ATV

Category: Lajme

  • Rriten sërish çmimet e derivateve në Kosovë

    Rriten sërish çmimet e derivateve në Kosovë

    Çmimet e derivateve në vendin tonë sërish kanë shënuar rritje gati deri në 10 centë për litër. Çmimi për një litër naftë sot kushton rreth 1 euro e 24 centë, ndërsa një litër benzinë është tregtuar të premten deri në 1 euro e 31 centë në tregun e Kosovës.

    Disa javë më parë çmimet e derivateve patën rënë deri 1 euro 15 centë për një litër naftë.

    Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka theksoi për KosovaPress se rritja apo ulja e çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare po reflekton edhe në Kosovë.

    Ai shtrenjtimin e derivateve e arsyeton me çmimin e përcaktuar në berëz dhe në organizatën prodhuese OPEC.

    “Kur ka prodhim të mjaftueshëm kemi ulje të çmimeve dhe e kundërta kur ka reduktim të prodhimit kemi rritje të çmimit. Rritja apo ulja e çmimit në tregjet ndërkombëtare po reflekton edhe te ne në Kosovë”, thotë ai.

    Se çfarë çmimesh do të ketë në ditët në vijim, Berjani theksoi se nuk mund të paragjykojnë, pasi që sipas tij, po ka lëvizje të mëdha në tregjet ndërkombëtare.

    Megjithatë ai shton se çmimet e derivateve ende janë të larta për qytetarët e vendit krahasuar me standardin e qytetarëve. Sipas tij, çmimet do të duhej të ishin 1 euro për një litër naftë.

    Çmimet e derivateve në vitin 2022 patën arrit gati 2 euro për një litër.

  • Borrell “shumë i alarmuar”, reagon pas arrestimeve në veri dhe marshimit të FSK-së në jug: Nuk do të tolerojmë

    Borrell “shumë i alarmuar”, reagon pas arrestimeve në veri dhe marshimit të FSK-së në jug: Nuk do të tolerojmë

    Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka thënë se është shumë i alarmuar me situatën në veri të Kosovës.

    Ai e ka kritikuar fuqishëm Kosovën, duke reaguar pas arrestimeve të reja nga Policia e Kosovës ndaj të dyshuarve për dhunë ndaj KFOR-it dhe pas marshimit të rregullt Ushtrisë së Kosovës në Mitrovicën jugore.

    Arrestimet e serbëve ai i ka konsideruar si arreste pa përfillje të procedurave gjyqësore.

    Në fund, Borrell shkurtimisht ka kritikuar edhe Serbinë, për retorikën e saj nxitëse.

    “Shumë i alarmuar për situatën në veri të Kosovës: me arrestimet jashtëqyësore të serbëve & dhe marshimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën jugore; përcjellë nga një retorikë e rëndë nga Serbia”, ka shkruar Borrell.

    Ai ka thënë se ky eskalim në rritje, nuk do të tolerohet.

    “Përkundër takimit të krizës dje, eskalimi po vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar në fund ai.

  • ​Sveçla: Zbulohet sasi e madhe e armatimit në veri, policia parandalon sulm terrorist

    ​Sveçla: Zbulohet sasi e madhe e armatimit në veri, policia parandalon sulm terrorist

    Policia e Kosovës ka zbuluar sasi të mëdha të armatimeve në një veturë me targa të Beogradit, afër Komunës së Zveçanit.

    Për këtë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës të premten ka parandaluar një sulm terrorist.

    Ministri Sveçla nëpërmjet një postimi në Facebook ka dhënë detaje për këtë zbulim, i cili ka shkruar se falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatavetë inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100 m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.

    “Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tone”, shkruan Sveçla.

    Sipas tij, Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e çdo akti të mundshëm që synon cenimin e sigurisë së vendit tonë.

    “Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake”, shkruan ai.

  • Takimet në Bruksel, pa rezultate konkrete

    Takimet në Bruksel, pa rezultate konkrete

    Pas gati katër orësh diskutimi në takime të ndara me dy liderët, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të enjten se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan për zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore.

    Pavarësisht kësaj, për njohës të procesit të dialogut, takimet nuk sollën rezultate konkrete.

    “Krejt çka mund të thuhet është se pozitiv mund të jetë fakti që kryeministri Albin Kurti është takuar me përfaqësuesit e BE-së dhe mund të themi që në parim ka një pajtim për qetësimin e situatës, por prapë nuk po shoh zgjidhje të problemit, vetëm një relaksim të marrëdhënieve mes dy palëve, sepse nuk mund të ketë zgjidhje të problemit sidomos pa lirimin e tre policëve”, tha profesori universitar, Dritëro Arifi.

    Madje, fakti që Bashkimi Evropian nuk arriti t’i ulë në tryezë kryeministrin kosovar e presidentin serb, nuk është befasi.

    “Ma shumë kisha me thanë që është një lëvizje e BE-së dhe Borrelit që të tregojnë se po angazhohen, sepse edhe Borrelli edhe Lajcaku e kanë ditur që në këto rrethana dy liderët nuk takohen sy më sy….”, tha Fitim Mulolli nga organizata “Polcon”.

    Sipas Fitim Mulollit nga “POLCON”, e gjithë kjo ndodh për faktin se dy liderët nuk e duan zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    “As kryeministri Kurti e as presidenti Vucic, nuk e duan Marrëveshjen e Ohrit, pra këto lëvizje në terren tregojnë qartë se të dy këta po tentojnë ta prolongojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Muqolli.

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, deklaroi se në takimet që i ka pasur kanë “identifikuar rrugë të mundshme përpara, por dy palët duhet t’u përmbahen detyrimeve të tyre”. Borrell ka ritheksuar kërkesën që kryetarët shqiptarë të punojnë nga ndërtesa alternative.

    Ndërkohë, nga presidenti i Serbisë ka kërkuar që tre policët kufitarë që po mbahen në paraburgim në Kralevë, duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Përdori gjuhë raciste, kërkohet dorëheqja e deputetes se LDK-së

    Përdori gjuhë raciste, kërkohet dorëheqja e deputetes se LDK-së

    Gjuhë e tillë u përdor ndaj deputetit të pozitës, Adnan Rrustemi, nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, në seancën e së enjtes, e cila njëherësh është edhe anëtare e Komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve.

    Andaj, Bunjakut përveç kërkim-faljes po i kërkohet edhe dorëheqja nga ky komision, pasi si anëtare e komisionit konsiderohet se ka përgjegjësi shtesë për t’i mbrojtur të drejtat dhe për t’i adresuar nevojat e komunitetit.

    “Kërkim-falja është gjëja më e vogël që mund ta bëjë, ndërsa dorëheqja nga komisioni për të drejtat dhe interesat e komuniteteve duhet të jetë hapi tjetër i saj”, tha Bajram Ilazi nga “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”.

    Pasi që kryetari i Kuvendit nuk reagoi për fjalët e deputetes Bunjaku, Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon që në seancën e radhës, Konjufca të ndërmarrë hapa proceduralë.

    “Konsiderojmë që kryetari nuk është aq i vëmendshëm që të jetë në përpikëri me rregulloren dhe mbarëvajtjen e seancës. Andaj ne kërkojmë që në seancën e radhës të ndërmarrë hapa proceduralë që probleme të tilla të mos ndodhin në seancat e radhës”, tha Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Për gjuhën e përdorur nga deputetja e LDK-së, ka reaguar edhe vetë deputeti Adnan Rrustemi.

    “Nuk e kam dëgjuar saktësisht çfarë ka thënë, përveç asaj që kam parë në media, por identifikimi me komunitetin në fjalë nuk më ofendon dot, por jam i shqetësuar për fyerjen e denigrimin, të cilin ky komunitet e ka ndier dje, sepse zonja është drejtuar me gjuhë pezhorative. Përveç kësaj, e kam të pamundur personalisht të fyhem kollaj, aq më tepër nga persona të caktuar. Unë jam aty për të shtyrë përpara interesa të qytetarëve e të vendit”, thuhet në reagimin e deputetit të LV-së, Adnan Rrustemi.

    Përplasje verbale e fjalor të degraduar ndërmjet deputetëve të partive të ndryshme nuk janë të rralla në seancat e Kuvendit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Nga dialogu në menaxhim krize, zgjedhjet e reja përmes peticionit marrin kohë

    Nga dialogu në menaxhim krize, zgjedhjet e reja përmes peticionit marrin kohë

    Nevoja për zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë, ishte ndër pak gjërat për të cilat pati pajtim në takimet e ndara të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Krahas largimit nga Kosova ose burgosjes së ekstremistëve të dhunshëm, Kurti tha se inicimi i zgjedhjeve mund të ndodhë vetëm në pajtim me ligjin – ndërsa iu referua mundësisë për shkarkimin e kryetarëve me kërkesë të qytetarëve.

    Për largimin e kryetarit të komunës, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, si hap i parë kërkohet shprehja e vullnetit përmes nënshkrimit të kërkesës nga së paku 20% e votuesve të regjistruar në atë komunë.

    Juristi Qëndrim Arifi shpjegon se zgjedhjet nuk shkaktohen në atë moment, pasi një kërkesë e suksesshme përcillet nga dy veprime të tjera kryesore, që marrin kohë.
    “Pasi që të zhvillohet ky peticion me sukses, kryesuesi i Kuvendit Komunal përkatës, ka për detyrë që ato rezultate të peticionit t’i dërgojë në KQZ. Pasi që KQZ-ja ta vlerësojë ligjshmërinë e atij peticioni dhe rezultatet e suksesshme të peticionit, atëherë KQZ-ja inicion jo-proces zgjedhor, por një lloj referendumi”, tha Arifi.

    Që zgjedhjet të mbahen, fillimisht, në referendumin për shkarkim duhet të votojnë më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote.

    “Pasi që KQZ-ja i nxjerr rezultatet dhe i referon te Presidentja, atëherë Presidentja, në bazë të atyre rezultateve – nëse mbi 50% e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar për shkarkimin e tyre – automatikisht këta kryetarë kalojnë në kryetarë të përkohshëm. Nuk ecin në shtëpi, kushtimisht, ata mbesin, administrojnë si kryetar të dorëhequr, dhe presidentja brenda afatit ligjor shpallë zgjedhjet”, tha Arifi.

    Teksa si zgjidhje më të shpejtë përmend dorëheqjet eventuale nga kryetarët, opinionisti Bekim Kabashi vë theksin te kalimi nga dialogu për normalizim në dialog për menaxhim krizash.

    “Nuk është vetëm forma se si do të shpallen zgjedhjet, por paraprakisht edhe deeskalimi i situatës. Tash a do të tërhiqen kryetarët e komunave dhe njësia speciale nga ajo pjesë, dhe të lirohen policët e Kosovës, që kushtimisht janë kidnapuar nga Serbia, mbetet të shihet. Por, unë besoj se kjo do të ndodhë, sepse pas kidnapimit të policëve kemi njëfarë balance të përgjegjësisë sa i përket deeskalimit të situatës, por ajo që është shqetësuese është se procesi i paqes është lënë anash”, tha analisti Bekim Kabashi.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok me pjesëmarrje 3.4% prodhuan katër kryetarë shqiptarë.

    Komuniteti serb, i cili bojkotoi zgjedhjet e 23 prillit, të mbajtura për shkak të dorëheqjes së kryetarëve paraprakë nga Lista Serbe, po i kundërshton kryetarët e rinj me protesta, në të cilat ka pasur dhunë ndaj gazetarëve, Policisë dhe KFOR-it. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në AAB diskutohet për “dhunën”, gjinitë dhe mediat në Ballkan

    Në AAB diskutohet për “dhunën”, gjinitë dhe mediat në Ballkan

    Me gjithë përmirësimet e bëra viteve të fundit, dhuna seksuale dhe ajo me bazë gjinore, vazhdojnë të jenë fenomen shqetësues në vend.

    Të paktën kështu u vlerësua në tryezën publike, të organizuar nga Mediumi Francez “Courrier des Balkans” dhe Instituti “Musine Kokalari”, me temën: “Dhuna, gjinitë dhe mediat në Ballkanin Perëndimor.”

    Përfaqësues të Belgjikës, Zvicrës e Luksemburgut që ishin të pranishëm në Kolegjin AAB, theksuan rëndësinë e angazhimit të mëtejshëm, derisa grupet e margjinalizuara të mos ndihen të diskriminuar.

    “Në këtë seminar kemi mësuar shumë gjëra. E kemi vënë në pah progresin që është shënuar ndër vite. Por, mendoj se duhet të organizohet sërish ky seminar, dhe ne si Belgjikë të ndihmojmë në përmirësimin e të drejtave të Njeriut”, tha shefi i Zyrës Diplomatike të Belgjikës, Julien Sassel.

    “Shoqëria civile vazhdon të luajë rol kyç për të përmirësuar barazinë gjinore. Për t’ua mundësuar grave të ushtrojnë të drejta të barabarta, por edhe komuniteteve, siç është edhe LGBTI. Kemi ende tema tabu. Por, jemi të bindur që së bashku me mediat, do të mund ta përmirësojmë situatën, në mënyrë që grupet e margjinalizuara të shprehen më mirë”, tha zëvendësambasadorja e Zvicrës për Kosovë, Pauline Menthonnex – Gacaferri.

    Përmirësimet në dekadën e fundit, sipas Arian Lumezit, nga Instituti “Musine Kokalari”, duhet të përdoren si motiv për të arritur më shumë progres.
    “Duket që shoqëria jonë e ka arritur njëfarë pragu që duhet me kalu, për me shku në një tjetër shkallë të përmirësimit…”, tha Arian Lumezi nga Instituti “Musine Kokalari”.

    Përveç përfaqësive të këtyre shteteve, në panelin e parë të diskutimit, morën pjesë edhe gazetarë dhe udhëheqës të organizatave joqeveritare nga Kosova, Serbia e Shqipëria. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Edi Rama – Serbisë: Po i mbani peng policët, menjëherë lirojini!

    Edi Rama – Serbisë: Po i mbani peng policët, menjëherë lirojini!

    Lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të arrestuar nga autoritetet serbe, e ka kërkuar përsëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Sipas tij, shpërshkallëzimi i situatës në Veri dhe dialogu nuk mund të ndodhin në rast se Serbia vazhdon t’i mbajë peng policët kosovarë.

    Po ashtu, Rama tha se u ka dërguar edhe një letër Presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit të KiE, Charles Michel, për zbatimin me doemos të planit francezo-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë – Serbi.

    Kryeministri i Shqipërisë ka kërkuar nga Macroni e Sholzi që ata të jenë më të ashpër me Kurtin e Vucicin.

    Po ashtu, ai ka kritikuar të dy liderët, të Kosovës dhe Serbisë, që për poenë politikë të brendshëm po mbajnë peng rajonin dhe, sipas tij, përplasjet në rajon i shkojnë për shtati vetëm politikave të Rusisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryetarët e PDK-së në komunat në veri s’e mendojnë dorëheqjen

    Kryetarët e PDK-së në komunat në veri s’e mendojnë dorëheqjen

    Në objekte të komunave si kryetarë hynë vetëm një herë, madje me ndihmën e policisë.

    Mirëpo, dy nga katër kryetarët shqiptarë, punën e tyre e vazhduan në zyra alternative, për shkak të tensioneve në Veri.

    Ndërkohë, sa do ta ushtrojnë këtë mandat ende nuk dihet pasi që për shtensionimin e situatës, Bashkimi Evropian ka propozuar që në katër komunat në veri të përsëriten zgjedhjet.

    Mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetarët nga radhët e PDK-së, është e mirëpritur.

    Duke thënë se nuk do të japë dorëheqje, Zeqiri thotë se nuk do të kandidojë përsëri në rast se mbahen zgjedhjet.

    Një qëndrim për këtë çështje nuk pranoi ta japë kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, duke thënë se do të deklarohet javën e ardhshme.

    Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk mund të flasë për ndonjë zgjidhje në emër të kryetarëve që i takojnë PDK-së.

    Mirëpo, sa i përket organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri, PDK-ja kërkon që të respektohen ligjet e Kushtetuta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Arrestohet “rusi” në Mitrovicë të veriut, dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në protestën e 29 majit

    Arrestohet “rusi” në Mitrovicë të veriut, dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në protestën e 29 majit

    Nga nxitimi për t’i parë veturat që erdhën në autolarje, serbi Nenad Orlloviq doli gjysmë i zhveshur.

    “Rusi” siç e ka nofkën, shpejt e kuptoi se tri patrullat e policisë nuk ishin klientë të autolarjes në Mitrovicë të Veriut, por kishin ardhur enkas për ta arrestuar atë, andaj ngriti duart lart.

    Orlovic, i njohuri edhe me nofkën “Nemac”, dyshohet të jetë i përfshirë në sulmin ndaj KFOR-it, në fund të muajit maj.

    “Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se ai është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it, me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Por, ky është vetëm arrestimi i nëntë, nën dyshimet për sulm ndaj KFOR-it, Policisë dhe gazetarëve.

    Më parë ishin arrestuar Dushan Obrenoviq, Radosh Petroviq, Millun Millenkoviq-Llune, Dalibor Spasiq, Urosh Vukasinoviq, Nemanja Vlashkoviq, Millan Bozhoviq dhe Sllagjan Trajkoviq. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: