ATV

Category: Lajme

  • Ramadani: Veprimi i Serbisë ka qenë i planifikuar, ka për qëllim eskalimin e situatës së sigurisë në Kosovë

    Ramadani: Veprimi i Serbisë ka qenë i planifikuar, ka për qëllim eskalimin e situatës së sigurisë në Kosovë

    Ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se veprimi i policisë serbe ndaj zyrtarëve policorë të Kosvës, ka qenë veprim armiqësor dhe i planifikuar.

    Sipas tij, shpjegimin që dha presidenti serb Aleksandar Vuçiq ditëve të fundit, tregon qartë për një veprim i paramenduar, i cili ka për qëllim eskalimin e tensionit.

    “Veprimi duket qartë që ka qenë i planifikuar. Shpjegimi të cilin presidenti Vuçiq e ka dhënë gjatë këtyre dy ditëve me jashtëzakonisht shumë detaje propagandistike nga ana e tij, goxha tregon për një paramendim të situatës, pra për një veprim të paramenduar, i cili ka qëllim rritjen e tensionit, ka qëllim përshkallëzimin, eskalimin e situatës së sigurisë prapë, sepse eskalimi i situatës së sigurisë po ndodh të territorin tonë. Serbia nuk po eskalon kurrfarë situate as në Nish as në Kralevë, as në Novi Sad as në Beograd. Gjithçka që po ndodh, po ndodh në territorin tonë. Prezenca ndërkombëtare ushtarake është futur në sheshe duke vendosur kordon mes institucioneve të Kosovës dhe protestuesve, duke përfshirë edhe huliganët dhe grupet kriminale dhe si e tillë, Kosova në kuptimin qëllimit të sigurisë kombëtare, nuk po arrin sukses, sepse promovimi i sigurisë kombëtare, normalisht që vendoset përmes objektivave”, tha Ramadani.

    Ai thotë se për këtë veprim, Serbia duhet të marrë ndëshkimin e qartë dhe të prerë nga bota demokraike.

    “Serbia duhet absolutisht të merr ndëshkim të qartë dhe të prerë nga bota demokratike për këtë veprim. Veprimi është armiqësor. Nëse vërtetohet dhe po flasim nëse vërtetohet nga neutralët, nga KFOR-i, NATO, sepse edhe në bindjen time, kjo është hyrje brenda territorit të Kosovës, por nuk kam kapacitetin institucional për të vërtetu hapësirat gjeografike”, tha Ramadani.

    Sipas tij, janë të gjitha mundësitë që të vërtetohet vendndodhja ku ka noddhur kidnapimi i policëve kosovarë.

    “A ka mundësi të vërtetohet, normalisht që ka mundësi të vërtetohet. Vërtetimi besoj se do të bëhet publik në një periudhë pak më të qetë se tash siç është situata në veri të Kosovës. A besoj që ky vlerësim dhe bërja publik i këtij vlerësimi do të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe uljen e retorikës, normalisht që besoj që ky do të jetë qëllimi i NATO-s si garant i sigurisë në Kosovë. Edhe përmes imazheve satelitore mund të qartësohet edhe përmes mënyrave të tjera, teknike, forenzike të cilat janë veç se të konsoliduara edhe në EULEX edhe në KFOR, i ka normalisht edhe në institucionet e Kosovës”, tha Ramadani.

    Pa vlerësimit, ai tha se shtetet e konsoliduara duhet të marrë kohën e mjaftueshme që të komunikojë me shtetet e tjera dhe aleatët, në mënyrë që të arrijë të një veprim i përbashkët.

    “Shtetet e konsoliduara, edhe në raste të tilla marrin një kohë hapësirë për të komuniku, lobu me shtetet dhe aleatët e vet, në mënyrë që të planifikohet veprimi i përbashkët dhe nëse unë kam dilema për sjelljen mbarëshoqërore e jo vetëm qeveritare, është se nuk po lëmë hapësirë të një planifikimi të përbashkët për veprime ndaj kësaj”, u shpreh Ramadani. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Musliu: Putini do të përfundojë më keq se Millosheviçi

    Musliu: Putini do të përfundojë më keq se Millosheviçi

    Eksperti i sigurisë Agim Musliu, në emisionin DIREKT në ATV, tha se investimi serbo-rus është shumë i madh në veriun e Kosovës dhe në Ballkan në përgjithësi, për shkak se sipas tij, Rusisë i konvenon të ketë një vatër tjetër përveç asaj në Ukrainë për ta tërhequr vëmendjen e perëndimit.

    “Tash për tash situata është stabile, por sidomos në veriun e Kosovës është shumë e ndjeshme sepse e dimë që investimi serbo-rus është shumë i madh në veriun e Kosovës dhe në Ballkan në përgjithësi sepse i konvenon që të ketë një vatër tjetër përveç asaj në Ukrainë. Sipas diktatit të Putinit, i cili e komandon Vuçiqin si komandant taktik në Ballkan, për ta destabilizu Ballkanin kudo që të jetë, Bosnja Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, ku do që të jetë, ku do që të mundet të fus pykat e kontrollit për të tërhequr vëmendjen nga Ukraina, nga agresioni që po e humb vazhdimisht terrenin në Ukrainë, por edhe të angazhojë forca shtesë edhe të ballafaqohet Rusia dhe Serbia, apo NATO të ketë angazhim shestë në këtë pjesë të Ballkanit dhe të humbet fokusi disi në atë pjesë të Evropës”, tha Musliu.

    Ai tha se Putini shpejt do ta humb luftën dhe do të përfundojë më keq se Millosheviqi.

    “Me rëndësi jetike për Putinin që të zhvillojë këto dy operacione për shkak të taktikës së vete në shtetet në rrethim që i ka sepse edhe ato do të rebelohen sidomos nëse shumë shpejtë do të humb luftën, ato do të rebelohen dhe Rusia do të mbetet e vetme dhe Putini do të kalojë më keq se Millosheviqi”, tha Musliu. /atvlive.tv

    Emisionin e Plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti i njofton ambasadorët e akredituar në Kosovë me “agresionin” e Serbisë, kërkon dënim

    Kurti i njofton ambasadorët e akredituar në Kosovë me “agresionin” e Serbisë, kërkon dënim

    Kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendësin Besnik Bislimi, ftuan sot për një takim informues ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.

    Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, “temë qendrore e bisedës dhe diskutimit ishte situata e sigurisë në veri të vendit pas agresionit serb të djeshëm ndaj Republikës së Kosovës”.

    Kryeministri thuhet se njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt sot në mëngjes, dhe me masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë, si dhe ndau me ta dëshmitë që dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës.

    Kryeministri tha që ky akt është shkelje e kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi kërkesën e tij për reagim urgjent e dënues të faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij akti të agresionit ndaj Kosovës, teksa përsëriti po ashtu kërkesën e lirimit të menjëhershëm të tre policëve, familjet e të cilëve kryeministri Kurti i vizitoi sot.

  • Ende s’ka informacion për policët e arrestuar në Serbi

    Ende s’ka informacion për policët e arrestuar në Serbi

    Autoritetet në Serbi nuk kanë ofruar informacione lidhur me tre zyrtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët autoritetet e Kosovës besojnë se janë rrëmbyer nga Serbia, ndërsa Beogradi pretendon se ata janë arrestuar në territorin serb.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) për vendndodhjen e policëve të arrestuar, nëse ata janë intervistuar nga prokurori dhe për çfarë vepre penale akuzohen.

    REL-i i ka kontaktuar edhe prokuroritë në Rashkë, Kralevë dhe Beograd, lidhur me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.

    Autoritetet në Serbi kanë bërë të ditur të mërkurën se tre zyrtarë policorë të Kosovës janë arrestuar në zonën afër Rashkës, më shumë se një kilometër në thellësi të territorit të Serbisë.

    Rashka ndodhet në jugperëndim të Serbisë, afër pikëkalimit me Kosovën.

    Policia e Kosovës ka thënë se ata janë rrëmbyer gjatë një patrullimi në zonën Tresave – Bare, në komunën e Leposaviqit, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    REL-i ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Policinë e Kosovës.

    Për momentin, as këto institucione nuk kanë dhënë ndonjë informacion.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 15 qershor se autoritetet serbe u qasen në mënyrë të duhur policëve të Kosovës dhe nuk i keqtrajtojnë.

    Në një konferencë për shtyp, pas takimit me presideten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, Vuçiq ka thënë se të arrestuarit kanë deklaruar se “GPS-ja e tyre nuk ka funksionuar dhe kanë qenë në kërkim të kërpudhave”.

    Sipas tij, njëri ka deklaruar se nuk e ka ditur ku është saktësisht kufiri.

    Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar edhe faktorit ndërkombëtar që të dënojë veprimet e Serbisë, dhe ka thënë se është “i habitur nga heshtja e tyre”. /rel

  • ​Dhjetëra kamionë presin të hyjnë në Kosovë, Kurti: Morëm masa në vendkalimet me Serbinë

    ​Dhjetëra kamionë presin të hyjnë në Kosovë, Kurti: Morëm masa në vendkalimet me Serbinë

    Në vendkalimin kufitar në Merdare, dhjetëra maune me mallra serbe janë duke pritur në territorin e Serbisë për t’u futur në Kosovë.

    Disa transportues nga Serbia janë njoftuar se nuk u lejohet hyrja në Kosovë dhe janë ndalur afër pikës kufitare për të mos hyrë në Kosovë, raporton KosovaPress.

    Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar të enjten se nuk ka masa ekonomike – tregtare ndaj Serbisë, por sipas tij këto janë masa të sigurisë.

    Ndërsa, Nenad Nastasieviq vozitës i kamionit me targa të Serbisë ka thënë se është duke pritur në Merdare për të hyrë në Kosovë me mall nga Bullgaria.

    Ai ka treguar se disa kamionë nga Serbia nuk kanë pritur për të hyrë në territorin e Kosovës, por janë kthyer mbrapsht.

    “Janë rreth 20 kamionë duke pritur në parking, Qeveria e juaj nuk po lejon me kaluar megjithatë unë sjell mall nga Bullgaria dhe nuk kam diçka nga Serbia. Gati 6 orë jam duke pritur, ka pasur kamionë të cilët janë kthyer mbrapsht, por unë mendoj që të pres këtu”, ka thënë Nastasijeviq.

    Ndërsa, Esat Mehmeti shofer i një kompanie nga Kosova u shpreh se gjatë kalimit të kufirit ka kontrolle të rrepta nga ana e Policisë së Kosovës.

    “Në pjesën tjetër janë duke pritur rreth 200 kamionë me dalë në pjesën e Kosovës. Doganierët dhe policët po sillen keq. Vetëm me targa të Evropës, Zvicrës munden me kalua. Ka kontrolle të rrepta, po kontrollojnë në kabinë, të cilat janë provokime” tha Esat Mehmeti

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë, gjendja nuk është e zakonshme dhe e ka quajtur agresion nga Serbia.

    Për këta ai thekson se qeveria e Kosovës ka marrë masa të sigurisë në pikat kufitare me Serbinë.

    “Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë nuk janë masa ekonomike – tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia, nga njëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalimet kufitare. Prandaj, si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolle të shtuara deri në një vendim tjetër”, theksoi Kurti të enjten në mëngjes.

    Aktualisht Serbia po i mban tre zyrtarë policorë të Kosovës të cilët i ka rrëmbyer të mërkurën në veri.

    Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarët kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës derisa kanë qenë në detyrë, thellë brenda territorit të Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

  • Rohde: Dëmet shqetësuese të ekonomisë së Kosovës tashmë janë në horizont, duhet de-eskalim menjeherë

    Rohde: Dëmet shqetësuese të ekonomisë së Kosovës tashmë janë në horizont, duhet de-eskalim menjeherë

    Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka ripërsëritur thirrjen e Odës Ekonomike Gjermane për de-eskalim të menjëhershëm të situatës në veri të vendit.

    Rodhe në një reagim në twitter ka shkruar se dëmet shqetësuese të përspektivës ekonomike për Kosovën tashmë janë në horizont, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj përballë komunitetit të biznesit.

    “Dëmet shqetësuese për perspektivën ekonomike të Kosovës janë tashmë në horizont, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj edhe përballë komunitetit të biznesit. E ripërsërisim këtë thirrje nga Shoqata Gjermano-Kosovare e Bizneseve për deeskalim të menjëhershëm”, ka shkrua Rohde.

  • Klan Kosova ushtron kallëzim penal ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi

    Klan Kosova ushtron kallëzim penal ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi

    Klan Kosova është duke u bërë gati të inicojë kallzim penal ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi, për nxjerrjen e vendimi të kundërligjshëm për suspendimin e licencës biznesore të mediumit Klan Kosova.

    Vepra për të cilat pritet të ngarkohen ato, parashohin dënimin deri në 5 vjet burgim, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Për Hajdarin, ky bëhet kallëzimi i dytë penal, pas atij të parit, që ka të bëjë me mosdeklarimin e pasurisë në Agjencionin Antikorrupsion.

  • Aliu thotë se Vuçiq e pranoi se policët u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës

    Aliu thotë se Vuçiq e pranoi se policët u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, ka folur rreth kidnapimit të policëve gjatë ditës s djeshme nga njësia speciale e Serbisë.

    Ai tha se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar se rrëmbimi i policëve kosovarë u bë brenda vendit e jo në Serbi.

    “Ai deklaron se ata do të duhej të ishin të shoqëruar nga KFOR-in në atë zonë”, tha Aliu.

    I pari i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor deklaroi se ishte e qartë se policët ishin në territorin e Kosovës.

    “Është e qartë se në mandat të KFOR-it është territori i Republikës së Kosovës dhe pavarësisht se a do të duhej të ishin të shoqëruar apo jo nga forcat e KFOR-it, i bie se policët ishin në territor të Republikës së Kosovës në momentin e rrëmbimit”. tha Aliu.

  • Rama: Policët e rrëmbyer duhet të kthehen sa më parë në shtëpi

    Rama: Policët e rrëmbyer duhet të kthehen sa më parë në shtëpi

    Rama thotë se siç duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

    Sipas tij, pavarësisht pretendimeve të ndryshme, duhet që ata të kthehen sa më parë në shtëpi. Dhe për këtë shprehet se që prej dje qeveria shqiptare është fokusuar tek lirimi i tyre.

    “1.Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

    2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!

    3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre”, shkroi Rama në Twitter.

    Sipas kreut të qeverisë, nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe serbit të arrestuar në Mitrovicën e Veriut disa ditë më parë. Prandaj sipas tij, shtensionimi i situatës është prioritet i momentit.

    “4. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri!

    5. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë”, tha Rama.

  • ​Qytetari i liruar: Policët serbë na kanë thënë se arrestimi jonë është politik

    ​Qytetari i liruar: Policët serbë na kanë thënë se arrestimi jonë është politik

    Janë liruar katër qytetarët e Kosovës të cilët ishin arrestuar të martën nga autoritetet serbe në Merdare. Njëri prej tyre ka deklaruar se nga policia serbe u është thënë se ndalimi i tyre ka ndodhur për shkak të çështjeve politike që lidhen me situatën në veri të vendit.

    Dervish Maliqi ka thënë para gazetarëve se nga kufiri ishin marrë nga dy civilë dhe pastaj janë dërguar në Kurshumli.

    “Përpos këtyre dy civilëve që na kanë marrë këtu jo mirë, tjerët policë si në Kurshumli si në Prokuple na kanë trajtuar shumë mirë për shkak se edhe çuditeshin për këtë rast, dhe secili polic thoshte kjo është vetëm politikë. Akuza ka qenë, janë disa baraka këtu 200 metra më poshtë, kinse ato janë dëmtuar dhe të dyshuar kemi qenë ne, ne dy dhe dy shoferë të tjerë të kamionëve. Ata çka munden me bë është 48 orë mbajtje si i dyshuar, më shumë nuk patën fakte. Sipas Policisë, nuk ka pas të bëjë me baraka, kjo është vetëm politikë, për shkak të tensioneve në veri”, ka thënë ai.

    Ndërsa Esat Musolli ka treguar si ka ndodhur ngjarja të martën.

    “Ne kemi qenë duke shkuar për Gjermani dhe këtu në kufi te ne kaluam mirë, andej si kemi dalë na kanë ndaluar, na i morën dokumentet dhe mandej nuk kemi ditë asgjë veç kanë thonë parko xhipin andej dhe na kanë marrë na kanë shti në një xhip dhe na kanë çuar në Kurshumli. Aty kemi ndejt 2 orë, nuk kemi ditë asgjë njëherë, tani gjëja se e kemi bërë njëfarë dëmi këtu në vitin 2022 me 02.03, kemi bërë njëfarë dëmi këtu të kontejnerëve dhe për shkak të atyre jemi të akuzuar”, ka thënë ai.

    Pas kësaj, Maliqi u ka bërë thirrje mërgimtarëve që mos të shfrytëzojnë rrugën për Serbi për të shkuar në Europë.

    “Asgjë nuk na kanë thënë 3 orë deri në stacionin policor në Kurshumli. Civilët na kanë dorëzuar në stacion policor. Janë liruar edhe dy të tjerët…Do të vazhdojmë (për në Europë) ndoshta por nga rruga Mali i Zi – Kroaci, nuk kisha preferua njëherë me kalu këtë rrugë edhe mërgimtarët, sepse u akuzojnë pa bazë, çka munden me bë janë këto maltretimet dy ditore…Familjarët i kemi lajmëruar tinza derisa na i kanë marrë telefonat”, ka thënë ai.

    Aktualisht Serbia po i mban edhe tre policë të Kosovës të cilët i ka rrëmbyer të mërkurën.

    PK ka deklaruar se tre zyrtarët kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës derisa kanë qenë në detyrë, thellë brenda territorit të Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale./KP