ATV

Category: Lajme

  • Aksident me vdekje në Rrugën e Kombit, autobusi me targa të Kosovës përplas një person me biçikletë

    Aksident me vdekje në Rrugën e Kombit, autobusi me targa të Kosovës përplas një person me biçikletë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Rrugën e Kombit në afërsi të Rubikut ku një autobus me targa të Kosovës ka përplasur për vdekje një person që lëvizte me biçikletë.

    Sipas Report Tv ende nuk dihet identiteti i personit që humbi jetën.

    Në vendngjarje ka mbërritur policia e cila ka rrethuar zonën ku ndodhi aksidenti tragjik. Ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

  • Arrestohen gjashtë persona, shkaktuan dhunë në familje

    Arrestohen gjashtë persona, shkaktuan dhunë në familje

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Pejë, Kaçanik dhe Gjakovë.

    Tutje, bëhet e ditur se të gjithë të dyshuarit që kanë shkaktuar dhunë në familje, janë dërguar në mbajtje.

    Më poshtë gjeni rastet e plota të regjistruara në Polici: 

    Fushë Kosovë 25.06.2023 – 12:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se përmes telefonit ka kanosur ish-bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është dërguar tek familjarët e saj.

    Prishtinë 26.06.2023 – 12:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se e kishte kanosur me fjalë ish-bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare me të cilën janë ndarë qe tri vjet. Deri te kanosja kishte ardhur pas një mosmarrëveshje lidhur me fëmijët e tyre. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Obiliq 26.06.2023 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare me të cilën ka qenë duke bashkëjetuar. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, i është ofruar mundësia për strehim, por e njëjta ka refuzuar dhe ka shkuar tek motra e saj. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Kaçanik 26.06.2023 – 11:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se për shkak të një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht vëllain e tij, viktimën mashkull kosovar. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në QKMF Kaçanik, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje.

    Pejë 26.06.2023 – 12:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ka shkaktuar dhunë në familjen e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Gjakovë 26.06.2023 – 10:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën e lart-cekur ndaj ish bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

     

  • ​Kërkohet drejtësi për viktimat e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë

    ​Kërkohet drejtësi për viktimat e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë

    Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” e ka kujtuar 79 vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

    Në reagim është theksuar se kjo është një prej tragjedive më të rënda që ka përjetuar populli shqiptar.

    “Sot, më 27 qershor, përkujtojmë njërën nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar populli shqiptar: 79-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve autoktonë të Çamërisë. Fatkeqësisht edhe në vigjilje të përmbylljes së dekadës së tetë nga koha e kryerjes së këtij krimi të shëmtuar, drejtësia nuk ka ngadhënjyer”, është theksuar në komunikatën e kësaj qendre.

    Tutje, është deklaruar se pa zgjidhjen e kësaj çështje, gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë do të mbetët plagë e hapur.

    “Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” konsideron se është në përgjegjësinë e diplomacisë shqiptare dhe institucioneve shkencore që të mobilizojnë të gjitha energjitë e nevojshme që çështja e “Gjenocidit çam” të vihet në rend të ditën për zgjidhje! Pa zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje, gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë do të mbetet plagë e hapur”, është thënë në deklaratën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”./KP

  • Imami Mehas Alija uron komunitetin shqiptar në Zvicër për festën e Kurban Bajramit me mesazhe paqeje

    Imami Mehas Alija uron komunitetin shqiptar në Zvicër për festën e Kurban Bajramit me mesazhe paqeje

    Komuniteti mysliman shqiptar në Zvicër (KMSHZ) njofton të gjithë besimtarët e fesë islame të këtij komuniteti që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër se dita e parë e Kurban-Bajramit është të mërkurën, më 28 qershor 2023.

    Me këtë rast, imami shqiptar Prof.Mehas Alija, u ka uruar festën të gjithë besimtarëve me mesazhe paqeje.

    “Këto ditë festive dhe adhurimi na sjellin bashkë në një atmosferë gëzimi dhe harmonie, duke na rikujtuar rëndësinë e sakrificës dhe të përkushtimit në jetën tonë. Përmes veprave të mira dhe përpjekjeve tona për të ndihmuar të tjerët, ne tregojmë dashurinë dhe mirënjohjen tonë për hir të Zotit të Gjithësisë”, thuhet në urimin e tij.

    Mesazhi i plotë i imamit Mehas Alija për festën e Kurban Bajramit:

    Të respektuar besimtarë!

    Gjendemi në ditët më të mira të vitit, në prag të festës së madhe që karakterizohet me dy adhurime të veçanta: Vizitën e Qabesë – Haxhin dhe therjen e kurbanëve.

    Këto ditë festive dhe adhurimi na sjellin bashkë në një atmosferë gëzimi dhe harmonie, duke na rikujtuar rëndësinë e sakrificës dhe të përkushtimit në jetën tonë.

    Përmes veprave të mira dhe përpjekjeve tona për të ndihmuar të tjerët, ne tregojmë dashurinë dhe mirënjohjen tonë për hir të Zotit të Gjithësisë.

    Ditët e Bajramit le të bëhen shkak që të kemi në fokus dashurinë dhe paqen ndërmjet nesh dhe te të gjithë të tjerët me të cilët bashkëjetojmë. Le të përqendrohemi në vlerat që na bëjnë njerëz të mirë dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Të kujtojmë gjithmonë se me një veprim të mirë, me një fjalë inkurajuese dhe me dorën e ndihmës, mund të ndërtojmë një botë më të mirë, më paqësore, për të gjithë ne.

    Urime të përzemërta për festën e Kurban-Bajramit! Të gjitha bekimet dhe gëzimet e kësaj feste qofshin pjesë e jetës suaj!

    Shpresoj që kjo festë të sjellë gëzim, paqe dhe lumturi në shtëpitë tuaja. Shëndeti dhe begatia qofshin gjithnjë pranë jush!

    Me respekt,
    Hfz. Mehas Alija
    Kryetar i KMSHZ-së

  • ​Sulmohet me granatë dore objekti i komunës në veri të Mitrovicës

    ​Sulmohet me granatë dore objekti i komunës në veri të Mitrovicës

    Ndërtesa e komunës në veri të Mitrovicës është sulmuar me granatë dore, mbrëmë në orët e vona. Policia e Kosovës konfirmon se nuk ka të lënduar, përveç dëme materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare policore.

    Lajmin për KosovaPress, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

    “Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjetë shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me çrast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare. Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë”, ka deklaruar ai.

    Në konsultim me prokurorin kompetent është inicuar rasti “kryerja e veprës terroriste”.

  • Serbët protestojnë edhe sot në Graçanicë, bllokohet përkohësisht rruga Prishtinë-Gjilan

    Serbët protestojnë edhe sot në Graçanicë, bllokohet përkohësisht rruga Prishtinë-Gjilan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të protestës që do të mbahet në Graçanicë, një rrugë do të jetë e mbyllur.

    Në njoftim thuhet se rruga do të jetë e mbyllur deri në përfundimin e protestës, derisa sugjerohet që për sa kohë të zgjatë protesta, pjesëmarrësit në trafik të shfrytëzojnë rrugët alternative.

    “Policia e Kosovës, me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës. Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik që përgjatë kohës sa do të zgjatë protesta të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se në Graçanicë do të mbahet protestë siç pretendohet “për shkak të arrestimit të Dragisha Milenkoviqit nga Kishnica”, për të cilin dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj të burgosurve në qendrën e paraburgimit në Lipjan, para luftës në Kosovë.

     

  • Ky është i riu që vdiq si pasojë e aksidentit në Deçan, policia tregon për rastin

    Ky është i riu që vdiq si pasojë e aksidentit në Deçan, policia tregon për rastin

    Një i ri ka vdekur në QKUK si pasojë e plagëve që ka marrë në një aksident trafiku të ndodhur dje në fshatin Llukё e Epёrme në Deçan.

    Policia njofton se viktima ishtë në motoçikletë, teksa u godit nga një kamion.

    “Nё kёtё aksident ishin tё involvuara njё Kamion dhe njё Motoçikletё, deri te aksidenti ka ardhur pёr deri sa i dyshuari nuk e ka respektuar shenjen e trafikut, ndalim i obliguar (STOP), i cili e godet motoçikletën duke i shkaktuar lëndime tё rёnda trupore”, njofton policia.

    Pas trajtimit që i riu ka marrë, policia njofton se ai ka vdekur në QKUK sot rreth orës 02:15.

    I dyshuari me vendim tё prokurorit tё shtetit është dërguar nё mbajtje pёr 48- orё.

    “Me urdhër të Prokurorit shtetit trupi e pa jetë i viktimës dërgohet  në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për Obduksion”, njofton policia.

    Foton e viktimës e ka publikuar në Facebook zyrtari i komunës së Deçanit, Hajdar Sutaj.

    Ai tha se bëhet fjalë për Adiat Gërvalla nga Duboviku i Deçanit.

  • Mbi 1.000 civilë afganë të vrarë prej kur talibanët morën pushtetin

    Mbi 1.000 civilë afganë të vrarë prej kur talibanët morën pushtetin

    Mbi 1.000 civilë afganë kanë vdekur si pasojë e bombardimeve dhe formave tjera të dhunës prej kur forcat e huaja janë larguar nga shteti, dhe talibanët e kanë marrë pushtetin më 2021, sipas Kombeve të Bashkuara.

    Misioni i OKB-së në Afganistan ka thënë se në periudhën 15 gusht 2021 – maj 2023, 1.095 civilë janë vrarë dhe 2.679 janë plagosur.

    Shumica e vdekjeve – mbi 700 – janë shkaktuar nga pajisjet e improvizuara shpërthyese, përfshirë bombat vetëvrasëse në ambiente publike, siç janë xhamitë, qendrat e edukimit dhe tregjet.

    Sipas misionit të OKB-së, grupi ekstremist, Shteti Islamik, vazhdon të përbëjë sfidë për sigurinë e Afganistanit.

    Talibanët kanë thënë se janë të fokusuar në sigurinë e shtetit dhe kanë kryer disa bastisje kundër Shtetit Islamik në muajt e fundit.

    Sipas tyre, Afganistani është përballur me sfida të sigurisë që disa dekada, dhe se përgjatë udhëheqësisë së talibanëve situata është përmirësuar.

    Prej kthimit në pushtet, në gusht të vitit 2021, talibanët kanë nisur të zbatojnë rregullore dhe ligje të ashpra, përfshirë ndalesën ndaj grave dhe vajzave në shkollim, pas klasës së gjashtë.

    Pavarësisht presionit kombëtar dhe ndërkombëtar, talibanët nuk kanë thënë se do t’i rihapin shkollat për vajzat.

    Ende asnjë qeveri në botë nuk e ka njohur Qeverinë në krye me talibanët në Afganistan./REL/

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me diell dhe kthjellime të herëpashershme.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 13 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizren me 27 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë me kthjellime dhe me vranësira të herëpashershme gjatë pasdites. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë me 26 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Shkodër me 33 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Hagë: Vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës

    Hagë: Vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë do të vazhdojë edhe sot gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

    Kjo seancë gjyqësore do të nisë në orën 9:30.

    Të hënën ka filluar dëshminë dëshmitar i i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Marek Gasior, në cilësinë e ekspertit mjekoligjor nga Polonia. Ky ka dëshmuar pa masa mbrojtëse derisa është intervistuar nga prokurorja Gaia Pergolo. Ai ka thënë se si ekspert i mjekësisë ligjore në Kosovë, nga viti 2000 deri në vitin 2008, ka punuar në kuadër të misionit të OKB-së, ndërsa më pas për katër vjet ka punuar me Bashkimin Evropian.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.