ATV

Category: Lajme

  • Të gjitha propozimet për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

    Të gjitha propozimet për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

    Një grup i senatorëve amerikanë kërkoi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që të “ushtrojë presion diplomatik” për t’i dhënë fund krizës në veri të Kosovës.

    Ky është i fundit në një seri propozimesh për uljen e tensioneve, që u ngritën qysh në fund të majit.

    Asokohe, kryetarët shqiptarë të komunave në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – hynë në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

    Protestat që vazhdojnë, kanë kulmuar edhe në dhunë mes demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

    Bashkimi Evropian prezantoi një plan për zgjidhjen e krizës, i cili përfshin tërheqjen e policisë speciale të Kosovës nga veriu, transferimin e kryetarëve të komunave në objekte alternative, shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri dhe sanksionimin e demonstruesve që sulmuan trupat e KFOR-it, më 29 maj.

    Dushan Janjiq, nga Forumi joqeveritar për Marrëdhënie Etnike në Serbi, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se BE-ja nuk ka kapacitet apo autoritet mjaft të fortë për ta udhëhequr procesin e shtensionimit.

    Mesazhi i senatorëve amerikanë
    Tetë senatorë amerikanë, përfshirë demokratë dhe republikanë, kërkuan nga administrata e presidentit Biden që “t’i japë përparësi adresimit të situatës së përkeqësuar të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë”.

    Ata paralajmëruan, gjithashtu, rishqyrtimin e mbështetjes së Kongresit, nëse Kosova dhe Serbia “nuk përmbahen” dhe “nëse nuk punojnë për shtensionimin” e situatës.

    Ata kërkuan nga administrata Biden që të sigurojë edhe një raport për Senatin e SHBA-së mbi situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës.

    “Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e vazhdueshme të gati 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Ne i vlerësojmë përpjekjet diplomatike të SHBA-së për qetësimin e krizës, por këto përpjekje nuk janë reciproke sidomos nga Kosova”, thanë senatorët amerikanë.

    Në përgjigje, administrata amerikane tha se ndan të njëjtat shqetësime sikurse Kongresi, lidhur me tensionet në veri të Kosovës.

    Çfarë parasheh plani i BE-së?
    Më 27 qershor, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, prezantoi në Parlamentin Evropian një plan për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

    Plani përfshin tërheqjen e njësive speciale të policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale në veri, zhvendosjen e kryetarëve nga objektet komunale – që shfrytëzohen edhe nga strukturat paralele serbe – në ndërtesa alternative, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në veri dhe fillimin e procedurave gjyqësore kundër demonstruesve që sulmuan trupat e KFOR-it.

    Nga Serbia kërkohet të mundësojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet eventuale, si dhe t’u ofrojë mbështetje autoriteteve përgjegjëse në veprimet kundër sulmuesve të KFOR-it.

    Propozimi i Shqipërisë
    Në të njëjtën ditë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, doli me propozimin për organizimin e një konference ndërkombëtare të nivelit të lartë, për zgjidhjen e krizës në Kosovë.

    Pas takimit me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Bruksel, Rama shfaqi shpresën se kjo ide do t’i sjellë në të njëjtën tryezë udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, ekipet e tyre, si dhe ekipet e BE-së dhe SHBA-së, dhe se atyre “nuk do t’iu lejohet të dalin pa marrëveshje”.

    “Në të kundërtën do të përballeshin me të gjitha pasojat – gjë që do të ishte shumë e trishtueshme për të gjithë”, tha Rama.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se e mbështet idenë për një konferencë të tillë.

    Pas takimit me Ramën, Borrell tha se situata në veri të Kosovës vazhdon të përkeqësohet dhe se Brukseli po humb durimin.

    “Situata kërkon lëvizje të shpejta, shtensionim dhe kërkim urgjent të zgjidhjes”, tha Borrell.

    Si erdhi deri këtu?
    Bashkimi Evropian nuk ka kapacitet ta zgjidhë krizën në Kosovë i vetëm dhe këtë problem duhet t’ua kalojë vendeve të Quint-it – SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë – si dhe aleancës së NATO-s, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

    “Në këtë rast konkret është shumë më e rëndësishme ajo që ndodh në linjën Beograd-Prishtinë-Uashington dhe NATO, sesa ajo që ndodh në Parlamentin Evropian dhe në Komisionin Evropian, sepse të dyja palët do ta dëgjojnë NATO-n”, thotë Janjiq.

    Ai shton se në këto bisedime duhet të përfshihen edhe përfaqësues të drejtpërdrejtë të serbëve në Kosovë, si dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe.

    Kosova dhe Serbia, qysh në vitin 2011, kanë filluar negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme.

    Sipas Janjiqit, shtensionimi urgjent i situatës është i domosdoshëm, por se kjo, për momentin, nënkupton “shuarje të zjarrit”, që ka nisur qysh nga kriza e targave të makinave në mes të vitit 2022.

    Në atë kohë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zëvendësimin e targave që i lëshon Serbia në veri, me targa të Kosovës.

    Janjiq thotë se BE-ja nuk ka arritur ta menaxhojë situatën.

    “Borrell dhe Lajçak kanë thënë vitin e kaluar se po hyhet në një fazë të menaxhimit të konfliktit, por nuk kanë ndërmarrë asnjë masë. Ata kanë vazhduar të merren me politikën e normalizimit”, thotë Janjiq.

    Ai beson se përgjegjëse janë edhe vendet e Quint-it, të cilat kanë pranuar ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, më 23 prill, edhe pse ato janë bojkotuar nga komuniteti serb.

    Sipas Janjiqit, faktori ndërkombëtar nuk e ka theksuar sa duhet përgjegjësinë e Beogradit zyrtar për rritjen e tensioneve.

    “Në vitin 2022, Beogradi ka filluar ta ngrejë nivelin e gatishmërisë luftarake të ushtrisë. Barrikadat janë tashmë traditë. Nga viti 2017, Beogradi ka mbajtur një sistem të tërë të institucioneve paralele atje [në veri të Kosovës], siç është ‘Mbrojtja Civile’. Këtë nuk do ta gjeni në asnjë raport të zyrtarëve evropianë”, thotë Janjiq.

    Ai beson se korniza për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – e cila është krijuar në takimin në Ohër në muajin mars – është rruga e duhur politikisht, por thotë se “kur një ide e mirë vjen në një kohë të keqe”, ajo mund të rrënohet.

    Në Ohër, Kosova dhe Serbia janë pajtuar gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, por hapat në këtë drejtim mungojnë ende. /REL/

  • FSK trajnohet për operacionet e materieve të rrezikshme

    FSK trajnohet për operacionet e materieve të rrezikshme

    Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka zhvilluar një trajnim për “operacionet e materieve të rrezikshme- niveli teknik”.

    “Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Defense Threat Reduction Agency ( DTRA) SHBA, Instruktorët e Kompanisë së Materieve të Rrezikshme nën monitorimin e instruktorëve amerikan kanë realizuar trajnimin “Operacionet e Materieve të Rrezikshme- Niveli Teknik”.”

    Trajnimi është mbajtur në kazermën e FSK-së “Evropianet e Rinj” në Pomozatin, ku pjesëtarët e FSK-së fituan njohuri për përdorimin dhe teknikat e pajisjeve, zbulimin e prezencës dhe për teknikat mbrojtëse ndaj materieve të rrezikshme.

    “Qëllimi i trajnimit ishte të bëjë aftësimin e personelit që të reagoj në incidente me materie të rrezikshme, me qëllim zbatimin ose mbështetjen e veprimeve për të mbrojtur jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.”

  • Arrestimi i mjekëve pas vdekjes së foshnjes, ShSKUK: Rasti po trajtohet me prioritet

    Arrestimi i mjekëve pas vdekjes së foshnjes, ShSKUK: Rasti po trajtohet me prioritet

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka informuar sot se është duke e trajtuar me prioritet të lartë rastin që ka ndodhur në Spitalin e Prizrenit, ku tre mjekë janë arrestuar pas vdekjes së një foshnjeje të porsalindur.

    ShSKUK ka potencuar se janë duke e trajtuar rastin nëse ka pasur shkelje të procedurave standarde gjatë punës së stafit mjekësor dhe se janë duke pritur raportin e ekspertëve mjeko-ligjorë, për të konstatuar e konkluduar mbi shkaqet dhe rastin.

    “Andaj, aktualisht nuk mund të konkludohet nëse e mjekët që kanë trajtuar rastin, ndonëse janë arrestuar, kanë kryer veprim që ka shkaktuar rrezik jete. Raportet profesionale, për çdo rast me fatalitet që ndodh në kushtet spitalore, janë element kyç për të verifikuar nëse mjeku ka shkelur procedurat apo nuk ka vepruar sa e si duhet. Pa këto raporte çdo konkluzion mbetet jo vetëm i pabazuar, por arbitrar.”, është bërë e ditur nga ShSKUK.

    Lidhur me arrestimin e mjekëve, ka reaguar sot edhe Federate e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, e cila ka potencuar se arrestimi i profesionistëve shëndetësorë pas denoncimit të rastit pa u kryer ekspertiza mjeko-ligjore, është skandaloz.

    “Mjekët të cilët edhe gjatë festës i kanë lënë familjet e tyre për ti shërbyer qytetarëve,ata të cilët në historikun e tyre profesional nuk kanë asnjë vërejtje,sot po ballafaqohen me cënim të dinjitetit,degradim e linçim publik. Duke bashkëndjerë dhimbjen me familjen e pacientit, në sistemin shëndetësor si tek ne ashtu edhe në vendet bashkëkohore ndodhin fatkeqësisht edhe përfundime të rasteve me vdekje,por zgjidhjet e rasteve nuk fillojnë me arrestime. Ngjarje të tilla ndikojnë edhe më shumë në uljen e besueshmërisë së qytetarevë për trajtim në sistemin publik shëndetësor por edhe marrjen e shërbimeve shëndetësore nga profesionistët shëndetësor.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    FSSHK ka kërkuar që të lirohen mjekët e arrestuar pa u penguar procedura hetimore për zbardhjen e rastit.

    Ndryshe, Policia e Kosovës ka informuar dje se janë arrestuar tre mjekë në Spitalin e Prizrenit, pasi një burrë ka informuar se pas lindjes së gruas së tij, pas disa minutave, foshnja ka vdekur dhe dyshon se kjo ka ardhur si pasojë e mostrajtimit të duhur nga stafi mjekësor. “Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë (mjekë) dhe janë dërguar në mbajtje.”, ka informuar Policia. Rasti është cilësuar si “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”./KP

  • Kurti: Kosova e gatshme për deeskalimin e situatës, këto janë hapat që duhet të ndërmarrim dy shtetet

    Kurti: Kosova e gatshme për deeskalimin e situatës, këto janë hapat që duhet të ndërmarrim dy shtetet

    Kryeministri Albin Kurti ka dalë me një propozim të ri për de-eskalimin e sitiatës në Veri. Ai ka thënë se do të reduktojë praninë e policëve në ndërtesat komunale ndërkohë që për katër kryetarët e komunave ka thënë se do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka publikuar një video përmes së cilës thotë se e ka njoftuar Borrellin se çfarë është e gatshme të bëjë Kosova për gjendjen në veri dhe çfarë pret nga Serbia. Ai thotë se Kosova është e gatshme të të kontribuojë në de-eskalim.

    Kurti thotë se nga Serbia pret të tërhiqen protestuesit e dhunshëm, ndërsa Republika e Kosovës të bëjë reduktimin e forcave policore pranë objekteve komunale.

    Kurti ka propozuar që zgjedhjet e parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore, ndërsa nga Serbia pret të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm.

    Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

    Të nderuar zonja dhe zotërinj,
    Të dashur miq,

    Dëshiroj t’ju drejtohem të gjithëve në përgjigje të ngjarjeve në veri të Kosovës dhe diskutimeve më të fundit se si t’i qasemi de-eskalimit. Në takimin tonë të fundit në Bruksel, para një jave, në përgjigje të një tryeze që propozonte hapa de-eskalimi nga z. Josep Borrell, Zëvendës President i Komisionit Evropian dhe Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, bëra propozimin e mëposhtëm me hapa konkretë se çfarë është e gatshme të bëjë Kosova dhe çfarë presim nga Serbia në këmbim.

    Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim. Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon.

    Më konkretisht, hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi janë si në vijim:

    1) Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;
    2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;
    3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;
    4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

    Ndërkohë nga Serbia presim si në vijim:
    1) Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre;
    2) Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;
    3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit.
    4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.
    Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra.

    Si përfundim, ne dëshirojmë të ritheksojmë angazhimin tonë për një dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj.

    De-eskalimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve është i realizueshëm, keni gatishmërinë dhe vullnetin tim.

    Gjithë të mirat dhe përshëndetje të përzemërta nga Prishtina. Ju faleminderit shumë.

  • Plenkoviq: Duhet shtensionim dhe zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse në veri të Kosovës

    Plenkoviq: Duhet shtensionim dhe zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse në veri të Kosovës

    Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se Kroacia dëshiron shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

    Ai ka thënë se qëndrimi i vendeve të BE-së është se duan zgjedhje të reja në veri të Kosovës, por ku marrin pjesë edhe serbët e Kosovës.

    “Qëndrimi ynë është se duam deeskalim pas të gjitha incidenteve të muajve të fundit, e që nuk ishin pak. Porosia e dytë, duam sa më shpejt të mbahen zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Zgjedhjet duhet të jenë të sigurta. Në zgjedhjet e fundit pati bojkot. Unë isha në Podgoricë bisedova me përfaqësuesit e Kosovës, e dëgjova edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Po ashtu në Vojvodinë bisedova me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq. Kam marrë pikëpamjet e të dy liderëve. Ekziston gatishmëria për organizimin e zgjedhjeve, por duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Nëse bojkotohen, atëherë do të gjendemi sërish në situatë të njëjtë. Kroacia do paqe, deeskalim e zgjedhje të reja”, ka thënë Plenkoviq, para takimit të Këshillit të BE-së.

    Plenkoviq ka thënë se edhe Beogradi duhet t’u bëjë thirrje qytetarëve serbë në veri të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje.

  • Yevgeny Prigozhin nuk do marrë më pjesë në luftën në Ukrainë

    Yevgeny Prigozhin nuk do marrë më pjesë në luftën në Ukrainë

    Wagner nuk do të marrë më pjesë në luftën e zhvilluar në Ukrainë.

    Prigozhini aktualisht gjendet në Bjellorusi, pas rebelimit jetëshkurtër që shkaktoi javën e kaluar në Rusi.

    Lajmi mund të jetë avantazh i madh për Ukrainën.

    Kujtojmë se Wagner ka luajtur rol në okupimin e territoreve të Ukrainës nga Rusia.

  • Franca do t’i vendosë në rrugë 40 mijë policë mes frikës për trazira më të dhunshme

    Franca do t’i vendosë në rrugë 40 mijë policë mes frikës për trazira më të dhunshme

    Të paktën 40 mijë oficerë policie janë vendosur në të gjithë Francën për t’u marrë me protestat e shkaktuara nga vrasja e një 17-vjeçari nga policia.

    Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin ka bërë me dije se sonte do të mobilizohen 40 mijë oficerë në të gjithë Francën.

    “Dje, vetëm 9,000 u vendosën. Megjithatë, gjendja e jashtëzakonshme nuk pritet të shpallet, tha ai.

    Adoleshenti, i quajtur Nahel M, u qëllua në distancë, pasi ai refuzoi të ndalej me veturë në një pikë kontrolli dhe u largua.

    Të paktën 180 persona janë arrestuar pas një nate të dytë trazirash, ndërsa 170 oficerë u plagosën, tha ministri i brendshëm francez, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    Në Nanterre, ku u qëllua Naheli, po zhvillohet një marshim i organizuar nga nëna e adoleshentit në kujtim të tij.

    Oficeri i policisë që qëlloi adoleshentin është vënë nën hetim zyrtar për vrasje me dashje.

    Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbajtur një takim krize dhe e ka dënuar dhunën në rrugë.

  • Tensione në Kuvend, Konjufca: Ndërpritet kjo seancë, shkojmë në shtëpi

    Tensione në Kuvend, Konjufca: Ndërpritet kjo seancë, shkojmë në shtëpi

    Seanca e nisur pas orës 12:00 ka përfunduar para kohe. Pikat e para të rendit të ditës ishin disa marrëveshje ndërkombëtare dhe u kërkua votimi dhe prania e 80 deputetëve.

    Por, shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri tregoi se partia ku ai bën pjesë nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Ne kemi hezituar për t’i votuar këto marrëveshje të enjten. Kemi qenë shumë hezitues për këtë çështje”.

    Mimoza Kusari-Lila e quajti të pakuptimtë deklaratën e Tahirit. Ajo kërkoi që të arrihet numri i duhur i deputetëve për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Dëshpëruese ndryshimi i qëndrimit dhe pavërtetat që i thotë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Asnjëherë Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pasur pretendime për kërcënim apo devijim të seancës”, tha ajo, teksa i kërkoi Tahirit të mos akuzojë dhe ndryshojë fjalët e tij.

    “Mos bën lojëra tilla. Ju jeni njerëz të padijshëm, të paaftë. S’mundesh me drejtu një grup parlamentar siç duhet. S’është problem i PDK-së ky. Si GP nuk ua votojmë marrëveshjet. Problemin kryesor e kemi te paaftësia juaj”, tha Tahiri, teksa kërkoi nga Konjufca që t’i qetësojë deputetët, pas polemikave dhe tensioneve të krijuara në sallë.

    Më pas, Konjufca njoftoi ndërprerjen seancës së Kuvendit të Kosovës. “Atëherë ndërpritet kjo seancë. Shkojmë në shtëpi”, tha ai, i cili paraprakisht i kërkoi sinqeritet Tahirit të PDK-së.

    “Jeni pajtuar në një pikë, do të sjellim aq deputetë sa kemi mundësi. Nuk ka qenë që nuk do t’i votoni marrëveshjet ndërkombëtare. Ai është qëndrim i PDK-së, unë e respektoj. Sinqeritet po kërkoj, kjo më ndihmon në mbarëvajtjen e seancave. Këto po ta kërkoj. Kaq e thjeshtë është”.

    Dy pikat e para të seancës së sotme që ishin marrëveshje ndërkombëtare janë: Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, dhe shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

  • Borrell: Nëse nuk ka shtensionim të situatës do të ketë pasoja

    Borrell: Nëse nuk ka shtensionim të situatës do të ketë pasoja

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell, është prononcuar për media para fillimit të samitit dyditor që ka nisur në Bruksel.

    Borrell foli edhe për Kosovën dhe Serbinë.

    Ai theksoi se shtetet anëtare kanë vendosur që masat duhet të ndërmerren.

    Sipas tij ato do të jenë ekonomike dhe politike, për t’ua bërë të qartë se nëse nuk kontribuojnë për shtensionim vjen me një kosto.

    “Do t’i njoftojë liderët për gjithë punën e këtyre ditëve dhe do të kërkoj mbështetjen e tyre për të vazhduar me presion ndaj tyre për të shmangur eskalimin dhe për t’u kthyer në normalitet”, tha Borrell.

  • KE mbështet idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë

    KE mbështet idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.

    Michel i bëri komentet në prag të një samiti të BE-së, që zhvillon punimet sot dhe nesër në Bruksel.

    “Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.

    “Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi]”, tha Michel.

    “Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

    Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë Michelin.