ATV

Category: Lajme

  • Haxhiu: Po i identifikojmë kriminelët për t’i sjell para drejtësisë

    Haxhiu: Po i identifikojmë kriminelët për t’i sjell para drejtësisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar mbrëmë se bandat e organizuara kriminale serbe të cilat udhëhiqen nga presidenti serb, Aleksandar Vuqiq nuk do të tolerohen.

    Ajo u shpreh se sulmet ndaj policisë, gazetarëve që kryenin punën e tyre dhe KFOR-it, janë të papranueshme dhe të dënueshme.

    “Republika e Kosovës nuk do të lejojë veprime që cenojnë sovranitetin dhe integritetin terrirorial dhe as përmbushje të apetiteve të Vuqiqit. Të gjithë, pa dallim duhet të dënojnë këto akte kriminale”, shkroi ajo në Facebook.

    Mes tjerash, Haxhiu tha se institucionet e Kosovës po identifikojnë kriminelët që ishin në prezentë në protestën e djeshme në veri, të dalin para drejtësisë

    “Ata që pamë nuk janë qytetarë serb që janë të pakënaqur me kryetarët legjitim por janë kriminelë që udhëhiqen nga Vuqiq me qëllim të destabilizimit. Institucionet e drejtësisë së bashku me policinë po identifikojnë kriminelët që t’i sjellin para drejtësisë”, tha ajo.

  • Analisti amerikan flet për tensionet në veri: Kurti fajtor, por jo sa Vuçiq

    Analisti amerikan flet për tensionet në veri: Kurti fajtor, por jo sa Vuçiq

    Analisti amerikan, Edward Joseph ka komentuar tensionet në veri të Kosovës, teksa ka folur edhe për kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas tij, Kurti ka përgjegjësi për situatën, por jo aq sa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

    “Albin Kurti bëri një gabim, mund të them që të dyja palët kanë përgjegjësi, por përgjegjësia nuk është e barabartë. Përgjegjësia e Beogradit është më e madhe, por edhe Albin Kurti ka përgjegjësinë e tij”, tha ai për Euronews Albania.

    “Albin Kurti e nxiti situatën, prandaj dhe Shtetet e Bashkuara, miku i madh i Kosovës dhe shqiptarëve, i bëri apel Kurtit që të mos e bënte këtë, që të zgjidhte një masë të moderuar. Edhe vendet e QUINT-it i kërkuan të njëjtën gjë Albin Kurtit sepse është KFOR-i që ka përgjegjësinë përfundimtare për sigurinë, nuk është qeveria e Kosovës, por KFOR-i, misioni i NATO-s”.

  • Begaj: Dënoj ashpër keqpërdorimin e serbëve të Kosovës dhe dhunën ndaj KFOR-it

    Begaj: Dënoj ashpër keqpërdorimin e serbëve të Kosovës dhe dhunën ndaj KFOR-it

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se e dënon ashpër keqpërdorimin e popullsisë serbe të veriut të Kosovës dhe dhunën e papranueshme ndaj trupave të KFOR-it.

    Në një reagim të bërë publik në Facebook, Begaj u shpreh se “asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve të hapura dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovë dhe Serbisë”.

    Begaj po ashtu tha se askush nuk mund ta vë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Kosovë, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike.

    “Por gjithashtu, i përsëris publikisht thirrjen time vëllazërore autoriteteve kosovare për më shumë durim e maturim dhe sidomos koordinim të ngushtë me partnerët tanë”.

  • Berisha: Serbomadhi Vuçiq në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës

    Berisha: Serbomadhi Vuçiq në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bashkëpunim me Kremlinin, po kërkon destabilizimin e Kosovës.

    Reagimi i tij vjen pas tensioneve në veri të Kosovës, ku të hënën protestuesit serbë sulmuan KFOR-in, Policinë dhe gazetarët.

    “Serbomadhi Vuçiç në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës. Të dashur miq, Presidenti i serbomadhisë ka angazhuar fallangat e tij kriminale të dërguara nga Beogradi dhe bandat serbe lokale, në veprime të dhunshme kundër ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe policisë së Kosovës që po mbajnë rendin dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”, shkroi ai në Facebook.

    Ai shtoi se “gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë në këto komuna, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar nga kriminelë me maska, me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë të tjera djegëse, shishe molotov, janë dëgjuar dhe të shtëna me armë”.

    “Gazetarët e Radios “Evropa e Lirë” kanë njoftuar se janë parë disa ushtarë të plagosur të KFOR-it dhe një veturë e këtyre njësive duke u djegur nga mjetet shpërthyese që janë hedhur. Burime nga KFOR flasin per dhjetra ushtar te plagosur. Ndërkaq, gazetarët në Zveçan raportojnë se një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it”, ka thënë Berisha, teksa ka dënuar incidentet në veri të Kosovës.

    “Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë skenar të bashkrenduar të Beogradit me Kremlinin, sulmet kriminale të fallangave të gangsterëve serb kundër KFOR-it, ushtarëve të tij, gazetarëve dhe policisë së Kosovës”.

  • Shefi i EULEX’it e dënon dhunën ndaj ushtarëve të KFOR’it

    Shefi i EULEX’it e dënon dhunën ndaj ushtarëve të KFOR’it

    Shefi i EULEX’it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka dënuar sulmet e djeshme ndaj forcave të KFOR’it në Kosovë.

    Protesutesit serbë janë përleshur në Zveçan me forcat e KFOR’it.

    ”Dënoj sulmin e sotëm të pakuptimtë dhe të paprovokuar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe u uroj ushtarëve të plagosur shërim të shpejtë.

    ”NATO_KFOR është partneri kryesor i sigurisë së #EULEX-it së bashku me Policinë e Kosovës. Ne koordinohemi dhe stërvitemi së bashku. Sot sundimi i ligjit u shkel në Kosovë”, ka shkruar ai.

    Për tensionet e së hënës në Veri kanë reaguar edhe vendet e QUIN’it, duke e dënuar sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR’it.

  • Sejdiu për situatën në veri: Grupe të përgatitura nga Beogradi po duan të nxisin gjakderdhje

    Sejdiu për situatën në veri: Grupe të përgatitura nga Beogradi po duan të nxisin gjakderdhje

    Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se shihet qartë që protestat në veri janë të dhunshme dhe të udhëhequra nga bandat e njohura serbe tash e përtej dy dekadash.

    “Ditët e sprovave të mëdha. Tash e sa ditë në komunat e veriut të Kosovës, ku ka një shumicë të komunitetit serb, grupe të organizuara po kundërshtojnë me dhunë e përgjakje stabilizimin e jetës së qytetarëve dhe të vet institucioneve të shtetit të pavarur – Republikës së Kosovës, duke dashur të vazhdojnë me anarki”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

    “Të nxitura e të përgatitura në vazhdimësi nga Beogradi ato me dhunë e sulme ndaj policisë së Kosovës dhe forcave të KFOR-it, ato duan të nxisin gjakderdhje sikur që vepruan sot ndaj policëve dhe ushtarëve. Nuk e kanë hallin e paqes e të demokracisë, por përkundrazi duan destabilitetin e Kosovës dhe përtej saj”.

    Tutje, ai ka shtuar se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të thellojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, “prirë nga SHBA-të për të kapërcyer këtë gjendje që provokon paqen dhe stabilitetin”.

  • Rashiq: Askush nuk mund të dalë fitues nga situata në veri

    Rashiq: Askush nuk mund të dalë fitues nga situata në veri

    Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, i cili theksoi se kjo situatë ka ardhur deri te disa veprime të ngutshme.

    Rashiq konsideron se situata në veri është delikate, dhe sipas tij kjo gjendje nuk është dashur të ndodh.

    Ai gjatë një konference për medie u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave të zgjedhur në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan të kenë tolerancë dhe përmbajtje.

    “Sa i përket ndodhive të ditëve të fundit, unë mendoj se ka ardhur tek disa veprime të ngutshme, e kemi një krizë të minimalizuar në pjesën veriore, në kuptimin në mënyrë regjionale. Gjërat që janë kaq shumë delikate duhet t’u kushtojmë një vëmendje të posaçme, mendoj për kolegët tanë për kryetarët e sapo zgjedhur të komunave. Kryeministri ka thënë, unë pres nga ata që të jenë në shërbim të qytetarëve, do të thotë se 95 për qind e qytetareve kanë menduar se kjo nuk ka qenë ide e mirë. Në mënyrë afatgjatë mendoj se kryeministri Kurti ia mendon të mirën të gjithë qytetarëve atje, edhe serbëve atje. Mirëpo në këtë rast mendoj se metodologjia nuk ka qenë aq adekuate nëse kjo qon peshë unë i thërras ata që të kenë tolerancë dhe përmbajtje. Ka ndodhur ajo që ka ndodhur dhe në mënyrë figurative e them se duhet t’i ngrijmë pozicionet”, u shpreh Rashiq.

    Ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Rashiq konsideron se duhet të gjendet një mënyrë për tejkalim të kësaj situate e cila sipas tij nuk ishte dashur të ndodh.

    “Të mendohet “out side of the box”, pra perëndimorët thonë të mendojnë në mënyrë jashtë kornizës, dhe ta gjejmë një zgjidhje ku asnjë nuk do të humbë, pasi askush nuk do të dal fitues. Në çdo rast jam në dispozicion për qytetarët, qeverinë sikur edhe më parë, që brenda kapacitetit tim dhe ministrisë, ta gjejmë një mënyrë që ta kalojmë këtë problem, që sipas meje nuk është dashur të ndodhë”, tha Rashiq.

    Ministri Rashiq këto komente për situatën e tensionuar në veri i bëri në një konferencë për medie , ku shpalli thirrjen publike për propozime për financim për projekte dhe aktivitete në bazë të kodit të subvencionuar për “Masën e Ringjalljes Ekonomike 1.9” të miratuar nga Qeveria e Kosovës me vlerë totale prej 3.000,000 euro.

  • Situata në Veri/ Hill kërkon nga Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut

    Situata në Veri/ Hill kërkon nga Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut

    Christopher Hill, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i kthehen tryezës ë bisedimeve.

    Kështu, Hill kërkoi që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet të cilat çojnë në dhunë.

    Në një deklaratë me shkrim për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug, Hill ka  shtuar se për këtë duhet urgjentisht të fokusohen liderët e të dyja palëve.

    Siç ka treguar Hill ka pasur kontakte me presidentin serb, Aleksnadër Vuçiq, ku temë diskutimi ka qenë situata e tensionuar në Veriun e Kosovës.

  • Deputetja britanike, Kearns: Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi

    Deputetja britanike, Kearns: Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi

    Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

    Në  llogarinë e saj në Twitter, Kearns ka thënë Serbia i paguan grupet kriminale të serbëve në veri.

    Ajo po ashtu përmendi shkrimin e New York Times që përmend Vuçiqin si simbol i krimit dhe korrupsionit në Serbi.

    “Inkurajoni këdo që ndjek ngjarjet në Kosovë të lexojë këtë artikull të NYT për Vuçiqin, dhe lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe përdorimin e bandave për t’i realizuar dhe siguruar interesat e tij. Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi”, ka shkruar Kearns.

    Ndryshe, Kearns edhe ditë më parë reagoi ndaj situatës në veri.

    Kearns ka kritikuar ndërkombëtarët në lidhje me deklaratat e tyre kundër veprimeve të qeverisë së Kosovës.

    “Aktorët ndërkombëtarë duhet të ndalojnë së sulmuari zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike që të vendosen në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

    “Për më tepër kur ata qëndrojnë të heshtur përballë militantëve e mbështetur dhe të armatosur serb, të cilët vazhdojnë të minojnë stabilitetin në veri të Kosovës”, ka shkruar tutje Kearns.

    Kearns ka qenë zë i fuqishëm edhe për çështjen e Asociacionit, duke thënë se Britania e Madhe nuk do të mbështesë formimin e Republika Srpska në Kosovë.

    “Paqartësia e gjuhës në planin [francezo-gjerman] është problematike. Flitet për vetëqeverisje. Çfarë do të thotë? A do të thotë kjo degë e ujit, rrymës dhe gazit, apo vetëqeverisje do të thotë struktura të veçanta qeverisëse? Ne nuk duhet të lejojmë ‘Republikën Srpska’ në Kosovë”, tha Kearns për Al Jazeera, në gjuhën serbe.

    “Ne jemi të vetëdijshëm se kjo dërgon në konsolidimin e etno-nacionalizmit dhe nuk çon në unitet”, shtoi ajo.

     

  • Reagimi i Edi Ramës: Ndikimi i ushtrisë serbe në kufi është zero, Kosova heziton ta finalizojë dialogun

    Reagimi i Edi Ramës: Ndikimi i ushtrisë serbe në kufi është zero, Kosova heziton ta finalizojë dialogun

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për zhvillimet në Veriun e Kosovës.

    Për lëndimin e pjesëtarëve të KFOR’it, Rama ka thënë se përgjegjësi direkte mbajnë dhunuesit e tyre të verbër.

    Më tutje, Rama ka thënë se ky është një konflikt i nevojshëm, duke shtuar cilësuar si të panevojshëm përmes secilës lëndohet Kosova.

    ”Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e  aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova ka shkruar Rama në Twitter, të hënën.

    “Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm”.

    Ai i ka bërë thirrje Kosovës t’i dëgjojë me vëmendje aleatët, e të mos futet sië thotë ai “në shtegun e rrezikshëm”.

    “Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare”, ka mbaruar Rama.

    Në Zveçan gjatë ditës ka pasur përplasje në mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR’it.