ATV

Category: Lajme

  • Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë seancë

    Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë seancë

    Pas një periudhe disa javore, Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancën e radhës.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se deputetët duhet të mblidhen nga ora 13:00.

    Pikat që do të diskutohen të gjitha janë të mbetura nga seancat e kaluara.

    Rendi i ditës:

    Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 mars 2023:Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    1. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158,
    2. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
    3. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
    4. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,
    5. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë,
    6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
    8. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 6 dhe 7 prill 2023:4. Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,
    10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,
    11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për energjinë,
    12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-160 për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-220 për çmimin e produkteve medicinale,
    14. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me auditimin e procesit të shitjeve me negocim direkt në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
    15. Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të seancës plenare, nr.08-V-321, i datës 23 qershor 2022.
      III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 20 prill 2023:

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve, KOSTT (Operator sistemi, transmisioni dhe tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

    1. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
    2. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,
    3. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 26 prill 2023: Votimi i Propozim Rezolutës nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 maj 2023:Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
    4. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,
    5. Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,
    6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,
    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,
    8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    9. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,
    10. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.
  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot kryesisht i kthjellët dhe me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 10 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 21 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë me vranësira dhe gjatë pasdites pritet të ketë reshje të lehta shiu. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 11 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Ferizaj me 24 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me intervale të lehta me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 9 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Shkodër me 30 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon gjykimin ndaj krerëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Ndryshe edhe dje ka vazhduar dëshminë dëshmitari i gjashtë i ZPS-së në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve. Dëshmitari i radhës i ZPS-së është dëshmitari i mbrojtur 4355.

    Të hënën ka përfunduar dëshminë edhe dëshmitari i pestë me kodin 3165 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sikur ditët e kaluara edhe të hënën e të martën seanca në shumicën e kohës ka qenë me përmbajtje të redaktuar dhe në sesion privat.

    Gjykimi do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Në këtë proces deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

    Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

    Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

  • Deputetët finlandezë me grup parlamentar të miqësisë me Kosovën

    Deputetët finlandezë me grup parlamentar të miqësisë me Kosovën

    Deputetët e Parlamentit finlandez kanë themeluar të martën grupin parlamentar të miqësisë me Kosovën.

    Lajmin e ka bërë të ditur ish-ministrja e Çështjeve Evropiane, Tytti Tuppuarainen, njëherësh udhëheqëse e grupit, raporton KosovaPress.

    “Sot, deputetët e Parlamentit Finlandez kanë themeluar Grupin Parlamentar të Miqësisë me Kosovën”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

    Tuppuarainen do ta udhëheq këtë grup bashkë me nënkryetarin Mikko Savola, deputet dhe ish-ministër i Mbrojtjes.

  • ​Stema e Kosovës bëhet pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

    ​Stema e Kosovës bëhet pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka marrë pjesë në përurimin e stemës së Republikës së Kosovës, e cila u bë pjesë e Dhomës së Këshillit Administrativ dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    Gjatë vizitës në Holandë, ai ka takuar zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, Martin Doe.

    “Me z.Doe biseduam për aktivitetet dhe punën e Gjykatës. Pas takimit, së bashku me zëvendësdrejtorin Doe, njërën nga përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit, Arlinda Rrustemin, dhe ambasadorin Dren Doli, përuruam stemën e Republikës së Kosovës, e cila u bë pjesë e Dhomës së Këshillit Administrativ dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka shkruar Ahmeti.

    Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është organizata e parë e përhershme ndërqeveritare që ofron zgjidhje të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare nëpërmjet arbitrazhit dhe mjeteve tjera paqësore. Ndërsa, Republika e Kosovës është anëtare e saj që nga viti 2016.

  • Kusari prezanton në Parlamentin Evropian të arriturat e sektorit energjetik në Kosovë

    Kusari prezanton në Parlamentin Evropian të arriturat e sektorit energjetik në Kosovë

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka treguar se sot në Parlamentin Evropian në Bruksel, është mbajtur mbledhja e rregullt e Plenumit Parlamentar të vendeve anëtare të Komunitetit të Energjisë.

    Ajo bëri të ditur se në emër të Kuvendit të Kosovës, i ka prezantuar angazhimet, të arriturat dhe sfidat e sektorit energjetik në Kosovë.

    “Kosova si vend anëtar i Komunitetit të Energjisë, krahas Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Gjeorgjisë, Moldovës dhe Ukrainës, në plenum përfaqësohet nga dy deputetë, pozitë dhe opozitë, anëtarë të Komisionit për Ekonomi”, shkroi ajo në Facebook.

    Fjalimi i plotë i Kusari-Lilës në këtë aktivitet:
    I nderuar Z. Cristian-Silviu Buşoi, Kryetar i Komisionit për Industrinë, Hulumtim dhe Energji, në Parlamentin Evropian,
    z. Arben Pëllumbi, Kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Kryetar i Plenumit Parlamentar të Komunitetit të Energjisë 2023
    Z. Artur Lorkowski, Drejtor, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë,

    Kolegë deputetë nga vendet anëtare, të nderuar pjesëmarrës,

    Jam e lumtur që takohemi bashkë në Parlamentin Evropian në Bruksel, pas përfundimit të stinës së dimrit e cila kaloi pa pasoja të mëdha për të cilat u frikësuam dhe diskutuam në takimin tonë paraprak në Dhjetor të vitit të kaluar.

    Me përfundimin e sezonit të ngrohjes dhe fillimin e përgatitjes për sezonin e ardhshëm, përpjekjet tona për tranzicionin energjetik vazhdojnë në Kosovë bashkë me zbatimin e objektivave të strategjisë së Energjisë të cilat filluan me zhvillime pozitive.

    Si rikujtim për objektivat tona në dekarbonizimin dhe rritjen e burimeve të energjisë së ripërtritshme, ne nëbstragjeninë 2022 – 2031, kemi prezantuar objektivat për dekarbonizim dhe promovim të energjisë së ripërtritshme.

    Kapacitetet e reja të BRRE-ve, do të zëvendësojnë gradualisht teknologjinë ekzistuese me atë inovative duke zëvëndësuar përdorimin e qymyrit deri në largimin e plotë, më së voni deri në vitin 2050.

    Ky objektiv strategjik do të adresohet përmes tri qëllimeve specifike:
    1. Zbatimi gradual i çmimit të karbonit;
    2. Promovimi i energjisë së ripërtritshme në mixin e prodhimit të energjisë elektrike;

    3. Promovimi i përdorimit të energjisë së ripërtritshme për ngrohje.

    Qëllimet kryesore për këtë objektiv janë:
    Përfundimi i të gjitha përgatitjeve për zbatimin e sistemit të çmimit të karbonit deri në vitin 2025, duke mundësuar vendosjen e çmimit të karbonit i cili gradualisht do të rritet deri në integrimin e Kosovës në tregun pan-evropian dhe në Sistemin e Tregtimit të Emisioneve të BE-së (EU ETS),

    Reduktimi i emetimeve të gazeve serrë në sektorin e energjisë me të paktën 32% deri në vitin 2031, mbulimi i të paktën 35% të konsumit të energjisë elektrike nga BRRE-të deri në vitin 2031.

    Zhvillimi i kapaciteteve të reja nga BRRE-të (600 MW erë, 600 MW fotovoltaike, 20 MW biomasë dhe të paktën 100 MW kapacitet nga konsumatorët vetëprodhues), për të arritur një kapacitet total të instaluar prej 1600 MW deri në vitin 2031.

    Në procesin e zbatimit të strategjisë vetëm në muajt e fundit në Kosovë kemi mundur:
    – Nënshkruajmë marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarësh me MCC për bateritë akumuluese.
    – Nisim projektin e ngrohjes qendrore prej 80 milionë eurosh me panele diellore.
    – Inicojmë Projektin e Parkut Diellor në KEK me kapacitet 100 MW.
    – Nënshkruajmë marrëveshjen në vlerë 56.2 milion euro në mes KEK-ut dhe kompanisë amerikane General Electric për modernizimin e teknologjisë së Termocentralit Kosova B dhe rritjen e kapacitetit prodhues për 30 MW.
    – Nënshkruajmë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vlerë deri në 160 milionë euro për investime në kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovueshme.
    – Lancojnë ankandin e parë për parkun e energjisë diellore me kapacitet 100 MW.

    – Si dhe të fillojnë punimet e investimit privat në termocentralin diellor me kapacitet 150 MW në Gjakovë

    Përveç përpjekjeve të Qeverisë dhe Kuvendit, ne jemi krenarë të ndajmë suksesin e jashtëzakonshëm financiar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kompanisë publike, e cila në vitin e fundit ka shënuar mbi 100 milionë euro fitime.

    Suksesi i KEK-ut pasqyron përkushtimin tonë për prosperitet ekonomik dhe qëndrueshmëri energjetike. Për të rritur efiçencën energjetike, ne do të vazhdojmë zbatimin e programeve në sektorin publik dhe do të vazhdojmë subvencionimin e pajisjeve efiqiente të ngrohjes, sikir pompat e ngrohjes.

    Për më tepër, masat e marra gjatë dimrit të kaluar për të mbrojtur qytetarët tanë nga rritja e çmimeve duke inkurajuar uljen e kërkesës, si një skemë shtesë e subvencionimit për konsumatorët që ulën në mënyrë aktive konsumin e tyre në krahasim me vitin e kaluar, do të konsiderohen edhe për këtë dimër që po vjen.

    Si shtet, synimi ynë është të transformojmë sektorin e energjisë në Kosovë, duke garantuar besueshmëri, siguri të furnizimit dhe duke harmonizuar politikat tona mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm me ato të BE-së. Ne besojmë se duke punuar së bashku dhe duke marrë mbështetje të mëtejshme nga partnerët tanë, mund të arrijmë një tranzicion të drejtë që na çon drejt një sistemi të energjisë së pastër.

    Ndërsa i gëzohemi këtyre arritjeve, ne jemi të vetëdijshëm edhe sfidat që na presin. Ambienti gjithnjë në ndryshim i energjisë kërkon risi dhe përshtatje të vazhdueshme, por ne jemi të vendosur të shfrytëzojmë fuqitë tona legjislative për të ndihmuar edhe në këtë drejtim. Ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme gjatë kohërave sfiduese.

  • Atiq i emëron katër drejtorë të rinj në Mitrovicën e Veriut, dy gra dhe dy burra

    Atiq i emëron katër drejtorë të rinj në Mitrovicën e Veriut, dy gra dhe dy burra

    Kryetari i sapozgjedhur i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiqi, ka njoftuar se ka emëruar katër drejtorë të rinj në kabinetin e tij në këtë komunë.

    Në këtë pozita tash e tutje do të jenë dy gra dhe dy burra, duke përfshirë komunitetin shumicë shqiptarë si dhe pakicat serbe bashkë me ato boshnjake dhe egjiptiane, transmeton Paparaci. Së fundmi, ai tregoi se e ka vendosur Jeton Rrahmanin në pozitën e drejtorit të Drejtorisë për Komunitete Lokale dhe Kthim.

    “Jetoni eshte studiues i drejtësisë, vjen nga radhët e komunitetit egjiptian. Aktivizmi i tij i gjatë me bazë në komunitet ka bërë që të njoh për së afërmi çështjet social-ekonomike të komuniteteve”, shkroi ai në Facebook.

    Pozitën e drejtoreshës së Kulturës Rinisë dhe Sportit do ta ushtrojë Anesa Çollakoviq.

    “Anesa ka përfunduar studimet master në zhvillimin ndërkombëtar në Ohio University në SHBA dhe ka përvojë me organizata ndërkombëtare dhe joqeveritare në fushën e kulturës rinisë dhe sportit”, tha Atiq.

    Ndërkohë, drejtorinë e Arsimit në veri do ta udhëheqë Vid Janicijevic.

    “Z. Janicijevic eshte studiues i historisë dhe arkeologjisë”, tha ai, teksa foli edhe për pozitën e Drejtoreshës për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi. Në këtë funksion publik është vendosur Shenaj Llapashtica, përcjell Paparaci.

    “Shenaji ka studijuar arkitekturë në Mimar Sinan Fine Arts University në Stamboll në Turqi. Shenaj Llapashtica ka përvojë pune shumëvjeqare në drejtorinë e kadastrit dhe urbanizmit”, ka shkruar Atiq.

  • Vuçiq i reagon Escobarit: Kosova nuk ka kompetencë ta propozojë draft-statutin e Asociacionit

    Vuçiq i reagon Escobarit: Kosova nuk ka kompetencë ta propozojë draft-statutin e Asociacionit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se situata në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndë.

    Sipas tij, Kosova nuk ka asnjë autoritet që ta propozojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

    “Situata në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë, por falë durimit, urtësisë, inteligjencës dhe bojkotit të çdo gjëje të institucioneve shqiptare, që i acaron edhe më shumë, arritëm të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha Vuçiq për RTS-në.

    Ai falënderoi të gjithë serbët në Kosovë “për përgjegjësinë dhe seriozitetin e tyre, por edhe për mbështetjen që i japin”.

    Vuçiq shtoi se Kosova e ka mbështetjen e disa vendeve të QUINT-it, në lëvizjet që i bën, teksa pati një reagim edhe ndaj emisarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    “[Gabriel] Escobar thotë – tani presim propozimin e Kosovës për AKS-në. Më duhet t’ia kujtoj dhe ai nuk do të më falë për këtë – të kthehet dhe të rinovojë materialin, të lexojë se çfarë është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe anekset. Autoritetet e Prishtinës nuk kanë asnjë autoritet as kompetencë as çfarë propozimesh nuk kanë të drejtë të bëjnë. Ne as nuk na interesojnë dhe as nuk do të marrim pjesë në ato budallaqe që po mundohen të na verbojnë sytë. Thjesht lexoni çfarë thotë”, tha Vuçiq.

    Ai theksoi se i vetmi autoritet për Asociacionin është ekipi menaxhues, i cili sipas tij, përbëhet nga serbët.

    Draft-statuti i Asociacioni ishte prezantuar në Bruksel më 2 maj gjatë takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Por, i njëjti ekip ishte shkarkuar të nesërmen nga Qeveria e Kosovës, pasi siç thoshte ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, mandati i tyre kishte përfunduar.

  • Qeveria e Britanisë së Madhe komenton vizitën e Heappey: Kosova, një partner i rëndësishëm

    Qeveria e Britanisë së Madhe komenton vizitën e Heappey: Kosova, një partner i rëndësishëm

    Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) do të vazhdojë së paku deri në vitin 2026, ka njoftuar ministri për Forcat e Armatosura, James Heappey, gjatë një vizite në rajon.

    Gjatë vizitës së sotme në Prishtinë, ai zhvilloi biseda me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin, Albin Kurti, si dhe biseda me ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj dhe komandantin e misionit të KFOR-it.

    Për këtë, Qeveria e Britanisë së Madhe ka lëshuar një njoftim zyrtar, ku flet për raportet me Kosovën dhe partneritetin mes të dyja vendeve.

    Sipas njoftimit, Kosova është një partner i rëndësishëm, me Mbretërinë e Bashkuar që ka qenë vendi i parë që ka njohur pavarësinë e saj në vitin 2008, dhe forcat e Mbretërisë së Bashkuar kanë marrë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë në rajon për më shumë se dy dekada.

    Heappey në Prishtinë tha se “ishte kënaqësi të takohesha sot me presidenten dhe kryeministrin e Kosovës dhe të njoftoja përkushtimin e mëtejshëm të Mbretërisë së Bashkuar për Forcën e NATO-s në Kosovë”.

    “Zgjerimi i angazhimit tonë ndaj KFOR-it nënvizon angazhimin tonë të palëkundur për të mbështetur sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

    Qeveria britanike tha se Mbretëria e Bashkuar ka qenë një kontribues kyç në forcën e NATO-s të mandatuar nga OKB-ja që kur ajo hyri për herë të parë në Kosovë në 1999 si një forcë paqeruajtëse “për të sjellë paqe dhe stabilitet pas konfliktit të viteve 1990”.

    “Forcat e Mbretërisë së Bashkuar kanë punuar për të përmirësuar aftësinë e Inteligjencës, Mbikëqyrjes dhe Zbulimit të KFOR-it, duke rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin për situatën e komandantëve të misionit – duke siguruar që operacioni të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë popullatën”.

    “KFOR-i vepron si një nga ofruesit kryesorë të sigurisë në Kosovë, me trupa të kontribuar nga rreth 30 vende duke përfshirë Italinë, Turqinë, Poloninë dhe SHBA-në, si dhe Britaninë e Madhe. Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar përfshin një Forcë të Rezervuar Strategjike të gatishmërisë së lartë me madhësi batalioni me bazë në MB”.

  • Qeveria sot mban mbledhjen e radhës

    Qeveria sot mban mbledhjen e radhës

    Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës sot do të mabjë mbledhjen e radhës.

    Nga Zyra e Kryeministrit kanë njoftuar se mbledhja do të fillojë në ora 11:00 dhe do të mbahet në Ndërtesën e Qeverisë.

    Ndërkohë, agjenda e kryeministrit Albin Kurti sot përfshin edhe pjesëmarrjen në konferencën “Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë”.