ATV

Category: Lajme

  • ​Hajdari: “Tregu i Përbashkët” i rëndësishëm për qasjen e bizneseve në tregjet e BE-së

    ​Hajdari: “Tregu i Përbashkët” i rëndësishëm për qasjen e bizneseve në tregjet e BE-së

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se përfshirja e Kosovës në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët” është shumë e rëndësishëm për vendin.

    Ministrja Hajdari tha se ky treg është në vlerë 4.2 miliardë euro dhe do t’iu shërbejë bizneseve të Kosovës edhe qasje në tregje të Bashkimit Evropian (BE).

    “Përmes këtij programi, bizneset do të jenë përfituese të mjeteve vetanake dhe mund të ndërveprojnë me biznese të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha ajo.

    Në anën tjetër, Hajdari tha se gjatë mandatit të saj ka pasur edhe rritje të investitorëve të huaj.

  • ​Hovenier për kryetarët në veri: Të shmanget forca për hyrje në objektet komunale

    ​Hovenier për kryetarët në veri: Të shmanget forca për hyrje në objektet komunale

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se duhet të shmanget çdo konflikt dhe përplasje që qon në rritjen e tensioneve me betimin e kryetarëve të rinj në veri.

    Ambasadori Hoveniver, pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, katha se Amerika nuk mendon se është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave, shkruan Klankosova

    “I kam bërë disa komente edhe gjatë ditës së djeshme, të njëjtat i diskutova edhe sot. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se kjo gjë duhet të ndodhë në një mënyrë që shmang konfliktet dhe përplaset që mund të qojnë në rritjen e tensioneve në veri. Ne jemi për zgjidhjen e kësaj çështjeje në mënyrë të mirë, ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë të qasshme”, ka thënë Hovenier.

  • Miratohet marrëveshja për ndërtimin e urës së Bunës që lidh Shqipërinë me Malin e Zi

    Miratohet marrëveshja për ndërtimin e urës së Bunës që lidh Shqipërinë me Malin e Zi

    Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot (e enjte) marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, për ndërtimin e urës mbi Bunë.

    Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për ndërtimin e urës ndërkufitare mbi lumin Buna/Boiana”, u miratua me 97 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

    Plani i Shqipërisë dhe Malit të Zi është që, deri në vitin 2024, së bashku të ndërtojnë një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri.

    Gjatësia e urës do të jetë 310 metra, ajo do të ketë dy korsi të gjera më pak se katër metra dhe do të përfshijë trotuare dhe shtigje për biçikleta.

    Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor. I gjithë projekti do të kushtojë nëntë milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë rreth 18 muaj.

    Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, pati thënë se ura do të përshkohet vetëm në dy minuta.

    “Me ndërtimin në Urën e Bunës, një urë që është 310 metra, do të përshkohet vetëm në 2 minuta, duke ju dhënë mundësi vizitorëve që janë numra të konsiderueshëm. Bëhet fjalë për mbi 360 mijë turistë që lëvizin dhe mbi 170 mijë qytetarë nga Mali i Zi që vizitojnë Shqipërinë. Kjo është një punë dhe një investim që do të bëhet duke e ndarë investimin mes 2 vendeve. Parashikohet që investimi të shkojë rreth 1,5 miliardë lekë, që do të ndahen 50 me 50 mes vendeve tona. Keni nisur nga puna që projektimi, dokumentacioni dhe çdo gjë tjetër të kryhet nga FSHZH-ja sa më shpejt”, pati thënë Balluku ditë më parë.

    Ura do të vendoset mbi degën e lumit Buna në dy degë që formojnë vendbanimin ekskluziv turistik të Ada Buna në Mal të Zi.

  • ​Prokuroria kërkon një muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve për fajde

    ​Prokuroria kërkon një muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve për fajde

    Prokuroria Themelore në Ferizaj kërkon paraburgim prej 30 ditësh ndaj katër të dyshuarve lidhur me aksionin e realizuar për Fajde.

    Në një komunikatë të kësaj prokurorie, bëhet e ditur është kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimi i masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj katër të pandehurve me inicialet B.M., A.H., B.K dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Detyrimi” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    “Të pandehurit, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartë cekura”, thuhet në njoftim.

    Të mërkurën, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë zhvilluar aksion në Prishtinë dhe Podujevë ku janë bastisur shtëpi e lokale nën dyshimin për fajde.

  • Mbrojtja e Thaçit vazhdon intervistimin e dëshmitarit të pestë të Prokurorisë

    Mbrojtja e Thaçit vazhdon intervistimin e dëshmitarit të pestë të Prokurorisë

    Herë në seancë të mbyllur, herë në private dhe e përcjellur me redaktime, është duke u dhënë dëshmia e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

    Pas përfundimit të intervistimit nga ana e Prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 3165 ka nisur të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Avokati Albert Moskowitz e ka ballafaquar atë me një deklaratë të një personi(i koduar me numrin 3.

    Derisa dëshmitari po fliste për një rast, që sipas tij, bashkë me “numrin 3” e kishin parë një veturë në një anë të rrugës e cila, ka thënë ai, ishte e tipit Golf 3, mbrojtja e Thaçit e kujtoi një deklaratë të “numrit 3” dhënë për UNMIK-un, i cili kishte deklaruar se vetura ishte Fiat.

    E pas kësaj pyetje nga mbrojtja e Thaçit seanca ka vazhduar me përmbajtje të redaktuar dhe më pas e mbyllur për publikun.

    Para këtij dëshmitari kanë dëshmuar edhe katër dëshmitarë të tjerë, dëshmia e të cilëve u zhvilluar në seancë të mbyllur për publikun përkundër masave tjera mbrojtëse.

    Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Arrestohet një person në Gjilan, dyshohet se ushtroi dhunë fizike e psikike ndaj gruas shtatzënë

    Arrestohet një person në Gjilan, dyshohet se ushtroi dhunë fizike e psikike ndaj gruas shtatzënë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes, pastaj i dyshuari ka kërkuar që gruaja të shkojë te familja e vajzërisë.

    Rasti ka ndodhur në Gjilan, të mërkurën në ora 17:30.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare, pastaj i dyshuari ka kërkuar që viktima të shkojë te familja e vajzërisë”, thuhet në raport.

    Viktimës iu është ofruar tretman mjekësor pasi që e njëjta edhe është shtatzënë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet.

  • Naser Kelmendi dënohet me 4 vjet e 8 muaj burg

    Naser Kelmendi dënohet me 4 vjet e 8 muaj burg

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për trafikim me narkotikë, Naser Kelmendi, duke e dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim.

    Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Kelmendi, është shpallur të enjten, nga kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas aktgjykimit, koha e kaluar në privim lirie, do t’i llogaritet në shqiptimin e dënimit.

    Sipas gjykatëses Çerkini, lidhur me nxjerrjen e këtij aktgjykimi, gjykata ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

    Si rrethanë rënduese, gjykata ka marrë përfshirjen e shumë personave, metodat e sofistikuara për fshehjen e narkotikëve, ndërsa si rrethanë lehtësuese është marrë koha e kaluar që nga kryerja e veprës penale, nga e cila kohë nuk është gjetur ndonjë vendim i formës së prerë që i akuzuari ka kryer ndonjë veprë të njëjtë apo të ngjashme.

    Në pajtim me dispozitat ligjore të KPRK-së, i akuzuari Kelmendi është i detyruar të paguajë shumën prej 300 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

    Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Kelmendi.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për trafikim me narkotikë.

    Ndërsa, ishte shpallur i pafajshëm për veprat tjera penale që lidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit, për krim të organizuar si dhe për pikat tjera të aktakuzës, që lidhen me shitjen dhe prodhimin e substancave narkotike.

    Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, kryetarja e trupit gjykues, Anna Adamska Galant, kishte thënë se gjykata kishte vendosur ta lirojë nga këto pika, pasi nuk është provuar se Naser Kelmendi ka kryer këto vepra penale. Sipas saj, gjykata kishte vlerësuar se nuk kishte prova për të mbështetur akuzën për vrasje.

    Në dënimin e shqiptuar, atij i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa ishte obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale pjesërisht në vlerë prej 5 mijë euro. Gjykata kishte vendosur ta caktojë edhe masën e paraburgimit ndaj tashmë të dënuarit Kelmendi, pasi sipas saj, dënimi është mbi pesë vjet.

    Por, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim,

    Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.

    Kelmendi, i cili është gjykuar nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt 2017, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak.

    Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte miratuar ankesën e tij duke e kthyer në paraburgim prapë të akuzuarin Kelmendi.

    Më vonë, Kelmendi, në qershor të vitit 2017, prapë është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, gjë që e bën edhe tani pasi që ndaj tij, nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.

    Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

    Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.

    Për vrasjen e Delaliqit, sipas prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.

    Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.

    Tutje, sipas aktakuzës, së paku nga viti 2000 deri më 2012, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar, ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe droga të tjera, nëpërmjet një rrjeti të organizuar kriminal të themeluar mirë, që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin, K2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truprojë, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë.

    Prokuroria pretendonte se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe iu shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.

    Naser Kelmendi akuzohej se në bashkëkryerje me Kl, K2, K3, Liridon Kelmendi, Haris Mehanovic, Sead Akeljic, Zeljko  Bozic, Hakija  Krlic, Iljier Kastrati, Asm_jr Kalac dhe të tjerët pa autorizim, kanë kultivuar, prodhuar, përpunuan ose përgatitën substanca, të deklaruara si droga të rrezikshme narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit të tyre për shitje.

  • Rivali i Erdoganit: Të gjithë migrantët do t’i dërgoj në shtëpi

    Rivali i Erdoganit: Të gjithë migrantët do t’i dërgoj në shtëpi

    Lideri i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu, është zotuar të enjten se do t’i kthejë nëpër vendet e tyre miliona migrantë, në rast se fiton në balotazhin e 28 majit.

    Ai është në garë me presidentin aktual, Recep Tayyip Erdogan.

    Këto janë deklaratat e para të tij, prej mbajtjes së zgjedhjeve më 14 maj, kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

    Në rundin e parë, asnjëri kandidat nuk ka arritur të fitojë mbi 50 për qind të votave për pozitën e presidentit.

    Megjithatë, performanca e Kilicdaroglut ka qenë më e mira e një kandidati opozitar, përgjatë dy dekadave të fundit.

    Kilicdaroglu, 74-vjeçar, ka folur të enjten në favor të votuesve të krahut të djathtë.

    Ai, po ashtu, pritet të takohet edhe me Sinan Oganin – figurë e të djathtës ekstreme, i cili i ka fituar 5.2 për qind të votave, në garën për president.

    Të enjten, ai ka folur me ton më të ashpër, sesa në fazën e parë të fushatës.

    “Erdogan, ju nuk i keni mbrojtur kufijtë dhe nderin e shtetit”, ka thënë Kilicdaroglu, ish-shërbyes civil.

    “Ju keni sjellë me qëllim mbi 10 milionë refugjatë në këtë shtet. Sapo të jem në pushtet, do t’i dërgoj të gjithë në shtëpi”.

    Ogan ka thënë se ai do të mbështesë vetëm kandidatin që merret me çështjen e migrantëve dhe e lufton “terrorizmin” – referencë në Turqi për militantët kurdë.

  • Alpinisti 84-vjeçar u shpëtua nga mali në Nepal teksa synonte rekord

    Alpinisti 84-vjeçar u shpëtua nga mali në Nepal teksa synonte rekord

    Një alpinist 84-vjeçar që përpiqej të bëhej personi më i vjetër që arrinte majat më të larta të botës, u shpëtua të enjten nga një mal në Nepal, ku u lëndua.

    Alpinisti spanjoll Carlos Soria po përpiqej të ngjitej në malin Dhaulagiri, por u lëndua gjatë rrugës për në majë.

    Me një helikopter shpëtimi ai u dërgua në një spital në Katmandu për trajtim, transmeton Klankosova.tv.

    Udhëzuesit sherpa dhe alpinistët e tjerë e kishin ndihmuar atë të zbriste nga mali në kampin bazë, pasi u plagos të mërkurën.

    Soria ishte ngjitur në 12 nga 14 malet më të larta në botë mbi 8,000 metra duke përfshirë malin Everest, i cili është më i larti nga të gjithë, raporton Associated Press.

    Qindra alpinistë dhe udhërrëfyesit e tyre përpiqen të ngjiten në majat më të larta në Nepal gjatë sezonit popullor të alpinizmit pranveror, kur kushtet e motit në male janë më të favorshme.

    Sezoni fillon në mars dhe përfundon në maj, pas së cilës moti përkeqësohet, duke e bërë të rrezikshëm qëndrimin në mal.

  • Hapet panairi EXPKOS, Hajdari: Kosova ka shumë potencial për investime

    Hapet panairi EXPKOS, Hajdari: Kosova ka shumë potencial për investime

    Është hapur në Prishtinë edicioni i 22-të i panairit ndërkombëtar “EXPOKOS”, në të cilin po marrin pjesë biznese të sektorit të ndërtimit, energjisë, makinerisë, mbrojtjes dhe sigurisë. Panairi do të qëndrojë i hapur edhe nesër në sallën “1 Tetori”.

    Përveç bizneseve vendore, ky panair ka sjellë në vend edhe biznese nga Bashkimi Evropian, të cilët po prezantojnë bizneset e tyre.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, deklaroi se Kosova ka shumë potenciale për investime falë fuqisë punëtore.

    Hajdari tha se synojnë që Kosova të integrohet më shpejtë në Bashkimin Evropian.

    “Kosova ka shumë potenciale, sidomos për investime falë fuqisë punëtore të njeriut, falë resurseve tona njerëzore, por edhe falë resurseve natyrore, megjithatë resursi njeri është kryesor për zhvillim ekonomik. Jam e lumtur të ndajë shumë suksese nga bizneset e Kosovës që po rrisin investimet, po rrisin eksportet, por edhe investimet nga vendet evropiane e më larg që po vinë në Kosovë për shkak të mundësive që ka vendi. Është resursi, njeri, taksat, ligjet që kemi shtyrë për të bërit biznes, që përmirësojnë ambientin për të bërit biznes. Me këtë vizion ne synojmë që Kosovën ta integrojmë më shpejtë, industrinë tonë globalisht me prodhim në vlerë të lartë të shtuar dhe me ofrim për punësim të denjë për të rinjtë tanë. Kështu dalëngadalë duke u integrua sa më shpejtë në Unionin Evropian, aty vërtetë ku jemi Evropë ”, theksoi Hajdari.

    Hajdari mes tjerash tha se kanë nënshkruar marrëveshje për programin e tregut të përbashkët në unionin evropian, ku Kosova do të ketë mundësinë të marrë pjesë në të gjitha aplikacionet e programit që janë në vlerë me 4.2 miliardë euro, duke përfshirë bizneset e vogla e të mesme

    Organizatori i panairit, Bekim Xhafa bëri të ditur se këtë vit numri i prodhuesve është në rritje.

    “Këtë vit jemi mirë sepse numri i prodhuesve është në rritje dhe kemi shumë prodhues nga vendi të cilët janë në panair për të shtrirë dhe për të hapur dyer edhe jashtë kufijve të Kosovës dhe me disa prej tyre kemi filluar që t’i bëjmë edhe marrëveshjet dhe partneret adekuat. Këtë vit kemi edhe një mysafir që ka bërë një rrugë më të gjatë, një institucion gjerman, është asociacioni për ndërmarrje të mesme në Gjermani, që kanë në ombrellën e tyre 900 mijë anëtarë të cilët janë në Prishtinë dhe kanë një stendë këtu që është në shërbim të bizneseve kosovare për të krijuar lidhje në tregun gjerman”, tha Xhafa.

    Se panairet janë mundësi e mirë për të promovuar bizneset e thonë edhe përfaqësuesit e bizneseve.

    Elmedina Kelmendi, financiere, tha se falë panairit po promovojnë biznesin e tyre dhe po lidhin bashkëpunim me biznese tjera.

    “Për neve si fabrikë është hera parë që po marrim pjesë në panair, i cili po na mundëson promovimin dhe bashkëpunimin edhe me biznese tjera. Shpresojmë që ky panair të jetë një vegzë bashkëpunimi edhe me ndërkombëtarë e me biznese vendore”, tha Kelmendi.

    Ndërsa, Ylber Pllana, pronari i një nga biznesi në vend, u bëri thirrje institucioneve përkatëse të organizojnë më shumë panaire të tilla.

    “Ky është panairi i parë që ne marrim pjesë. Po prezantojmë mjete të reja, dhe inovative që janë në Kosovë. Në këto panaire ne si për produkte vendore e të importura, nëse janë të mira duhet të promovohen sa ma shumë…7:14 Bëjmë thirrje që të ketë panaire sa më shumë për promovimin e këtyre produkteve”, tha Pllana.

    Edhe Fatmir Muja, i cili po promovon produktet e kompanisë, tha se panairet e tilla ndihmojnë në rritjen e klientëve.

    “Çdo panair, promovim sjellë një risi të re, krijon një njohje me klientët tanë e të rinj, të cilët e vizitojnë stendën tonë dhe i shohin produktet e reja. Dhe gjithmonë duke avancuar edhe ne në produktet tona kemi arrit një sukses të madh edhe në BE dhe jemi shumë atraktiv në tregun e Kosovës”, tha Muja.

    Panairi do të jetë i hapur dy ditë, sot dhe nesër në sallën 1 tetori në kryeqytet.