ATV

Category: Lajme

  • ​Stema e Kosovës pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

    ​Stema e Kosovës pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka marrë pjesë në përurimin e stemës së Republikës së Kosovës, e cila u bë pjesë e Dhomës së Këshillit Administrativ dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    Gjatë vizitës në Holandë, ai ka takuar zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, Martin Doe.

    “Me z.Doe biseduam për aktivitetet dhe punën e Gjykatës. Pas takimit, së bashku me zëvendësdrejtorin Doe, njërën nga përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit, Arlinda Rrustemin, dhe ambasadorin Dren Doli, përuruam stemën e Republikës së Kosovës, e cila u bë pjesë e Dhomës së Këshillit Administrativ dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka shkruar Ahmeti.

    Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është organizata e parë e përhershme ndërqeveritare që ofron zgjidhje të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare nëpërmjet arbitrazhit dhe mjeteve tjera paqësore.

    Ndërsa Republika e Kosovës është anëtare e saj që nga viti 2016.

  • Hamidi: VV ka çu muzikantë në Bordin e OSHP-së

    Hamidi: VV ka çu muzikantë në Bordin e OSHP-së

    Gazetari i ekonomisë, Lavdim Hamidi në emisionin Context të ATV-së, tha se Vetëvendojse në bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit ka futur njerz që nuk kanë qenë fare në listë. Madje, ai thotë se kjo parti ka çu muzikant në këtë bord.

    “Vetëm njëri prej antarëve të bordit ka përvoj në prokurim publik, kjo parti ka fut njerz që nuk kanë qenë në listë. Duhet të zgjedhen njerzit kompetent për pozitat e caktuara, pasi në OSHP ka edhe muzikant”, u shpreh Hamidi.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Më 2022, 52 raste me melanomë në Kosovë, organizohet fushatë ndërgjegjësuese

    Më 2022, 52 raste me melanomë në Kosovë, organizohet fushatë ndërgjegjësuese

    Vetëm gjatë vitit të kaluar, 52 persona në Kosovë janë diagnostikuar me melanomë, njëri nga llojet e kancerit të lëkurës.

    Me qëllim të mbrojtjes kundër kësaj sëmundjeje, Shoqata e Onkologëve dhe ajo e Euro-Melanomës sot kanë organizuar një fushatë ndërgjegjësuese.

    “Ne sot jemi në kuadër të fushatës kundër Melanomës për Shoqatën e Evropiane të Euro Melanomës. Këtë vit fokusi kryesor janë metodat e mbrojtjes kundër kancerit të lëkurës. Është vetëm njëri prej kancerit të lëkurës, por nuk është më i shpeshti, por është më vdekjeprurësi, kështu që po përpiqemi që ta sensibilizojmë popullatën, ta parandalojmë që ta diagnostikojmë sa më herët”, tha përfaqësuesja e euromelanomës, Sidita Sopjani.

    Që ka rritje të rasteve me këtë sëmundje e thotë edhe kryetari i Shoqatës së onkologëve.

    “Ka një tendencë të rritjes së kësaj sëmundjeje. Ne nuk mund t’i shmangemi kësaj tendence të rritjes së numrit të rasteve me melanomë. Nëse nuk gaboj, 11 raste janë shfaqur të diagnostikuara në klinikën tonë. Është tendencë në rritje dhe faktorët janë të shumtë, të cilët mund të jenë determinues dhe në impakt të shfaqjes së melanomës dhe rritjes së numrit”, tha kryetari i Shoqatës së Onkologëve, Arben Bislimi.

    Ndërkaq, për parandalimin e kësaj sëmundjeje kërkohet ndihmë nga institucionet shtetërore.

    “Ne tashmë i posedojmë dy dermatoskopë që janë manual. Jemi në pritje, kemi bërë kërkesë për dermatoskopë digjitalë, që do të ishte zgjidhje ideale për personat që kanë shumë nishane, shumë lezione”, tha Sopjani.

    E numri i të interesuarve për të mësuar rreth kësaj sëmundje ishte i lartë.

    “Ky organizim është i qëllueshëm, për shkak sepse unë së pari nuk kam pasur njohuri. Kur e pashë këtu, u ktheva se e kam këtë problem dhe besoj që shumë njerëz nuk kanë njohuri se çfarë është melanoma dhe them se ky organizim është i mirë”, tha Avdi Fehriu, qytetar.

    “Shumë organizim i mirë për shkak që ka njerëz që nuk e dinë se çfarë dëme sjell dielli”, thotë Myrvete Ismaili, qytetare.

    Madje, në mesin e të interesuarve kishte edhe turistë.

    “Ne bëmë kontroll për këtë sëmundje, gjithçka ishte në rregull me shëndetin tonë. Mjekët ishin shumë të kujdesshëm dhe shumë të interesuar për shëndetin tonë. Gjithçka ishte në rregull. Edhe pse kishte shumë të interesuar, ata prisnin në radhë”, tha Aysegul Yildirim, qytetare.

    “Po ne bëmë kontroll, nuk kemi ndonjë problem. Është një organizim i mirë, që është për të mirën e shëndetit tonë”, tha Cihan Yildrim, qytetar.

    Përveç këtij aktiviteti, Shoqata e Onkologëve të Kosovës dhe përfaqësuesja Kosovare e Euro melanomës, sot kanë organizuar një ligjëratë për dermatologët dhe onkologët rreth parandalimit dhe trajtimit të melanomës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Veteranët të gatshëm për protesta, nëse nuk përfshihen në pagën minimale

    Veteranët të gatshëm për protesta, nëse nuk përfshihen në pagën minimale

    E gjithë vëmendja e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mërkurën, do të jetë në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

    Në të nesër pritet të diskutohet për Ligjin për pagën minimale, në të cilin veteranët po kërkojë të përfshihen.

    Nga kjo organizatë thonë se po kërkojnë vetëm të respektohet ligji aktual, ku parashihet që benefitet e një veterani të UÇK-së të mos jenë më të vogla se paga minimale.

    “Ligji e definon qartë, çdo problem buxhetor që mund të ketë Qeveria, përfitimi i veteranëve nuk mund të jetë më i vogël se paga minimale që kuptohet ligjërisht që mund të ngrihet benefiti i veteranit në çfarëdo lartësie, po në raste të tilla ku ka mungesë buxheti ku e përcakton qartë ligji, që nuk guxon të jetë nën pagën minimale”, tha Xhavit Jashari nga OVL-UÇK-së.

    Edhe pse nuk e dinë se cilat do të jenë propozimet e nesërme të Qeverisë, anëtarë të Komisionit për Buxhet nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se me projektligjin aktual për pagën minimale do të ndryshohet edhe paga e veteranëve.

    “Në atë ligj është paraparë që Qeveria të vendosë për të ardhurat e veteranëve, duke u bazuar në stabilitetin financiar apo të hyrave të vendit, por besoj që ma saktësisht do ta marrim vesh nesër”, tha anëtari i Komisionit për Buxhet, Eman Rrahamni.

    Paga minimale në Kosovë nga 170 sa është aktualisht, me ligjin e ri të propozuar nga Qeveria, parashihet të bëhet 264 euro bruto, apo 250 euro neto. Derisa në qershor bëhen një vit prej kur projektligji është votuar në parim në Kuvend, që nga atëherë nuk ka pasur ndonjë hap konkret për miratimin e tij. /atvlive.tv

  • Lansohet strategjia kundër korrupsionit

    Lansohet strategjia kundër korrupsionit

    Sistemi gjyqësor e ai prokurorial duhet të zhvishen nga ndikimet politike, ishte porosia e kryeministrit Albin Kurti, gjatë takimit të parë të punës për hartimin e strategjisë shtetërore kundër korrupsionit.

    Derisa përmendi indeksin e organizatës, Transparency International si tregues të luftimit të korrupsionit, për vonesën e rezultateve kritikoi opozitën për pengimin e çdo reforme në drejtësi.

    “Reformën po e vazhdojmë me vetingun. Vonimi i rezultateve që me këto mjete të fuqishme kundër korrupsionit zyrtar, mund të numëroheshin edhe sot, bie në përgjegjësinë e partive opozitare, që mbështjellin pengimin e çdo reforme me adresimin te Kushtetuesja. Sot jemi mbledhur për të përmbushur zotim dhe përgjegjësi për ta hartuar Strategjinë Kundër Korrupsionit, duke shtruar rrugën drejt një shoqërie të çliruara nga korrupsioni”, tha Kurti.

    Sipas ekzekutivit, gjatë dy vjetëve lufta kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës rezultoi me arrestimin e mbi 3 mijë e 200 personave, prej të cilëve mbi 300 janë zyrtarë publikë.

    “Sot po shënojmë një ditë të rëndësishme në përpjekjet tona të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin në Kosovë, ashtu siç e kemi premtuar. Përmes kësaj strategjie synojmë të luftojmë korrupsionin nga të gjitha anët duke vendosur një strukturë të fuqishme për parandalimin dhe luftimin efektiv të korrupsionit”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Në muajin shkurt, Qeveria vendosi të themelojë strukturat për Hartimin e Strategjisë kundër korrupsionit. Komisioni ministror përbëhet nga Hekuran Murati kryesues dhe anëtarë Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla dhe Artane Rizvanolli. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Të dënuarit në mungesë do të kërkohen edhe përmes INTERPOL-it

    Të dënuarit në mungesë do të kërkohen edhe përmes INTERPOL-it

    Ç.A dhe D.R. janë të akuzuarit e parë në mungesë nën dyshimin për krime lufte.

    Në rast se dënohen, ndaj tyre do të lëshohet edhe urdhërarrest ndërkombëtar.

    “Kemi mundësi që përmes INTERPOL-it të lëshojmë fletëarreste për personat që janë gjykuar dhe dënuar në mungesë. Ata në momentin që janë ndaluar, duhet ta kryejnë dënimin”, tha Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Por, para se të ekstradohen, Kosova duhet t’ua garantojë një gjykim të ri.

    “Duhet të sigurohet se nëse shteti që ia kërkon, ia lë mundësinë për një rigjykim. Dhe në këto raste duhet ta japë një garanci të tillë”, tha Shala.

    Për t’u ekstraduar mund të ketë betejë juridike mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, meqë të dyja do të kërkojnë ta sjellin në vendin e tyre.

    “Në këtë rast Kosovës do t’i duhet t’i ofrojë shtetit në të cilin është ndaluar, dëshmi të mjaftueshme se ai vërtetë dyshohet për veprat penale…”, tha Amer Alija, avokat nga Fondi për Drejtat Humanitare në Kosovë (FDHK).

    Megjithatë, fjalën e fundit e kanë ministrat e drejtësisë në vendet përkatëse.

    “Krejt në fund, ministrat përkatës marrin vendimin…”, tha Alija.

    Gjykimi në mungesë që është një risi në sistemin e drejtësisë, nis vetëm në momentin kur konstatohet se prokuroria ka bërë përpjekjet e arsyeshme për ta gjetur të akuzuarin. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Ushtarët britanikë do të qëndrojnë në Kosovë edhe për tri vjet të tjera

    Ushtarët britanikë do të qëndrojnë në Kosovë edhe për tri vjet të tjera

    Ushtarët britanikë të NATO-s do ta vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë, të paktën edhe për tri vjetët e ardhshëm. Këtë erdhi për ta konfirmuar në Prishtinë ministri britanik për Forcat e Armatosura, James Heappey.

    Pas takimit rreth njëorësh me kryeministrin Albin Kurti, britaniku tha se biseduan ndër të tjera edhe për çështjen e sigurisë në Kosovë. Në një deklaratë të shkurtër për media, tha se është i vetëdijshëm për sfidat, derisa angazhohen për zgjidhje.

    “Mbretëria e Bashkuar do ta vazhdojë prezencën e saj në KFOR edhe për tri vjet të tjera. Është shenjë se sa të përkushtuar jemi për sigurinë tuaj, sovranitetin e lirinë tuaj”, tha Heappey.

    Më tej, ministri britanik shprehu përkrahjen e shtetit të tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

    “Ne kemi biseduar, për rolin që Mbretëria e Bashkuar mund të luajë dhe duhet të luajë në zgjidhjen e tyre dhe sigurisht që ambicien e kamotshme të Kosovës, që të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe sigurisht që të dyja këto organizata kërkojnë konsistencë. Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar që të shohë Kosovën në atë drejtim për aq sa e lejojnë rrethanat”, tha Heappey.

    Ministri britanik para se të takohet me Kurtin, është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

    Në një njoftim për media, Presidenca njoftoi se Osmani potencoi gatishmërinë e Kosovës që t’u bashkohet forcave britanike në misione paqeruajtëse në vende të tjera të botës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Kushtëzimi për KiE, Qeveria s’ndryshon qëndrim për manastirin e Deçanit

    Kushtëzimi për KiE, Qeveria s’ndryshon qëndrim për manastirin e Deçanit

    Pavarësisht apelit të radhës nga vendet e QUINT-it, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, Qeveria nuk e ka ndërruar qëndrimin.

    Ndonëse jo para kamerës, në një komunikim me zyrtarë nga ekzekutivi u nënkuptua se Qeveria nuk ka lëvizur në këtë drejtim, as pasi partnerët ndërkombëtarë deklaruan se moszbatimi mund të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë kërkohet bashkëpunim mes nivelit lokal e atij qendror.

    Një kushtëzim i tillë konsiderohet se është pasojë e lëshimeve të palës kosovare në procesin e dialogut ndër vite.

    “Kushtëzimi buron nga gabimet e njëpasnjëshme të Kosovës për të bërë koncesione vetëshkatërruese në dialog, së pari, nga bisedimet e Vjenës ku pala kosovare u pajtua me Aneksin 5 të Planit të Ahtisaarit, ku specifikohet se Kosova njeh Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke përfshirë manastiret, kishat dhe vendet e tjera, që përdoren për qëllime fetare ”si pjesë integrale të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd”, dhe së dyti tani nga qeveria aktuale që pranoi futjen e çështjes së Kishës Ortodokse në Marrëveshje të Brukselit, si pikë e veçantë për implementim urgjent nga ana jonë. Këto ishin dy gabime fatale të cilat e kanë përcjellë e do ta përcjellin Kosovën me pasoja të rënda për funksionimin e shtetit, nëse jetësohen ashtu siç pretendon Serbia”, tha ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj.

    Sipas ish-ministres së Jashtme, ndonëse Kosova i plotëson të gjitha kriteret formale për anëtarësim të plotë në KiE, vendimi për anëtarësim u takon shteteve anëtare veç e veç.

    “Serbia është jashtëzakonisht aktive në veprimin e saj diplomatik, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE, ndërsa Kosova nuk shihet se ka ndonjë strategji të qartë për të forcuar narrativen e saj diplomatike me shtetet anëtare, atëherë del se shumica e faktorëve vendimtarë për këtë anëtarësim janë në disfavorin tonë, dhe anëtarësimi eventual fatkeqësisht do të ndodhë vetëm përmes koncesioneve të dhimbshme, përmes Kishës dhe Asociacionit”, tha Haradinaj.

    Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese konfirmoi pronësinë e mbi 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit.

    Ndryshe, gjatë ditës, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, së bashku me pjesëtarë të UNESCO-s, e kanë vizituar Manastirin e Deçanit. Në Deçan ishte edhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Të enjten betohen kryetarët e rinj në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok

    Të enjten betohen kryetarët e rinj në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal vazhdon heshtjen zyrtare lidhur me datën dhe lokacionet e ceremonive të betimit të kryetarëve të zgjedhur në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Por, Partia Demokratike konfirmoi se dy anëtarët e saj, të cilët i fituan zgjedhjet, Ilir Peci në Zveçan dhe Izmir Zeqiri në Zubin Potok, do të betohen të enjten.

    Këtë e konfirmoi sekretari organizativ i kësaj partie, Betim Gjoshi, i cili njoftoi se propozimi fillestar ka qenë që këto solemnitete të kryhen të premten.

    “Ftesat janë dërguar për datën 26 maj, por me kërkesë të Ministrisë është ndërruar data dhe lokacioni. Është vendosur që seancat të mbahen të enjten, më 25 maj”, tha Gjoshi.

    Sipas Gjoshit, seancat solemne nuk do të zhvillohen në selitë e komunave.

    “Në komunën e Zubin-Potokut, ceremonia do të mbahet në zyrën për komunitete në fshatin Çabër”, tha Gjoshi.

    Edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar, ATV-ja mëson se synimi i Ministrisë është që të enjten të betohet edhe kryetari i zgjedhur në Leposaviq, Lulzim Hetemi.

    Ndërtesat zyrtare komunale në qytezat e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut, aktualisht shfrytëzohen nga strukturat ilegale-paralele të Serbisë.

    E diela e 28 Majit është dita e fundit e afatit për betimin e kryetarëve të rinj – në rast të dështimit të kryerjes së këtij solemniteti ligji parasheh zgjedhje të reja. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjendet pa shenja jete katërvjeçari që mbrëmë kishte rënë në Ibër-Lepenc

    Gjendet pa shenja jete katërvjeçari që mbrëmë kishte rënë në Ibër-Lepenc

    Familjarët prisnin ta shihnin përsëri të gjallë djalin e tyre. Por, ekipet e kërkim-shpëtimit në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e nxorën trupin të pajetë, nga kanali në të cilin vogëlushi dyshohet se kishte rënë mbrëmë.

    Raste tragjike si ky, sipas banorëve, kanë ndodhur edhe më parë.

    Në mungesë të rrethojave, qasja në kanal është e lehtë.

    “S’ka vit që s’vdes dikush. Hiç moti s’ka, ma qanej ka ra një tjetër, tash edhe ky, shumë e rrezikshme, unë kam ra edhe vetë njëherë, por më kanë shpëtua disa kushërinj”, tha Afrim Selaci, banor i fshatit Bukosh.

    ATVja ka mësuar që katërvjeçari mbrëmë kishte rënë në kanalin e Ibrit, derisa po kujdesej për bagëtitë së bashku me një familjar të moshës 12-vjeçare.

    Policia është duke u marrë me procedurat e hetimit dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: