ATV

Category: Lajme

  • Atiq: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Mitrovicës Veriore

    Atiq: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Mitrovicës Veriore

    Kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, në një konferencë për gazetarë pas seancës solemne të betimit, tha se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Mitrovicës Veriore, pa dallime dhe pa diskriminime.

    Ai bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me komunën në të gjitha temat që janë në të mirë të qytetarëve të kësaj komune.

    “Si kryetar komune, kemi me punu për të gjithë qytetarët e Mitrovicës Veriore pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh kemi me e ba për me e normalizu këtë pjesë të komunës edhe u bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të vijnë e të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, tha Atiq. /atvlive.tv

  • ​Betohet kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq

    ​Betohet kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq

    Në një seancë solemne e cila ka filluar sot në ambientet e Komunës në veri të Mitrovicës, ka dhënë betimin kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq.

    E veçanta e kësaj është se flamuri shtete, i cili është vendosur për herë të parë në këtë objekt.

    Gjithçka po kalon qetësisht dhe pa incidente.

  • Arrestohen dy persona në Ferizaj, kishin kryer disa vjedhje

    Arrestohen dy persona në Ferizaj, kishin kryer disa vjedhje

    Policia në Ferizaj ka arritur që të identifikojë dhe arrestojë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “vjedhje”.

    “VJEDHJE E RËNDË/ Ferizaj 18.05.2023 – 14:50. Është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që ata dyshohet se kishin kryer disa vjedhje të rënda në lokacione të ndryshme (shtëpi, banesa, etj), pronë e ankuesve të ndryshëm”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Atiq në Komunë, shoqërohet nga numër i madh i policëve

    Atiq në Komunë, shoqërohet nga numër i madh i policëve

    Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së veriut, Erden Atiq i shoqëruar nga një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë, konkretisht mbrojtja e afërt, ka shkruar në objektin e Komunës.

    Gjithashtu, është vendosur edhe flamuri i Republikës së Kosovës në objektin e Komunës.

    Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut, Nedzad Ugljan, tha në një deklarim për media se janë bërë të gjitha përgatitjet për betimin e kryetarit të ri.

    Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

    Në ditën kur pritet betimi i kryetarit të ri në veri të Mitrovicës, shtetet e QUINT-it sërish u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin.

    Në një deklaratë të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar thuhet se më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Megjithatë, në deklaratë thuhet se pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna, gjersa u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione.

  • Në Komunën e Mitrovicës së Veriut shihet flamuri i Kosovës

    Në Komunën e Mitrovicës së Veriut shihet flamuri i Kosovës

    Kanë mbetur edhe pak minuta nga fillimi i mbledhjës së kryesisë së Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut ku do ta bënë betimin kryetari i kësaj komune Erden Atiq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut tashmë është vendosur Falmuri i Kosovës.

    Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut, Nedzad Ugljan tha se janë të pajtimit për ta bërë këtë meqë në institucionet e Kosovës duhet të jenë simbolet e saj.

    Në Komunën e Mitrovicës së Veriut ku në ora 11:00 pritet të bëhet betim i kryetarit të kësaj komune Erden Atiq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i pranishëm tashmë është edhe EULEX-i.

  • ​Osmani takoi zëvendëspresidentin e PE, u diskutua angazhimi i Kosovës për paqe në rajon

    ​Osmani takoi zëvendëspresidentin e PE, u diskutua angazhimi i Kosovës për paqe në rajon

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me të cilin ka biseduar për procesin integrues të Kosovës.

    Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për integrim në Bashkim Evropian.

    “Presidentja Osmani ka potencuar përkushtimin e palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës për integrim në Bashkimin Evropian, e reflektuar edhe në bashkërendimin e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së. Tutje, Presidentja Osmani ka folur mbi angazhimin e Republikës së Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, thuhet në komunikatë.

    Osmani gjithashtu ka theksuar nevojën për vazhdimin e mbështetjes nga Parlamenti Evropian.

    “Në takim u bisedua për procesin integrues të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian, si dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për integrimin e Kosovës në BE, ndërsa ka ritheksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë”, bëhet e ditur në njoftim.

  • Shefi i operativës rajonale të Mitrovicës së Veriut: Kemi angazhuar edhe zyrtarët civil brenda objektit ku do betohet kryetari

    Shefi i operativës rajonale të Mitrovicës së Veriut: Kemi angazhuar edhe zyrtarët civil brenda objektit ku do betohet kryetari

    Shefi i operativës rajonale të Mitrovicës së Veriut, Majori Shkëlzen Xhafa ka thënë se nuk presin që të ketë tensione në betimin e kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut.

    Para mediave, Xhafa ka deklaruar se të gjitha masat e nevojshme tashmë janë ndërmarr.

    “Policia e Kosovës në bazë të autorizimeve të tyre i ka marrë të gjitha masat në aspektin e sigurisë. Ne si Polici kemi vendosur zyrtar policor të rregullt që më shumë do të merren me çështjet e trafikut se nuk presim që të ketë ndonjë tension në këtë inagurim…Kem zyrtar civil brenda e rreth objektit. Nuk ka ngritje të masave. Të gjitha masat janë ndërmarrë sikur në çdo vend tjetër”, ka deklaruar ai.

    Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, do të bëjë betimin më 19 maj në ndërtesën e kësaj komune, me ç’rast do të nisë zyrtarisht mandatin e tij si kryetar.

    Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill të këtij viti, kandidati nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota, përkatësisht 66 përqind të votave në total.

    Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të gjitha të banuara me shumicë serbe, u mbajtën pas dorëheqjeve të kryetarëve nga Lista Serbe. Një veprim i tillë erdhi pasi Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendimin që të bëhej konvertimi i targave në “RKS”.

    Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor. Të njëjtat u bojkotuan në masë të madhe nga pjesëtarët e komunitetit serb.

  • Këto zona të Prishtinës nesër do të mbesin pa furnizim me ujë

    Këto zona të Prishtinës nesër do të mbesin pa furnizim me ujë

    Disa zona në Prishtinë do të mbesin pa furnizim me ujë gjatë ditës së nesërme. Kjo për shkak të realizimit të punimeve teknike nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

    Rruga pranë Komunës së Re, ajo e Stadiumit të Prishtinës e Arbëria janë disa prej zonave për të cilat KRU Prishtina ka njoftuar se do të mbesin pa furnizim me ujë nga ora 9 deri në 16:00.

    Sipas njoftimit, punimet teknike do të realizohen për ndërrimin e gypit “Ac fi 200” në rrugën Tirana.

    “Realizimi i punimeve teknike ka për fokus përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe zvogëlimin e humbjeve teknike të ujit. Gjatë kësaj periudhe kohore, pa furnizim me ujë mbesin këto zona shërbimi: rruga e ” Tiranës “, lagjja Arbëria pjesa nga hekurudha deri te rruga” Ahmet Krasniqi “, Komuna e Re, rruga” Bashkim Fehmiu”, rruga ” Vicianum”, rruga ” Nora e Hotit”, Stadiumi i Prishtinës me lokale përreth tij”, është bërë e ditur në komunikatë.

     

  • Nis edicioni i Dytë i Panairit të Karrierës dhe Punësimit, “AAB 2023”

    Nis edicioni i Dytë i Panairit të Karrierës dhe Punësimit, “AAB 2023”

    Për dy ditë rresht, në Kolegjin AAB do mbahet panairi i punës, ku studentët do ta kenë mundësinë të krijojnë një kontakt të drejtpërdrejtë me kompani të ndryshme, një pjesë e të cilave janë edhe institucione partnere të këtij kolegji.

    Në një intervistë në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, udhëheqja e Qendrës për Karrierë dhe Punësim në Kolegjin AAB, Gresa Makolli, njoftoi se në këtë edicion të panairit të punës, do të jenë pjesëmarrëse 57 kompani të ndryshme.

    “Në krahasim me panairin e vitit të kaluar, këtë vit është rritur numri i kompanive pjesëmarrëse. Do të jenë 57 kompani që do të prezantohen në këtë panair përgjatë dy ditëve. Duke pasur parasysh që Kolegji AAB ka 14 fakultete, jemi munduar që studentët e të gjitha fakulteteve ta kenë mundësinë t’i takojnë përfaqësuesit e këtyre kompanive që lidhen me lëmitë e tyre”, tha Makolli.

    Ajo tregoi se vitin e kaluar kishte një numër mjaft të lartë të vizitorëve, ndërsa këtë vit, pret që ky numër të jetë edhe më i lartë.

    “Të gjitha kompanitë që i kemi ftuar, por edhe ato që janë paraqitur vetë, kanë qenë të gatshme për çdo kërkesë në mënyrë që panairi të shkojë sa më mirë. Duke u bazuar në edicionin e parë, ka qenë një numër i madh i vizitorëve, i studentëve që kanë qenë pjesë e panairit. Këtë vit presim që numri i pjesëmarrësve do të jetë edhe më i lartë se vitin e kaluar”, tha Makolli. /atvlive.tv

  • Samiti i G7 në Hiroshimë, pritet t’i vendosen sanksione të reja Rusisë

    Samiti i G7 në Hiroshimë, pritet t’i vendosen sanksione të reja Rusisë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në samitin e Grupit të Shtatë (G7), në Hiroshimë, këtë fundjavë për të ushtruar presion të ri mbi Rusinë nga një qytet që është sinonim i tmerreve që shkakton lufta bërthamore.

    Zelensky do të marrë pjesë në takim të dielën, që është dita e tretë dhe e fundit e samitit, thanë dy zyrtarë të përfshirë në aranzhimet për samitin e G7-ës.

    G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

    “Gjëra shumë të rëndësishme do të vendosen atje dhe prandaj presidenti jonë do të jetë i pranishëm, që është absolutisht thelbësore për të mbrojtur interesat tona”, tha për televizionin shtetëror Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

    Pjesëmarrja e Zelenskyt, së bashku me thirrjet e tij për mbështetje të shtuar për Ukrainën në konfliktin e saj me Moskën, pritet të shtojë presionin te vendet e G7-ës për të vepruar më me urgjencë.

    Udhëheqësit e G7-ës tashmë pritet të shpallin sanksione të reja kundër Rusisë dhe të shtojnë bashkëpunimin për kundërvënie ndaj Kinës.

    Duke u paraqitur si kombet më të pasura të botës në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, demokracitë e G7-ës janë sfiduar gjithnjë e më shumë nga Kina si një fuqi politike në rritje dhe një Rusi e paparashikueshme.

    Britania tha se do të shpallë një ndalim të diamanteve ruse dhe importeve të metaleve nga Rusia duke përfshirë bakrin dhe aluminin. Britania do të sanksionojë gjithashtu 86 persona dhe kompani të tjera të afërta me Putinin.

    Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se Evropa do të kufizojë gjithashtu shitjet e diamanteve ruse.

    Shtetet e Bashkuara do të shtojnë 70 subjekte në listën e zezë të eksporteve dhe do të zgjerojnë autoritetin e sanksioneve në 300 subjekte, si dhe sektorë të rinj të ekonomisë ruse, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

    “Do të dëgjoni një deklaratë të fuqishme uniteti, fuqie dhe përkushtimi në përgjigjen tonë ndaj luftës së agresionit të Rusisë”, tha zyrtari. “Do të shihni hapa të rinj të ndërmarrë për të izoluar ekonomikisht Rusinë dhe për të dobësuar aftësinë e saj për të bërë luftë.”

    Qëllimi i përbashkët i këtyre shteteve është zvogëlimi i varësisë nga eksportet ruse të energjisë dhe kufizimi i aksesit të saj në sistemin financiar ndërkombëtar.

    Rusia ka thënë se është e gatshme të përdorë arsenalin e saj bërthamor për të mbrojtur “integritetin e saj territorial” nëse është e nevojshme.

    Më herët të premten, udhëheqësit e G7 vendosën kurora me lule në Hiroshima, një qytet që, së bashku me Nagasaki, u shkatërrua nga një sulm bërthamor i SHBA-së 78 vjet më parë që i dha fund Luftës së Dytë Botërore.

    Kryeministri japonez Fumio Kishida, i cili përfaqëson Hiroshimën në dhomën e ulët të parlamentit të Japonisë, tha se zgjodhi qytetin për samitin për të përqendruar vëmendjen në kontrollin e armëve.