ATV

Category: Lajme

  • ​Musliu: Organizatat në veri të shpallura terroriste ishin në listë të pritjes që prej 2013

    ​Musliu: Organizatat në veri të shpallura terroriste ishin në listë të pritjes që prej 2013

    Drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu, ka thënë se në bazë të informacioneve të siguruara organizatat “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e veriut” kanë qenë në listën e pritjes për t’u shpallur terroriste qysh në vitin 2013. Ndërkohë që ka thënë se kjo e fundit, është shfaqur publikisht tek vitin e kaluar.

    Musliu ka shkruar në rrjete sociale se lidhjet e këtyre dy organizatave me Rusinë dhe “Qendrën humanitare serbo-ruse” në Nish, janë të hershme.

    “Më 27 prill 2014, në aeroportin e Nishit, pikërisht kjo qendër e spiunazhit rus, i kishte dhuruar ‘Civilna Zastitas’ 10 automjete të tipit ‘Lada-Niva’. Pranimin e kishin bërë Predrag Mariq (nga sektori për situata të jashtëzakonshme nga MPB e Serbisë), Vasa Jeliq (nga i ashtuquajturi qarku i Mitrovicës), Goran Rakiqi (si sih-kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore) dhe Stevan Paviçeviq (shef i tashmë organizatës terroriste “Civilna Zastita). Në dhjetor të vitit të kaluar, pjesëtarë të aramtosur “Mbrojtjes civile” në veri, të barrikaduar e me armë, ishin furnizuar nga kjo qendër e Nishit me pako të dyshimta”, ka shkruar ai.

    Qeveria e Kosovës të enjten mori vendim që organizatat që veprojnë në komunat veriore të vendit si “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste. Kundër këtij vendimi ishte ministri serb Nenad Rashiq.

    Ndërsa DASH ka deklaruar se shpallja e këtyre dy organizatave si terroriste, ishte vendim i pakoordinuar.

  • Schneeberger: Kosova me ofertë konkrete për shtensionim të situatës – po pala serbe?

    Schneeberger: Kosova me ofertë konkrete për shtensionim të situatës – po pala serbe?

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas hapave që kryeministri i vendit, Albin Kurti, i prezantoi dje si mënyrë për t’u shtensionuar situata në veri.

    Ajo tha se Kosova tashmë ka një ofertë për shtensionimin e situatës, por jo edhe pala serbe.

    “Këtu oferta nga Kosova për të de-përshkallëzuar situatën. A ka edhe ofertë konstruktive nga pala serbe? Ju lutem mos ngurroni të postoni në komente nëse dikush ka gjetur diçka”, ka shkruar Scheeberger në llogarinë e saj në Twitter, transmeton Klankosova.tv.

    Kujtojmë se dje Kurti prezantoi tetë hapa përmes të cilëve, sipas tij, do të ndodhte shtensionimi i situatës në veri.

    Më poshtë gjeni hapat e prezantuar nga Kurti:

    • Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;
    • Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;
    • Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;
    • Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.
    • Ndërkohë nga Serbia presim si në vijim:
    • Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre;
    • Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;
    • Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit.
    • Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.

    Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra.

  • SHBA dënon djegien e Kuranit në Suedi

    SHBA dënon djegien e Kuranit në Suedi

    Departamenti i Shtetit të SHBA-së e cilësoi djegien e djeshme të kopjes së Kuranit, të kryer nga Salwan Momika, me origjinë nga Iraku, para një xhamie në Stokholm të Suedisë nën mbrojtjen e policisë, si “mungesë respekti dhe të dhimbshme”, raporton Anadolu.

    Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel në konferencën për media u pyet për djegien e Kuranit të Shenjtë në Suedi, për të cilën u përgjigj:

    “Disa herë kemi përsëritur se djegia e teksteve fetare është mungesë respekti dhe e dhimbshme. Ajo që mund të jetë e ligjshme nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme”, tha Patel duke shtuar se qeveria suedeze dhe policia lokale mund të komentojnë më tej incidentin.

    Patel theksoi se ata vazhdojnë të inkurajojnë Hungarinë dhe Türkiye-n që të ratifikojnë pa vonesë protokollin e anëtarësimit për pranimin e Suedisë në NATO. Shtetasi irakian Salwan Momika dogji një kopje të Kuranit, librit të shenjtë musliman, përpara një xhamie në kryeqytetin suedez, Stokholm, të mërkurën.

    Ngjarja ka ndodhur para xhamisë në Medborgarplatsen, ku Momika fillimisht hodhi Kuranin në tokë dhe më pas e dogji me fjalë fyese kundër Islamit. Policia lokale u thirr para xhamisë për të parandaluar çfarëdo incidenti si një përgjigje e mundshme ndaj provokimit.

    Më 12 qershor, Gjykata e Apelit në Suedi la në fuqi vendimin e gjykatës së ulët për të anuluar ndalimin e djegies së Kuranit, duke vendosur se policia nuk kishte bazë ligjore për të parandaluar dy protesta për djegien e Kuranit në fillim të këtij viti.

    Në shkurt, policia refuzoi të lejojë dy përpjekje për djegien e Kuranit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë, pasi politikani danez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan dogji një kopje të Kuranit para ambasadës turke në Stokholm në janar të këtij viti.

    Më vonë, dy persona që u përpoqën të organizonin protesta provokuese përpara ambasadës së Irakut dhe Türkiye-s në Stokholm, apeluan vendimin.

    Në prill, Gjykata Administrative e Stokholmit e ndryshoi vendimin, duke vendosur se rreziqet e sigurisë ishin të pamjaftueshme për të kufizuar mundësinë e protestave.

  • KE-ja kërkon dy miliardë euro shtesë për Ballkanin Perëndimor

    KE-ja kërkon dy miliardë euro shtesë për Ballkanin Perëndimor

    Komisioni Evropian ka kërkuar para shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë rishqyrtimit të kornizës afatmesme financiare.

    Në propozimin e paraqitur nga udhëheqësja e KE-së, Ursula von der Leyen, janë kërkuar edhe 2 miliardë euro shtesë për katër vjetët e ardhshëm, krahas mjeteve që ishin miratuar më herët në kornizën 7-vjeçare, përkatësisht për periudhën 2021-2027.

    Edhe në të kaluarën, zyrtarët evropianë kishin deklaruar se është rritur nevoja për mjete financiare shtesë për Ballkanin Perëndimor, për shkak të sfidave të reja të paraqitura, që kryesisht kanë të bëjnë me sigurinë dhe lëvizjet e migrantëve.

    Në propozimin e fundit për rritjen e ndihmës financiare si arsyetim KE-ja ka përmendur pandeminë, luftën në Ukrainë, krizën e energjisë, migracionin, inflacionin dhe rritjen e normës së interesit.

    Një pjesë e parave shtesë që po kërkon KE-ja, parashihen të shkojnë si asistencë për shtetet e Ballkanit Perëndimor që ato të përballen me sfidat e migracionit, kjo pasi blloku evropian vlerëson se përmes së ashtuquajturës “Rrugë Ballkanike” kalojnë një numër i madh i migratëve, që më pas shkojnë drejt shteteve të BE-së.

    Me mjetet shtesë parashihet të financohet forcimi i kontrolleve kufitare, i qendrave për strehimin e refugjatëve dhe programeve të ndryshme për menaxhimin e migrimit.

    Për katër vjetët e ardhshëm për çështjen e migracionit, KE-ja ka kërkuar 15 miliardë euro shtesë. Këto mjete parashihet të përdoren për të ndihmuar në menaxhimin e migrimit nga Siria, por edhe nga vende fqinje të BE-së si Turqia, shtetet e Afrikës së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor.

    Komisionari i BE-së për buxhet, Johannes Hahn, ka deklaruar se blloku evropian duhet t’i ndihmojë partnerët, sidomos Moldavinë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, që përballen me lëvizjet e migratëve si për të mbrojtur kufijtë, ashtu edhe për t’u përballur me pasojat.

    Komisioni Evropian ka propozuar një rritje të përgjithshme të buxhetit të BE-së prej 66 miliardë eurosh për katër vjetët e ardhshëm. Pjesa më e madhe e buxhetit kërkohet për të vazhduar ndihmën për Ukrainën, por edhe për përballje me sfidat e migracionit dhe rritjen e konkurrencës digjitale të BE-së.

    BE-ja funksionon me buxhet njëvjeçar, por ky buxhet është në kuadër të një kornize shumëvjeçare buxhetore.

    Me propozimin e KE-së pritet korniza aktuale 7-vjeçare.

    Shefja e KE-së, Ursula von der Leyen, është shprehur se ky ndryshim i buxhetit të bllokut është i domosdoshëm sepse, sipas saj, bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike pas sulmeve të Rusisë kundër Ukrainës dhe tash BE-ja po përballet me pasoja, duke nisur nga kriza e energjisë dhe rritja e çmimeve.

    Rritja më e madhe kërkohet pikërisht për të vazhduar asistencën për Ukrainën. Lidhur me këtë, KE-ja ka propozuar krijimin e një fondi rezervë prej 50 miliardë eurosh. Por, aty përfshihen edhe 33 miliardë euro kredi që duhet të kthehen, ndërsa 17 miliardë janë paraparë të jenë grante, pra asistencë financiare pa detyrim kthimi.

    Propozimi i Komisionit Evropian, që ndryshon kornizën shumëvjeçare buxhetore – duhet të pranohet nga shtetet anëtare në Këshill dhe në Parlamentin Evropian. Zakonisht disa shtete anëtare, sidomos që janë kontribuuese neto në buxhet – pra që paguajnë më shumë sesa përfitojnë nga buxheti i Bashkimit Evropia – janë kundër rritjeve të mëdha.

    Diplomatët në Bruksel thanë se pajtimi për ndihmë ndaj Ukrainës do të kalojë më lehtë, por rritjet tjera të propozuara do të hasin në kundërshtime, sidomos nga shtetet si Holanda, Gjermania, Austria, Finlanda, Danimarka dhe vende të tjera që paguajnë në neto. Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, tha se KE-ja nuk do të kërkonte këtë rritje sikur të mos kishin ndodhur gjëra të paparashikueshme.

    KE-ja shpreson që pajtimi për rritje buxhetore të arrihet para fundit të vitit. Në qershorin e vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe në fund të atij viti do të zgjidhet edhe përbërja e re e Komisionit Evropian.

    Burimet në BE kanë thënë se për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka nevojë jo vetëm për mbajtjen e asistencës financiare – përmes programeve të paraanëtarësimit (IPA) –në nivelin e tanishëm, por edhe për rritje.

    Asistenca për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ka për qëllim të ndihmojë në përgatitjen e tyre për integrim në BE.

    Të gjitha vendet e rajonit kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, përveç Kosovës.

    Dhjetorin e vitit 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe konsiderohet si “kandidate potenciale”, prandaj edhe është përfshirë në programet e BE-së për vendet në procesin e zgjerimit. /REL

  • Vrasje në Suharekë, arrestohet i dyshuari

    Vrasje në Suharekë, arrestohet i dyshuari

    Një person ka mbetur i vrarë mbrëmë në Suharekë.

    Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili dyshohet se veprën e kreu nga pakujdesia.

    “Lidhur me rastin e lartcekur është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person i dyshuar mashkull kosovar, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Sipas policisë, rasti tashmë është në procedurë hetimore.

  • SHBA: Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, vendim i pakoordinuar

    SHBA: Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, vendim i pakoordinuar

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

    “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA-ja dënon dhunën “e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR”.

    “Ata që kanë kryer për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi.

    Më 29 maj, protestuesit serbë në Zveçan u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it. Dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët gjatë këtyre përleshjeve.

    Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.

    Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

    “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.

    Shpallja e tyre si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.

    Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe.

    Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri.

  • Sot përfundon procesi mësimor në Kosovë

    Sot përfundon procesi mësimor në Kosovë

    Sot është dita e fundit e shkollës për nxënësit dhe mësimdhënësit.

    30 qershori nënkupton përfundimin e këtij viti akademik në Kosovë.

    Ndryshe, ky vit shkollor nisi me greva, e përfundoi duke u munduar të kompensohen humbjet e orëve gjatë saj.

  • Hovenier: Qeveria e Kosovës po na habit me refuzimin e kërkesave të miqve të saj

    Hovenier: Qeveria e Kosovës po na habit me refuzimin e kërkesave të miqve të saj

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuara me faktin se Qeveria e Kosovës nuk është duke ndërmarrë hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri të shtetit.

    Duke folur në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Hovenier, tha se kryeministri kosovar, Albin Kurti, duhet të nisë zbatimin e planit trepikësh të propozuar nga Bashkimi Evropian për dalje nga situata e tensionuar në veri.

    Ky plan, sipas ambasadorit Hovenier, është ajo çfarë përveç SHBA-së, kërkon BE-ja si dhe Mbretëria e Bashkuar.

    “Miqtë e Kosovës, vendet dhe institucionet që më së shumti kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po kërkojnë nga Kosova, nga kjo Qeveri që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe që të zbatojë planin trepikësh të BE-së”, tha Hovenier.

    Plani trepikësh i kërkon Kosovës shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Hovenier tha se është e habitshme se pse nuk ka një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës.

    “Jemi të habitur. Është e vështirë për neve ta kuptojmë se përse kjo kërkesë nuk merr përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, tha ambasadori Hovenier.

    Hovenier nuk përjashtoi pasoja të tjera për Kosovën në rast se Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.

    “Është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdojmë në këtë rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj, nga të gjitha shtetet, që kanë treguar një apo dy dekada përkushtim që të shohin Kosovën duke zëne vendin e saj në Evropë dhe në strukturat euroatlantike”, tha Hovenier.

    Ai mohoi zërat kritik se SHBA-ja është duke u treguar më e ashpër me Kosovën se me Serbinë, duke thënë se edhe nga Serbia është duke u kërkuar zbatimi i planit trepikësh.

    Duke komentuar dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në komunat veriore, Hovenier, tha se ajo nuk është mënyra më e mirë për të mbajtur situatën në kontroll si dhe përmendi, siç tha ai, shqetësimet e shfaqura nga qytetarë të pjesës veriore për praninë e madhe të zyrtarëve policorë të njësive speciale të Kosovës.

    Përkundër mospajtimeve, Hovenier, tha se SHBA-ja e konsideron kryeministrin Kurti partner porse siç tha ai, Kurti duhet të punojë drejt shtensionimit të situatës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Hovenier tha se kryetarët aktualë duhet të ushtrojnë detyrën në vende tjera alternative deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Kjo sipas tij do t’i kontribuonte shtensionimit të situatës atje.

    Hovenier tha se në zgjedhjet e ardhshme lokale në komunat veriore, të banuara me shumicës serbe, SHBA-ja pret dalje në zgjedhje të qytetarëve të këtyre katër komunaleve dhe se për këtë janë në diskutime me serbët lokalë në Kosovë si dhe me Beogradin zyrtar.

    Ambasadori Hovenier tha se duhet të shihet me shqetësim letra e tetë senatorëve amerikanë që iu drejtua presidentit amerikan, Joe Biden, për të shprehur shqetësimin e tyre për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

  • Arrestohen 667 protestues në Francë, polici që vrau 17-vjeçarin kërkon falje

    Arrestohen 667 protestues në Francë, polici që vrau 17-vjeçarin kërkon falje

    Polici francez që qëlloi për vdekje të miturin 17-vjeç, Nahelin, i ka kërkuar falje familjes së tij teksa ishte në paraburgim. Ndërkohë që deri më tani janë arrestuar 667 persona.

    Avokati i tij, Laurent-Franck Lienard, tha se polici ishte “i shkatërruar” dhe se ai nuk ngrihet në mëngjes për të vrarë njerëz.

    “Fjalët e para që shqiptoi ishin kërkim-falja dhe fjalët e fundit që tha ishin për t’i kërkuar falje familjes”, shkruan BBC.

    Ndërsa, në të gjithë Francën kanë vazhduar protestat e shumta ku pas natës së tretë janë arrestuar 667 persona, transmeton KosovaPress.

    Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin ka thënë se policia dhe zjarrfikësit u përballën me “dhunë të rrallë” që përfshiu vendin sërish mbrëmë.

    Shumica e të arrestuarve janë nga mosha 14 deri në 18 vjeç, ndërsa në disa raste protestuesit kanë hyrë me makina në dyqane, barnatore e vende të tjera.

  • Historia e organizatës terroriste “Brigada e Veriut”

    Historia e organizatës terroriste “Brigada e Veriut”

    “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!”. Në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur disa grafite, ku është parë një logo me mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht. Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak.

    Krahas grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron prapa saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre. Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, “Brigada e Veriut” ka më shumë prezencë në rrjetet sociale.

    Për këtë formacion gushtin e shkuar ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në një konferencë për media, Vuçiqi ka thënë se gazetarët dhe opinioni po i referoheshin gabimisht organizatës me emërtimin “Brigada e Veriut”, pasi, sipas tij, emërtimi i saktë është “Brigada Veriu”.

    “Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës [klub futbolli në Beograd]”, ka thënë Vuçiq. Pas kësaj deklarate, grafitet në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të shkruhen me emërtimin “Brigada Veriu”.

    Me kalimin e muajve dhe me rritjen e tensioneve në veri janë shpeshtuar edhe thirrjet e kësaj organizate kundër institucioneve të Kosovës. E në veri janë shkruar edhe mbishkrime që tregojnë se ky formacion ka mbështetës të rinj: “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”. Pas kësaj organizate nuk dihet se kush qëndron.

    Ajo çfarë dihet është se në rrjete sociale, përfshirë platformën e komunikimit “Telegram”, “Brigada e Veriut” ka një llogari, në të cilën publikon vazhdimisht informacione për situatën në pjesën veriore të Kosovës.

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

    Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli këto dy organizata si terroriste.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

    “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA-ja dënon dhunën “e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR”.

    “Ata që kanë kryer për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi.

    Më 29 maj, protestuesit serbë në Zveçan u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it. Dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët gjatë këtyre përleshjeve.

    Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.

    Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

    “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.

    Shpallja e tyre si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.

    Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe.

    Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri.