ATV

Category: Lajme

  • Kurti për situatën në veri: Nuk ka dhunë pa urdhër nga Beogradi, protestuesit ishin si milicë

    Kurti për situatën në veri: Nuk ka dhunë pa urdhër nga Beogradi, protestuesit ishin si milicë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dhuna në veri të vendit ka ndodhur me urdhër të Beogradit. Në fjalimin e tij të gjatë para delegatëve të VV-së në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Kurti fokusin kryesor në fund të fjalimit e ka pasur për situatën në veri. Atje ka thënë se Kosova është në bashkërendim me ndërkombëtarët, për të siguruar rend dhe ligj.

    Kurti ka deklaruar se ditët e fundit kanë qenë të qeta në veri, pasi nuk ka pasur urdhër për dhunë nga Beogradi, raporton Nacionale.

    “Ne edhe një herë kërkojmë që këto të drejta të shfrytëzohen dhe për çfarëdo kërkese nevoje e përsëris se nuk jam kryeministër i vetëm shqiptarëve. Në ditët pas të hënës së 29 majit kemi pasur ditë të qeta, nuk mund të thuhet paqësore, por të qeta. Për këto dy javë, kishim 2 ditë e gjysmë dhunë, por ditët e tjera janë ditë të qeta. Ditë të qeta në veri janë ato ditë kur nuk ka urdhër për dhunë nga Beogradi. Nuk ka dhunë pa urdhër për dhunë. Kjo tregon raportin shkak-pasojë të gjendjes ku jemi. Më tej të gjithë ishim dëshmitar se si te trazirat në Zveçan, protestuesit ishin si milic e paramilitarë ndërsa policët dhe ushtarët ishin qytetarë. Por, asnjë gabim nga ana e organeve të sigurisë. Milic të dhunshëm si protestues qytetarë paqësorë si policë e si ushtarë. E paparë”, tha Kurti para delegatëve të VV-së.

    Ai përmendi edhe tërheqjen nga gara për zgjedhjet lokale në veri të Aleksandar Jabllanoviqit. Kurti tha se ai u tërhoq dhe iu bashkua Vuçiqit. Kurti e pranoi se nuk e ka menduar asnjëherë që Lulzim Hetemi mund të bëhet kryetar i Leposaviqit.

    “Tash në veri të Kosovës ka shumë më tepër policë se që ka pasur përpara. Jo vetëm kaq. Zgjedhjet u mbajtën, sepse ata që i braktisën institucionet i bojkotuan zgjedhjet, dhe madje i kërënuan ata që donin të merrnin pjesë në to. Askujt nga ne nuk ia mori mendja që Lulzim Hetemi do të bëhet kryetar i Leposaviqit. Mund të kemi menduar për të tjerët por jo për Lulzim Hetemin. Vetëm me datën 21 prill u bë e qartë se atje nuk do ta kemi fituesin e sigurt Jabllanoviqin. Vetëm dy ditë përpara, ai u largua nga zgjedhjet dhe iu bashkua Vuçiqit e Listës Serbe”, tha Kurti.

    E kur foli për Hetemin, Kurti tregoi se ka pasur një bisedë në telefon me të dhe tregoi duke qeshur për çka ishte i shqetësuar.

    “Këta kryetarë kanë marrë pak vota, por ata të tjerët kanë marrë aspak vota. Zgjedhjet duhet të jenë të lira demokratike me fushatë fer e të hapur e pa banda kriminale. Unë e thirra në telefon e bisedova me kryetarin Lulzim Hetemin dhe ndodhi diçka interesante, se për të thënë të drejtën kur e thirra kisha një shqetësim mos u mërzit në zyrë u bënë shumë javë. Por unë teksa isha i brengosur mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë isha i shqetësuar mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar mos po lëshoi pe unë. Biseda në vazhdim ishte përveç se e përzemërt e këndshme”, tha kryeministri.

    Kurti foli edhe për Policinë e Kosovës, duke thënë se ata nuk e kanë bërë as edhe një gabim në krejt situatën e cila ngjau në pjesën veriore.

    “Arsyeja pse në këto protesta del një numër i vogël i serbëve në tri komunat veriore nuk është se ata nuk duan të identifikohen me milic protestues, ata poashtu, komunitet serb e ka par një polici të Kosovë tejet profesionale e cila nuk e zemëron askënd. Në situata të tilla shumë kollaj ndodhin gabime të policisë, mirëpo as me 26, as me 29 maj as me 30 maj dhe asnjë ditë më pas, as sot, asnjë gabim i asnjë polici”, tha ai.

    Kryeministri nuk përmendi sanksionet e as konkretisht për raportet ndërkombëtare, vetëm se deklaroi që Kosova qëndron në partneritet me Amerikën e BE-në.

    “Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së, politikës anti-Putin vlerave demokratike për të ardhme pa luftë. Qeveria jonë është aleat i pakompromis edhe i Amerikës edhe i BE-së. Rruga përpara për deeskalim dhe normalizim nënkupton ndalimin e menjëhershëm të dhunës nga bandat kriminale ndaj Policisë, ushtarëve të NATO-s e gazetarëve. Në përputhje me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e Policisë së Kosovës do të mund të zvogëlohej. Dialogu për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të 18 marsit në Ohër, duhet të intensifikohet”, tha Kurti.

    Kryeministri theksoi se objektet e komunave në veri nuk duhet të jenë vetëm për një etni. Kërkresa e tij ishte e qartë: zgjedhje të reja atje vetëm pas qetësimit të situatës, dhe largimit të bandave kriminale.

    Paraprakisht, Kurti prezantoi të arriturat e qeverisë që drejton që nga marrja e mandatit.

  • Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron vërshime dhe përmbytje

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron vërshime dhe përmbytje

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka paralajmëruar vërshime gjatë ditëve në vijim për shkak të reshjeve të vazhdueshme.

    Sipas njoftimit të IHH-së, duke u bazuar në situatën e përgjithshme meteorologjike në vend dhe në përgjithësi në rajon e cila është jo stabile, duke u përcjellë me reshje të shiut, të cilat deri më tani kanë qenë të karakterit lokal me intensitet prej të ulët deri mesatarë e në disa zona deri në mesatarisht të lartë, kanë kontribuar që rrjedhat lumore ti mbajnë të qëndrueshme nivelet dhe prurjet e tyre, ndërsa disa prej tyre aktualisht ndodhën në kuotat e tyre mesatare deri afër maksimaleve.

    Këto reshje kanë ndikuar edhe në tejngopjen e tokave, sidomos nëpër viset e ulëta dhe përgjatë rrjedhave lumore.

    “Situatë e tillë me reshje, parashikohet të mbajë edhe gjatë ditëve në vijim, ku duke filluar nga nesër dt: 12/06/2023, pritet që të ketë reshje në intervale të ndryshme duke përfshi pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në disa zona ato do të jenë më intensive të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta, të karakterit lokal, sidomos në lumenjtë me karakter të rrëkeve, të cilat zbresin prej viseve malore, ku si pasojë do të ketë tejkalim të kapaciteteve transportuese të tyre dhe mundësi të paraqitjes së vështirësive në sistemet e kanalizimeve, shembje të dheut, probleme në komunikacion, bujqësi etj”.

    Nga këto prognoza fillimisht meteorologjike me reshje e pastaj hidrologjike me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu, parashihet që të kenë ndikim sidomos në:

    – Pjesa veriore: Pellgu i Ibrit (Sistemet lumore të: Ibrit, Sitnicës Llapit, Drenica etj.) ku Probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 20-vjeçare: është 20 % ndërsa 5-vjeçare: 24 %.

    – Ndërsa pjesa Perëndimore, jugore dhe lindore (Pellgu i Drinit të Bardhë, Lepencit dhe Moravës së Binçës), parashikohet një probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare, gjegjësisht sasi më e vogël e reshjeve.

  • Mbahet parada e fëmijëve së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës

    Mbahet parada e fëmijëve së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës

    Në sheshin e qytetit të Prishtinës sot është mbajtur parada e fëmijëve së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të shënuar ditën e çlirimit të Kryeqytetit.

    Sot, bëhen 24 vjet nga tërheqja e forcave ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serb.

    Për nderë të 24 vjetorit të çlirimit, komuna e Prishtinës sot organizon aktivitete, duke filluar me homazhe në varrezat e dëshmorëve.

  • Asociacioni, çelësi i rikuperimit të marrëdhënieve me Amerikën

    Asociacioni, çelësi i rikuperimit të marrëdhënieve me Amerikën

    Analistët politikë në vend formimin e Asociacionit po e shohin si çelësin e rikuperimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimin Evropian (BE), raporton Ekonomia Online.

    Ndonëse vlerësojnë se një gjë e tillë nuk mund të ndoshta shumë shpejt dhe se duhet kohë e përpjekje e vazhdueshme.

    Profesori universitar Dritëro Arifi, i tha Ekonomia Online se rikuperimi i marrëdhënieve me Amerikën e BE-në mund të bëhet vetëm me formimin e Asociacionit, sipas tij, për këtë duhet një vullnet politikë për ta bërë këtë.

    “Mundemi me çdo kryeministret tjetër nëse elita politike në Kosovë e ka një qëndrim të definuar për çështjen e marrëveshjes se Ohrit, prandaj ende nuk kemi qëndrim të definuar a dëshirojmë apo nuk dëshirojmë ta bëjmë Asociacionin”.

    “Këtu është problemi i vetëm i Kosovës, të tjerat janë pasoj, të tjerat nuk janë problem i Kosovës janë problem të cilat perëndimi nuk po e ka një gjuhë që ta zgjidhë problemin e Kosovës. Po Kosova e ka veç një obligim me e formuar Asociacioni, nëse dëshirojmë me e formua, por kjo varet nga vullneti politik i elitës politike. Pra nëse ka vullnet Kosova i rikuperon të gjitha problemet që i ka sidomos me ShBA dhe BE-në”, tha ai.

    Ai theksoi se serbët në Kosovë kanë të drejta më së shumti në Evropë dhe që ato i keqpërdor.

    “Absolutisht është problemi kryesor, sepse nuk ka pakicë e cila i ka të gjitha këto të drejta dhe i keqpërdorë. Pra është i vetmi vend në Evropë që edhe ka drejta më shumë edhe keqpërdoren”, tha Arifi për EO.

    Analisti politik, Arbonr Sadiku, tha se ka pasur një qarje të raporteve ndërkombëtare midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Është e vërtet që kemi pasur një qarje të raporteve ndërkombëtare midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për faktin që Kosova në një farë forme besimin e dhënë nga ShBA e ka marr si të mirëqene dhe si një shabllon, i cili do të vazhdoj në vazhdimësi pavarësisht veprimeve tona të brendshme që reflektojnë në politikën e jashtme dhe në politikën ndërkombëtare”.

    “Kjo u pa që ka qenë një perceptim i gabuar sepse ShBA nuk kanë më asnjë vend, raporte miqësore të përhershëm, por kanë më tepër realizim të interesave qoftë politikës ndërkombëtare, qoftë edhe të rajonit të Ballkanit Perëndimorë”, tha ai.

    Ai tha se rikuperimi i marrëdhënieve nuk do të jetë i menjëhershëm, por sipas tij, së paku duhet të plotësohen kërkesat e ShBA-së e BE-së që të paktën Kosova të mos dëmtohet edhe më shumë.

    “Ajo që vërehet deri më tani është që ka pasur një dëm ai është shkaktuar nga vetë Kosova, rikuperimi i tyre do të mund të behej jo i menjëhershëm po së paku që të arrihej një marrëveshje për këto tri pikat që i ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare”.

    “Praktikisht unë mendoj që Kurti do ta ketë të vështirë që t’i rikuperoj dhe ta fitoj besimin e menjëhershme të ShBA-ve, por në rast se arrin një marrëveshje konsideroj që të paktën Kosova nuk do të arrij që të dëmtohet më masën e caktuar”, tha ai.

  • Qalaj: Kryetarët s’kanë nevojë të dorëhiqen, kriminelët në veri kanë marrë krahë s’i frikësohen Policisë

    Qalaj: Kryetarët s’kanë nevojë të dorëhiqen, kriminelët në veri kanë marrë krahë s’i frikësohen Policisë

    Ish drejtori i Policë së Kosovës, Rashit Qalaj po thotë se katër kryetarët e komunave veriore nuk ka nevojë që të dorëhiqen, ngase janë zgjedhur nga një proces i rregullt zgjedhor.

    Ai i tha Ekonomia Online se ndonëse në zgjedhje kanë marrë pjesë numër i vogël i votuesve, procesi ka qenë legal.

    Por ai thotë se nga veprimet jo të qëlluara dhe të argumentuara kriminelët në veri kanë marrë krahë dhe nuk po i frikësohen Njësisë Speciale të Policisë. Madje thotë se për këtë shkak po krijohet një lloj anarki në atë pjesë të vendit.

    “Unë personalisht mendoj që nuk ka nevojë që kryetarët të dorëhiqen, ata janë zgjedhur, një proces që ka qenë i rregullt. Tash numri i vogël i votuesve është e vërtet që është, mirëpo kanë votuar ata që kanë dashur të votojnë. Pjesa dërmuese në mënyrë vetanake apo nën kërcënimin e presidentit të Serbisë dhe krejt aparaturës shtetërore të Serbisë i kanë bojkotuar zgjedhjet dhe e kanë pasur shansin që të participojnë dhe të marrin pjesë në zgjedhje, po ashtu nën dirigjimin e Listës Serbe dhe unë mendoj që është dashur që kryetarët të funksionojnë, mirëpo pas kësaj situate ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të kontribuojmë në paqe të kontribuojmë në uljen e tensioneve atje”.

    “Është një rrezik mjaftë i madh, ka një kohë që bandat kriminale atje kanë marrë krahë për shkak të veprimeve jo të qëlluara të argumentuara të Qeverisë, realisht që nga shatori i vitit 2021 kemi pasur veprime jo të menduar mirë të Qeverisë dhe në momenti kur është dashur që të merret venim i prerë për reagim ka munguar dhe kështu ka bërë që bandat kriminale realisht kanë arritur që mos të frikohen nga Njësia Speciale dhe të krijojnë një lloj anarki në atë pjesë në vendin tonë”.

    Kryetarët e komunave në veri sipas tij, nuk e kanë ditur se ku po shkojnë ditën që janë dërgua në zyrat e tyre. Këtë ai e quan veprim të papranueshëm, duke shtuar se fillimisht është dashur që të konsultohet spektri politik e bashkësia ndërkombëtare, raporton EO.

    “Në fakt ka qenë deklaratë e tyre që ata janë thirrur dhe janë dërguar atje dhe nuk e kanë ditur paraprakisht që ku po shkojnë, këto janë deklarata e dy kryetarëve të PDK-së. Mendoj që është veprim i papranueshëm ata ishin dashtë të jenë të përgatitur dhe ta dinin se ku do të shkoni ajo ka ndodhur dhe ju e shihni pasojat që i kemi si vend për shkak të atyre veprimeve”.

    “Fillimisht ne i patëm zgjedhjet atje, legale me legjitimet jo te plotë dhe ju e dini që ekzistojnë një periudhë kohore që të kryhen të gjitha procedura që të bëhet betimi i kryetarëve dhe pastaj me një situatë normale në një vend normal vendi i punës së kryetarit do të duhej të ishte në ndërtesat e Komunave, mirëpo në rrethanat në të cilat po jetojmë realisht veprimi i Qeverisë ka qenë veprim i ngutshëm, meqenëse është dashur që të konsultohet me spektrin politik e pastaj edhe me partnerët dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshëm dhe që do të ndikonte në tensionimin e situatës edhe të tensionuar”.

  • Presidenti i Malit të Zi: Së pari zgjedhjet në Veri pastaj themelimi i Asociacionit

    Presidenti i Malit të Zi: Së pari zgjedhjet në Veri pastaj themelimi i Asociacionit

    Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, vlerëson se për të qetësuar situatën në Kosovë është e nevojshme të zhvillohen zgjedhje të reja në veri dhe të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe.

    Milatoviq, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, ka dënuar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it.

    “Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it është absolutisht i papranueshëm. Në fund të fundit, këta ushtarë kanë bërë një punë mjaft të mirë në mbrojtjen e një pjese të trashëgimisë së Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë” ka theksuar Milatoviq.

    “Për të përmirësuar situatën, duhet të mbahen zgjedhje të reja në komunat veriore të Kosovës dhe Kosova duhet të themelojë Asociacionin”, ka shtuar ai.

    I pyetur se çfarë duhet të bëhet fillimisht, ai është përgjigjur se fillimisht zgjedhjet duhet të mbahen në veri të Kosovës.

    I pyetur nëse serbët do të marrin pjesë në to, Milatoviq deklaroi se veriu duhet të shkojnë në zgjedhje.

    “Duhet, sepse duhen dy për tango”, theksoi ai.

  • Të shtëna me armë zjarri në Stokholm, vritet një 15-vjeçar, plagosen 3 persona të tjerë

    Të shtëna me armë zjarri në Stokholm, vritet një 15-vjeçar, plagosen 3 persona të tjerë

    Të shtëna me armë zjarri janë shënuar në kryeqytetin suedez, Stokholm, ku një djalë 15-vjeçar humbi jetën dhe 3 të tjerë të plagosur.

    Sipas raportimeve nga mediat e huaja, rrethanat e këtij rasti tragjik mbeten ende për t’u sqaruar. Mësohet se rreth një orë pas ngjarjeve, dy burra u arrestuan pas një ndjekjeje në pjesën jugore të kryeqytetit suedez.

    Pasi u alarmua për të shtëna me armë zjarri pranë një sheshi në sektorin jugor policia gjeti dy persona në vendngjarje me plagë me armë zjarri. Dy të plagosur të tjerë ndodheshin aty pranë, njëri prej të cilëve humbi jetën.

    Tre të tjerët u dërguan në spital. Të plagosurit janë një tjetër adoleshent, po ashtu 15 vjeç, një burrë dhe një grua, përkatësisht 45 dhe 65 vjeç, të dy sipas policisë.

    Vitet e fundit, Suedia ka luftuar për të frenuar një valë sulmesh me armë dhe bombardime, që i atribuohen zgjidhjes së numrit mes bandave të përfshira kryesisht në trafikun e drogës.

  • Konfiskohen pajisje për prodhimin e kriptovalutave në një shtëpi në Veri

    Konfiskohen pajisje për prodhimin e kriptovalutave në një shtëpi në Veri

    Drejtoria rajonale e Policisë së Mitrovicës në veri, të shtunën ka pranuar informata relevante se një person i dyshuar nga fshati Uglar nga komuna e Zubin Potokut posedon pajisje për prodhimin e kriptovalutave (Bitcoin).

    Si rrjedhojë në lagjen e fshatit të lartcekur herë pas here janë shkaktuar probleme me energjinë elektrike dhe “qytetarëve po u dëmtohen pajisjet elektrike shtëpiake, shkaktohej zhurmë dhe kërkohet ndihma e Policisë lidhur me këtë çështje”.

    Policia e Kosovës, nga stacioni policor Zubin Potok, mbështetur nga Njësia për reagim të shpejtë (NJRSH), bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore kanë ndërmarr veprime të menjëhershëm dhe ka identifikuar lokacionin (shtëpinë ) e personit të dyshuar dhe në shtëpi janë gjetur 11 pajisje për prodhimin e kriptovaluatave (Bitcoin).

    “Lidhur me rastin është njoftuar njësia kompetente nga Dogana e Kosovës, të cilët kanë dalë në lokacion, pajisjet janë konfiskuar dhe sipas verifikimeve i dyshuari nuk gjendej në shtëpi pasi që herë pas here udhëton nga Beogradi i Serbisë dhe viziton shtëpinë lartcekur”, thuhet në njoftim.

  • Kërkohet reagimi i ndërkombëtarëve pas arrestimit të 2 shqiptarëve në Serbi

    Kërkohet reagimi i ndërkombëtarëve pas arrestimit të 2 shqiptarëve në Serbi

    Dy filma shqiptarë nuk u lejuan të shfaqen në Bujanoc. Madje, institucionet e Serbisë edhe arrestuan personat që kishin të bëjnë me ata filma. Shfaqja e tyre nuk do të lejohet deri në momentin kur institucionet e sigurisë në Serbi do të marrin një vendim për përmbajtjen e tyre. Veprimet e policisë serbe kanë nxitur reagime të shumta në Luginë të Preshevës dhe Kosovë

    Dy filma shqip ishin paraparë të shfaqeshin në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc.

    Por kjo nuk ndodhi për shkak se autoritetet serbe e ndaluan një gjë të tillë veç pse ata ishin të sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës.

    Madje, Policia e Serbisë të premten arrestoi drejtorin e Shtëpisë së Kulturës dhe njërin nga aktorët, të cilët më pas i ka marrë edhe në pyetje.

    Këto veprime ata i kundërshtuan të shtunën në një konferencë për media pasi u liruan nga Policia.

    “Mua më është marr mbarmë edhe USB-ja me dy filma që do ti dorëzohet prokurorisë që pastaj të krijohet një komision për ti parë filmat se çfarë mesazhi japin dhe nëse ata vendosin që të mos shfaqën atëherë s’munden me u shfaq në Serbi”, ka thënë aktori arrestuar, Gani Veseli.

    Edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Jetmir Ismajli tregoi se çfarë e pyetën në policët serbë rreth këtij aktiviteti kulturor.

    “Preteksti i tyre ishte se pse e kam leju të jetë pa pagesë, ata më paraqitën të korruptum, gjoja se kam marrë pagesë prej aktorëve vetëm pse këta filma kanë pasur të shfaqën pa pagesë, pavarësisht që ky nuk ka qenë vendim i jemi por i producentit”, ka thënë Ismajli.

    Për gjithë këtë situatë ka reaguar edhe Ministri i Kulturës në Kosovë, Hajrullah Çeku, i cili e quajti të papranueshëm këtë veprim të institucioneve të Serbisë.

    “Politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë”, ka thënë Çeku.

    Ndërsa nga Këshilli Kombëtar Shqiptar thanë se janë shqetësuese dhe e papranueshme forma se si janë marrë të arrestuarit.

    Kryetari i këtij Këshilli, Nevzad Lutfiu ftoi të gjithë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë veprim të policisë serbe.

  • Eksperti amerikan i Institutit Hudson: Veriu dobësoi Kosovën, trimëroi Serbinë, përfitoi Rusia

    Eksperti amerikan i Institutit Hudson: Veriu dobësoi Kosovën, trimëroi Serbinë, përfitoi Rusia

    Luke Coffey një bashkëpuntor i lartë në Institutin Hudson dhe analist me përvojë sai përket sigurisë dhe politikës së jashtme ka shkruar lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Republikës së Kosovës dhe rezultatin që sipas tij ka prodhuar gjithë ajo që ka ndodhur.

    Coffey thotë se dhuna që shpërtheu në veri të Kosovës më 29 maj, prodhoi trupa të NATO-s të lënduar, Kosovën e ka dobësuar dhe komunitetin transatlatnik e ka ndarë.

    Ai tutje thotë se nga ajo që ka ndodhur në veri të vendit, Serbia është trimëruar dhe Rusia është fuqizuar.

    “Përleshjet lanë trupat e NATO-s të plagosur, Serbia u trimërua, Kosova u dobësua, Rusia u fuqizua dhe komuniteti transatlantik u nda”, ka shkruar Coffey.

    Coffey thekson se Ballkani vazhdon të mbetet një zonë destabiliteti që politikbërësit nuk duhet ta injorojnë.

    Ai kujton konfliktet e ndodhura pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjen e Jugosllavisë, konflikte që thotë se u vunë nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes së jashtme ushtarake.

    Anëtari i Institutit Hudson thotë se situate vazhdon të mbetet e brishtë dhe se ngjarjet në Kosovë e tregojnë një gjë të tillë.