ATV

Category: Lajme

  • Lavrov paralajmëron: Situata në Kosovë mund të provokojë konflikt të ri në Evropë

    Lavrov paralajmëron: Situata në Kosovë mund të provokojë konflikt të ri në Evropë

    Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.

    “Një shpërthim i madh po përgatitet në qendër të Evropës – pikërisht në vendin ku, në vitin 1999, NATO-ja sulmoi Jugosllavinë, duke shkelur çdo parim të imagjinueshëm të Aktit Final të Helsinkit dhe të dokumenteve të OSBE-së”, tha Lavrov gjatë një vizite në Kenia, raporton agjencia shtetërore ruse, RIA Novosti.

    Ai shtoi se situata kërkon një “zgjidhje gjeopolitike” që do të garantonte sigurinë e vendeve evropiane.

    Sipas tij, “asnjë bllok, përfshirë NATO-n, nuk ka të drejtë të pretendojë dominim në atë pjesë të planetit”.

    Tensionet në veri të Kosovës janë rritur, pasi grupe të serbëve lokalë janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Të premten e kaluar, Policia e Kosovës ka hyrë me forcë në këto komuna për t’i instaluar kryetarët e rinj.

    Qeveria e Kosovës i ka mbrojtur veprimet e policisë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar ashpër ato, duke paralajmëruar se minimizojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Rusia, e cila ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, është aleate e Serbisë dhe mbështet vazhdimisht veprimet e saj kundër shtetësisë së Kosovës.

  • Pozhari: Këta VV-së po i vizitojnë kryetarët në veri, të PDK-së po i presin në Prishtinë

    Pozhari: Këta VV-së po i vizitojnë kryetarët në veri, të PDK-së po i presin në Prishtinë

    Analisti Xhevdet Pozhari, përmes një statusi në facebook, u ka bërë thirrje anëtarëve të PDK-së që t’ua urojnë vendin e punës kryetarëve të rinj në veri, e të mos frikësohen.

    “Këta të VV-së kryetarët e komunave po shkojnë me i vizitu në veri. Ata të PDK-së po i presin në Prishtinë, në seli! Çohuni more shkoni uroni te veni i punës, mos u tutni!”, ka shkruar Pozhari. /atvlive.tv

  • Hashim Thaçi ndodhet në Kosovë

    Hashim Thaçi ndodhet në Kosovë

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçit, po qëndron në Burojë.

    Ai është liruar për disa orë nga Gjykata Speciale, siç mëson Nacionale, pasi gjendja shëndetësore e nënës së tij nuk është e mirë.

    Nacionale ka siguruar disa pamje nga fshati Burojë ku është shtëpia e prindërve të Thaçit.

    Sipas burimeve, forca të shumta të sigurisë janë parë në Burojë, ku siç mësohet Thaçit i është lejuar t’i takojë vetëm prindërit e tij dhe askënd tjetër prej anëtarëve të tjerë të familjes.

    Po ashtu, në afërsi të shtëpisë së familjes Thaçi në Burojë është i vështirësuar edhe komunikimi, pasi siç duket për shkak të masave të sigurisë është ndërprerë edhe rrjeti i internetit dhe telefonisë.

    Nëna e ish-presidentit Thaçi është liruar ditë më parë nga QKUK-ja, ku ishte trajtuar 5 ditë radhazi. Ajo, siç mësohet, tani është duke u trajtuar nga mjekët në kushte shtëpiake.

    Aty shihen forca të shtuara të EULEX-it, por edhe disa qytetarë që janë mbledhur në afërsi.

  • PDK e AAK kërkojnë pagë minimale 370 € dhe përfshirjen e veteranëve në ligj

    PDK e AAK kërkojnë pagë minimale 370 € dhe përfshirjen e veteranëve në ligj

    Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë dhënë propozimet e tyre për pagën minimale, raporton Ekonomia Online.

    Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, teksa u shqyrtua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, PDK ka kërkuar që në pagën minimale të përfshihen veteranët, ndërsa AAK, përpos kësaj, ka kërkuar që paga minimale të jetë 370 euro.

    Në emër të PDK-së, amendamentin e lexoi deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Ai kërkoi që neni që i largon veteranët nga paga minimale të hiqet.

    “Përjashtimi i veteranëve të luftës, është i papranueshëm dhe diskriminues dhe pensioni i tyre është i përcaktuar në ligjin bazik. Unë nuk e di sesi ka ardhur deri te drafti i parë dhe ne kërkojmë që të largohet ky diskriminim. Ky ligj ka kaluar në lexim pa pëlqimin e këshillit ekonomiko-social”.

    Mirëpo, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, neni për përjashtimin e vetranëve nuk duhet të hiqet.

    “Amendamenti që ju po kërkon fshirjen ka të bëjë me përcaktimin e një pensioni të dedikuar për veteranë. I jep mundësi që Qeveria të përcaktojë pension të veçantë. Nuk mendoj se është e nevojshme të hiqet ky nen”, tha Murati.

    Pas këtij deklarimi, ministrit Murati i reagoi Shala teksa tha se është “një ministër të cilit ia njohim qëndrimet ndaj kësaj kategorie”.

    “Ne nuk presim asgjë nga një ministër të cilit ia njohim qëndrimet ndaj kësaj kategorie. Një ministër që pretendonte se vendi mund të çlirohej me mercenarë. Si të ju besojmë kur që për 13 muaj ky ligj qëndron në sirtarë”, tha ai.

    Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, prezantoi amendamentin e Grupit Parlamentar të AAK-së. Sipas tyre, paga minimale duhet të jetë 370 euro.

    “Kaluan 13 muaj që ky ligj qëndroi në sirtarët e kuvendit. Procedimi që ka qenë më parë, paga minimale ka qenë e ulët dhe qesharake. Ne si GP kemi propozuar një amendament. Në emër të GP të AAK-së, Qeveria e Kosovës çdo vit ta prezantojë pagën minimale në mbledhjen e këshillit ekonomiko-social, dhe të prezantohet paga 370 euro neto për këtë vit”, tha Lekaj.

  • Lista Serbe me kërkesë të re për tërheqjen e protestuesve

    Lista Serbe me kërkesë të re për tërheqjen e protestuesve

    Pasditen e 29 majit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë paraqitur një kërkesë të re, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.

    Pas bisedës me një kolonel amerikan të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Igor Simiq dhe Dragisha Milloviq, nga Lista Serbe kërkuan që njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të zëvendësohen me trupat e KFOR-it, në mënyrë që këta të fundit të ruajnë ndërtesat komunale.

    Më herët gjatë ditës, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se ishin dy kërkesa që ua kishte përcjellë përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen.

    “Kërkesat tona janë që sherifët – siç e quajnë veten – të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, tha Rakiq, duke folur nga Zveçani.

    Më 29 maj, serbët po protestojnë para ndërtesave komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave.

    Policia e Kosovës, por edhe trupa të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë shtuar prezencën e tyre në veri.

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, më herët gjatë së hënës deklaroi se protestuesit do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.

    “Ne nuk do të largohemi derisa ata të tërhiqen. Presim që KFOR-i të qëndrojë neutral ndaj statusit, të mos ofrojë mbrojtje për njësitë e paligjshme parapolicore, të ruajë paqen sepse ne jemi të interesuar për paqe. Qytetarët erdhën këtu për të mbrojtur paqen dhe familjet e tyre”, tha ai.

    Pas rritjes së tensioneve në veri më 26 maj, Lista Serbe ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeveria serbe që të ndërprenë apo pezullojnë dialogun me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj të shkonin në zyrat e tyre. Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët u përleshën me zyrtarët policorë.

    Veprimet e Prishtinës janë dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar, që ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të heqë dorë nga “masat e dhunshme”.

    Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën më 23 maj, pasi krerët e mëhershëm komunalë nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

    Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

    Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. /REL

  • Kolonë me automjete ushtarake të KFOR-it drejt Mitrovicës së Veriut, një helikopter e ndjekë nga lart

    Kolonë me automjete ushtarake të KFOR-it drejt Mitrovicës së Veriut, një helikopter e ndjekë nga lart

    Një kolonë ushtarake e KFOR-it me automjete të rënda është parë duke shkuar në drejtim të Mitrovicës së Veriut.

    Kolonën po e shoqëron një helikopter i misionit paqeruajtës të NATO-s.

    KFOR-i aktualisht është duke e monitoruar situatën në veri, ku të dielën në anën serbe të kufirit pranë Jarinjës disa serbë u mblodhën duke protestuar. Në një moment, protestuesit ia mësynë për ta kaluar kufirin, por u penguan nga policët. Ata kanë insistuar për pak që t’i afroheshin pikës kufitare, andej së cilës po qëndronin trupa të KFOR-it.

    KFOR-i nuk e ka përjashtuar mundësinë që aty të ketë pasur edhe grupe të organizuara kriminale.

    “Sot, pas koordinimit aktiv me të gjitha palët, Forca e Kosovës – KFOR-i, Komanda Rajonale e KFOR-it Lindje ka shtuar praninë e saj në Jarinjë për arsye parandaluese të sigurisë. Kjo rritje vjen si pasojë e prezencës së mundshme të grupeve të organizuara kriminale brenda protestuesve”, u tha në një komunikatë.

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka njoftuar të dielën se ditët në vijim do t’i nisë stërvitjet ushtarake pranë bazës në Novosellë.

    Kështu, KFOR-i synon të përgatitet për të reaguar ndaj krizave. Sipas komunikatës së lëshuar, në këto stërvitje do të përdoren automjete të rënda ushtarake dhe helikopterë.

  • ​Analistja serbe: Me “Z” në veturë të KFOR-it amerikan treguam se e përkrahim fashizmin rus

    ​Analistja serbe: Me “Z” në veturë të KFOR-it amerikan treguam se e përkrahim fashizmin rus

    Natalija Grbiq, nga shoqëria civile në Serbi ka kritikuar protestuesit serbë në veri të Kosovës se po e përkrahin fashizmin rus.

    “Serbët e Kosovës kanë shkruar shkronjën ‘Z’ në veturën e ShBA-ve. Përsëri në botë kemi dërguar fotografi se po e përkrahim fashizmin rus”, ka shkruar Grbiq, transmeton KosovaPress.

    Nga protestues serbë të komunave veriore, sot janë dëmtuar disa automjete të Policisë së Kosovës, e disa janë ngjyrosur me ngjyrë duke shënuar në to katër “C”, ndërsa në disa vetura të KFOR-it është shënuar shkronja “Z”, simbol i ushtrisë pushtuese ruse në Ukrainë.

    Po ashtu, në mesin e protestuesve serbë sot janë parë edhe persona të maskuar e për të cilët eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka thënë se mund të ketë të gatshëm edhe për sulme terroriste.

    Policia e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjestërave të institucionit të sigurisë së Kosovës.

    Më 26 maj, Policia e Kosovës i ka ndihmuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit për të hyrë në zyrat komunale, me gjithë kundërshtimet e ashpra të disa banorëve serbë vendas, që kanë çuar në përleshje me pjesëtarët e policisë.

  • Daçiq paralajmëron për “destabilizim të rajonit”

    Daçiq paralajmëron për “destabilizim të rajonit”

    Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se “aktet e njëanshme” të autoriteteve të Kosovës rrezikojnë ta destabilizojnë rajonin dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që t’i marrin seriozisht ato.

    Deklarata e Daçiqit vjen pasi grupe serbësh në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok u mblodhën të hënën për të kundërshtuar edhe një herë kryetarët e rinj të këtyre komunave në veri të Kosovës – që të gjithë shqiptarë – të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

    “Prishtina është kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin rajonal për momentin”, tha Daçiq.

  • Reagon Kurti: Është koha të qetësohet situata në veri

    Reagon Kurti: Është koha të qetësohet situata në veri

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se situata në veri duhet të qetësohet dhe të zbatohet Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit në Bruksel.

    Ai njoftoi se ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, me të cilin tha se u pajtuan për këto dy tema.

    “Pata një bisedë telefonike me ministrin e Italisë, Antonio Tajani gjatë ditës sot. Të dy u dakorduam që është koha të zbatohet Marrëveshja Bazike dhe të qetësohet situata në veri”, shkroi Kurti në Twitter.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, është takuar të hënën me presidenten Vjosa Osmani, për të biseduar mbi gjendjen e krijuar në veri. Ai u shpreh pas takimit se situata është thellësisht shqetësuese.

  • ​Islami: Kryetarët të ushtrojnë funksionin nga komuna, mos të krijohet sistem paralel

    ​Islami: Kryetarët të ushtrojnë funksionin nga komuna, mos të krijohet sistem paralel

    Katër kryetarët shqiptarë në komunat veriore me shumicë serbe duhet të vendosen në objektet komunale dhe nga aty ta ushtrojnë funksionin e tyre dhe t’u shërbejnë qytetarëve dhe jo të krijohet një sistem paralel.

    Kështu vlerëson njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, i cili paralajmërimet e ministritë të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq për gatishmërinë e ushtrisë serbe i konsideron si një kërcim me të cilin vazhdimisht po ballafaqohet Kosova.

    Sipas tij, një luftë tjetër në mes Kosovës dhe Serbisë nuk i konvenon as bashkësisë ndërkombëtare.

    “Jo vetëm Daçiq, por edhe të tjerë zyrtarë shtetëror të Serbisë vazhdimisht janë duke bërë kërcënimin me luftë, por që dihet mirëfilli që Kosova është në një lloj protektorati ndërkombëtar, ku rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit, KFOR i cili është derivat i Aleancës Veri-atlantike, është i mandatuar ta mbroj sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Pra, nëse madje një centimetër rrezikohet sovraniteti i Kosovës dhe hyjnë ushtarët e një shteti tjetër, konsideroj se është shkelje e sovraniteti dhe luftë ndaj Aleancës Veri-atlantike…..Lufta në Kosovës do të thotë luftë ballkanike dhe një luftë ballkanike nuk do t’i konvenon as bashkësisë evropiane as SHBA sepse nëse Kosova, hynë në luftë do të filloj vargu zinxhiror i shteteve të Ballkanit të cilat janë vatra të krizave…Nuk besoj që bashkësia ndërkombëtare do të lejoj një luftë në zemër të Evropës”, u shpreh Islami.

    Islami kundërshton krijimin e një sistemi paralale dhe insiston se kryetarët e komunave duhet të ushtrojnë funksionin e tyre nga objektet komunale.

    Sipas këtij njohësi të sigurisë, nuk do të ketë tensionim tutje të gjendjes në veri pas protestave e përplasjeve të shumta të protestuesve serbë që po ndodhin edhe sot në veriun e vendit.

    “Funksionet e kryetarëve duhet të kryhen në objektet komunale dhe unë mendoj se ata duhet të vazhdojnë të shkojnë dhe të punojnë në objektet sepse objektet komunale janë për qytetarët që kanë nevojë për shërbime të ndryshme dhe mendoj se absolutisht kryetarët duhet të vendosen aty ku e kanë vendin dhe nuk ka nevojë të ndërtohet një sistem paralel…Nuk mendoj se do të ketë tensionime të tjera. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Policia e Kosovës, pra institucionet e sigurisë së Kosovës të mos lejojnë që të bëhen barrikada, rrugët të jenë të qarkullueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës edhe për komunitetin serb dhe për lëvizjen normal të institucioneve të sigurisë së Kosovës. Dhe kësisoj do të zhvillohet jeta normal dhe gradualisht do të vije deri tek shtensionimi i situatës në veriun e Kosovës”, u shpreh ai.

    Si zgjidhje më të mirë për të tejkaluar situatën e tensionuar në veri, Islami konsideron se duhet të zbatohet marrëveshja e dakorduar në Ohër dhe t’i hapet rrugë krijimit të Asociacionit pa kompetenca ekzekutive.

    Sipas tij, Beogradi po i trimëron grupet kriminale për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.

    “Mendoj se zgjidhja e këtij problemi është pikërisht Beogradi i cili po i trimëron grupet kriminale të cilët po e kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve në komunat serbe në veriun e Kosovës. Mendoj se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit do të ishte shtensionim i situatës dhe se serbët duhet të kthehet në institucionet në të gjitha instancat në mënyrë që të vazhdoj të themelohet Asociacionit i komunave me shumicë serbe pa kompetenca ekzekutive sepse kyç dhe element kryesor i tensionimit të situatës është formimi i asociacionit”, u shpreh Islami.

    Islami konsideron se institucionit e Republikës së Kosovës janë duke zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

    “Pas këtij vikendi pamë që janë të organizuar dhe të orkestruar grupe të ndryshme kriminale të udhëhequra nga Lista Serbe dhe të dirigjuar nga Beogradi të cilët nuk dëshirojnë që kryetarët e komunave të vendosen në objektet e tyre. Duke pas parasysh këtë institucionet e Republikës së Kosovës janë duke e zbatuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë ku votat e të cilat kanë marr kryetarët janë legjitime dhe institucionet e Kosovës po e zbatojmë ligjit pavarësisht protesta janë zhvilluar gjatë vendosjen së kryetarëve por edhe sot pamë që kishte kundërshti dhe protesta”, theksoi ai.

    Protestat pranë komunave veriore me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë duke vazhduar. E gjatë ditës së sotme janë shtuar edhe forcat e KFOR-it në pjesën veriore të vendit. Gjatë ditës së sotme, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovnier ështhë takuar me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe me atë të Zveçanit, Ilir Peci. Ndërsa, pas këtij takimi ambasadori amerikan zhvilloi takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. /kp