ATV

Category: Lajme

  • E shtuna më freskët, nga e diela vapë dhe temperatura deri në 37 gradë

    E shtuna më freskët, nga e diela vapë dhe temperatura deri në 37 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se pas këtyre ditëve me reshje rekorde vendi ynë do të ndikohet nga masat e nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore.

    IHK njofton se këto masa të nxehta të ajrit do të intensifikohen javën e ardhshme duke krijuar kushte që merkuri në termometër të shënoj vlera 34-37 gradë Celsius në gjysmën e dytë të javës së ardhshme.

    Instituti bën të ditur se të shtunën parashihet të jetë kryesisht i qetë me vranësira të pakta rreth relievit malor, ndërsa të dielën mot kryesisht i kthjellet dhe me vapë.

    Prezenca e lartë e lagështisë se ajrit dhe presioni i lartë do të krijojë ndjesi që temperaturat të shkojnë mbi këto vlera të lartshënuara.

    Indeksi UV do të jetë shumë i lartë ,prandaj kujdes kontaktit direkt me rrezet e diellit, sidomos nga ora 10-17.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga perëndimi dhe verilindja.

  • I pazakonshëm fakti që kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë s’u takuan

    I pazakonshëm fakti që kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë s’u takuan

    E pazakontë po cilësohet ajo çfarë ngjau të enjten në Prishtinë, kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk u prit në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Për shkak të situatës aktuale në Kosovë, opinionistë nga Tirana e Prishtina, vlerësojnë se ky takim duhej mbajtur patjetër.

    “Ngjarja bëhet edhe më tronditëse në opinion publik gjithëshqiptar, për arsyen se jo vetëm se cenohet për herë të parë një protokoll i tillë, por, në kontekstin e zhvillimeve dhe sidomos në raport me çështjet kruciale, me të cilat përballet Kosova, kjo pozitë e mostakimit dhe moskomunikimit institucional mes dy kryeministrave, është padyshim nga më të rëndat. Në historinë e diplomacisë së brendshme shqiptare, ky është një precedent unik që nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha Aleksandër Çipa, opinionist.

    Megjithatë, efektet e acarimit të marrëdhënieve Kurti – Rama, në nivele të shkëmbimeve ndërshtetërore, sipas Aleksandër Çipës, nuk janë të konsiderueshme.

    “Kemi të bëjmë vetëm me një efekt që lidhet me atë protagonizmin që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndërmarrë periudhën e fundit, duke e kaluar diplomacinë e Shqipërisë, nga një pozitë e gjenerimit të stabilitetit në rajon, në një pozitë të protagonizmit dhe nismave, të cilat e rrisin imazhin e kësaj Republike”, tha Çipa.

    Për dallim nga parafolësi i tij, Tomor Avdija, mendon që pasojat e raportit të acaruar mes dy kryeministrave, mund të jenë bukur të mëdha.

    “Pasojat vijnë të menjëhershme, sepse dobësohet vendimmarrja jonë në mekanizma ndërkombëtarë, dobësohet ajo gjeopolitika jonë në veprim në Ballkan dhe zvogëlohet ajo rezistenca jonë në kërkim të së drejtës sonë”, tha Avdija.

    Rol të madh në ftohjen e raporteve Kurti – Rama, luajti anulimi i mbledhjes së përbashkët.

    “Faktikisht ajo çka ndodhi dje ishte e paralajmëruar me herët, sepse zanafillën e ka pak më herët kur kryeministri Edi Rama e anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 14 qershor…”, tha Avdija.

    Ndërkohë, kryeparlamentari Glauk Konjufca, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, tha se raportet ndërmjet Kurtit dhe Ramës janë lënduar, megjithatë, shtoi se kjo do të rregullohet së shpejti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kamenica ende pa noter

    Kamenica ende pa noter

    Ka më shumë se 4 vjet që Rexhep Morina e ka ndarë tokën me vëllezërit e tij. Por nga atëherë, ai ende nuk e ka pronën të regjistruar në emër të tij.

    Kryerjen e procedurave të pronësisë thotë se ia ka vështirësuar mungesa e noterëve në Kamenicë, teksa për të shkuar në qytete të tjera thotë se nuk e ka të lehtë.

    “Unë kam problem për shkak se gjatë ndarjen me vëllezërit e mi, është gabuar një numër i pronës dhe ka mbetur prona ende në pesë pjesë, d.m.th. në 5 vëllezër, edhe pse është dashur të bartet në pjesën time. Kështu që disa herë kam qenë te noteri, por eja sot, eja nesër dhe ka mbetë”, tha Rexhep Morina, qytetar.

    Që qytetarët ta kenë më të lehtë për t’i kryer shërbimet e noterisë, Ministria e Drejtësisë kishte dërguar një noter, por ai punon vetëm një ditë në javë.

    Mirëpo, puna prej një dite në javë del të jetë mjaft pak, krahasuar me kërkesat që kanë qytetarët.

    “Normal që nuk mjafton vetëm një ditë në javë, se njerëzit kanë punë dhe duhet me shku në Gjilan me i kry, duhet me i lanë punët e me shku te noteri”, tha Afrim Lecaj, qytetar.

    “Çdo qytet duhet me pas një noter apo dy, ama jemi qysh jemi”, tha Fisnik Ismajli, qytetar.

    Kësisoj, sado e vështirë, si zgjidhje opsionale qytetarëve të Kamenicës u mbetet Gjilani.

    Lidhur me atë nëse është në plan që në Kamenicë të punësohet ndonjë noter, i cili do të punojë me orar të plotë, Ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer përgjigje.

    Sipas odës së noterëve, janë vetëm 51 noterë që punojnë në tërë vendin. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Masat ndëshkimore ndaj Kosovës nuk ndalen

    Masat ndëshkimore ndaj Kosovës nuk ndalen

    Masat ndëshkimore për Kosovën nuk kanë të ndalur. Pas Bashkimit Evropian, Kosova u ndëshkua edhe nga shtetet anëtare të BE-së.

    Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri, Gjermania ndërpreu bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha, në mesin e tyre shtyrja e konsultimeve qeveritare për bashkëpunimin për zhvillim e dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë.

    Masa të tilla janë paralajmëruar edhe nga Franca, e cila ka thënë se shpreson që këto masa të jenë të përkohshme.

    Dëmet nga këto masa nuk pritet të janë të vogla.

    “Duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të Kosovës sovranitetin e brishtë të Kosovës mund të kenë pasoja të mëdha, sepse të gjitha grandet që janë stopuar…”, tha njohësi i çështjeve politike, Fitim Mulolli.

    Në fund të muajit qershor, bashkësia ndërkombëtare paraqiti kërkesat për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri.

    Në mesin e tyre ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në veri, protestuesit serbë të largohen nga ndërtesat komunale, paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës, si dhe katër kryetarët përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Nga shtatori, komuna e Prishtinës jep nga 70 euro për regjistrim të fëmijëve

    Nga shtatori, komuna e Prishtinës jep nga 70 euro për regjistrim të fëmijëve

    Për shkak të numrit të ulët të çerdheve publike, nga shtatori pritet të fillojë subvencionimi në vlerë prej 70 eurosh për regjistrim të fëmijëve në institucionet parashkollore private.

    Komuna e Prishtinës ka ndarë buxhet prej 100 mijë eurosh, por paraprakisht duhet plotësuar disa kritere.

    “Varet se sa do të jetë numri i aplikimeve, por buxheti mbulon rreth 120 familje. Jemi ende duke i hartuar kriteret, por një nga kriteret kryesore është se të hyrat duhet të jenë nën 500 euro”, tha drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.

    Ndjekja e arsimit parashkollor vlerësohet të jetë e ulët, andaj ky vendim po konsiderohet i rëndësishëm për rritjen e numrit të fëmijëve që shkojnë në çerdhe.

    Madje, vendimin e përshëndesin edhe prindërit.

    “Konsideroj që të gjithë fëmijët duhet të kenë mundësinë për të shkuar në çerdhe. Vendim mjaft i duhur, pasi edhe kushtet ekonomike tashmë nuk janë edhe shumë të mira. Shumë mirë që t’i ndihmojnë prindërit në këtë aspekt”, tha Arjeta Shabani, prind.

    Sipas Agjencisë së Statistikave, në vitin 2022/2023 numri i fëmijëve të përfshirë në arsimin parashkollor, grupmoshat nga 0 deri në 4 vjeç, është 5.420 në ato publike, ndërkaq në private është 4.280. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Programi i zbatimit së energjisë, një vit e gjysmë vonë

    Programi i zbatimit së energjisë, një vit e gjysmë vonë

    Tek këtë muaj, Ministria e Ekonomisë do të mbyllë diskutimin publik për Programin e Zbatimit të Strategjisë së Energjisë 2022-2025.

    Draft-dokumenti i nxjerrë me së paku një vit e gjysmë vonesë, saktëson disa prej investimeve që parashihet të kryhen dhe koston financiare të tyre.

    Më shumë se 415 milionë euro është vlera e investimeve kapitale që drafti parasheh nga ky vit deri më 2025, në dy termocentralet ekzistuese me thëngjill.

    Pos buxhetit të KEK-ut, si burim financimi, në dokumentin e saj Qeveria llogarit edhe në ndihmë financiare prej dhjetëra miliona eurosh nga BE-ja.

    Nga investimi i planifikuar në filtrat e bllokut B1, më 2024, në vlerë 88 milionë euro, ME-ja llogarit se 37.5 milionë euro do t’i mbulojë BE-ja.

    Njësoj edhe për B2shin, më 2025.

    Me buxhet tërësisht vendor parashihen investime në Termocentralin Kosova A, i cili, sipas Strategjisë, nga viti 2028 do të përdoret vetëm si rezervë.

    Për investimet e planifikuara për këtë vit, ende nuk ka ndonjë njoftim publik.

    Në draft-dokumentin e nxjerrë në konsultime me 20 Qershor, si burime financimi për projekte të ndryshme në sektorin e energjisë, përmenden edhe Fondet nga IPA apo Fondi Investiv për Ballkanin Perëndimor – të cilat aktualisht janë të pezulluara në kuadër të masave ndëshkuese nga BE-ja. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • QMF-ja e re në “Veternik”, pa ashensor

    QMF-ja e re në “Veternik”, pa ashensor

    Pavarësisht që në projekt ishte paraparë, madje edhe vendi i është lënë gjatë punimeve të vrazhda, ashensori nuk u instalua në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në lagjen Veternik të Prishtinës.

    Sipas drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, instalimi i ashensorit nuk është bërë për shkak të mungesës së financave, gjë për të cilën, sipas tij, fajet i ka niveli qendror.

    “Këtu ka qenë një problem, ka qenë qendër që është dashur shumë me bo ndryshime, nuk e kemi ashensorin, jemi t’u e pritë bartjen e mjeteve financiare mi bo edhe disa ndryshime që na kanë mbetë, me bartjen e mjeteve financiare ka filluar edhe procesi i liftit nga kompania përkatëse që ka punuar”, tha Sadiku.

    Në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare ka pak pacientë. Për këtë, sipas Sadikut, po punohet që lagjja e Veternikut të jetë më e informuar që për çdo shqetësim shëndetësor t’i drejtohet kësaj qendre.

    “Sipas stafit, 25-30 është numri i pacientëve brenda ditës. Neve na ka mbetur t’i sensibilizojmë banorët me informata që të vijnë ata këtu me i marrë shërbimet, mjeku familjar, stomatologu, shërbimi radiologjik, laboratorit që është shumë afër për qytetarët e kësaj pjese”, tha Sadiku.

    Në anën tjetër, pacientët që po marrin shërbime mjekësore janë të kënaqur me kushtet dhe kujdesin që ofrohet në këtë qendër.

    “Un e solla vajzën këtu te stomatologu për t’i rregulluar dhëmbët. Jam tepër e kënaqur me shërbimet që i ofrojnë këtu, stafi shumë i mirë”, tha Sebahate Krasniqi, paciente.

    “Këtu tash më afër, atje ma larg na ka rënë, është dashur të shkojmë në Dardani, mirë po na presin”, tha Hanife Xhemshiti, paciente.

    Kjo qendër pritet t’ju shërbejë afro 20 mijë banorëve të Veternikut. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ramës nuk i mbetet hatri që nuk e takoi Kurti

    Ramës nuk i mbetet hatri që nuk e takoi Kurti

    Kryeministrit të Shqipërisë nuk i ka mbetur hatri që homologu i tij nga Kosova nuk e priti në takim gjatë të enjtes.

    Edi Rama thotë se nuk i ngatërron mosmarrëveshjet politike me ato personale.

    “Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin. Nuk ndihem i fyer si një dhëndër. Shkova në Prishtinë siç erdha këtu. Në asnjë mënyrë nuk kam problem personal me kryeministrin Kurti. Kemi vetëm qëndrime të kundërta lidhur me një situatë. Natyrisht këtë situatë e përjetojmë ndryshe. Unë e shoh si situatë ku duhet të takohemi e të bisedojmë, Kurti e sheh ndryshe”, tha Rama.

    Madje, gjatë vizitës në Mal të Zi, kryeministri shqiptar njoftoi se Kurti do të jetë i ftuar në Samitin e Tiranës për Procesin e Berlinit.

    “Kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe dëshiroj që të jemi të gjashtë, përkundër faktit që në vende të tjera mund të mos e ftojnë, në Tiranë është në shtëpinë e vet. Përkundër që mund të garojë të bëhet zot i asaj shtëpie”, tha Rama

    Megjithatë, Rama kritikoi politikën e Kurtit lidhur me qëndrimin e kryetarëve brenda objekteve komunale. Derisa, Lulzim Hetemin e Leposaviqit sërish e quajti Oso Kuka.

    Gjatë konferencës për media fjalën e mori edhe nikoqiri Dritan Abazoviq, i cili i komentoi raportet Kosovë – Serbi.

    “Çdo konflikt me ndërkombëtarët nuk mund të jetë i mirë. është harxhuar kohë e madhe për propozimin i cili nuk është perfekt, por është i mirë. Mendoj se do ishte mirë të shkohej drejt firmosjes së kësaj marrëveshjeje. Kështu i shoh punët. Ajo do të ishte shtytje e mirë për rajonin, si mesazh për afrimin mes palëve”, tha Rama.

    Gjatë ditës Rama qëndroi edhe në Bosnjë e Hercegovinë, ndaj udhëheqësve të së cilës kërkoi zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.

    Edi Rama të shtunën do të qëndrojë në Beograd, për takim me presidentin Aleksandër Vucic. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Zyrtarizohet marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit

    Zyrtarizohet marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit

    Hap pozitiv, por vështirë i realizueshëm në praktikë, po vlerësohet nga avokatët marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë rreth ushtrimit të profesionit të avokaturës.

    Qeveritë e të dyja vendeve tashmë e kanë zyrtarizuar marrëveshjen për njohjen reciproke të profesionit të avokatit.

    Por, anëtari i Odës Kombëtare të Avokatisë në Shqipëri, Arben Lena, thotë se do të ketë vështirësi në praktikë.

    Lena përmend dallimet në legjislacion dhe të tjera pengesa në aspektin ligjor që do të duhej, sipas tij, të rregulloheshin mes Odave të të dyja vendeve.

    Bashkëpunimin me avokatët nga Shqipëria e mirëpresin avokatët e Kosovës.

    Por shohin të njëjtat sfida në zbatimin e marrëveshjes.

    Avokati Yll Zekaj është skeptik nëse ministritë e linjës kanë pasur kompetenca për të arritur një marrëveshje të tillë.

    Megjithatë, sipas draftit të siguruar nga ATV-ja, në nenin 7, parashihen disa marrëveshje teknike brenda disa muajve, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

    Sipas këtij neni, Dhomat përkatëse të Palëve lidhin marrëveshje teknike për rregullimin e anëtarësisë dhe pagesën e kontributit të anëtarësisë, e çështje të të tjera përfshirë edhe masat disiplinore.

    Ndërsa, neni 8 përcakton se Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë dhe Oda e Avokatëve të Kosovës bashkëpunojnë për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe për rritjen e kapaciteteve profesionale të avokatëve, sipas marrëveshjeve teknike që lidhin ndërmjet tyre. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Pse Kosova mbeti jashtë Programit të Evropës Digjitale?

    Pse Kosova mbeti jashtë Programit të Evropës Digjitale?

    Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë për Kosovën, për shkak të tensioneve në pjesën veriore të vendit, kanë penguar nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociimit me Programin e Evropës Digjitale.

    Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian, që parasheh ndarje fondesh, është shtyrë për një datë të mëvonshme.

    “Momentalisht, takime të nivelit të lartë apo ministror nuk janë duke u zhvilluar me Kosovën, prandaj Kosova nuk është ftuar në Dialogun e Dytë Rregullator BE-Ballkan Perëndimor dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Kosovën është shtyrë për një datë të mëvonshme”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së.

    BE-ja dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbajtën një takim në fund të qershorit. Në atë takim, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshjet përkatëse me Komisionin Evropian dhe u bënë pjesë e Programit të Evropës Digjitale.

    BE-ja ka bërë të ditur në fund të muajit të kaluar se ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese për Kosovën – përfshirë pezullime takimesh të nivelit të lartë dhe fondesh – për shkak të mospërfilljes së kërkesave të saj për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

    Situata e sigurisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe është përkeqësuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

    Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.

    BE-ja i ka kërkuar Kosovës që t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe të organizojë zgjedhje të reja, por, deri më tash, nuk ka hapa në këtë drejtim.

    Çka është Programi i Evropës Digjitale?

    Vlera financiare e Programit të Evropës Digjitale kap shifrën prej 7.5 miliardë eurosh.

    Me këtë buxhet, ky program synon të përshpejtojë rimëkëmbjen ekonomike të vendeve që aspirojnë BE-në.

    Përmes tij, qytetarët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe institucionet publike kanë mundësi të aplikojnë me projekte të ndryshme.

    “Programi i Evropës Digjitale është një program i ri dhe, në momentin kur shkëmbehet një nënshkrim ndërmjet Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, subjektet kosovare do të mund të përfitojnë nga thirrjet e Programit të Evropës Digjitale”, thanë nga Zyra e BE-së për Radion Evropa e Lirë.

    Thirrjet e para për propozime, për vitet 2023-2024, janë hapur më 11 maj të vitit 2023 dhe do të mbyllen më 26 shtator të po këtij viti.

    Kandidatët e suksesshëm nga vendet e asociuara, sipas BE-së, do të mund të përfitojnë mbështetje në fusha të ndryshme, si: të dhënat për BE-në dhe hapësirat e përbashkëta të të dhënave, inteligjenca artificiale, aftësitë e avancuara digjitale e të tjera.

    Nga BE-ja thanë se Kosova, pasi që ta nënshkruajë marrëveshjen, do të mund të kualifikohet për ndihmë në krijimin e Qendrave Evropiane të Inovacionit Digjital. Këto qendra, sipas BE-së, ofrojnë shërbime për transformimin digjital të sektorit privat dhe publik.

    “Pas asociimit, aplikuesit nga Kosova do të kenë mundësi të përfitojnë dhe t’iu përgjigjen thirrjeve të ardhshme të këtij programi”, thuhet në deklaratën me shkrim që Zyra e BE-së i dha REL-it.

    Çka humb Kosova?

    Ministria e Ekonomisë e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar shtyrjen e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje dhe humbjet eventuale që pëson vendi.

    Por, eksperti i sigurisë kibernetike, Driart Elshani, thotë se ky program digjital është shumë i rëndësishëm, pasi që siguron fonde për përballimin e sfidave të digjitalizimit.

    “Shpresoj që edhe Kosova të jetë [pjesëmarrëse] në një të ardhme të afërt, sepse është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, si dhe për avancimin e shkathtësive digjitale”, thotë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

    Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se mospërfshirja e Kosovës në programin në fjalë e dëmton vendin.

    Ajo thotë se mekanizmi që udhëheq, ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

    “Nuk dimë asgjë se çfarë po ndodh. Është shqetësuese mospërfshirja në Programin e Evropës Digjitale. Nuk e dimë nëse është edhe ky një sanksion, Qeveria nuk na ka dhënë ndonjë informacion”, thotë Krasniqi, e cila vjen nga opozita, për Radion Evropa e Lirë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më herët se masat ndëshkuese të BE-së janë të padrejta dhe ka shfaqur shpresën se ato nuk do të zgjasin shumë.

    Qeveria e tij ka miratuar, muajin e kaluar, Agjendën Digjitale 2030.

    Ajo përshkruhet si një strategji qeveritare ndërsektoriale, e cila përcakton politikën dhe prioritetet e veçanta të Kosovës në kontekstin e transformimit të vazhdueshëm digjital të ekonomisë dhe shoqërisë.

    Përmes kësaj agjende thuhet se Kosova do t’i përdorë mundësitë e zhvillimit të teknologjive të avancuara, “për t’u bërë një shoqëri e avancuar digjitale dhe për të mbështetur rritjen ekonomike dhe forcimin e konkurrencës kombëtare”. /REL/