ATV

Category: Lajme

  • Faqja serbe shpërndanë shtëpinë e familjes Jashari

    Faqja serbe shpërndanë shtëpinë e familjes Jashari

    Faqja “Explore Kosova” ka postuar fotografinë e shkrepur nga fotografi Bujar Gashi të shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz.

    “Duhet vizituar! Shtëpia e familjes Jashari, shtëpia e legjendarit Adem Jashari. Vendi më i vizituar në Kosovë, vendi që mirëpret miliona vizitorë çdo vit, “Meka” e Kosovës. Kosova vendi i bukurisë dhe kulturës”, ka shkruar “Explore Kosova”.

    Këtë postim e ka shpërndarë faqja e opozitës në Serbi, “Pobunite se”.

    “Një milion vizitorë në Kosovë”, ka shkruar duke ja bashkëngjitur edhe fotografinë e shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz. /ATV LIVE/

  • Konjufca: Rama gaboi me draftin, s’u ul të fliste me Kurtin

    Konjufca: Rama gaboi me draftin, s’u ul të fliste me Kurtin

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka cilësuar të gabuar veprimin e kryeministri Edi Rama, i cili i ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

    Siç u shpreh ai, pas manifestimit të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Rama nuk do të duhej që të bënte veprime të tilla pa u ulur dhe sqaruar me kryeministrin Albin Kurti.

    I pyetur nëse kanë kërkuar nga Rama që ta kenë draftin e Asociacionit, Konjufca tha jo, pasi që nuk kanë interes.

    “Jo nuk kemi interes, sepse mendoj që kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash por asnjëri nuk ka pasë efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh mendoj por ky ishte një veprim i anshëm”, tha ai, raporton EO.

    Sa i përket paralajmërimeve të ShBA-së dhe BE-së për paralajmërim të sanksioneve nëse Kosova nuk i plotëson kërkesat për tejkalim të situatës në veri të vendit, ai tha se institucionet e vendit janë duke punuar ngushtë me aleatët që kjo situatë të tejkalohet.

    “Mendoj që institucionet tona dhe ministritë tona janë duke punuar ngushtë me aleatët edhe partnerët që kjo situatë të tejkalohet”, tha ai.

  • Shënohet 145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – Osmani: Lidhja simbolizon bashkimin e shqiptarëve

    Shënohet 145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – Osmani: Lidhja simbolizon bashkimin e shqiptarëve

    Në oborrin e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është mbajtur manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

    Në praninë e shumë mysafirëve, përfshirë presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, krerët institucionalë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti theksuan se shqiptarët duke ruajtur lidhjet, ruajnë idealet dhe traditën e angazhimit të interesave të përbashkëta.

    Presidentja Osmani foli për rëndësinë e kësaj lidhjeje në historinë e popullit shqiptar për liri, duke thënë se vendi simbolizon vendin e përafrimit të bashkimit të shqiptarëve drejt një qëllimi madhor, atë të lirisë kombëtare “ku i bashkoi e artikuloi kërkesat shqiptare, nga rrezikimi i copëtimit të trojeve shqiptare nga fqinjët”.

    “Pikërisht në këtë datë, më 10 qershor të vitit 1878, patriotët shqiptarë  u tubuan nga të katër anët e dëshmuan vetëdije të lartë kombëtar, duke mos pranuar që të mbeteshin nën okupim por as të mbeteshin pre e shteteve fqinje gllabërues”, tha presidentja Osmani, duke shtuar se ata kërkuan jetësimin e shtetit të shqiptarëve si instrument themelor të jetesës kombëtare.

    “Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte thirrje për bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë. Ajo shprehu qartë jo vetëm përcaktimin e shqiptarëve për shtetin e pavarur si instrument I rëndësishëm politik për realizimin e aspiratave të tyre, por edhe orientimin e tyre drejt vlerave të larta qytetëruese perëndimore”, theksoi Osmani, e cila shtoi se kjo lidhje tregoi vetëdije të lartë shtetërore duke u shndërruar në platformë të fuqishme nacionale.

    “Kësisoj ajo shtroi platformën politike për një shtet të shqiptarëve bën kryengritje të përgjithshme dhe motivuan për lidhje dhe lëvizjen e cila do ta përmbyllte procesin e shpalljes së pavarësisë se Shqipërisë”, theksoi presidentja osmani.

    Ajo më tej shtoi se Lidhja ka shërbyer si model i përhershëm nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh dijetarësh, shkrimtarësh e politikanësh e nga I cili kanë buruar projekte të tjera përbashkuese të tipit nacional kulturor, sikurse ai i vitit të ’90-ta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

  • Begaj nga Prizreni: Historia e kombit është e pasur me momente të cilat na mbushin me krenari

    Begaj nga Prizreni: Historia e kombit është e pasur me momente të cilat na mbushin me krenari

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nga Prizreni në shënimin e 145 vjetorit të Themelimit të Lidhjes së Prizrenit ka thënë se historia e kombit të lashtë është e pasur me momente të cilat mbushin me krenari, për atë çka shqiptarët janë dhe vlerat që përfaqësojnë.

    Begaj gjatë fjalës së tij tha po ashtu se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionar u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare, kundër shtypjes dhe sundimit.

    “Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme ku patriotët vizionarë u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarë shqiptare kundër shtypjes dhe sundimit. Sot nga themelimit i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që punuar për kombin tonë shqiptarë, por ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë. Kemi përgjegjësi për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë që këto figura historike na lanë trashëgimi”, tha ai.

    Tutje Begaj u shpreh se: “ishte kjo Lidhje që punoi me të gjitha forcat për ta afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje që projektoi krijimin e një shteti shqiptar të lirë dhe të pavarur”.

  • Peci: 18 milionë litra qumësht falë përkrahjes nga Programi për Zhvillim Rural 2023

    Peci: 18 milionë litra qumësht falë përkrahjes nga Programi për Zhvillim Rural 2023

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka vizituar sot blegtorin Luan Markajn nga fshati Korenicë, i cili falë mbështetjes konkrete institucionale, ka rritur numrin e lopëve qumështore nga 15 në 31 krerë e numrin e viçave për majmëri nga 5 deri në 25 krerë.

    Peci ka paralajmëruar se duke filluar nga viti 2024 do të subvencionohen 18 milionë litra qumësht, falë përkrahjes nga Programi për Zhvillim Rural 2023 e që do të hapet së shpejti.

    “Krahas fermës, Luani punon zellshëm tokën. Ai ka trefishuar sipërfaqet e mbjella me misër nga 8 hektar në 21ha, ndërsa ka dyfishuar sipërfaqen e mbjellë me grurë nga 5ha në 11 hektar. Gjithsej me tokë të punueshme e kullosa, Luani posedon 120ha”, ka shkruar kreu i MBPZHR-së në faqen e tij në Facebook.

    “Kudo, shoh e takoj bujq të zellshëm e mbi të gjitha të kënaqur me punën tonë e kjo më inspiron akoma më shumë që t’i kontribuoj me të gjithë arsenalin si Ministër, drejt zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së sektorit të bujqësisë dhe bujve meritorë”.

    “Gjatë qeverisjes sonë, Ministria është në shërbim të fermerëve! Kemi instaluar meritokraci dhe kemi ri-vendosur besimin e fermerëve në institucione duke larë borxhet e të tjerëve që përmes premtimeve boshe kanë mashtruar me vite”.

    “Kemi rritur konkretisht përkrahjen financiare e për këtë kemi dëshmitarë bujqit në çdo cep të Kosovës si dhe kemi eleminuar burokracitë e panevojshme duke rritur kontrollin në terren”.

    “Qeveritë qyqare të së kaluarës, kanë abuzuar me fermerët duke ua vendosur lakun në fyt e duke ofruar lëmoshë e jo atë se çka kanë merituar. Por kjo i përket së kaluarës ashtu si edhe ata që mundohen të sillen si dikush që nuk janë por i tradhton memoria kolektive”, ka shkruar Peci.

  • Kurti: Besnikërisht rreth Lidhjes së Prizrenit mund të avancojmë në rrugën tonë për forcimin politik Kosovë-Shqipëri

    Kurti: Besnikërisht rreth Lidhjes së Prizrenit mund të avancojmë në rrugën tonë për forcimin politik Kosovë-Shqipëri

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se shqiptarët janë kthyer e rikthyer me trup e mendje nga Prizreni, për t’i ripërtërirë lidhjet e tyre politike në mes vete dhe me të tjerët.

    Kurti gjatë fjalës së tij në shënimin e 145 vjetorit të Themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit theksoi se me praninë e dy shteteve Kosovë-Shqipëri në këtë përvjetor mirëmbahet linja drejtuese institucionale e kultivimit të idealeve dhe interesave politike të kombit shqiptarë.

    “Nga kjo ditë e deri më sot duke ecur nëpër etapa të ndryshme historike të tyre, në vazhdimësi shqiptarët janë kthyer e rikthyer me trup e mendje nga Prizreni, kah Lidhja për t’i ripërtërirë lidhjet e tyre politike në mes vete dhe me të tjerët”, u shpreh ai.

    Kurti gjithashtu u shpreh se: “10 qershori i vitit 1878 konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politikë shqiptarë e i cili vazhdon dhe sot. Prandaj sot i kemi këtu presidentët dy shteteve tona Republikane të Shqipërisë dhe Kosovës, për ta mirëmbajtur linjën drejtuese institucionale të kultivimit të idealeve dhe interesave politike të kombit shqiptarë”.

    Kurti po ashtu theksoi se besnikërisht rreth Lidhjes, mund të avancojnë në rrugën për forcimin politik të shteteve, bashkë me aleatët amerikanë dhe evropianë.

    “Vetëm të lidhur bashk dhe besnikërisht rreth Lidhjes si mendësi dhe vetëdije politike mund të avancojnë në rrugën tonë për forcimin politik të shteteve tona, bashkë me aleatët tanë strategjikë evropian e amerikanë”, tha ndër të tjera kryeministri i vendit, Kurti.

  • Kryeministri kanadez viziton Kievin në shenjë mbështetjeje

    Kryeministri kanadez viziton Kievin në shenjë mbështetjeje

    Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, vizitoi Kievin të shtunën në një akt mbështetjeje teksa Ukraina po përgatitet për një kundërsulm të madh kundër forcave ruse dhe derisa po përballet me sulme të rregullta ajrore.

    Trudeau bëri nderime në një vend përkujtimor në qendër të Kievit për ushtarët ukrainas që u vranë duke luftuar forcat proruse që nga viti 2014.

    Kanadaja, anëtare e NATO-s, e cila ka një nga diasporat më të mëdha ukrainase në botë, ka ofruar ndihmë ushtarake dhe financiare për Ukrainën gjatë pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

    Udhëtimi i Trudeau në Kiev pasoi një natë sulmesh me raketa dhe dronë rusë në objektiva jashtë kryeqytetit, duke përfshirë Odesën, rajonin e Poltava dhe Harkiv.

    Në një sulm në Odesa u vranë tre civilë dhe u plagon dhjetëra të tjerë./REL

  • Haradinaj: Lidhja e Prizrenit themel i të drejtave të shqiptarëve në vazhdimësi

    Haradinaj: Lidhja e Prizrenit themel i të drejtave të shqiptarëve në vazhdimësi

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duke thënë se kjo ngjarje pas Lidhjes së Lezhës, kjo ngjarje mbetet lidhja më e madhe e shqiptarëve, e cila është njëkohësisht themel i të drejtave të shqiptarëve në vazhdimësi.

    “Sot, kujtojmë njërën ndër ngjarjet më të mëdha në historinë e popullit shqiptar, Lidhjen e Prizrenit. Shumë shqiptarë të zotë të asaj kohe, duke e ndjerë rrezikun që popujt fqinj do të lakmojnë në tokat e atdheun e tyre, më 10 qershor 1878, krijuan organizimin e parë politik të vilajeteve shqiptare, me të vetmin qëllim, ruajtjen e integritetit territorial të tokave shqiptare!  Pas Lidhjes së Lezhës, kjo ngjarje mbetet lidhja më e madhe e shqiptarëve, e cila është njëkohësisht themel i të drejtave të shqiptarëve në vazhdimësi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Haradinaj tha se është përjetësisht mirënjohës gjithë atyre atdhetarëve që i prinë popullit shqiptar në ato rrethana aspak të lehta.

    “Njëkohësisht, shprehim respekt për gjithë ata që ruajtën vazhdimësinë e paraardhësve tonë që në qershorin e 1999 Kosova ta fitojë lirinë e saj”, ka shtuar ai.

     

  • Abdixhiku viziton një familje fermerësh në Suharekë, tregon si do t’i mbështes bujqit

    Abdixhiku viziton një familje fermerësh në Suharekë, tregon si do t’i mbështes bujqit

    Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka ka vizituar sot fermerët në Suharekë, me të cilët ka biseduar për nevojat që kanë.

    Ai është ndalur te familja Shala, ku nëntë anëtarët e familjes punojnë tokën në përditshmërinë e tyre.

    Abdixhiku ka thënë se në planin e tyre kanë paraparë eliminim të burokracisë për grante, sigurime bujqësore për fermerë dhe dyfishim të mbëshetjes financiare, raporton Express.

    “Për bujqit e palodhshëm që formojnë rrënjët dhe vet identitetin e shoqërisë sonë: ne ju shohim, ju falënderojmë dhe jemi me ju. Do të bëjmë rrugën përpara së bashku me ju, në mënyrë që çdo farë e mbjellë të sjellë shpresë e zhvillim për ju e gjithë vendin”, ka shkruar Abdixhiku.

     

  • ​Mocioni i mosbesimit, konsiderohet i pamundshëm rrëzimi i Kurtit

    ​Mocioni i mosbesimit, konsiderohet i pamundshëm rrëzimi i Kurtit

    Iniciativa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për nisjen e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës ka mundësi të mbetet vetëm si ide. Në partinë e Ramush Haradinajt janë të vetëdijshëm për numrin e votave në Kuvend, por theksojnë se nëse kryeministri Kurti vazhdon me këtë qasje ndaj aleatëve ndërkombëtarë do t’i gjejnë të gjitha mekanizmat që ai të shkojë në shtëpi.

    Skeptik për rrëzimin e kryeministrit Kurti në rrethanat aktuale janë edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, ndërkaq në partinë në pushtet konsiderojnë se qeveria është duke bërë punë të mirë dhe është e palëkundshme edhe në Kuvend.

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se Kurti ka eskaluar në raport me partnerët ndërkombëtarë, veçmas me Shtetet e Bashkuara, mirëpo ende nuk i kanë numrat në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

    “Për çështje të tilla ne kemi pasur një dakordancë dhe një koordinim, por ne duhet t’i kemi 61 vota. Nëse çështjet do të kishin eskaluar, pasi është hera e parë e historisë së Kosovës që aleatët i kemi kundër. Kosova për herë të parë është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për neve kjo është e frikshme, tmerrshme dhe papranueshme. Andaj, nëse vazhdon këtë qasje zotëri Kurti, ne duhet t’i gjejmë të gjitha mekanizmat që kjo qeveri të shkojë në shtëpi”, thekson Kadrijaj për kp.

    Përkundër që adreson një mori kritikash ndaj kryeministrit Kurti, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu thotë se në rrethanat aktuale është vështirë që ekzekutivi të rrëzohet përmes mocionit të mosbesimit.

    “Do të ishte imagjinuese të mendojmë që ne mund të rrëzojmë kryeministrin edhe pse ai nuk po e kryen funksionin e tij si i pari i vendit në asnjë segment të funksionimit të tij. Por, a i kemi ne mundësitë që aktualisht të rrëzojmë kryeministrin? Ai ka marrë të gjithë fuqinë politike, ka fituar mbi 50 për qind të votave të qytetarëve që të bëjë ndryshimin. Në kohën kur ne i kemi mundësitë të shkarkojmë natyrisht. Kërkesa jonë është që ai t’i kryejë obligimet, të cilat i ka marrë nga qytetarët e Kosovës dhe kurdo që krijohen mundësitë dhe kushtet që ne të shkarkojmë kjo as nuk do të diskutohej. Por, në rrethanat në të cilat ne jemi aktualisht mund të duket vështirë e realizueshme që ne t’i kemi numrat që kryeministri të rrëzohet edhe pse ai është i paaftë, i papërgatitur dhe jokompetent në ushtrimin e funksionimit të tij si kryeministër”, shprehet Deliu.

    Kritik ndaj këtyre ideve të opozitës në situatën aktuale është deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo, Haxhi Avdyli.

    Ai ngre pyetje ndaj opozitës nëse mocioni do të bëhet në bashkëpunim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    “Neve na intereson ky mocion a do të bëhet në bashkëpunim me Vuçiqin, Radojçiqin apo me kënd. Dihet se 10 deputetët e Listës Serbe janë deputetë që dirigjohen nga Vuçiqi dhe Radojçiqi, na intereson se a do të jenë pjesë edhe ato e mocionit. Kjo është një kundër pyetje se a janë në bashkëpunim me ta. Në këtë drejtim, unë mendoj se qeveria është duke kryer punën e vet. Ne do të jemi në përkrahje të kësaj qeverie, në punën e saj të mirë, gjithmonë duke respektuar edhe miqtë tanë si garantues të pavarësisë, por edhe shikuar edhe interesin tonë si vend dhe qytetarë”, thekson ai.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka konsideruar të nevojshme iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, pas zhvillimeve në veri dhe kundërshtimit të aleatëve ndërkombëtarë që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë mandatin e tyre në objektet komunale. Gjithashtu, edhe për vendosjen e disa masave të SHBA-së ndaj Kosovës, ku njëra prej tyre ishte edhe përjashtimi nga “Defender 2023”.