ATV

Category: Lajme

  • Osmani: Bandat kriminale sulmuan gazetarët, policinë dhe KFOR-in, dhuna të dënohet nga të gjithë

    Osmani: Bandat kriminale sulmuan gazetarët, policinë dhe KFOR-in, dhuna të dënohet nga të gjithë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tensioneve të sotme në veri të Kosovë, ku pati përplasje të serbëve me personelin e KFOR-it, Policinë e Kosovës si dhe ndodhën sulme ndaj gazetarëve që po raportojnë nga vendi i ngjarjes.

    Shefja e shtetit shkroi në Twitter se strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.

    Ajo tha se këto akte të dhunës duhet të dënohen nga të gjithë, transmeton Paparaci.

    “Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Osmani.

  • Bislimi: Kryetarët mund të punojnë vetëm nga ndërtesat e komunës

    Bislimi: Kryetarët mund të punojnë vetëm nga ndërtesat e komunës

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

    Këto komente Bislimi i ka bërë gjatë një takimi me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

    “Si kryetarë të komunave, ata mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre vetëm nga ndёrtesat e komunёs, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim”, ka thënë Bislimi.

    Bislimi këtë deklaratë e bëri pavarësisht se përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në Kosovë – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës – kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

    Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili mori pjesë në takim, tha se “ka një marrëveshje se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”.

    “Ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur [të komunave në veri] të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet”, tha Hovenier.

    Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin.

    Që nga mëngjesi i 29 majit, grupe të serbëve kanë protestuar në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit serbë, të tubuar para ndërtesës së komunës së Zveçanit. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk ishin të pranishëm në momentin e ndërhyrjes në Zveçan

    Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

    Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

    Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

    Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. /REL

  • Abbott: Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme

    Abbott: Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka dënuar sulmet ndaj gazetarëve dhe personelit të KFOR-it në veri.

    Në një status në Facebook, Abbott ka thënë se mesazhi i Quintit është i qartë, që duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme për de-përshkallëzim për të ulur tensionet.

    “Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme. Siç e ka bërë jashtëzakonisht të qartë Quint – duhet të ndërmerren veprime menjëherë për të de-përshkallëzuar dhe ulur tensionet”, ka shkruar ai.

  • Vendet e QUINT-it dënojnë sulmet ndaj gazetarëve dhe protestat e dhunshme në veri

    Vendet e QUINT-it dënojnë sulmet ndaj gazetarëve dhe protestat e dhunshme në veri

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendet e QUINT-it i dënojnë rëndë protestat e dhunshmë në veri ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre të KFOR-it si dhe ndaj gazetarëve, raporton EO.

    “Jemi të shqetësuar për dhunën që është raportuar sot ndaj zyrtarëve në veri. Kemi parë grafitet në veturat e KFOR-it dhe dëgjuam për sulmet ndaj gazetarëve, të cilat i dënojmë rëndë. E respektojmë të drejtën e çdo qytetari që të protestojë paqësisht por jo duke përdorur dhunë e duke kërcënuar”, ka thënë ai, pas takimit të Kurtit me ambasadorët e këtyre vendeve.

  • Kryetari i AGK-së: Me rreth 30 gazetarë kemi mbetur në një kafene, serbët e maskuar po hedhin bomba me benzinë drejt forcave të NATO-s

    Kryetari i AGK-së: Me rreth 30 gazetarë kemi mbetur në një kafene, serbët e maskuar po hedhin bomba me benzinë drejt forcave të NATO-s

    Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka publikuar një fotografi nga një lokal në veri të Kosovës, ku thotë se janë strehuar ai dhe rreth 30 gazetarë të tjerë shqiptarë dhe serbë.

    Përmes një postimi në Twitter, Rexha ka shkruar se serbët e maskuar po hedhin bomba me benzinë drejt ushtarëve të NATO-s.

    “Me rreth 30 gazetarë, shqiptarë dhe serbë kemi mbetur në një kafe afër ndërtesës së komunës. Serbët e maskuar po hedhin bomba me benzinë drejt forcave të NATO-s gjatë gjithë kohës”, ka shkruar ai.

  • Hovenier e këshillon Kurtin: Kryetarët e komunave veriore nuk kanë nevojë të punojnë nga zyrat e tyre çdo ditë

    Hovenier e këshillon Kurtin: Kryetarët e komunave veriore nuk kanë nevojë të punojnë nga zyrat e tyre çdo ditë

    Pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me Ambasadorët e QUINT-it të akredituar në Kosovë, Jeffrey Hovenier është deklaruar rreth takimit, raporton EO.

    Ambasadori amerikan ka treguar për këshillat që ia kanë dhënë Kurtit, se duhet të depërshkallëzohet situata në veri, teksa tha se edhe kryeministri është pajtuar me ta.

    Ai ka treguar se takimi është thirrur nga vetë Kurti, ndërsa ka kërkuar që kryetarët e komunave veriore të mos punojnë nga zyrat e tyre për një kohë të shkurtër, në mënyrë që të arrihet depërshkallëzimi.

    “Siç na kërkoi kryeministri Kurti, u takuam me të për të diskutuar për situatën në veri dhe për angazhimin tonë për implementimin e plotë të marrëveshjes së normalizimit. Diskutuam për rëndësinë e depërshkallëzimit të situatës dhe hapat për uljen e tensionit në veri”.

    “I kërkuam kryeministrit që të ndërmarrë hapa për arritjen e depërshkallëzimit. Ka marrëveshje se depërshkallëzimi duhet të ndodhë, por jo për mënyrën se si duhet të ndodhë”.

    “Ajo se çfarë ShBA-ja por edhe vendet e QUINT-it, po kërkojnë është që kryetarët e katër komunave veriore nuk kanë nevojë të punojnë nga zyrat e tyre çdo ditë. E rekomandojmë këtë në një kohë afatshkurte”.

    Tutje, Hovenier ka thënë se ShBA i dënon rëndë protestat e dhunshme në veri.

    “Jemi të shqetësuar për dhunën që është raportuar sot ndaj zyrtarëve në veri. Kemi parë grafitet në veturat e KFOR-it dhe dëgjuam për sulmet ndaj gazetarëve, të cilat i dënojmë rëndë. E respektojmë të drejtën e çdo qytetari që të protestojë paqësisht por jo duke përdorur dhunë e duke kërcënuar”.

  • Vetura e djegur është e Policisë së Kosovës, dëgjohen të shtëna armësh në Zveçan

    Vetura e djegur është e Policisë së Kosovës, dëgjohen të shtëna armësh në Zveçan

    Ashtu siç ishin paralajmëruar, protestuesit janë shpërndarë nga ushtarët e KFOR-it, disa prej të cilëve edhe janë lënduar nga sulmi që kanë bërë protestuesit serbë.

    E derisa janë raportuar të shtëna me armë, bëhet e ditur se vetura e djegur është e Policisë së Kosovës.

  • Zemaj dënon sulmet ndaj gazetarëve: Heshtja për këto raste është rrezik për demokracinë

    Zemaj dënon sulmet ndaj gazetarëve: Heshtja për këto raste është rrezik për demokracinë

    Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj ka reagur pas sulmeve të sotme ndaj gazetarëve në veriun e Kosovës.

    Zemaj ka thënë se këto sulme janë të patolerueshme dhe heshtja për rastet e tilla është rrezik për demokracinë.

    “Sulmet ndaj mediave në veri janë të patolerueshme. Është përgjegjësi e institucioneve të sigurisë t’i mbrojnë ato. Raportimi i drejtë për situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës nuk duhet të cenohet nga askush.Heshtja për këto raste është rrezik për demokracinë”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

  • E konfirmon Specialja: Hashim Thaçi ndodhet në Kosovë

    E konfirmon Specialja: Hashim Thaçi ndodhet në Kosovë

    Me lejen e Gjykatës Speciale, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në Kosovë për të vizituar familjen e tij.

    Këtë për KosovaPress e kanë konfirmuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Vizita e tij po monitorohet nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.

    “Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin, për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e DhSK, Angela Griep, në një përgjigje për KosovaPress.

  • ​Situata në veri, kërkohet koordinim me aleatët ndërkombëtar

    ​Situata në veri, kërkohet koordinim me aleatët ndërkombëtar

    Koordinim me aleatët ndërkombëtar për shtensionimin e situatës në veri po kërkojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë. Sipas tyre, megjithëse është e drejtë e kryetarëve të zgjedhur të ushtrojnë detyrat e tyre në objektet komunale, duhet të arrihet një zgjidhje për të mos përshkallëzuar situatën tutje.

    Ndërkaq, kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjnë trysni Serbisë që të ndikojë tek strukturat paralele në veri të mos bëjnë rezistencë ndaj institucioneve lokale atje.

    Analisti politik, Shqiprim Pula, thotë për KosovaPress, se institucionet shtetërore po e bëjnë punën e tyre në veri, por duhet kujdes që situata mos të dalë nga kontrolli.

    “Situata ditëve të fundit është rrjedhojë e pakënaqësive të qytetarëve pakicë serb të cilët me vullnet janë tërhequr nga procesi politik dhe zgjedhor. Tani si duket pakënaqësitë e tyre janë reflektime edhe në dalje në rrugë, por ajo çka është shumë e rëndësishme është se institucionet shtetërore po e bëjnë punën e tyre, por natyrisht se ndërkombëtarët nga frika e përshkallëzime kemi pa që edhe forcat e KFOR-it janë sot atje. Natyrisht, me qetësi dhe maturi duhet të menaxhohet ajo situatë, e cila është një situatë e afektit politik që mund të nxisë reagime nga më të ndryshmet, kryesisht nga struktura para shtetërore serbe, duke qenë të mbështetur nga formacioni politik, Lista Serbe”, thotë ai.

    Por, më kritik ndaj Qeverisë së Kosovës është profesori Blerim Canaj, i cili thotë se insistimi që kryetarët e zgjedhur në veri të hynë me forcë në objektet komunale është një veprim i pamenduar mirë.

    “Një koordinim i plot me partnerët tanë strategjik do të mund të sillte disa hapa më pozitiv për Kosovën dhe jo të veprojmë pa menduar sikur në rastin e fundit, ku kryetarët e komunave të zgjedhur me 113 vota nuk e takojnë përfaqësuesin diplomatik të shtetit tonë mik, i cili tek e fundit është garantues i shtetësisë dhe sigurisë sonë. Mendoj se fundi duhet të jetë i tillë që në koordinim me kokat më të mençura të shtetit tonë, por edhe me partnerët tanë strategjik të kërkohet zgjidhja”, deklaron Canaj.

    Në anën tjetër, analisti Pula e sheh edhe të befasishëm reagimin ndërkombëtar ndaj institucioneve të Kosovës për situatën në veri.

    Ai thotë se aleatët ndërkombëtar duhet t’i mbështesin katër kryetarët e komunave veriore që t’i ushtrojnë detyrat e tyre.

    “Gjatë vitit të kaluar pas ishte vet Lista Serbe që vendosi vullnetarisht të tërhiqet nga institucionet dhe ishte po ky faktor ndërkombëtar që i kërkoi qeverisë që zgjedhjet mos të mbaheshin në dhjetor, por që të shtyheshin. Një gjë e tillë ndodhi dhe zgjedhjet u mbajtën në prill dhe rezultati ka prodhuar këtë gjendje që e kemi, prandaj tani faktori ndërkombëtar duke pranuar rezultatin do të duhej t’i mbështesin këta kryetarë që funksionet e tyre politike t’i jetësonin deri në kohën e zgjedhjeve të rregullta të radhës kur do të jenë. Prandaj është paksa befasi për institucionet dhe qytetarët se pse nuk ka një mbështetje dhe një trysni mbi Serbin zyrtare dhe Listën Serbe në Kosovë që mos të paraqesin rezidence kundrejt institucionet lokale atje, në mënyrë që mbarëvajtja e konsolidimin të institucioneve lokale atje të shkojë në mënyrë të qetë dhe të rregullt”, thekson ai.

    Disa serbë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale.

    Policia e Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të Policisë.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Ky veprim u dënua nga vendet e QUNIT-it dhe veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Pesë policisë mbetën të lënduar ndërsa katër vetura u dëmtuan, si pasojë veprimeve të protestuesve./KP