ATV

Category: Lajme

  • ​Policia arreston një të dyshuar për dëmtimin e varrezave të dëshmorëve në Pejë

    ​Policia arreston një të dyshuar për dëmtimin e varrezave të dëshmorëve në Pejë

    Policia e Kosovës në Pejë ka arrestuar një person të dyshuar për dëmtim të varrezave.

    E.U dyshohet të ketë dëmtuar varrezat e dëshmorëve në fshatin Lubeniq.

    Sipas komunikatës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, personi i arrestuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Ështё njoftuar se nё fshatin Lubeniq-Pejё, nga pёrson/a tё dyshuar janё dёmtuar varrezat e dëshmorëve tё kёtij fshati. Në vendngjarje kanë dalë njësitet relevante të Stacionit Policor nё Pejё dhe menaxhmenti i Drejtorisë Rajonale tё Policisё nё Pejё. Aty ёshtё vërejtur se njё (1) varr ishte dëmtuar nё masё mё tё madhe ndёrsa tetё (8) tё tjera janё dёmtuar mё pak”, është bërë e ditur në komunikatën e Policisë.

  • ​Bislimi takoi Weststrate: Kosova e sheh të ardhmen në BE

    ​Bislimi takoi Weststrate: Kosova e sheh të ardhmen në BE

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka takuar drejtorin Departamentit për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës, Erik Weststrate, me të cilin ka biseduar edhe për procesi ne dialogut me Serbinë.

    Qeveria ka bërë të ditur se Bislimi e ka njoftuar atë rreth takimit të fundit që kryenegociatorët kanë mbajtur në Bruksel.

    “Në takim u ritheksua vendosmëria e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian. U shpreh mesazhi i qartë se vendi ynë e sheh të ardhmen e saj në BE, në arritjen e standardeve evropiane dhe punën e vazhdueshme në zbatimin e reformave të agjendës evropiane”, është theksuar në komunikatën e Qeverisë.

    Në takim është thënë se Kosova është gati të bëjë hapa të mëtejshëm dhe të dërgojë marrëdhënien me BE-në në një nivel tjetër.

    “Kosova është gati të bëjë hapa të mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian dhe ta dërgojë marrëdhënien me BE-në në një nivel tjetër. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se institucionet tona janë të maturuara dhe të gatshme për të kontribuar pozitivisht në këtë proces e për të ecur tutje në përmbushjen e hapave të nevojshme, në rrugën drejt BE-së”, është bërë e ditur në njoftim.

  • Rasti i “VisaMetric”, Avokati Flamur Abdullahu: Pres që Gjykata të më ftojë për padinë që e kam bërë

    Rasti i “VisaMetric”, Avokati Flamur Abdullahu: Pres që Gjykata të më ftojë për padinë që e kam bërë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “VisaMetric”, i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

    Avokati Flamur Abdullahu, muaj më parë, kishte bërë ankesë në departamentin për mbrojtjen e konsumatorit dhe me pas edhe padi kolektive ndaj “VisaMetric”, pasi kjo e fundit kishte detyruar aplikuesit për viza që të paguajnë tarifën prej 30 eurosh.

    Ai në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT në ATV, tha se detyrimi “VisaMetric” që aplikantët e vizave të paguajnë tarifën e caktuar nga kjo kompani, përbënte shkelje të të drejtave të konsumatorit.

    “Unë isha një prej personave që kur aplikova për vizë, u detyrova të paguaj tarifën e postës e cila në parim do të mund të ishte një shërbim që unë mund ta zgjidhja, nëse e dua atë shërbim apo nuk e dua. Në rastin e “VisaMetric”, ata na detyronin që të paguanim këtë tarifë dhe nuk ishte e mundur zgjedhja. Kjo përbënte shkelje të të drejtave të konsumatorit për arsye se ne uebfaqen e “VisaMetric’, ky shërbim reklamohej si i zgjedhshëm. Pastaj unë fillova ankesën në departamentin për mbrojtjen e konsumatorit, propozimin për masë sigurimi dhe padinë kolektive. Pas propozimit për masë sigurimi, Gjykata vendosi që kjo pagesë të mos i merret konsumatorëve dhe ne jemi në pritje të seancave për çështjen e padisë kolektive, me të cilën kemi kërkuar që të kthehen këto mjete të gjithë konsumatorëve që kanë paguar sikur unë”, tregoi Abdullahu.

    Ai tha se ende nuk ka informata se deri ku ka shkuar kjo çështje në Gjykatë dhe për numrin e personave të afektuar, por pret që kur t’i vijë radha kësaj padie, pret që të ftohet nga Gjykata.

    “Nuk kam informatë në lidhje me sa persona janë afektuar. Konsideroj që të afektuar janë të gjithë ata që kanë aplikuar nga shtatori i vitit të kaluar deri para disa ditëve kur “VisaMetric” ka filluar të zbatojë vendimin e Gjykatës. Të gjithë ata që kanë aplikuar, kanë paguar postën, pavarësisht se a merret apo jo viza, ajo është çështje tjetër, është vendim i ambasadës. Për kohën dhe veprimet tjera të cilat do të merren në Gjykatë, ne vetëm e kemi dorëzua padinë para disa muajve dhe presim që kur t’i vie radha, Gjyakata të na ftojë”, tha Abdullahu.

    Ndryshe, kompania “VisaMetric”, ka pranuar ditë më parë vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, ku i ndalohej që të marrin nga 30 euro për shërbime postare qytetarëve që aplikojnë për viza gjermane. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Ministri bullgar i Ekonomisë: Fondi Evropian i Mbrojtjes ofron mundësi të rëndësishme

    ​Ministri bullgar i Ekonomisë: Fondi Evropian i Mbrojtjes ofron mundësi të rëndësishme

    Ministri i Ekonomisë dhe Industrisë së Bullgarisë, Nikolla Stojanov, u bëri thirrje kompanive dhe organizatave shkencore bullgare që të jenë aktive dhe të përfitojnë nga mundësitë e ofruara nga Fondi Evropian i Mbrojtjes.

    Të martën, Stojanov hapi një ditë kombëtare informimi kushtuar Fondit Evropian të Mbrojtjes në Parkun Teknik të Sofjes.

    Gjatë forumit u diskutuan kushtet për paraqitjen e projekt propozimeve nga ndërmarrjet bullgare.

    Në forum morën pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, organizata kërkimore dhe industriale, akademi dhe biznese.

    Ministri Stojanov shpjegoi se mundësitë që ofron Fondi janë shumë domethënëse dhe dha shembull me buxhetin e tij, i cili vetëm për periudhën 2021-2027 arrin në 8 miliardë euro. Gjithsej 2.7 miliardë euro nga shuma janë për kërkime shkencore, 5.3 miliardë euro janë të destinuara për produkte dhe teknologji në fushën e mbrojtjes. Vetëm për këtë vit, Fondi ka një buxhet prej 1.2 miliardë euro, ku 72 milionë euro nga fondet i drejtohen drejtpërdrejt vetëm ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe 41 milionë euro të caktuara për financimin e zhvillimit të të ashtuquajturave “teknologji revolucionare”. “.

    Stojanov tha se kompanitë bullgare kanë marrë pjesë në projekte për zhvillimin e produkteve dhe teknologjive të mbrojtjes që nga viti 2018, kur u themelua Fondi. Në periudhën 2019-2021 janë financuar 11 kompani bullgare me afro 130 milionë leva, që e vendos Bullgarinë në vendin e 14-të mes anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian. Rezultatet për vitin e kaluar janë ende pezull, tha ministri i Ekonomisë, por vuri në dukje se 25 kompani dhe organizata shkencore kanë aplikuar për financim.

    “Ne duam t’ju inkurajojmë dhe jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka nga ana jonë për t’ju ndihmuar në këtë proces që të jeni më konkurrues kur aplikoni për financim”, tha ministri bullgar.

    Fondi Evropian i Mbrojtjes është një instrument financiar i Komisionit Evropian për të nxitur bashkëpunimin midis kompanive të BE-së në fushën e mbrojtjes, universiteteve, instituteve shkencore e tjera, për të rritur kapacitetet e industrisë së mbrojtjes.

  • ​Osmani: Kosova egatshme t’i bashkohet forcave britanike në misione paqeruajtëse

    ​Osmani: Kosova egatshme t’i bashkohet forcave britanike në misione paqeruajtëse

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ministrin e Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, ku u diskutua për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona.

    Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrim në institucionet euroatlantike, me ç’rast ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen përgjatë viteve, duke theksuar se Kosova tanimë ka dëshmuar se është partner jo vetëm kredibil dhe i besueshëm, por i përkushtuar për të bashkëpunuar me aleatë për të kontribuar për paqe afatgjate në vend, rajon dhe kudo në botë.

    Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani vuri theksin në vazhdimin e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Forcën tonë të Sigurisë, e cila po forcohet me standardet më të larta të NATO-s, përmes trajnimeve të ndryshme në rritje të kapaciteteve të përbashkëta.

    Në këtë frymë, Presidentja potencoi edhe gatishmërinë e Kosovës që t’i bashkohet forcave britanike në misione paqeruajtëse në vende të tjera të botës.

    Presidentja Osmani ka përmendur edhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë që të ecet përpara me hyrjen e Republikës sonë në Programin e Partneritetit për Paqe, e deri tek anëtarësimi në NATO.

    “Osmani dhe ministri i Shtetit Heappey, shprehën vullnetin e përbashkët për vazhdim të bashkëpunimit të shkëlqyer në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe forcimin e mëtutjeshëm të partneritetit në mes të dy vendeve, në frymë të vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta”, thuhet në komunikatë.

  • ​Përfundon seanca, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon në qershor

    ​Përfundon seanca, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon në qershor

    Në Gjykatën Speciale në Hagë ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, do të dalin para turpit gjykues përsëri më 12 qershor kur pritet të vazhdojë paraqitja e provave nga ana e Prokurorisë, transmeton KP.

    Dëshmitari i shtatë i cili mban kodin W-01236, ka dëshmuar nën masa mbrojtëse.

    Intervistimi nga prokurori Nathan Quick është bërë në seancë të mbyllur meqë sipas ZPS-së pyetjet lidheshin me një incident të veçantë përmes së cilit mund të identifikohet dëshmitari.

    Por, një pjesë e dëshmisë së dhënë për avokatin e viktimave është zhvilluar në seancë të hapur për publikun.

    Ndërsa gjatë paradites ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, i cili sikur pesë të tjerë që dëshmuan në këtë çështje, kishte masa mbrojtëse.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Rritet prodhimi dhe eksporti i energjisë në Shqipëri

    Rritet prodhimi dhe eksporti i energjisë në Shqipëri

    Situata e favorshme me reshje shiu ka bërë që në tre muajt e parë të vitit, Shqipëria të rrisë prodhimin e energjisë elektrike dhe të shesë 2.4 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

    Sipas të dhënave të INSTAT, në muajt Janar-Mars, prodhimi vendas i energjisë elektrike është rritur me 38%, duke arritur vlerën 2.787 GWh nga 2.016 GWh në tremujorin e parë të vitit 2022. Kjo është shoqëruar me rritje të eksportit të energjisë. Gjatë kesaj periudhe, Shqipëria ka shitur 904 GWh nga 373 GWh që eksportoi vjet në po të njëjtën periudhë.

    Sa i përket konsumit, nga të dhënat e INSTAT, rezulton se shqiptarët kanë kursyer më shumë energji këtë vit. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e parë të vitit 2023, u ul me 10%, shkruan Tv Klan.

    Ndikimin më të madh në rënien e përdorimit të energjisë elektrike, e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku përfshihen institucionet publike dhe bizneset. 57,9 % e energjisë në vend prodhohet nga hidrocentralet publike, 41,5 % nga hidrocentralet private dhe koncensionare, ndërsa 0,6% nga fotovoltaikët.

  • Heappey: Britania e Madhe e përkushtuar që ta shohim Kosovën në BE dhe NATO

    Heappey: Britania e Madhe e përkushtuar që ta shohim Kosovën në BE dhe NATO

    Ministri për Forcat e Armatosura i Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey ka deklaruar se mbeten të përkushtuar për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO. Ai ka theksuar se marrëdhëniet me Kosovën janë të gjata, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar do të zgjasë praninë e saj në KFOR edhe për tri vjet të tjera.

    Heappey pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se ka sfida sa i përket situatës së sigurisë në veri të Mitrovicës.

    Sipas tij, marrëdhëniet me Kosovën janë të gjatë dhe do të vazhdojnë ta mbështesin.

    “Sapo pata takime fantastike, si me presidenten, ashtu edhe me kryeministrin. Marrëdhënia e Mbretërisë së Bashkuar me vendin tuaj është e gjatë. Ne kemi qenë këtu në fund viteve të 90-ta, në momentin e Pavarësisë suaj, dhe iu kemi mbështetur në çdo hap më pas. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, dhe kjo është arsyeja pse sot, unë jam veçanërisht krenar të njoftoj se Mbretëria e Bashkuar do të zgjasë praninë e saj në KFOR edhe për tre vjet të tjera. Një shenjë se sa të përkushtuar jemi për sigurinë tuaj, sovranitetin tuaj, lirinë tuaj, dhe për t’u siguruar që projekti Kosova të vazhdojë të jetë suksesi i madh që ka qenë për 24 vitet e fundit”, ka thënë ai.

    Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Forcat e Armatosura është pyetur edhe për sigurinë në veri të Mitrovicës, për çka tha se kjo mbetet sfidë për vendin.

    “Unë mendoj se ka sfida, sigurisht që ka, por ne jemi shumë të qartë në pozicionin në lidhje me sfidat e sigurisë që janë në vendin tuaj. Prezenca jonë në KFOR e nënvizon këtë, por po ashtu edhe mbështetja jonë diplomatike për Kosovën dhe forumin ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për të zgjidhur sfidat e sigurisë që ekzistojnë, dhe për t’u siguruar që ju të vazhdoni të jeni të lirë dhe të sigurt brenda kufijve tuaj”, ka shtuar ai.

    Më tej, ministri britanik ka deklaruar se në takimin me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, kanë deklaruar për sfidat e sigurisë në vend dhe rolin e Mbretërisë së Bashkuar në zgjidhjen e tyre.

    “Ishte biseda miqësore, kjo është ajo që bëjnë miqtë. Unë jam takuar me kryeministrin tuaj dy herë në Londër, gjatë viteve të fundit, dhe i premtova se do të vija për vizitë. Më vjen keq që ‘u desh kaq shumë kohë për ta bërë këtë, dhe ky ishte takimi im i parë me presidenten tuaj. Edhe pse ajo ka qenë në Londër në funeralin e Mbretëreshës së ndjerë, dhe kurorëzimin e mbretit, së fundmi. Pra, dialogu mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës është i shpeshtë, është i ngrohtë, dhe është në nivelet më të larta. Ne diskutojmë në përgjithësi, sfidat e sigurisë në vend dhe rolin që mund dhe duhet të luajë Mbretëria e Bashkuar në zgjidhjen e tyre. Dhe pastaj, sigurisht, ambicia afatgjatë e Kosovës, që të jetë edhe anëtare e BE-së dhe NATO-s. Dhe përderisa, natyrisht, të dyja këto organizata kërkojnë një konsensus të gjerë, Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar që ta shohë Kosovën në atë rrugë, kur rrethanat ta lejojnë një gjë të tillë”, ka përfunduar ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar. /kp

  • Tahiri akuzon Idrizin për rritje të shpenzimeve: 100 mijë euro për luks, pa asnjë dobi për qytetarët e Vushtrrisë

    Tahiri akuzon Idrizin për rritje të shpenzimeve: 100 mijë euro për luks, pa asnjë dobi për qytetarët e Vushtrrisë

    Ish kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, përmes një postimi në facebook, ka akuzuar pushtetin aktual të këtij qyteti, se kjo e fundit ka rritur shpenzimet e luksit, përcjell atvlive.tv.

    “Jo vetëm që nuk po punojnë asgjë, por kjo qeverisje e PDK në Vushtrri i ka rritur shpenzimet e luksit”, ka shkruar Tahiri.

    Sipas tij, ë vitin 2022, ata shpenzuan afër 100 mijë euro vetëm shpenzime luksi, pa asnjë dobi për qytetarët e Vushtrrisë.

    Postimi i plotë i tij në facebook:

  • ​Dogana konfiskoi 479 pako me medikamente të padeklaruara

    ​Dogana konfiskoi 479 pako me medikamente të padeklaruara

    Dogana e Kosovës ka konfiskuar 479 pako me medikamente të padeklaruara të cilat janë gjetur në dy barnatore në Ferizaj.

    Përmes një komunikate për media, Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se origjina e medikamenteve ishte nga vende të ndryshme të botës.

    “Në qytetin e Ferizajt njësit e Doganës së Kosovës pas mbledhjeve të informatave në teren kanë kryer kontroll në dy barnatore në Ferizaj. Kontrolla ka gjetur mallra, medikamente të pa deklaruara (pa banderolla), në sasi 479 pako. Origjina e medikamenteve ishte nga vende te ndryshme të botës, të gjitha mallrat janë konfiskuara”, është bërë e ditur në komunikatë.