ATV

Category: Lajme

  • Rama për Hovenierin: Jemi miq, vëllezër përgjithmonë

    Rama për Hovenierin: Jemi miq, vëllezër përgjithmonë

    Me rastin e Ditës së Pavarësisë së ShBA-së, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka festuar mbrëmë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Rama e ka falënderuar ambasadorin Hovenier, duke i thënë “Jemi miq, vëllezër përgjithmonë”.

    “Jeta nuk është vetëm për politikë, por do të dalësh e do të kënaqesh me njerëzit e bukur të Prishtinës, të festosh jetën e lirinë që ne e kemi tani si rezultat i miqve tanë të mëdhenj, ShBA-së. Prandaj, faleminderit ambasador Hovenier për mbështetjen tuaj të madhe dhe të vendit tuaj, dhe për gjithçka që ShBA-ja ka bërë për Kosovën dhe vazhdon ta bëjë. Jemi miq, vëllezër përgjithmonë”, ka shkruar Rama.

  • Szunyog: Të punohet për zgjidhjen e krizës që të largohen masat

    Szunyog: Të punohet për zgjidhjen e krizës që të largohen masat

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog deklaroi sot se është pozitive që anëtarët e Komisionit për Integrim Evropian shprehën gatishmërinë për të punuar në zgjidhjen krizës aktuale.

    Pas takimit me Komisionin për Integrim Evropian, ai tha se kërkoi nga ata që të punojnë për zgjidhjen e çështjes në mënyrë që të largohen masat e vendosura dhe t’i kthehen punës më shpejt.

    “Tema kryesore ishte se shpjegova qëndrimin tonë për situatën e veriut dhe gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe dhe diskutimet. 00:30: Mendoj se ajo që është pozitive është se të gjithë ata shprehën gatishmërinë për të punuar në zgjidhjen e kësaj situate aktuale dhe krizës aktuale dhe kjo është inkurajuese. Unë shpjegova qëndrimin tonë dhe shpjegova masat tona. Pra, siç thash i shpjegova gjërat që janë dhe kërkoj nga anëtarët e komisionit që të punojnë për zgjidhjen e çështjes në mënyrë që të largohen ato masa dhe t’i kthehemi punës më parë.”, tha Szunyog.

    Bashkimi Evropian ka njoftuar të shtunën (1 korrik) se kanë hyrë në fuqi masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Sipas BE-së, është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe program i fondeve IPA.

    Lidhur me këtë, kryeministri Albin Kurti është shprehur të dielën (2 korrik) se ato nuk janë saksione, por masa të përkohshme, për të cilat ka thënë se janë të padrejta. Kurti është shprehur se do të vazhdojnë më zbatimin e programit qeveritar dhe se shpresojnë se masat e përkohshme të jenë shumë të shkurtra./kp

  • Lajçak takohet me Vuçiqin, bisedojnë për tensionet në veri të Kosovës

    Lajçak takohet me Vuçiqin, bisedojnë për tensionet në veri të Kosovës

    Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pas Kosovës sot ka shkruar për vizitë edhe në Serbi.

    Gjatë ditës ai u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

    Vuçiq, me anë të një postimi në Instagram, ka deklaruar se ata biseduan për metodat e uljes së tensioneve dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në procesin e dialogut.

    “Edhe një herë paralajmërova se populli serb në Kosovë është i ekspozuar ndaj torturave dhe persekutimeve më të rënda në 15 vjetët e fundit dhe ripërsërita kërkesat për respektimin e të drejtave dhe sigurisë së tyre”.

    “I kam bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet më konkretisht në të gjitha këto çështje”, ka shkruar Vuçiq në profilin e tij lidhur me takimin me Lajçak.

  • Tahiri: Qeveria Kurti e ka rënduar shumë jetën e qytetarëve, vazhdojnë me mashtrime

    Tahiri: Qeveria Kurti e ka rënduar shumë jetën e qytetarëve, vazhdojnë me mashtrime

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas konferencës së sotme të kryeministrit Kurti me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

    Tahiri ka thënë se qeveria Kurti vetëm sa ua ka rëndu jetën qytetarëve të Kosovës.

    “Pra, e ka në dorë vendimin për t’i rritur pagat në sektorin publik, e kërkon një gjë të tillë nga sektori privat, që s’ka bërë asgjë për ta. Kjo është një qeveri, është një ministër i Financave që nuk ka bërë asgjë për sektorin privat, për biznesin, për ekonominë, veçse ua ka rënduar jetesën, e veçse u ka qëndruar mbi kokë, tash e dy vjet e gjysmë”, ka thënë Tahiri.

    Reagimi i plotë:

    Mirëmëngjesi qytetarë të Kosovës!

    Rrugës për te Kuvendi i Kosovës e dëgjova konferencën për media të kryeministrit, Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati. Më la shumë përshtypje një mashtrim skandaloz që e bënë me qytetarët e Kosovës, ministri Hekuran Murati.

    Në këtë konferencë, ai kërkonte që sektori privat t’i rrisin pagat për punëtorët sepse u është rritur fitimi. E, është vet personi përgjegjës, që e ka në dorë, me një rishikim buxhetor, me një ndërrim të një neni, ta rris koeficientin nga 105 në 129 euro, siç kemi rekomanduar si AAK dhe me i rritë pagat në sektorin publik për 80 mijë njerëz.

    Pra, e ka në dorë vendimin për t’i rritur pagat në sektorin publik, e kërkon një gjë të tillë nga sektori privat, që s’ka bërë asgjë për ta. Kjo është një qeveri, është një ministër i Financave që nuk ka bërë asgjë për sektorin privat, për biznesin, për ekonominë, veçse ua ka rënduar jetesën, e veçse u ka qëndruar mbi kokë, tash e dy vjet e gjysmë.

    Paramendoni ku jemi!

  • Rita Ora javën tjetër e publikon albumin, u bën thirrje fansave të jenë gati

    Rita Ora javën tjetër e publikon albumin, u bën thirrje fansave të jenë gati

    Këngëtarja me prejardhje kosovare, Rita Ora, ka bërë të ditur se kënga saj më e re “Don’t Think Twice” është pjesë e albumit të saj “You and I out”.

    “Kush e ka parë videon e “Don’t think twice”? Është kënga e parë në listën e albumit tim më të ri ‘You and I out’”, ka shkruar Ora në Facebook.

    Ajo ka shtuar se albumi i saj do të publikohet javën tjetër, dhe u ka bërë thirrje adhuruesve të saj që të jenë gati për ta blerë albumin para publikimit.

  • Shi, rrufe e erëra të forta sot pasdite, Komuna e Prishtinës del me njoftim të rëndësishëm për qytetarët

    Shi, rrufe e erëra të forta sot pasdite, Komuna e Prishtinës del me njoftim të rëndësishëm për qytetarët

    Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët se të mërkurën do të ketë mot me vranësira që pasdite pritet të shoqërohen me reshje shiu, shkarkime rrufesh e erëra të forta.

    Mot i tillë pritet të mbajë edhe të enjten e të premten.

    Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje te qytetarët të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të mos qëndrojnë pranë pemëve ose shtyllave dhe të qëndrojnë larg objekteve të larta.

    Komuna e Prishtinës ka publikuar edhe numrat emergjent: 0800 1 22 33 dhe 0800 1 22 44!

    Ky është njoftimi i plotë:

    Të nderuar qytetarë,

    Insituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar që sot, e mërkurë, me datën 05.07.2023, do të ketë mot me vranësira.

    Vranësirat, sipas institutit gjatë ditës do të intensifikohen duke u shoqëruar me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh të cilat do të përcillen me erëra të forta.

    Një mot i tillë po parashihet të mbajë edhe të enjten dhe të premtën.

    Andaj ju lutemi të keni kujdes gjatë qarkullimit, mos qëndroni pranë një peme, ose afë ndonjë shtylle. Qëndroni larg objekteve të larta.

    Ju lutemi të keni kujdes të shtuar dhe të paraqitni çdo problem apo shqetësim në numrat e telefonit pa pagesë 0800 1 22 33 dhe 0800 1 22 44!

  • Mori 30 euro ryshfet, dënohet me 1 vit burgim efektiv dhe 1 mijë euro gjobë ish-referenti i Gjykatës

    Mori 30 euro ryshfet, dënohet me 1 vit burgim efektiv dhe 1 mijë euro gjobë ish-referenti i Gjykatës

    Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Zenel Hoxha, duke e dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe 1 mijë euro gjobë, lidhur me akuzën për marrje ryshfeti. Po ashtu, ndaj tij është shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike në kohëzgjatje prej një viti pas vuajtjes së dënimit me burgim.

    Hoxha akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar- referentit të lartë në Gjykatën Themelore në Pejë, ka pranuar nga palët shumën prej 30 euro dhe një monedhë metalike në emër të shërbimit të kryer zyrtar.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën, nga kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, në dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak nga 24 nëntor 2022 deri më 24 janar 2023.

    Hoxha, sipas aktgjykimi është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro dhe në emër të fondit të viktimave shumën prej 50 euro.

    Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afatin prej 30 ditësh.

    Sipas aktakuzës së 22 dhjetorit 2022, e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Zenel Hoxha, në cilësinë e personit zyrtar- referentit të lartë për regjistrim të lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim financiar për vete në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

    Aktakuza thotë se më 15 gusht 2022, në zyrën nr.5 të Gjykatës Themelore në Pejë, pasi palës Din Shala ia rregullon dokumentacionin zyrtar lidhur me njohjen e një vendimi të huaj për prishjen e martesës, me insistimin e të njëjtit pranon 30 (tridhjetë) euro në emër të shërbimit të kryer zyrtar.

    Po ashtu, në aktakuzë thuhet se më 19 gusht 2022, vepron njëjtë edhe ndaj palës së panjohur duke pranuar një monedhë të metalit.

    Për këto veprimet, Hoxha ngarkohej se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par.1 të Kodit Penal.

    Ndryshe, për veprën penale të dhënies së ryshfetit, sipas kësaj aktakuze është ngarkuar edhe Din Shala, mirëpo i njëjti pas pranimit të fajësisë është dënuar me një dënim prej 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim me kusht, në afat verifikimi prej një viti.

  • Një grua dhunohet seksualisht në Kaçanik

    Një grua dhunohet seksualisht në Kaçanik

    Një grua ka raportuar se është dhunuar seksualisht përmes kanosjes dhe shantazhit.

    Rastin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh.

    Po aty thuhet se pas veprimeve të njëjta policore, të martën është arrestuar i dyshuari dhe se i njëjti është dërguar në mbajtje.

    “Kaçanik Shkurt-Maj 2023. Viktima femër kosovare ka raportuar se, nga i dyshuari mashkull kosovar përmes kanosjes dhe shantazhit është dhunuar seksualisht gjatë periudhës së cekur kohore”, thuhet në raport.

  • ​Kurti: E kam lutur faktorin ndërkombëtar që mos të përsëritet 23 prilli

    ​Kurti: E kam lutur faktorin ndërkombëtar që mos të përsëritet 23 prilli

    Kryeministri i Albin Kurti deklaroi sot se e ka lutur faktorin ndërkombëtar që të mos përsëritet 23 prilli. Ai shtoi se të njëjtit i kishin premtuar që nëse pranohet aneksi i zbatimit në Ohër dhe zgjatja e afatit të regjistrimit të partive, Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhje. Shefi i ekzekutivit shtoi se ndërkombëtarët nuk e kanë mbajtur premtimin ndaj tij dhe se kjo parti është duke rrëshqitur në paligjshmëri. Kurti deklaroi se nuk ka faj Lulzim Hetemi që është kryetar në Leposaviq, por Beogradi.

    Në takimin e djeshëm me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, kryeministri Albin Kurti tha se kanë diskutuar për deeskalimin dhe për normalizimin. Ai tha se ky takim ishte pozitiv, për çka shtoi se edhe Lajçak ka dalë me të njëjtat përshtypje.

    “Sa i përket deeskalimit, unë i kam siguruar jo vetëm zotëri Lajçak dje, por edhe të dielën pasdite zotëri Borrell se qeveria kurrsesi nuk kontribuon në eskalim asnjëherë. Ne duam polici për zbatim ligji dhe për siguri publike që s’e përjashton askënd. Ndërkaq, në anën tjetër gjithashtu i kam siguruar që policët e Republikës së Kosovës që janë nëpër ndërtesat të komunave në veri të vendit tonë, nuk janë duke zhvilluar operacione në rrethimin e atyre ndërtesave. Sepse komunikatën, të cilën e pati lëshuar zotëri Borrel nga Moldavia kur po mbahej atje samiti i Komunitetit Politik Evropian thoshte që në afërsi të ndërtesave të mos ketë operacione të Policisë së Kosovës. Unë edhe një herë ua konfirmova se nuk ka pasur dhe nuk ka operacione të tilla. Gjithashtu, sipas kërkesës së tyre kam shprehur gatishmërinë tonë për zgjedhje të parakohshme në veri, sepse këto zgjedhje të parakohshme në ato komuna janë e vetmja mënyrë se si të bëhet ndërrimi i pushtetit. Ndërrimi i pushtetit nuk mund të bëhet me dhunë, ndërrimi i pushtetit nuk mund të bëhet, duke plagosur ushtarët e NATO-s, policët e Kosovës apo gazetarët, por vetëm me zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Kurti.

    Për zgjedhjet e parakohshme, siç shtoi Kurti, Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton se si duhet të fillohet me mbledhjen e 20 për qind të elektoratit si nënshkrime të një peticioni, që e nisin procesin për zgjedhje të parakohshme.

    Kurti tha se nga emisari evropian Lajçak, kërkoi që marrëdhëniet normale me Serbinë të bëhen, duke mos i braktisur vlerat evropiane.

    “Sa i përket normalizimit, unë po e vë gjithnjë theksin tek fakti se kemi nevojë për zbatim të marrëveshjes dhe le të mos harrojmë që kemi marrëveshje. Sepse shumëçka që trumbetohet sot në mediat vendore, ato në Serbi edhe ato ndërkombëtare e ka krijuar përshtypjen thua se nuk kemi zgjidhje se nuk kemi marrëveshje. Në fakt nuk kemi zgjidhje, sepse nuk kemi zbatim të marrëveshje dhe këtu Kosova nuk ka kurrfarë faji, për shkak se ne jemi treguar të gatshëm edhe ta nënshkruajmë marrëveshjen dhe më pastaj që ta zbatojmë me shpejtësi. Unë nga emisari evropian Lajçak kam kërkuar që marrëdhëniet normale me Serbinë, ato të fqinjësisë së mirë evropiane do të mund të bëhen duke mos i braktisur vlerat evropiane. Pra, nuk mund të kemi as marrëveshje, as zbatim të saj e marrëveshjen e kemi duke u bazuar në vlerat evropiane, e tillë duhet të jetë edhe zbatimi, me çfarë do ideje të kujtdo qoftë të gjetjes së mesit aritmetikor ndërmjet pozicioneve të dy palëve”, shtoi shefi i ekzekutivit.

    Po ashtu, Kurti tha se në takimin që zgjati rreth tri orë me Miroslav Lajçak, i ka përmendur edhe masat ndëshkuese të BE-së.

    “Takimin natyrisht e kam filluar me vërejtjen time, me theksimin tim që masat ndaj Kosovës janë të padrejta. Ndonëse, thuhet që janë të përkohshme, meqenëse Kosova nuk mban asnjë faj as për eskalim të gjendjes dhe as për mos normalizim të raporteve”, u shpreh ai.

    Shefi i ekzekutivit deklaroi se kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi nuk mund të paguajë kosto për destruktivitetin e Beogradit.

    “Për zgjedhje të parakohshme ne jemi dakord dhe zgjedhjet e parakohshme e rregullojnë edhe çështjen e kryetarit në Komunën e Leposaviqit. Sepse me zgjedhje largohet kryetari. Me zgjedhje ka ardhur kryetari, me zgjedhje largohet kryetari. Unë nuk mendoj që duhet të ketë mënyra të tjera, të drejta e ligjore për të larguar kryetarët e zgjedhur. Mund të themi që legjitimiteti është i vakët, sepse dolën pak njerëz në zgjedhje e që nuk është faji jonë. Ajo është bullizmi i Beogradit edhe i Listës Serbe, i cili nuk do të duhej të shpërblehet tash duke dhënë dorëheqje kryetari. Dorëheqja në fund të fundit është akt moral, nuk mund t’ja imponosh dikujt dorëheqjen. Ti mund ta bësh shkarkimin, por dorëheqja është akt moral. Nuk ka faj Lulzim Hetemi që është kryetar komune në Leposaviq. Ka faj Beogradi e Lista Serbe që së pari me 5 nëntor me dorëheqje kolektive u munduan që sistemi të implodojë, të krijohet një vakuum që e bën Kosovën jofunksionale. Dështuan. Pastaj, në vend se të marrin pjesë në zgjedhje i bojkotuan ato”, deklaroi Kurti.

    Tutje, kryeministri Kurti u shpreh se faktorët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka lutur për të punuar bashkë “që të mos shkojmë prej një dështimi, në një dështim tjetër sa i përket pjesëmarrjes qytetare”.

    “I kam lutur faktorët ndërkombëtarë, llogarisni pa rezerva, pa kursim në krejt mundësitë e mia që 23 prilli të mos përsëritet në vjeshtë apo në dimër. Sepse, mua më kanë premtuar ndërkombëtarët që po e pranuam aneksin e zbatimit në Ohër me 18 mars dhe po e zgjatëm afatin e regjistrimit të partive për pesë ditë, deri më 22 mars, Lista Serbe merr pjesë. Nuk ka ndodhë. Unë dua pjesëmarrje të serbëve, mirëpo unë nuk mund ta detyroj Listën Serbe të marr pjesë. E në anën tjetër, Lista Serbe është duke rrëshqitur gjithnjë e më shumë në paligjshmëri me deklaratat e tyre dhe me veprimet e tyre….Ndërkombëtarët nuk kanë arritur që ta plotësojnë premtimin ndaj meje për pjesëmarrjen e Listës Serbe kur ajo ka qenë shumë më normale se që është sot, andaj pjesëmarrja e saj, konstruktiviteti i saj në vijim është edhe më i vështirë”, tha Kurti.

    Kryeministri Albin Kurti konfirmoi se do të ketë takime me përfaqësues të NATO-s dhe komandantin e KFOR-it në lidhje me raportimet për armë të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë.

    “Për zgjedhjet e parakohshme dakord, por duhet përgatitje. Tjetra, për ta larguar kryetarin nga ndërtesa në Leposaviq, kjo bëhet me zgjedhje. Pra, pika e parë e kryen edhe të dytën. Ndërkaq, sa i përket pikës së tretë, policia jonë është në ndërtesë, sepse ju e dini se çfarë gjetëm në Zveçan, arsenal për luftë. Ose tash kemi këto informacionet se veturat e ambulancës, autoambulancat janë përdorur për të bartur armatim. Dhe unë sot do ta kem një takim edhe me përfaqësues të NATO-s për këtë gjë. Do ta takojë edhe komandantin e KFOR-it dhe pas gjithë atyre takimeve edhe me organet tona tona të sigurisë, do të mund ta japim fjalën përfundimtare. Tash jemi duke grumbulluar të dhëna, informacion.”, tha ai.

    Para gazetarëve, Kurti shtoi se për pjesëmarrjen e lirë në zgjedhje ndihmon shumë largimi nga shoqëria i ekstremistëve të dhunshëm.

    Pas mbledhjes së qeverisë, ku u miratua projektligji i ri për pensione, Kurti theksoi se kjo arritje i shtohet listës që të tjerët nuk arritën ta zgjidhin për 20 vjet.

    Pavarësisht gurëve që hedhin në rrugë, siç u shpreh Kurti, ai tha se do të përmbushin gjithçka që kanë premtuar deri në fund të mandatit.

    “Duke ndryshuar ligjin, i cili do të mundësojnë fitimin e së drejtës që të përfitojnë nga kontributet e tyre edhe ata që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna nuk arritën që të përmbushin kushtin prej 15 vitesh kontribut. Kjo arritje i shtohet listës së çështjeve dhe problemeve që të tjerët nuk arritën t’i zgjidhin për 20 vite, e ne po i rregullojnë që në mandatin e parë, madje në gjysmë të mandatit. Kemi ende shumë punë para vetës, por me durim e përkushtim do të arrijmë të përmbushim gjithçka që e kemi premtuar deri në fund. Pavarësisht sfidave, pavarësisht pengesave, e gurëve të cilët çdo ditë na i hedhin në rrugë, ne nuk ndalemi, i mbajmë dhe i përmbushim zotimet e dhëna ndaj qytetarëve tanë”, shtoi Kurti.

    Edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u shpreh se me këtë ndryshim të ligjit, dikush që ka pasur dhjetë vjet përvojë pune në 1990 dhe është larguar nga puna, atyre do u njihet periudha nëntë vjeçare prej kur janë larguar nga puna.

    Ai po ashtu u pyet edhe për mungesën e punëtorëve në sektorin privat, me ç’rast tha se ka një mospërputhje mes aftësive që kërkohen nga tregu i punës, mosofrimi i kushteve të nevojshme nga bizneset./KP

  • Tensionet në veri, Lajçaku pritet të takohet edhe me Bislimin

    Tensionet në veri, Lajçaku pritet të takohet edhe me Bislimin

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislim.

    Kjo është konfirmuar nga kryeministri Albin Kurti, duke shtuar se në këtë takim do të diskutohet për uljen e tensioneve në veri dhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërsa për sa i përket takimit të tij me emisarin Lajçak, Kurti tha se ka qenë takim pozitiv.“Ai do të takohet edhe me zëvendësin tim dhe kryenegociatorin, Besnik Bislimi”.