ATV

Category: Lajme

  • “Tollovi” në ambulancat Specialistike të QKUK-së

    “Tollovi” në ambulancat Specialistike të QKUK-së

    Pacientët që dëshirojnë të kryejnë kontrolle më të thella në QKUK, fillimisht duhet t’u drejtohen ambulancave specialistike për termine. Si rrjedhojë kjo po shkakton tollovi.

    Fatmire Sadriaj nga Prishtina, e cila kishte ardhur për të caktuar një kontroll për nënën e saj, tha se për të pestën herë me radhë nuk u mor parasysh nga stafi mjekësor.

    “Me të gjitha letrat që i pata rend për disa muaj me ardhë që vij këtu është e njëjta gjendje, edhe sot na neglizhuan”, tha vajza e pacientes, Fatmire Sadriaj.

    Pacientët thonë se shpesh terminet edhe nuk respektohen, derisa ankohen edhe për numër të vogël të stafit që punon aty.

    “Shumë herë po shkon edhe me njoftësi, e na me dokumente po mbesim duke pritur”, tha ajo.

    Ndërkohë, lidhur me këtë situatë, Drejtoria e ShSKUK-së nëpërmes një përgjigje me shkrim, i ka thënë ATV-së se kërkesat për të marrë shërbime mjekësore janë të mëdha.

    “Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si qendra e vetme terciare në vend, është e mbingarkuar sa u përket kërkesave për të marrë shërbime ambulantore specialistike mjekësore, dhe jo për nga numri i vogël i stafit. Në të gjitha ambulancat specialistike, përjashtuar ato të Klinikës së Ortopedisë, vizitat kryhen me termine, për shkak të specifikave. Në ambulancat e ortopedisë merret shërbim i rregullt në baza ditore dhe ka listë (histori) të pacientit, sikur në të gjitha ambulancat e tjera”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK.

    Ambulancat specialistike kanë ofruar mundësinë që terminet të caktohen edhe përmes telefonit, por, sipas pacientëve, kjo metodë nuk ka qenë efikase. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Shtyllat e vjetruara elektrike, rrezik për banorët e “Vranjevcit”

    Shtyllat e vjetruara elektrike, rrezik për banorët e “Vranjevcit”

    Këto shtylla elektrike, të vendosura përgjatë rrugës në Vranjevc, janë gati për t’u rrëzuar.

    Tash e një kohë, ato janë kthyer në rrezik për nxënësit që ndjekin mësimin në shkollën “Zenel Hajdini”.

    Banorët e lagjes kritikojnë institucionet se nuk po ndërmarrin asnjë hap për rregullimin e tyre.

    “Është shumë shqetësuese, shkolla është afër. Institucionet me ndërmarrë masa, kjo gjendje është që nga paralufta”, tha Agim Abazi, banor.

    “Këtu kalojnë nxënësit, është shumë rrezik. Duhet që institucionet t’i largojnë këto rreziqe”, tha Hamide Sinanaj, banore.

    Megjithatë, KEDS-i në një përgjigje me shkrim i ka thënë ATV-së, se po presin që Komuna e Prishtinës t’i largojë kabllot e ndriçimit nga këto shtylla elektrike.

    “U kemi dhënë edhe pak kohë operatorëve kabllorë e të internetit, si dhe komunës që të bëjë zhvendosjen e kabllove të saj, respektivisht ndriçimit, në mënyrë që pastaj të bëjmë eliminimin e shtyllave të vjetra”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.

    Për këtë është në dijeni edhe Komuna e Prishtinës.

    “Ne si komunë vendosim ndriçim në shtylla që investon KEDS-i. Jemi në koordinim me ata, por për shkak se Komuna e ka në plan vendosjen e ndriçimit në shtylla, pas investimit tonë, atëherë KEDS-i do t’i largojë shtyllat ekzistuese të drurit”, tha Bashkim Sadiku, zyrtar në drejtorinë e shërbimeve publike në Komunën e Prishtinës.

    Ndryshe, KEDS-i tash e disa vite është duke bërë zëvendësim të shtyllave të vjetra, me shtylla betoni. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Nisin punimet për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes në Obiliq

    Nisin punimet për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes në Obiliq

    Qytetarët e Obiliqit, nga ky vit nuk do të kenë nevojë që të mendojnë për sigurimin e lëndëve djegëse për t’u ngrohur.

    Komuna e Obiliqit nga një projekt i vetëfinancuar do ta shtrijë rrjetin e ngrohjes në gjithë qytetin.

    Komuna jonë në vitin e kaluar ka nënshkruar kontratë trevjeçare në vlerë prej 11,849.65 eurosh. Në këtë kontratë do të instalohen rreth 27.5 km gyp të paraizoluar të dimensioneve të ndryshme. Ky projekt është investim direkt i komunës së Obiliqit. Projekti në përgjithësi që të funksionalizohet do t’i ketë edhe fazat e tjera ku vlera totale për tri fazat do të jetë rreth 39 milionë euro”, tha drejtori i Urbanizmit në Komunën e Obiliqit, Fatmir Bërbatovci.

    Zbatimin e projektit po e mirëpresin edhe qytetarët.

    “Është më lehtë për neve, ma mirë me u ngroh me nxemje qendrore. Dimrit jemi ngrohë me dru, me rrymë, e me ngrohje është ma lirë”, thotë një qytetar.

    “Është një gjë shumë e mirë, se më herët jemi ngrohë me dru, rrymë e me çka kemi mujt”, tha një qytetar tjetër.

    Të tjerë mendojnë se kjo do ta rritë edhe cilësinë e ajrit.

    “Kjo është shpëtim, me qymyr, me dru, me tonat, ide shumë e mirë se krejt këtë avull pse me harxhu palidhje, pse mos me ja dhanë 500 euro shtetit n’vend që me ble dru. Ajri ka me kanë ma i pastër se nuk djegim qymyr”, tha një qytetar.

    Ndërkaq, komuna e Obiliqit qëkur e ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik, e deri më tani, ka realizuar rreth 20% të punimeve të parapara në fazën e parë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Përmbytjet e janarit, qytetarët në pritje të kompensimit të dëmeve

    Përmbytjet e janarit, qytetarët në pritje të kompensimit të dëmeve

    Kanë kaluar 6 muaj prej kur përmbytjet i shkatërruan gjithçka Shefik Mehmetit nga Mitrovica.

    Ani pse komuna i premtoi se dëmi do t’i kompensohet, një gjë të tillë është duke e pritur ende, edhe pse dokumentacionet e nevojshme i kishte dërguar muaj më parë.

    “E kam dërguar gjithë dokumentacionin e nevojshëm në komunë. Kanë ardhë e kanë bërë vlerësimin e dëmeve, mirëpo ende nuk ka asnjë kompensim, jemi në pritje. Situatë e tillë pritet me ndodhë prapë fatkeqësisht, edhe pse portat e liqenit janë po nuk po dinë mi shfrytëzu për me i parandalu vërshimet”, tha Shefik Mehmeti, banor i Mitrovicës.

    Me vërshime gati si të janarit është përballur ditë më parë, Arben Haziri nga Drenasi.

    “……më janë shkatërruar 50 ha tokë me të mbjella, vlerësimet e dëmeve i kanë bërë, mirëpo deri tash s’ka asnjë kompensim”, tha Arben Haziri, banor i Drenasit.

    Por pritjeve të tyre nuk dihet se kur do t’iu vijë fundi, sepse sipas drejtorit të Shërbimeve Publike në Drenas, Nexhmedin Gruda, procesi ka ngecur te Qeveria.

    “Më 22 maj ne iu kemi dërguar letër me shkrim MAPL-së edhe për vërshimet e janarit edhe për tash, sepse qytetarët po vazhdojnë me i kërku kompensimet, por ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, por të shohim tash edhe me vërshimet e tjera si do të rrjedhë situata”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Drenas, Nexhmedin Gruda.

    Ndryshe, lidhur me këtë situatë, Ministria e Financave nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Kompensim të dëmeve presin edhe në Klinë, Istog e Skenderaj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dëmtohen varrezat e dëshmorëve në Fushë Kosovë

    Dëmtohen varrezat e dëshmorëve në Fushë Kosovë

    Uji i grumbulluar, nga reshjet e mëdha të shiut, në varrezat e dëshmorëve, në lagjen Nakaradë, në Fushë Kosovë është larguar tashmë, por dëmet që lanë janë të mëdha. Pllakat e mermerit ku janë të vendosura emrat dhe mbiemrat e dëshmoreve kanë përfunduar jashtë varreve.

    Por jo rrallë herë varrezat e dëshmorëve në këtë lagje ndodh të përmbyten nga uji. Sipas banorëve një gjendje të njëjtë përfundojnë, sa herë që ka reshje të shiut.

    “Sa herë ka reshje të shiut, gjithë bohet kështu, shkaku I një kanalizimi e me të veç balta. Veç toka kur te pinë ujin uji largohet, por kështu s’vijnë kurrë me I këqyr”, tha Alor Tafi, banor.

    Përveç kësaj sipas tij, komuna kujdeset për varrezat vetëm kur afron data e përvjetorit të dëshmorëve.

    Edhe pse nuk pranuan të flasin para kamerave, familjarë të dëshmorëve shprehën pakënaqësinë e tyre me mungesën e intervenimit dhe reagimit të organeve komunale, të cilat sot ishin të pa qasshme për ATV-në. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kriminelët serbë po lartësohen në Serbi, shkollat e rrugët po emërohen me emra të kriminelëve

    Kriminelët serbë po lartësohen në Serbi, shkollat e rrugët po emërohen me emra të kriminelëve

    Nebojsha Pavkovic, ish gjeneral i Ushtrisë Jugosllave, i dënuar me për krime lufte në Hagë, ka mbajtur në një shkollë fillore në një fshat të vogël në Vojvodinë, para dy muajve. Kjo ngjarje ka provokuar reagim të nismave rajonale për të drejtat e njeriut.

    “Ai me 20 prill të këtij viti në një shkollë në Kaç është thirrur për një ligjëratë, ku është glorifikuar dhe cilësuar si hero. Në këtë ligjëratë është mbajtur me emrin “Koshare, me tregime të heronjve”. Në atë ligjëratë, në atë sallë të asaj shkolle ka pasur edhe shumë nxënës, të ri e të reja edhe gjithashtu ka qenë edhe kryetari i Komunës së Novi Sadit. Zyra në Serbi e ka cilësuar këtë gjest si skandaloz, sepse edhe prezenca e kryetarit të Novi Sadit është alarm për shoqërinë, pasi që ai me atë akt e ka mbështetur Nebojsha Pavkoviqin dhe prezencën e atij aty”, tha Bjeshkë Guri nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

    Komisioni Evropian përmes një non-paper, i cili përfshin përmbushjet e kritereve nga Serbia për kapituj 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim, ka theksuar se Serbia po vazhdon lartësimin e kriminelëve të dënuar të luftës, të cilëve po u jepet hapësirë në sferat politike e publike.

    Profesori universitar, Rrahman Paçarizi, thotë se Serbia ka tendencë t’i lartësojë kriminelët e luftës.

    “Tendenca në Serbi për t’i lartësuar kriminelët e luftës, për t’u vënë rrugëve e shkollave emrat e kriminelëve të luftës, tregon që kjo shoqëri nuk është vetëdijesuar ende nga krimet që i ka kryer në të gjithë ish-Jugosllavinë, e pastaj në Kosovë, por përkundrazi janë të bindur se kanë bërë punë të mira. Kjo shoqëri nuk ka arritur të çlirohet nga ideja e përgjithshme e krimit dhe gjenocidit, nga ideja e zbrazët e madhështisë serbe, duke i ruajtur ndjenjat nacionaliste, të cilat në Serbi janë ushqyer gjithmonë edhe gjatë kohës së ish-Jugosllavisë”, tha profesori universitar, Rrahman Paçarizi.

    Ndërkaq, sipas profesorit Bardh Rugova, kjo gjë nuk po shpërfaqet në sytë e ndërkombëtarëve.

    “Është e çuditshme që ne nuk po gjejmë një mënyrë që në sytë e bashkësisë ndërkombëtare të shpërfaqim dhe ta paraqesim këtë element. Nuk është një konflikt doemos mesi i dy palëve, në luftën në Rusi dhe Ukrainë, nuk i kemi dy palë fajtorë, është një palë fajtore. Kur njëra palë gjendet fajtore, mandej është përgjegjëse për veprimet e veta. Nuk mundet që t’i lëvdojë aksionet të cilët i ka bërë, jetët të cilët janë marrë”, tha profesori universitar, Bardh Rugova.

    Sfidë e veçantë, në anën tjetër, është arsimimi i serbëve të Kosovës, sipas kurrikulave serbe, që sipas njohëseve kanë shumë pasaktësi dhe propagandë në vend të historisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Presidenti i Serbisë pohon se “dialogu me Kurtin është i inekzistent”

    Presidenti i Serbisë pohon se “dialogu me Kurtin është i inekzistent”

    Në ngjarjen për media që zgjati rreth një orë, Presidenti i Serbisë bëri një deklaratë hyrëse mbi 40 minuta të gjatë dhe pranoi pyetje nga dy gazetarë.

    Vuçiq edhe një herë pohoi se tre policët kosovarë, të cilët janë në paraburgim në Serbi janë arrestuar në territorin e Serbisë dhe pohoi se policët serbë që kanë bërë arrestimin janë të gatshëm të dëshmojnë para EULEX-it edhe me poligraf.

    Edhe në këtë paraqitje publike ai EULEX-in i quajti “rrencë” dhe njerëz që vetëm përcjellin se si serbët në Kosovë rrihen dhe matarohen.
    Lidhur me takimin e javë së ardhshme në Bruksel, dy ditë pasi Kryeministri Kurti pohoi se nuk e di a do të shkojë në atë takim, Vuçiq u përgjigj ngjashëm me Kurtin.

    “Ajo bisedë është pakuptimë. Teknikisht a do të vendosi të shfaqen aty, ose jo, do të vendosi ndërkohë dhe kudo të jetë vendim i yni taktik. Por dialogu me Kurtin është dialog inekzistent. Ai njeri dëshiron luftë. Ai dëshiron luftë më çdo kusht dhe vetëm mendon se si të bëjë ndonjë provokim të ri”, tha Vuçiq.

    Vuçiq në këtë konferencë përmendi edhe një incident në veriun e Kosovës, ku sipas mediave të atjeshme d të rinj, vëlla e motër janë rrahur nga Policia e Kosovës dhe janë trajtuar në repartin e kirurgjisë në Spitalin e Mitrovicës së Veriut për lëndime.

    Policia e Kosovës në një komunikatë ka bërë të ditur se personat që po lëviznin me motoçikletë nuk kanë respektuar sinjalizimin e Policisë për tu ndalur, por kanë tentuar të ikin nëpër rrugë malore.

    Sipas Policisë Njëri motor me dy persona ka vazhduar duke u shmangur sinjalizimit policor për tu ndalur dhe ka ikur në një rrugë mali, kurse tjetri ka vazhduar shmangien në drejtim tjetër në një teren të pa përshtatshëm, por zyrtarët policorë janë vënë në përcjellje këmbë, pasi që ka qenë tereni i pa përshtatshëm për të ikur larg, dhe diku rreth 150 metra nga rruga kryesore kanë hasur motorin në fjalë dhe dy personat.

    Pas kontrollimit të personave dhe të mjetit (motorit), si dhe pas realizimit të procedurave policore, të tre personat janë liruar.

    Deklarimet e ndryshme se kinse policia i ka rrahur dy prej këtyre personave nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Sërish kritika për ndërkombëtarët për rastin e tre policëve

    Sërish kritika për ndërkombëtarët për rastin e tre policëve

    Kryeministri Albin Kurti, nuk dha hollësi, por deklaroi se po punojnë intensivisht që policët që janë në paraburim të Serbi të lirohen sa më parë.

    “Jemi duke bërë gjithçka që ata të lirohen sa më shpejt, të pacenuar. Ndërkaq në anën tjetër ftojmë edhe njëherë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësit i tyre antiterror dhe njësiti i tyre ‘Kobra’ i ushtrisë”, tha Kurti.

    Të tre policëve që me 14 qershor u rrëmbyen nga policia serbe, tashmë nga gjykata në Kralevë u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Sipas njohësve të çështjeve juridike, për vendimin ndaj tyre ata kanë të drejtë ankese në gjykatën e apelit.

    “Palët kanë të drejtë ankese ndaj vendimit për paraburgim në gjykatën e apelit, dhe gjykata e apelit mund të vendosë ta mbajë në fuqi vendimin e gjykatës së Kralevës apo mund të vendos në rigjykim apo të ndërpresë paraburgimin”, tha avokati, Taulant Hodaj.

    “Sa do të ketë efekt kjo ankesë, shumë dyshoj se nuk do të ketë ngase organet serbe dihet me çfarë motivacioni kanë kidnapuar tre policët e Kosovës”, tha avokati Emrush Kastrati.

    Sidoqoftë thonë se janë skeptik nëse ankesa e tyre do të merret parasysh pasi thonë se vendimet me shumë gjasë mund të jenë politike.

    “fatkeqësisht duket se nuk është kjo çështje e domenit juridik por kjo është çështje politike dhe ata janë arrestuar dhe u është vendosur paraburgimi me urdhër politik kështu që politika e ka bërë krejt dhe vetëm kamuflohen proceduralisht në aspektin juridik”, tha Hodaj.

    “Në këtë situatë që gjendemi, dihet se organet janë të ndikuara nga pushteti serb mirëpo në këtë drejtim do të kisha pasur dëshirë që të ketë efekt pozitiv presioni diplomatik”, tha Kastrati.

    Të tre policët që nga e mërkura po mbahen në Serbi, sipas kryeministri Albin Kurti, do të vizitohen nga ambasadori i Kosovës në Beograd Jetish Jashari, në ditët në vazhdim. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjenden tre trupat e pajetë të familjes Pacolli, reagon kryeministri Kurti

    Gjenden tre trupat e pajetë të familjes Pacolli, reagon kryeministri Kurti

    Tre trupat e pajetë të familjes Pacolli nga Kosova janë gjetur në lumin Lepenc të Shkupit gjatë pasditës së sotme.

    Këtë e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

    Ai i ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të viktimave.

    “Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh. Falënderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”, ka shkruar Kurti.

  • Gjendet një veturë në lumin Lepenc, pritet konfirmimi nëse është e familjes nga Kosova

    Gjendet një veturë në lumin Lepenc, pritet konfirmimi nëse është e familjes nga Kosova

    Është gjetur një veturë në lumin Lepenc, rreth 200 metra larg vendit ku ka ndodhur aksidenti i së shtunës në rrugën Shkup – Bllacë.

    Siç raporton KlanM, pritet të konfirmohet nëse vetura është BMW e familjes Pacolli dhe nëse brenda saj gjenden anëtarët e kësaj familje.

    Përplasja bëri që vetura “BMW” me targa të Kosovës ta humbte drejtimin dhe të përfundonte në lumin Lepenc.

    Paraprakisht, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është arrestuar shoferi i veturës me targa nga Shkupi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin.