ATV

Category: Lajme

  • Bota regjistroi ditën më të nxehtë ndonjëherë më 3 korrik

    Bota regjistroi ditën më të nxehtë ndonjëherë më 3 korrik

    E hëna e 3 korrikut, ishte dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në botë, sipas të dhënave nga Qendrat Kombëtare e SHBA për Parashikimin e Mjedisit.

    Temperatura mesatare globale arriti në 17,01 gradë Celsius (62,62 Fahrenheit), duke tejkaluar rekordin e gushtit të vitit 2016 prej 16,92 gradë Celsius (62,46 F), ndërsa valët e të nxehtit vërshuan gjithë botën, raporton Reuters.

    Jugu i SHBA-së ka vuajtur të nxehtë të madh në javët e fundit. Në Kinë vazhdoi një valë e qëndrueshme e të nxehtit, me temperatura mbi 35C (95F). Në Afrikë të Veriut temperaturat kanë arritur në afro 50C (122F).

  • Më pak qifte të kurorëzuar në vitin 2022 sesa një vit më parë

    Më pak qifte të kurorëzuar në vitin 2022 sesa një vit më parë

    Në vitin e kaluar janë regjistruar 19 mijë e 490 kurorëzime brenda dhe jashtë Kosovës.

    Prej këtyre kurorëzimeve të regjistruara, 17 mijë e 863 kurorëzime kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, kurse kurorëzime të cilat kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 627.

    Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, krahasuar me vitin paraprak (2021) që ishin 18 mijë e 131 kurorëzime, në vitin 2022 janë kurorëzuar 17 mijë e 863, ose 1.5% më pak.

    Kurse, jashtë Kosovës janë regjistruar 1 mijë e 627 kurorëzime.

    Krahasuar me vitin 2021 (1 mijë e 566 kurorëzime), janë 3.9% më shumë qifte të kurorëzuara.

    “Nga të dhënat statistikore, shihet se kurorëzime (brenda Kosovës), janë regjistruar më pak në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, ndërsa (jashtë Kosovës) ka numër më të madh të qifteve të kurorëzuara në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021”, thuhet në raportin për Statistikat e Kurorëzimeve për vitin 2022.

    Në Prishtinë janë regjistruar më së shumti kurorëzime, 1 mijë e 718, ose 8,8%; në Prizren 1 mijë e 537 kurorëzime ose 7,9%; në Ferizaj 1 mijë e 133 kurorëzime ose 5.8%, etj.

    Personat e kurorëzuar sipas grup-moshës në vitin 2022, më së shumti raste ka te meshkujt e grup-moshës 25-29 vjeç, ndërsa tek femrat më së shumti raste të kurorëzimeve ka grup-mosha 20-24 vjeç.

    Mosha mesatare e personave të kurorëzuar të regjistruar gjatë vitit 2022 ishte 29 vjeç.

  • Zelensky akuzon Rusinë për vendosjen e mundshme të eksplozivëve në centralin bërthamor

    Zelensky akuzon Rusinë për vendosjen e mundshme të eksplozivëve në centralin bërthamor

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka akuzuar të mërkurën (sot) Rusinë për vendosje të mundshme të eksplozivëve në centralin bërthamor, në Zaporizhzhia.

    Në një intervistë për Skynews, Zelensky ka thënë se retorika rreth një sulmi të mundshëm në centralin bërthamor të Zaporizhzhia është rritur.

    “Retorika rreth një sulmi të mundshëm në centralin bërthamor të Zaporizhzhia është rritur”, është shprehur ai teksa ka akuzuar Rusinë për vendosje të mundhsme të eksplozivëve në centralin bërthamor.

  • ​Britania e Madhe: Ushtria ruse ka humbur më shumë se gjysmën e kapaciteteve luftarake

    ​Britania e Madhe: Ushtria ruse ka humbur më shumë se gjysmën e kapaciteteve luftarake

    Ushtria ruse ka humbur gjysmën e mjeteve të saj luftarake në Ukrainë, duke përfshirë 2 mijë e 500 tanke. Kështu njoftoi sot (e mërkurë) shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, admirali Tony Radakin.

    Gjatë një seance dëgjimore para Komitetit të Mbrojtjes të Dhomës së Komunave, Radakin theksoi se Rusia, aktualisht është dobësuar, duke mos pasur forcën për të kryer kundërsulmin e saj, shkruan ANSA.

    “Vitin e kaluar, u përdorën 10 milionë predha artilerie, por në rastin më të mirë, mund të prodhohen vetëm një milion në vit”, shtoi ai.

    Sipas tij, përballë humbjes së 2 mijë e 500 tankeve, Moska mund të furnizojë ushtrinë e saj me 200 tanke të reja në vit.

    Në lidhje me kundërsulmin e Kievit, admirali tha se nuk ishte një veprim “i vetëm”, por një përpjekje e koordinuar dhe e qëndrueshme.

    Për më tepër, strategjia ukrainase për presionin e vazhdueshëm mbi linjat e armikut po jep rezultate në terren.

    Ai pranoi gjithashtu vështirësitë për shkak të gjatësisë së frontit, densitetit të madh të fushave të minuara ruse, mungesës së mbulimit ajror nga forcat e Kievit dhe faktit që Ukraina nuk i ka marrë akoma të gjitha armatimet e nevojshme nga aleatët e saj perëndimorë.

  • ​Rizvanolli: Trajnimet në TIK rrisin produktivitetin në industrinë e vendit

    ​Rizvanolli: Trajnimet në TIK rrisin produktivitetin në industrinë e vendit

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se trajnimi në sektorin e TIK-ut rritë produktivitetin në të gjithë industrinë e vendit.

    Këto komente Rizvanolli i bëri në përmbylljen e raundit të gjashtë të trajnimeve semestrale për rreth 300 të rinj nga fushat e “Java Programming”.

    Ministrja tha po ashtu se Kosova është kampione në rajon, e po ashtu e krahasueshme me shtetet e BE-së për përdorim të internetit

    “Jam e lumtur që të rinjtë dhe të rejat keni fituar aftësitë më të avancuara, se sa të tjerët për ta bërë dhe për t’i kontribuar sektorit të TIK-ut në Kosovë, rritjes se produktivitetit, rritjes së prodhimit të shërbimeve dhe eksportit të shërbimeve në vendin tonë…..Ky sukses i sektorit të TIK-ut nuk është për tu habitur duke marrë parasysh nivelin e infrastrukturës që e kemi dhe aspektet e tjera që e mundësojnë ketë. Trajnimi në sektorin e TIK-ut e rrit produktivitetin në të gjithë industrinë e vendit. Njohuritë digjitale i mundësojnë individëve të thjeshtësojnë proceset dhe të përshpejtojnë procedurat. Kosova sot është kampione në rajon dhe e krahasueshme me shtetet e BE-së dhe të Evropës për shtrirje dhe përdorim të internetit. Gjatë vitit të kaluar kemi arritur të kemi përdorim të madh internetit, duke e vënë Kosovën në top gjashtë vendet në Evropë sa i përket kësaj infrastrukture dhe qasje”, tha Rizvanolli

    Shefi i Departamentit të Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Johannes Stenbaek tha se objektivi kryesor i trajnimit është që të rrisë konkurrencën e bizneseve digjitale dhe tradicionale të Kosovës.

    Ai u shpreh se zhvillimi i sektorit të TIK-ut do të ndikojë edhe në zhvillimin tregut të punës në Kosovë.

    “Objektivi i përgjithshëm i projektit është të rrisë konkurrencën e bizneseve digjitale dhe tradicionale të Kosovës duke mbështetur rritjen e sektorit të TIK-ut në Kosovë që çon drejt rritjes dhe krijimit të vendeve të punës… Në total, ata do ta menaxhojnë projektin për 3 vjet e gjysmë dhe do të kenë një buxhet të përgjithshëm prej rreth dy milionë e gjysmë euro”, u shpreh Steanbeak.

    Edhe drejtuesi nga ekipi ICT, Grigoris Kontzoglou tha se Kosova ka shumë Kompani të mira të TIK-ut dhe për këtë arsye punojnë me ekspertë në Kosovë.

    Ai u shpreh se fokusi kryesor është trajnimi i të rinjve.

    “Ne punojmë së bashku me partnerët tanë, me Ministrinë e Ekonomisë, me delegacionin e BE-së, me trajnerët tanë, me kompanitë e TIK-ut nga Kosova, dhe mendojmë se jo vetëm i kemi arritur objektivat tona, por edhe kemi tejkaluar objektivat… Kosova ka shumë e shumë kompani të mira të TIK-ut. Eksportimi i produkteve dhe shërbimeve të tyre në SHBA, në Bashkimin Evropian në vendet e Skandinavisë dhe Zvicrës dhe në vendet e tjera të botës krijon një kërkesë të madhe të ekspertëve të aftë në TIK dhe për këtë arsye ne jemi këtu për të kapërcyer hendekun e aftësive të ekspertëve që ekzistojnë në Kosovë. Fokusi kryesor është trajnimi i njerëzve, trajnimi i të rinjve”, u shpreh Kontzoglou.

    Mbi 1 mijë e 500 të rinj janë certifikuar gjatë gjashtë semestrave. Projekti “Java Programming” është financuar nga Bashkimi Evropian. /kp

  • Abdixhiku paralajmëron takim me Osmanin: S’do të rrimë duarkryq

    Abdixhiku paralajmëron takim me Osmanin: S’do të rrimë duarkryq

    Pas takimit më shumë se tre orësh me opinionistë dhe gazetarë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar takim me presidenten Vjosa Osmani, për të diskutuar gjendjen e tensionuar në veri, si pjesë e planit të LDK-së për dalje nga kriza.

    Ai para gazetarëve tha se e vlerëson të paprecedentë situatën aktuale. Abdixhiku tha po ashtu se po mundohen që të gjejnë zgjidhje, për çka theksoi se do të dalin me një kauzë të gjithmbarshme të LDK-së.

    I pari i LDK-së tregoi se do të vazhdojë të mbajë takime me organizata të shoqërisë civile, botën akademike dhe ish-diplomatë, sektorin privat për t’u mobilizuar, sipas tij, që të gjejnë zgjidhje.

    Në lidhje me situatën politike në vend, Lumir Abdixhiku tha se nuk mund të qëndrojnë duarkryq.

    Sa i përket planit për daljen nga kriza, i pari i LDK-së u shpreh se janë në fazë konsultimesh por që tashmë e kanë një ide se si do të dalin nga kriza.

    “Tani ne jemi në fazën e konsultimit. Kemi prezantuar sot disa pika se si do të dalim nga kjo krizë, duke përfshirë krizën e situatës në veri, çështjet e obligimeve ndërkombëtare dhe rangimin e Kosovës në familjen euroatlantike”, tha ai.

  • ​Eurodeputetët kërkojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Dodikut

    ​Eurodeputetët kërkojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Dodikut

    Deputetët kryesorë të Parlamentit Evropian që merren me rajonin e Ballkanit Perëndimor, kanë kërkuar që të vendosen sanksione ndaj liderit të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, për shkak të veprimeve të tija secesioniste që dëmtojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës.

    Shefi i Komisionit për politikë të jashtme, David McAllister, raportuesi për Bosnje e Hercegovinën, Paulo Rangel, dhe shefi i delegacionit për Kosovën dhe BeH-në, Romeo Franz nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë kërkuar masa urgjente nga BE-ja ndaj Millorad Dodikut, shkruan REL.

    “Nuk mund të tolerojmë më secesionistët dhe mbështetësit e tyre që në mënyrë sistematike të rrezikojnë Bosnje e Hercegovinën“, thuhet në deklaratën e tyre.

    Ata dënojnë vendimin e Asamblesë së entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë për të mos pranuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së, të cilin vendim e konsiderojnë sulm direkt nja rendit Kushtetues dhe ndaj marrëveshjes së Dejtonit.

    “Në dritën e provokimeve të fundit të presidentit Dodik dhe zyrtarëve tjerë udhëheqës të Republikës serbe, nevojiten urgjentisht veprime shtesë nga Bashkimi Evropian. Parlamenti Evropian vazhdimisht ka kërkuar nga Këshilli që të kalojë nga deklaratat verbale në veprime specifike ndaj atyre që qëllimisht rrezikojnë rendin kushtetues dhe integritetin e Bosnje e Hercegovinës. Është koha e fundit për BE-në dhe vendet anëtare që më në fund të vendosin sanksione ndaj Millorad Dodikut, i cili tashmë është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e madhe“, thuhet në këtë deklaratë.

    Ata kanë tërhequr vërejtjen se kredibiliteti i Bashkimit Evropian është në pikëpyetje dhe BE-ja nuk mund më vetëm të kënaqet me deklarata verbale në mbështetje të veprimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, por duhet që në mënyrë aktive të ndërmarrë masa.

  • Kurti kushtëzoi takim me mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive, Rama: Flas nesër në Prishtinë

    Kurti kushtëzoi takim me mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive, Rama: Flas nesër në Prishtinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka lënë të nënkuptohet se nesër (6 korrik) do të vizitojë Kosovën.

    I pyetur pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se nuk do të takohet me Ramën nëse nuk mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Rama refuzoi të përgjigjet, por tha se “do të flas kur të jetë koha për të folur”.

    “Do të flas nesër në Prishtinë”, u shpreh ai.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur sot se nuk do të takohet me homologun nga Shqipëria, Edi Rama, këtë javë në Prishtinë nëse nuk mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive të dy vendeve.

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama do të nisë një tur ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit dhe ka paralajmëruar një vizitë edhe në Prishtinë.

    Mirëpo, Kurti ka thënë se i ka kërkuar Ramës që të mbajnë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që është anuluar nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, e paraparë të mbahej më 14 qershor në Gjakovë, e që për Kurtin nuk ka pasur arsye për një vendim të tillë.

  • Reuters shkruan për vizitën e Lajçak-ut në Kosovë, përmend edhe masat ndëshkuese

    Reuters shkruan për vizitën e Lajçak-ut në Kosovë, përmend edhe masat ndëshkuese

    Vendet e BE-së kanë vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës pasi qeveria e kryeministrit Albin Kurti nuk i ka dëgjuar kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për të qetësuar situatën në veri të vendit pas konfliktit më të rëndë në dhjetë vjet. BE-ja nuk do të heqë sanksionet politike dhe ekonomike ndaj Kosovës nëse qeveria nuk de-përshkallëzon tensionet me serbët etnikë, tha të martën i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak gjatë një vizite në Prishtinë, shkruan Reuters.

    Masat përfshijnë ndalimin e vizitave të zyrtarëve kosovarë në BE dhe pezullimin e pjesës më të madhe të ndihmës ekonomike të BE-së për republikën e vogël ballkanike, dhe Brukseli ka paralajmëruar për masa të mëtejshme nëse Kurti nuk merr masa për të ulur tensionet.

    “Dëshira ime është që të mos ketë sanksione. Qëllimi i këtij misioni, natyrisht, dhe diskutimi që po bëjmë është të arrijmë në fazën kur këto masa do të ndërpriten”, tha Lajçak.

    Kurti në deklaratë ka theksuar se i ka thënë Lajçakut se “masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik”.

    Dhuna në Kosovën veriore, shtëpia e 50,000 serbëve shpërtheu në fund të majit pasi kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën pas zgjedhjeve lokale të bojkotuara nga serbët që kërkonin zbatimin e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare për autonomi më të madhe.

    Në përleshjet me demonstruesit serbë, rreth 30 ushtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s që po mbronin tri ndërtesa komunale në veri të Kosovës u plagosën rëndë.

    Lajçak tha se BE dëshiron gjithashtu që Serbia, së cilës serbët në veri të Kosovës i mbeten besnikë, 15 vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, të veprojë në mënyrë konstruktive për të lehtësuar krizën ose të përballet me ndëshkime.

    “Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë dhe se ato do të zbatohen nëse shtetet anëtare vendosin që Serbia nuk i plotëson kërkesat e BE-së”, tha Lajçak, i cili sot ndodhet në Beograd.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, aleatët kryesorë të Kosovës, kryesisht e konsiderojnë Kurtin përgjegjës për tensionet në veri, sepse ai vendosi katër kryebashkiakë shqiptarë etnikë në zyrat e tyre me mbrojtje policore, pavarësisht kundërshtimeve nga serbët vendas.

  • Mbahet mbledhja e tretë e Komitetit Drejtues për Kornizën e Bashkëpunimit të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm

    Mbahet mbledhja e tretë e Komitetit Drejtues për Kornizën e Bashkëpunimit të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm

    Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm, si dhe bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me ekipin e Kombeve të Bahskuara (UNKT), ishin në qendër të takimit të tretë të Komitetit Drejtues për Kornizën e Bashkëpunimit të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (UNSDCF), për periudhën 2021-2025, bëhet e ditur në komunikatën për media.

    “Ne vlerësojmë shumë rolin që ka luajtur ekipi i Kombeve të Bashkuara (UNKT) në Kosovë në adresimin e pabarazive sociale dhe ekonomike, të cilat mbeten të larta në Kosovë, si dhe punën e saj në avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë, ndërtimin e një shoqërie multietnike, përmirësimin e shumëgjuhësisë dhe përmirësimin e harmonisë ndëretnike”, tha në fjalën e hapjes.

    Ai theksoi ndryshimet e ndodhura që nga mbledhja e fundit e përbashkët, siç është miratimi i Planit Kombëtar të Zhvillimit 2030.

    “Zbatimi i vizionit të përcaktuar në PKZh duhet të kontribuojë në plotësimin e kushteve për anëtarësimin e vendit tonë në institucionet euroatlantike dhe demonstron përkushtimin tonë për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e kapitalit njerëzor, veçanërisht duke reformuar sistemin arsimor, në mënyrë që të sigurojmë zhvillimin e aftësive të nevojshme për tregun e punës, duke i ofruar perspektivë të rinjve tanë”, shtoi Kryeministri Kurti, duke përmendur po ashtu dhe transformimin digjital të Kosovës dhe skemat për punësimin e të rinjve.

    Nga ana tjetër koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence theksoi se: “Prania jonë në Kosovë i shërben vetëm një qëllimi. Për të mbështetur njerëzit, duke punuar për zhvillimin, të drejtat e njeriut dhe paqen. Ne vlerësojmë udhëzimet e fundit të politikave të qeverisë për të optimizuar mbështetjen tonë për popullin e Kosovës.”

    Ajo vlerësoi Planin Kombëtar të Zhvillimit, i cili përputhet mirë me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, duke vënë theksin te gjithëpërfshirja si faktor kyç për arritjen e objektivave.