ATV

Category: Lajme

  • Escobar: Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen deri në fund të verës

    Escobar: Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen deri në fund të verës

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerësoi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një “arritje e madhe” dhe se ajo paraqet një “hap historik përpara” në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

    Në një intervistë për agjencinë Mina, Escobar tha se “nuk sheh arsye” pse marrëveshja për çështjet e mbetura të mos mund të arrihet deri në fund të verës.

    Siç tha ai, në Serbi ka disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, letërnjoftimeve dhe disa gjërave të tjera.

    “Në Serbi janë disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, kartave të identitetit dhe disa gjërave të tjera. Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në fakt, nuk është pritshmëri. Është obligim”, tha Escobar.

    Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që këto procese të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

    “Nuk shoh asnjë arsye pse të mos mund të përfundojë deri në fund të verës”.

    Ai përkujtoi se marrëveshja mes dy palëve është ligjërisht e detyrueshme dhe se tani shtrohet pyetja se si të zbatohet plotësisht.

    Escobar tha se është optimist se qëllimi do të arrihet dhe beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq “mund të tregojnë guximin e nevojshëm politik për të ndërmarrë hapat e duhur”.

    Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa më 18 mars, në Ohër, u pajtuan për aneksin për zbatimin e saj. /REL

  • Bajrami: MF-ja i ka bllokuar 37.5 milionë euro, mjete vetanake të komunave

    Bajrami: MF-ja i ka bllokuar 37.5 milionë euro, mjete vetanake të komunave

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e ka akuzuar Ministrinë e Financave që buxhetin e planifikuar me Ligj për këtë vit e ka 3.2 miliardë euro, por sot e kësaj dite i mbanë të bllokuara 37.5 milionë euro, mjete këto vetanake të komunave.

    Bajrami ka shkruar në Facebook se si pasojë, janë qindra projekte kapitale që komunat as nuk mund t’i iniciojnë, sepse ministri i financave, Hekuran Murati, nuk lejon Thesarin ta bëj alokimin e mjeteve financiare.

    “Kush i ka fajet”, ka shkruar ajo.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ditë më parë ka thënë se Ministria që udhëheq nuk është duke bllokuar të hyrat vetanake komunale.

    Ai në seancën e Kuvendit, e sqaroi edhe gjithë procesin teksa tha se po manipulohet me Ligjin për Buxhetin.

    “Po manipulohet se çfarë ka ligji i buxheti, MF-ja nuk ka problem me interpretime të buxhetit aty shkruan shumë mirë se të hyrat vetanake komunale nga viti 2022 barten në vitin 2023, opozita LDK-ja në këtë rast po kushtëzon barti edhe të hyrat e viteve paraprake kështu duke shkelur ligjin pasi kjo nuk parashihet në ligj. Këta pikërisht për këtë e kanë bërë një amendament kur ka qenë votimi në lexim të dytë i ligjit të buxhetit dhe patën thënë që e kanë rregulluar këtë çështje tash po del që s’është ashtu. Unë kërkoj që LDK-ja nëse kërkon të zbatohet duhet të ketë amendament të ligjit, Ministria e Financave nuk është duke e blloku procesin”, tha ai.

  • Mehaj konfirmon blerjet e pajisjeve ushtarake: Do ta mbrojmë atdheun e çliruar nga UÇK-ja

    Mehaj konfirmon blerjet e pajisjeve ushtarake: Do ta mbrojmë atdheun e çliruar nga UÇK-ja

    Ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka treguar për punën që FSK-ja ka zhvilluar deri më tani.

    Ai është shprehur se rrugëtimi i Kosovës është i qartë e që është anëtarësimi në NATO, për të cilin ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht.

    Mehaj tha se “e kaluara na ka mësuar që për ta fituar lirinë duhet të derdhësh gjak, ndërsa për ta ruajtur paqen duhet të derdhësh mund dhe djersë”.

    “Republika e Kosovës do të ketë mbi 1 mijë e 300 ushtarak, do të jemi vendi i katërt me më së shumti ushtarak që do jenë pjesëmarrës. Rrugëtimi ynë është i qartë, destinacioni ynë është një dhe i vetmi, anëtarësimi në NATO”, tha ai.

    Këto fjalë ai i tha gjatë ceremonisë së hapjes së “Defender Europe 2023”. Mes tjerash, ai konfirmoi se janë blerë pajisje të reja ushtarake, pasi para disa ditësh u raportua se Kosova ka blertë dronë “Bayraktar” nga Turqia.

    “Ngritjen e kapaciteteve tona do t’i bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s. Sepse rruga dhe rrugëtimi ynë është i qartë. Destinacioni ynë është një dhe i vetmi: anëtarësimi në NATO. Prandaj, ne do të jemi përmbushës të çdo detyre, çdo obligimi që kërkohet që ne të bëhemi pjesë e familjes euro-atlantike”, u shpreh ai.

    “Gjatë këtyre dy viteve, fokusi ynë kryesor ka qenë në rritjen e numrit të ushtarakëve, trajnime, stërvitje e shkollime, pastaj në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së pajisjeve ushtarake dhe sistemeve të reja. E gjithë kjo është bërë për t’i dalë zot vendit tonë. Atdheun e çliruar dhe lirinë e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ne do ta mbrojmë kurdo që do të jetë e nevojshme”.

  • Studimi i britanikëve: Prishtina, kryeqyteti ku mund të blihet më lirë një shtëpi

    Studimi i britanikëve: Prishtina, kryeqyteti ku mund të blihet më lirë një shtëpi

    DailyMail, duke u bazuar në një studim të ri tregon se Prishtina, është kryeqyteti europian ku mund të blihet më lirë një shtëpi.

    Duke bërë një krahasim, çmimi i banesave në Mbretërinë e Bashkuar shkon mesatarisht 294,910 £, ndërsa në Londër kushtojnë gati dyfish.

    Mirëpo, nëse në Britani me këtë çmim mund të blini një shtëpi normale, në Kosovë mund të merrni në super vilë.

    Studimi vë në pah se me 250,000 £ në Prishtinë mund të blihet një shtëpi me pesë dhoma gjumi me tre tualete, një garazh dhe kopsht të madh.

    Pronat në qytet kushtojnë 577 £ për metër katror, e ndërsa në Londër mesatarisht 8,091 £ për metër katror. Në vendin e dytë renditet Jerevani i Armenisë.

  • Mehaj: Rruga jonë e vetme është anëtarësimi në NATO

    Mehaj: Rruga jonë e vetme është anëtarësimi në NATO

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, deklaroi se ‘Defender Europe 23” është stërvitje e Kosova në këtë stërvitje do të marrë pjesë më 1.300 ushtarë.

    Ai tha se plani ka filluar para një viti e gjysmë dhe sipas standardeve të NATO-s. “Rruga jonë është e qartë, anëtarësimi në NATO”, tha ministri Mehaj.

    U deklaroi e Kosova do të përmbushë çdo detyrë të paraqitur në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e familjes së madhe euro-atlantike.

    Mehaj tha se të gjitha vendet partnere janë bashkuar me një qëllim të përbashkët e që patjetër sipas tij, do t’i shërbejë botës edhe paqes.

    “Ushtria e Kosovës, me intervenimet e saj e zbarkimet jashtë vendit e operacione ndërkombëtare, ka dëshmuar që është aleate e besueshme e partnereve tanë, me në krye SHBA-në”, tha ministri Mehaj.

  • Investitorë nga Zvicra me ambasadorin Kelly ne Gjakovë, janë të interesuar në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit

    Investitorë nga Zvicra me ambasadorin Kelly ne Gjakovë, janë të interesuar në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit

    Gjatë kësaj jave, Kryeministri i vendit, z. Albin Kurti, bashkë me ambasadorin e Zvicrës, z. Kolly, ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë dhe disa investitorë nga Zvicra morën pjesë në inaugurimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura në Gjakovë, siç njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

    Ky projekt është zbatuar përmes Bankës për Zhvilli dhe Konfederatës Zvicerane përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), si dhe me kontributin vetanak të Komunës së Gjakovës.

    Në këtë takim morën pjesë gjithashtu ministri i ambientit dhe infrastrukturës, Liburn Aliu, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, si dhe Fjolla Lasku, drejtoresha e Impiantit në Gjakovë, dhe Ilmi Cakolli, veprimtar i njohur në Zvicër.

    Nga takimi i mëparshëm me z. Lajçak, Kryeministri shkoi drejt Gjakovës për të përuruar impiantin e tretë të ujërave të ndotura, në dy vitet e fundit.

    Impianti i ri në Gjakovë vjen pas atyre në Prizren dhe Pejë, dhe i paraprin atyre në Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe Prishtinë. Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, synohet që brenda pesë viteve të ardhshme t’i kenë impiantet e tyre në shtatë qytetet kryesore, ndërsa në vetëm në dy vite janë siguruar mbi 100 milionë euro grante për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave.

    Nga shuma totale prej 16.8 milionë eurosh që ka kushtuar ky projekt i rëndësishëm, 6 milionë euro janë kontribut i Bankës Zhvillimore Gjermane, 7.6 milionë euro vijnë nga Qeveria Zvicerane dhe 3.2 milionë euro janë shtuar nga Komuna e Gjakovës.

    Zvicra deri tani ka dhënë mbi 600 milionë CHF për demokracinë, integrimin dhe zhvillimin e Kosovës.

    Zvicra ka dhënë 86 milionë euro për Kosovën me qëllim të mbështetjes së projekteve ekonomike, zhvillimit të demokracisë dhe kapaciteteve ujore. Këtë e ka bërë të ditur ambasadori zviceran, Thomas Kolly.

    Ky program i bashkëpunimit zviceran me Kosovën ishte paraparë të realizohej për vitet 2022-2025 me investime në vlerë prej 86 milionë eurosh në fushat e “Qeverisjes demokratike dhe paqes”, “zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm” dhe “fushën e klimës dhe ujit”.

    Në një intervistë të fundit për gazetën zvicerane Le Canton27.ch, ambasadori zviceran në Prishtinë, z. Thomas Kolly, tha: “Rreth 200,000 persona me origjinë kosovare jetojnë në Zvicër dhe kontribuojnë aktivisht në ekonominë, kulturën dhe politikën tonë vendase. Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë, me mbi 480 milionë euro. Zvicra ka ofruar ndihmë të rëndësishme për Kosovën që nga viti 1998. Deri tani, ajo ka ofruar më shumë se 500 milionë CHF për Kosovën dhe mbetet partneri bilateral i tretë në zhvillimin e Kosovës. Ne jemi të bindur se ndihma zvicerane mbështet me efektivitet synimet e Kosovës për integrimin evropian dhe kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve kosovarë.”

  • Hovenier: Kosova, nga vend konsumi, në shtet që eksporton siguri

    Hovenier: Kosova, nga vend konsumi, në shtet që eksporton siguri

    Ceremonia e fillimit të stërvitjes “Defender Europe 2023” filloi me antonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, nga orkestra frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Nga ana e tij, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, deklaroi se është nder dhe kënaqësi të jetë prezent në këtë ceremoni.

    Ai tha se kjo ngjarje është arritje e madhe e Kosovës dhe paraqet përforcim të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës.

    “Derisa po shohim pasojat e tmerrshme të luftës së nisur nga Putini në Ukrainë, është shumë relevante një ushtrim i tillë”, tha Hovenier.

    Ai u shpreh se “Defender Europe 2023” është një ushtrim shumëkombësh, i hartuar për të rritur ndërveprimin midis SHBA-së dhe 26 shteteve të tjera.

    Ai tha se ky ushtrim drejtohet nga komanda e SHBA-së. Hovenier tha se kjo bëhet për të siguruar edhe aleatët dhe për të zmbrapsur ata që rrezikojnë dhe për të mbrojtur kontinentin evropian nga agresioni.

    Diplomati amerikan u shpreh se një nga qëllimet është që të demonstrohet përkushtimi i aleatëve dhe partnerëve për të rritur shkallën, kapacitetin dhe ndërveprimin e tyre.

    Ai tha se në këtë stërvitje janë mbi 9 mijë pjesëtarë të personelit amerikan të cilët do t’i bashkohen 17 mijë ushtarëve të tjerë.

  • Kurti në ushtrimet “Defender Europe ’23”: Përgatitja për t’u përballur me kërcënimet është e domosdoshme

    Kurti në ushtrimet “Defender Europe ’23”: Përgatitja për t’u përballur me kërcënimet është e domosdoshme

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së hapjes së “Defender Europe 2023” tha se FSK radhitet e katërta në këtë ushtrim në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar në këtë ushtrim.

    “Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes por edhe për përkushtimin e palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike”, tha ai.

    “Siguria kontinentit evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e don, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, paqen dhe demokracinë. Defender Europe 21 ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaqë në mënyrën më agresive e brutale synimet e kahmotshme për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. Defender Europe 23 po zhvillohet në një realitet të tensionuar 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë dhe që si i tillë ka të bëjë drejtpërdrejt jo vetëm me të ardhmën e Evropës, por mbarë botës. Prandaj përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura si dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme. Ashtu sic është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake, e që janë objektivat kryesore të ushtrimit “Mbrojtësi i Evropës 2023”, deklaroi Kurti.

    “Edhe ky togfjalëshi ‘Stronger together’ është veçse variacion dhe jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut ‘Bashkimi bën fuqinë’”, tha kryeministri.

  • Osmani: “Defender Europe”, ushtrim historik për FSK-në, kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme

    Osmani: “Defender Europe”, ushtrim historik për FSK-në, kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur e para në ceremoninë së fillimit të ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe” në Prishtinë, duke iu thënë së pari ushtarëve të FSK-së “ju jeni gardianë të paqes”.

    “Forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne i ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta që çdo ditë po i kultivojmë. Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë. Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin europian, për Forcën tonë të Sigurisë”, tha Osmani.

    Në stërvitjen e sivjetme do të marrin pjesë pesë ushtri të NATO-s. Ushtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia do të stërviten në pjesë të ndryshme të Kosovës deri më 2 qershor dhe do të shoqërohen nga pesë oficerë të lartë të ushtrisë amerikane.

    Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Kosova do ta ketë trefishin e numrit të ushtarëve që do të marrin pjesë në stërvitjet e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Pjesë e kësaj ngjarjeje do të jetë edhe ekspozimi i pajisjeve të FSK-së, që do të bëhet në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

  • Gjithçka gati për “Defender Europe 2023”

    Gjithçka gati për “Defender Europe 2023”

    Sot do të fillojë stërvitja “Defender Europe 2023” e ku nikoqire e tij është Kosova.

    Ceremonia pritet të fillojë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kurse stërvitja do të mbahet nga data 21 maj deri me 2 qershor.

    Në këtë ceremoni, marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari etj, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

    Prezenca e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e bën këtë strukturë edhe më të veçantë.

    Në “Defender Europe 2023”, do të marrin pjesë trupat amerikane dhe ato të NATO-s.