ATV

Category: Lajme

  • 24 vjet nga çlirimi i Kosovës

    24 vjet nga çlirimi i Kosovës

    24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

    Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

    E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’

    Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.

    Rusia synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas intervenimit nga Washingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.

    Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj ‘një gabim.’ Dhe çdo gjë tjetër tashmë është histori. Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

    Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

    Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.

  • Kush është Milojko Spajiq që pritet të jetë kryeministër i Malit të Zi?

    Kush është Milojko Spajiq që pritet të jetë kryeministër i Malit të Zi?

    Milojko Spajiq, pritet të jetë kryeministër i Malit të Zi.

    Kjo pasi të dielën i fitoi Lëvizja “Tani Evropa”, me të cilën ai garoi arriti t’i marrë 26 për qind.

    Por, kush është Milojko Spajiq?

    Milojko Spajiq, ka lindur më 24 shtator 1987, në Pljevlja.

    Ai ka qenë ministër i Financave dhe Mirëqenies Sociale, nga 4 dhjetori i vitit 2020 deri në 28 prill 2022, në qeverinë e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq.

    Shkollën e mesme e ka mbaruar si një nga nxënësit më të mirë.

    Studimet i ka mbaruar në Universitetin e Osakës në Japoni, ku studioi ekometrinë në gjuhën japoneze si bursist i Qeverisë së Japonisë.

    Magjistraturën, gjithashtu si studiues, 35 vjeçari e kreu në Francë në shkollën e biznesit HEC Paris.

    Pas diplomimit, Spajiq punoi në Shtetet e Bashkuara në Wall Street, në Paris dhe Tokio.

    Para se të hynte në politikë, Spajiq ka punuar edhe për “Goldman Sachs”, një grup bankar global që merret me investime bankare, tregtimin e letrave me vlerë dhe shërbime të tjera financiare, kryesisht me klientët institucionalë, thuhet në faqen zyrtare të qeveris malazeze.

  • Opozitari serb ftohet nga BIA për bisedë informative

    Opozitari serb ftohet nga BIA për bisedë informative

    Politikani opozitar serb, Boban Bodganoviq, tha se është ftuar nga Shërbmet Sekrete Serbe (BIA), për bisedë informative, derisa shtoi se nuk e di arsyen dhe temën e bisedës.

    Ai shkroi në Tëitter se duhet të paraqitet të hënën në orën 09:00, e supozon se tema do të jetë mbështetja që po i jep integrimit të Serbisë në NATO dhe dialogun me Kosovën.

    “Nesër në orën 09:00 jam i ftuar në ambientet e Agjencisë së Sigurisë (BIA) për një intervistë informative. Nuk e di cila është arsyeja dhe tema e bisedës, por supozoj se bëhet fjalë për mbështetjen time për Serbinë për integrimin euroatlantik dhe dialogun mes Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.

    Bodganoviq është kryetar i subjektit “Odgovor”. Më 14 dhjetor të 2022-s pati vizituar Kosovën, ku nënshkroi marrëveshje me nismën qytetare “Liri, Drejtësi, Mbijetesë” të ministrit të Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq.

  • Abazoviq: Do të jemi shtylla kryesore e qeverisë

    Abazoviq: Do të jemi shtylla kryesore e qeverisë

    Kryeministri aktual i Malit të Zi Dritan Abazoviq, ka folur pas përfundimit të numërimit të votave.

    Koalicioni “Guximi numërohet” ku ai bën pjesë me Lëvizjen “Ura” i ka marrë 13 për qind.

    Sipas këtij rezultati ky koalicion do të ketë 12 deputetë në Kuvendin e Malit të Zi.

    Abazoviq tha se do të jenë shtylla kryesore e qeverisë malazeze.

    “Qëllimi është një shoqëri gjithëpërfshirëse”, tha Abazoviq.

    Ai theksoi se ka shumë punë për të bërë.

    “Nuk ka rëndësi se ne ishim objektivi kryesor në fushata, anëtarët e të dyja partive treguan qëndrueshmëri dhe ia arritëm qëllimit. Vazhdojmë, do të llogarisim me guxim edhe në periudhën në vijim”, tha kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviq.

  • Eksperti amerikan kundër draftit të Ramës për Asociacionin

    Eksperti amerikan kundër draftit të Ramës për Asociacionin

    Daniel Serwer ekspert i marrëdhënieve me SHBA, ka folur rreth draft-statusit të propozuar nga kryeministri Rama për Asociacionin e komunave serbe dhe mënyrën se si ka ndikuar ai.

    Profesori Serwer i ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania tha se propozimi i këtij draft-statusi nga ana e kryeministrit shqiptar nuk ishte i drejtë, madje ai tha se ish-kryeministri Berisha kishte të drejtë kur thoshte se ky ishte një veprim i gabuar.

    “Ky është një komplikacion që nuk ishte i nevojshëm, i bën gjërat edhe më të vështira për Albin Kurtin. Mendoj se ish-presidenti Berisha ka të drejtë. Kjo është një ndërhyrje e panevojshme, e cila cenon prestigjin e Kurtit dhe nuk e zgjidh problemin.

    Tashmë është e nevojshme që Kosova të vijë me një propozim, mesa e kam kuptuar, kryeministri Kurti e ka cilësuar të pamundur modelin e propozuar në Kroaci.

    Ai duhet të vijë dhe të dalë me një propozim i cili duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, megjithatë mendoj se është e nevojshme që të vijë diçka nga Prishtina, jo nga Beogradi apo nga Edi Rama”,-tha Daniel Serwer.

  • Lëvizja “Tani Evropa”, fituese e zgjedheve në Malin e Zi

    Lëvizja “Tani Evropa”, fituese e zgjedheve në Malin e Zi

    Qytetarët e Malit të Zi gjatë ditës së diel dhanë verdiktin e tyre se kush do t’i drejtojë ata në katër vitet e ardhshme.

    Nga rezultatet e numërimit të votave del se Lëvizja “Tani Evropa”, e presidentit Jakov Milatoviq, është fituese e zgjedhjeve parlamentare atje, që ka arritur t’i marrë 26 për qind e votave.

    Kjo lëvizje kandidat për kryeministër e ka Milojko Spajiqin.

    Në vendin e dytë renditet koalicioni “Së bashku” e përbërë nga (DPS-SD-LP dhe DUA), që ka 23 për qind.

    Në vendin e tretë është “Për të ardhmen e Malit të Zi” me 15.1 për qind.

    Koalicioni mes Lëvizjes “Ura” të kryeministrit aktual Dritan Abazoviq, dhe demokratëve të Aleksa Beçiqit, i kanë 13 për qind.

    Derisa dy listat shqiptare, Aleanca Shqiptare, i ka 1.5 për qind, kurse Forumi Shqiptar i ka 1.7 për qind.

    Mbi 500 mijë qytetarë kishin të drejtë vote në këto zgjedhje parlamentare atje.

    Sipas raportimeve mbi 50 për qind e shfrytëzuan të drejtën për të hedhur votën dhe zgjedhur qeverinë e re malazeze.

  • Koalicioni ku bën pjesë Dritan Abazoviq do t’i ketë 12 deputetë

    Koalicioni ku bën pjesë Dritan Abazoviq do t’i ketë 12 deputetë

    Koalicioni ku bën pjesë kryeministri aktual i Malit të Zi Dritan Abazoviq, do të ketë 12 mandate në Parlamentin e Malit të Zi.

    Kështu tha Aleksa Beçiq, bartësi i koalicionit “Hrabro se broji” apo “Guximi numërohet”.

    Sipas Beçiqit, ky është rezultati më i mirë deri më tani për ata në zgjedhje parlamentare.

    Ai tha se këtë rezultat e ka pretenduar edhe para zgjedhjeve.

    “Ky është një rezultat vërtet mbresëlënës me të cilin jemi shumë të kënaqur. Nuk ka asnjë dilemë, çfarë kemi pretenduar para zgjedhjeve, nuk ka shumicë pa “Hrabro se roji”, tha ai.

    Ka përfunduar numërimi i votave në Mal të Zi.

    Fitues i këtyre zgjedhjeve është Lëvizja “Tani Evropa”, i presidentit Jakov Milatoviq, që ka arritur të marrë 26 për qind të votave.

  • Hoti: Njohja nga Izraeli historike, ndodhi nga Shtëpia e Bardhë

    Hoti: Njohja nga Izraeli historike, ndodhi nga Shtëpia e Bardhë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se njohja e Kosovës nga Izraeli ishte historike.

    Hoti tha se kjo njohje kishte ndodhur nga Shtëpia e Bardhë.

    Ngjarja e madhe kishte ndodhur më 4 shtator në Washington, në kohën sa ai ishte kryeministër.

    “Në këtë vizitë historike në Izrael na bashkohen edhe një grup i bizneseve të Kosovës, të cilat do të vizitojnë odat ekonomike në Izrael dhe do të zhvillojnë takime individuale me biznese për të parë mundësitë e bashkëpunimit. Delegacioni i bizneseve është nën organizimin e Odës Ekonomike Kosovë-Izrael, që operon tash e një vit në Prishtinë”, tha Hoti.

  • Po shënohet java e dhurimit të gjakut

    Po shënohet java e dhurimit të gjakut

    Me rastin e Javës së Dhurimit Vullnetar të Gjakut sot në sheshin “Nënë Tereza”, qytetarët patën mundësi të dhuronin gjak.

    Mirëpo, derisa ATV-ja për 3 orë ka qëndruar aty, një numër i ulët i qytetarëve ka dhuruar gjak.

    Shemsi Berisha, njëri nga dhuruesit tha se duhet të ofrohet më shumë gjak për rastet që kanë nevojë.

    “Dhuroj gjak që më shumë se 20 vjet. Por duhet të rritet vetëdijesimi për gjak. Ka shumë njerëz që kanë nevojë për gjak”, tha Berisha.

    Ndërsa, Xhevat Korollaku, e kishte të pamundur për të dhuruar gjak për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

    “Kisha pas qejf shumë me dhuru gjak, por shtypja e gjakut po më lëviz e nuk mundem. Se me gjithë dëshirë kisha dhuru gjak”, tha Korollaku.

    Por sipas organizatorëve, ky aktivitet po konsiderohet mjaft efektiv.

    “Kjo ditë ka rëndësi dhe realisht dhurimi i gjakut është shpëtim jete. Po ashtu qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrje”, tha drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku.

    “Ka interesim të qytetarëve për të dhuruar gjak. Ky aktivitet është human për t’ju ndihmuar të tjerëve që kanë nevojë të gjak”, tha shefja për dhurim të gjakut në QKTGJ, Safete Maliqi-Qorrmemeti.

    Teksa ekipi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut ka vendosur tendën në sheshin e kryeqytetit për t’u mundësuar vullnetarëve të dhurojnë gjak, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në pjesën e transfuzionit nuk u pa asnjë qytetar i shtrirë për të kryer këtë akt human. Madje prezent nuk ishin as stafi mjekësor.

    Në Kosovë gjatë vitit 2022 vetëm nga dhuruesit vullnetarë, janë siguruar rreth 30 mijë doza gjak.

    Ndryshe, të gjithë dhuruesit e gjakut do të jenë të liruar nga pagesa në trafikun urban në kryeqytet gjatë tërë javës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Prishtinasit kujtojnë momentet menjëherë pas luftës

    Prishtinasit kujtojnë momentet menjëherë pas luftës

    Rezistencën e shqiptarëve e ilustroi me fotografitë të cilat i kishte shkrepur që nga vitet e 80- ta.

    Pikërisht përmes fotografive Hazir Reka, kutjon edhe ditën e çlirimit të Prishtinës dhe momentet tjera të qershorit të 1999-ës.

    “Ka pas shumë njerëz të dënuar e të plagosur, pas çlirimit ka pas shkatërrime shumë ka pas të zhvendosur, të cilit u prit me u kthye në vendin e tyre. Unë në ditën e tretë të bombardimeve kam shkua në Maqedoni e kom fillua me i përcjell refugjat me i fotografua se kom punu për agjencinë Reuter. Pas kësaj unë jam kthye si fotograf i kom përcjell edhe refugjatët deri në shtëpitë e tyre e kom vazhdua me fotografua deri në pavarësi, e pas pavarësisë është krejt periudhë tjetër”, tha Reka.

    Prishtinën hiq në gjendje më të mirë nuk e kujton as piktori Eshref Qalihi, ai thotë se e mbanë në mënd mirë se si dukej menjëherë pas lufte pjesa e njohur si “nën kurrizi” në kryeqytet.

    “Unë dhe gjenerata ime jemi me fat që kemi përjetua pavarësinë, atmosfera e pas luftës ka qenë shumë e shkatërruar e djegur, por tek njerëzit është vërejt një frymëzim dëshirë. E kemi kurrizin aty ka pas kafe, në bramje deri në orën 12-1 të natës, ka qenë plot ajo pjesë ka qenë e shkatërruar e djegur plotësisht, atu u kanë një tmerr, kur ke kalua atu ke menduar që është shkatërrua gjithçka, por e ndjenim një frymëzim një ndjenjë gëzimi nga ajo se kjo është hera e fundit që njeriu i sheh këto shkatërrime”, tha Qalihi.

    Prishtina më 11 qershor e shënon Ditën e Çlirimit. Dy ditë më herët, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Tekniko Ushtarake ndërmjet ushtrisë së Jugosllavisë dhe forcave të NATO-s, pas së cilës forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova, pas më shumë se dy muajsh bombardime të NATO-s ndaj shënjestrave jugosllave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: