ATV

Category: Lajme

  • Dëshmia e dëshmitarit të shtatë ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të zgjas 7 orë

    Dëshmia e dëshmitarit të shtatë ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të zgjas 7 orë

    Dëshmitari i shtatë ka filluar dëshminë e tij në seancën e së martës në Dhomat e Specializuara e Kosovës (DhSK) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, e cila dëshmi pritet të zgjat rreth 7 orë.

    ZPS-ja ka kërkuar të kalohet në seancë private me arsyetimin se pyetjet për dëshmitarin do të bëhen për një incident të vetëm unik dhe se për këtë mundet lehtë të identifikohet i njëjti, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    Fillimisht, dëshmitari është përgjigjur me ‘‘Po’’ kur është pyetur se a është intervistuar më herët nga ZPS-ja dhe se në seancën përgatitore kishte kërkuar disa ndryshme të disa pjesëve të deklaratës së tij, se ato ndryshime ishin pasqyruar në shënime që iu ishin lexuar me zë dhe se të njëjtat kishin qenë ndryshimet që kishte kërkuar ai.

    Këto dokumente iu shfaqën dëshmitarit në ekran, si dhe u pranuan nga trupi gjykues si prova materiale pas propozimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Në vazhdim dëshmitari është përgjigjur edhe në pyetjet e mbrojtësit të viktimave, avokatit Simon Laws, disa prej të cilave ishin me përmbajtje të redaktuar.

    Sipas dëshmitarit, i njëjti ka qenë kryefamiljar dhe është marr me bujqësi, por pas ndalimit të tij e edhe tani ka dhimbje vazhdimisht.

    Të njëjtit i është paraqitur një fotografi e plagës në shpatull (jo publike) dhe kur është pyetur për të, përmbajtja sërish ka qenë e redaktuar.

    Ai ka thënë se ndalimi i tij ka pasur edhe efekte psikologjike pasi që ka marr ndihmë mjekësore tek profesionisti me vite të tëra edhe jashtë shtetit.

    ‘‘Nja 2 vite kam shkuar vazhdimisht te psikologu..’’, ka thënë dëshmitari.

  • ​Antidroga e Policisë vë në pranga katër persona, sekuestrohet drogë, para dhe armë

    ​Antidroga e Policisë vë në pranga katër persona, sekuestrohet drogë, para dhe armë

    Policia e Kosovës pas hetimeve disa mujore në flagrancë ka arrestuar katër persona në Prishtinë, si dhe ka sekuestruar kokainë, heroinë, marihuanë, armë, para dhe gjëra tjera.

    Sipas njoftimit, më datë 22 maj, rreth orës 17:30 pas hetimeve disa mujore, informatave të siguruara dhe në zbatim të urdhëresave të gjykatës, Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotikë (DHTN) në Prishtinë e asistuar nga Njësia për reagim të shpejtë (NJRSH) ka organizuar një plan taktik në Prishtinë, ku në flagrancë janë arrestuar katër persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shitja dhe shperndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’.

    “Gjatë operacionit policor janë arrestuar personat e dyshuar meshkuj kosovar të cekur në vijim me iniciale dhe vitin e lindjes A. N. (1969), A. I. (1990), A. N. (1977) dhe D.Sh. (1989). Operacioni policor, ka rezultuar me sekuestrimin e provave/dëshmive materiale si në vijim 785.5 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 0.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, 10.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 1 armë zjarri- revole, 2 karikatorë, 14 fishekë, 9267 euro, 450 franga, 1700 lekë, 10 dollarë kanadez, 3 telefona celular, 3 peshore digjitale, 2 automjete. Pas kompletimit të rastit me vendim të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda, katër të dyshuarit dërgohen në mbajtje për proceduar të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.

  • Arrestohet personi që përplasi automjetin afër Shtëpisë së Bardhë

    Arrestohet personi që përplasi automjetin afër Shtëpisë së Bardhë

    Një person që përplasi një automjet afër portave të Shtëpisë së Bardhë, po përballet me akuza të shumta penale, tha policia amerikane.

    Autoritetet amerikane deklaruan se ka gjasa që incidenti të ketë qenë i qëllimshëm.

    Sipas njoftimit të policisë amerikane, i dyshuari po akuzohet për kërcënim me vrasje, rrëmbim apo shkaktim i lëndimeve ndaj presidentit, nënpresidentes apo familjarëve të tyre. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e të dyshuarit.

    I dyshuari u arrestua pas incidentit që ndodhi të hënën mbrëma, tha Shërbimi Sekret amerikan, duke shtuar se nuk ka ndonjë rrezik pas kësaj ngjarjeje.

    Sipas një dëshmitari që foli për Reuters, automjeti, që i dyshuari kishte marrë me qira, u përplas në rrethojat e sheshit Lafajet, që gjendet pranë Shtëpisë së Bardhë. Hetuesit i kanë gjetur të dyshuarit një flamur me simbole naziste.

    “Sipas hetimeve të para, shoferi mund të ketë përplasur qëllimshëm automjetin në rrethojat e sheshit Lafajet”, shkroi në Twiter zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi.

    I arrestuari po ashtu po përballet me akuza të sulmit me armë të rrezikshme, dëmtim të pronës private dhe drejtim të pakujdesshëm të automjetit.

    Televizioni WUSA transmetoi një video të policisë duke iu afruar një automjeti të tipit U-Haul. Në video shihet se si dera e këtij automjeti hapet nga një robot i telekomanduar.

    Chris Zaboji, i cili ishte dëshmitar i kësaj ngjarjeje, publikoi një video të shkurtër në mediat sociale, që tregonte momentin kur automjeti u përplas për rrethoja.

    “Shikova pas dhe pashë automjetin duke u përplasur në barrikadë”, tha ai, duke shtuar se më pas automjeti u përplas sërish për rrethojat e sheshit.

    Vendndodhja e saktë e presidentit amerikan, Joe Biden, në momentin e incidentit, që ndodhi pak para orës 22:00, nuk dihet. Ai ishte takuar më parë me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Kevin McCarthy, në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje./REL/

  • Ministri Sveçla priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë

    Ministri Sveçla priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim ambasadorin e Turqisë në Republikën e Kosovës, Sabri Tunç Angili.

    Me këtë rast, ministri Sveçla e njoftoi Ambasadorin Angili për prioritet e Qeverisë dhe
    Ministrisë së Punëve të Brendshme për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Gjatë këtij takimi ministri Sveçla e njoftoi ambasadorin edhe për reformat në të cilat është duke kaluar Ministria e Punëve të Brendshme.

    Ministri Sveçla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Turqia në fuqizimin e
    kapaciteteve të institucioneve tona të sigurisë, me theks të veçantë për Policinë e Kosovës.

    Ambasadori Angili e falënderoi ministrin Sveçla për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në mes Republikës Turqisë dhe Republikës së Kosovës.

  • ​U rrahën mes vete, arrestohen në Gjakovë një pjesëtar i policisë dhe i dyshuari tjetër

    ​U rrahën mes vete, arrestohen në Gjakovë një pjesëtar i policisë dhe i dyshuari tjetër

    Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar në Gjakovë dy të dyshuar për lëndim të lehtë trupor.

    Në komunikatën për media bëhet e ditur se njëri prej të arrestuarve është një pjesëtar i policisë, derisa janë dhënë edhe detaje tjera lidhur me rastin.

    “Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës janë njoftuar dje në orët e mbrëmjes nga Policia e Kosovës përkatësisht Stacioni Policor Gjakovë se në rrugën ‘Ganimete Tërbeshi’ në Gjakovë kishte ndodhur një incident- rrahje.IPK është njoftuar për këtë rast bazuar në autorizimet ligjore të saj pasi që informacionet ishin se ne këtë rast ishte i përfshirë si i dyshuar edhe një pjesëtar i policisë (zyrtar i stafit civil pa autorizime policore dhe jashtë detyrës zyrtare)”, thuhet në njoftim.

    Aty thuhet se hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë disa veprime fillestare hetimore duke përfshirë edhe analizimin e disa video-pamjeve të incizuara nga kamerat e sigurisë së një lokali.

    “Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (zyrtarin e stafit civil dhe një qytetar) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘lëndim i lehtë trupor’”.

    Bëhet e ditur po ashtu se me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse si pjesë e procedurës administrative pjesëtari i policisë (stafit civil) është suspenduar.

    “Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet në fund të komunikatës.

  • Begaj pas takimit me senatorët amerikanë flet për Kosovën e Serbinë

    Begaj pas takimit me senatorët amerikanë flet për Kosovën e Serbinë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka folur sot për dialogun Kosovë-Serbi, me ç ‘rast ka theksuar nevojën për një marrëveshje të detyrueshme ligjore të njohur ndërkombëtarisht.

    Kështu deklaroi Begaj pas takimit me senatorët amerikanë, senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters.

    “Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Begaj.

    Ai përshëndeti vizitën e dy senatorëve amerikanë dhe vlerësoi vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Begaj, vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nënvizoi, se për Shqipërinë e shqiptarët, Shtetet e Bashkuara mbeten partneri kryesor strategjik dhe miku e aleati më i madh i tyre.

    Kreu i shtetit shqiptar, përshëndeti bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur, veçanërisht gjatë dy vjetëve të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kanë ndërmarrë iniciativa të përbashkëta për të dënuar agresionin e paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukrainë, përmes rezolutave të ndryshme.

    Në këtë kuadër, Begaj, u ndal edhe te sfidat e reja me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe rritjen e aktivitetit kërcënues nga akterë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon.

    Ai shprehu mirënjohjen gjithashtu edhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që agjencitë e specializuara amerikane po japin për përballimin e sulmeve kibernetike, që kanë si synim kryesor dëmtimin e infrastrukturës digjitale të shtetit shqiptar.

    Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, shoqëroheshin në këtë takim nga ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.

  • BE-ja pret që Mali i Zi të fokusohet në reformat drejt integrimit

    BE-ja pret që Mali i Zi të fokusohet në reformat drejt integrimit

    Bashkimi Evropian pret që udhëheqja e re e Malit të Zi të fokusohet në reformat kryesore që janë të nevojshme për përparimin e vendit në procesin e integrimit evropian.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero konfirmoi se institucionet evropiane janë të gatshme të bashkëpunojnë me Malin e Zi dhe të gjithë aktorët politikë për të ndihmuar vendin të qëndrojë në rrugën e tij strategjike dhe të ndërtojë një konsensus mbi veprimet prioritare që janë kyçe për procesin e pranimit të vendit në BE.

    “Përqendrimi në reformat urgjente të shtetit të së drejtës, të cilat janë renditur në raportin e fundit të Komisionit Evropian për zgjerimin, janë të një rëndësie kyçe. Sigurisht, për këtë qëllim, ne vazhdojmë të mbështesim Malin e Zi në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE. Për ne, stabiliteti politik është kyç për përparimin në rrugën drejt BE-së, një proces ng ai cili përfiton si Mali i Zi, ashtu edhe Evropa në tërësi”, tha Pisnero në një konferencë shtypi në Bruksel.

    Ajo konfirmoi se pret që së shpejti në Bruksel të organizohen takimet e para të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe presidentit të sapozgjedhur, Jakov Milatoviq.

    Jakov Milatoviq u inaugurua më 20 maj, pasi mposhti Milo Gjukanoviqin, i cili mbante postet më të larta në Mal të Zi për tre dekada.

    Vizita e tij e parë jashtë vendit pritet të jetë në Bruksel.

    Milatoviq do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet më 1 qershor në Kishinjev të Moldavisë.

    Nuk përjashtohet mundësia që ai të vizitojë Brukselin përpara Kishinjevit për të konfirmuar angazhimin e tij ndaj integrimit evropian.

    Mali i Zi konsiderohet lider në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim.

    Megjithatë, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori 2021 për shkak të progresit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme në procesin e anëtarësimit./REL/

  • Kurti: Sistemi gjyqësor e prokurorial duhet të zhvishen nga çdo lloj ndikimi politik

    Kurti: Sistemi gjyqësor e prokurorial duhet të zhvishen nga çdo lloj ndikimi politik

    Kryeministri Albin Kurti gjatë lansimit të Strategjisë Kundër Korrupsionit ka thënë se janë të obliguar të krijojnë një ambient ku sistemi gjyqësor e prokurorial të zhvishën nga çdo lloj ndikimi politik.

    Kurti shtoi se reformën po e vazhdojnë me vetting të pozitave të larta në sistemin gjyqësor e prokurorial dhe luftim të pasurisë së pajustifikueshme me Byronë Shtetërore për konfiskim të pasurisë.

    “Reformën po e vazhdojmë me vettingun. Vonimi i rezultateve që me këto mjete të fuqishme kundër korrupsionit zyrtarë, mund të numëroheshin edhe sot, bie në përgjegjësinë e partive opozitare që mbështjellin pengimin e çdo reforme me adresimin te Kushtetuesja. Sot jemi mbledhur për të përmbushur zotim dhe përgjegjësinë për ta hartuara Strategjinë Kundër Korrupsionit duke shtruar rrugën drejt një shoqërie të çliruara nga korrupsioni. Është detyrë e jona që përmes reformës institucionale e propozimeve për plotësim apo ndryshim të kornizës ligjore të ruajmë pasurinë buxhetin shtetërorë e të sigurojmë transparencë. Duhet ta kthejmë vëmendjen nga prokurorimi publikë dhe të sigurohemi që çdo kompani e papërgjegjshme vihet në listë të zezë. Jemi të obliguar të krijojmë ambient ku sistemi gjyqësor e prokurorial zhveshët nga çdo lloj ndikimi politik dhe vepron vetëm në bazë të ndërgjegjes personale dhe përgatitjes profesionale të gjyqtarit dhe prokurorit në bazë të të cilit edhe gjykohet nga publiku”, tha Kurti.

    Kryeministri ka theksuar se duan etablim të shoqërisë që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj ryshfetit e kontratave në këmbim të parave.

    Mes tjerash, me këtë rast theksoi se lufta e Qeverisë ndaj korrupsionit ka ndikuar edhe në rritjen e ekonomisë.

    “Ne duam etablim të shoqërisë që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj ryshfetit e kontratave në këmbim të parave. Mungesa e korrupsionit në Qeveri, përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit kanë ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik. Qytetarët tanë kanë besuar këtë duke dëshmuar me votime masive në zgjedhjet e fundit. Këtë besim po e shndërrojmë në rezultatet të cilat po tregojnë që zyrtari publik punon për publikun e jo për t’u pasuruar për vete apo për dikë tjetër privatisht. Gjatë qeverisjes dy vjeçare kemi rezultate të prekshme në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës, që ka rezultuar me arrestimin e mbi 3 mijë e 200 personave, prej të cilëve mbi 300 janë zyrtarë publik e me 38 të arrestuar vetëm në rastin e keqpërdorimeve me subvencionet”, theksoi Kurti.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se përmes kësaj strategjie synohet të luftohet korrupsioni nga të gjitha nivelet, duke vendosur një strukturë të fuqishme për parandalimin dhe luftimin efektiv të korrupsionit, e cila nuk do të lë hapësirë për mosndëshkim.

    “Të gjithë e njohim ndikimin e rëndë që ka korrupsioni në shoqëri, pengon rritjen ekonomike dhe pengon qytetarët nga shërbimet dhe mundësitë themelore për të zhvilluar jetesë të dinjitetshme. Sot po shënojmë një ditë të rëndësishme në përpjekjet tona të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin në Kosovë, ashtu siç e kemi premtuar. Përmes kësaj strategjie synojmë të luftojmë korrupsionin nga të gjitha anët duke vendosur një strukturë të fuqishme për parandalimin dhe luftimin efektiv të korrupsionit, e cila nuk do të lë hapësirë për mosndëshkim”, tha Murati.

  • Dëshmitari i 6-të tregon për tentativat e tij për të kontaktuar Demaçin dhe Krasniqin

    Dëshmitari i 6-të tregon për tentativat e tij për të kontaktuar Demaçin dhe Krasniqin

    Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i gjashtë i ZPS-së. Ai në dëshminë e tij në kundra-pyetjet e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, deklaroi se në vitin 1998 ishte përpjekur të kontaktonte Adem Demaçin dhe Jakup Krasniqin.

    Ai tha se këto dy figura kishte dëgjuar se ishin personalitete kryesore në UÇK.

    Dëshmitari i gjashtë tha se familja e tij në 1998, ishte përpjekur të kontakonte Demaçin, por kur u pyet për periudhën gjatë këtij viti, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

    Avokati: Është e drejtë të themi se familja juaj u përpoq të kontaktonte Adem Demaçin

    Dëshmitari: Po

    Avokati: Të kujtohet kur ka ndodhur

    Dëshmitari:98’tën

    Avokati: Pak a shumë të kujtohet kur në 98

    Dëshmitari: Jo

    Pas kësaj deklarate të dëshmitarit të ZPS-së, mbrojtja e ballafaqoi dëshmitarin me një deklaratë të tij dhënë prokurorisë, ku kishte deklaruar se në vjeshtën e 98’ës, kishin tentuar të takonin Demaçin dhe më pas këtë e pohoi edhe vetë dëshmitari.

    I pyetur se kush ishte Adem Demaçi, dëshmitari i gjashtë u shpreh se nga ajo që kishte dëgjuar nga të tjerët por në lajme kishte kuptuar se Demaçi ishte përfaqësuesi politik i UÇK-së.

    Avokati: Në 1998 mbase në fillim por jo në fillim të 98 dhe prokuroria të pyet mos nga vjeshta e 98, ti je përgjigjur po mbase rreth asaj periudhe, mbase nga vjeshta kështu të kujtohet ende

    Dëshmitari: Ndoshta u kanë vjeshta

    Avokati: Prokurori të ka pyetur kush ishte në atë kohë Adem Demaçi dhe ti je përgjigjur në atë kohë ata thonin se ishte kryesori, thonin është edhe mbi UÇK, do të ishte përsëri përgjigja juaj kjo sot

    Dëshmitari: Në atë kohë ashtu thoshin, në atë kohë

    Avokati: Këtë kishe dëgjuar që e thonin në përgjithësi njerëzit aty në fshat apo jo

    Dëshmitari: Po edhe në fshat por edhe mes lajmeve në televizor

    Avokati: Të kujtohet të kenë thënë njerëzit që Adem Demaçi ka qenë përfaqësuesi politik i UÇK-së

    Dëshmitari: Ashtu thoshin dhe për atë jemi shkuar në ushtri

    Ndërsa, kur mbrojtja e Jakup Krasniqi e pyeti se a kishte dëgjuar se Jakup Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së, dëshmitari me kodin 4355 e pohoi këtë.

    Dëshmitari po ashtu u shpreh se në shtator të vitit 1998, kishte shkuar në fshatin e Jakup Krasniqit, saktësisht në Negrovcë.

    Avokati: Ti po ashtu i ke thënë prokurorisë që shkove në fshatin e Jakup Krasniqit

    Dëshmitari: Nuk dëgjohet

    Avokati: Kishe dëgjuar që zotëri Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së

    Dëshmitari: Po

    Avokati: Të kujtohet kur ke shkuar në fshatin e tij

    Dëshmitari: Po

    Avokati: Kur

    Dëshmitari: U kanë në shtator 98’tën

    Ai tha se vendi ku kishte shkuar për të takuar Jakup Krasniqin me sa i kujtohet quhej Negrovcë, dhe aty kishte shkuar bashkë me nënën e tij, por që me Krasniqin nuk ishte takuar, pasi ai nuk ndodhej në fshat.

    Avokati: Shkove tek fshati si the askujt më përpara se do të shkoje

    Dëshmitari: Bashkë me nënën, por gjithmonë ishte nëna ajo që kërkonte me shkuar, e unë u deshtë me dërguar

    Avokati: Kur shkove atje e mësove se Jakup Krasniqi nuk ishte atje

    Dëshmitari: Po

    Avokati: Duke qenë se nuk ishte Jakup Krasniqi, atje nuk biseduat ndonjë me Jakup Krasniqin për këtë çështje

    Dëshmitari: Nuk kemi biseduar

    Pas pyetjeve të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, vazhdoi me pyetje gjyqtariGenël Metro, të cilat kryesisht ishin pjesë të redaktuara.

    Por, në një pyetje gjyqtari Metro kërkoi të di nëse në qershorin e vitit 1998, kishte ndonjë autoritet apo institucion ku mund të kërkonin të hapej hetim për rastin e “personit 1” dhe “2”, për të cilët dëshmitari i 6-të, tha se janë mbajtur të burgosur nga UÇK-ja.

    Dëshmitari në këtë pyetje të gjyqtarit u shpreh se nuk ka pas, por në ato vende ku kanë dëgjuar aty kanë shkuar.

    Metro: Këta familjarët çfarë të thanë

    Dëshmitari: Mjekësia e Prishtinës janë kanë në spitalin dhe ata e kishin lajmëruar se është gjetur trupi i njëshit

    Gjyqtari: Na the se u përpoqe të kontaktoje dy persona brenda UÇK, dhe unë dua të pyes në qershor të 98’ës, a kishte ndonjë vend apo institucion ku të shkoje ti apo numri 2 që të hapej një hetim për t’u zbuluar çfarë u kishte ndodhur personit numër 1 dhe 2

    Dëshmitari: Jo ato vende ku i dinim apo ku kemi dëgjuar, aty jemi shkuar

    Ndërsa, aktualisht në seancën gjyqësore të sotme kundër katër ish-krerëve të UÇK-së, ka nis dhënien e dëshmisë së tij dëshmitari i shtatë i ZPS-së, i cili fillimisht po iu përgjigjet pyetjeve të ZPS-së, në sesion privat.

    Në pjesën më të madhe dhënia e dëshmisë së dëshmitarit të gjashtë të ZPS-së, ka qenë e mbyllur për publikun.

    Dëshmitari i gjashtë i ZPS-së, ka nisur dhënien e dëshmisë së tij nga pasditja e djeshme. Një pjesë e dëshmisë së dëshmitarit të gjashtë u dëgjuar kryesisht në seancë të mbyllur për publikun si masë për mbrojtjen e dëshmitarit.

    Katër dëshmitarët e parë në gjykimin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarëve, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi, dhanë dëshminë e tyre në seanca të mbyllura për publikun.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm

  • Konjufca: Barazia gjinore mbetet sfidë evidente

    Konjufca: Barazia gjinore mbetet sfidë evidente

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në konferencën rajonale të organizuar nga Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kuvendin e Kosovës, në bashkëpunim me UNFPA-në, lidhur me perspektivën parlamentare për barazinë gjinore dhe qëndrueshmërinë demografike në Ballkanin Perëndimor.

    Në fjalimin e tij hyrës, kryeparlamentari Konjufca duke e cilësuar këtë konferencë si shumë të rëndësishme dhe të dobishme për të kaluar sfidat e barazisë gjinore, përmendi faktin se krahasuar me të kaluarën, rolet sociale të burrave dhe grave në shoqëri kanë pësuar ndryshime.

    Ai tha se në periudhën që po jetojmë, falë politikave përkrahëse ndaj grave, pjesëmarrja e tyre në tregun e punës është rritur dukshëm, por sfidat janë ende shumë evidente.

    Për më tepër, kryetari Konjufca tha se Kosova në aspektin legjislativ e ka të rregulluar çështjen e barazisë gjinore, pasi që ky problem është jetik dhe se nuk ka progres të vendit pa u arritur caku ideal i barazisë.

    “Kosova, në kuptimin e kornizës ligjore, e ka të mishëruar përkushtimin për barazi gjinore, luftimin e diskriminimit dhe paragjykimit në bazë gjinore, si dhe respektimin e plotë të konventave ndërkombëtare për të drejtat e grave. Natyrisht, gjithmonë ka hapësirë për përmirësim e avancim në këtë drejtim. Por ajo që e sfidon vazhdimisht këtë strukturë të mirë – ndërtuar ligjore, janë barrierat tradicionale e normat kulturore. Politikat e bashkërendimit të punës dhe jetës familjare në mënyrë të barabartë mes burrave dhe grave janë më shumë se kurrë të nevojshme për të luftuar diskriminimin gjinor dhe për të siguruar barazi të mirëfilltë mes burrave dhe grave”, ka shtuar kryetari Konjufca.

    Kryeparlamentari Konjufca fjalimin e tij e përmbylli me sugjerimin e intensifikimit të përpjekeve institucionale, duke kërkuar kështu të merrën të gjitha masat e nevojshme legjislative dhe masa të tjera të nevojshme që të adresohen mangësitë dhe sfidat që prekin politikat përkrahëse për familjet.​