ATV

Category: Lajme

  • KFOR-i pozicionohet në Zveçan

    KFOR-i pozicionohet në Zveçan

    Pjesëtarë të KFOR-it janë pozicionuar sot në mëngjes në vijën e parë, ndërsa Policia e Kosovës vazhdon të qëndrojë përreth ndërtesës së Komunës në Zveçan, raporton KosovaPress.

    Akoma nuk ka qytetarë të tubuar derisa situata tani për tani mbetet e qetë, por nën tension.

    Jo zyrtarisht mësohet se ushtarët e KFOR-it janë vendosur edhe afër ndërtesave të Komunave në Leposaviq dhe Zubin Potok.

  • Erdogan: Fitues nuk jemi vetëm ne, fitues janë Türkiye dhe demokracia

    Erdogan: Fitues nuk jemi vetëm ne, fitues janë Türkiye dhe demokracia

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në fjalimin e tij tradicional pas zgjedhor ka deklaruar se “fitues janë Türkiye dhe demokracia”, raporton Anadolu Agency.

    “Si çdo vullnet i popullit tonë, edhe ky rezultat zgjedhor është më se i mirëpritur për ne. Fitues nuk jemi vetëm ne. Fitues janë Türkiye dhe demokracia”, tha presidenti Erdoğan pas rizgjedhjes së tij president i Türkiye-s.

    Siç tha Erdoğan, sot nuk ka humbur askush dhe të gjithë 85 milionë qytetarët kanë fituar.

    “Tani është koha për t’u bashkuar dhe për t’u integruar rreth synimeve dhe ëndrrave tona kombëtare”, shtoi ai.

    Më tej, presidenti turk tha se “në një ndër zgjedhjet më të rëndësishme të jetës tonë politike shumë-partiake”, kombi turk mori vendimin në favor të “Shekullit të Türkiye-s”.

    “Tashmë me përfundimin e zgjedhjeve, të gjithë kohën dhe energjinë tonë do t’ia kushtojmë plotësisht punës, veprave dhe shërbimeve”, tha ai.

    Siç theksoi presidenti turk pas fitorës së zgjedhjeve, “mediat perëndimore kanë humbur”, duke shtuar se ato botuan ballina për ta “shkatërruar” atë.

    “Do të vazhdojmë rrugëtimin me siguri dhe stabilitet. Projektojmë një ekonomi prodhuese me një reputacion ndërkombëtar të fokusuar në menaxhim financiar, investime dhe punësim”, theksoi presidenti turk.

    Lidhur me tërmetet që tronditën Türkiye-n juglindore në fillim të muajit shkurt, presidenti Erdoğan tha se “shërimi i plagëve të tërmeteve të 6 shkurtit dhe rimëkëmbja e qyteteve të shkatërruara do të vazhdojnë të jenë në krye të prioriteteve tona”.

    Presidenti turk foli edhe për refugjatët sirianë që strehohen në Türkiye, duke njoftuar se deri më sot autoritetet turke kanë mundësuar kthimin vullnetar të afro 600 mijë sirianëve në zonat e sigurta në territorin e Sirisë.

    “Me një projekt të ri akomodimi që po e realizojmë me Katarin, do të sigurojmë kthimin e 1 milion sirianëve të tjerë brenda pak vitesh”, tha ai.

    Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor (YSK), Ahmet Yener, njoftoi se në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura sot, Erdoğan është rizgjedhur president i Türkiye-s. Duke folur me gazetarët në kryeqytetin Ankara, kreu i YSK-së tha se Erdoğan në raundin e dytë fitoi presidencën e Türkiye-s kundrejt kandidatit të opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu.

    Sipas rezultateve preliminare, tha Yener, presidenti aktual Erdoğan fitoi garën zgjedhore me 52,14 për qind, ndërsa Kılıçdaroğlu grumbulloi 47,86 për qind të votave. Ai shtoi se deri më tani në mbarë vendin janë hapur 99,43 për qind e kutive të votimit.

  • Borrell njësoj si Stoltenbergu: Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm, destabilizues

    Borrell njësoj si Stoltenbergu: Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm, destabilizues

    Kryediplomati evropian, Josep Borrell është deklaruar pas bisedës që ka zhvilluar me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

    Ai tha se bashkë me shefin e NATO-s pajtohen që Prishtina zyrtare duhet të de-përshkallëzojë dhe mos të marrë hapa të njëanshëm që sipas tij, janë destabilizues.

    “Fola me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg për situatën në veri të Kosovës. Ne pajtohemi që Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm, destabilizues”, shkroi diplomati spanjoll në Twitter.

    Ai tha se e vlerëson koordinimin e mirë të vazhdueshëm ndërmjet EULEX-it dhe KFOR-it “në sigurimin e një mjedisi të sigurt”.

    Njësoj si Borrelli, edhe Stoltenberg ka kërkuar nga Prishtina që të shtensionojë situatën dhe të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues”.

    “Bisedova me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, lidhur me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi ai në Twitter.

    Të premten, grupe të serbëve lokalë kundërshtuan shkuarjen në zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

    Kryetarët e rinj u asistuan nga Policia e Kosovës për të shkuar në zyrat e tyre. Megjithatë, tensione u rritën dhe serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe gaz lotsjellës.

    Për këto zhvillime, ShBA-ja dhe BE-ja e kanë qortuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se kjo është “hyrje me forcë” në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj në veri.

    Por, Qeveria Kurti e ka mbrojtur këtë vendim duke deklaruar se çdo opsion tjetër do të ishte “mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

  • QUINT-i dhe BE-ja me deklaratë të re: Qeveria të mos marrë masa të reja në veri

    QUINT-i dhe BE-ja me deklaratë të re: Qeveria të mos marrë masa të reja në veri

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përsëritur qëndrimin e QUINT-it të datës 26 maj rreth situtatës së krijuar në tri komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Ata përmes një postimi në Twitter kanë thënë se e denojnë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

    Tutje, ata kanë thënë Kuinti dhe BE-ja theksojnë se Dialogu i lehtësuar nga BE është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pranimit në BE.

    Ata ndër të tjera kanë thënë se, pritjet e Kuintit dhe BE-së janë që autoritetet e Qeverisë së Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Edhe kryetarët e zgjedhur të bashkive duhet të tregojnë përmbajtje 2/6

    Postimi i plotë:

    Deklarata nga Ambasadat e 🇫🇷🇩🇪🇮🇹🇬🇧🇺🇸 &🇪🇺:

    Ne përsërisim deklaratën tonë të 26 majit që dënon vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme për përmbajtje. 1/6

    Në këtë kontekst, pritjet e Kuintit dhe BE-së janë që autoritetet e Qeverisë së Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Edhe kryetarët e zgjedhur të bashkive duhet të tregojnë përmbajtje 2/6

    dhe marrin masa të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë anëtarëve të komuniteteve të tyre. Në të njëjtën kohë, ne i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt dhe të sigurt 3/6

    duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe që mund të nxisë tensione ose të nxisë konfliktin. I kujtojmë palët që të punojnë së bashku në hapat e ardhshëm për zbatimin e Marrëveshjes. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, EULEX-it, 4/6

    & anëtarët e KFOR-it. Veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e Quintit dhe BE-në.

    Kuinti dhe BE-ja theksojnë se Dialogu i lehtësuar nga BE është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pranimit në BE. 5/6

    I rikujtojmë palët që të punojnë së bashku në hapat e ardhshëm për zbatimin e Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në shkurt dhe mars të këtij viti, duke përfshirë edhe ASMM, dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë në takimet e ardhshme të Dialogut. 6/6

  • Presidenti Begaj uron Presidentin Erdoğan për fitoren në zgjedhjet presidenciale

    Presidenti Begaj uron Presidentin Erdoğan për fitoren në zgjedhjet presidenciale

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren në zgjedhjet presidenciale, transmeton Anadolu.

    Në urimin e tij të publikuar në rrjetet sociale, presidenti Begaj shkruan: “Urime të përzemërta Recep Tayyip Erdoğan për rizgjedhjen tuaj”.

    “Partneriteti dhe miqësia vëllazërore mes Shqipërisë dhe Türkiyes do të vazhdojnë dhe do të rritet më tej”, shkruan Begaj.

    Sipas kreut të Këshillit Suprem Zgjedhor të Türkiyes (YSK), Ahmet Yener, nga 75,42 për qind të votave të numëruara, presidenti Erdoğan kryeson në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me 53,41 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, ka 46,59 për qind.

    Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, më 14 maj, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 për qind të votave të kërkuara, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind. Aleanca e Popullit e udhëhequr nga Erdoğan gjithashtu siguroi shumicën në parlamentin turk.

  • Osmani uron Erdoganin: Le të forcohet marrëdhënia mes Kosovës dhe Turqisë

    Osmani uron Erdoganin: Le të forcohet marrëdhënia mes Kosovës dhe Turqisë

    Recep Tayyip Erdogan e ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale në Turqi.

    Ai është uruar nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

    Osmani tha se mezi pret që të punojnë së bashku me Erdoganin.

    “I shprehim urimet tona të përzemërta Presidentit Erdogan në fitoren e sotme”, tha Osmani.

    Ajo e uroi homologun e saj edhe në gjuhën turke.

  • Kurti uron Erdoganin: Mezi pres ta thellojmë bashkëpunimin Kosovë – Turqi

    Kurti uron Erdoganin: Mezi pres ta thellojmë bashkëpunimin Kosovë – Turqi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar presidentin turk, Recep Taip Erdogan për fitoren në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Turqi.

    Ai këtë e ka bërë përmes një urimi në rrjetin social në Twtter.

    ”Urimet e mia të sinqerta për Presidentin Erdogan për rizgjedhjen e tij të suksesshme presidenciale. Mezi presim të thellojmë më tej bashkëpunimin dypalësh strategjik midis Kosovës dhe Turqisë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

    Erdogan më parë mori urim edhe nga presidentja, Vjosa Osmani.

  • Presidenti amerikan Biden uron presidentin Erdoğan për fitoren në zgjedhje

    Presidenti amerikan Biden uron presidentin Erdoğan për fitoren në zgjedhje

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka uruar presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili u rizgjodh në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, sipas rezultateve preliminare.

    “Uroj presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e rizgjedhjes së tij. Pres me padurim që si aleatë të NATO-s të vazhdojmë të punojmë së bashku për çështjet dypalëshe dhe sfidat e përbashkëta globale”, shkroi Biden.

  • Erdogani mposht Kilicdaroglun, zgjidhet prapë President i Turqisë

    Erdogani mposht Kilicdaroglun, zgjidhet prapë President i Turqisë

    Rexhep Tajip Erdogan është shpallur edhe një herë fitues i Zgjedhjeve Presidenciale në Turqi, duke e mposhtur kështu rivalin e tij Kemal Kilicdaroglu.

    Erdogan tash e nëntë vjet e udhëheq vendin si president, ndërkaq pjesë e udhëheqjes së shtetit ka qenë që 20 vjet.

    Në vitet 1970 dhe 1980, Erdogan ishte aktiv në qarqet islamike, duke iu bashkuar Partisë pro-islamike të Mirëqenies.

    Në vitin 2001, ai themeloi një parti të re, me rrënjë islamike, Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), kun në vitin 2002 AKP fitoi shumicën në zgjedhjet parlamentare dhe që atëherë ka qeverisur vendin.

    Erdogan ishte kryeministër i Turqisë mga viti 2003 deri më 2014, duke kaluar pastaj po këtë vit në president të vendit.

    Prej 2018-ës në Turqi presidenti është kreu i shtetit, i cili drejton edhe qeverinë. Zyra e kryeministrit nuk ekziston më.

  • Nxënësit nuk i duan kiflet

    Nxënësit nuk i duan kiflet

    Shumica e shkollave fillore e të mesme të Prishtinës nuk duan të kthehet furnizimi me kifle e qumësht, të cilin e morën deri para tre vjetëve, si shujtë nga ana e Komunës.

    “Gjithmonë kemi humbur ushqim. Ka ndodh që 4-5 ditë nuk është larguar kiflja prej çantës”, tha drejtori i shkollës “Dardani”, Isak Bregaj.

    Por, drejtori i shkollës Dardania, Isak Bregaj, do ta mirëpriste që nga komuna të ofrohet një shujtë e nxehtë, megjithatë e konsideron sërish si një shpenzim të kotë.

    “Më mirë është ato mjete të shkojnë për investime dhe për mësimdhënës. Këtu e kemi bufenë gjithashtu, prindërit iu japin ushqimin nga shtëpia dhe nxënësit e hanë ushqimin nëpër klasa”, tha Bregaj.

    Një zgjidhje tjetër e ka edhe shkolla “Emin Duraku”. Ushqimi për nxënësit përgatitet në kuzhinën të cilën e kanë brenda shkollës.

    Ndërkohë, edhe Këshilli i Prindërve thotë se nuk ka kërkesa që të kthehen shujtat e mëparshme.

    “Për ta bërë funksional projektin e shujtave duhet goxha angazhim dhe investime, si në kuzhinat qendrore ashtu edhe nëpër shkolla. Sugjeroj që ky projekt ose të bëhet mirë, ose të mos iniciohet vetëm sa për të thënë që po jepen shujtat (siç ishte bërë nga Kryetari paraprak i Prishtinës)”, tha Jeton Demi nga këshilli i prindërve.

    Ndërkaq, në rast se fillohet me dërgimin e shujtave për nxënësit në shkollat e komunës së Prishtinës, ndërmarrja publike ”Kuzhina Qendrore” thotë se ka kapacitete.

    “Kemi edhe kapacitete edhe pajisjet, mirëpo duhet një riorganizim i punës dhe gjitha këto jemi duke i biseduar me komunën e Prishtinës, nëse fillon dërgimi i shujtave. Nuk kemi diçka konkrete, meqë është një barrë e madhe financiare, sepse të gjitha këto i paguan komuna”, tha Asdren Osaj, kryeshef i kuzhinës qendrore.

    Kuzhina qendrore aktualisht furnizon gjithsej 16 çerdhe, prej të cilave 8 janë publike dhe 8 me bazë në komunitet. Komuna e Prishtinës për 1 fëmijë për 3 shujta brenda ditës paguan 2 euro. /atvlive.tv