me punua qe ku e kam ordinancën prej papastëtisë. Vjen policia hyn brenda, nuk kanë cka t’i bëjnë, tha ‘duhet me sigurua banesë’. Por, ti hiqe prej këtuhit nuk është e atij….Është e disa biznismenave, nuk ju di emrat…Gjithë ato harrna, gjithçka ka brenda…100 herë i kemi lajmëruar, por kujt. Vetëm vijnë policia e shëtisin, asgjë tjetër”, ka shtuar ai.

    Në njoftimin e Policisë thuhet se informata për një zjarr është pranuar rreth orës 08:45.

    “Rreth orës 08:45, është pranuar informata për një zjarr në rrugën “Shaban Polluzha” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ftuar zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit si dhe zyrtarët e KEDS-it. Dyshimet e para sugjerojnë që nga zjarri të jenë përfshirë disa mbeturina përpara një objekti të pabanueshëm. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Përveç zjarrfikësve, në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe ekipet e KEDS-it, ku është thënë se kjo shtëpi ka pasur kyçje ilegale në rrjetin elektrik. /KP

  • Kurti bisedon me Chollet për marrëveshjen, dialogun Kosovë – Serbi dhe zgjedhjet në veri

    Kurti bisedon me Chollet për marrëveshjen, dialogun Kosovë – Serbi dhe zgjedhjet në veri

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

    Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se ata biseduan për për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshjen dhe për takimin e së hënës në Bruksel.

    Bëhet e ditur se ata folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit.

    “Bisedën e filluan me vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Poëer, e cila bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MË. Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Poëer dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”.

    “Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur”, thuhet tutje në njoftim.

  • Për 24 orë ngritën 48 aktakuza kundër 58 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    Për 24 orë ngritën 48 aktakuza kundër 58 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur dyzetetetë (48) aktakuza kundër pesëdhjetetetë (58) personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar njëzetetre (23) persona, janë paraqitur dhjetë (10) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tetëmbëdhjetë (18) personave, një (1) kërkesë për masën e arrestit shtëpiak ndaj një (1) personi dhe dy (2) kërkesa për sekuestrim të përkohshëm të sendeve.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një (1) person, si dhe në dy raste të ndryshme të bastisjeve ka sekuestruar sende të cilat do të jenë të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar pesë (5) persona, ka paraqitur katër (4) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë (5) personave, një (1) kërkesë për masën e arrestit shtëpiak ndaj një (1) personi, si dhe ka ngritur tridhjetë (30) aktakuza kundër tridhjetegjashtë (36) personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë tre (3) persona të dyshuar, në dy raste të ndara, si dhe pranë gjykatës kompetente ka parashtruar dy (2) kërkesa për caktim të paraburgimit për dy (2) persona të dyshuar. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur shtatë (7) aktakuza kundër nëntë (9) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, ka ndaluar tre (3) persona të dyshuar, ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj një (1) personi dhe ka ngritur katër (4) aktakuza, kundër pesë (5) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit, ka ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ka ngritur një (1) aktakuzë kundër një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orësh.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e paraburgimit për gjashtë (6) persona, të dyshuar për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar nëntë (9) persona në katër raste të ndara, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër katër (4) personave dhe ka ngritur gjashtë (6) aktakuza kundër shtatë (7) personave për vepra të ndryshme penale.

  • Mbrojtja e Thaçit kërkon seanca publike në Hagë

    Mbrojtja e Thaçit kërkon seanca publike në Hagë

    Në hapje të seancës gjyqësore në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, shprehu kundërshtimin për seancat të cilat po mbahen të mbyllura dhe kërkoi që procedurat të jenë të hapura për publikun.

    Kehoe tha se duan që procedurat të mbahen hapura dhe të merret vesh e vërteta, derisa theksoi edhe shqetësime praktike në ndjekjen e metodave të përdorura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS).

    “Siç e keni vënë re i kemi kundërshtuar të gjitha masat e përdorura nga ZPS për seanca të mbyllura, hapura e masa mbrojtëse. Por, dua të tërheqë vëmendjen se jo vetëm se kundërshtojmë sepse duam që procedurat të mbahen hapura të merret vesh e vërteta, por kemi edhe shqetësime praktike në ndjekjen e metodave të përdorura nga ZPS. Ata kanë mundësi të futen e të dalin sipas dëshirës apo fakteve individuale. Për ne mbrojtësit është shumë e vështirë që t’i bëjmë pyetjet tona kur të na vije radha duke kaluar sa tek njëra sa tek tjera. Kjo është një çështje shumë praktike. Unë ngrihem në emër të ekipit sepse edhe ne do të kemi dëshmitarë, kemi edhe dy dëshmitarë me masa të mëdha. Është një shqetësim praktik”, tha ai.

    Kehoe po ashtu u shpreh se si pasojë e seancave të mbyllura që po mbahen për publikun kanë vështirësi edhe në parashtrim të pyetjeve.

    “Është një shqetësim shumë real nga ana jonë si mbrojtje që publiku të kuptoj se për çfarë pyesim ne duke pas parasysh gjithë këto vështirësi, prandaj edhe kërkojmë të jemi në procedurë të hapura. Procedura është shumë e vështirë nga ana jonë sesa nga ana e prokurorisë është shqetësim praktik… janë edhe dy dëshmitarë në këtë bllok që kanë masa mbrojtëse të mëdha për të parë nëse janë absolutisht këto masa mbrojtëse apo bazohen në njëfarë shqetësimi që mund të ketë Prokuroria që kemi parë deri tani. ”, theksoi ai.

    Ndërsa, prokurorja Deborah Mayer tha masat mbrojtëse për dëshmitarët janë marr me kërkesë të ZPS-së dhe sipas saj për shkak të frikësimit të dëshmitarëve.

    “Ka disa shqetësime siç e dini dhe e them masat mbrojtëse janë marr në bazë të kërkesave tona të marra nga trupi gjykues ku I kemi vënë në dukje arsyet dhe u kemi marr mendimet. Shqetësimet kryesore nuk vijnë nga ne por nga frika, frikësimi i dëshmitarëve të cilat nuk e kontrollojmë dot ne si Prokurori, pra po të kishim mundësi t’i parandalonim do t’i bënim. Përveç një dëshmitari të gjithë dëshmitarët kanë dëshmuar disa pjesë publikisht. Ka pasur edhe raste kur ZPS ka kërkuar të kalojmë në seancë publike dhe mbrojtja ka thënë se nuk është e përgatitur ta bëjë këtë“, theksoi ajo.

    Më pas mbrojtja e Thaçit reagoi duke thënë se ata e kanë kundërshtuar mbajtjen e seanca të mbyllura.

    “Është vetëm nga ana juaj ne e kemi kundërshtuar, ne kemi kundërshtuar, kemi vite që të kundërshtojmë. E di cila është ideja bazë pra ne nuk pajtohemi me atë qëndrim, dhe duam t’i zhvillojmë në seancë të hapur”, tha ai.

    E kryegjykatësi, Charles L. Smith u shpreh se nuk po fajësojnë askënd por duan metoda praktike për tu mbajtur seancat e hapura.

    “Ne nuk po fajësojmë asnjërin prej juve ne duam që ju vetë të dilni me metoda praktika, nuk ka nevojë për komente nëse se bëni dot do ta bëjmë ne si trup gjykues, por ne po ua kërkojmë ju sepse mendojmë se do të jetë një zgjidhje më e mirë“, tha ai.

    Në anën tjetër, mbrojtësi i viktimave gjatë kësaj seance tha se është e gabuar që të krijohet përshtypja që ZPS i ka përdorur seancat private për arsye se nuk janë mirë të bazuara.

    “Do të ishte shumë e gabuar që njeriu të krijoj përshtypje që ZPS i ka përdorur seancat private për arsye se nuk janë të mirë bazuara. Siç e dinë të gjithë ka një klimë reale frikësimi nga ana e viktimave për të cilat janë masa mbrojtëse”, tha ai.

    Pas kësaj, po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të pestë të Prokurorisë, nën masa mbrojtëse.

    Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e katër dëshmitarëve të prokurorisë.

    Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Pula tregon pse nuk po sanksionohet Serbia për moszbatimin e marrëveshjeve

    Pula tregon pse nuk po sanksionohet Serbia për moszbatimin e marrëveshjeve

    Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, në emisionin A23 në ATV, tha Serbia nuk është sanksionuar për moszbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, për shkak se e ka marrë primatin si një shtet i cili mund të dëmtojë rendin ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor.

    “Çështja është se Serbia ka marrë primatin e një shteti i cili mund të dëmtojë rendin ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor, normativën e të drejtës ndërkombëtare për sa i takon ndërhyrjeve në shteteve të tjera, siç është rasti me ndërhyrje në Bosnjë-Hercegovinë, në Mal të Zi apo edhe në Kosovë, diçka edhe në Maqedoninë e Veriut. Pra, Serbia është parë si një shtet problematik që në çdo kohë mund të prodhojë rreziqe për rajonin”, tha Pula.

    Ai tha po të ndodhnin sanksionimet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, ato do të mund të ishin të ndryshme, qoftë përmes fondeve të BE-së apo edhe përmes sanksioneve politike.

    “Do duhej të sanksionohej Serbia dhe sanksionimet mund të jenë nga më të ndryshmet qoftë për sa i takon fondeve të Unionit Evropian që i jepen shteteve të cilat kanë marrë statusin e vendit kandidat që kanë filluar negociatat e kapitujve, qoftë edhe atyre të cilat janë më mbrapa siç është rasti i Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë e kështu më radhë sepse shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk janë në të njëjtin stad në procesin e integrimit. Qoftë përmes sanksioneve të tjera politike që mund të jenë sepse ka instrumente të mjaftueshme për ta sanksionuar një shtet që nuk i bindet zbatueshmërisë së dakordimeve”, tha Pula. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pula: Kosova rrezikohet nga projekti ”Nova Rusia”

    Pula: Kosova rrezikohet nga projekti ”Nova Rusia”

    Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, në emisionin A23 në ATV, tha se Kosova rrezikohet nga projekti sllav që quhet “Nova Rusia”, projekt ky që është një platformë politike pothuajse 150 vite e vjetër.

    “Kosova gjendet në një situatë jo të mirë, në një situatë ku rrezikohet nga një projekt që quhet “Nova Rusia”, projekt i cili ka akterë të ndryshëm në etapa të ndryshme kohore dhe tani së voni kemi të bëjmë me akterë të Serbisë të cilët po e jetësojnë projektin e quajtur “Nova Rusia”, e që kanë një moto diku 150 vjeçare tashmë sepse kemi qasje në dokumente të tyre, në platformë politike të tyre që ka të bëjë me “Sllavizmi nuk ka fund askund””, tha Pula.

    Ai tha se bashkësia e komunave me shumicë serbe nënkupton betonizimin e shtetit serb brenda Kosovës.

    “Nuk duhet harrur dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm si qeveri, si institucione, në veçanti ato që janë përgjegjëse në procesin e dialogut, që të kenë kujdes në këtë drejtim sepse Kosova vërtetë rrezikohet madje unë do e quaja edhe nga terrorizmi politik që i bëhet shtetit të Kosovës nga spin doktorë të ndryshëm të cilët për të toleruar apetitet e shumta të Serbisë zyrtare kundrejt kombit shqiptar dhe shtetit të Kosovës në veçanti, insistojnë që të bëhet një bashkësi e komunave serbe dhe natyrisht edhe kisha serbe ortodokse në Kosovë që të dyja të kenë rolin, njëra e aspektit shpirtëror siç ata e proklamojnë me të madhe dhe tjetra në aspektin institucional në territorin e Kosovës”, tha Pula.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: