ATV

Category: Lajme

  • Asnjë polic s’ka refuzuar të shkojë në veri

    Asnjë polic s’ka refuzuar të shkojë në veri

    Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri, tha se pjesa e veriut është një plagë e hapur që nga pas lufta dhe gjithmonë Policia atje ka qenë e rrezikuara.

    Por përkundër kësaj ai theksoi se pavarësisht rrezikut në atë pjesë të vendit asnjë zyrtarë policorë nuk ka hezituar që të shkojë, kjo sipas tij, tregon vullneti që kanë ata për ta mbrojtur vendin.

    “Rrezikshmëri është permanente sepse ata intervenojnë në çdo rast, normale që edhe në situata të tilla. Në pjesën e veriut është një plagë e hapur që nga pas lufta dhe çdo herë veprimet atje edhe prezenca e policisë kanë qenë më të rrezikuar për shkak se në atë pjesë siç e dimë kemi veprime të njerëzve ilegal, të bandave të ndryshme kriminale, e që nga këto normal që rreziku është më i madh. Edhe tani kur po veprojmë, ne i kemi parë që aty janë sulmuar Policia, janë djegë vetura janë dëmtuar vetura të policisë. Madje edhe vetë lëndimi i pjesëtarë të KFOR-it, që ishte 30 tregon se sa ekstreme dhe sa janë të rrezikuar Policia në pjesën veriore të vendit”, tha ai.

    “Sa i përket punës dhe gatishmërisë dhe vullnetit të secilit pjesëtarë të policisë, pavarësisht kushteve të tjera dhe mirëqenies, ata janë duke e kryer punë me një vetë motivim jashtëzakonisht të lartë. Nuk kemi pasur asnjë rast që të hezitoj të shkojë në atë pjesë, do të thotë vullneti për ta mbrojtur vendin nga Policia po them në secilin veç e veç është jashtëzakonisht në nivel të lartë. Prandaj edhe kjo është ajo arsyeja që edhe qeveri duhet t’i ketë parasysh sfidat e Policisë të Kosovës e që të bëjë përmirësim e mirëqenies së tyre”, tha ai.

    Sipas tij, zyrtarët policor janë duke u përballuar me rrezikshmëri të lartë në pjesën veriore të vendit dhe mosekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë është i padrejtë dhe se ka rritur pakënaqësitë, duke quar në 40 dorëheqje vullnetare, kjo edhe për shkaqe të tjera.

    “Edhe kufizimi i shtesave të tjera, mandej zvogëlimi i përvojës së punës nga 0.5 në 0.25, për 15 vitet e para të përvojës së punës, të gjitha këto kanë ndikuara. Përkundër që kemi pasur rritje në pagën bazë te policia e Kosovës nuk kemi rritje në pagë, nuk kemi rritje në neto, atë çka e merr polici. do të thotë nuk është rritje dhe kjo është ajo që është rrit pakënaqësia te të gjithë të punësuarit në policinë e Kosovës. Si pasoj e kësaj kemi edhe dorëheqje vullnetare e që kjo po vazhdon nuk është vetëm ky vit që kemi dorëheqje vullnetare, kemi pasur çdo vit. Sa për informim diku prej formimit të policisë e deri me tani kemi mbi 2 200 dorëheqje vullnetare, ndërsa këtë vit deri më tani kemi 40 dorëheqje vullnetare, që është një sinjal shumë i keq. Nëse vërtet vazhdohet kështu do të mbesim pa profesionistë. Sipas kërkesave të pjesëtarëve të Policisë dhe pakënaqësive të tyre do të fillojmë edhe me hapa sindikal”.

    Ai sqaron se janë bërë katër muaj për zyrtarët policorë nuk është ekzekutuar shtesa e rrezikshmërisë. Zeqiri tha se arsyetimi nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave, ka qenë se ende nuk i kanë bërë përllogaritjet e shtesave, që ai pohon se është arsyetim i papranueshëm.

    “Është muaji i katërt që nga implementimi i ligjit të ri të pagave që shtesat për rrezikshmëri nuk është ekzekutua tekë zyrtarët policorë dhe një shtesë tjetër të pjesa e stafit civil. Pakënaqësitë janë shprehur që në fillim që në muajin shkurt kur është bërë pagesa me ligjin e ri të pagave dhe nuk është bërë ekzekutimi i shtesave për rrezikshmëri. Kështu në përgjithësi ka qenë një pakënaqësi jashtëzakonisht e madhe dhe tani më kaluan katër muaj dhe kjo shtesë ende nuk është duke u ekzekutuar përkundër kërkesave”, tha ai.

    “Arsyetimi i vetëm që është dhënë edhe përmes medieve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave është se ende nuk kanë mundur ta gjejnë atë mënyrën e vendosjes apo siç kanë thënë ata nuk kanë mundur që t’i bëjnë përllogaritjen e këtyre shtesave për mi vendos. Për ne si sindikatë është jashtëzakonisht e pa arsyeshme dhe jashtëzakonisht e pa pranueshme. Kjo është definitivisht dhe logjikisht nuk mund të merret me mend se si është e mundshme kjo. Neve kemi pritur deri më tani nuk kemi ndonjë përgjigje konkret e vetmja është që tani më këta kanë filluar, dikush nga Ministria e Financave, të bëjë krahasimin me shtet e rajonit se si e kanë. Të gjitha e kanë më mirë edhe siç e kemi pas. Nuk kemi kërkuar më shumë se sa ka qenë shtesa e rrezikshmërisë”, tha ai.

  • Boris Johnson dorëzon mandatin e deputetit

    Boris Johnson dorëzon mandatin e deputetit

    Boris Johnson, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, ka dhënë dorëheqje si anëtar i Parlamentit.

    Ish-udhëheqësi i partisë Konservatore tha se ishte “i befasuar” pasi mori një letër nga një komitet i Dhomës së Komunave, i cili po e heton nëse gënjeu ligjvënësit britanikë për ndejat që thyenin ndalimin gjatë pandemisë, të njohur si “Partygate”.

    Johnson, një nga arkitektët kryesorë të BREXIT, tha se letra ia bëri të qartë, “për habinë time, se ata janë të vendosur të përdorin procedurat kundër meje për të më dëbuar nga Parlamenti”, raporton cnn.

    Ish-udhëheqësi tha se raporti “Partygate”, i cili ende nuk është publikuar, “është i mbushur me pasaktësi dhe erë paragjykimi, por nën procesin e tyre absurd dhe të padrejtë, unë nuk kam asnjë aftësi formale për të sfiduar çdo gjë që ata thonë”.

    “Sot i kam shkruar shoqatës sime në Uxbridge dhe South Ruislip duke konfirmuar se po tërhiqem menjëherë dhe do të nxis zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

    Vitin e kaluar, Policia Metropolitane i dha Johnson dhe ministrit të atëhershëm të financave, Rishi Sunak – i cili aktualisht është kryeministër – një gjobë për pjesëmarrjen në një ndejë në Downing Street gjatë bllokimit shkaku i COVID-19, duke e bërë Johnson kryeministrin e parë në detyrë të Mbretërisë së Bashkuar që ka shkelur ligjin.

  • 145 vjet nga formimi i Lidhjes së Prizrenit

    145 vjet nga formimi i Lidhjes së Prizrenit

    Sot, mbushen 145 vjet që kur më 10 qershor të vitit 1878 ka filluar organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15.

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar.

    Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi është goditur dhe tronditur nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët, të cilët kanë vepruar dhe punuar në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kanë nuhatur rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, ata me shpejtësi kanë themeluar “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

    Komitetin e Stambollit e kanë përbërë një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizës lindore: Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve i është bashkuar ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka pasur karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk është zgjedhur rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin është mbajtur Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878.

    Delegatët që kanë marrë pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kanë pasur për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

    Mendim të njëjtë kanë shprehur delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kanë kërkuar me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.

    Në ditën e parë të punimeve në Kuvend kanë folur delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që janë mbajtur në atë ditë është ruajtur vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës.

    Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ka ftuar të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera ka thënë: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

    Delegatëve të grupimit atdhetar, i është dashur të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë, ashtu autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ka qenë i pranishëm në atë tubim. Ata janë përpjekur të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare.

    Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e ka përmbushur misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ka qenë vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje, me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.

    Po atë ditë Kuvendi Kombëtar ka miratuar tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës është ngritur zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes është shpallur edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës është dashur të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që janë përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.

    Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ka qenë një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij i është dhënë goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe janë hedhur themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, ka pasur një karakter atdhetar.

    Menjëherë pas themelimit të Lidhjes janë formuar organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes ka qëndruar Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore, ndërsa kryetar është zgjedhur Iljaz pashë Dibra.

  • Partitë e “vogla” kritikojnë ligjin për zgjedhje, s’u largua pragu prej 5 %

    Partitë e “vogla” kritikojnë ligjin për zgjedhje, s’u largua pragu prej 5 %

    Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme u votua në dy lexime, në seancën e kaluar të Kuvendit, bashkë me përkrahjen edhe të partive opozitare.

    Por, partitë politike që në zgjedhjet e fundit mbetën jashtë Kuvendit, pasi nuk e arritën pragun prej 5%, pikë kjo që nuk u ndryshua në ligjin e ri, po e kritikojnë atë.

    Sipas Gëzim Kelmendit, nga partia Fjala, do të duhej të kishte më shumë pluralizëm.

    “Është ndikim i partive të pushtetit dhe i diskriminojnë partitë e vogla. Nuk përfaqësohet interesi i qytetarëve, por interesi i partive të mëdha dhe brenda tyre ka autrokraci ku udhëheqësi synon t’i arrijë vetëm mendimet e veta dhe nuk lejon që dikush tjetër të ketë mendim ndryshe brenda partisë politike”, tha Kelmendi.

    Jo vetëm për këtë, por për të gjitha nenet, Partia Social Demokrate vlerëson se fillimisht do të duhej që të kishte debat publik për projektligjin.

    “E kontrabandoi këtë ligj në bashkëpunim e duke ia bë argatin opozita parlamentare. Shoqëria jonë e ka pasur të nevojshëm një debat. A don me u dhanë hapësirë vetëm partive që janë mbi 5% apo edhe iniciativa tjera qytetare, që mbase nuk janë 5%, por mbase e meritojnë që ta kenë së paku 1 apo 2 përfaqësues në kuvend”, tha Frashër Krasniqi nga PSD.

    Kuvendi miratoi Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme me 79 vota për dhe asnjë votë kundër. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ligji i ri përjashton mundësinë që presidenti të zgjidhet nga qytetarët

    Ligji i ri përjashton mundësinë që presidenti të zgjidhet nga qytetarët

    Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përjashtuar mundësin që presidenti i vendit të zgjidhet me votim nga qytetarët.

    Sipas Institutit Demokratik të Kosovës nuk përfaqëson reformë të thellë zgjedhore meqënesë nuk është përfshirë mënyrën e zgjedhjes së presidentit, e as rregullimi i zonave zgjedhore e pragit zgjedhor.

    Votimi i presidentit nga ana e qytetarëve sipas KDI-se do të mund të garantonte një stabilitet institucional.

    Megjithatë ndryshe mendojnë nga Demokraci Plus, duke theksuar se ndryshimet në këtë ligj i shohin kryesisht si vetëm teknike.

    Por hulumtuesi Eugen Cakolli thotë se ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes se presidentit nuk do të nënkuptonte që të ndryshohet modeli i qeverisjes në vend.

    Presidenti në Kosovë zgjidhet përmes votimit të fshehtë me votat e dy 2/3 të të gjithë deputetëve në Kuvend.

    Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë, për një mandat pesë vjeçar. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Agon Maliqi: Konspriacioni “të gjithë kundër Kosovës” do të ketë fundin si ai për Hillary Clintonin

    Agon Maliqi: Konspriacioni “të gjithë kundër Kosovës” do të ketë fundin si ai për Hillary Clintonin

    Analisti politik dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Agon Maliqi ka treguar një histori të para disa viteve në ShBA, ku kishte qarkulluar një konspiracion në internet se Hillary Clinton drejtonte një organizatë që trafikonte fëmijë për pedofili dhe se gjithë kjo koordinohet në bodrumin e një picerie në Washington.

    Maliqi thotë se një ditë një i çmendur që kishte besuar një konspiracion të tillë kishte marrë revolen dhe kishte shkuar tek bodrumi i picerisë dhe nuk kishte gjetur gjë aty.

    Anslisti politik thotë se shumë shpejtë në një pikë të tillë do të përfundojnë edhe shumë njerëz, pasi të përfundojë episodi shumëvjeçar i “konspiracionit të madh të të gjithëve kundër Kosovës.

    “Në SHBA para disa vitesh pat qarkullu gjërësisht në internet një konspiracion se Hillary Clinton është udheheqëse e një organizate që trafikon fëmijë për pedofili, dhe që gjithë kjo punë koordinohet prej bodrumit të një picerie në Uashington. Çohet një ditë njëri prej këtyre budallëve, e merr pistoleten, futet në piceri dhe niset me e thy derën e bodrumit. Kur, çka me pa, bodrum hesapi! Çka po du me thanë është se shumë shpejt kanë me përfundu në këtë pikë shumë njerëz kur të kryhet i gjithë ky episod i manisë shumëvjeçare të “konspiracionit të madh të të gjithëve kundër Kosovës.”, ka shkruar Maliqi.

  • BE e gatshme të organizojë takim ekspertësh për draft-statutin e Asociacionit

    BE e gatshme të organizojë takim ekspertësh për draft-statutin e Asociacionit

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka bërë të ditur se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është i gatshëm të organizojë takimin për draft-statutin e Asociacionit “shumë shpejt dhe se është në kontakt me të dyja palët”.

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të vizitave në Kosovë dhe Serbi, e ka informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për rezultatet. Më pas Borrell ka nisur t’i informojë vendet anëtare të BE-së për hapat e radhës që duhet të ndërmerren.

    Kështu i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

    Stano iu përgjigj pyetjes rreth një drafti me propozimin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë që e ka dërguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Ai tha se “secili kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur”.

    “Përfaqësuesi i lartë është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe me shtetet anëtare të BE-së. Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, diskutimet dhe draftimi i statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të zhvillohet vetëm në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, theksoi Stano.

    Zëdhënësi i BE-së, Stano, konfirmoi se plani ishte që më 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i draftimit të Asociacionit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat qysh më parë. Por, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së, Lajçak, u desh të shkojë në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk u zhvillua.

    “I dërguari i posaçëm i BE-së është i gatshëm të organizojë takimin e draftimit shumë shpejt dhe është në kontakt me të dyja palët”, theksoi Stano.

    Ndërkohë, nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë informuar për vizitën që Mirosllav Lajçak dhe kolegu i tij amerikan, Gabriel Escobar, kanë pasur gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd. Detyra e tyre ishte të përçojnë kërkesat për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

    Sipas këtyre burimeve, nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të bisedohet për masat drejt shtensionimit të situatës, por, siç thuhet, kryeministri Albin Kurti ka hezituar të pranojë kërkesën për heqjen e menjëhershme të policisë speciale nga objektet komunale.

    Po ashtu, sipas të njëjtave burime, “pala kosovare nuk i ka refuzuar kërkesat, por përshtypja është se nuk po nxiton”.

    Nga ana tjetër, sipas raportimit te shtetet anëtare të BE-së nga ana e një pjesëtari të ekipit të Lajçakut, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shprehur gatishmërinë për t’i bindur serbët lokalë në veri të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, por nën disa kushte të caktuara.

    Gjatë raportimit të ekipit të Lajçakut para përfaqësuesve të vendeve anëtare, gjithashtu, janë diskutuar mundësitë e ndërmarrjes së disa masave nëse nuk respektohen kërkesat ndërkombëtare rreth hapave drejt uljes së tensioneve.

    Çështja e pezullimit eventual të vendimit të liberalizimit të vizave, nuk është në mesin e masave që shqyrtohen, kanë konfirmuar disa burime nga shtetet anëtare. Shumë prej tyre vlerësojnë se një vendim i tillë do të ishte goditje, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës e jo për ata të cilët Brukseli i konsideron përgjegjës për mosrespektimin e kërkesave ndërkombëtare.

    Gjithashtu, ngrirja e disa programeve financiare për momentin nuk ka hasur në përkrahje te shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Edhe ashtu, sipas diplomatëve, mosmbajtja e konferencës së donatorëve për shkak të mungesës së përparimit në implementimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj, është një lloj sanksioni.

    Por, për Kosovën është përmendur si masë që pritet të ndodhë shpejt pezullimi i disa takimeve dhe suspendimi i një nënkomiteti të përbashkët të Kosovës dhe BE-së në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ky do të ishte një sinjal, ndërsa masat tjera do të shqyrtoheshin varësisht nga zhvillimet.

  • Osmani priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark

    Osmani priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirë shefin e EULEX-it, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark. Në takimin me Ambasadorin Wigemark, Presidentja Osmani diskutoi edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me EULEX-in për tejkalimin e këtyre sfidave.

    Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e EULEX-it në promovimin e sundimit të ligjit dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për të arritur qëllimet e sigurisë dhe sundimit të ligjit në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

    Gjatë takimit, Presidentja Osmani dekoroi shefin e EULEX-it me medaljen presidenciale për sundimin e ligjit. Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit mes institucioneve të Kosovës dhe organizatave partnere ndërkombëtare që operojnë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

    Presidentja Osmani falënderoi EULEX-in për bashkëpunimin e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit në kuadër të mandatit ekzistues për këshillim, mentorim dhe monitorim.

    Dekorimi me medaljen presidenciale për sundim të ligjit paraqet vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të Republikës së Kosovës ndaj Ambasadorit Wigemark dhe EULEX-it për përkrahjen dhe bashkëpunimin e tyre të palëkundur në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt në Kosovë.

  • Policia arrin të arrestojë dy të dënuarit për vjedhje në Kaçanik, ishin në kërkim nga gjykata

    Policia arrin të arrestojë dy të dënuarit për vjedhje në Kaçanik, ishin në kërkim nga gjykata

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona, njëri 23 vjeçar dhe tjetri 30 vjeçar, të cilët kanë qenë të kërkuar në Kaçanik për vjedhje.

    “Sot, në ora 10:30, në rrugën “Agim Bajrami ” në Kaçanik, policët e stacionit në Kaçanik pas disa informacioneve të pranuara kanë arrestuar personin I.R (M/K) i moshës 23 vjeçar dhe rreth orës 11:30 në rrugën “Faruk Dogani” në Kaçanik kanë arrestuar edhe personin e dytë F.D (M/K) i moshës 30 vjeçar”, thuhet në njoftim të policisë.

    Sipas policisë dy të dyshuarit ishin të kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale” Vjedhje” me dënimi burgimi, me nga tridhjetë e pesë (35) ditë.

    Në njoftim thuhet se pas kompletimit të dokumentacioneve, të dy personat e arrestuar janë dërguar në vuajtje të dënimeve.

  • Snajperistët e FSK-së arrijnë rezultate të larta në garën në Turqi

    Snajperistët e FSK-së arrijnë rezultate të larta në garën në Turqi

    Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili ka marrë pjesë në Garën “Best Sniper Competition 2023” që u mbajt në Egirdir të Turqisë, ka arritur rezultate të larta.

    FSK-ja ka njoftuar të premten se në shkollën Komando të realizuar nga data 29.05 – 09.06.2022, ekipi i snajperistëve është vlerësuar për bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë me pjesëmarrësit në garë.

    “Kjo garë çdo vit mbledhë shume ekipe nga shtete të ndryshme të botës për të garuar me ekipet e tyre speciale të snajperistëve, kjo garë përveç qëllimit garues kishte për qëllim njohjen, marrjen dhe shkëmbimin e njohurive të reja nga snajperistët pjesëmarrës”, thuhet në njoftimin për media.

    Tutje thuhet se gara është zhvilluar në disiplina dhe skenarë të ndryshëm shumë sfidues, bazuar në situata reale.

    “Ekipi i FSK-së tregoi një përkushtim dhe profesionalizëm shumë të lartë duke përfaqësuar në mënyrë dinjitoze FSK-në dhe shtetin e Kosovës”, bëhet e ditur në njoftim.