ATV

Category: Lajme

  • 15 të vdekur nga përplasja e kamionit me një autobus në Kanada

    15 të vdekur nga përplasja e kamionit me një autobus në Kanada

    Të paktën 15 persona vdiqën pasi një kamion u aksidentua të enjten me një autobus që transportonte qytetarë të moshuar, në një pjesë rurale të provincës Manitoba të Kanadasë.

    Autobusi ishte nisur në jug në autostradën 5 drejt një kazinoje pranë qytetit të Carberry, ndërsa gjysmërimorkio ishte drejtuar në lindje në autostradën 1, tha në një konferencë shtypi oficeri i Policisë, Rob Lasson, shkruan CNN, përcjell KP.

    Kamioni gjysmërimorkio goditi autobusin në kryqëzimin e dy autostradave në veri të Carberry, afërsisht 170 kilometra (105 milje) në perëndim të Winnipeg-ut.

    Përveç 15 të vdekurve, 10 të tjerë u dërguan në spital, thanë autoritetet.

    Të lënduarit që po trajtohen përfshijnë drejtuesit e gjysmërimorkios dhe autobusit.

    Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau u shprehu ngushëllime familjeve të të vdekurve.

  • ​Një femër bie nga Ura e Fshajt në lumin Drin i Bardhë

    ​Një femër bie nga Ura e Fshajt në lumin Drin i Bardhë

    Një femër e moshës madhore ka rënë nga Ura e Fshajt në lumin Drini i Bardhë në Gjakovë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm (e premte) ndërsa rasti është konfirmuar nga policia në Gjakovë.

    Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë, Sheremet Elezi, deklaroi për KosovaPress se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet për gjetjen e femrës, pavarësisht rrjedhës së madhe të ujit.

    “Rreth orës 10:00 kemi pranuar informatë se një person (femër e moshës madhore) ka rënë nga ura e Fshajt në lumin Drini i Bardhë. Të gjitha njësitet e nevojshme policore dhe zjarrfikësit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Njësia për Kërkim Shpëtim. Në këto momente, edhe përkundër rrjedhës së madhe të ujit në lumë, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për gjetjen e viktimës”, tha Elezaj.

    Reshjet e fundit të shiut kanë bërë që niveli i Drinit të Bardhë të rritet e gjithashtu të jetë edhe më i rrëmbyeshëm se zakonisht.

  • Kurti takohet me Ali Ahmetin në Forumin e Prespës

    Kurti takohet me Ali Ahmetin në Forumin e Prespës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Forumin e Prespës në Strugë të Maqedonisë se Veriut.

    Në kuadër të këtij Forumi, kryeministri Kurti ka takuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në vend, pas agresionit serb ndaj Kosovës, me rastin e rrëmbimin të tre policëve kosovarë të mërkurën brenda territorit të Kosovës, ku kryeministri kërkoi dënimin e këtij akti të agresionit.

    Në takim u diskutua edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në kuptim të zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe të deeskalimit të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.

    Njëkohësisht u fol edhe për marrëdhëniet bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, zhvillimin e infrastrukturës, me theks të veçantë për rëndësinë dhe statusin e projektit të rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën dhe për bashkëpunimin e komunave rreth malit Sharr.

    Kryeministri Kurti shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja ndërkaq nga ana e tij, kryetari Ahmeti shoqërohej nga Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

  • Lajçak: Duhet të kapërcejmë të kaluarën, të kërkojmë dialog

    Lajçak: Duhet të kapërcejmë të kaluarën, të kërkojmë dialog

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Forumin e Prespës tha se kanë folur për komponentët për pajtimin në Ballkanin Perëndimor.

    Ai shtoi se duhet të kapërcehet e kaluara dhe duhet fokusim në dialog.

    “Në Forumin e Prespës ne diskutuam komponentët për pajtimin në Ballkanin Perëndimor. Theksova se duhet të kapërcejmë të kaluarën e trashëguar, të kërkojmë dialog, të fokusohemi në të ardhmen e përbashkët europiane, të jemi të guximshëm dhe të kemi një vizion për të gjithë rajonin”, ka thënë Lajçak.

  • Kamionët me mallra serbe as sot nuk lejohen të hyjnë në Kosovë

    Kamionët me mallra serbe as sot nuk lejohen të hyjnë në Kosovë

    Asnjë kamion me mallra me origjinë nga Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, që kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes se kamionëve me produkte dhe targa serbe në Kosovë dy ditë më parë.

    “Nuk kemi pasur asnjë hyrje, është duke u zbatuar masa e sigurisë për ndalimin e hyrjes”, tha zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci.

    Qeveria e Kosovës, më 14 qershor, ka marrë vendim për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.

    Ky vendim është marrë pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e saj. Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

    Më 15 qershor, dhjetëra kamionë me targa të Serbisë dhe me të Kosovës, u panë të parkuar në anën serbe të kufirit në Merdare, pasi nuk u lanë të futen në Kosovë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se institucionet e sigurisë e kanë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, në përgjigje të situatës së krijuar pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.

    Kryeministri Kurti mohoi të ketë ndalim të hyrjes së mallrave nga Serbia duke theksuar se masat “nuk janë ekonomike apo tregtare, por janë masa të sigurisë”.

    Serbia është një ndër pesë shtetet që eksporton më së shumti në Kosovë.

    Para vendimit të ekzekutivit, brenda një dite ky shtet eksporton mallra në vlerë prej një milion euro.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar në tregun vendor kanë hyrë mallra në vlerë prej 372 milionë euro, derisa Kosova ka shitur në Serbi produkte në vlerë prej rreth 62 milionë euro./REL/

  • ​Mashtroi një kompani në Francë, i sekuestrohet vetura në Vushtrri

    ​Mashtroi një kompani në Francë, i sekuestrohet vetura në Vushtrri

    Policia e Kosovës ka arritur të lokalizojë dhe të sekuestrojë veturën, e cila vite më parë nga një kompani e Francës, iu ishte dhënë me qira të dyshuarit mashkull kosovar, për të cilën veturë i dyshuari nuk kishte kryer obligimet.

    Sekuestrimi i veturës ka ndodhur dje pasdite në Vushtrri. Ndërkohë, rasti është duke u hetuar.

  • Begaj në Forumin e Prespës për dialog: Askush s’mund të verë në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës

    Begaj në Forumin e Prespës për dialog: Askush s’mund të verë në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës

    Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm, sovraniteti dhe integriteti territorial i së cilës nuk mund të vihet në pikëpyetje nga askush, tha presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.

    Në adresimin e tij në Forumin e Prespës, presidenti shqiptar foli për nevojën për kompromis dhe njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si kontribut për stabilitetin në rajon.

    Ndërsa, duke iu referuar marrëveshjes së Prespës, Presidenti Begaj, nënvizoi se është koha e duhur që liderët e Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin përgjegjësitë historike, për ta çuar përpara procesin e pajtimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis tyre.

    Presidenti Begaj, vlerësoi gjithashtu edhe zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe influencën e tyre në proceset demokratizuese, duke nënvizuar, se nga historia kemi mësuar se demokracia nuk është e pakthyeshme dhe tolerimi apo mosveprimi i menjëhershëm e i koordinuar në mbrojtje të institucioneve dhe vlerave demokratike e bën kalimin nga demokracia në autokraci thjesht çështje kohe.

    Në mbyllje të fjalës, Presidenti Begaj bëri thirrje për përcjelljen e një mesazhi të përbashkët të liderave nga ky forum, duke nënvizuar, se pavarësisht situatave gjeopolitike, e ardhmja e rajonit do të jetë në familjen evropiane dhe euroatlantike.

  • Sherifi: Kurti po bën driblime në politikë

    Sherifi: Kurti po bën driblime në politikë

    Sekretari i NISMA-s Socialdemokrate, Bilal Sherifi, në një intervistë për ATV-në, tha se kryeministri Kurti është duke bërë “driblim” në politikë për të fituar pak kohë, por sipas tij, me këtë nuk fitohen betejat politike.

    “I kam analizuar 5 pikat e kryeministrit. Këtu është problemi i tij që sa herë të vihet në pozicione të vështira, nxjerrë pika dhe kalon një periudhë, i harron pikat. Ju kujtohen ato 6 pikat e shkurtit, kur të gjithë në Kuvend i duartrokitën… i harroi. tash, ende pa u tharë ngjyra mirë e atyre 6 pikave, nxori pesë pika tjera. Këto quhen driblingje në politikë. Nuk fitohen betejat duke driblu, sepse krejt çka ke bërë, krejt çka ke arritë është që të fitosh pak kohë, amo problemi është në tavolinë. Përpjekjet e Kurtit janë vetëm duke i dhënë pak më shumë kohë, hapësirë për të manovruar, por nuk janë duke ia zgjidhur problemin”, tha Sherifi. /atvlive.tv

  • ​Protestuesit tentojnë të hyjnë me dhunë në komunë

    ​Protestuesit tentojnë të hyjnë me dhunë në komunë

    Protestuesit në Leposaviq kanë tentuar para gjysmë ore të hyjnë me dhunë në ndërtesën e komunës, por nuk janë lejuar nga ushtarët e KFOR-it.

    Ata pasi kanë kuptuar se në ndërtesë ndodhet ministri për Komunitete, Elbert Krasniqi dhe se duhet të hyjë brenda edhe nënkryetarja e kësaj komune, Dragana Miletiq, janë organizuar dhe kanë kaluar kordonin e ushtarëve hungarezë, mirëpo, janë ndaluar nga ushtarët tjerë të cilët ndodhen në hyrje të ndërtesës.

    Deri tani nuk është shënuar ndonjë incident, por situate mbetet nën tension.

  • Për 24 orë 63 aktakuza kundër 77 personave

    Për 24 orë 63 aktakuza kundër 77 personave

    Prokuroria e Shtetit njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 63 aktakuza kundër 77 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar gjashtëmbëdhjetë (16) persona dhe janë paraqitur nëntë (9) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë (10) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar shtatë (7) persona, ka paraqitur tri (3) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër (4) personave, si dhe ka ngritur njëzetepesë (25) aktakuza kundër tridhjetekatër (34) personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar një (1) person të dyshuar, si dhe ka ngritur tri (3) aktakuza kundër tre (3) personave, për vepra të ndryshme penale. 

    Prokuroria Themelore në Pejë gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar për vepra penale, ka parashtruar tri (3) kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit ndaj tre (3) personave dhe ka ngritur pesë (5) aktakuza kundër shtatë (7) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar tre (3) persona, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi dhe ka ngritur njëmbëdhjetë (11) aktakuza kundër dymbëdhjetë (12) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orësh, ka paraqiturnjë (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një (1) personi dhe ka ngritur një (1) aktakuzë ndaj një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndalur një (1) person dhe ka ngritur shtatë (7) aktakuza kundër shtatë (7) personave për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi, si dhe ka ngritur njëmbëdhjetë (11) aktakuza kundër trembëdhjetë (13) personave, për vepra të ndryshme penale.