ATV

Category: Lajme

  • Oda Amerikane për vendim ndaj Klanit: Shkel dispozitat ligjore, mesazh shqetësues për bizneset e investitorët

    Oda Amerikane për vendim ndaj Klanit: Shkel dispozitat ligjore, mesazh shqetësues për bizneset e investitorët

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova. Ky vendim jo vetëm që shkel dispozitat e Ligjit për Shoqëritë Tregtare por dërgon një mesazh shqetësues për komunitetin e biznesit dhe investitorët potencialë. Si përfaqësues të komunitetit të biznesit amerikan në Kosovë, ne besojmë fuqishëm në respektimin e parimeve të praktikave të drejta dhe transparente të biznesit, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të bizneseve që operojnë brenda vendit.

    Pezullimi arbitrar i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ngre shqetësime për stabilitetin dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në Kosovë. Veprime të tilla gërryejnë besimin e komunitetit të biznesit, si vendor ashtu edhe ndërkombëtar, dhe dekurajojnë investimet. Vendimi bie ndesh me parimet e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i cili synon të krijojë një mjedis të favorshëm për bizneset për të lulëzuar, kontribuar në ekonomi dhe për të krijuar mundësi punësimi.

    Ky vendim nxjerr në pah nevojën për një gjyqësor të pavarur dhe procedura transparente ligjore. Vendimi i Ministrisë për të pezulluar certifikatën pa arsyetimin e duhur ose pa një proces të rregullt ligjor cenon sundimin e ligjit. Është thelbësore që çështjet ligjore, si pezullimi i certifikatave të regjistrimit të biznesit, të trajtohen përmes proceseve të drejta dhe transparente, duke siguruar që bizneset të kenë mundësinë të mbrojnë interesat e tyre dhe të trajtojnë çdo shqetësim në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme.

    Po ashtu pezullimi i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ka implikime më të gjera për lirinë e mediave dhe mbrojtjen e pavarësisë së gazetarisë. Mediat luajnë një rol kritik në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe demokracisë. Çdo veprim që kufizon funksionimin e organizatave mediatike i minon këto parime dhe ngre shqetësime për gjendjen e lirisë së shtypit në Kosovë. Vendimi krijon një precedent shqetësues dhe mund të pengojë mediat e tjera të raportojnë lirisht dhe objektivisht.

    Në përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova. Respektimi i parimeve të Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe sigurimi i një mjedisi biznesi transparent dhe të parashikueshëm janë jetike për nxitjen e rritjes ekonomike dhe tërheqjen e investimeve. Për më tepër, ruajtja e lirisë së medias dhe promovimi i pavarësisë gazetareske janë thelbësore për një demokraci të qëndrueshme. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë që ta korrigjojë këtë situatë, të rikthejë besimin në komunitetin e biznesit dhe të riafirmojë përkushtimin e saj për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të bizneseve në Kosovë.

  • Kërcënoi prindërit me jetë, arrestohet një person në Pejë

    Kërcënoi prindërit me jetë, arrestohet një person në Pejë

    Një person është arrestuar dje në Pejë, pasi ka kërcënuar prindërit e tij me jetë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kanosur me jetë prindërit e tij kosovarë. I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.”, ka bërë të ditur Policia.

    Rasti i cilësuar si “Dhunë në familje” është duke u hetuar.

  • Britania e Madhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës

    Britania e Madhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës

    Britania e Madhe i kërkoi të premten Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar nga Serbia më 14 qershor.

    Një ditë ma parë edhe Shtetet e Bashkuara kërkuan lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës.

    Në një komunikatë të ministrisë së Jashtme britanike, thuhet se u bëhet thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet.

    “Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin (Albin) Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga zyra alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë e posaçme të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se “zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në ato zgjedhje”.

    Britania e Madhe pret që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe “në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në komunikatë.

    Shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, paralajmëroi të enjten se do t’i thërras Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës, në dritën e tensioneve të larta të cilat u shtuan pas arrestimit të policëve të Kosovës.

    Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës.

    Beogradi thotë se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.

    Tensionet janë të larta që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s, të cilat shtuan praninë e tyre në terren mes shqetësimeve për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.

  • ​Tre policët e rrëmbyer dalin para gjykatës në Kralevë të Serbisë

    ​Tre policët e rrëmbyer dalin para gjykatës në Kralevë të Serbisë

    Tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga njësitë speciale serbe, R.Z., B.S. dhe M.S. ndodhen në Kralevë të Serbisë, ku momentalisht po zhvillohet seanca e tyre para Prokurorit të Lartë Publik.

    Kështu ka bërë të ditur avokati serb, Çedomir Stojkoviq.

    “Pas kësaj, prokurori i lartë publik në Kralevë do të vendosë nëse do të propozojë paraburgim dhe më pas gjyqtari do të vendos nëse do të caktojë paraburgim prej 30 ditësh”, ka thënë ai.

    Siç ka thënë ai, e gjithë kjo duhet të vendoset deri në orën 12:30, kur skadojnë 48-orët e “ndalimit policor”.

    Tre policët shqiptarë janë rrëmbyer të mërkurën nga njësitë speciale ushtarake të Serbisë, teksa po patrullonin në territorin e Kosovës, gjegjësisht në zonën kufitare në Leposaviq.

  • Aksident trafiku në Prishtinë, lëndohen pesë persona

    Aksident trafiku në Prishtinë, lëndohen pesë persona

    Pesë persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku, i cili ka ndodhur herët në mëngjes në kryeqytet.

    Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, ka thënë se aksidenti ka ndodhur në kryqëzimin që lidhë rrugën “Nazim Gafurri” dhe rrugën “Haxhi Zeka”.

    “Sot rreth orës 06:30 në kryqëzimin që lidhë rrugën “Nazim Gafurri” dhe rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të një autobusi dhe një veture. Si pasojë e aksidentit pesë persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë ajo.

    Me rastin po merret njësiti i trafikut.

  • KMDLNj apelon që mërgata të shmangë rrugën nëpër Serbi

    KMDLNj apelon që mërgata të shmangë rrugën nëpër Serbi

    Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos udhëtojnë nëpër Serbi, derisa të qetësohet situata në veri të vendit.

    KMDLNJ nëpërmjet një reagimi ka theksuar se gjatë pushimeve mërgata shqiptare përballet me shumë probleme gjatë udhëtimit nëpër Serbi, duke filluar nga vjedhja e gjësendeve nga automobili, gjobat e larta dhe të shpifura nga policia serbe e deri te arrestimi i tyre.

    Për këtë çështje, në një lidhje direkte për emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV ka folur edhe Valentina Demolli nga KMDLNJ.

    “Në çdo rast te themi që në Kosovë situata e sigurisë apo ajo politike që gjithmonë lidhet me pakicat serbie, gjithmonë shteti i Serbisë, është ai që ngacmon që shfrytëzon këtë mundësi që të ndalojë dhe të maltretojnë qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër pikat kufitare me Serbinë dhe jo vetëm me kaq sepse ka raste kur ata arrestohen me ditë e ndoshta edhe me muaj. Prandaj për këtë arsye ne kemi apeluar që përderisa situata e sigurisë është më e ndjeshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, të mos kalojnë nëpër këto pika kufitare për arsye sepse mund të përballen me të gjitha këto situata”, tha ajo.

    Tutje ajo rekomandoi që mërgata të shfrytëzojë pikëkalimet kufitare, qoftë me Shqipëri, Mal të zi apo Maqedoni./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Tërmet në Greqi

    Tërmet në Greqi

    Një tërmet me magnitudë 4.0 Rihter ka goditur Greqinë rreth orës 01:00 të natës.

    Epiqendra e tërmetit ndodhet në zonën detare në jug-jugperëndim të ishullit të Kretës.

    Tërmeti kishte epiqendrën 60 kilometra në jug-jugperëndim të Paleochora, Chania, Kretë, ose 357 kilometra në jug të Athinës.

  • Von Cramon: Policët u kapën brenda Kosovës, arsye protestat në Beograd

    Von Cramon: Policët u kapën brenda Kosovës, arsye protestat në Beograd

    Raportuesja e Bashkimit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, është e para nga bashkësia ndërkombëtare që ka pranuar se tre zyrtarët policorë janë kapur nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

    BE dhe KFOR e kanë kualifikuar si “arrestim” kidnapimin e policëve dhe kanë thënë se po presin nga NATO mbledhjen e informacioneve. SHBA ka kërkuar lirimin e menjëhershëmdhe pa kushte të policëve.

    Në një reagim në Twitter që ka bërë mbrëmë, Cramon ka thënë se është është e paligjshme hyrja e forcave speciale të Serbisë në territorin e Kosovës dhe “lidhja e policëve si kriminelë lufte”.

    Zyrtarja evropiane ka thënë se në bazë të informacionit të qasshëm, zyrtarët policorë të Kosovës nuk kanë lëvizur makinat e tyre, por kanë ecur në këmbë në zonën kufitare me Serbinë.

    “Edhe nëse ky operacion i nënshtrohet ligjërisht një njoftimi, është e paligjshme që të hysh në territorin e Kosovës me forcat speciale të Serbisë dhe të lidhësh zyrtarët policorë si kriminelë lufte, dhe t’i dërgosh në Beograd”, ka shkruar ajo.

    Viola von Cramon është e bindur se protestat kombëtare që po zhvillohen në Beograd ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë arsyeja kryesore mbrapa rrëmbimit të policëve të Kosovës.

    Sipas saj, rrëmbimi u bë për të tërhequr vëmendjen nga revoltat e brendshme kundër Vuçiqit.

    Von Cramon ka thënë të enjten se Serbia, si vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, duhet të zbatojë sundimin e ligjit, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe t’i largojë sa më shpejt policët e arrestuar të Kosovës.

    “Çfarë bëjnë autokratët kur janë nën presion të brendshëm? Ata analizojnë rrugë për ta larguar vëmendjen prej problemeve të brendshme. Një shembull klasik duket se është incidenti i djeshëm në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”.

    Në Beograd është protestuar gjashtë herë në javët e fundit me thirrjet për dorëheqje të Vuçiqit.

  • ​Orban mbërrin në Tiranë, pritet me ceremoni shtetërore

    ​Orban mbërrin në Tiranë, pritet me ceremoni shtetërore

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti sot me një ceremoni shtetërore kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

    Në bulevardin pranë Kryeministrisë u zhvillua ceremonia e mirëseardhjes të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

    Pas ekzekutimit të himneve të Shqipërisë dhe Hungarisë, kryeministri Rama dhe homologu hungarez iu drejtuan selisë së Kryeministrisë për të zhvilluar takimin zyrtar.

    Në vijim, në orën 10:30 pritet nënshkrimi i marrëveshjeve mes dy vendeve.

    Konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit Edi Rama me homologun e tij hungarez do të mbahet në orën 10:40.

    Orban publikoi në rrjetet sociale foto lidhur me vizitën e tij zyrtare në vendin tonë duke shkruar: “Mbërritëm në Shqipëri, na presin negociata të rëndësishme”.

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes, arrestohet një burrë në Ferizaj

    Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes, arrestohet një burrë në Ferizaj

    Një person është arrestuar dje në Ferizaj, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.

    Policia njoftoi se ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

    “Ferizaj, 15.06.2023 – 15:43. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje./atvlive.tv/