ATV

Category: Lajme

  • Tri shpërthime rreth mesnatës në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, Policia jep detaje

    Tri shpërthime rreth mesnatës në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, Policia jep detaje

    Tri shpërthime kanë ndodhur rreth mesnatës në veri të vendit, saktësisht në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

    Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani ka thënë se shpërthimi i parë ka ndodhur në rrugë gjatë patrullimit të policisë, ku vetura e policisë është gjuajtur me gurë dhe dyshohet se është hedhur një shok-bombë.

    Shpërthimi tjetër, ka ndodhur në oborrin e stacionit të Policisë në Mitrovicë të Veriut, derisa edhe dy shpërthime të tjera të njëpasnjëshme kanë ndodhur në Zveçan, në afërsi të stacionit policor.

    Derisa nga këto shpërthime, nuk raportohet për ndonjë të lënduar.

    “Në intervalin kohor prej orës 23:30 deri në orën 01:30, kanë ndodhur tri shpërthime. Një ka ndodhur në rrugë gjatë patrullimit të policisë vetura e policisë është gjuajtur me gurë dhe dyshohet se është hedhur një shok bombë. Një ka ndodhur në stacion të Policisë në Mitrovicë të veriut, saktësisht në oborr. Shpërthimi tjetër, dy të njëpasnjëshme, kanë ndodhur në Zveçan, në afërsi të stacionit të policisë. Nuk ka të lënduar. Te rasti i parë, vetura është dëmtuar nga gjuajtja me gurë, e në dy rastet tjera s’kemi dëme”, ka thënë Elshani

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me reshje shiu.

    Temperaturën minimale do e mbajë Prishtina me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 19 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Prishtinë me 12 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Pejë 20 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot po ashtu me reshje shiu, derisa në disa zona do të ketë kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 12 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 25 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi, Escobar sot mban konferencë për media

    Zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi, Escobar sot mban konferencë për media

    I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, sot më 16 qershor, do të mbajë një konferencë online me gazetarë.

    Kjo konferencë pritet të mbahet nga ora 15:00.

    Escobar me gazetarët do të bisedojë rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi.

    Të mërkurën, Policia e Kosovës ka njoftuar se tre pjesëtarë të saj janë kidnapuar nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës.

    Policia në konferencë për media kishte prezantuar edhe një hartë nga vendi ku raportohet se u kidnapuan policët.

    Ndërsa, në anën tjetër, Serbia po pretendon se policët janë arrestuar në territorin e Serbisë, larg kufirit nga Kosova.

    Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

    “Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, ka thënë ai.Miller ka deklaruar gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja”.

  • Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban mbledhjen e radhës

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban mbledhjen e radhës

    Sot me fillim nga ora 13:00, do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend dite janë dhjetëra pika që kanë mbetur nga seancat e kaluara të Kuvendit, si dhe propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të re.

    Mbledhja e Kryesisë Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023, si ajo për votimin për emërimin e dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    Gjithashtu, pikë e rendit të ditës pritet të jetë edhe pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023, si ajo për votimin e Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    Kryesia e Kuvendit gjithashtu do të debatojë, shqyrtojë e votoj edhe shumë pika të tjera që kanë mbetur nga seancat e kaluara të Kuvendit.

  • Kryeministri Kurti merr pjesë në Forumin e Prespës

    Kryeministri Kurti merr pjesë në Forumin e Prespës

    Kryeministri Albin Kurti pritet që sot të marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog.

    Alsat raporton se ky informacion u është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilët u kanë thënë se Kurti e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

    Ky medium raporton se edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka deklaruar se me Kurtin sot do të bisedojnë për situatën në Kosovë dhe për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes, me qëllim qetësimin e situatës dhe garantimin e paqes në rajon.

    Kurti dje i bëri thirrje dje KFOR-it të ushtrojë trysni mbi Serbinë që t’i kthejë në Kosovë tre zyrtarët policorë që u rrëmbyen nga forcat serbe të mërkurën.

    Në një seancë të jashtëzakonshme në parlamentin e Kosovës, kryeministri tha se KFOR-i si ushtrues i funksionit të mbrojtjes duhet ta ndëshkojë këtë shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

    “KFOR-i pra nuk do të duhej të jetë i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues të cilin edhe e kishte mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur të përmbushte efektivisht”, tha kryeministri Kurti.

    Veprimet e Serbisë, tha ai, dëshmojnë për orientimin e udhëheqjes së Serbisë nga verilindja dhe jo nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

    “Ajo që kemi parë dje është hakmarrje në njërën anë, e agresion në anën tjetër. Krijimi i hakmarrjes si instrument ndaj veprimeve të sundimit të ligjit në Kosovë, është jo vetëm mendësi barbare, mesjetare por tregues i orientimit të udhëheqjes së Serbisë kah verilindja, nga despotët e verilindjes, e jo nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

  • Çështja “Klan Kosova”, KPM-ja vendos sot

    Çështja “Klan Kosova”, KPM-ja vendos sot

    Sot pritet të merret një vendim nga ana e Komisionit të Pavarur për Media lidhur me pezullimin e licencës së biznesit për Klan Kosovën.

    Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë që në mbledhjen e këtij komision mbrëmë është diskutuar çështja e Klan Kosovës, por deklaroi se qëndrimin e tij për këtë çështje do ta bëjë publik sot në një mbledhje tjetër.

    Shumë personalitete e gazetarë në Kosovë kanë shprehur përkrahjen e tyre për Klan Kosovën pas vendimit të MINT-it, të cilin e kanë dënuar edhe organizata vendore e ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të mediave.

  • Sot protestë në Shqipëri në mbështetje të Kosovës: Dje, sot, nesër, përjetë bashkë

    Sot protestë në Shqipëri në mbështetje të Kosovës: Dje, sot, nesër, përjetë bashkë

    “Dje, sot, nesër, përjetë bashkë”, është thirrja që po bëhet në rrjet drejtuar qytetarëve, për të dalë në protestë ditën e premte në orën 19:00 para kryeministrisë, për të protestuar në mbështetje të Kosovës.

    Kjo nismë është nxitur nga situata e krijuar së fundmi në Kosovë, si dhe nga deklarata e kryeministrit Edi Rama për anulimi i mbledhjes së dy qeverive.

    Kujtojmë që qëndrimet e kryeministrit Edi Rama si për propozimin për Asociacionin, por edhe deklarata e tij ku i bën thirrje kryeministrit Kurti që të tërheqë forcat policore nga veriu, nuk janë pritur mirë nga shumë qytetarë shqiptarë.

  • Lajçak thotë se ka informacione se ku po mbahen policët e kidnapuar

    Lajçak thotë se ka informacione se ku po mbahen policët e kidnapuar

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se kanë disa informacione ku po mbahen policët kosovarë.

    Tre policisë kosovarë të mërkurën u kidnapuan nga forcat serbe.

    Për këtë, Lajçak ka thënë se kanë kontakte me të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë.

    “Ne kemi më shumë nevojë të dimë se çfarë ka ndodhur Kemi disa informacione dhe jemi duke mbajtur kontakte me të dyja palët”, ka thënë shkurtimisht teksa shtoi se po presin që palët të paraqesin provat.
    Për këtë çështje ka pasur reagim edhe nga departamenti i shtetit, duke kërkuar që policët të lirohen pa kushte.

    Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se kjo çfarë ka bërë Serbia është rrëmbim.

    Institucionet e Kosovës nuk e dinë vendndodhjen e policëve kosovarë, të kidnapuar nga forcat serbe.

    Ndërkaq, KFOR’i ka deklaruar se nuk ka qenë i përfshirë në këtë rast, poqë kidnapimin nuk e ka njohur si të tillë duke e quajtur “arrestim”.

    Në të njëjtën formë e ka quajtur edhe Josep Borrell, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    Në anën tjetër, në Kosovë opozita po kërkon më shumë veprime nga pushteti që të ndihmojë në lirimin e policëve kosovarë.

    Për këtë rast, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka vizituar familjet e policëve të kidnapuar brenda territorit të Kosovës.

  • ​Kurti: Shefi i zyrës sonë në Beograd ka kërkuar për t’i vizituar tre policët e rrëmbyer

    ​Kurti: Shefi i zyrës sonë në Beograd ka kërkuar për t’i vizituar tre policët e rrëmbyer

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka kërkuar për t’i vizituar tre policët e arrestuar nga forcat serbe, mirëpo kërkesa e tij ende nuk është trajtuar, pasi ende nuk janë bërë 48 orë nga paraburgimi i tyre.

    Kurti, duke raportuar para deputetëve në Kuvend, tha se ambasadori Jetish Jashari ka kontaktuar edhe me misionin e BE-së në Beograd, ambasadorët e QUINT-it dhe organizatat për të drejtat e njeriut.

    “Ambasadori Jetish Jashari, i cili është shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka kontaktuar me misionin e BE-së atje dhe ambasadorët e QUINT-it dhe organizata për të drejtat e njeriut, po ashtu i është drejtuar me kërkesë edhe gjykatës për vizitë, por ajo ende nuk është trajtuar pasi nuk janë bërë 48 orë të qëndrimit nën arrest të policëve tanë. Deri 48 orë ndodhet brenda MPB-së dhe më pas del tek gjyqësori dhe Ministria e Drejtësisë”, tha ai.

    Ai foli edhe për situatën në veri të Kosovës dhe kërkesat e ndërkombëtarëve për deeskalim.

    Kurti përsëriti pesë pikeshin e tij për depërshkallëzimin e situatës në veri, derisa tha se kryetarët në veri do të largohen nga zyrat e tyre vetëm me zgjedhje të reja.

    “Ndërsa sa i përket kërkesave që na janë bërë neve nga Brukseli. Natyrisht se kur kërkohet largimi i kryetarëve të komunave nga zyrat e tyre, kjo bëhet pikërisht me zgjedhje të reja. Ne nuk jemi kundër largimit të tyre, por jemi kundër largimit pa zgjedhje. Pas zgjedhjeve të reja pas zgjedhjeve të reja lokale me siguri do të fitojnë kryetarët e tjerë. Nëse pjesëmarrja është e lartë, s’ka dyshim se do të jenë këta kryetarë, por disa të tjerë”, shtoi Kurti.

    Pas fjalimin të tij, Kurti lëshoi sallën plenare, siç tha për shkak të angazhimeve të tjera.

  • SHBA kërkon lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës

    SHBA kërkon lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

    “Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, tha ai.

    Miller tha gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja” .

    “Si pjesë e kësaj Kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë”, tha Miller.

    Zëdhënësi Miller tha se SHBA dënon “dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it, anëtarëve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve dhe përsa i takon rrugës më tej ne vazhdojmë të angazhohemi si drejtpërdrejt me të dyja palët, dhe me partnerët në rajon.”

    Ai tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, këshilltari Derek Chollet dhe zyrtarë të tjerë të DASH-it janë të angazhuar me partnerët në rajon për këtë çështje.

    Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit nuk pranoi të thoshte nëse SHBA po përgatit masa apo sanksione si kundërpërgjigje.

    “Nuk dua të flas për masa të mundshme në këtë moment. Fokusi ynë është që t’u bëjmë të qarta palëve pritshmëritë tona, që të dyja palët të marrin masa për të lehtësuar tensionet dhe të ndjekin planin me tre pika të paraqitur nga BE-ja”, tha ai.