ATV

Category: Lajme

  • Gjilan, parandalohet një rast i kontrabandës me duhan

    Gjilan, parandalohet një rast i kontrabandës me duhan

    Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me duhan mbrëmjen e së mërkurës në rrugën Stançiq-Gjilan.

    Në një komunikatë për media bëhet e ditur se fillimisht është identifikuar një automjet BMW me targa vendore për të cilin njësitët e Task Forcës ‘DRK – Lindje’ kishin informacione se merret me kontrabandë të mallrave nga Maqedonia e Veriut.

    “Me datën 05.07.2023 rreth orës 22:00 në rrugën Stançiq-Gjilan është identifikuar një automjet BMË me targa vendore për të cilin njësitet e Task Forcës–DRK-Lindje kishin informacion se merret me kontrabandim të mallrave nga republika e Maqedonisë veri në Republikën e Kosovës. Automjeti i lartcekur është arrit të ndalohet në hyrje të Gjilanit dhe gjatë kontrollit në ulëset e prapme dhe në bagazh të veturës kishte të ngarkuar (25) thasë duhan të përpunuar me peshë rreth 250 kilogram dhe për të cilin mall nuk posedonte asnjë dokument mbi prejardhjen, andaj dyshohet për kontrabandë”, thuhet në komunikatë.

    Bëhet e ditur se, lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli është dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme.

  • Një grua në Obiliq raporton se vajza e saj është zhdukur

    Një grua në Obiliq raporton se vajza e saj është zhdukur

    Një grua në Obiliq ka raportuar në Polici se vajza e tij është zhdukur.

    “Plemetin, Obiliq 04.07.2023-22:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se, vajza e saj me datën e cekur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti është në procedurë hetimore, ndërsa është njoftuar edhe prokurori kujdestar.

     

     

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot në vendin tonë po mbahet kryesisht i kthjellët dhe me diell, derisa gjatë pasdites pritet të ketë reshje shiu dhe shkarkime të rrufeve.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 27 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë me vranësira dhe me reshje shiu. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 29 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 33 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • Shpallja e dy organizatave serbe si terroriste, BE-ja e quan “hap të njëanshëm”

    Shpallja e dy organizatave serbe si terroriste, BE-ja e quan “hap të njëanshëm”

    Bashkimi Evropian vlerwson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” si organizata terroriste, është “hap i njëanshëm” që sipas bllokut, nuk i kontribuon uljes së tensioneve.

    Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli këto dy organizata si terroriste. Ato besohet se veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, që janë shumicë në këtë zonë.

    “Ky cilësim [shpallja si organizata terroriste] është hap i njëanshëm dhe nuk i kontribuon shtensionimit të situatës dhe gjetjes së rrugës për të adresuar problemet ekzistuese në një mënyrë të qëndrueshme”, tha zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano, në një përgjigje për REL.

    Stano shtoi se liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së gjatë një takimi të mbajtur javën e kaluar bënë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës.

    “Ne përsërisim thirrjen për të dyja palët që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritjen e mëtejme të tensioneve dhe që urgjentisht të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën aktuale në veri të Kosovës në linjë me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, më 22 qershor dhe deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, tha Stano.

  • Rama e publikon agjendën e takimeve, thotë se është në pritje të konfirmimit nga Kurti

    Rama e publikon agjendën e takimeve, thotë se është në pritje të konfirmimit nga Kurti

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar agjendën e takimeve qëe do t’i nis sot në kuadër të turit të tij ballkanik. Kjo në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit që do të mbahet në muajin tetor në Tiranë.

    Rama turin do ta nis në Maqedoninë e Veriut, e pasdite pritet që të vij në Kosovë.

    Deri më tani është konfirmuar takimi i Ramës me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Galuk Konjufca.

    Ndërsa tha se është në pritje të konfirmimit për takim me kryeministrin Albin Kurti.

    Kryeministrin Albin Kurti, të mërkurën tha se është i gatshëm ta presë Ramën në takim vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, përndryshe jo.

    Më 13 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte anuluar mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës, që ishte paraparë të mbahej në Gjakovë.

  • Shkarkime të rrufeve, IHMK-ja del me rekomandime se si duhet të veprojmë në situata të tilla

    Shkarkime të rrufeve, IHMK-ja del me rekomandime se si duhet të veprojmë në situata të tilla

    Për shkak të shkarkimeve të shpeshta të rrufeve në Kosovë.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka dalë me rekomandime për qytetarët se si të veprojnë në situata të tilla.

    Në një komunikatë të publikuar të mërkurën, IHMK-ja ka rekomanduar që gjatë stuhive, të sigurohen të gjitha pajisjet ose objektet që mund të fluturojnë për shkak të erës ose shiut të fortë, të mbyllen dyert dhe dritaret, të shmanget kontakti me rubinetet e kuzhinës dhe banjës, radiatorët dhe objektet e tjera metalike, pasi janë përçues të mirë.

    Ndërsa, Instituti rekomandoi edhe qëndrimin larg shtyllave të larta, shmangien e ndërtesave apo të makinave nëse nuk mund të përdorën si strehim dhe shmangien e pemëve të larta, nëse gjendeni në pyll.

    Listën me rekomandimet e plota të IHMK-së mund ta gjeni më poshtë:

  • Policia shpall konkurs të ri, këto janë kriteret

    Policia shpall konkurs të ri, këto janë kriteret

    Policia e Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë sipas kushteve të parapara të konkurrimit.

    Sipas njoftimit, kandidatët që aplikojnë për zyrtarë policorë në Policinë e Kosovës duhet t’i përmbushin këto kritere:
    a) Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;
    b) Të jetë i moshës 18-30 vjeçar;
    c) Të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm;
    d) Të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale;
    e) Të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale;
    f) Të mos posedojë tatuazh në pjesë të dukshme të trupit;
    g) Të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike.

    Po ashtu është bërë e ditur se konkursi do të jetë i hapur nga sot deri më 26 korrik, transmeton Paparaci.

    Kandidatët që aplikojnë do t’u nënshtrohen testit me shkrim, testit të aftësive fizike, intervistës, testit psikologjik, kontrollimit mjekësor dhe verifikimit të kaluarës.

    Detajet e tjera të konkursit i gjeni duke klikuar në këtë vegëz.

  • Rama vjen sot në Kosovë

    Rama vjen sot në Kosovë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vijë sot pasdite në Kosovë, me rastin e nisjes së turit të tij ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit.

    Në Prishtinë, ai pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

    E pas kushtëzimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që takimi mes tyre të ndodhë vetëm në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, duket se Rama nuk ka ndryshuar pozicion dhe se takimi nuk do të mbahet.

    Paraprakisht, Rama këtë paradite do të jetë në Shkup ku do të takojë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ku pritet të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp në mesditë.

    Pas Kosovës, Rama do të udhëtojë drejt Bosnjës, pastaj në Mal të Zi si dhe e mbyll turin e tij në Serbi.

  • Prokuroria suedeze ngre aktakuzë ndaj aktivistes Greta Thunberg

    Prokuroria suedeze ngre aktakuzë ndaj aktivistes Greta Thunberg

    Prokurorët suedezë kanë ngritur aktakuzë ndaj aktivistes së njohur për klimën Greta Thunberg për mosbindje ndaj zbatimit të ligjit në lidhje me një protestë në qytetin e Malmos muajin e kaluar.

    Gazeta lokale Sydsvenskan raportoi të mërkurën se Thunberg u arrestua me aktivistë të tjerë pasi ata ndaluan trafikun në terminalin e naftës të portit në Malmo më 19 qershor.

    Një deklaratë e shkurtër nga prokurorët suedezë të mërkurën tha se një “grua e re” u akuzua për mosbindje sepse “refuzoi të zbatonte urdhrat e policisë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes” gjatë protestës. Deklarata nuk e identifikoi personin, por zëdhënësja e Prokurorisë Suedeze Annika Collin konfirmoi se ishte Thunberg.

    Gazeta Sydsvenskan tha se aktivistja 20-vjeçare suedeze do të thirret në gjyq në fund të korrikut.

    Një prokurore suedeze i tha gazetës se akuza e mosbindjes zakonisht dënohet me gjoba.

    Ekipi mediatik i Thunberg nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

    Thunberg frymëzoi një lëvizje globale rinore që kërkon përpjekje më të forta për të luftuar ndryshimet klimatike pas organizimit të protestave javore jashtë Parlamentit suedez duke filluar nga viti 2018.

    Në fillim të këtij viti, aktivistja Thunberg u arrestua nga policia e Gjermanisë teksa po merrte pjesë në një protestë kundër prishjes së planifikuar të një fshati, për t’i hapur rrugë zgjerimit të një miniere të qymyrit.

    Ajo u lirua të nesërmen. /REL

  • Kushtetuesja thotë se udhëzimi i MASHT-it për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave është në pajtim me ligjin

    Kushtetuesja thotë se udhëzimi i MASHT-it për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave është në pajtim me ligjin

    Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimi ka konstatuar se udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi.

    Sipas njoftimit për publikun të Gjykatës Kushtetuese thuhet se udhëzimi administrativ i 22 dhjetorit të 2020 i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk është në kundërshtim me nenet kushtetuese pë pushtetin lokal si dhe nenet që flasin për organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale.

    Tutje, në këtë njoftim sqarohet se rasti ka të bëjë me shpallje e konkursit nga Drejtori Komunale e Arsimit në Prishtinë për plotësimin e pozitave për drejtorë dhe zëvendës drejtor të institucioneve publike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas Inspektoratit Komunal të Arsimit komisioni i themeluar për përzgjedhjen e këtyre drejtoreve dhe zëvendës-drejtorëve ishte në kundërshtim me ligjin për arsimin në komuna në të cilin ligj sipas inspektoratit përcaktohet se nga 3 anëtarë të komisionit përzgjedhës 2 caktohen nga komunat dhe një nga MASHT-i.

    Gjithashtu sipas inspektoriatit anëtarët e komisionit të propozuar nga komuna duhet të votohen në kuvendet komunale të komunave përkatëse e që në rastin konkret ky komision i themeluar nga Komuna e Prishtinës nuk ishte votuar nga Kuvendi Komunal i kësaj komune.

    Andaj, Komuna e Prishtinë si parashtruese e kërkesë konteston udhëzimin administrativ i cili rregullon këtë formë të përzgjedhjes së kandidatëve për drejtorë dhe zëvendës drejtor, duke thënë se ndërhyn në kompetencat dhe përgjegjësit komunale.

    Nën këto pretendime Kushtetuesja sqaron se udhëzimi administrativ lidhur me përbërjen e Komisionit përzgjedhës për drejtor dhe zëvendës drejtor nuk cenon përgjegjësit komunale të përcaktuar sipas neve kushtetuese.

    Prandaj, Kushtetuesja ka vlerësuar se dispozitat përkatëse të udhëzimit administrativ nuk janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Ligjit për Arsimin në Komuna, Ligjin për Arsimin Para universitar dhe Ligjit për Inspektoriatin e Arsimit./BetimipërDrejtësi