ATV

Category: Lajme

  • A përfshihen edhe vizat në masat e BE-së ndaj Kosovës – përgjigjet Stano

    A përfshihen edhe vizat në masat e BE-së ndaj Kosovës – përgjigjet Stano

    Zëdhënësi i BE-së Peter Stano është pyetur nëse edhe liberalizimi i vizave për Kosovën përfshihet në masat e përgatitura ndaj Kosovës nga Bashkimi Europian.

    Ai tha se nuk hyn në detaje, por mohoi se ato masa nënkuptojnë sanksione apo masa kufizuese, por tha se janë të përkohshme dhe reagim i BE-së për mosmarrjen e veprimeve siç kërkon BE nga kryeministri Kurti për të qetësuar situatën në veri të vendit.

    “Nuk janë sanksione apo masa kufizuese. Ne nuk jemi duke i përdorur këto terme që nënkupojnë se masat që janë të bazuara në legjislacionin për të sanksionuar. Kjo s’po ndodh me Kosovën. Këto masa janë instrumente që po përdoren për të treguar që BE është serioze për shtensionim dhe reagim që shtensionimi s’po ndodh. Ne presim nga kryeministri Kurti që të implementojë hapat e nevojshëm për të shtensionuar situatën”.

    Sipas Stanos, këto masa përfshijnë pezullimin e vizitave zyrtare, komitetet, eventet e planifikuara, si dhe bashkëpunimi financiar me Kosovën.

  • ​Hajdari flet për pezullimin e certifikatës së biznesit për Klan Kosovën

    ​Hajdari flet për pezullimin e certifikatës së biznesit për Klan Kosovën

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka komentuar sot pezullimin e cerifikatës për televizionin “Klan Kosova”.

    Ajo ka thënë se këtë rast e kanë proceduar në organet e hetimit, meqë siç ka thënë ajo, mashtrimi është shumë i madh.

    Ministrja Hajdari ka deklaruar se pezullimi i certifikatës së biznesit ka ndodhur për shkak të dokumentacioneve me adresë të rreme.

    “Detyra e çdo zyrtari publik është të mbrojë Republikën e Kosovës, duke filluar nga emri zyrtar i saj. Dhe duhet ta keni parasysh se për këtë nuk ka kompromis. Më vjen keq që ka ndodhur në biznes që ushtron veprimtari të informimit publik, pra kjo e bën edhe më të rëndë. Por, siç e dini ARBK trajton vetëm rastin e kompanisë si biznes, çështjet e medias si të tillë trajtohen nga Komisioni Pavarur i Mediave dhe as MINT as qeveria, nuk hap media e as nuk mbyll media. Dhe për më shumë arsyen pse është pezulluar certifikata e biznesit është që të jemi të qartë edhe një herë se dokumentacioni me adresë të rreme, aq më keq me emërtim Gjakovë-Serbi dhe me emërtim Pejë-Serbi është veprim shumë i rëndë përpara ligjit, përpara Kushtetutës dhe aq më shumë mbi të gjitha është shumë e rëndë përpara vendit tonë, ëahtë shumë e papërgjegjshme kjo situatë”, ka thënë ajo.

    Ajo ka shtuar se këtë rast e kanë proceduar në organet e hetimit, sepse mashtrimi është i madh.

    “Në këtë rast e kemi proceduar në organet e hetimit, sepse mashtrimi është tepër i madh. Unë ftoj të gjithë të interesuarit të respektojnë republikën tonë, emërtimet e republikës tonë dhe vazhdojmë tutje së bashku”, ka shtuar Hajdari.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur ditën e djeshme që ka ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova” SHPK. Po ashtu, ka shtuar se ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, deri në një vendim tjetër.

  • Samarxhiq: Serbisë i duhet Kosova e pavarur për të dalë nga iluzionet dhe gabimet nga e kaluara

    Samarxhiq: Serbisë i duhet Kosova e pavarur për të dalë nga iluzionet dhe gabimet nga e kaluara

    Serbisë i duhet një Kosovë e pavarur për të dalë nga iluzionet dhe gabimet dhe krimet e së kaluarës dhe për të orientuar zhvillimin e saj në të ardhmen në përgjithësi, dhe nuk e shoh të mundur evropianizimin e Kosovës pa evropianizimin e Serbisë, thotë historiani Nikola Samarxhiq.

    “Në këtë kuptim, unë jam i mendimit se Beogradi dhe Prishtina duhet të ushtrohen presion për të përmbushur nevojën tonë të përgjithshme, që nënkupton një të ardhme të afërt në të cilën Bullgaria dhe Rumania do të hyjnë në zonën Shengen, një të ardhme të afërt që do të thotë, shpresoj, disfata e Rusisë në Ukrainë, dhe që përfshin nevojat tona më specifike që të hyjmë gjithashtu në zonën Shengen, që monedhat tona të jenë plotësisht të euroizuara, që të bëjmë biznes pa probleme, të lëvizim dhe të gëzojmë reciprokisht transformimin e kulturës”, thotë ai në një intervistë për Geopost.

    Profesori në Fakultetin Filozofik në Beograd, thekson se kjo tregon se Serbia nuk ka fuqi të mjaftueshme politike relevante dhe se ajo respekton jo vetëm realitetin në të cilin Mali i Zi dhe Kosova janë shtete të pavarura nga Beogradi, por edhe nevojën që Serbia të përcaktojë kufijtë e saj në mënyrë që ato të zhduken në zonën Shengen dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë në vend të një provizor jo të plotë që i përshtatet elementëve radikalë dhe kriminalë dhe Rusisë, dhe se statusi i paplotësimit të bëhet një gjë e së kaluarës për fqinjët e saj, për Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën.

    “Unë shoh gjithashtu lobim të rrezikshëm, nga Beogradi dhe Moska, dhe në Zagreb, në qarqet e së majtës socialiste, pranë patriarkut serb. Derisa t’i vendosen kufij të qartë, Vuçiq nuk do të tërhiqet nga ato synime, të cilat kanë qenë thelbi i politikës serbe në 120 vitet e fundit, të shkaktojë përkohshmëri, paqëndrueshmëri dhe fatkeqësi”, thotë Samarxhiq.

    Kur bëhet fjalë për “protestat kundër dhunës” në Beograd dhe potencialin e tyre për të çliruar forcat reale të ndryshimit në Serbi, profesori Samarxhiq thekson se protestat aktuale në fakt kanë lindur nga një revoltë kundër dy masakrave në Serbi, e cila është një tragjedi për të cilën asnjë shoqëri nuk është mjaftueshëm e përgatitur, por edhe për shkak të reagimeve joadekuate, shpesh çnjerëzore, të autoriteteve dhe të një pjese të madhe të publikut, referuar medias.

    “Këto protesta janë të drejtuara politikisht kundër burimeve më të rëndësishme të dhunës, përkatësisht mediave dhe atyre zyrtarëve shtetërorë më përgjegjës për inkurajimin dhe tolerimin e dhunës, përkatësisht ministrit të policisë (Bratislav Gashiq) dhe kreut të policisë sekrete dhe shërbimit sekret (Aleksandar Vulin)”.

    Samarxhiq thekson se ne po jetojmë në një kohë të dinamikave ekstreme të ndryshimit, kështu që pozita që kemi sot, ose përshtypja që na rrethon sot, mund të mos jetë më e vlefshme për të ardhmen.

    “Në këtë kuptim, shpresoj që ndryshimet me të cilat ballafaqohen evropianët në përgjithësi do të ndodhin gjithashtu – do t’i reduktoja në përballjen me trashëgiminë e populizmit dhe agresionit rus kundër Ukrainës si sfida me të cilat Europa do të duhet të përballet në secilin prej territoreve të saj dhe në secilën nga periferitë e saj, përfshirë Serbinë dhe Kosovën”.

    Sa i përket qëndrimit të Perëndimit ndaj Vuçiqit dhe Serbisë, ai thekson se Perëndimi ka filluar të reagojë shumë vonë ndaj problemeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    “Dhe derisa korrupsioni është politik, jo vetëm ekonomik, dhe po i referohem ndikimit rus dhe kinez, janë dy pika të rëndësishme të bastionit ekonomik të Vuçiqit – veriu i Kosovës dhe porti i Tivarit – nga ku transportohen substancat ilegale”.

    Dhe transferimi i substancave të paligjshme është një shpjegim për bumin ekonomik me të cilin, thotë ai, Vuçiq deri vonë ka bërë të lumtur klasën e mesme.

    “Në fakt, në muajin e fundit, ata që kanë qenë përfituesit e tranzicionit të tij, apo ata që nuk janë dëmtuar padrejtësisht në atë tranzicion, janë rebeluar kundër Vuçiqit, por Vuçiqin dhe Daçiqin i kanë përkrahur humbësit e tranzicionit, të cilët kanë premtuar që nga viti 2012 se kjo nuk do të ndodhë më, dhe ata janë ata që janë”.

    Samarxhiq beson se forcat e shtuara të KFOR-it në veri të Kosovës për momentin po kontribuojnë në ndarjen e Kosovës, duke kujtuar deklaratën e fundit të kryetarit të Listës Serbe, në të cilën ai shprehet i kënaqur me përforcimet e miratuara nga KFOR-i në kuptimin që ata respektojnë angazhimet e marra dhe se ai u beson atyre.

    Dhe jo vetëm me këtë rast, ne po vijmë edhe në situatën absurde që Perëndimi po e ndëshkon Kurtin dhe po lejon Vuçiqin dhe miqtë e tij në Bosnje dhe Mal të Zi, dhe gjithnjë e më shumë prej tyre në Zagreb, të bëjnë pothuajse gjithçka”, tha Samarxhiq.

    Kosova, thotë ai, është ende palë e dënuar në marrëdhëniet me BE-në, pasi liberalizimi i vizave ende nuk ka ndodhur.

    “Sanksioneve ndaj Kosovës do t’i shtoja edhe qëndrimin diskriminues të BE-së në përgjithësi ndaj myslimanëve të Ballkanit, të cilët kanë të drejtë të jenë evropianë po aq e më shumë se myslimanët në Gjermani apo Francë”.

  • Haradinaj takoi ambasadorin gjerman: Situata e krijuar është shqetësim i përbashkët

    Haradinaj takoi ambasadorin gjerman: Situata e krijuar është shqetësim i përbashkët

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ambasadorin gjerman, Jorn Rohde. Ata kanë biseduar për situatën aktuale në veri të vendit, për çka Haradinaj ka thënë se është shqetësim i përbashkët.

    Për takimin me ambasadorin gjerman, ka njoftuar Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook.

    “Ambasadorin Rohde e falënderova për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë në të gjitha etapat, përkrahje që po vazhdon edhe tani, në sfidat me të cilat po përballet vendi ynë. Është shqetësim i yni i përbashkët për situatën e krijuar në vend, ndërsa biseduam për mundësitë e daljes nga kjo gjendje dhe deeskalim të situatës ekzistuese”, ka shkruar Haradinaj.

    Të mërkurën, Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

  • Pas dy tentimesh Kuvendi e voton Projektligjin për minierat dhe mineralet

    Pas dy tentimesh Kuvendi e voton Projektligjin për minierat dhe mineralet

    Me 61 për, asnjë kundër e asnjë abstenim Kuvendi pas dy tentimesh e ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, raporton EO.

    Për gati 30 minuta deputetët kanë pritur që mazhornac t’i bëjë numrat e nevojshme për kalimin e këtij projektligji, i cili në votimin e parë ka marr vetëm 58 vota, që ishin të pamjaftueshëm për miratim.

  • Kusari-Lila: Para agresionit të Serbisë të gjithë duhet të jemi bashkë

    Kusari-Lila: Para agresionit të Serbisë të gjithë duhet të jemi bashkë

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar unitet mes spektrit politik në Kosovë, në raport me Serbinë.

    Në seancën e Kuvendit, Kusari-Lila ka thënë se para agresionit serb në Kosovë, me rastin e kidnapimit të tre zyrtarëve policorë, legjislativi duhet të përçojë mesazhin e unitetit.

    “Sot ky Kuvend me të drejtë e përçon mesazhin e unitetit dhe mesazhin se para agresionit të Serbisë të gjithë jemi bashkë, por mbi të gjitha jemi në krye të detyrës sonë si deputetë. Unë ndaj një mendim tjetër nga kolegët në raport me punën tonë sot. Po, pajtohem plotësisht dhe tashmë i kemi bërë ftesë kryeministrit që kur e ka kohen e përshtatshme të vijë dhe të diskutojmë temën me rëndësi të lartë për Kuvendin”, ka thënë ajo.

    Ajo ka përmendur edhe fjalimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të mbajtur dje në Parlamentin Evropian, derisa ka thënë se në të njëjtën ditë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ishte krah për krah me ambasadorin e Rusisë.

    “Dje presidentja e Kosovës mbajti fjalimin historik në Parlamentin Evropian, duke u thirrur në të gjitha vlerat ku secila parti që ka kaluar në këtë Kuvend ka përfaqësuar ndër vite, po ashtu duke e prezantuar Kosovën në ngjyra dhe mënyrën më të mirë të mundshme. Në të njëjtën ditë, presidenti i Serbisë është krah për krah me ambasadorin e Rusisë për të festuar ditën e Rusisë. Kjo është ndarja që Serbisë iu bë nga Rusia, gjithmonë në thonjëza”, ka deklaruar ajo.

  • Presidentja Osmani pritet në takim nga Duka i Madh i Luksemburgut

    Presidentja Osmani pritet në takim nga Duka i Madh i Luksemburgut

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Luksemburg është pritur në takim nga Lartmadhëria e tij, Duka i Madh i Luksemburgut Henri.

    Në takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.

    Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani ka falënderuar Dukën e Madh për mbështetje e vazhdueshme ndaj Kosovës.

    U diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, me ç`rast Presidentja Osmani rikonformoi përkushtimin e Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit.

    Në takim, Presidentja Osmani i ka bërë ftesë Dukës së Madh të Luksemburgut Henri për një vizitë në Kosovë në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

  • Kidnapimi i tre policëve, Tahiri: Shpërfillja e ndërkombëtarëve ka sjell në këtë situatë

    Kidnapimi i tre policëve, Tahiri: Shpërfillja e ndërkombëtarëve ka sjell në këtë situatë

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se veprimet e tij në veri dhe sipas tij shpërfillja e ndërkombëtarëve ka sjell në këtë situatë, ku kidnapohen tre policë të Kosovës, brenda territorit të vendit.

    Tahiri, në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se reagimi i ndërkombëtarëve për këtë rast ishte i butë për shkak të pabesisë së Qeverisë ndaj tyre.

    “Ajo që duhet të thuhet sot këtu është se veprimet amatoreske në veri të Kosovës dhe shpërfillja e ndërkombëtarëve ka sjellë në përshkallëzim të situatës dhe jemi në kërcënim të sanksioneve të një vendi i cili është më properëndimor dhe proamerikan. Reagimi me vonesë i kryeministrit në çdo situatë të krijuar u pa si një pabesi e qeverisë ndaj partnerëve dhe rrjedhimisht reagimi i tyre ishte i butë”, ka thënë Tahiri.

    Ai ka theksuar nevojën për bashkërendim me faktorin ndërkombëtar në lidhje me de-përshkallzimin e situatës në veri.

    “Edhe nëse Qeveria harron, populli nuk harron. Kjo porosi që e kemi vendosur është për SHBA-në, NATO-n dhe BE-në. Po shihini të nderuar deputetë ku jemi sot, dje kemi thënë se po marrim veprime sovrane, ndërsa sot pas mbledhjes së (Këshillit të Sigurimit, kryeministri flet për nevojën për koordinim dhe habitet pse po rri në heshtje faktori ndërkombëtar. A po e shihni se sa zgjat qëndrueshmëria e qeverisë në raport me një sitautë tepër të rëndë. Andaj nga faktori ndërkombëtar, veçmas ShBA-ja kërkojmë që të bëjë presionin e duhur dhe të lirojë menjëherë tre policët që janë kidnapuar”, ka thënë ai.

    Të mërkurën, Policia e Kosovës, ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

  • Lirohen dy personat që u arrestuan në Merdarë nga Policia e Serbisë

    Lirohen dy personat që u arrestuan në Merdarë nga Policia e Serbisë

    Janë liruar dy personat, Dervish Maliqi dhe Esat Muqolli të arrestuar nga autoritetet serbe në kufirin Kosovë-Serbi, saktësisht në Merdarë, në pjesën e Serbisë.

    Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar familjari i tyre, Labinot Maliqi.

    Ai tha se ata akuzoheshin kinse në vitin 2020 e kanë goditur një kontejnerë të mbeturinave.

    “I kanë liru sot. Ata akuzoheshin se kinse në vitin 2020 e kanë rrok një kontejnerë të bërllokut”, tha ai.

    Maliqi tregoi se aktualisht janë duke u kthyer për në Kosovë bashkë me vëllanë dhe dhëndrin dhe se të dy janë shumë mirë me shëndet.

    Ndryshe, ata janë arrestuar të martën nga autoritetet serbe në kufirin Kosovë-Serbi, saktësisht në Merdarë.

  • Gashi: Kurti të raportojë para Kuvendit

    Gashi: Kurti të raportojë para Kuvendit

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi kërkoi sot nga kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvend, në lidhje me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.

    Gashi, në seancën e sotme plenare të Kuvendit, tha se kidnapimi i tre zyrtarëve policor brenda territorit të vendit është agresion luftënxitës i Serbisë.

    “Në emër të LDK e dënojmë fuqishëm agresionin luftënxitës të Serbisë, duke kidnapuar tre zyrtarë policorë kufitarë, brenda territorit të Kosovës. Ky është një veprim agresioni, i dënueshëm politikisht dhe ndërkombëtarësh dhe një veprim, i cili në asnjë rrethanë nuk duhet të përsëritet. Në emër të LDK-së kërkoj nga Qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë që të bëjnë të pamundurën që në një kohë sa më të shkurt të bëhet kthimi i zyrtarëve policor dhe merrja e veprimeve të tjera të duhura”, tha ai.

    Krahas kësaj, shefi i deputetëve të LDK-së u shpreh se Kurti duhet urgjentisht të raportojë para Kuvendit në lidhje me qëndrimet për masat sanksionuese për Kosovën nga ShBA dhe BE.

    “Po ashtu, kërkoj që kryeministri të vjen në një seancë raportuese para Kuvendit të Kosovës. Të raportojë për situatën në veri, gjendjen e zyrtarëve policor për aq sa ka informacion, për veprimet dhe masat që janë marrë. Për arsyeshmërinë e masave dhe veprimeve, po ashtu të jemi të gatshëm të marrin masa dhe veprime nga Kuvendi në lidhje me këtë çështje. Si pjesë e dytë të raportimit, ne kërkojmë që kryeministri t’i raportojë Kuvendit mbi raportet me ShBA-në dhe vendet e BE-së, pasi kemi pa qëndrime zyrtare të ShBA-së dhe përfaqësuesit të BE-së në lidhje me masat sanksionuese për institucionet e Kosovës. Kjo është një ngjarje shumë shqetësuese dhe nëse ndodh është e patejkalueshme për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

    Policia e Kosovës ka deklaruar dje (14 qershor) se tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.