ATV

Category: Lajme

  • Vdiq një person që ishte i infektuar me Covid-19

    Vdiq një person që ishte i infektuar me Covid-19

    Një person që ishte i infektuar me Covid-19 vdiq gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës informoi se tetë persona u infektuan me Covid-19 gjatë 24-orëve të fundit, derisa u shëruan 10 të tjerë.

    Tri raste aktive janë me Covid-19 në Kosovë./KP

  • Formohet Këshilli Ndërministror për Kontroll të Duhanit – Kurti: Do ketë zero tolerancë

    Formohet Këshilli Ndërministror për Kontroll të Duhanit – Kurti: Do ketë zero tolerancë

    Qeveria e Kosovës, ka votuar për formimin e Këshillit Ndërministror për Kontroll të Duhanit, raporton EO.

    Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se ky ligj ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik mbi efektet e dukshme të duhanit, duke shtuar se gjatë inspektimit do të ketë zero tolerancë.

    Kurse, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, tha se ligji mbi mbrojtjen e duhanit është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 por që asnjëherë nuk është marrë përsipër.

    Ai tha se qeveria aktuale është duke marrë aksione për uljen e duhanpirësve, ndërkaq ky vendim u miratua nga të gjithë ministrat.

  • Qeveria e ndryshon Programin legjislativ – miraton projektligjin për t’ua kthyer paratë e komunave

    Qeveria e ndryshon Programin legjislativ – miraton projektligjin për t’ua kthyer paratë e komunave

    Qeveria e Kosovës ka plotësuar dhe ndryshuar agjendën legjislative, duke shtuar tri projektligje të sponosrizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

    Një prej projektligje që është shtuar është edhe ai për për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, që i hap rrugë zhbllokimit të mjeteve vetanake të komunave, që kapin vlerën e 37.5 milionë eurove.

    “Ju ftoj që të plotësojmë dhe ndryshojmë agjendën tonë legjislative me shtimin e tri projektligjeve të sponsorizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve: I pari është Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për zhvillim ndërkombëtar. E dyta është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe e treta është Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale”, tha kryeministri Kurti.

    Ky propozim u miratua pa asnjë votë kundër e asnjë abstenim.

    “Kundër nuk ka, abstenim s’ka, miratohet”, deklaroi Kurti.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit 4-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në kanalin e Ibër-Lepencit

    Sot i jepet lamtumira e fundit 4-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në kanalin e Ibër-Lepencit

    Sot në varrezat e fshatit Akrashticë të Vushtrrisë, familjarë, miq e të afërm do të mblidhen, për t’i dhënë lamtumirën e fundit vogëlushit ,Ylli Mehana, i cili humbi jetën tragjikisht, pasi ra në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Sipas njoftimit mortor, ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 18:00.

    Trupi i pajetë i 4-vjeçarit është gjetur dje pas disa orësh kërkime.

    ATV-ja ka mësuar që 4-vjeçari kishte rënë në kanalin e Ibrit, derisa po kujdesej për bagëtitë së bashku me një familjar të moshës 12-vjeçare.

  • Qeveria miraton draftin e Strategjisë së Mbrojtjes, ministri Mehaj: Kjo strategji avancon bashkëpunimin me NATO

    Qeveria miraton draftin e Strategjisë së Mbrojtjes, ministri Mehaj: Kjo strategji avancon bashkëpunimin me NATO

    Qeveria e Kosovës miratoi sot draftin e Strategjisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, objektivë e të cilit është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u shpreh se objektivat e strategjisë së mbrojtjes janë bazuar duke u bazuar në interesat shtetërore.

    “Në këtë dokument përcaktohen objektivat kryesore për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, modernizimin dhe avancimin e kapaciteteve ushtarak, zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, anëtarësimin në organizata dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare si dhe avancimin e bashkëpunimit me NATO dhe mekanizmat e saj në Republikën e Kosovës. Objektivat e strategjisë së mbrojtjes janë bazuar duke u bazuar në interesat shtetërore, këto objektiva do të përmbushen në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Andaj, duke pasur parasysh se kjo strategji ofron drejtimin kryesor e sistemit të mbrojtjes për tu përgjigjur kërcënimeve dhe rreziqeve në Kosovës“, tha ai.

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi kërkesën për themelimin e Këshillit organizativ për shënimin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit dhe shënimin e 10 qershorit, 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Kryesuesi i Këshillit organizativ është ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ndërsa anëtarë janë përfaqësues nga: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, nga Ministria e Drejtësisë, nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga Zyra e Kryeministrit.

    Po ashtu, u ftuar edhe anëtarë nga Presidenca, Kuvendi, Komuna e Prishtinës, komandanti i FSK-së, nga organizatat e dala nga lufta, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, përfaqësues i familjes Jashari dhe nga organizatat joqeveritare.

    Me propozim të ministritë të Shëndetësisë, Arben Vitia Qeveria e Kosovës miratoi formimin e Këshillit Ndërministror për Kontroll të Duhanit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit.

    Po ashtu, qeveria vazhdoi mandatin për anëtarët e Komisionit për Kompensimin e viktimave të krimit në përbërje të Shukrije Statovcit dhe Valbona Çitakut.

  • ZPS-ja kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën

    ZPS-ja kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një parashtrese ka kërkuar nga trupi gjykues që Pjetër Shalës t’i vazhdohet masa e paraburgimit, duke e konsideruar këtë masë si të nevojshme dhe proporcionale.

    Sipas ZPS-së, asnjë fakt apo rrethanë e re nuk ka ndërhyrë që të mund ta ndryshojë këtë konstatim që kur trupi gjykues e ka vendosur atë në vendimin e dhjetë të paraburgimit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    Tutje, në këtë parashtresë thuhet se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe rreziqet që i akuzuari, nëse lirohet, do të arratiset, do të pengojë procedurën ose do të kryejë krime të mëtejshme, duke përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë ofruar dëshmi për ZPS-në dhe/ose janë paraqitur/do të dalin së shpejti para DhSK-së, mbeten të larta.

    ‘‘Fakti që i akuzuari ka ofruar prova inkriminuese në deklaratat e tij, duke konfirmuar dëshminë viva-voce të dëshmitarëve të ZPS-së dhe se këto deklarata tani janë në dispozicion të trupit gjykues për qëllimet e gjykimit të tij janë në vetvete një nxitje e mjaftueshme për të akuzuarin, nëse lirohet, të përpiqet të arratiset’’, thuhet në parashtresën e prokurorisë.

    ZPS thotë se i Shala akuzohet për katër akuza për krime lufte dhe, nëse dënohet, mund të përballet me një dënim të gjatë e që edhe prezantimi i vazhdueshëm i provave të ZPS-së dhe njohja e plotë e të akuzuarit për çështjen kundër tij rrit rrezikun e pengimit dhe kryerjes së krimeve dhe së bashku me faktin se trupi gjykues tani mund të përdor deklaratat e mëparshme të të akuzuarit për qëllime të gjykimit të tij, sipas ZPS-së, kjo rivendos ekzistencën e rrezikut të arratisjes.

    Parashtresën e tillë për vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën, mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.

    Ndryshe, gjykimi në rastin e Pjetër Shalës pritet të vazhdojë më 30 maj 2023.

    Kurse, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

    Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

    Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj.

    Ndërkaq, deri më tani në këtë rast janë anuluar seanca e 31 marsit, 5 majit dhe 19 majit.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • ‘Qeveria për familjet”, Shabani: Nuk është zgjidhje e papunësisë për me e punësu dikë vetëm për 6 muaj

    ‘Qeveria për familjet”, Shabani: Nuk është zgjidhje e papunësisë për me e punësu dikë vetëm për 6 muaj

    Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Zekirja Shabani, në emisionin A23 në ATV, tha se projekti ‘Qeveria për familjet” nuk është një zgjedhje për ta zbutur papunësinë në vend, por sipas tij, kjo i ndihmon institucionit që të abuzojë me shifra.

    “Nuk është zgjidhje për gjashtë muaj me punësua dikë, por është një zgjedhje në atë që thamë, abuzim të vazhdueshëm me shifra, është keqpërdorim i shifrave në të mirë të institucionit. Agjencia e Statistikave në fund të vitit do të dalë me atë shifrën e famshme që me anketën e punësimit që në Kosovë është ulur papunësia për shkak se çdo gjashtë mujor kemi pasur rritje të numrit të të punësuarve dhe rritje të numrit të të angazhuarve me kontratë”, tha Shabani.

    Sipas tij, praktika të tilla kanë ndodhur edhe me qeveritë e kaluara, të cilët përmes projekteve të ndryshme angazhonin punëtorë me paka tejet të ulëta, dhe në fund të vitit thoshin se ka pasur ulje të papunësisë në vend.

    “Qeveritë e kaluara përmes skemave të caktuara të ministrisë së punës, kanë punësuar njerëz për me pastru kanale, për me pastru ara, për me pastru rrugë të ndryshme dhe kështu dilnin në fund të vitit e thoshin ‘e kemi ulë papunësinë në Kosovë’ duke ua dhënë nga 150 euro në muajt”, tha Shabani. /atvlive.tv

  • Opozita e quan të jashtëligjshëm shkarkimin e anëtares së Bordit në OShP

    Opozita e quan të jashtëligjshëm shkarkimin e anëtares së Bordit në OShP

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere edhe në mbledhjen e sotme po vazhdon diskutimin për vendimin e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e anëtares se Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, në lidhje me tenderin për insulina.

    Kryetari i Komisionit, Armend Muja, adresoi akuza ndaj Bordit të OShP-së se po tentojnë të bëjnë kontrabandë të barnave, me insistimin për sigurimin e tenderit për insulina pa autorizim të marketingut.

    Ai paraqiti dy vendime të OShP-së njërën në vitin 2019 dhe tjetrin në vitin 2021, ku tha se ka kontradiktë mes tyre.

    Mirëpo, anëtarja e Bordit të OShP-së, Kimete Gashi, insistoi në ligjshmërinë e vendimet për tenderin për insulina, ku tha se i njëjti është vërtetuar edhe nga gjykatat e rregullta.

    Nën anën tjetër, deputetët opozitarë thanë se vendimi i Qeverisë për shkarkimin e anëtares së Bordit të OShP-së, Kimete Gashi është i jashtëligjshëm.

  • Kurti konfirmon se betimi i tre kryetarëve në veri bëhet të enjten në ndërtesa publike

    Kurti konfirmon se betimi i tre kryetarëve në veri bëhet të enjten në ndërtesa publike

    Kryeministri Albin Kurti para qeveritar ka konfirmuar se betimi i tre kryetarëve në veri do të bëhet të enjten në ndërtesa publike, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, veprimet e institucioneve e kanë në qendër funksionalizimin dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim, duke shtuar se kjo nuk është zgjedhje kjo është detyrim.

    Ai shtoi se frikësimet e shantazhet nga Serbia ndikuan te qytetarët serb që mos të dalin në zgjedhje.

    “Dje u bë një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve në veri, nuk pati asnjë incident ishin të qeta dhe paqësore. Frikësimet e shantazhet nga Serbia ndikuan tek qytetarët. Vota e munguar ishte mungesë e vullneti të lirë. Fushatat e këtilla ndaj serbeve janë të shpeshta dhe të vazhdueshme”.

    “Te premten e kaluar kryetari i zgjedhur i Mitrovicës bëri betimin e tij, nënkryetarja u emërua nga komuniteti serb. Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahet edhe betimi i 3 kryetarëve. Veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo nuk është zgjedhje kjo është detyrim i yni”, tha ai.

  • KDI: Skenderaj, komuna më transparente në vitin 2022

    KDI: Skenderaj, komuna më transparente në vitin 2022

    Komuna e Skenderajt është më transparentja për vitin 2022, sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) që të mërkurën ka publikuar “Indeksin e Transparencës për Qeverisjen Komunale”.

    KDI-ja në një konferencë për media bëri të ditur se komunat janë vlerësuar në 87 indikatorë për tetë shtylla: 1. transparenca në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, 2. transparenca buxhetore, 3. transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, 4. përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, 5. qasja në dokumente publike, 6. përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, 7. menaxhimi i pronës komunale, si dhe 8) transparenca e ndërmarrjeve dhe organizatave publike në pronësi të komunave.

    Diana Metushi – Krasniqi nga KDI ka thënë se indeksi i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2022 e rendit Komunën e Skenderajt më transparenten me 92.63 pikë (nga maksimumi prej 100 pikëve në 87 treguesit e matur), pasuar nga komunat e Lipjanit dhe Mitrovicës të vlerësuara me 91.13 pikë, Prizreni (90.63 pikë), Drenasi (89.88 pikë), Prishtina (89.13 pikë), Rahoveci (88.94), Ferizaj (86.94 pikë), Gjakova (85.38 pikë) dhe Hani i Elezit (83.62 pikë), dhe Dragashi (82.73 pikë).

    Metushi – Krasniqi ka thënë se vetëm në sektorin e prokurimit publik nëpër komuna ka një rritje të transparencës prej 20 për qind.

    Metushi: Rritet transparenca nëpër komuna

    Video

    “Transparenca e përgjithshme në këta 87 indikator dhe 8 shtylla të politikave të qeverisjes lokale në vitin 2022 është 68 për qind. Kemi 12 për qind mesatarisht rritje prej matjeve të vitit 2021 që nënkupton një vullnet të mirë për komunat për të rritur transparencën dhe llogaridhënien kundrejt qytetarëve të tyre. Shohim se kemi një rritje prej 20 për qind në sektorin e prokurimit publik, vetëm 2 për qind rritje në shtyllën e transparencës buxhetore. Po ashtu kemi rritje edhe në qasjen në dokumentet publike dhe informacionit publik me pjesëmarrjen publike, ndërsa rritja më e madhe është vërejtur në shtyllën e transparencës për ndërmarrjet publike dhe organizatat komunale”, theksoi ajo.

    Kristína Kroková nga Transparency International – Slovakia theksoi që është e mahnitur të shohë progresin që komunat në Kosovë po arrijnë nga viti në vit.

    Ajo potencoi që komunat në Sllovaki nuk kanë pasë progres të përnjëhershëm si në rastin e Kosovës, dhe sipas matjeve të tyre nga viti 2012 progresi nuk ka kaluar 25%-shin

    Kroková: Synimi ynë është që të zvogëlojmë korrupsionin

    Video

    “Synimi ynë është që të zvogëlojmë korrupsionin duke e rritur transparencën në përfshirjen e qytetarëve dhe duke fuqizuar proceset dhe zvogëlimin e burokracive të shumta. Që nga vitit 2010, për çdo dy vjet publikojmë renditjen e 100 komunave më të mëdha në Sllovaki dhe këtë e bëjmë duke vlerësuar në më shumë se 109 indikator. Transparenca që nga fillimi e deri më tani është rritur për 23 për qind”, theksoi ajo.

    Katër komunat veriore, Leposaviqi, Mitrovica e Veriut, Zubin-Potoku dhe Zveçani, kanë pikët më të ulëta sa i përket transparencës.

    KDI inkurajon të gjitha komunat të analizojnë ku çalojnë sa i përket matjeve të 2022 dhe të përkushtohen për të përmbushur standardet e transparencës gjatë viteve në vijim.