ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani diskuton me homologun gjerman për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Presidentja Osmani diskuton me homologun gjerman për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, aktualisht është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Berlin.

    Ajo tha se në kuadër të margjinave të “SOWG Berlin, 2023”, ka takuar edhe presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

    Me homologun e saj, Osmani tha se pati rastin që të diskutojë për zhvillimet e fundit në Kosovë, transmeton Paparaci.

    “Në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera Kosovë-Gjermani, konfirmuam gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka shkruar ajo në Twitter.

  • MPJD jep detaje për aksidentin tragjik të familjes nga Kosova që ra me veturë në Lepenc

    MPJD jep detaje për aksidentin tragjik të familjes nga Kosova që ra me veturë në Lepenc

    Një aksident tragjik ka ndodhur pasidtën e së shtunës në aksin rrugor Bllacë-Shkup. Sipas informatave zyrtare, një veturë me targa të Kosovës ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në lumin Lepenc. Në veturë ndodheshin katër persona të një familje nga Kosova. Njëri nga personat ka arritur të dalë nga lumi, ndërsa tre të tjerë ndodhen në kërkim.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës.

    “Për shkak të rreshjeve të shumta të ditëve të kaluara, operacioni është duke u realizuar me disa vështirësi por pa epilog deri më tani”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë i ministrisë:

    Dje, me datë 17 qershor 2023, në orët e pasditës, pas një aksidenti në komunikacion, një veturë me targa të Republikës së Kosovës ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në lumin Lepenc.

    Në veturë ndodheshin katër pjesëtarë të një familjeje nga Kosova. Njëri prej tyre ka arritur që të dalë nga lumi Lepenc, përderisa të tjerët janë në kërkim.

    Në vendngjarje ka dalë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, të shoqëruar nga zëvendësministri i brendshëm i RMV Nazim Bushi.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e RMV-së, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase.

    Krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës.

    Për shkak të rreshjeve të shumta të ditëve të kaluara, operacioni është duke u realizuar me disa vështirësi por pa epilog deri më tani.

    MPJD do t’ju mbajë të informuar rreth zhvillimeve të mëtejme.

  • NATO ia kujton Kosovës dhe Serbisë obligimet nga Marrëveshja e Kumanovës, përfshirë çështjen e FSK-së në veri

    NATO ia kujton Kosovës dhe Serbisë obligimet nga Marrëveshja e Kumanovës, përfshirë çështjen e FSK-së në veri

    Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka thënë se aleanca veri-atlantike i merr shumë seriozisht ngjarjet në veri të Kosovës.

    Sipas saj, KFOR-i po merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, “siç autorizohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

    Në në një postim në Twitter, ajo tha se angazhimi i KFOR-it për ta zbatuar mandatin e tij është i palëkundur, “siç tregohet nga vendosja e fundit shtesë prej 500 trupash”.

    Gjithashtu, NATO-ja u ka rikujtuar edhe njëherë palëve “obligimet e tyre ndaj KFOR-it sipas Marrëveshjes Teknike Ushtarake”, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Kumanovës .

    E njëjta marrëveshje dha fund dhunës serbe në Kosovë si një parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe.

    Me këtë marrëveshje – të nënshkruar më 9 qershor 1999 – Serbia detyrohej të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

    E po kjo marrëveshje, sipas zyrtares së NATO-s, përfshin respektimin e vijës kufitare administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe Marrëveshja e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri.

    “Këto detyrime janë krijuar për të siguruar veprim të koordinuar, për të shmangur përshkallëzimin + ruajtjen e mjedisit të sigurt/të sigurt”, shtoi Lungescu.

    Reagimi i saj vjen pasi tre zyrtarë policorë janë rrëmbyer nga autoritet serbe të mërkurën që lamë pas.

    Serbia ka thënë se tre policët e Kosovës janë arrestuar “thellë brenda territorit” të saj, por Kosova e ka quajtur rrëmbim këtë veprim nga forcat serbe dhe ka thënë se ata ishin në territorin e Kosovës.

    Kurse, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.

    Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.

    Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar më 16 qershor se ndaj tre policëve një gjykatë në Kralevë të Serbisë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Të shtunën, Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeverisë serbe që t’i lirojë “menjëherë dhe pa kushte” tre policët e Kosovës, të arrestuar më 14 qershor.

    “Arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”, tha zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, në një deklarate për media.

  • Kurti e ministri saudit i vlerësojnë të shkëlqyera raportet ndërshtetërore

    Kurti e ministri saudit i vlerësojnë të shkëlqyera raportet ndërshtetërore

    Të shkëlqyera i kanë vlerësuar marrëdhëniet ndërshtetërore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Investimeve të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Khalid Al Falih, në një takim të shtunën në Prishtinë.

    Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në takim Kurti ka falënderuar ministrin saudit për përkrahjen “e parezervë të Arabisë Saudite përgjatë gjithë këtyre viteve të shtetit të Kosovës”.

    “Ai dhe ministri Al Falih u shprehën të kënaqur për marrëdhënie të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve. Ata folën për potencialin dhe mundësitë për thellimin e tyre, nëpërmjet bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.

    Ky ishte takimi i dytë i sivjetmë i kryeministrit Kurti dhe ministrit saudit të Investimeve, Khalid Al Falih.​

  • Serbia mohon se po keqtrajton tre policët e Kosovës

    Serbia mohon se po keqtrajton tre policët e Kosovës

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka mohuar akuzat e autoriteteve në Kosovë se Beogradi zyrtar po keqtrajton tre policët e Kosovës.

    “Është absolutisht gënjeshtër se Beogradi po i trajton keq, që atyre nuk po u jepen ilaçe, që po keqtrajtohen. Kur i thotë këto Prishtina, ajo niset prej vetes, sepse po keqtrajton serbët e arrestuar, po i rrah ata dhe nuk po i lë të lirë”, tha Petkoviq.

    Ai shtoi se Serbia “është shtet serioz” dhe vepron në bazë të ligjit.

    Çdo person i arrestuar ka dhomën e tij, ata marrin ilaçe, ushqim dhe pije. Ata nuk janë në hajat, por për dallim nga serbët e arrestuar, këta të tre janë sikur në Katër Stinët [Four seasons]. Mos gënjeni më. Po kërkoni lirimin e atyre që hynë në territorin e Serbisë me pushkë të gjata. Merruni me serbët që janë të arrestuar padrejtësisht, që po keqtrajtohen”, tha Petkoviq.

    Ai shtoi se ishte i “tronditur” nga reagimet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, që kërkuan lirimin e pjesëtarëve të policisë së Kosovës, që Beogradi thotë se i ka arrestuar në Serbinë qendrore.“Askush se përmend që është e nevojshme të lirohen serbët e pafajshëm. Për çfarë hipokrizie po flasim. Ne nuk vendosim sepse procedurat ligjore kanë nisur dhe tani jemi në proces ligjor. Prokuroria dhe gjykata vendosin për këtë çështje e jo ambasadat”, tha Pektoviq.

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë të premten se tre policëve të Kosovës – që Prishtina thotë se janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës – u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga autoritetet e drejtësisë në Kralevë.

    Ahmeti tha se në bazë të informatave që ka, policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”.

    Ai tha se i ka siguruar këto të dhëna nga një zyrtar i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, i cili, sipas Ahmetit, është në kontakt me avokaten e njërit prej policëve.

    “Qysh dje, përmes Zyrës Ndërlidhëse, kemi kërkuar nga Kryqi i Kuq dhe Komiteti për Parandalimin e Torturës që të interesohen për policët tanë atje. Kjo çfarë kemi kuptuar sot, është shumë serioze dhe shqetësuese për ne”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, nuk iu pranua kërkesa për t’i vizituar policët.

    Tre policë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor. Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.

    Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.

    Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve të Kosovës.

    Rasti me tre policët e Kosovës ndodhi në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

  • DASH: Serbia t’i lirojë pakushte policët, po mbahen me akuza të pabaza

    DASH: Serbia t’i lirojë pakushte policët, po mbahen me akuza të pabaza

    Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, që t’i lirojnë pa kushte dhe menjëherë tre policët e Kosovës, të kidnapuar brenda territorit të Kosovës, më 14 qershor.

    Siç thuhet nw njoftim, policët janë duke u mbajtur në Serbi nën akuza të pabaza.

    “I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pakushte të lirojnë tre policët e Kosovës, të ndaluar më 14 qershor. Arrestimi i tyre dhe vazhdimi i mbajtjes nën akuza të pabaza ka përkeqësuar situatën edhe ashtu të tensionuar. Sërish u bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që ta ndjekin planin trepikësh të propozuar nga BE-ja dhe t’i kthehen dialogut të lehtësuar nga BE-ja, pa vonesa”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të DASH-it, Matthew Miller, të lëshuar të shtunën në uebfaqen e Departamentit Amerikan.

  • Nëntë vjet nga vendosja e “Parkut të Paqes”

    Nëntë vjet nga vendosja e “Parkut të Paqes”

    Një ditë pas heqjes së barrikadës mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, konkretisht më 18 qershor 2014, serbët e veriut sërish bllokuan urën me barrikadën të quajtur “Parku i Paqes”.

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pati thënë se këtë veprim për ribllokimin e urës po e merr në koordinim të plotë me qeverinë e Serbisë. I pranishëm gjatë gjithë aksionit ka qenë edhe shefi i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

    Forca të shumta policore as nuk kanë tentuar të parandalojnë bllokimin. Ndërkohë, kryetari i pjesës veriore e ka ftuar atë të pjesës jugore, Agim Bahtirin, që pjesën tjetër të urës së Ibrit ta shndërrojë po ashtu në park.

    “Parku i Paqes”, është hequr dy vite më vonë, konkretisht më 14 gusht të vitit 2016. Heqja është bërë pas implementimit të marrëveshjes nga dialogu Beograd-Prishtinë lidhur me urën në Mitrovicë.

  • Kearns: Mirëpres konfirmimin e SHBA se policët e Kosovës po mbahen me akuza të rreme nga Serbia

    Kearns: Mirëpres konfirmimin e SHBA se policët e Kosovës po mbahen me akuza të rreme nga Serbia

    Deputetja e Parlamentit Britanik, Alicia Kearns, ka reaguar pas thirrjes së Departamentit Amerikan të Shtetit që Serbia t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte tre policët e Kosovës.

    Kearns thotë se e mirëpret një reagim të tillë të SHBA-së që konfirmon ndalimin e paligjshëm të tre policëve të Kosovës me “akuza të rreme”.

    Ajo tutje thotë se ndryshe nga vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për zyrat e kryetarëve, Kearns thotë se vendimi i Serbisë është një akt i kundërligjshëm.

    Ajo ka thënë se pavarësisht kësaj, ndëshikimi i shpejtë u bë vetëm për Kosovën.

  • Avokati serb: Vuçiq duhet t’i lirojë sonte 3 policët, të tregojë që s’jemi Korea e Veriut

    Avokati serb: Vuçiq duhet t’i lirojë sonte 3 policët, të tregojë që s’jemi Korea e Veriut

    Avokati serb, Cedomir Stojkovic, i cili është duke e përcjell me shumë vemëndje rastin e tre policëve të Kosovës të cilëve iu është caktuar masa e pabargurimit në Serbi, ka reaguar pas thirrjes së fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tyre.

    Stojkovic ka thënë se presdienti serb duke zbatuar nenin 110 të Kodit Penal të Serbisë, me vendim të tij si president mund të marrë vendim për falje, vendim përmes të cilit do të liroheshin të tre policët e Kosovës.

    Avokati serb thotë se çdo vonesë për të marrë një vendim të tillë, është në dorë të presidentit serb.

    Derisa ka sqaruar se afati për ankesë ndaj paraburgimit është tre ditë dhe sakdon të hënën. Për ankesën Stojkovic thotë se vendos e njejta gjykatë në Kralevë.

    Avokati serb ka thënë se Vuçiq nuk duhet që të pres rezultatin e vendimit të gjykatës deri të hënën, por duhet t’i falë ata menjëherë sot, dhe në këtë mënyrë të tregojë që Serbia nuk është Kore e Veriut.

    “Turpi i njerëzimit Aleksandar Vuçiq, nuk duhet të presë rezultatin e atij vendimi, por me vendimin e tij duhet t’i falë ata sot dhe në këtë mënyrë të dërgojë mesazh se Serbia nuk është Kore e Veriut, pavarësisht se ai është president”, ka shkruar Stojkovic.

  • Presidenca: Vuçiq u përpoq ta largojë vëmendjen nga protestat duke rrëmbyer 3 policët e Kosovës

    Presidenca: Vuçiq u përpoq ta largojë vëmendjen nga protestat duke rrëmbyer 3 policët e Kosovës

    Shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ka thënë se protesta javore në Beograd, ka regjistruar një numër të madh pjesëmarrësish, pavarësisht përpjekjeve të presidentit të Serbisë, Alekasnadar Vuçiq për t’i etiketuar ata si bashkëpunëtorë të Kosovës dhe Kroacisë.

    Vela në një postim në Twitter, ka thënë se rrëmbimi i tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Serbia ka qenë një përpjekje e Vuçiqit për ta larguar vëmendjen nga protestat.

    “Pavarësisht përpjekjes së kotë të Vuçiqit për t’i etiketuar ato si marrëveshje të fshehtë me Kosovën dhe Kroacinë, protestat javore në Beograd patën pjesëmarrje të madhe. Këtë javë, ai iu drejtua nxitjes së retorikës nacionaliste pas rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës, duke u përpjekur të largonte vëmendjen”, ka shkruar Vela.