ATV

Category: Lajme

  • Këshilli evropian përkrah idenë e një konferencë për Kosovën dhe Serbinë

    Këshilli evropian përkrah idenë e një konferencë për Kosovën dhe Serbinë

    Ideja e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, është përkrahur nga Këshilli Evropian.

    Madje, presidenti i Këshillit, Charles Michel, ka theksuar se konferenca duhet të organizohet sa më shpejt.

    Michel, bashkë me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, para nisjes së samitit dyditor në Bruksel, ku është diskutuar mes tjerash edhe për tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, deklaruan se duhet të tejkalohet situata e krijuar mes dy vendeve.

    “Mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet e bëra së bashku me bashkëpunimin e mirë me NATO-n, nga përfaqësuesi i lartë, Borrel, dhe dua të them se mbështesim edhe idenë që sa më shpejt të jetë e mundur të organizohet një konferencë me disa anëtarë të BE-së shumë aktive, për t’i mbështetur të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese, duke u koordinuar me SHBA-në, sepse ne e ndiejmë atë, gjithë të mirën për Ballkanin Perëndimor, me Ballkanin Perëndimor”, tha Michel.

    “Situata në Kosovë dëshmon edhe bashkëpunimin NATO-BE. NATO-ja mbështet fuqimisht përpjekjet e Bashkimit Evropian, përpjekjet diplomatike që BE-ja lehtëson dialogun me procesin tonë ushtarak në terren, forcat e KFOR-it. Ne kemi shtuar praninë tonë atje dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të deeskalojnë situatën dhe të ndalin çdo veprim që mund t’i rrisë më tej tensionet dhe të angazhohet në mirëbesim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Stoltenberg.

    Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Josep Borrell, ka paralajmëruar se shtetet anëtare tashmë kanë vendosur për ndërmarrjen e disa masave.

    “Do ta kërkoj përkrahjen e udhëheqësve që të vazhdohet vendosja e presionit ndaj tyre (Kosovës dhe Serbisë), me qëllim të shmangies së eskalimit dhe kthimit te normalja. Shtetet anëtare kanë vendosur… që duhet të ndërmerren masa, ekonomike dhe politike, me qëllim që t’u bëhet e qartë atyre se nëse nuk kontribuojnë për deeskalim, kjo vjen me një kosto”, tha Borrell.

    Gjatë këtij samiti dyditor në Bruksel, liderët e BE-së do të diskutojnë edhe për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Gjithashtu, temë e diskutimeve do të jetë edhe lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ekonominë, sigurinë, mbrojtjen, migrimin dhe marrëdhëniet e jashtme. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryeministri Kurti me propozime për deeskalim të situatës

    Kryeministri Kurti me propozime për deeskalim të situatës

    Për de-eskalim të situatës në katër komunat e Veriut, kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm. Mirëpo, ai ka disa kushte të cilat, sipas tij, janë kumtuar te Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, gjatë takimit në Bruksel.

    Kurti ka thënë se Serbia duhet t’i tërheqë protestuesit e dhunshëm, ndërsa Republika e Kosovës do të bëjë reduktimin e forcave policore pranë objekteve komunale.

    “Në takimin tonë të fundit në Bruksel, para një jave, në përgjigje të një tryeze që propozonte hapa de-eskalimi nga Josep Borrell, bëra propozimin me hapa konkretë se çfarë është e gatshme të bëjë Kosova dhe çfarë presim nga Serbia në këmbim. Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon”, tha Kurti.

    Veç tërheqjes së protestuesve, Kurti ka kërkuar nga Serbia që të zotohen për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë.

    “Po ashtu, Serbia duhet ta reduktojë gatishmërinë e forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit. Gjithashtu, Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”, tha Kurti.

    Në adresimin e tij, kryeministri Albin Kurti ka ritheksuar se është i gatshëm për dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Një muaj punë, asnjë projekt i nisur në Zveçan e Zubin Potok

    Një muaj punë, asnjë projekt i nisur në Zveçan e Zubin Potok

    Në objektin e Komunës shkoi vetëm një herë.

    Por funksionin e tij si i zgjedhur për ta udhëhequr Zveçanin, Ilir Peci, po e kryen goxha larg komunës, në një objekt të improvizuar.

    Sidoqoftë, vendi thotë se nuk e pengoi që punën ta vazhdojë, derisa për një muaj nga kur mori mandatin, veçse ka kompletuar stafin.

    “Brenda këtij muaji i kemi formuar drejtoritë pothuajse komplet, brenda kabinetit ka edhe nga komuniteti serb, kemi një drejtoreshë, nënkryetarja është serbe”, tha kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci.

    Ani pse e vendosur në fshat, në këtë zyrë po kryhen shërbimet administrative, madje edhe për qytetarët serbë.

    “Shumica janë duke u kryer, ka shumë edhe nga komuniteti serb që po vijnë për dokumentacione të nevojshme, janë duke u kryer shumë mirë”, tha Peci.

    Në të njëjtën situatë gjendet edhe kolegu i tij partiak, që tashmë udhëheq Zubin-Potokun, Izmir Zeqiri.

    Në objektin alternativ në fshatin Qabër, rreth 10 kilometra larg objektit zyrtar të komunës, punët administrative po kryhen normalisht, sipas shefit të kabinetit të kryetarit.

    “Për këtë kohë brenda një muaji kemi arritur çdo send është duke funksionu, çdo shërbim është duke u kry, si na ana e vulës, stafit, dikastereve e kabinetit të kryetarit”, tha shefi i kabinetit të kryetarit të Zubin-Potokut, Fadil Veseli.

    Madje, edhe drejtorët pothuajse janë sistemuar të gjithë nëpër drejtori, derisa interesimi i serbëve që të jenë pjesë e komunës, thonë se është goxha i madh.

    “Ka shumë të interesuar për kyçjen në kabinetin e kryetarit, shumë ka të interesuar që kryesisht janë të komunitetit serb”, tha Veseli.

    Por përkundër këtyre, si komuna e Zveçanit njashtu edhe ajo e Zubin-Potokut, deri tash nuk kanë nisur asnjë projekt, veçse plane në letër thonë se kanë.
    “Kemi plane, por nuk kemi filluar ende. Tash që në ditët e ardhshme edhe korniza buxhetore për vitin 2024”, tha kryetari Peci.

    “Kemi planet tona që i kemi bërë, kemi bërë edhe kornizën buxhetore. I kemi bërë edhe projektet që si zakonisht janë më shumë projekte për anën e komunitetit serb”, tha Veseli.

    Kryetarët e këtyre dy komunave veriore, morën besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit, ndonëse dalja e votuesve ishte tejet e ulët. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vjen reagimi i presidentit Erdoğan pas djegies së Kuranit në Suedi

    Vjen reagimi i presidentit Erdoğan pas djegies së Kuranit në Suedi

    Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, reagoi në lidhje me djegien e një kopjeje të Kuranit në Suedi, ndërsa krahas autorit, kritikoi autoritetet që lejuan këtë veprim në emër të “lirisë së mendimit”, raporton Anadolu.

    “Ata që e lejuan këtë krim nën maskën e ‘lirisë së mendimit’ dhe ata që mbyllën sytë përballë kësaj poshtërsie, njëlloj sikurse ata që e kryen, nuk do t’i arrijnë qëllimet e tyre”, tha Erdoğan në një program Bajrami me anëtarët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Istanbul, në të cilin ai u lidh onlajn.

    Ai tha se megjithëse dy miliardë muslimanë anekënd botës po festojnë në një klimë qetësie, “armiqtë e Islamit dhe njerëzimit po përpiqen të hedhin hije mbi këtë klimë me provokimet e tyre nën mbrojtjen e policisë”.

    “Sulmi i poshtër ndaj librit tonë të shenjtë, Kuranit, në Suedi, në ditën e parë të Bajramit, është një prej këtyre rasteve…Dua të dihet se si Türkiye, nuk do të përkulemi kurrë para politikës së provokimit ose të kërcënimit. Ne do të shfaqim reagimin tonë në mënyrën më të fortë të mundshme derisa organizatat terroriste dhe armiqtë e Islamit të luftohen me vendosmëri. Do t’u mësojmë arrogantëve perëndimorë se nuk është liri e mendimit të fyhen vlerat e shenjta të muslimanëve”, tha presidenti Erdoğan.

    Të mërkurën, një person i identifikuar si Salwan Momika dogji një kopje të Kuranit nën mbrojtjen e policisë përpara xhamisë së Stockholmit.

    Më 12 qershor, gjykata suedeze e apelit la në fuqi vendimin e gjykatës së ulët për të anuluar ndalimin e djegies së Kuranit, duke vendosur se policia nuk kishte baza ligjore për të parandaluar dy protesta për djegien e Kuranit në fillim të këtij viti.

    Në shkurt, policia refuzoi të lejojë dy përpjekje për djegien e Kuranit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë, pasi politikani danez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan dogji një kopje të Kuranit para ambasadës turke në Stokholm në janar të këtij viti.

    Më vonë, dy persona që u përpoqën të organizonin protesta provokuese përpara ambasadës së Irakut dhe Türkiyes në Stokholm, apeluan vendimin.

    Në prill, Gjykata Administrative e Stokholmit e ndryshoi vendimin, duke vendosur se rreziqet e sigurisë ishin të pamjaftueshme për të kufizuar mundësinë e protestave.

  • Apeli liron nga akuza për privim të kundërligjshëm të lirisë dy ish-drejtorët e IPK-së

    Apeli liron nga akuza për privim të kundërligjshëm të lirisë dy ish-drejtorët e IPK-së

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke liruar nga akuza ish-drejtorin e Departamentit për Hetime në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), Jetullah Aliu dhe ish-drejtoreshën për Hetime Speciale në këtë institucion, Valbona Osmani, të akuzuar për privim të kundërligjshëm nga liria.

    Aktgjykimi i Apelit është marrë më 25 maj 2023, nga kolegji i gjyqtarëve me përbërje nga kryetari i kolegjit Ferit Osmani dhe anëtarë gjyqtarët Kadrije Goga-Lubishtani dhe Skender Çoçaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 korrik 2022, e kishte liruar nga akuza ish-kryeshefin e IPK-së, Fitim Shishani, ndërsa me nga 1 vit e 5 muaj burgim me kusht, i kishte dënuar të akuzuarit Aliu dhe Osmani.

    Ndaj këtij aktgjykimi, ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbrojtësit e të akuzuarit Aliu, avokatët Skender Musa dhe Faton Hyseni dhe mbrojtësi i të akuzuarës Osmani, avokati Florin Vërtopi.

    Prokuroria kishte ushtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal, kurse mbrojtja për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozim që të mbrojturit e tyre të shpallen të pafajshëm ose lënda të kthehet në rigjykim.

    Apeli refuzoi si të pabazuar ankesën e Prokurorisë, ndërsa vendosi t’i aprovojë ato të mbrojtësve të dy të akuzuarve, ndërsa ndryshoi aktgjykimin e Themelores, duke liruar nga akuza Aliun dhe Osmanin.

    Në arsyetimin e vendimit, thuhet se Apeli konstatoi se aktgjykimi i ankimuar duhet të ndryshohet përkitazi me të pandehurit Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani dhe të akuzuarit të lirohen nga akuza, kurse ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, refuzohet si e pabazuar.

    Sipas Apelit, me aktgjykimin e ankimuar përkitazi me të pandehurit Aliu dhe Osmani, si rezultat i vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike është shkelur Ligji Penal sipas nenit 385, par.1, nënpar.1.3 të KPP-së në dëm të të pandehurve, pasi nga provat e administruara nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale “Privim i kundërligjshëm i lirisë”.

    “Kjo për faktin se nga gjitha provat dhe dëshmitë të paraqitura gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje penale, nuk është vërtetuar se të pandehurit Fitim Shishani, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani ta kenë burgosur, mbajtur të mbyllur apo në çfarëdo mënyrë tjetër ta kenë privuar nga liria të dëmtuarin-dëshmitarin Q.V, ashtu siç pretendohet në aktakuzë dhe në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vendim.

    Tutje, Apeli thekson se i dëmtuari nuk ishte privuar kundërligjshëm nga liria, ngase ishte marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit dhe se kjo dëshmohet edhe me procesverbalet e Stacionit Policor në Ferizaj.

  • Dugolli përballet me Gjuriqin: Serbia kreu agresion ndaj një vendi të pavarur kur rrëmbeu 3 policët

    Dugolli përballet me Gjuriqin: Serbia kreu agresion ndaj një vendi të pavarur kur rrëmbeu 3 policët

    Ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, ka marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga “The Henry Jackson Society”, ku i ftuar ka qenë edhe ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq.

    Dugolli në fjalën e tij hyrëse ka folur për ngjarjet e fundit në veri, duke thënë se ato çfarë janë parë gjatë këtyre javëve të fundit janë pjesë e një strategjie të gjerë të Serbisë për të nxitur pasiguri dhe për të shkaktuar destabilizim.

    “Ajo që kemi parë gjatë javëve të fundit është pjesë e strategjisë së Serbisë për të provokuar pasiguri dhe për të shkaktuar jo-stabilitet”, ka thënë ambasadori Dugolli.

    Ai tutje ka thënë se pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe pas inaugurimit të kryetarëve të rinj, Serbia ka mobilizuar strukturat ilegale në veri të Kosovës për të shkaktuar protesta të dhunshme të cilat për target kanë pasur institucionet, policinë, qytetarët, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët.

    Dugolli thotë se rrëmbimi i tre policëve të Kosovës ka qenë një episod shtesë në listën e gjatë të veprimeve të Serbisë.

    “Pas zgjedhjeve të prillit dhe inaugurimit të kryetarëve të rinj, Serbia mobilizoi strukturat ilegale për të shkaktuar protesta të dhunshme, për të targetuar institucionet, policinë, qytetarët, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët.

    Presidenti i Serbisë hapur ka inkurajuar këto sulme, duke i cilësuar prezencën e gazetarëve në veri si provokim.

    Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës është një episod tjetër i një liste të gjatë të këtyre veprimeve”, ka thënë Dugolli.

    Ai tutje ka shtuar se rrëmbimi i tre policëve të Kosovës ka qenë një akt agresioni ndaj një shteti sovran dhe të pavarur dhe gjithashtu është shkelje e Marrëveshjes Tenkiko Ushtarake.

    “Ky ishte një akt i agresionit të një vendi sovran dhe të pavarur. Kjo ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe shkelje e dokumenteve që Serbia ka nënshkruar, si Marrëveshja Teknike Ushtarake dhe Marrëveshjen e fundit të arritur në Bruksel dhe Ohër”, ka thënë ambasadori i Kosovës.

    Dugolli ka thënë tutje se në esencë rrëmbimi i 3 policëve, akt ky i planifikuar dhe i paramenduar, është një revansh kundër Policisë së Kosovës e cila po e lufton krimin në atë pjesë të Kosovës.

    “Në esencë, ky akt duket të jetë një revansh kundër Policisë së Kosovës e cila po e lufton krimin”, ka shtuar tutje diplomati kosovar.

    Dugolli thotë se Serbia në vend të normalizimit të raporteve, ka normalizuar përdorimin e forcës dhe kërcënimet.

    “Në vend të lëvizjes drejt normalizimit të raporteve, duket që Serbia me gjithë kapacitetet kërkon të normalizojë forcën dhe kërcënimet”, ka thënë Dugolli.

    Pas Dugollit, fjalën e ka marrë ambasadori i Serbisë, Marko Gjuriq, duke se kur po dëgjon për teoritë rreth asaj që po ndodh, po i kujtohen filmat popullorë të vitit 1993.

    Gjuriq ka thënë se aktualisht po flitet për gjëra që sipas tij do të duhej të kishin ndodhur para 10 vitesh, duke përmendur këtu çështjen e Asociacionit.

    “Për mua nganjëherë edhe duke dergjura këto teoritë se për çfarë po ndodh, më kujton filmat popullor të vitit 1993. Sepse ne po flasim për tema që do të duhej të ishin zgjidhur shumë kohë më parë. Më shumë se 10 vjet më parë ne jemi pajtuar për disa principe që u arritën mes palëve”, ka thënë Gjuriq.

  • Eurodeputeti austriak kritikon masat e BE-së për Kosovën: Po injorohet që provokimet erdhën nga Vuçiqi

    Eurodeputeti austriak kritikon masat e BE-së për Kosovën: Po injorohet që provokimet erdhën nga Vuçiqi

    Kreu i delegacionit të Partisë Socialdemokrate të Austrisë në Parlamentin Europian, eurodeputeti Andreas Schieder, ka reaguar për masat e planifikuara të BE-së kundër Kosovës.

    Ai thotë se ato janë të gabuara dhe se po injorohet fakti se provokimet erdhën nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Masat e njëanshme ndëshkuese ndaj Kosovës të parapara nga Komisioni i Europian janë të gabuara. Ata injorojnë atë se provokimet erdhën nga Vuçiq i Serbisë. Nuk është e pranueshme të heshtësh për Serbinë ndërkohë që vetëm Kosova bëhet përgjegjëse për de-përshkallëzimin. Një proces serioz i dialogut duhet të ndërmarrë masa të qarta ndaj Serbisë”.

  • Nis samiti i BE-së në Bruksel: Raportet Kosovë-Serbi në rend dite

    Nis samiti i BE-së në Bruksel: Raportet Kosovë-Serbi në rend dite

    Liderët e Bashkimit Evropian në samitin e fundit nën Presidencën suedeze të Këshillit Evropian që ka nisur në Bruksel, do të diskutojnë mes tjerash edhe për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat po vazhdojnë.

    Në prag të nisjes së këtij takimi disa liderë evropianë kanë përsëritur thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për t’i ulur tensionet.

    Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe ai i Sllovenisë, Robert Gollob, thanë para gazetarëve në Bruksel se sa më parë duhet të zhvillohen zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës. Ata ftuan Serbinë që t’u bëjë thirrje të qartë serbëve në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje.

    Plenkoviq bëri të ditur se ai ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të pasur një pasqyrë më të qartë për situatën në prag të diskutimeve në samitin e së enjtes. Ai, po ashtu, ka pasur një bisedë edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq, në fundjavë.

    Ndërkaq, kryeministri i Sllovenisë, Gollob, duke folur për masat ndaj Kosovës që po i vendos BE-ja, tha se “duhet pasur një qasje të balancuar ndaj të dyja palëve, sepse asnjëherë nuk është fajtore vetëm njëra palë, edhe kur duket se një gjë e tillë është e thjeshtë”.

    Samiti ka filluar me urimet drejtuar Kroacisë, e cila shënon 10-vjetorin e anëtarësimit në BE dhe mbetet akoma vendi më i ri anëtar i saj.

    Në këtë përvjetor, sikur edhe në përvjetorin e 20-të të samitit të Selanikut ku u dha premtimi për perspektivë evropiane të rajonit, do të përsëritet përkushtimi për integrimin e tyre në BE.

    “Duke rikujtuar Deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor të 21 qershorit 2003, dhe konkluzionet tjera të mëhershme, në veçanti ato të 23 dhe 24 qershorit 2022, Këshilli Evropian përsërit mbështetjen e plotë dhe të parezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në tekstin e draftit të konkluzioneve, të cilat do të miratohen në këtë takim.

    Këshilli Evropian do të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit shkurt, si dhe Aneksit për të cilin palët ishin pajtuar në takimin e Ohrit.

    “Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian më 3 qershor 2023”, thuhet në këtë tekst, ku po ashtu shtohet se:

    “Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”.

    “Është esencial vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja të udhëhequr nga Përfaqësuesi i lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe implementimi i Aneksit është i domosdoshëm. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe“ thuhet në këtë tekst.

    Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke folur para nisjes së takimit të liderëve në Bruksel, ka mbështetur idenë për zhvillimin e një konference në nivel të lartë, me pjesëmarrjen e shteteve të BE-së dhe SHBA-së për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

  • Brukseli shpalos planet për lansimin e EURO-s digjitale

    Brukseli shpalos planet për lansimin e EURO-s digjitale

    Komisioni Evropian ka paraqitur propozimin e lansimin të EURO-s digjitale, e cila mund të përdoret për të bërë pagesa ‘online’ dhe ‘offline’, raporton Euronews, përcjell atvlive.tv.

    Valutat digjitale kanë patur një rritje të madhe në popullaritet gjatë viteve të fundit, ku kriptovalutat si BITCOIN vazhdon të qëndrojë në krye të tyre. Por, ndryshe nga BITCOIN, EURO-ja digjitale do të ishte valutë e Bankës Qendrore të Valutave Digjitale (CBDC).

    Qëllimi do të ishte tu ofronte konsumatorëve një zgjidhje alternative për pagesat në të gjithë Evropën, përveç opsioneve që ekzistojnë sot.

    “Me EURO-n digjitale, njerëzit do të jenë në gjendje të paguajnë kudo. Në mënyrë unike, ata do të jenë në gjendje të bëjnë pagesa ‘online’ dhe ‘offline’. Me një portofol digjital në telefonin tuaj – do të jeni pothuajse sikur të kishit monedha dhe banknota në xhepin tuaj. Do të jeni në gjendje të bëni pagesa me lehtësi. Ju madje nuk keni nevojë as të keni një lidhje interneti”, tha zëvendëspresidenti Ekzekutiv i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, gjatë një konference për shtyp.

    Ai shtoi se “do të jetë nismë ligjore, e mbështetur nga Banka Qendrore Evropiane, për ta bërë atë të pranueshme në gjithë zonën e EURO-s”. /atvlive.tv

  • Protestë kundër Rusisë gjatë Samitit të Liderëve të BE-së në Bruksel

    Protestë kundër Rusisë gjatë Samitit të Liderëve të BE-së në Bruksel

    Përderisa po zhvillohet Samiti i Liderëve të Bashkimit Evropian (BE) në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, një grup i demonstruesve pro-Ukrainë protestuan kundër Rusisë, raporton Anadolu.

    Protestuesit u mblodhën me flamujt e Ukrainës në duar në sheshin Schuman, ku gjendet edhe ndërtesa e Këshillit të BE-së ku po mbahet samiti.

    “Ukraina duhet të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s”, “Rusia është një shtet terrorist”, “Ndaloni terrorin nuklear”, “Rusia vret fëmijët” ishin disa nga pankartët që mbanin protestuesit, ndërsa një kohë të gjatë i ranë edhe sirenës.

    Demonstruesit brohoritën parulla që tregonin rrezikun e sulmit terrorist të Rusisë në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia dhe bënë thirrje për parandalimin e rrezikut bërthamor.

    Në mbështetje të protestës ishin edhe gjeorgjianët të cilët brohoritën slogane se vendi i tyre është nën kërcënimin e Rusisë dhe se Gjeorgjia duhet të bëhet anëtare e BE-së.